Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Ripërtëritja e Partisë Socialiste ka për synim qëndrimin në lartësinë e sfidave që sjell koha

Të reja

Ripërtëritja e Partisë Socialiste ka për synim qëndrimin në lartësinë e sfidave që sjell koha

18 Jun 2022    

Peshkopi, fjala e Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, në takimin për përzgjedhjen e drejtuesve të rinj vendor në 61 bashkitë e vendit :

 

Përshëndetje të gjithëve!

Shumë kënaqësi që jam këtu sot për të ndjekur këtë ballafaqim të hapur mes kandidatëve për kryetarë të partisë së Bashkisë Dibër, në kuadrin e një procesi që shtrihet në të gjithë territorin e vendit tonë për të zgjedhur si fillim kryetarët apo kryetaret në 61 bashkitë dhe pastaj për tu shtrirë me njësitë bashkiake në funksion të një riorganizimi tërësor të Partisë Socialiste.

Arsyeja pse ne kemi arritur të jemi të suksesshëm në garat tona elektorale, në radhë të parë është sepse ne gjithmonë jemi përpjekur të përmirësohemi qoftë në qeverisje, por qoftë sidomos në mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Partisë Socialiste.

Arsyeja pse ne kemi qenë të suksesshëm në raport me gjithë të tjerët, por edhe në raport me vetveten është se ne nuk kemi fjetur mbi dafina pasi kemi fituar zgjedhjet, por menjëherë kemi filluar të reagojmë në radhë të parë duke parë mirë rezultatet, duke u përpjekur të lexojmë rezultatet ashtu siç duhet, duke mos u kënaqur me atë që kemi arritur dhe duke e shtrirë reagimin tonë në procese ripërtëritje të Partisë Socialiste.

Partia është një trup i cili ka nevojë të ushtrohet vazhdimisht për të qenë i shëndetshëm, i cili ka nevojë të ripërtërihet vazhdimisht për të qenë në lartësinë e sfidës dhe i cili ka nevojë vazhdimisht për gjak të ri, ka nevojë vazhdimisht për energji të reja, ka nevojë vazhdimisht për të parë përtej pikës ku ka mbërritur.

Ne përsëri edhe këtë herë e kemi filluar menjëherë pas zgjedhjeve së shkuara punën për ta lexuar si duhet rezultatin në të gjitha bashkitë, në të gjitha qarqet, në të gjitha njësitë, në të gjitha qendrat e votimit dhe nuk është e rastësishme që këtë herë procesi i zgjedhjeve në parti është ndryshe. Ka një risi si rezultat i një analize dhe si një rezultat i një debati të brendshëm që ne zhvilluam dhe si një rezultat i një vendimi të marrë në kongresin e Partisë. Është shumë e rëndësishme që ta fuqizojmë cilësinë e jetës në Partinë Socialiste. Është shumë e rëndësishme që të rrisim shkallën e përgjegjësisë në anëtarësimin e Partisë Socialiste, lidhur me arsyet pse ne jemi pjesë e kësaj familje, lidhur me qëllimet, aspiratat, me ëndrrat dhe me shpresat e njerëzve të cilat kjo familje politike duhet t’i mishërojë si shembulli më i mirë dhe si shembulli më i besueshëm. Prandaj është shumë e rëndësishme që ky proces të zhvillohet deri në fund me krijimin e mundësisë për të gjithë ata që kanë ambicie për të marrë një rol drejtues në parti.

Ndërkohë siç kemi rënë dakord, kudo ku ne kemi kandidatura të mira të cilat vlerësohen me notat më pozitive nga komisioni i posaçëm që ka ngritur Kryesia e Partisë për të bërë seleksionimin e kandidaturave dhe qëllon që këto kandidatura janë edhe një grua dhe një burrë apo një vajzë dhe një djalë, ne do të vazhdojmë me drejtimin e partisë me një kryetar burrë apo djalë dhe më një kryetare grua apo vajzë. Pra me bashkë drejtimin e partisë siç kemi rënë dakord që të bëjmë në organizatat e partisë dhe e vërteta është se kudo ku organizatat e partisë janë të bashkëdrejtuara dhe me barazi gjinore në drejtim, rezultatet janë më të mira, janë më pozitive dhe është e pajustifikueshme për ne që të kemi organizata të cilat nuk e kanë bashkëdrejtimin edhe me justifikimin që këtu s’ka gra. Po të mos kishte gra në një qendër votimi, po të mos kishte gra në një zonë, por të kishte vetëm burra, aty s’do kishte as parti dot. Aty do ishte problem i madh shumë. Do ishte një situatë xhungle, por shyqyr që janë gratë që dhe burrat e mbajnë veten se ndryshe do kishin ikur fare. Kështu që justifikimi që s’ka gra, është kot, qoftë edhe në fshatin më të largët. Madje nga eksperienca ime, sa më shumë burra të bëjnë si të fortë edhe sikur s’ka gra aty, aq më shumë drejtohen nga gratë, vetëm se e marrin drejtimin nga shtëpia, nuk e marrin në kafe ku rrinë vetëm me njëri – tjetrin. Besoj që jemi të qartë për këtë. Këtu sidomos në Dibër ku ka plot gra dhe vajza që janë aktiviste në Partinë Socialiste, jo sot, po denbabaden dhe kjo është një traditë shumë e mirë e cila duhet fuqizuar.

Ju uroj shumë sukses jo të gjithë kandidatëve, se siç e tha Belinda, njëri apo njëra ose njëri dhe njëra do kenë suksesin në kuptimin e përzgjedhjes, por ju uroj sukses të gjithëve si pjesëtarë të kësaj familje politike. Ne kemi marrë një rezultat jo të mirë në Dibër në zgjedhjet e fundit të përgjithshme, pra nuk e kemi arritur objektivin. Është një nga të paktat zona apo qarqe ku ne nuk e arritëm objektivin tonë. Mirëpo patëm një ri zgjim shumë pozitiv në zgjedhjet e pjesshme vendore, ku u pa shumë qartë se kur ju doni, nuk ka asnjë gjë që ju pengon të realizoni objektivin. Kur ju merreni me njëri-tjetrin, e për tu marrë me njëri-tjetrin shqiptarët janë shumë të zotë, por dibranët në mënyrë të veçantë, kanë një zotësi shumë speciale kur ja hyjnë njëri-tjetrit, atëherë sigurisht që dhe rezultati nuk ka sesi të jetë i mirë, por besoj që mësimet e nxjerra do të na vlejnë të gjithëve. Jam i bindur se jo vetëm në zgjedhjet e ardhshme vendore ku ne patjetër duhet ta rikonfirmojmë kryetarin e bashkisë të cilin e keni pritur shumë mirë, të cilin Dibra e ka votuar masivisht dhe për të cilin edhe sot që flasin vazhdoj dëgjoj vetëm fjalë të mira, kjo duhet parë sepse kur thonë fjalë të mira nuk është domosdoshmërish pozitive, por të paktën deri tani janë vetëm fjalë të mira. Kështu që, mos e marshim mësysh kryetarin e bashkisë dhe mos fillofshin ato hedhje-pritjet dibrane prapa krahëve se pastaj na mori lumi dhe përveçse ta rikonfirmojmë kryetarin e bashkisë në zgjedhjet e ardhshme vendore sepse realisht, ai është një drejtues që do bëjë shumë punë dhe ne do ta mbështesim shumë, por duhet të rimarrim ato 3 mandatet tona që na takojnë në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme sepse ne jemi këtu për një rrugë të gjatë dhe jemi këtu për të arritur të gjitha objektivat që i kemi vënë vetes dhe për ta bërë Shqipërinë e 2030 vendin që meritojnë fëmijët tanë. Shumë faleminderit të gjithëve dhe tani fjalën e kanë kandidatët dhe kandidatet. 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm