Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Riorganizimi i Partisë Socialiste garanci për fitoren e zgjedhjeve të vitit 2023

Të reja

Riorganizimi i Partisë Socialiste garanci për fitoren e zgjedhjeve të vitit 2023

07 May 2022    

Fjala e Sekretarit të Përgjithshëm të PS, Damian Gjiknuri, në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste

Siç e thashë dhe në fillim, pas atij Kongresi që do ta quaja shumë të suksesshëm të Partisë Socialiste jo vetëm për nga mesazhet dhe përmbajtja e atyre punimeve, por mbi të gjitha ishte një kombinim shumë i rëndësishëm i një partie politike që di të mbajë shumë mirë në të dyja krahët edhe aspektin organizativ, edhe synimet e saj politike, programore; që ju hap rruga jo vetëm me ndryshimet e Statutit, por dhe me të gjithë këto akte që do të miratojmë sot. Por njëkohësisht ishte një Kongres inovativ për faktin që në ato sesione, u zhvillua edhe një qasje tjetër për qytetarët dhe të interesuarit ku Partia Socialiste nuk është thjeshtë një parti që sheh brenda saj, por në to u trajtuan tema që kanë të bëjnë me zhvillimet e vendit, me qeverisjen e vendit, me sfidat që kalon ky vend, aq më tepër nisur edhe nga kushtet dhe krizat që Shqipëria ka kaluar vitet e fundit.

U ballafaquan arritjet, por njëkohësisht u shpalosën edhe perspektiva pavarësisht se vendi ka kaluar momente të vështira; dhe kjo ishte një risi e këtij Kongresi. U mirëprit nga qytetarët, u mirëprit nga delegatët, u mirëprit nga të gjithë dhe unë dua t’ju falenderoj dhe ju si Asamble sepse edhe ju keni rolin tuaj për pjesëmarrjen aktive në ato zhvillime. Dua t’ju përgëzoj, sepse ai Kongres ishte një arritje e mirë dhe një imazh i duhur i Partisë Socialiste, si e vetmja forcë e aftë për të qeverisur këtë vend, që nuk e ka garën me të tjerët, por e ka garën me vetveten.

Qenia e gjatë në pushtet krijon dhe sfida të reja; dhe pikërisht gjithë kjo reformë nga pikëpamja strukturore, organizative, i shërben rifreskimit dhe vetëkorrigjimit. Qenia gjatë në pushtet ka dhe rreziqet e veta, që një organizatë e mësuar gjatë në pushtet, mund të bjerë në një lloj gjumi, mund të bjerë në një lloj kurthi brenda vetes së saj dhe është gjithmonë e nevojshme që të rigjenerohet nga brenda. Nuk ka formulë tjetër të suksesit afatgjatë po s’pate rigjenerim të vazhdueshëm, qoftë me njerëz të rinj, por mbi të gjitha me ide të reja. Pikërisht ky proces që do të ndjekim, sidomos fillimi i ngritjes së sturkturave organizative në të gjithë territorin e Shqipërisë, flas për kryetarët e partive në nivel vendor apo dhe Sekretariatin e ri Ekzekutiv të shtrirë në çdo bashki të vendit, i shërben forcimit të organizatës. Jo vetëm me njerëz të rinj, por mbi të gjitha të bëhet tamam një organizatë, me një skelet të fortë strukturor, administrative, që pavarësisht garave të ndryshme, vështirësive dhe humbjeve herë pas here në vende të caktuara, ne të kemi një parti solide, me strukturë të qartë dhe që është gjithmonë e përgatitur të ringrihet apo të korrigjojë edhe gabimet aty ku ka nevojë për korrigjim. E pikërisht ky organizim kësaj i vlen. Do të dojë një proces të veçantë dhe si do ta shikoni edhe nga Rregullorja e re për zgjedhjen e kryetarëve të partisë, do të jetë një proces shumë konkurrues, shumë më ndryshe nga çka qenë më parë, do të kemi ballafaqim idesh, para anëtarësisë. Nuk do të kemi më atë mënyrën e ngushtë të propozimit të kandidatëve të partisë, por çdo anëtar i partisë, çdo njeri i interesuar që e gjen veten që mund të konkurrojë dhe të drejtojë një parti vendore, do ta ketë këtë mundësi që të paraqesë plaftformën e tij, vizionin e tij, pse jo të marrë mbështetjen e anëtarësisë poshtë, por njëkohësisht dhe të bindë që është i aftë të drejtojë. Kjo është gjenerata e re e drejtuesve. Në fund të fundit nga do t’i gjejmë njerëzit, drejtuesit tanë politikë që mund të jenë nesër të zgjedhur vendor, deputetë, mund të jenë gjithçka. Ka njerëz që dinë ta bëjnë mirë dhe duan punën e partisë dhe dinë të udhëheqin partinë në nivel lokal dhe pikërisht ky proces do të evidentojë shumë njerëz.

Unë shpresoj që të gjithë të jemi aktiv në të. Kërkoj nga anëtarët e Asamblesë Kombëtare që ta marrin shumë seriozisht, sepse është një mundësi e mirë për të gjeneruar njerëz, burra apo gra që mund të jenë të zotë ta ringrejnë Partinë Socialiste dhe ta çojnë Partinë Socialiste në nivele të tjera.

Nga ana tjetër edhe struktura e re, Sekretariati Ekzekutiv, do të synojë që të jetë një strukturë e mirëfilltë mbështetëse me evidenca të qarta, me forcë strukturore, me qëllim që Partia Socialiste të jetë një strukturë e mirëfilltë e organizuar, që pavarësisht fluktuimeve, se ka njerëz që mund të jenë edhe në pozicione shtetërore, partia mund të ketë edhe momente më të vështira në disa zona, këta do të jenë tamam shtylla kurrizore që do ta mbajnë gjallë, qoftë me evidenca, qoftë duke ndjekur çdo lloj detyrimi që kanë anëtarët e partisë ndaj partisë. Mendoj se kjo është një strukturë mëse e nevojshme, me modele shumë të suksesshme me vendet e tjera dhe ne po tentojmë ta implementojmë për herë të pare, gjithmonë me synimin e asaj që thashë: një organizatë e fuqishme, e qendrueshme, por gjithmonë me ide të reja. Pasja e njerëzve të duhur dhe hapja e mendjes për ide të reja, duke reflektuar mbi ato çka kalojmë në qeverisjen e vendit, do ta bëjë Partinë Socialiste të pamposhtur.

Dhe së fundmi ajo axhendë politike, që unë e përmenda, është shumë e rëndësishme për t’u implementuar që do të fillojë pas zgjedhjeve të strukturave të partisë, do të kalojmë në ngritjen e strukturës së Koordinatorëve Elektoralë, do të kalojmë në një proces dëgjesash dhe takimesh ku do të jetë edhe qeveria, edhe ministrat kryesorë pjesë të kabinetit në çdo qark të vendit, me qëllim që të testohen vërtet nevojat, jo vetëm të elektoratit. Të dëgjohet edhe partia, por mbi të gjitha elektorati i gjerë, për t’u përgatitur siç duhet, që në zgjedhjet vendore ne të ballafaqohemi siç duhet. Jam i bindur që kjo parti do të jetë përsëri e pamposhtur dhe do t’i fitojë pjesën dërrmuese të bashkive të këtij vendi, pse jo të gjitha, por gjithsesi jam i bindur se pjesa dërrmuese e bashkive të vendit, do të jetë prapë nën drejtimin e Partisë Socialiste. Po për këtë duhet punë dhe kjo punë duhet filluar që sot.

Na pret një punë intensive; në vitin 2023 do të jenë zgjedhjet, besoj do të zhvillohen në Prill apo Maj siç e ka afatin kushtetues dhe ligjor. Kemi kohë të mjaftueshme të riorganizohemi siç duhet dhe të ballafaqohemi me njerëzit më të mirë dhe le ta shfrytëzojmë dhe këtë proces konsultimi brenda partisë, për të parë ku janë problemet reale, por njëkohësisht për të identifikuar njerëzit e duhur që do të udhëheqin partinë, pse jo të jenë pjesë kyçe e fitores sonë elektorale në zgjedhjet vendore që do të vijnë.

Dua t’ju uroj suksese sot në punimet e kësaj Asambleje!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm