Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Riorganizimi i Partisë Socialiste do jetë një garanci e plotë që ky subjekt të mbetet partia lider në politikbërjen e Shqipërisë

Të reja

Riorganizimi i Partisë Socialiste do jetë një garanci e plotë që ky subjekt të mbetet partia lider në politikbërjen e Shqipërisë

09 Jul 2021    

Prononcimi për media i Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri:

Faleminderit për interesimin!
Kjo e sotmja ishte një mbledhje e parë prezantuese. Një bashkëbisedim me Kryetarin e Partisë në lidhje me vizionin e ri që u paraqit edhe në Kongresin e Partisë Socialiste, si edhe me fillimin e punës për riorganizmin e Partisë Socialiste, ku së bashku me Sekretarët e rinj do të ndërtohet një proces i vazhdueshëm. Në fillim me analizat post-zgjedhore, të cilat janë shumë të nevojshme për të marrë një “feedback”real nga terreni, por njëkohësisht edhe për të ristrukturuar partinë, në një mënyrë të tillë që të përballojë sfidat në mandatin e tretë.
Mandati i tretë është i vështirë, sepse natyrshëm qeveria në njëfarë mënyre ka koston e saj. Puna ku duhet të bazohet Partia Socialiste dhe angazhimi i gjithë organizatave socialiste do të jetë një garanci e plotë, që kjo parti të mbetet vazhdimisht partia lider në politikbërjen e Shqipërisë.

Pyetje: Z. Gjiknuri, kryeministri Edi Rama ju ka vendosur një afat 100-ditor për të gjithë drejtuesit dhe Sekretariatet. A është ky afat i mjaftueshëm për të përmbushur platformën e kërkuar?

Përgjigje: Qëllimi i afatit 100-ditor është përmbyllja e analizës post-zgjedhore të nisura nga Kongresi që u zhvillua në Qershor. Ky 100 – ditësh do i vlejë të gjithë ekipit drejtues, ekzekutiv të Partisë Socialiste për të përgatitur organizimin e ri.
Mendoj se është një afat i mjaftueshëm për të krijuar një ide dhe për të dalë me një platformë, e cila natyrshëm do të dojë vite për t’u implementuar.
Partitë, testimin e të gjithë aftësive të tyre organizative e kanë kur vijnë zgjedhjet.  Brenda dy vitesh do të kemi zgjedhjet vendore dhe brenda katër vitesh do të kemi zgjedhjet e përgjithshme. Mendoj se është kohë e mjaftueshme  për të testuar ri-organizimin e ri të partisë.

Pyetje: Paralelisht keni nisur me analizën e zgjedhjeve të 25 Prillit?

Përgjigje: Analiza do të zgjasë deri në fund të vitit. Fillimi i vitit do e gjejë Partinë Socialiste me një statut të ri dhe ri-organizim të ri për t’iu përgjigjur sfidave që kërkon mandati i tretë.
Mandati i tretë, e ka thënë edhe Kryeministri, është një mandat i vështirë. Njerëzit kanë pritshmëri, Partia Socialiste ka një eksperiencë të madhe, por ka pasur edhe probleme, për të cilat ne duhet të reflektojmë.

Pyetje: Z. Gjiknuri, ka pakënaqësi brenda strukturës drejtuese të Partisë Socialiste dhe si do ta menaxhoni ju këtë si Sekretar i Përgjithshëm?

Përgjigje: Unë nuk di të ketë pakënaqësi. Këto janë konstatime të natyrës së anekdotave, sepse nuk kam dëgjuar pakënaqësi.
Natyrshëm brenda një organizate, aq më tepër vullnetare, me organe kolektive ka edhe pritshmëri të ndryshme. Mund të ketë edhe mosrealizim të ndonjë pritshmërie.
Jam i bindur se Partia Socialiste ka kaluar aq prova edhe më parë për të mbajtur të gjithë ekuilibrat e nevojshëm dhe të nxjerrë më të mirën e saj përsa i përket ekipit që ka.

Pyetje: U ndje mungesa e z. Balla në mbledhjen e Sekretariatit?

Përgjigje: Për këtë duhet të pyesni z. Balla.
Z. Balla ka një detyrë shumë të rëndësishme që është drejtimi i Grupit Parlamentar Socialist. Mendoj se ndarja e dy funksioneve është bërë për funksionimin më mirë të partisë dhe nuk ka pasur për qëllim të zvogëlojë dikë dhe të rrisë dikë tjetër.
Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm