Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Shqipëria, sot është shumë më tepër Shqipëria e grave dhe vajzave, sesa ishte përpara se ne të merrnim detyrën e qeverisjes

Të reja

Shqipëria, sot është shumë më tepër Shqipëria e grave dhe vajzave, sesa ishte përpara se ne të merrnim detyrën e qeverisjes

16 Apr 2021    

 

   

Takim me gratë në Tiranë - Rruga drejt 25 prillit -

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

Lajmi i fundit është që unë kam bërë botoks. Është lajm në mediat që i bëjnë gjithë kohës botoks sondazheve të Lulit. I bëjnë gjithë kohës botoks fushatës së Lulit dhe partisë së Lulit dhe nuk lënë laps pa përdorur për t’i shtuar çdo ditë, rrudha imazhit të Shqipërisë. Për t’ia shkarravitur çdo ditë, fytyrën këtij vendi, për t’ia shkarravitur çdo ditë, faqen këtij vendi dhe për t’ia ekspozuar çdo ditë, karikaturën e shpirtit të tyre, njerëzve të këtij vendi. Unë botoks? E pse kam bërë botoks, apo sepse u jam dukur papritur i qeshur dhe lëkura ime papritur iu është dukur si lëkura e Fevziut me shkëlqim?

Ka një arsye në fakt, pse unë jam pak më i qeshur seç isha. Ka një arsye në fakt, pse unë nuk jam aq i ngrysur sa isha. Ka një arsye në fakt, pse lodhja dhe stresi shihen më pak në fytyrën time.

Kjo arsye nuk është botoksi.

Kjo arsye është dielli që ka filluar të shkëlqejë përsëri mbi Shqipërinë. Kjo arsye është dielli që shkëlqen në sytë e qindra mijërave gjysheve e gjyshërve që marrin vaksinën dhe marrin frymë thellë e vrapojnë të takojnë nipat dhe mbesat. Marrin vaksinën dhe hapin derën për fëmijët e tyre. Marrin vaksinën dhe kanë rifilluar të gatuajnë për djemtë e nuset e tyre, pa pasur frikë t’ua hapin derën.

Si nuk e bëka efektin shumë më të mirë se botoksi e gjithë kjo!

E bën që ç’ke me atë punë, sepse unë nuk jam në këtë detyrë për të bërë sikur. Unë nuk jam në këtë detyrë për të dalë në televizor dhe për të qenë ai që s’jam. Unë nuk jam në këtë detyrë për të menduar se si u dukem tjerëve kur ngrysem, kur nxehem apo kur qesh.

Unë jam në këtë detyrë për të qenë deri në fund, me mish e me shpirt, me të gjithë ata që më kanë dhënë këtë detyrë. Natyrisht, nëse të gjithë ata janë në stres, janë në ankth, nuk e dinë çfarë vjen nesër, janë mbyllur në shtëpi, duke u lutur të mos humbin njerëzit e tyre më të dashur, si nuk u reflektoka kjo në fytyrën time!

Fytyra është pasqyra e shpirtit. Natyrisht ka mjeshtra që dinë ta bëjnë fytyrën pasqyrë të boshllëkut të tyre, apo që e kanë pasqyrë të boshllëkut të tyre. Apo që e kanë pasqyrë të boshllëkut të tyre.

Kush e ka shpirtin gjallë, kush e ka shpirtin të angazhuar, kush e ka shpirtin derë të hapur, për të lënë të hynë të gjitha ankthet, të gjitha pasiguritë, të gjitha problemet e njerëzve që ka rreth e rrotull, e lëre më pastaj, kush është në këtë detyrë edhe e ka shpirtin të gatshëm për t’i thithur të gjitha këto, sigurisht që fytyrën e tij e ka të pikërisht atij stresi, sforcimi dhe asaj lodhje. Si mund të jetë ndryshe!

Dikur një president i SHBA-së i tha shefit të tij të kabinetit se i duhej  dikush për një detyrë, por kushti kryesor është që të jetë njeri i mirë.

Ki parasysh, është shumë e rëndësishme të ketë këtë, po duhet të jetë një njeri i mirë”, - i thotë presidenti.

Vjen kandidati i zgjedhur nga shefi i kabinetit dhe takon presidentin. Pasi presidenti e përcjell, thërret shefin e kabinetit e i thotë:

Të thashë më duhet një njeri i mirë, - i thotë presidenti.

Zoti president, nga të gjitha nga ata që ne morëm informacion, nuk na rezulton njeri i keq”, - i thotë shefi kabinetit.

Ia pe fytyrë? – thotë presidenti.

Çfarë faji ka ai për fytyrën? – përgjigjet shefi i kabinetit.

Dëgjo, biri im - i thotë presidenti, mbas të 40-ve, çdo burrë mban përgjegjësi për fytyrën që ka.

 Dhe unë sot mbaj përgjegjësi për fytyrën time. Ndihem jashtëzakonisht mirë sot, që atyre të cilëve merren me botoks u jam dukur me botoks. Sepse në fakt, me sa duket, fytyra ime ka filluar të reflektojë pikërisht atë çlirim që sot po shtrihet me një shpejtësi të madhe, në qindra mijëra zemra dhe mëndje shqiptare. Kemi kaluar përtej 300.000 të vaksinuarve. Janë mbi 300.000 mijë zemra të gëzuara, mbi 300.000 mijë mendje që kanë filluar të mendojnë ndryshe.

Natyrisht, s’ka se si të jetë ndryshe, kur më në fund e shoh si qiellin sot, dritën përtej tunelit të pandemisë. E shoh njësoj, siç u shoh sot të gjithave ju, Shqipërinë përtej pandemisë. Shqipërinë që ne duhet dhe do ta bëjmë të ardhmen tonë, sepse ky është misioni ynë.

Ka një arsye pse ne kemi arritur deri këtu, ka një arsye pse  në këtë shesh, të gjitha ju që jeni pikat kyçe të rrjetit tonë të grave të Tiranës, për 25 prillin, jeni këtu. Ka një arsye pse sot në skuadrën tonë janë gratë dhe vajzat që janë këtu. Të gjitha historitë e tyre janë të ndryshme.

Ogerta ka qënë gjimnaziste kur në një grup të vogël vajzash e djemsh, kur mu bashkuan mua në fushatën për Tiranën. Në të parën fushatë në historinë e zgjedhjeve tona, ku kandidati doli nga sallat dhe ku filloi komunikimi me njerëzit në rrugë. Ogerta vazhdoi rrugën e saj, për të ardhur sot, deri këtu, ministre e Shëndetësisë. Një rrugë e kërkesës ndaj vetes dhe një rrugë e rritjes profesionale. Një rrugë e rritjes edhe e angazhimit shoqëror. Një rrugë e meritës dhe një rrugë që sot e çoi aty ku papritur u gjend me barrën më të jashtëzakonshme të përgjegjësisë, përballimin e një pandemie që vjen 1 herë në 100 vjet. Dhe nëse ne e përballuam pandeminë dhe nëse ne sot jemi një nga pak vendet në krye të tabelës së klasifikimit për ritmin e vaksinimit e nëse sot, shëndetësia jonë është totalisht ndryshe nga sa ishte 6-7 vjet më parë, ka një arsye. Është padiskutim lidershipi i një gruaje, i një nëne, i një vullnetareje pasionante që politikën e jeton si mision.

Ka një arsye pse Etilda është këtu, sot. Një studente e shkëlqyer, pastaj një aktiviste ambicioze për të drejtat e njeriut në Komitetin e Helsinkit. Më pas, një kontributore me ekspertizën e saj në gjithë procesin e hartimit të Reformës në Drejtësi. E më pas, zëvendësministre në atë qeverinë e përqafimit tim me Lulin dhe sot këtu, ministre e Drejtësisë dhe deputete. Përsëri rruga e një vajze e më pas e një gruaje që beson tek dija, beson tek puna, beson tek merita dhe beson se politika është një mundësi për të bërë të mundura gjëra që duken të pamundura.

Ka një arsye pse këtu janë Luljeta dhe Najada. Asnjëra dhe as tjetra nuk vijnë rruga e militantizmit apo nga rruga e një karriere politike brenda partisë. Por të dyja vijnë nga dy rrugë të jetës që në dy momente të jashtëzakonshme i bashkuan shqiptarët dhe në dy momente të jashtëzakonshme i bënë shqiptarët të ndjehen afër me njëri-tjetrin, ta kërkojnë njëri-tjetrin dhe të shikojnë njëri-tjetrin pa menduar fare se kush jam unë e kush je ti, jam i majtë a jam i djathtë, sepse edhe tërmeti, edhe virusi nuk panë majtas e djathtas. Goditën 360 gradë dhe në ato dy momente, shqiptarët u bashkuan dhe ja ku jemi sot. Por në rrugën për të dalë nga rrënojat e tërmetit, në rrugën për të tejkaluar plagët dhe lotët e pandemisë, shqiptarët patën udhëheqësit e tyre shpirtërorë. Luljeta dhe Najada janë dy prej tyre.

Ka një arsye pse këtu është Klodi.

Ja, doli, po e prisja!

Nuk ka se si mos dalë! Është koncerti në vitin 1936 që vazhdon. Është po i njëjti koncert që vazhdon, janë po ata. Partia Demokratike, sot natyrisht ka më shumë makina e bori në dispozicion, por është ajo makina e atij agait të rënë nga vakti që me çdo kusht donte të prishte koncertin dhe që i dukej pianoja si gogol. “Rama ik” thotë ai dhe e bukura e këtyre është se thonë “Rama ik” dhe ikin me vrap. Por realisht, këta janë hudhrat tona.

Klodi është një kampione. Ishte çuni i skuadrës së vajzave të Tironës në basketboll, kërcente më shumë nga të gjitha e nuk i dilte dot njeri përpara. Ne luanim në pallatin e sportit dhe një ndeshje e kishin vajzat në fillim, pastaj luanim ne. Mua më kujtohet trajneri ynë, i ndjeri profesori im, Feti Borova, më thotë një ditë, “ditën e diel luan Tirana me Vlorën”, - Vlora ishte skuadër shumë e fortë dhe ishte kompeticion i madh, “duhet të shkosh përpara e do shohësh Klodin si lëviz brenda në zonë”. Ne kishim të njëjtin rol me Klodin, luanim në qendër. Unë e kam parë Klodin me shumë admirim në atë kohë e më pas, Klodi ka vazhduar  jetën e saj profesionale. Duke qenë kampione e lindur, nuk mundet dot të rrijë vetëm brenda kornizës së punës së saj të përditshme si pedagoge, por ka edhe motivacionin e brendshëm që të përfshihet, për t’i bërë gjërat më mirë, përmes politikës. E përmes politikës bëhen gjërat që më vete nuk i bëjmë dot. Unë jam shumë krenar që Klodi është këtu, bashkë me ne, siç jam shumë krenar që këtu sot, bashkë me ne, është Klodi tjetër.

Klodi tjetër vjen nga një tjetër histori,. Nga historia e vajzave e djemve që u angazhuan në atë kohë me shoqërinë civile, me forume të rinjsh, me forume studentësh. Sot është këtu me ne, një vlerë e padiskutueshme e skuadrës sonë, qoftë në mandatin që po mbyllet, me rolin e veçantë që ka luajtur në Parlament si deputete e Komisionit të Ligjeve, - ka shumë deputetë, por jo të gjithë udhëheqin, jo të gjithë ulen dhe hartojnë planin e rrugës për të arritur rezultatin, jo të gjithë shkruajnë ashtu siç duhet ligjet. Klodi është nga ata pak dhe natyrisht, bashkë me Ermonelën, ajo është komplet histori tjetër.

Më kujtohet se kur donim të gjenim një grua për Beratin dhe po kërkonim midis mundësish të ndryshme, më folën për një prokurore që në shkollën e Magjistraturës ka shkëlqyer si studente e me Ermonelën jemi bashkë prej vitesh. Ajo është shëmbëlltyra e integritetit, e kokëfortësisë, gjë që është shumë e mirë kur ke për të arritur qëllimet, me kusht që të mos e kesh ballë për ballë, kur ke opinione të ndryshme. E duke qenë se në ato nivelet e kokëfortësisë, unë nuk është se jam poshtë, kur  më qëllon që me Ermonelën të kemi mendime të ndryshme për diçka, është taksirati më i madh, por është edhe garancia më e madhe se në fund, gjëja që vendoset është gjëja e duhur.

Mimi është këtu sot, pas një rruge shumë të gjatë. Me Mimin kishim një lidhje të largët në kohë të largët, për shkak të prindërve. Unë isha i vogël kur prindërit e Mimit vinin për vizitës tek shtëpia jonë, bashkë me Mimin. Mimi ishte një super kinge, me flokë të gjata, nga ato lloj kingesh që, kur futet në jetën e një pubertari, krijojnë fantazira dhe ne kishim një fushë basketbolli poshtë pallatit dhe unë gjuaja që të tregoja sa i zoti isha për të bërë kosha, por deri këtu, asgjë më shumë se kaq. Më pas, shumë vite nuk u takuam më e më pas, Mimi punonte në sektorin bankar dhe erdhi me mua të punonte në Bashkinë e Tiranës. Më pas historinë e dini, por e rëndësishme është që edhe Mimi është një tjetër vajzë, grua, që është këtu për një arsye.

Po ashtu, këtu, për një arsye është Dallandyshja, stresi dhe terrori i atyre që ndërtojnë pa leje. Një vajzë në mes të një klani burrash dhe djemsh kuksianë, që është drita e syve të tyre, por ja ku doli që ata burrat e djemtë kuksianë nuk i njeh njeri, por njohin të gjithë Dallëndyshen sepse është shëmbëlltyra e forcës se një vajze, së një gruaje për të ndryshuar gjërat.

Romina ishte në këto agjenturat e vajzave dhe djemve me shumë gjuhë të huaja që i kishin rekrutuar ndërkombëtarët. Është një rrjet agjenturash që bën edhe Ilir Metën që të shikojë fantazma në makthet e tij. Agjentura e qytetarëve me moshë të re që bashkëpunojnë me mafien ndërkombëtare të diplomatëve dhe Romina u përfshi me ne si zëvendësministre e Brendshme, pikërisht për të mbuluar të gjithë pjesën e punës së asaj ministrie që ka të bëjë me ato çështje që ishin dhe çështjet që ajo ka punuar për një kohë të gjatë me OSBE. Dhe ka një arsye pse është këtu.

Ashtu sikundër, nuk mund të diskutohet që, çfarë arsye ka që është këtu Mamica, kjo është një histori që ka filluar qysh në kohën e Skënderbeut, në një jetë tjetër dhe këtu vazhdon në një jetë tjetër.

Unë për Elisën nuk po flas gjatë sepse Elisa ka një gjë që flet vetë shumë, kështu që, ka një arsye, por përtej shakasë që është në këtë rast më shumë se gjysma e të vërtetës, edhe Elisa vjen nga një rrugë krejt tjetër, por ama, që të gjitha këto rrugë krejt të ndryshme bashkohen këtu për një arsye, për vetëdijen dhe për bindjen, të shoqëruar dhe me vullnetin dhe këmbënguljen, se nëse vajzat, nëse gratë do presin që çfarë ato duan të ndodhë në këtë vend, ta bëjnë burrat, ky vend ka marrë fund.

Ka një arsye patjetër se pse këtu është Kledi edhe Bora.

Bora është një simbol i një gjenerate vajzash dhe djemsh që kanë arritur të hyjnë në universitetet më të mira të botës dhe kanë dalë prej aty me rezultate të shkëlqyera. Një pjesë prej tyre, pjesa më e madhe, qëndrojnë në ato vende sepse me ato shkolla e ato rezultate i hapen të gjitha dyert, por ka dhe një pjesë tjetër, që Bora i përfaqëson, që kthehet me bindjen e fortë që këtu, jo vetëm që gjithçka që duket e pamundur është e mundur nëse njerëzit bëhen bashkë, por këtu ka diell, ka det, ka lumenj, ka male, këtu ka bukuri përrallore, këtu ka rreth e rrotull njerëz që flasin gjuhën e nënës tënde, këtu ka kudo ku shkon histori që thithet përmes ajrit, jehona këngësh që vijnë përmes erës dhe këtu, nëse do, nuk je kurrë vetëm.

Pastaj në këtë rreth, në këtë rrjet, në këtë organizim familjar të politikës, që është Partia Socialiste, ti këtu mund të bësh diçka që është ushqim për shpirtin, të mos lësh askënd kurrë vetëm.

Përpara pak ditësh më shkruante një grua dhe më thoshte “Unë jam e djathtë, unë kam halle, njërin prej fëmijëve e kam të sëmurë dhe nëse do të mendoja, nëse nuk do mundohesha të votoja, do votoja PD, por si mund ta votoj unë Partinë Demokratike kur ti më ke shpëtuar nga halli më i madh që kam pasur, nga lekët që burri humbte në baste dhe që ishte mallkimi i shtëpisë sonë”.

Në fakt, ky është dallimi mes nesh dhe Partisë Demokratike. Ne padiskutim nuk jemi të përsosur, nuk i kemi bërë të gjithë gjërat mirë, por ne, bast me jetën e shqiptarëve nuk vëmë, bast me të ardhmen e njerëzve tanë nuk vëmë, ne bast me shkollën e fëmijëve nuk vëmë. Do të thotë që nuk luajmë bixhoz me bebet që sapo lindin, nuk luajmë bixhoz me çerdhet e kopshtet, nuk luajmë bixhoz me ata që shkojnë në shkollë dhe kanë nevojë për tekste të denja, nuk luajmë bixhoz me jetën e atyre që pasi mbarojnë gjimnazin duhet të hyjnë në universitet sipas meritës, nuk luajmë bixhoz me karrierën e mësueseve, mjekëve, infermierëve.

Ne nuk luajmë bixhoz me punën e sipërmarrësve, ne nuk luajmë bixhoz me më të moshuarit, ne nuk luajmë bixhoz duke ardhur vërdallë e duke u premtuar të gjithëve, njësoj si nja nga ato slot machine  e mijëra pikave të bixhozit që u mbyllën dhe duke u thënë “Më jepni votën t’u jap lekë”.

Ka blerje votash me lekë, por ka një blerje shumë më të madhe votash me bixhozin elektoral të PD, një blerje që është simetrike me blerjen që njësoj si në bixhoz, iu bëri Rrapush Xhaferri mendjeve të shqiptarëve, duke i çoroditur komplet “më jep një, të jap dy”, d.m.th, ti nuk ke nevojë fare të mendosh si do fitosh për muajin tjetër, brenda dy javësh unë t’i dyfishoj, brenda 1 muaji t’i katërfishoj. Shqiptarët hynë në qerthullin e një marrëzie, duke arritur deri që të shesin shtëpitë, bagëtinë e duke shkuar tek Rrapushi dhe Rrapushi iu shkonte po njësoj, me makina, me bori.

Madje, Rrapushit i shtronin rrugën me sheqer se po vinte “ëmbëlsira”. Edhe Lulit ia kishin shtruar rrugën me sheqer në Lezhë. Edhe Rrapushi thoshte “më jep një, të jap dy” dhe në fund shqiptarëve, ato dy të Rrapushit iu kthyen në dy gishta që iu futën në sy dhe u qorruan komplet dhe shqiptarët e qorruar u ndjenë të rrethuar nga flakët që i ndezën vetë nën yshtjen e udhëheqësit, nën yshtjen e asaj force politike.

Shumë njerëz thonë “lërë Rrapushin”. Por Rrapushi është prapë mes nesh sot në një formë tjetër. Ai sot ka trajtën e Lulzim Bashës. Është natyrisht më i ri se Rrapushi, më i qeshur se ai, natyrisht më i vështirë për t’u marrë vesh se kush është në fakt, sesa Rrapushi, por është Rrapushi i rikthyer në një formë tjetër, për t’i bërë kësaj shoqërie të njëjtin test. Testin e atij mallkimi që shqiptarët i ka ndjekur dhe për fat të keq i ka kapur në disa momente të historisë së tyre, kur të lodhur, stresuar, të pakënaqur e të zhgënjyer, kanë vajtur pas berihait.

Siç vajtën mbas Haxhi Qamilit. Mblidhuni çuna se dum babën dhe çdo gjë do zgjidhet. Siç vajtën disa herë, deri kur erdhi Rrapushi, përsëri. Si mundet sot, të ketë njerëz që t’i dorëzohen stresit, t’i dorëzohen lodhjes, mërzisë, pakënaqësisë dhe të shkojnë mbas një Rapushi! Të besojnë se ato që ai thotë, mund të bëhen. Dhe i thotë ai që, kur doli atëherë për Bashkinë e Tiranës, shkonte nëpër furrat e bukës dhe u thoshte po të shoh në sy, më shih në sy, kapte bukën dhe u thoshte do të ul çmimin e bukës. Apo kur ekspozonte tramvajin e Tiranës. Apo kur ekspozonte se do t’i hiqte të gjitha taksat dhe Tirana do të çlirohej nga fjala taksë dhe të gjithë do të punonin, të gjithë do fitonin, të gjithë do jetonin. Do kishin aq shumë lekë, sa mos të ngelej as rrush e as kumbulla për të tjerët. Çfarë erdhi mbrapa?

Mbrapa erdhi ajo që vjen gjithmonë në këto raste, boshllëku. Vjen boshllëku në të cilën shoqëria zhytet përsëri, vjen vakumi ku Shqipëria mpaket përsëri, vjen ajo forca thithëse që e tërheq Shqipërinë poshtë, në forma të ndryshme.

Unë nuk them që, nëse votohet ky Xhaferri vogël, do shkojë Shqipëria në flakë. Por do shkojë poshtë. Nuk do vazhdojë të ngjitet, se s’ka se si. Ngjitja për në majën ku ne jemi nisur nuk bëhet duke gënjyer veten dhe njëri-tjetrin se është e lehtë. Bëhet duke qenë të vetëdijshëm se është e vështirë. Po të ishte e lehtë, ne do kishim arritur në atë majë me kohë e me vakt. Por nuk është e lehtë. Në këtë moment është më e rëndësishme se shumë herë të tjera që gratë, ato që e dinë ç’do të thotë të mbash shtëpinë, fëmijët, të kujdesesh për burrin, të kujdesesh për prindërit e burrit dhe për prindërit e tu dhe aq më tepër të kujdesesh për të gjithë këta në një kohë kaq të vështirë sa kjo që po kalojmë, duhet të marrin fatin e votës në dorë në 25 prill.

Askush më shumë dhe askush më mirë sesa gratë nuk e kupton ç’do të thotë të dorëzohesh kur lodhesh, të dorëzohesh kur mërzitesh, të dorëzohesh kur zhgënjehesh. Askush më mirë sesa gratë nuk e kupton që ka vetëm një rrugë për t’u përballur me mërzinë, me lodhjen, me zhgënjimin, që është të vazhdosh, të besosh, të punosh e punosh përsëri.

Kush thotë “lekë, lekë, lekë” thjesht kërkon që ta manipulojë shpirtin e lodhur, shpirtin e trazuar, shpirtin e mërzitur. Ndërsa kush thotë “punë, punë, punë” kërkon ta mobilizojë, ta motivojë, ta çojë në betejë, sepse Shqipëria duhet ta mbarojë betejën. Shqipëria, e cila po fiton një luftë në dy fronte që do kishte gjunjëzuar edhe një elefant, duhet sot të jetë e vetëdijshme si asnjëherë, që asgjë nuk është pamundur nëse shkojmë përpara të vendosur në të njëjtin drejtim.

Ju e keni dëgjuar këto ditë, gjithë atë zhurmën dhe muhabetin në lidhje me çfarë unë thashë përsa i përket bashkëpunimit me Lulzim Bashën dhe PD-në. Natyrisht që mënyra si komentohet është e njëjta, me botoks, ose me shkarravina. Në fakt, sot, nëse ka në këtë vend veshë që mund ta dëgjojnë dhe mund ta kuptojnë deri në fund atë që unë them, janë veshët e nënave, të reja dhe të moshuara. Janë veshët e gjyshërve që me të drejtë kanë shqetësimin, çfarë do të bëjë më shumë Edi Rama, çfarë do të bëjë më shumë PS-ja, çfarë do bëjë më shumë politika për ne, për shtëpinë tonë, për fëmijët, për nipërit e mbesat.

Si do bëhen të gjitha këto, që të bukura duken. Si do bëhen të gjitha këto, me këtë politikë që është mina me sahat që plas gjatë gjithë rrugës, ndërkohë që ne duam të ecim përpara dhe të ndërtojmë.

E pra, thirrja për t’u bashkuar, vetëdija ime se bashkimi dhe tejkalimi i kësaj politike është një domosdoshmëri, bindja ime se dalja përtej tunelit të pandemisë dhe hyrja në një fazë tjetër ku ne kemi mundësi që diellin e mrekullueshëm të Shqipërisë ta bëjmë të mrekullueshëm jo vetëm për turistët, jo vetëm për ata që munden, por ta bëjmë një diell që ngroh edhe ata që deri sot s’munden, nuk është një thirrje për të bërë një qeveri bashkë, siç bëri Saliu qeveri me këtë, Liken, nga halli kur s’kishte votat. Apo siç ka ndodhur bashkimi i partive për interesat e tyre. S’ka lidhje fare.

Ne s’kemi nevojë dhe as nuk do të jemi në nevojën se do të kërkojmë vota, apo do të kërkojmë të tjerë, se në 25 prill, ne do të marrim shumicën absolute. Por është një thirrje për ta bërë politikën t’i ngjajë sadopak, në mos shumë, se shumë do të ishte mrekulli, shqiptarëve. Shqiptarëve përballë tërmetit, shqiptarëve përballë pandemisë, shqiptarëve përballë rrezikut. Natyrisht, shqiptarët në ato faza i bashkoi ajo që e vuanin njësoj nga brenda. Por politika duhet të bëjë që bashkimi të mos të vijë nga vuajtja ose nga halli, por të vijë nga bindja se ky është detyrimi më i madh, është detyrimi më i rëndësishëm, është detyrimi më i dobishëm ndaj njerëzve, për ta bërë politikën një hapësirë ku njerëzit të mos kenë frikë të hyjnë, ta bëjnë politikën ku shume Ogerta, Etilda, shumë Elisa, Bora, Edona si në Shkodër të hyjnë. Të mos kenë frikë të përfshihen se menjëherë i bie mbi kokë balta e qiellit, menjëherë qielli nga blu merr ngjyrën e murrme dhe toka nën  këmbë fillon e tundet dhe shtëpia futet në elektrizimin e përditshëm dhe të përnatshëm të tensionit që vjen nga jashtë dhe godet njerëzit e shtëpisë, godet fëmijët. Që kur fëmijët shkojnë nëpër shkolla, fëmijët rreth e rrotull t’i shikojnë si njerëz të çuditshëm, që nuk janë thjesht shokë, bashkëmoshatarë. Kjo qenëri duhet të tejkalohet dhe të lihet pas, sepse Shqipëria është shumë e vogël për të mos ia dalë. Por duke qenë kaq e vogël, është e destinuar vetëm të bjerë poshtë ku rri e ndarë dhe kjo nuk ka lidhje fare çfarë bën industria e botoksit mediatik.

Të jemi shumë të qartë, të gjithë ata që besojnë se nuk ka asnjë rrugë tjetër për të pasur më shumë në jetë, sesa të punosh më shumë, ka vetëm një rrugë në 25 prill, Partinë Socialiste se nuk ka asnjë rrugë tjetër.

Të gjithë ata që besojnë se nuk ka asnjë rrugë tjetër për të shkuar më larg, sesa të ecësh më shumë, ka vetëm një rrugë më 25 prill, Partinë Socialiste.

Për t’u ringritur pasi të ka rrëzuar stresi, mërzia dhe pakënaqësia, do të thotë të ngrihesh vetë dhe të mos presësh të vijë dikush tjetër dhe të ngrihet për ty, kanë vetëm një rrugë në 25 prill, Partinë Socialiste.

Mesazhi im për të gjitha gratë, nënat, vajzat është shumë i qartë. Ndjesë për gjithçka që politika ka bërë për t’iu shtuar lodhjen, mërzinë, pakënaqësinë dhe mirëkuptim për faktin se kur fle me qenin, ngrihesh me morra, është e pamundur të mos përfshihesh, të mos përzihesh dhe të mos përbaltesh. Ama, mirëkuptim dhe besim për një të vërtetë të thjeshtë. Shqipëria, sot është shumë më tepër Shqipëria e grave dhe vajzave, sesa ishte përpara se ne të merrnim detyrën. Nëse kthehem tek shembulli i asaj gruas me burrin që luante bixhoz, në 25 prill, burri është PD-ja dhe gruaja është PS-ja. Kushdo që në krye të vendit sillet si një grua, voton PS-në. Kush do që në krye të vendit të ketë një burrë që luan bixhoz, voton PD-në.  

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm