Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Skuadra e Partisë Socialiste do e kthejë në punë e përkushtim ndaj çdo qytetari privilegjin e jashtëzakonshëm për të udhëhequr Shqipërinë

Të reja

Skuadra e Partisë Socialiste do e kthejë në punë e përkushtim ndaj çdo qytetari privilegjin e jashtëzakonshëm për të udhëhequr Shqipërinë

27 Aug 2021    

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me deputetë të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste:

 

Të dashur shokë, shoqe, kolegë dhe kolege!

Meqë Gramozi nuk do ta ketë më barrën që të mbajë fjalime përpara jush mësohuni që do të dëgjoni nga unë më shpesh adresimin shokë dhe shoqe.

Uroj që të keni kaluar pushime të mbara dhe të jeni kthyer me energji të reja për të nisur punën e madhe që kemi përpara në kthimin e borxhit më të madh që populli shqiptar i ka dhënë një force politike shqiptare, duke na besuar për të tretën herë radhazi privilegjin e jashtëzakonshëm për të udhëhequr Shqipërinë.

Këtu sot janë anëtarët e grupit parlamentar të mandatit të dytë që sapo u mbyll dhe ata të mandatit të tretë që sapo po fillon, por ne këtu jemi dhe do të jemi një skuadër, që nga Gramozi, i cili do të vijojë të jetë në krahun tim të djathtë pavarësisht se tanimë i vetëçliruar nga çdo funksion public, pasi askujt të mos i vijë keq, por askush nuk e zë dot atë vend dhe deri tek deputeti dhe deputetja më e re në këtë skuadër që do të kalojë për herë të parë pragun në Kuvendin e Shqipërisë.

Shumë prej jush ishin dhe do të jenë përsëri në Kuvend, të tjerë janë dhe nuk do të jenë në qeveri, por ne jemi një skuadër dhe ndryshimet e roleve herë pas here janë vetëm funksion i skuadrës, e cila do t’ia dalë të jetësojë vizionin e Partisë Socialiste për Shqipërinë duke qenë në gjendje t’i fitojë betejat zgjedhore dhe të jetë vijimësisht në krye të punëve të vendit.

Nuk do të jetë asnjëherë e tepërt që të falenderoj deputetët dhe deputetet që e përfunduan punën e tyre të mandatit të dytë, duke dhënë kontributin në Kuvend në periudhën e vështirësive më të jashtëzakonshme për një udhëheqje politike, fillimisht të tërmetit tragjik pastaj sidomos të pandemisë sfiduese pa llogaritur edhe kundërshtinë destruktive të opozitës, deri në absurdin e djegies së mandateve.

Një periudhë vertetë marramëndese ku megjithatë puna nuk u ndërpre, uniteti i grupit parlamentar nuk u vu asnjëherë në pikëpyetje, reformat dhe ligjet u diskutuan me seriozitet dhe u miratuan me mbështje të plotë nga skuadra jonë në Kuvend.

Të gjithë ata ndër ju që gjatë mandatit të tretë nuk do të jenë përsëri në Kuvend do të kenë mundësinë të përfshihen në punët  mëdha të ekzekutivit dhe të partisë të cilës duhet paralelisht me qeverisjen t’i japim një energji të re, t’i japim forca të reja në drejtim dhe frekuenca të reja më të larta të veprimtarisë së saj në çdo pjesë të territorit.

Tani nis njëkohësisht në tre hapësira të ushtrimit të detyrave tona në Kuvend, qeveri, parti, puna e madhe për dy fitore të tjera shumë të rëndësishme në mbështetje të vizionit “Shqipëria 2030”;  zgjedhjet vendore të 2023  dhe zgjedhjet parlamentare te 2025. Çfarë do mbjellim përditë nga sot deri atëherë  do të korrim në ditën kur populli do të ndajë të njomët nga të thatët. Ashtu siç ishte fitorja e këtyre zgjedhjeve ajo më e vështira sipas meje për të gjitha arsyet që i kemi ndarë dhe i kam shprehur më parë, ashtu edhe mandati i tretë do të jetë më i vështiri në aspektin e arritjes të rikonfirmimit të Partisë Socialiste  si forcë qeverisëse katër vjet nga sot. Por më shumë se kaq mandati i tretë do të jetë një sfidë shumë e madhe në vetvete sepse nëse në të parin nxorrëm Shqipërinë nga gropa ku e zhytën rivalët tanë dhe në të dytin vumë themele të qëndrueshme rritje në çdo sektor, ky i treti duhet të jetë mandati i fillimit të ngjitjes më lart drejt asaj maje ku e duam Shqipërinë në fund të kësaj dekade.

E lehtë ta thuash, por padyshim shumë  më e vështirë ta bësh e mbi të gjitha më e veshtira ndër të tëra është gjetja e forcave brenda vetes pas një fitoreje të madhe për të kuptuar sesa thelbësore është të vetëndryshosh, të vetëkorigjohesh, të vetëzhvillohesh më tej.

Vërtetë kemi marrë një notë kaluese për qeverisjen përderisa rimorëm besimin e popullit për të tretën herë si askush tjetër më parë në historinë e zgjedhjeve pluraliste, por sa më mirë akoma mund të kishim qeverisur? Sa ishte qeverisja jonë katër vjeçare pjesë e zgjedhjes që bënë shqiptarët dhe sa ka peshuar në zgjedhjen e tyre mungesa e alternativës ndaj nesh? Sa ka qenë niveli i pranisë sonë si deputet në komunitetet përkatëse gjatë mandatit të dytë dhe sa rol pozitiv ose jo kishte marrëdhënia e deputetëve me komunitetet për katër vjet me radhë, në votën e 25 prillit në 12 qarqe?

Sa ndikim kanë patur në gjykimin e popullit ndryshimet e mëdha në ofrimin e shërbimeve publike përmes digjitalizimit dhe sa e kanë ndikuar rezultatin tonë në këto zgjedhje sjelljet e këqija, bakshishet  dhe rryshfetet, qokat dhe padrejtësitë e lloj llojshme administrative? Sa kanë arritur anëtarët e qeverisë ta mishërojnë ambicien tonë për Shqipërinë, jo vetëm duke kryer detyra menaxheriale, por edhe duke u gjendur pranë njerëzve, duke ngritur nivelin e kulturës së punës në adminstratën përkatëse duke udhëhequr sektorët me fuqinë e shembullit dhe të fjalës së tyre?

Po vetë organizmi i Partisë Socialiste sa ka arritur të pastrohet nga drejtorë, shefa, përgjegjësa e zyrtarë të kthyer në kosto morale dhe politike për ne në sytë e komunitetit të Shqipërisë dhe kur dhe si do të shpëtojë deri në fund kjo parti nga kjo specie që shëmbëllen me barin e keq në trajtë njeriu në oborrin e shtëpisë sonë?

Sa gjak i ri ka hyrë në organizmin e kësaj partie gjatë mandatit të dytë dhe sa dhe si do ta ripërtërimë partinë më tej duke shtuar radhët, energjitë, peshën e politikës në jetën e saj, frymën e patriotizmit në qenien e saj të përditshme, vullnetarizmin për idetë dhe qëllimet e përbashkëta në raport me peshën dhe kërkesës ende shumë shqetësuese për një vend pune në shtet. Këto dhe të tjera pyetje si këto ka sa të duash, kërkojnë një vështrim kritik mbi vetveten në radhë të parë për të mundur që të rreshtojmë me objektivitet fakte, të cilat edhe mund të mos na pëlqejnë fare, por që mund të na orientojnë drejtë në mënyrë që të përmirësohemi, rritemi edhe forcohemi më shumë.

Gjithçka nis ngushtësisht nga vetja, nga secili prej nesh këtu si individ që duhet të kërkojë brenda vetes në radhë të parë se çfarë mund të kishte bërë më mirë dhe sidomos çfarë nuk shkoi si do të duhej në punën e vet në katër vite apo në performancën e skuadrës së qarkut ku bën pjesë për shkak të vetë atij apo të asaj.  Kjo që është sot këtu është skuadra drejtuese e Partisë Socialiste, kjo është skuadra drejtuese e vendit në katër vitet e ardhshme, kjo është skuadra që duhet t’i japë drejtim shumë punëve që duhet t’i gjendet çdo qytetari në nevojë për të qarë një hall apo për të zgjidhur një problem. Si e tillë kjo skuadër nuk mund të jetë në lartësinë e një sfide të re dhe as të objektivave që vetëvetiu vendosen përpara pasi ke arritur në një stacion të ri nëse nuk lufton përditë me tarbiatet dhe sjelljet e veta të vjetra brenda vetes së vetë.

Duhet të përgatitemi të gjithë për operacione të reja dhe të vështira, për vendime jo të lehta për punë aspak të lehta. Duhet të jenë të gjithë të gatshëm për të hequr dorë nga lojërat e vjetra dhe të dëmshme inviduale në dëm të qëllimeve, në dëm të punës, në dëm të imazhit të PS.

Duhet të jenë të gjithë të angazhuar që, jo vetëm ta luftojmë, por secili ta luftojë nepotizmin, klientelizimin dhe të gjithë ta ngulin mirë në kokë që ndërhyrjet për të mbajtur në punë individë të paaftë apo dhe deri dhe makutër që e mbajnë dorën në xhepin e qytetarëve, ndërhyrjet për të sistemuar në vende të caktuara pune njerëz që nuk e meritojnë të punojnë për shtetin shqiptar që përfaqësojnë PS-në apo ndërhyrje për të ndikuar në proçese tenderash apo vendimmarrjesh me natyre materiale janë armiqësore me qëllimet e të gjithë atyre që na dhanë besimin e jashtëzakonshëm për të drejtuar vendin, janë të papajtueshme me rritjen e domosdoshme morale të kësaj force të madhe të shqiptarëve, janë të neveritshme, në raport me nderin e jashtëzakonshëm të përfaqësimit të një populli të tërë në rrugën drejt së ardhmes në nivelin më të lartë të përfaqësimit që ka një popull, Kuvendit dhe janë tradhëtia më e madhe ndaj të gjithë fëmijëve të këtij vendi.

Duhet të jetë e qartë për të gjithë ne, për të gjithë anëtarësinë e kësaj familje të madhe polike, por edhe për të gjithë ata që na kanë zgjedhur dhe s’na kanë zgjedhur se kur dikush që e ka në ballë logon e PS-së ekspozohet nga organet e drejtësisë si ndikues apo përfitues i paligjshëm të mirash publike, faji është i tij, por turpi është i të gjithëve ne, nëse nuk e vendosim të qartë dhe të drejtë vijën e kuqe. Duke mos e harruar për asnjë çast dhe duke e bërë me dije menjëherë, nëse është nevoja, se kjo skuadër nuk do jetë kurrë as streha, as mburoja e askujt që me veprimet e veta cënon qëllimet dhe emrin e Partisë Socialiste. Kjo parti ashtu si çdo familje, organizatë apo bashkësi e caktuar njerëzish nuk mban përgjegjësi pse një individ shkel mbi flamurin e saj të vlerave dhe parimeve, por mban përgjegjësi për sa drejtë dhe sa vendosmërisht reagon ndaj individ në fjalë, duke u distancuar prej  aktit të tij apo prej atij vetë, kur në mes hyn vetë drejtësia.

Me aq pak sa kemi mundur të shohim përmes mjegullës së natës opozitare nga 25 prilli deri më sot, nuk duket se Partia Demokratike ka nxjerrë ndonjë mësim nga humbja e pestë radhazi. I njëjti avaz duket se mund të vazhdojë drejt humbjes së gjashtë dhe të shtatë të radhës. Do të thotë se prodhimi i baltës nuk do të ndalet, mund edhe të rritet madje. Akuzat apo denoncimet në adresën e kujtdo prej nesh që është apo do vihet nën shënjestër nuk kanë për të reshtur, por ne duhet të jemi tejet të vëmendshëm ndaj çdo akuze publike, jo për të reaguar me të njëjtën monedhë, as për të rënë pre e vorbullës së zymtë ku për fat të keq kemi rënë për një kohë të gjatë, e cila i ka neveritur shqiptarët me politikën e ditës, duke bërë që rëndomë të na fusin të gjithëve në të njëjtin thes, por duhet të jemi të vëmendshëm për të verifikuar çdo gjë që ata do të thonë dhe për të ndarë me objektivitet shumicën dërmuese të dokrrave katran me bojë nga ato raste ku mundet me të vërtetë që akuza të ketë një bazë sado të vogël faktike. Në këtë pikë nuk do ketë asnjë kompromis për askënd dhe për asnjë arsye. Sepse çdo kompromis për këdo dhe çfarëdo arsye do të thotë që me duart tona përgatisim disfatën e mandatit të tretë.

Mandati i tretë duhet të jetë patjetër një fazë kohore përcaktuese e zhvillimit të vendit, ku pastrimi i mëtejshëm i sistemit të drejtësisë, puna e pavarur e organeve të reja të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit duhet të shoqërohen paralelisht me një ofensive frontale të vetë kësaj shumice qeverisëse kundër korrupsionit në çdo nivel të administratës. Ne nuk duhet dhe nuk do presim që SPAK-u të merret me çdo vatër dhe individ të korruptuar në sistemin e institucioneve të pushtetit qendror apo vendor. Do jemi kërkues, hulumtues, grumbullues faktesh dhe provash në mënyrë proactive, duke i veshur një armaturë, edhe me ligj të veçantë, pra, një ligj më vete, Platformës së Bashkëqeverisjes, si dhe duke e mbyllur në një kohë të shpejtë rrethin e shërbimeve digjitale për publikun dhe të ndërveprimit digjital brenda sistemit të institucioneve, agjensive, drejtorive të ekzekutivit. Ne do mund të nxjerrim së shpejti elektronikisht në pah, në kohë reale, edhe falë bashkëveprimit me qytetarë që i drejtohen Platformës, të gjitha pikat ku ngecin, ku bllokohen, pengohen shërbimet e shtetit për qytetarin apo biznesin.

Në këtë drejtim do jetë me rëndësi të veçantë angazhimi shumë serioz i deputetëve me komunitetet e tyre, si dhe përfshirja shumë më e madhe e grupit të interesit dhe e vetë partisë në çdo komunitet, në mënyrë që e drejta për t’u shërbyer nga qytetarët të triumfojë gjithmonë e më shumë në raport me të drejtën e marrë arbitrarisht për të mos u shërbyer qytetarëve, por për t’u shërbyer interesave vetjake.

Mandati i tretë nuk duhet t’u ngjajë dy të parëve as në sallën e Kuvendit, ku opozita mund të bëjë çfarë të dojë, nuk e kemi ne në dorë, ndërsa ne do bëjmë vetëm çfarë duhet. Ne do të shtyjmë përpara pa humbur kohë reformat dhe ligjet që do të nevojiten në funksion të njerëzve të këtij vendi dhe ambicies sonë për Shqipërinë e 2030-ës.

Dora jonë dhe bashkëpunimi me Partinë Demokratike do jetë e shtrirë pa kushte, pavarësisht nga sjellja, nga retorika apo nga veprimet e rivalëve tanë. Konflikti verbal nuk do jetë më kryefjala e jetës sonë politike dhe parlamentare. Prandaj, ne duhet me doemos të ndryshojmë sa të mundemi në këtë drejtim, sado që ata t’i bien fyellit në të njëjtën vrimë, në vrimën ku u është bërë gropa ku kanë rënë vetë me këmbët e tyre plot 5 herë me radhë. Edhe kjo është shumë e lehtë ta thuash dhe shumë më e vështirë ta bësh, por unë dua ta them këtu, edhe në sy të atyre që na ndjekin se kush do ta kalojë cakun etik në prononcimet publike në adresë të rivalëve tanë, kush do japë shembull të keq për publikun në Kuvend apo në Komisionet Parlamentare, duke rënë pre e provokimeve të tyre, shpesh ekstreme, kush do merret me politikë për konflikt në teatrin e ditës dhe nuk do angazhohet në temat dhe çështje që i interesojnë njerëzve, grupeve të interest, të komuniteteve apo dhe vetë Shqipërisë, do jetë një shqetësim jo për opozitën, do jetë shqetësim për grupin dhe për mua.

Fatkeqësisht, Partia Demokratike do vijë në parlamentin e ri me një dhëmballë të prishur, të cilën as nuk ka kurajo ta shkulë, as nuk ka vullnet ta qetësojë, por kjo nuk është arsye për t’u marrë me dhëmballën e saj, as një motiv për t’iu gëzuar shpërfytyrimit të PD-së për shkak të infektimit të krejt fytyrës së saj nga ajo dhëmballë, duke fërkuar duart dhe fjetur mendjen me idenë se sa kohë dhëmballa do jetë aty, fytyra e Partisë Demokratike do jetë e pavotueshme. Ne nuk e kemi pasur prej kohësh dhe pavarësisht se kemi lënë përshtypje shpeshherë të ndryshme e nuk duhet ta kemi në asnjë mënyrë përgjatë mandatit tonë të tretë, luftën tone me Partinë Demokratike.

Në fund të këtij mandati të tretë, më shumë se asnjëherë më parë, ne nuk do të vlerësohemi për çfarë i thamë apo për çfarë i bëmë Partisë Demokratike në mexhelisin e politikës së llafeve, por do të gjykohemi për sa më lart do e ngjisim Shqipërinë këto 4 vjet dhe për sa do i jemi afruar majës ku ky vend meriton të jetë në fund të kësaj dekade.

Luftën tonë, ne e kemi me problemet e vendit dhe me hallet e shqiptarëve, ndërsa me opozitën kemi vetëm betejën politike, të cilën patjetër nuk do e lëmë pa bërë, por do e bëjmë me një qasje dhe cilësi të re. Kemi të gjithë eksperiencën e nevojshme tanimë, për të kërkuar nga vetja shumë më tepër cilësi në komunikimin publik.

Ashtu sikundër një qasje dhe cilësi të re, ne duhet të synojmë marrëdhëniet tona parlamentare me Kuvendin e Kosovës. Duhet të jemi shumë më të pranishëm në Prishtinë, flas si deputetë, për të diskutuar me kolegët deputetë atje, për të ndarë opinione, për të zhvilluar ide në interes të dy shteteve tona dhe do t’i ftojmë ata shumë më tepër se deri më sot, të jenë të pranishëm në mjediset e Kuvendit në Tiranë. Nuk është sekret se me qeverinë e Kosovës, gjërat nuk shkojnë vaj dhe mosdakordësia për Ballkanin e Hapur ka marrë një peshë të pamerituar në këtë mes. Por Kosova është pjesë e pandashme e jona dhe e së ardhmes sonë të përbashkët dhe e ardhmja duhet të na bashkojë gjithnjë e më shumë, prandaj ne do punojmë me përkushtim që me qeverinë e Kosovës të kemi marrëdhënie sa më vëllazërore, duke u fokusuar në gjithë ato punë dhe drejtime, të cilat nuk kanë sesi të mos na bashkojnë. E patjetër duke e trajtuar me durim mosdakordësinë për Ballkanin e Hapur.

Ballkani i Hapur është një zgjedhje e qartë, një zgjedhje e drejtë dhe kuptimplotë për të ardhmen e këtij vendi dhe këtij rajoni, ku sa më shumë të hapemi, sa më shumë të ndërveprojmë, sa më shumë të përfitojmë nga një hapësirë shumë më e madhe ndërveprimesh në të gjitha nivelet, aq më shumë do të zhvillohemi dhe do të forcohemi edhe në funksion të perspektivës sonë europiane. Ne do të punojmë shumë në këtë drejtim dhe do punojmë në çdo sector, për t’u dhënë mundësi të gjithë aktorëve të ekonomisë sonë që vit pas viti të kenë hapësira shumë më të mëdha dhe pastaj jam i bindur që do kemi rezultate që do flasin vetë pse Ballkani i Hapur na bën më të fortë si Shqipëri, por edhe si faktor shqiptar qoftë në rajon, qoftë në Europë.

Sot është dita për t’i falënderuar posaçërisht të gjithë deputetët dhe të gjitha deputetet e legjislaturës që sapo mbaroi, drejtuesit dhe drejtueset e komisioneve parlamentare, anëtarët e Kryesisë së Grupit dhe posaçërisht kryetarin e Grupit tonë Parlamentar, si dhe ministren tonë të Marrëdhënieve me Parlamentin. Taulanti ka punuar me përkushtim, duke drejtuar grupin me aftësi dhe me këmbëngulje të spikatur, për hir të vërtetës, edhe në ditë tejet të vështira. E po ashtu, edhe Elisa ka qenë e përkushtuar në rolin e saj aspak të lehtë, duke lehtësuar punën e qeverisë me parlamentin, si dhe duke përfaqësuar qeverinë me aftësi dhe me efikasitet në debatet parlamentare. Prandaj besoj që të dy meritojnë një falenderim të veçantë, së bashku me konfirmimin e tyre në detyrë për mandatin e tretë. Do ta kenë të plotë mbështetjen tonë, për ta çuar në një nivel tjetër performancën e Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë, në funksion të qasjes së re për të cilën u përpoqa të flas më lart.

Jam vërtetë shumë besimplotë që Grupi i ri Parlamentar do jetë një shtyllë e fortë e 4 viteve sfiduese që kemi përpara dhe dua të besoj se të gjithë deputetët dhe deputetet e reja do jenë një vlerë e shtuar në këtë mandat të tretë për Shqipërinë.

Shumë faleminderit nga zemra të gjithëve, sepse pa secilin dhe secilën prej jush nuk do kishim arritur deri këtu! Uroj që të mos e harroni asnjëherë se nuk ka nder më të madh për një qytetar të këtij vendi, sesa të përfaqësojë popullin shqiptar në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe brenda këtij nderi të madh nuk ka një tjetër nder të dytë, sesa këtë përfaqësim të ketë privilegjin ta bëjë në emër të Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Shumë faleminderit dhe na qoftë një punë sa më e mbarë!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm