Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Takim me qytetarët për rezultatet e dukshme të bashkisë në Kamzën e transformuar

Të reja

Takim me qytetarët për rezultatet e dukshme të bashkisë në Kamzën e transformuar

09 Nov 2022    

 

Takimi me qytetarët e Kamzës vijoi këtë pasdite me bilancin e punëve të kryera të bashkisë, që falë përkushtimit dhe angazhimit të drejtuesit të saj, ka sjellë një transformim rrënjësor, të dukshëm e të prekshëm në të gjithë bashkinë..

 

* * *

Mirëmbrëma të gjithëve, shumë faleminderit! Sot, gjatë gjithë ditës kemi qenë këtu në këtë bashki, dhe mua më duhet ta përsëris edhe një herë, atë që kam thënë qysh në takimin e parë, sepse besoj që Kamza sot është shëmbëlltyra shumë e dukshme, shumë e prekshme, shumë kuptimplotë  e faktit që sa gabim është të mendosh që vota nuk ka asnjë vlerë dhe sa gabim është të mendosh që të gjithë janë njësoj. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, atëherë edhe shkollat e Kamzës, rrugët e Kamzës, edhe transporti në Kamëz, edhe kopshtet, edhe çerdhet, dhe te gjitha këto që sapo u prezantuan do kishin qenë njësoj siç ishin. Por, ndryshimi këtu është kaq rrënjësor dhe është kaq shpresëdhënës dhe është kaq motivues për të ardhmen, saqë kush mendon akoma që s’ka rëndësi a shkon a nuk shkon të votosh, s’ka rëndësi se për kë voton se këta janë të gjithë njësoj, ja fut kot, ja fut komplet kot.

Natyrisht që, të gjitha këto ndryshime nuk janë për të thënë sa mirë dhe sa të lumtur duhet të jeni, por janë thjeshtë për të thënë se nëse kthejmë kokën pas sot jemi si dita me natën, ndërsa nëse shikojmë se ku duhet të shkojmë, jemi ende në të gdhirë. Duhet ende shumë punë dhe unë nuk dua të zgjatem me Kamzën sepse paraqitja e Rakipit ishte shteruese, por dua të them disa gjëra që mendoj se janë shumë të rëndësishme në këtë moment të jetës së vendit tonë.

Janë shumë të rëndësishme për të gjithë, pavarësisht bindjeve, simpative, opinioneve politike sepse vendi ynë është pjesë e një hapësirë gjeografike dhe politike në perëndim të Rusisë që është nën sulmin agresionin  e një lufte e cila zhvillohet në Ukrainë me bomba, me shkatërrime, me plagë, me viktima por synon të gjunjëzojë Europën, synon të gjunjëzojë të gjitha vendet në perëndimor të Rusisë, synon të gjunjëzojë bashkësinë euroatlantike që ne i përkasim dhe kush thotë të kundërtën, kush thotë që s’ka luftë, kush thotë që këtu situata është vështirësuar për shkak të qeverisë këtu, situata është sepse qeveria është fajtore, sepse qeveria vjedh etj, gjithë ajo retorikë. Ose është shumë i verbuar nga mllefi dhe nuk shikon, është i shurdhuar nga inati dhe nuk shikon ose kur bëhet fjalë për ata që janë në krye të kësaj përpjekje është në shërbim të pikërisht atyre që e kanë nisur dhe që po e çojnë përpara këtë luftë agresorëve që janë në Kremlin. Nuk ka asnjë shpjegim tjetër. Sepse ne mund të debatojmë për shumë gjëra, mund të përplasemi për shumë gjëra, mund të diskutojmë për cila është mënyra më e mirë për të përballuar efektin e kësaj lufte, por ne nuk mund të diskutojmë a ka apo nuk ka luftë. Ne nuk mund të diskutojmë a është apo nuk është e vërtetë goditja e çmimit të energjisë, as nuk mund të diskutojmë a ekziston apo nuk ekziston inflacioni i luftës. Këto janë fiks, siç i thotë Putini, nuk ka luftë thotë, është një operacion special policor për të pastruar disa neonazistë në Ukrainë dhe për të shpëtuar popullin atje nga gjenocidi dhe thotë: ata në Europë që flasin për inflacionin apo çmimet e energjisë që rriten për shkakun tim, thotë, ata janë fajtorë. Ata janë fajtorët që duhet të përgjigjen përpara popullit. Është fiks kjo, që thuhet këtu dhe për të cilën është gjithë kjo përpjekje për të nxitur tension pastaj përmes tensionit për ti fryrë zjarrit të sherrit, pastaj përmes sherrit për të bërë rrëmujë,  pastaj përmes rrëmujës të dalë ku të dalë dhe me këtë ne jemi mësuar sepse e kemi parë dhe më përpara.

Tani si po zhvillohet kjo luftë dhe cila është përpjekja që bën Putini? Kriza e energjisë filloi përpara luftës, ishte praktikisht fillimi i ndryshimit politik të gjithë marrëdhënies energjetike në Europë dhe Europa dihet që ka një varësi të madhe nga Rusia përsa i përket furnizimit me gaz apo dhe me naftë dhe filloi shkurtimi i sasisë dhe shkurtimi i sasisë së gazit filloi të rriste çmimin. Nuk e do nëse ju kujtohet, unë dola në një konferencë shtypi atëherë dhe thashë që jemi përpara një krize të madhe energjetike. U çuan dhe thanë që ky nuk jeton dot pa kriza, ky është sjellës fatkeqësish, ky nuk di çfarë flet, këtu nuk ka asnjë krizë, etj. Në fakt, ajo ishte e qartë. Më pas, me luftën filloi dhe inflacioni dhe synimi është që energjia dhe inflacioni të kthehen të dyja në armë, të cilat shkojnë në çdo shtëpi. Fatura e energjisë futet poshtë derës ndërsa inflacioni është tek dera e çdo dyqani dhe të pret, dhe në momentin që ti nxjerr leket për të paguar të kap dorën dhe të thotë: prit se kam dhe unë pjesën time. Nuk të kushton më kjo gjëja saç kushtonte më përpara se tani jam unë këtu.

Dhe kështu fillon shtrëngimi, dhe nga shtrëngimi shpresohet se pastaj vjen shpërthimi dhe nga shpërthimi pastaj vjen kaosi,  kjo është skema. Ne nuk kemi nevojë që të fantazojmë apo të bëjmë analiza të bazuara te imagjinata, ne kemi provën që PD është paguar gjysmë milioni dollarë për të rrezuar qeverinë tonë. Ne kemi provën që çadra e famshme dhe gjithë ajo përpjekje ishte e bazuar tek një skenar që financohej nga paratë ruse. Tani për çfarë mund të financojë një fuqi si Rusia një parti në Shqipëri kundër qeverisë në Shqipëri. Për ta bërë Shqipërinë më demokratike? Për ta bërë Shqipërinë më të fortë? Për ta bërë Shqipërinë më të besueshme me partneret tanë dhe me aleatët tanë strategjikë? Jo, komplet për të kundërtën. Për të krijuar një thyerje mes Shqipërisë dhe aleatëve tanë strategjikë dhe pse pikërisht PD? Unë mendoj dhe unë besoj që shumë shpejt do shikojmë që nuk është vetëm PD, por kjo është temë tjetër. Unë jam i bindur që përveç provës kokëfortë që PD është në thesin e rublave ruse, mendoj që ata bashkë dhe me atë partinë e lekut, PL-në, janë në thesin e rublave. Në momentin që jemi përpara këtij fakti, për të cilin ju e kujtoni shumë mirë, kur doli në fillim thoshin që e sajon Edi Rama me Sorosin, është një intrigë.

Mirëpo tani doli e shkruar në raporti Mirëpo tani doli e shkruar në raportin e CIA-s, “PD e financuar nga paratë ruse”. Atëherë menjëherë mëndja të shkon që këta e kanë lidhjen të hershme se nuk shkon tek tjetri t’i japësh lekët e t’i thuash tani, “hidhu të të jap” lekët pa e njohur. Apo jo? E njeh? Diku e ke njohur, diku e ke vënë në provë dhe unë mendoj që prova ka qenë aty, po ne nuk kemi dashur ta shohim se s’kemi dashur ta besojmë kurrë.

Që PD në qeveri nuk i ka bashkuar votat me partinë e Putinit në Këshillin e Evropës kundër UÇK-së për rastësi, si ka mundësi që një parti shqiptare, e cila ishte në qeveri, në Këshillin e Evropës bashkohet me partinë e Putinit për të votuar një rezolutë që ngre akuzën më monstruoze dhe të imagjinueshme  dhe më të rreme e të paimagjinueshme kundër UÇK-së si një organizatë kriminale që shkulte organe njerëzore nga trupi i viktimave të veta dhe i shiste këto në Europë dhe e bënte këtë në Shqipëri.

 

Ata e votuan, ne ishim në Këshillin e Evropës, kishim përfaqësuesin tonë dhe nuk e votuam. Ishte dhe Shpëtim Idrizi që në atë kohë ishte shkëputur nga partia jonë, kishte krijuar atë partinë e vet dhe nuk e votoi. E votoi PD-ja. Si ka mundësi që sot është e njëjta gjë dhe unë sot mund t’ju them këtë që nuk ka mundësi që shpallja non-grata e një njeriu që ka qenë president i Republikës për 5 vjet, që ka qenë kryeministër i Shqipërisë për 8 vjet, me të cilin SHBA ka bashkëpunuar ngushtë, të mos jetë lidhur me rublat? Nuk ka mundësi dhe a ju kujtohet kur vetë non-grata, se non gratën këtu në Kamëz edhe e dëgjojnë më vëmendje tha: ‘’më erdhi Donald Lu në zyrë dhe më vuri përpara dosjen e parave ruse dhe ia refuzova kategorikisht. Nuk ka shans”.

 A ju kujtohet? Po tani? Tani thotë “jo, s’e dija unë, e ka bërë brava”.

Po brava e shkretë pa çelësin s’ka ça bën fare, brava pa çelësin është një vrimë që s’i duhet dreqit. Dhe çelësi është ky. Ky është çelësi, ky ka qenë dhe ky është çelësi. Tani për ça e do Putini këtë? E do për çelës që t’i mbylli Shqipërisë derën. Kaq po ju them! T’i mbylli derën dhe t’i vërë flakën këtu se për të vënë flakën, dihet, ka dhënë prova që di ta bëjë atë punë.

Ndërkohë që, ne deri tani kemi arrit ta neutralizojmë armën e parë që është fatura e energjisë. Fatura e energjisë vjen aty poshtë derës, por vazhdon vjen me të njëjtin çmim që kishte para se të fillonte kriza dhe përpara se të fillonte lufta sepse pjesën tjetër të çmimit, nuk e paguani ju, e paguan qeveria përmes buxhetit në mënyrë që ju dhe asnjë familje shqiptare të mos e ndjejë goditjen e çmimit të energjisë, pra që kjo armë që është krijuar pikërisht për t’ju ardhur juve në shtëpi dhe për të çoroditur gjithë ekonominë e shtëpisë, të mos bëjë asnjë efekt. Se vërtete, ne sot diskutojmë, po ikin në Angli, po ikin këtu, po ikin atje, shqiptaret kanë ikur historikisht sepse kanë qenë historikisht një popull që migronte. Na doli ajo partia e 8 nëntorit, se është 8 nëntor sot, se ky shejtan non gratë, i ka të dyja 8 nëntorin dhe 8 dhjetorin ky dreq, na doli ajo parti që na mbylli brenda 50 vjet dhe nuk lëviznim dot dhe nuk shkonim dot në asnjë vend dhe faktikisht pas gjithë atij izolimi u kthye trendi i lëvizjes jashtë. S’dua të flas gjatë për këtë se unë mendoj që ky është një trend historik i pashmangshëm edhe pse jam i bindur se periudha kur më shumë ikin sesa kthehen po shkon drejt fundit e në vitet që vijnë, 3-4 vitet që vijnë, do fillojmë të shohim një periudhë që shqiptarë vazhdojë ikin, se shyqyr zotit nuk jemi më në një bunker që të rrimë të gjithë këtu brenda e të hamë njëri-tjetrin, por do kthehen më shumë se ç’ikin. Arsyeja për të cilën po e them, është tjetra: atje faturat e energjisë kanë kërcyer me herë dhe për një shqiptar emigrant, që natyrisht nëse punon në një fabrikë të ngjashme me atë fabrikën që ne ishim sot këtu, nuk merr 400 e ca mijë lek sa ishte paga neto minimale e atyre, apo 500 e ca mijë lekë sa ishte paga mesatare e atyre neto, patjetër që merr 1200 euro, por ama faturën e energjisë sot që flasim, vetëm faturën e energjisë e ka 300 euro. Po ushqimin? Po qeranë? Po transportin? Se aty nuk është si këtu, hip në autobus e për 10 minuta maksimumi je në anën tjetër. Të gjitha këto e shtrëngojnë shumë jetën dhe ky është qëllimi i luftës së Putinit, por ne kemi marrë në mbrojtje dhe biznesin e vogël vetëm për të njëjtën arsye, sepse nëse mbrojmë vetëm familjet dhe rrisim çmimin e energjisë tek të gjitha dyqanet që ju shkoni dhe blini, atëherë ata që janë atje në dyqan do t’ua kalojnë në mallin që blini faturën dhe kështu inflacioni i luftës do godasë drejtpërdrejtë për shkak të çmimit të energjisë.

 

Sot ka dalë, doli shifra e tetorit, është 8.3%, mesatarja vjetore është 6.5% e zyrtarizuar edhe me Eurostat-in, ndërkohe që vendet e rajonit janë me dy shifra dhe po shkojnë disa drejt 20% inflacion. Ne e kemi më të amortizuar pikërisht sepse kemi vendosur 460 milionë euro, gati gjysmë miliardë euro për të mbrojtur familjet dhe për të mbrojtur bizneset nga goditja e një arme shumë, shumë efikase dhe të dëmshme për psikologjinë e popujve të kësaj pjese të botës që është energjia. E do vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë edhe në buxhetin që do kalojmë, do vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë. Ashtu sikundër do vazhdojmë të financojmë rritjen e fuqisë mbrojtëse të atyre që janë më në nevojë, por jo vetëm të atyre. Do të vazhdojmë të rrisim dhe të konsolidojmë atë rritje pagash që nisi këtë vit. Do vazhdojmë të rrisim pagën minimale. E kemi sot që flasim 340 mijë lekë, do ta çojmë 360 dhe mbase edhe 380 në fund të vitit tjetër, pagën minimale. Ndërkohë që do të heqim taksën mbi pagën deri në 500 mijë lekë. E kemi tani deri në 400 mijë. Janë 70 mijë individë që marrin  500 mijë lekë pagë në Shqipëri dhe ata nuk do paguajnë më taksë mbi pagën, por kemi dyfishuar në buxhetin e vitit që vjen, kemi dyfishuar ndihmën ekonomike për të gjitha nënat me dy fëmijë e më shumë. Flas për nënat që janë kryefamiljare dhe që janë me ndihmë ekonomike. Tani kemi futur dhe diçka tjetër, që nënave të papuna që janë me tre fëmijë apo më shumë, shteti do t’u paguajë edhe sigurimet shoqërore edhe sigurimet shëndetësore sepse do t’i trajtojë njësoj sikur të jenë në punë. Ne e dimë shumë mirë që megjithëse kemi indeksuar dy herë pensionet, kjo nuk mjafton. Do vazhdojmë t’i fuqizojmë pensionistët në raport me inflacionin e luftës dhe më gjithë vështirësitë që kemi në buxhet, në fillim të dhjetorit, ne pensionistëve do t’i japim një tjetër mbështetje financiare për fund vitin prej 50 mijë lekësh duke iu dhënë një buzëqeshje, jo ndonjë gjë të madhe, por sidoqoftë diçka që ata e kanë vlerësuar dhe e vlerësojnë si një ndihmë të drejtpërdrejtë. Ndërkohë që, kemi parashikuar një taksë të jashtëzakonshme për prodhuesit e mëdhenj të energjisë elektrike për të cilët kjo lufta ishte fat i madh, ndërkohë që për gjithë të tjerët është fatkeqësi sepse çmimi i energjisë u rrit aq shumë saqë ata shesin dhe fitojnë në mënyrë marramendëse. Ne nuk do ua lemë atyre gjithë ato fitime. Do t’iu marrim një pjesë të atyre fitimeve dhe direkt siç do e marrim prej tyre do ta kalojmë përsëri tek ata që janë më në nevojë. Drejtpërdrejt, jo në buxhet për gjëra të tjera dhe do bëjmë shumë më tepër e gjithmonë e më tepër për të rinjtë. Kemi filluar me programet e reja, të cilat do t’i financojmë edhe më shumë vitin e ardhshëm sepse është shumë e rëndësishme. Këtu në Kamëz është një vend ku shkollat janë transformuar totalisht dhe ku sot ishim në një shkollë të re që ishte fantastike. Mund të jetë në çdo qytet të Europës pa asnjë problem dhe edhe në çdo qytet të Europës do të hyjë prapë në shkollat më të mira, jo te ato që janë më të vjetra dhe me më pak standarde. Aty na duhet të fusim më shumë programe të pasdites. Programe për artin, sportin, zejet, teknologjinë në mënyrë që t’u japim të rinjve dije të reja që t’u shërbejnë nesër për të pasur më shumë aftësi në jetë.

Në fund për të mos e zgjatur më tutje, duke ju falënderuar shumë që jeni këtu akoma sepse ishte ditë kur filluam edhe mbase u zgjatëm pak, por besoj se ia vlejti. Do të ishte e pamundur të imagjinohej që ne në Kamëz deri para tre vjetësh mund të kishim një prezantim punësh që të na mbante edhe me orë, por kështu ka ndodhur këtu. Janë bërë punë aq sa nuk janë bërë në të gjitha vitet e tjera të marra sëbashku.

Po i thosha sot atyre të rinjve të Kamzës, të gjithë ata kanë lindur më vonë sesa ju keni ardhur këtu. Mua më kujtohet shumë mirë në ’91-92-shin fusha këtu, e cila përpara ishte bosh. Ishte e mbushur me tenda me plastmas, që s’ishin sera po ishin fillimi i rrugës për të ndërtuar shtëpitë. E pastaj shtëpitë nga një dhomë e dy dhoma, u kthyen në dy kate e tre kate. Një investim i jashtëzakonshëm, i cili tregon nga njëra anë që pavarësisht të gjithave jeta e shqiptarëve ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë. Ne jemi ende mbrapa në raport me të tjerët sepse kemi filluar nga shumë, shumë, shumë mbrapa, por ama këtë diferencë me të tjerët, sot e kemi shumë më të vogël seç e kishim kur e kemi filluar këtë rrugë dhe 30 vjet janë shumë në jetën e një njeriu, por janë 3 vjet në jetën e një vendi.

Duhet të kemi shumë besim që më e mira është ende përpara. Duhet të jeni të bindur që siç ia dolëm me tërmetin dhe sot kujtdo që tërmeti i ra mbi kokë dhe fatmirësisht doli i paprekur nga ana e jetës, tërmeti iu kthye në mirësi sepse ka shtëpi më të mirë. Një pjesë jetojnë në lagje të reja dhe në apartamente që kurrën e kurrës nuk kishin për t’i marrë nëse nuk do kishte rënë kjo fatkeqësi sepse nuk do të kishin pasur mundësi t’i blinin. Është i pari program në Europë pas tërmeteve dhe ne i kemi studiuar pjesën më të madhe, në botë nuk e di, po në Europë, dhe kur them në Europë flas nga Italia deri në Turqi, duke kaluar përmes Greqisë që është një program ku të gjitha shtëpitë, apartamentet janë 100% falas, pa kredi, paq qira, pa ngarkesë, drejt për drejt me çelësa në dorë, me titullin e pronësisë, më të mira, më të mëdha, më të bukura se ato që ishin dhe më të forta patjetër.

Një fatkeqësi, një krizë ne e kthyem në një mundësi të re. Po kështu edhe me pandeminë. Përtej fatkeqësisë të atyre që humbën jetën, ishte e pashmangshme, ne e kthyem edhe pandeminë në një mundësi të re për gjithë sistemin tonë të mbrojtjes së shëndetit, të urgjencave, të mbrojtjes nga sëmundjet infektive.

Nuk e di a e keni parë spitalin e ri Infektiv që është një spital spektakolar. Numri i spitaleve që sot janë njësoj si shkollat këtu në kamëz, fiks si spitalet jashtë, tanimë është shumë më i madh se numri i atyre që kanë mbetur akoma pa u bërë si ta.

Sot kemi 18 shkolla në Kamëz që janë shkolla europiane, po ka dhe 5 të tjera që janë shkolla që i përkasin akoma të kaluarës dhe që duhen bërë. E njëjta gjë është me këtë situatë. Me energjinë dhe inflacionin. Edhe këtë situatë do ta kthejmë në një mirësi tjetër për Shqipërinë dhe shqiptarët sepse po investojmë shumë më tepër tani për energjinë dhe më në fund po shikojmë qartësi konkrete në realizimin e planit për ta kthyer Shqipërinë në një eksportues neto që kurrë më mos detyrohemi të blemë energji nga jashtë, por të plotësojmë nevojat tona me energjinë që prodhojmë në vend dhe për këtë arsye të kemi dhe çmim më të arsyeshëm dhe pastaj çfarë mbetet ta shesim, por jo më të harxhojmë para për të blerë energji nga jashtë. Duke vënë në shfrytëzim diellin, erën dhe këto janë projekte konkrete. Një pjesë e tyre kanë filluar, një pjesë e tyre janë duke filluar. Do shfrytëzojmë gazin e lëngshëm e kështu me radhë. Patjetër do ta kthejmë në një mirësi edhe duke fuqizuar më tutje të gjithë njerëzit, duke rritur pagat e duke rritur edhe pensionet. Pse? Kini parasysh që buxheti që ne do kalojmë në Parlament në parim këto dy ditë dhe pastaj mbas dy javësh nen për nen, është dyfishi i buxhetit të 2013-tës.

Imagjinoni se sa shumë më tepër mund të kishim bërë ne sikur mos kishim pasur tërmet, pandeminë e sikur mos na vinte dhe kjo flama tjetër. Shikoni se sa shumë para janë harxhuar për të organizuar rindërtimin, mbrojtjen nga pandemina dhe për mbrojtjen tani nga goditja e luftës së Putinit.

Janë të gjitha para që janë nxjerrë si rezultat i rritjes ekonomike, si rezultat pikërisht i rritjes së të ardhurave, i rritjes sonë të përbashkët e të gjitha ato të tjerat, “jo u vodhën 430 milionë”, që nuk ekzistojnë, thjesht nuk ekzistojnë, janë 430 milionë të parashikuara për tu shpenzuar në 30 vjet e për tu shpenzuar për çfarë? Për tu shpenzuar që të vazhdojnë të pastrohen këto qytete të mëdha dhe të vazhdojnë të përpunohen mbetjet e këtyre qyteteve të mëdha e të prodhohet energji prej tyre. Shiko çfarë rrene, një gënjeshtër me bisht, që për fat të keq, për shkak se jetojmë në një vend ku pasqyrat e informacionit janë pasqyra dezinformomi, fillon dhe zë vend, sepse populli nuk e ka pasur kot kur ka thënë që, “kur gënjeshtra ka bërë xhiron e botës, e vërteta nuk ka veshur akoma pantallonat”.  Sepse njeriu është i prirur që ta hajë rrenën më shpejt se sa të vlerësojë të vërtetën e gjysmë të vërteta janë dhe gënjeshtrat më të mëdha.

Ia shpjegova sot një vajze që u çua dhe tha, “kryetari i bashkisë nuk e ka mbajtur fjalën se shkolla ime është e pa rindërtuar”. Po, është e vërteta. Ajo është një nga 5 shkollat që nuk janë rindërtuar por janë 18 të tjera që janë bërë të reja. Tani, nëse unë marr, e shkëpus këtë dhe e nxjerr në televizor, e i them të gjithë të tjerëve që nuk kanë fare idenë se çfarë ndodh në Kamëz, që dëgjoni këtu, këto janë të gjitha propagandë sepse shkollat siç thotë kjo goca nuk janë rindërtuar, atëherë një gjysmë të vërtetë unë e kthej në rrenën më të madhe e kështu helmoj gjakun e njerëzve, i mërzis dhe i nxis që të thonë ky vend nuk bëhet kështu që hajde ikim të gjithë.

E vërteta është që ky vend bëhet dhe shqiptarët nuk është se nuk do ikin më, shqiptarët do ikin se shyqyr zotit nuk janë më të mbyllur që të rrinë të gjithë këtu brenda, por gjithmonë e më shumë do kthehen e gjithmonë e më pak do ikin. Shumë faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm