Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Sukadra e Partisë Socialiste është një ndërthurje mes eksperiencës dhe energjive të reja

Të reja

Sukadra e Partisë Socialiste është një ndërthurje mes eksperiencës dhe energjive të reja

01 Apr 2021    

Këndi i fjalës në Kavajë - Rruga drejt 25 Prillit-

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama: 

U bënë disa kohë që nuk kisha ardhur në qytet, këtu në Kavajë dhe sot kur erdha, i vetmi ndryshim që pashë ishte një pallat me lulishte në qendër të Kavajës.

Mjafton të sjellësh ata në detyrë dhe pavarësisht sa kohë iu lë, në aq kohë sa kanë, do bëjnë atë që kanë bërë gjithmonë, më shumë keq se mire. Më shumë do prishin punë, sesa do rregullojnë. Më shumë do lënë pas gjurmë që pastaj duhet mundim për t’i fshirë, sesa do lënë gjurme që duhet respektuar.

Siç kanë bërë gjithmonë, duan të bëjnë prapë. Jo thjesht sepse janë po të njëjtët. As thjesht se thonë që do të bëjnë po të njëjtat gjëra, por në me gojën e tyre thonë se 8 vjet më parë ndodhi një aksident dhe nga ky aksident PD-ja humbi dhe PS-ja fitoi. Domethënë, 8 vjet më parë, sipas tyre, populli ia futi kot dhe 8 vjet më parë do vazhdonte të mbante po ata. Kjo tregon se ata nuk kanë nxjerrë asnjë mësim, nuk kanë bërë asnjë reflektim. Sot e gjithë ditën, ata mendojnë se çfarë kanë bërë 8 vjet më parë kanë qenë gjerat e duhura për Shqipërinë dhe menjëherë, sapo ju jepet një mundësi bëjnë atë që kanë bërë aty, mu në zemër të qytetit, duke mbjellë aty një mal me ballkon që njerëzit të varin rrobat në shesh të qytetit.

Besoj që ata nuk kanë shans për ta patur një shans tjetër dhe jam i bindur që më 25 prillit, shqiptarët do të vendosin për të vazhduar përpara dhe jo mbrapa. Shqiptarët do të vendosin për të vazhduar rrugën e mundimshme të ngjitjes dhe jo për të ripërsëritur një tjetër mundim të shkuarjes rrokapjekthi mbrapsht.

Është e rëndësishme që në këto ditë të mos harrohet të thuhet pse ata nuk e meritojnë një shans tjetër.

Unë jam i vetëdijshëm që njerëzit e ndershëm, njerëzit e mirë, që jetojnë me punën e tyre e që presin më shumë, kanë të drejtë që të jenë të mërzitur, të jenë të pakënaqur, të kërkojnë shumë më shumë nga ne dhe ne jemi të detyruar të pranojmë që ata kanë të drejtë dhe jemi të detyruar që të përpiqemi sa më shumë që mos t’u japim të drejtë thjesht me fjalë, por edhe me vepra, duke punuar çdo ditë e më shumë, duke këmbëngulur më shumë, duke treguar që ne përpiqemi të jetojmë me kohën dhe sfidat e kohës.

Kjo është arsyeja sot, pse PS-ja në këtë ndeshje ka një skuadër, e cila është pasqyra e një reflektimi për të shkuar te njerëzit, duke ju ofruar jo përsëri po atë gjë njerëzit  që u kemi ofruar 4 apo 8 vite më pare, por diçka të re ku njerëzit kanë mundësi të zgjedhin mes shumë kandidatëve që përfaqësojnë qoftë eksperiencën, qoftë edhe energjitë e reja. Që përfaqësojnë ata që kanë një rrugëtim brenda PS-s njerëzit, apo ata që vijnë nga rrugët e tjera të jetës. Që përfaqësojnë ata që kemi përballë që është një socialist 24 karatësh, ose edhe të tjerë që, pavarësisht se mund të mos jenë socialistë 24 karat, janë njerëz të ndershëm, njerëz që duan të kontribuojnë për ndryshimin dhe veten e gjejnë te kjo familje e madhe që quhet Partia Socialiste e Shqipërisë.

Këtu në Kavajë kemi dy njerëz që janë dy ekstreme përsa i përket rrugës nga kanë ardhur. Njëri është Etjeni që vjen nga një rrugë komplet tjetër, nga një rrugë studimesh, ristudimesh, puna në institucione dhe përpjekjesh për të qenë çdo ditë e më i denjë për vete, familjen, vendin dhe njëkohësisht, dikush që është përfshirë në PS-së me ide të reja. Etjeni përfaqëson grupin e njerëzve të një gjeneratë tjetër dhe që janë pjesë e integruar e PS-së.

Ndërkohë që Vaiti, një qytetar i mirënjohur i Kavajës si njeri i mire, në kuptimin e mirë të fjalës, një njeri i gjendur për ata që janë të varfër, njeri i gjendur për ata që kanë nevojë për solidaritet, për ata që kanë nevojë për një shërbim, një njeri që është krijuar me forcat e veta nuk është i biri dikujt me emër dhe nuk e ka marrë njeri për dore. Vjen nga një histori tjetër nga historia e Etjenit, sepse vjen nga historia e asaj që mund të quhet e djathta tradicionale këtu në Kavajë.

Çfarë domethënë “e djathta tradicionale” në fund të ditës?

E djathta tradicionale do të thotë antikomunizëm dhe antifashizëm, ashtu sikundër PS-ja është antikomuniste, por edhe antifashiste. Antikomuznimi ynë është një antikomunizmë me fytyrë njerëzore, nuk është një gjueti shtrigash kundër komunistëve, kundër atyre që kanë qenë komunistë. Atë gjueti, ne ua kemi lënë atyre që Vaslav Havel i quan komunistët më të poshtër, që janë komunistët antikomunistë dhe që mishërohen nga maja e kokës deri në fund të këmbëve nga Doktor profesor Sali Berisha.

Ajo nuk është e djathta, as tradicionale, as europiane. Ajo është e djathta “kap çfarë të kapësh”. Komunist kur duhet të kapësh në kohë komunizmi dhe antikomunist kur duhet të kapësh në kohë antikomunizmi.

Kavaja, sot është në gjendje të bëj diferencën. Kavaja, neve nuk na kishte dhënë mundësinë të hynim këtu, sepse të gjithë të fusnin gishtat në sy dhe ti nuk gjeje më rrugën për t’u kthyer në shtëpi. Na e dha mundësinë, urdhëroni shiheni tani!

Kur futeshe këtu, ishte sikur futeshe në një shteg diku në një zonë qameti në Palestinë. Unë kam ardhur njëherë kur ishte koha e dy gishtave në sy, do bënim një mbledhje tek kinemaja dhe ishte një tmerr, sikur hymë në ndonjë zonë lufte. Mbledhur të gjithë rreth e rrotull, pa punë, bingo nga të katër anët, ndriçim nuk kishte fare, një gjysmë errësirë dhe një gjysmë lukuni dhe kjo ishte liri demokraci. Gjëja që më ka bërë më shumë përshtypje ishte qyteti i mbushur me plehra nga të katërt anët.

Sot vjen këtu dhe është një qytet mesdhetar që mund të ishte fare mirë në Itali, në Greqi, mund të ishte në një nga vendet e Mesdheut, në të gjithë ato pjesë ku është vënë dorë, sepse këta jemi ne.

Ne kemi shumë respekt për traditat, por nuk llokoçitemi në tavën e dheut me raki dhe të bëjmë muhabet për demokraci. Megjithëse ai është varianti më i mire, se ka dhe një variant tjetër, varianti me molotov dhe me rrëmujë e me rrumpallë.

Ka dhe një variant tjetër, varianti që mblidhemi tek sheshi i Kavajës se po vjen dhëndri dhe dhëndri hipën mbi makinë, mblidhen pishtarët për dasmë dhe i fusin një fejesë me COVID-in shpejt e shpejt dhe Zoti i ruajt. Nuk do doja kurrë që sa të rritet pak virusi, ti kapi këtu, tu dali dasma prej hundësh sepse nuk janë ata fajtorë. Ata janë qorra dhe shurdhër që sytë i kanë në ballë, veshët i kanë në vend. Sytë dhe veshët top, mendja tapë komplet, gdhirë e ngrysur 30 vjet, tapë. “Liri demokraci, të luftojmë komunizmin”. Se çfarë komunizmi luftojnë këta, unë nuk e di dhe se si luftohet komunizmi duke u përqafuar me COVID-in, vetëm këta mund ta shpjegojnë.

Dje dëgjova Presidentin e Francës, prapë një mbyllje tjetër. Lemerisur vendet më të zhvilluara. Ne jemi të detyruar të respektojmë këtë moment shumë të rëndësishëm të demokracisë dhe do ta bëjmë deri në fund, duke takuar, komunikuar, por përpara PS-së, përpara politikës, përpara votave e përpara karrigeve është shëndeti i të gjithëve. Më besoni, ata që u thonë erdhi dhëndri dhe turren këtu, ata janë më besnikët, por verbëria e tyre është kaq e madhe, saqë po nuk i ruajti i pari i shtëpisë, po nuk u kujdes udhëheqësi që mos t’i çojë si cjapi tek kasapi, ata nuk pyesin fare.

Është e paimagjinueshme që ndërkohë që ne kemi hyrë në fazën e vaksinimit masiv, jemi një nga dy vendet e vetme në gjithë Ballkanin që po bëjmë vaksinim masiv dhe sot, me numrin e vaksinave të çdo dite, në përqindje popullate po ngjitemi e do të ngjitemi shumë shpejtë në pjesën e lartme të klasifikimit europian, ata që duan të vijnë në pushtet bëjnë infektim masiv.

Shumë njerëz thonë, ç’na flet kot, shko kapi. Si t’i kapësh? Do çojmë ato makinat e blinduara apo do çojmë makinat me ujë që t’i shpërndajnë?

Nuk ka faj policia, nuk mund të shkojë t’i shpërndajë sepse ata e kanë treguar që me ta ka gjithmonë më keq. Duke u lutur që Zoti t’i mbrojë ata, të cilët udhëheqësi i çon për skrap, le të bëjmë durim deri në datën 25 prill dhe le të shpresojmë që shqiptarët, më shumë se asnjëherë tjetër t’i japin një mësim të madh këtyre honxhobonxhove që kanë 8 vjet që vetëm helmojnë, vetëm pengojnë, vetëm bllokojnë, vetëm shkatërrojnë.

Tetë vjet që nuk kanë dhënë një kontribut të vetëm!

Mirë kontribut në kohë normale, por nuk kanë dhënë të paktën, kontributin e mirëkuptimit dhe të heshtjes në kohë tragjedish. Bie tërmeti, këta bëhen me tërmetin, nuk janë me shqiptarët. Bie flama në gjithë botën, një virus që vjen një herë në 100 vjet, këta bëhen me virusin.

Ju paskeni dhe një doktor tjetër këtu. Nuk e ideja që ishte edhe Peçua këtu. Po Peçon, pse e kanë sjellë në Kavajë? Mirë Saliu, ka ngelur këtu, në vend të atyre dy gashtave që u hoqën është Saliu, fantazma e tij këtu dhe disa vazhdojnë votojnë fantazmën. Këtu ka ndryshuar bota, u janë bërë pishtarëve fëmijët burra, pishtarët vazhdojnë me fantazmat.

Po Peço Vasilin për çfarë ka ardhur? Këta janë dy doktorë që, qëkur ka ardhur virusi, janë njësoj si virusi. Virusi vret, virusi plagos, virusi dërrmon familje, dërrmon komunitete, dërrmon shtete, këta helmojnë çdo ditë për llogari të virusit. Kulmi i kulmit, në momentin kur më në fund gjyshet dhe gjyshërit e këtij vendi po marrin frymë lirisht, po gëzohen pas 1 vitit të tmerrshëm për ta, më i tmerrshëm sesa për gjithë ne të tjerët, sepse janë më të rrezikuarit, janë edhe më të dobëtit në të gjitha aspektet, të privuar dhe nga dielli dhe ajri se dalin me shumë kujdes edhe për të marrë ajër, tamam kur u vjen shpëtimi, kur kemi mundësi t’ua japim armën që e asgjëson këtë armik e nuk e lë t’u marri jetën, këta dy sharlatanë dalin dhe thonë vaksina është vdekjeprurëse, vaksinat janë të skaduara, vaksina kineze i vdes ata që janë mbi 60 vjeç, vaksinat kanë ardhur nga një stok i skaduar në Beograd e ku di unë se çfarë fantazish mendjesh të sëmura, gojësh të shthurura, personazhesh të degraduara. Të keqen e Dash Shehit.

Këta janë personazhe që në kushte normale janë për të qeshur, por në këto kushte janë realisht për të vajtuar. Këta, për të na prishur punë, për të na penguar, për të na bllokuar, për të na goditur dhe rrëzuar, janë të lumtur të shikojnë shqiptarë që vdesin fizikisht nga COVID-i. Sapo diçka merr për mbarë, këta tërbohen, luajnë mendsh dhe arrijnë deri në këto tmerre.

Por lajmi i mirë është që gjyshërit dhe gjyshet, pavarësisht se çfarë bindjesh kanë, nuk po pyesin fare, por po shkojnë masivisht të vaksinohen dhe duan apo nuk duan këta, Shqipëria, sado që këta përpiqen ta tregojnë si vendin ku vetëm vdiset, ku vetëm vuhet, ku vetëm të merret fryma, sot ka filluar të buzëqeshë, ashtu siç thotë dhe logoja e fushatës sonë të vaksinimit. Sepse sot, ne kemi marrë armët që e asgjësojnë armikun e padukshëm.

Duan apo nuk duan këta, ne do të vaksinojmë masivisht.

Brenda majit do kemi arritur të paktën gjysmë milioni të vaksinuar, duan apo nuk duan këta dhe do ta lehtësojmë maksimalisht sezonin turistik.

Duan po nuk duan këta, ne do vaksinojmë edhe stafet e gjithë hoteleve dhe do u themi turisteve në hotelet tona ju jeni të mbrojtur.

Duan apo nuk duan këta, ekonomia jonë do vazhdojë të marri frymë gjithmonë e më thellë.

Duan apo nuk duan këta, shqiptarët do vazhdojnë në rrugën që ne kemi nisur sepse nuk mundemi të ndërpresim vaksinimin sepse do Luli të bëhet dhëndër. Nuk mundet të ndërpresim rindërtimin se do Sali me Ilirin dhe Monikën të bëjnë Lulin dhëndër. Nuk mundet të ndërpresim përpjekjet e mëdha për të sjellë më në fund drejtësi në këtë vend se do Saliu, Iliri, Monika, Luli, se do dhe grindarja që e keni këtu, që të vijnë në pushtet.

Këta do marrin jo pushtetin, këta do marrin noc rrokun në datën 25 prill e do ta marrin nga shqiptarët, nga veriu në jug, nga lindja në perëndim. Kush i bën shqiptarët për budallenj, e paguan shumë të kripur faturën e talljes, të përqeshjes e të përpjekjeve për t’i tërhequr prej hunde.

Flasin për program, por ai nuk është program. Ai është e njëjta gjë që ka qenë gjithmonë, një menu që kush ta hajë, ta hajë. Të gjithëve çfarë duan të dëgjojnë. Do t’u japim 1000 euro këtyre e atyre, çifteve të reja do t’u paguajmë nga 3000 euro, bebeve do t’i japin nga 5000 euro, familjeve që bëjnë kalamanin e 7 do t’i japim nga 7000 euro, këtyre këtej 15 000 euro, bujqëve 100 milionë euro, peshkatarëve 100 milionë euro. Mjafton ajo që thonë, do ulim sigurimet shoqërore, do rrisim pensionet. Domethënë, juve që punoni do t’ju bëjmë qejfin që të mos paguani sigurime shoqërore, do j’ua ulim. Juve pensionistëve do jua rrisim. A dini ju ndonjë formulë si ulet prodhimi i qumështit dhe rritet prodhimi i djathit?

Ka vetëm një formulë, me allci. Merr gips dhe bëj djathë. Ose me sapun, shto sapunin dhe jepja për djathë e ta hajë kush ta hajë. Natyrisht ka që do ta hanë, do ta kafshojnë fort madje, se ata që marrin makinën e shkojnë tek sheshi “Nënë Tereza”, e morën makina që të ishin present e të mos i ngjisnin COVID-in njëri tjetri. Por jo, dalin nga makina dhe mblidhen makina dhe njerëz bashkë. Ata e kafshojnë sapunin fort dhe thonë ky qenka kaçkavalli më i mirë që kemi provuar në jetën tonë. Atyre nuk kemi çfarë i bëjmë. Ata janë të pashërueshëm, por janë pakicë dhe do të mbeten pakicë.

Ne do vazhdojmë të bëjmë gjithçka me bindjen që, nëse Shqipëria në më shumë se një rast ka dështuar, ka dështuar sepse kemi qenë të paduruar, kemi dashur t’i bëjmë gjërat sa hap e mbyll sytë. O burra, të gjithë tek Sudja, të gjithë tek Xhaferri, të gjithë tek Vebiu, jep një, merr dy.

Hap rrugë kudo, mos i paguaj, bëj malin me borxhe dhe gati pastaj kolapsi tjetër mu aty. Nuk bëhet dot Shqipëria që duam e nuk shkon dot Shqipëria në një nivel tjetër, nëse nuk kemi durim, vendosmëri dhe punë pa pushim. Nuk i fitojnë kombet luftat e mëdha, nëse nuk fitojnë çdo ditë betejat e vogla, hap pas hapi.

Sot mendoj është koha për të vendosur pa tifozllëk. Këtu me siguri ka biznesmenë të vegjël që janë socialistë, demokratë, pa parti. Të gjithë këta e kanë taksën zero. E kanë sot zero, jo do t’jua bëjmë. Të gjithë e kanë TVSH-në zero. Poshtë zeros mund t’jua çojë Luli, por jo taksën dhe TVSH-në, mund t’ju çojë biznesin nën zero. Ndërkohë që ne ju kemi hequr dhe taksën dhe TVSH-në dhe ju themi që deri në 2029-ën, përsa i takon Partisë Socialiste ju nuk do paguani as taksë, as TVSH.

Pyetja është, për çfarë do votoni për doktor Saliun dhe për doktor Peçon?

Nëse nuk ju pëlqejnë çitjanet e Edi Ramës, nuk ka problem. Unë nuk kam dalë të shes çitjanet. Shyqyr ia kemi arritur kësaj dite, nuk jemi më në kohën e komunizmit, kur të thonin pantallonat poshtë duhet të jenë 26 centimetra, po ishin 27 janë kauboj dhe jepen shfaqje të huaja, po ishin 25 janë tub dhe jepen shfaqje të huaja dhe të gjithë me një pantallon. Sot, secili vishet si të dojë. Nuk të pëlqen veshja e tjetrit, kthe kokën nga ana tjetër dhe shih Saliun. Për modë ndiq Saliun, por për punën tënde do ndjekësh Edi Ramën, sepse kur e merr një gomar për të ngarkuar dru, nuk e sheh nga ngjyra, e sheh i mbajnë apo nuk i mbajnë këmbët. Kur merr një murator të të suvatojë shtëpinë, nuk e pyet ti je pishtar demokracie apo je komunist Merr muratorin më të mirë. Me pishtarin shkon në kafe, bën muhabet, por nuk e merr për të bërë suvanë, se pishtari të vë flakën. Kur merr elektricistin, hidraulikun, çdo punë që bën, ti nuk sheh ngjyrën. Ose këta demokratët kur shkojnë për të bërë vaksinat, nuk i thonë infermieres ti je me ne apo je me Edi Ramën. Marrin vaksinën, vazhdojnë punën.

Lëre pastaj të thonë që nuk e bëj vaksinën meqë e ka sjellë Edi Rama.

Nëse këta këtu votojnë Lulin, Luli e ka thënë shumë qartë, do sjellim Taksën e sheshtë. Nga zero do ju bëhet 9%. Lëre se çfarë thonë, jo do e bëjmë 1 jo do e bëjmë 1.5. Taksa e sheshtë është e thjeshtë, njësoj për të gjithë dhe e ha kush është më i vogël, kuptohet, sepse nuk është si taksa jonë që themi zero për biznesin e vogël dhe 15% për të mëdhenjtë. Këta thonë 9 për të dy. Domethënë, të mëdhenjtë fitojnë, të vegjlit e hajnë. Ia vlen Luli të paguash taksë, të heqësh lekët nga buka e shtëpisë që Lulit të rrijë të flejë gjumë në Kryeministri?

Luli mund të flejë gjumë edhe tek shtëpia e vetë, edhe tek PD-ja. Po ta duan kaq shumë, jepini një krevat në dyqan thuajini fli se të kam vlla, të kam shok, por votën jo, se vota të merr lekët, vota të prish dyqanin. Ҫdokush duhet të shohë interesin e vet.

Ne i themi që kush merr sot deri në 400 mijë lekë rrogë, nga 1 janari i 2022-it nuk do paguajë më Tatim-fitimi mbi pagën. Ata që marrin 400 mijë lekë dhe janë pishtarë, janë gati që t’i japin 9% nga 400 mijë lekëshi çdo muaj që Luli të shkojë të flejë në Kryeministri. E bën gjumin top Luli kudo ku ta lësh, vetëm lëre. Hiq kamerat dhe Lulin e ke në gjumë. Fle ku të jetë.

Këtu në Kavajë është një fabrikë sfungjerësh, merrini bëjani sfungjerët mullar, futeni brenda dhe zgjojeni pas 4 vitesh të tjera.

Vota nuk është tifozllëk. “Besa” e Kavajës është “Besa” e Kavajës, edhe nëse është kampione, edhe nëse është në kategori të dytë. Po “Besa” e Kavajës është për ditën e diel, u rrah apo fiton, u gëzuat apo u mërzitët, të hënën fillon jeta, fillon puna, duhet hapur dyqani. Në fund të ditës merren lekët nga dyqani e duhen çuar në shtëpi, nuk është më “Besa” e Kavajës. Është kush të bën punën, është kush të ndihmon që ta bësh më mirë, kush të mbështet që puna jote të zhvillohet. Taksa 0, TVSH-ja zero, tatimi mbi pagën deri në 400 mijë lekë zero, atëherë për çfarë arsye? Nuk të pëlqen Edi Rama, nuk je i detyruar fare ta konsiderosh për dhëndër. Të mërzit kur e sheh, merr telekomandën dhe iku. Por ama taksa ngeli zero, TVSH-ja ngeli zero. Kurse me Lulin, ti e nxjer nga televizori, e merr në shtëpi, i paguan dhe taksë.

Lulin ta puthësh në ballë, por këtu është Monika. Me Monikën, përveç taksës që do paguash në shtet ke dhe një taksë tjetër, është ajo taksa e LSI-së. Ajo është qamet i madh fare. E këtu është Iliri, është Saliu, vjen Mediu Shpëtim Idrizi, vjen Vangjel Dulja. Këta të dy i keni parë kur dalin në televizor. Shpëtimi del me sytë e kuq, e ka ngaqë fle deri në dy pasdite, por i duhen të kuq që kur del të thonë këtij po i vlon gjaku për Çamërinë e ky, kushedi sa grekë do vrasi sot në televizor. Vangjeli del me ato vetullat me dy kate, të zeza dhe ti thua ky e hëngri Shpëtim Idrizin. Të dy janë ngjitur me njëri-tjetrin tek lista e PD-së për Tiranën. Të dy bashkë dalin me numrin 9 se janë të dy 99. Të dy bashkë bëjnë 99. A mund të votojë Kavaja për këta? Se mirë për Nard Ndokën e keni hallall, të paktën është filozof. Një pishtar mund të thotë, Nardi është filozof, se për pishtarët është koka e filozofisë Nardi.

Shqipëria duhet të shkojë patjetër në pikën që nuk kthehet më mbrapsht. E që Shqipëria të shkojë aty ku nuk kthehet dot më mbrapsht dhe sikur të vijnë gjithë xhagajdurët, duhet mandati i tretë. Sepse në mandatin e tretë janë shumë gjëra që përmbyllen.

Duhet mandati i tretë që përfundimisht të heqim nga jetët tona armikun e padukshëm.

Duhet mandati i tretë që përfundimisht të kthejmë në shtëpi të gjitha familjet që u prekën nga tërmeti. Këto janë dy sfida shumë të mëdha, që ne do t’i mbyllim të dyja deri në pranverën e ardhshme.

Duhet mandatri i tretë që drejtësia që sapo ka filluar të çelë si embrion, drejtësia e re të forcohet dhe të bëhet e pathyeshme, që të gjithë të jenë të barabartë përpara drejtësisë.

Njerëzit thonë “s’është futur njeri në burg”. Po futjet në burg nuk i bën partia, larg qoftë qeveria. Që t’i bëjë drejtësia, duhet që në radhë të pare, drejtësia të bëhet vetë dhe po bëhet. Ajo gjykatësja e tmerrshme që u kap dhe sot është prapa hekurave nuk do të futej prapa hekurave disa vite më parë. Këto janë shenja që drejtësia po bëhet dhe nuk duhet të bëjmë gafën historike që ta përmbysim tani që ka filluar të bëhet.

Mandati i tretë duhet që bujqësia të futet në ciklin e bujqësisë sipërmarrëse. Sot, ne kemi 400 milionë dollarë eksporte. Kishim rreth 100 milionë 7 vite me parë. Në planin e veprimit 2021-2025 do t’i cojmë deri në 1 miliardë eksportet dhe për këtë duhet mandati i tretë.

Mandati i tretë duhet që shëndetsia të marrë formën e vet përfundimtare. Infrastruktura shëndetsore po ndryshon si nata me ditën. Tani duhet të ndryshojë si nata me ditën edhe administrimi i brendshëm i spitaleve. Tani duhet që ato fenomenet e lodhshme dhe sfilitëse për njerëzit, ato Tiret dhe stërTiret të zhduken nga sistemi. Tani është koha që me autonominë spitalore të futemi në një fazë tjetër, që mjekët të fillojmë t’i paguajmë jo të gjithë njësoj, por sipas perfomancës së tyre. Të konsolidojmë të gjithë këtë proces transformimi që kemi nisur me infermierët dhe që spitalet tona të bëhen pa diskutim njësoj si spitalet në Turqi.

Duhet mandati i tretë që të mos kthehet mbrapsht historia me maturantët. Të gjithë prindërit që nuk e kanë mbiemrin e famshëm, le të jenë demokratë, doni që të kthehet prapë historia që, megjithëse e ke çunin apo gocën me dhjeta, nuk e çon dot në mjeksi, apo në fakultetin që çuni apo goca do, sepse vjen çuni apo goca e ministrit, deputetit, apo e biznesmenit dhe e lënë vajzën tënde në një shkollë që ajo nuk e dëshiron. Këtë doni?!

Jepja votën këtyre dhe e sheh. Këta nuk dinë të bëjnë gjë tjetër. U bë vite tani që kur maturantët shkojnë në universitet nuk ka një ankesë të vetme, sepse sistemi është transparent, është digjital dhe pamanipulueshëm. Edhe unë kryeministri të dua të shtyj njërin që të kapërcejë vendin dhe të shkojë t’i zërë vendin tjetrit nuk e bëj dot dhe nuk e bën dot njeri, se kështu erdhi dita, që fëmija e një fermeri në cep fare të Kavajës, të Rrogozhinës apo të Tropojës, me meritën e vet, me notat e veta e parakalon fëmijën e ministrit, fëmijën e deputetit dhe ulet atje ku i takon në mjeksi dhe kudoqoftë.

Mund të vazhdoj për çdo kategori kështu, por për të gjitha këto që them nuk e harroj për asnjë moment që është punë e pambaruar. Sepse në të gjitha këto që them, në çdo drejtim, ka ende halle për të zgjidhur, ka ende probleme për të adresuar, ka ende gjëra për të korigjuar, ka ende shumë punë për të bërë dhe prandaj duhet mandati i tretë. Nuk duhet për mua personalisht. Kur ta gjeni një më të mire , iki i lumtur, por s’mund të iki, pse thonë këta “Rama ik”. Rama ik se ne s'të mundim dot. Ky është thelbi i hallit që ata kanë.

Eja më mund!

Jo ik ti të vij unë. Jo Lul, nuk është kaq kollaj kjo punë. Ka rënë në duar të këqija që kur u nda nga unë.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm