Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Të gjithë janë të nevojshëm por askush nuk është i domosdoshëm

Të reja

Të gjithë janë të nevojshëm por askush nuk është i domosdoshëm

01 Sep 2020    

Fjala hyrëse e Kryetarit të Partisë Socialiste, njëherësh kryeministër, Edi Rama në sezonin e ri politik përpara Grupit Parlamentar:

Është kënaqësi që rishihemi të gjithë së bashku, sot, pas periudhës së ndërmjetme mes dy sezoneve politike. Uroj për të gjithë familjarisht që të jeni sa më mirë në këtë periudhë të vështirë dhe njëkohësisht që ju të jeni kthyer nga pushimet tuaja me të gjithë energjinë e nevojshme për të nisur sezonin e fundit të këtij mandati të vështirë dhe posaçërisht sfidues për të gjithë ne. Sezonin e sapokaluar na u desh të përballemi edhe me një tërmet shkatërrues, edhe me nje pandemi globale që vazhdon, a thua se s’na dilnin dhe s’na tepronin sfidat në punën tonë në 360 gradë në kthesën e fortë ku e kemi futur Shqipërinë, për ta nxjerrë në një lartësi të re.

E kam kujtuar shpesh këto kohë Kryeministrin britanik, Harold Macmillan, kur e pyetën se çfarë mund ta nxjerrë qeverinë jashtë kursit të saj. Disa thonë se e pyeti një gazetar, disa të tjerë thonë se pyetjen ja bëri John Kennedy, por përgjigja e tij ishte “ngjarjet, bir i dashur, ngjarjet”.

E tërmeti dhe pandemia nuk ishin ngjarje dosido, por janë nga ato ngjarje që tundin tokën nën këmbët e një vendi të tërë dhe jo më të një qeverie. Por unë nuk e solla në hyrje të kësaj fjale shprehjen e famshme të Macmillan për të vijuar me nje përshkrim heroik të përpjekjes, në fakt të jashtëzakonshme, që ka bërë qeveria jonë, me mbështjen e çmuar të grupit parlamentar, për të  përballuar pasojat e lëkundjeve të tokës nga këto dy ngjarje. 

Sot nuk jemi mbledhur për këtë.

Këtu jemi mbledhur që t’ju ftoj në një reflektim të thellë, por të shpejtë, të cilin sot dua që ta nisim, për ta kryer në javët e ardhshme bashkërisht, secili individualisht dhe së bashku në grupe më të vogla. Një reflektim për si do ta vazhdojmë përpjekjen tonë në çdo drejtim në skuadër dhe individualisht në rolin që secili ka dhe se si do ta kurorëzojmë këtë mandat me bindjen dhe me besimin e nevojshëm për të merituar nga bashkëqytetarët tanë një mandat tjetër, të tretin radhazi, për të parën herë në historinë e Partisë Socialiste, por edhe për të parën herë në historinë e Shqipërisë pluraliste.

Po e nis nga vetja dhe jo pa qëllim publikisht, me zë të lartë, atë që në fakt jam mësuar ta bëj me veten rregullisht dhe e kam bërë dhe së fundmi, por më shpesh. Çfarë duhet të bëj unë më shumë dhe më mirë këtë sezon, për të merituar me bindje dhe besim respektin e atyre që më besuan të bindur privilegjin e madh të drejtimit të shtëpisë sonë, Shqipërisë, tre vjet apo 7 vjet më parë.

Shqiptarët, shumica e tyre e kanë të qartë që nuk e kanë sot për sot, një kryeministër më të mirë, por a jam unë, kryeministri më i mirë që unë mund të jem për ta?

Po ju, secili prej jush, a jeni deputetët më të  mirë që ata mund të kenë, sot për sot, në territoret ku ata ju kanë zgjedhur, tre vjet më parë?

A është kjo që kemi bërë deri më sot, secili prej nesh apo të gjithë së bashku, më e mira që ne mund të bëjmë për ta? Më e mira në vetvete e kam fjalën, pa e krahasuar me alternativat që ata kishin para disa vitesh, apo që kanë hë për hë, sot për sot.

Shqiptarët, sot nuk e kanë një alternativë më të mirë sesa mua dhe se sa ju, që na vunë në krye të vendit, tre vjet më parë. Këtë ata e dinë. Shumica e tyre nuk e diskuton, por kjo sot s’më mjafton fare dhe atyre jo e jo, që nuk ju mjafton.

E pyes veten shpesh dhe po e bëj dhe këtu me zë të lartë. Po Partia Socilaiste që sot përfaqësohet nga ne, por as ka lindur me ne dhe as do të vdesë pa ne, mund të bëjë më shumë sesa kaq sa ne kemi bërë deri këtu?

Përgjigja ime është pa asnjë dyshim, PO. 

Absolutisht që po. Dhe patjetër që përderisa unë jam këtu dhe kam ndërmend që të kërkoj një mandat tjetër në fund të këtij që kam, kam bindjen dhe besimin se mund të bëj më shumë akoma. Ndryshe nuk do të kisha arsyen themelore që kam, për të vazhduar më tutje. Patjetër, edhe secili prej jush mund ta mendoni dhe mund ta thoni  këtë njësoj si unë, por pyetja është sesa të gatshëm jeni t’jua provoni këtë atyre që ju kanë besuar mandatet që keni, njerezve në të gjitha territoret ku jeni zgjedhur.

Unë jam i gatshëm t’jua provoj shqiptarëve se kam në fakt, edhe më të madhe dëshirën, ambicien, vullnetin për të bërë më shumë për ta dhe besoj dhe uroj shumë që edhe ju të jeni të gatshëm të bëni të njëjtën gjë.

Pyetja është se si do ta përcjellë secili dhe secila këtu nga ne këtë gatishmëri me fuqinë  e provës në sytë e shqiptarëve. E mbi të gjitha, PD-ja, ajo që e quajmë familja e madhe socialiste, çfarë mendon në fakt, sot, për mua dhe për ju në këtë fazë mes mandatit që kemi dhe mandatit që duam. Unë mund t’jua them shumë hapur se si kryetar i kësaj familjeje, duke ndjekur në të njëjtën vijë, konceptin e familjes së madhe politike, nuk e marr përsipër përgjigjen në emër të familjes sonë të madhe për këtë pyetje, e cila më mundon realisht çdo ditë.

Unë dua të dëgjoj zërin e çdo anëtari dhe çdo anëtareje të Partisë sonë, për të marrë përgjigjen e kësaj pyetjeje, sepse me timen, unë kam bërë gjithçka kam mundur dhe jo gjithçka kam dashur dhe nuk kam lënë asgjë pa bërë nga ato që kam mundur. Por sot, kjo nuk  mjafton dhe ajo që unë mendoj për çfarë kam bërë nuk mjafton. Nuk mjaftojnë as mendimet tuaja për punën time dhe as mendimi im për punën tuaj. Unë dua të di mendimin e të gjithë familjes sonë, nga Tropoja në Konispol, nga Shqipëria në diasporë, dhe dua ta di sa më parë. Ndërkohë që e gjithë partia do të hyjë në betejën më të madhe të një mandati që gjithmonë është beteja për mandatin tjetër. 

Kur jam pajtuar me hapjen e listave që i jep mundësi popullit të zgjedhë përveç partisë, edhe deputetin apo deputeten që preferon, kam patur bidjen se sistemi i “kooperativës politike”, pa asnjë notë pexhorative, nuk na e mundëson prodhimin e enegjisë së jashtëzakonshme që na duhet më tej, për ta çuar Shqipërinë më shpejt përpara me një mandat të tretë të shqiptarëve. Por kam edhe bindjen tjetër se asnjë mënyrë më të mirë nuk ka për formësimin gradual të një bindjeje për përbërjen e listës sonë nesër, sesa të pyesim sot, të gjithë familjen tonë politike.

Prandaj unë besoj që duhet shumë shpejt të biem dakoed për metodikën e vlerësimit brenda familjes nga e gjithë familja. Fatmirësisht kemi një platformë digjitale të partisë dhe pas qëmtimit të kryqëzuar të regjistrit të anëtarēsisë që kemi bërë dhe po finalizohet, kemi një bazë të dhënash me integritet dhe pa fiktivitet. Dhe qartësisht nuk e kam fjalën për votim online, por për një vlerësim online dhe jo për një vlerësim, po të paktën për tre cikle vlerësimesh mes shtatorit dhe janarit. Në ndërkohë ne do të punojmë, të gjithë, secili prej nesh dhe vlerësimi natyrshëm do të jetë dinamik, siç do të jetë dinamike performanca e çdonjërit nga ne. 

Nga ana tjetër, ne nuk jemi një parti e mbyllur, përkundrazi, pavarësisht se prirjet për të mos u hapur janë pjesë e fiziologjisë së organizmit të partisë sonë dhe besoj të çdo partie politike. Ne nuk i kemi marrë dy mandatet e deritanishme thjesht me votat e anëtarësisë sonë, por i kemi marrë me thuajse 10-fishin e saj. Prandaj unë besoj se kush na zgjedh në fund ka të drejtën edhe të na shprehë përpara gatishmërinē e vet, nëse dëshiron të jetë pjesë e listës sonë, në ndërkohë që ne duhet t’i garantojmë konfidencialitet dhe vlerësim serioz nga ana jonë të çdo kandidature potenciale. 

Për këtë të dytën, përsëri mund të përrdorim fare mirë platformën dixhitale. Besoj se nuk ka më mirë se sa të kemi një spektër sa më të gjerë për skuadrën që do t’i sigurojë PS-së mandatin e tretë, me bindjen dhe besimim e shumicës shqiptare, e cila tanimē numerikisht dhe faktikisht bazuar në normën e re të listave të hapura, do jetë më e gjerë.
 
Unë nuk do them sot asgjë, asnjë fjalë për Kundërshtarët e dukshëm, ata që kemi e do kemi Përballë. Sa më shimë të shohim tek ata, aq më pak Kërkojmë nga vetja e sa më shumë flasim për ta, aq më pak e kuptojmë se sa shumë më shumë mund e do bëjmë ne për Shqipërinë. 

Ata janë humbës kronikë, që më mirë se çdo gjë tjetër dinë të gjejnë rrugën e humbjes. Dhe në këtë sens,  ata janë një fatkeqësi, jo thjesht për veten, por edhe për ne, sepse nuk na stimulojnë të përmirësohemi më shumë, më shpejt. Nga ana tjetër nuk stimulojnë opinionin publik të mprehë këndvështrimin  mbi të gjithë ne. 

Duke u kthyer ku e nisa, e këktu të bëjmë atë që i takon Partisë Socialiste të bëjë më tej për Shqipërinē e për shqiptarët duhet të shohim sa më shumë te kundershtarët e padukshëm, tek lodhja e një pjese, tek merzia e një pjese tjetër, tek lëkundja e disave mes votimit për ne dhe mos votimit hiç, pritshmëria e papërmbushur e disa të tjerëve që motivon mosdaljen në zgjedhje, tek zhgënjimi apo humbja e durimit edhe e disave brenda familjes tonë të madhe, në territorin që mbulon gjithë Partia Socialiste. Për t’i arritur, për t’i prekur, për t’i kuptuar siç duhet këto ndjesi, ne duhet të shohim jo jashtë nesh,  brenda, jo rrotull njeri-tjetrit, por tek vetja. 

Më lejoni që të bëj këtu një kopjacë të vogël, duke marrë për nevojë fjalën e një udhëheqësi të madh. Ne këtu, Partia Socialiste, duhet të pyesim secili veten, jo çfarë do bëjë Partia Socialiste për mua, por çfarë do të bëj unë për Partinë Socialiste. Le ta themi deri në fund që nuk kemi më kohë, përballja me gjykimin e popullit është nesër, sa hap e mbyll sytë dhe jemi në provimin e madh të zgjedhjeve, kështu që, as kohë për të rrotulluar arra nëpër gojë nuk ka. Çfarë mund të kërkoni më ju, unë po e po, nga Partia Socialiste? Që të jeni gati t’i bëni yzmet pa u lodhur, përdite, çdokujt që ju ka bërë nderin e madh të përfaqësimit të shqiptareve, në radhët e shumicës së një grushti të vogël njerëzish që vendosin për këtë vend, në tempullin e demokracisë shqiptare. 

Shpeshherë, për shumë arsye, prirja për të mos e mbajtur parasysh këtë fakt, këtë nder të madh, kthehet në shumë drejtime të gabuara. Por çfarë mund të kërkoni tjetër ju, se unë nuk kërkoj asgjë tjetër, për t’ju përgjigjur njerëzve që kanë nevojë të jua qani hallin, edhe kur nuk ua zgjidhni dot. Çfarë mund të kërkojë pas shtatë vjetësh, apo disa pas tre vjetësh, në pushtetin legjislativ apo ekzekutiv, për të bërë 7 herë më shumë për këtë vend dhe për njerëzit e këtij vendi dhe natyrisht, nga sot e deri ditën kur do të paraqiteni para tyre për të thënë pse duhet të na votojnë me bindje dhe me besim. Unë them se ka vetëm një gjë që duhet ta kërkoni dhe do ta kërkoni pa pushim nga vetja, llogari vetes. Jam po unë ai që I neveris ata që deputetët I barazojnë me të keqen, i shajnë, i përqeshin, i fusin në një thes që e shqelmojnë sa herë që i del përpara. Ata gabojnë. Unë, jo thjesht se jam njeri prej jush, deputet si ju, por ju njoh dhe e di shumë mirë që nuk e meritoni paragjykimin apo paragjykimet që kanë krijuar steriotipin e shëmtuar të deputetit, në mexhelisin e llafeve pa karar e të sharjeve pa hesap dhe duke u nisur nga raste shumë specifike, apo nga rrethana të caktuara. 

Po kush dhe si duhet ta godasë këtë steriotip, përveç nesh, vetë deputetëve? 

Askush. 

Dhr ka vetëm një forcë goditëse për atë steriotip, forca e shembullit. Çdo gjë tjetër e përforcon, nuk e dobëson steriotipin. Sot nuk është dita për të folur në emra, por shembujt ne i kemi në këtë grup parlamentar dhe fatmiresisht nuk janë pak, që duhet t’i kërkojmë me qiri. Ama nuk mjaftojnë dhe kjo është sfida jonë, sfida e çdo deputeti, çdo deputeteje këtu, të bëhet çdo ditë forca e një shembulli që do të luftojë me ata kundërshtarët e padukshëm që rrjeshtova më lart; në mërzinë e dikujt, në zhgenjimin e dikujt tjetër, me lëkundjen e disa të tjerëve, me hatërmbejtjen, me padurimin, me të gjithë këtë tërësi ndjesisht të brendshme, që janë kundërshtarët tanë realë, që është opozita jonë reale. 

Unë nuk dyshoj se, nëse do të votohej këtë të dielë, ne do t’i fitonim zgjedhjet, por nuk besoj se do t’i rifitonim të gjithë zemrat e atyre që na kanë votuar, apo të atyre që nuk na kanë votuar, por nuk e votojnë dhe nuk kanë për ta votuar ndonjëherë atë forcë apo grup forcash që ne kemi përballë. Këtë të dielë, ne do të merrnim më pak vota sesa meritojmë për punët që kemi bërë për Shqiprinë, ndërsa ata do të merrnin më pak vota seç morën tre vjetë më parë. 

Pse do marrim ne më pak vota sesa meritojmë, se nuk na kupton populli, apo se disa mund të mos dilnin në votime, ngaqë ne e kemi fitoren në xhep? 

Asnjëra dhe as tjetra, por se populli pret shumë më shumë nga ne dhe populli nuk pret asgjë nga ata. Dhe ka të drejtë. Kur unë vetë pres shumë më shumë nga vetja dhe nga ju, imagjinoni dikush që nuk ka as ngenë e as arsyen që të justifikojë mungesën e gjërave që pret, apo që të shohë me të njëjtën vëmëndje dhe ndonjëherë dhe me lupë çka ne kemi bërë dhe pastaj të arsyetojë pse më shumë nuk bënim dot, apo me radhë. 

Por, fatmirësisht, ne kemi mjaftueshëm kohë për të treguar se vlejmë më shumë sesa ai i duket sot, me të drejtë them unë, kujdo që pikërishtë pret më shumë, nuk ndihet i ngrohur në zemër dhe ndihet i lëkundur në mendje kur bën vlerësimin tonë. Kemi mjaftueshëm kohë për t’i treguar edhe njëri-tjetrit, edhe familjes sonë të madhe politike, sesa i duhemi për këtë skuadër kur të vijë dita e ndeshjes, nga i pari tek i fundit, si dhe për të plotësuar skuadrën me të tjerë tanimë që çdo kandidat në listë do të vlerësohet  nga populli edhe si individ. 

Që të jemi i qartë, kur them nga i pari tek i fundit, dmth,  unë dhe kush e ka emrin në fund të ... [shkëputje] ...elektronike të votimit në Kuvend, në bazë të alfabetit.

Kemi mjaftueshëm kohë për ta ristaruar kompjuterin nga e para dhe për të nisur secili dhe secila në një stad të barabartë në procesin rikrijimit të skuadrës fituese, duke ripëtrirë të gjitha fijet e marrëdhënieve me anëtarët dhe anëtaret e familjes sonë politike në çdo cep të Shqipërisë, me komunitetet ku secili prej nesh është zgjedhur, me shoqërinë dhe natyrisht, me atë që i përmbledh të gjitha, Shqipërinë. 

Troç fare, deputetë jemi në sallën e Kuvendit, ndërsa jashtë saj, nga sot, ne jemi thjesht kandidatë për deputetë, që duhet ta fitojmë vendin në skuadër çdo ditë, pa pushim dhe nëse unë personalisht për shkak të detyrës do duhet të firmos në fund formacionin që do dalë në fushë, le ta dëgjojnë të gjithë ata që na ndjekin se kush nuk do të japë jo thjesht gjithçka ka, nuk mjafton, por gjithçka duhet për t’u futur në atë formacion, nuk do të jetë në formacion. 

Për mua është shumë e qartë, askush tjetër, përveç Partisë Socialiste nuk e çon dot Shqipërinë përpara dhe Partia socialiste është i vetmi emër që nuk vihet dot në diskutim. Emrat e tjerë, duke filluar nga i imi i pari, shkojnë dhe vijnë. Por është po kaq e qartë që paaftësia dhe papërgjegjshmëria, fatkeqësisht, rëndom e stimuluar nga ligësia e atyre që udhëheqin partitë e tjera, nuk mund të jenë asnjë arsye për ta quajtur ndeshjen të fituar pa u zhvilluar dhe as aq më pak një arsye për t’i mos i vënë Partisë Socialistë në dispozicion skuadrën më të mirë të këtyre 30 viteve, në një betejë që në shumë aspekte është historike për Shqipërinë. 

Sot nuk është moment për të shpjeguar pse-të e kësaj që sapo thashë, që nuk është bindja ime thjesht si kryetari i kësaj partie, as si kryeministri i këtij vendi sot, por është bindja si shqiptar, që jam qytetar në këtë vend dhe që jam prind në këtë vend. Askush dhe gjithkush këtu, pa dallim, troç, e ka potencialin për të qenë pjesë e skuadrës 2021, por askush, pa përjashtim, nuk e ka sot të garantuar vendin në skuadër. Atë do ta fitojë përditë, deri në fund, pa “nëse” dhe pa “por”, sepse kjo kohë është e mjaftueshme vetëm për t’i dhënë përgjigje çdo ditë, çdo deputet, çfarë do të bëj unë për Partinë Socialiste sot. 

Ndërsa koha për të pyetur çfarë do të bëjë Partia Socialiste për mua ka mbaruar motra dhe vëllezër. 

Shpresoj dhe besoj se kam mirëkuptimin dhe dakordësinë tuaj për sa thashë në hyrje të këtij sezoni, për të cilin padisikutim do flasim gjërsisht në ditët në vijim. Më lejoni ta them me bindje që padiskutim e besoj që është një sezon me një rëndësi të madhe për jo rezultatin e zgjedhjeve, por për një restart me energji të reja, në kuptimin më të mirë të fjalës, të vetë organizmit të të gjithë Partisë Socialiste. 

Është një sezon ku secili prej nesh, duke bërë çdo ditë atë që duhet, për t’iu përgjigjur pas çdo dite, konkretisht, pyetjes, çfarë bëra unë, sot, për Partinë Socialiste, do të vendosim pa kthim që Shqipëria do të vazhdojë kthesën e fortë dhe padikutim, me mandatin tonë të tretë, Shqipëria do të jetë në mënyrë të pakthyeshme në një nivel tjetër.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm