Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Sot mbërrijnë dozat e vaksinës Pfizer, jemi afër marrëveshjes përfundimtare me Astrazenecën

Të reja

Sot mbërrijnë dozat e vaksinës Pfizer, jemi afër marrëveshjes përfundimtare me Astrazenecën

01 Feb 2021    

Prononcimi për media i Kryetarit të Partisë Socialiste, njëherësh Kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama pas mbledhjes së shtabit elektoral:

 

Pyetje: Mirëmëngjes, z. Kryeministër! Mund të na bëni një përditësim për sa i përket ardhjes së vaksinës?

Përgjigje: Ju e shikoni se çfarë po bëhet me vaksinën dhe në çfarë katrahure është e gjithë Europa. Siç e kam bërë me dije më parë, ne fatmirësisht jemi në kushtet ku kemi një kontratë direkte dhe nuk jemi në dorë të mekanizmave institucionalë të Bashkimit Europian. Nuk jemi as në dorë të mekanizmit të COVAX-it, ku edhe aty problemi është i jashtëzakonshëm.

Kanë filluar kërcënimet për hedhje në gjyq dhe penalitete për kompanitë nga ana e Bashkimit Europian dhe disa vendeve të mëdha të BE-së.

Ndërkohë, ne kemi vetëm një spostim në kohë, pasi dozat e para të Pfizer-it duhej të vinin në javën e tretë të janarit. Sipas konfirmimit të fundit, dozat e para do të vijnë sot në darkë dhe do të vazhdojnë me faza.

Ndërkohë që jemi shumë afër një marrëveshje përfundimtare me AstraZeneca. Po vazhdojmë kontaktet tona me disa vende. Janë tre shtete me të cilat ne po vazhdojmë kontaktet dhe jemi në rrugë të mbarë.

Kështu që për momentin, mund ta them se skenari i parë i vaksinimit brenda 14 muajsh nuk ka rënë akoma, pavarësisht këtyre vonesave objektive që nuk janë të lidhura me ne.

 

Pyetje: Sa do të jetë numri i dozave që do të mbërrijnë sonte z. Rama? Kush do përfitojë nga këto doza?

Përgjigje: Do të vazhdojmë vaksinimin e mjekëve dhe infermierëve, sepse janë ata që kanë radhën të parët. Paralelisht do të fillojmë me më të moshuarit.

Nuk e kam në këtë moment numrin e saktë se sa do të jetë numri i dozave, që do të mbërrijnë sot. E rëndësishme është që ne do të mund të vazhdojmë të vaksinojmë të tjerë. Muaji shkurt do të jetë muaji me qartësimin e të gjithë procesit.

E rëndësishme është që fillon vaksinimi i dytë.

 

Pyetje: Z. Kryeministër, për sa i përket zhvillimeve brenda Partisë Socialiste, kur do ta përmbyllni listën e kandidatëve për zgjedhjet e 25 Prillit?

Përgjigje: Ky është një proces. Lista përfundimtare do të  jetë ajo që do të deklarohet kur  të dërgohet për t’u regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Nuk kemi probleme të kësaj natyre.

 

Pyetje: Z. Rama si i konsideroni deklaratat e ambasadores Yuri Kim, e cila u ka bërë thirrje të gjithë liderëve të partive të kenë kujdes me kandidatët që do të vendosin në lista?

Përgjigje: Ne kemi ligjin, zbatojmë ligjin. Përgjegjësia e kujtdo që gënjen në vetë deklarim është përgjegjësi individuale. Partitë nuk janë Drejtori Policie. Partitë verifikojnë në bazë të ligjit. Në bazë të ligjit, ne kemi bërë gjithmonë verifikimet. Nëse dikush merr përsipër të shkojë përpara drejtësisë duke bërë vetë deklarime të rreme, kjo është krejtësisht individuale.

Nuk kemi asnjë mundësi të ngremë salla kulturash nëpër selitë e partive për të nxjerrë deri në fund nëse dikush fsheh diçka, që nuk figuron në letrat që janë në dispozicion.

Pyetje: Z. Rama a do të keni në listat tuaja njerëz që nuk kanë problem me ligjin e dekriminalizimit, por probleme etike?

Përgjigje: Nuk bëj komente për emra të veçantë. Siç ju thashë, emrat e veçantë janë çështje e procesit që vazhdon. Në fund do të dalë lista e deputetëve duke u bazuar edhe tek puna, që secili bën edhe tani që flasim. Duke u bazuar edhe tek domosdoshmëria për të krijuar një skuadër, ku të harmonizohet eksperienca e atyre që janë sot me energjitë e reja të atyre, që do të përfshihen në skuadrën e re. Kështu që është e kotë të merremi me emra të veçantë.

 

Pyetje: Z. Rama e keni vendosur se ku do kandidoni në zgjedhjet e 25 Prillit?

Përgjigje: Ky është problemi më i vogël, por është e sigurt që Vlorën unë nuk e lë dhe Durrësit i kam një borxh.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm