Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Transformimi i çdo sektori është fuqia qeverisëse e Partisë Socialiste!

Të reja

Transformimi i çdo sektori është fuqia qeverisëse e Partisë Socialiste!

13 Nov 2020    

Fjala e Kryeministrit Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, në takimin “Deputeti që duam”, Mbrostar, Fier:

Siç e pe i dashur Arbër, nuk është e lehtë. Është gjithmonë më e lehtë të gjykosh dhe të luash një ndeshje nga shkallët e stadiumit sesa në fushë dhe patjetër që është shumë më e lehtë të bësh trajnerin, duke parë ndeshjen në TV, sesa duke e drejtuar atë në buzë të arenës. Por përtej sprovës së parë dhe emocioneve, unë dëshiroj të falenderoj ty dhe të falenderoj të gjithë ata që kanë marrë përsipër të shprehin gatishmërinë  e tyre.

Ky është patjetër një nder për të gjithë ne, për Partinë Socialiste dhe nga ana tjetër dëshiroj t’ju them të gjithëve, kush e ndjen se mund ta bëjë më mirë këtë punë sesa ata që e kanë bërë deri më sot, kush e ndjen që e ka vullnetin, që e ka kurajon, që e ka vendosmërinë që e ka durimin për të bërë këtë punë është i mirëpritur që ta shprehë interesin e vet përmes kësaj platforme të thjeshtë. E pa asnjë diskutim që ne do të jemi në lartësinë e traditës së PS-së, që gjatë gjithë kohës qysh në krye të herës ka qenë një forcë që i ka hapur dyert e veta, pavarësisht vështirësive të natyrshme në hapjet e dyerve për të tjerët, i ka hapur dyert e veta.

Sot, këtu në këtë shesh janë shumë ata, të cilët i përkasin një gjenerate të re, janë shumë nga ata për të cilët dyert janë të hapura në këtë zonë politike të PS-së, ku padiskutim Partia Socialiste qysh në ditën e parë të krijimit të saj ka qenë një pikë e fortë graviteti për qytetarët që duan të shohin një vend më të mirë, një Shqipëri më të mirë.

Nga ana tjetër, ne kemi nevojë të harmonizojmë gjeneratat, të harmonizojmë eksperiencat, të harmonizojmë energjitë, të harmonizojmë përvojën e atyre që prej kohësh janë të angazhuar në këtë front, në këtë vijë të parë të betejës sonë politike dhe të atyre që kanë talentin dhe vullnetin për t’u angazhuar.

Kur ne themi që jemi të hapur dhe duam të ndërtojmë një skuadër harmonike dhe të kemi prurje të reja, nuk kemi parasysh vetëm mosha të reja, por kemi parasysh edhe gra dhe burra që kanë forcë shpirtërore dhe kanë pasion dhe ide të reja për ne. Kam parasysh njerëz, të cilët vijnë nga rruga e suksesit të tyre në atë drejtim që kanë zgjedhur, që nga ata që kanë zgjedhur të shërbejnë në administratën shtetërore, tek ata që kanë zgjedhur të shërbejnë si mësues, si mësuese, si mjekë, si infermiere, si punonjës sociale dhe patjetër tek ata që kanë zgjedhur që t’u shërbejnë familjeve të tyre, duke punuar tokat, duke rritur prodhimin, duke ndërtuar modele suksesi, e me radhë tek ata që kanë ndërtuar sipërmarrje të suksesshme e deri tek ata që i sjell në fund, jo për nga rëndësia, që janë në emigracion dhe që e shohin Shqipërinë si stacionin ku duan të kthehen apo që dhe nëse plani për t’u kthyer nuk është ende aktual e shohin Shqipërinë me mendjen dhe dëshirën që ajo të bëhet më e mirë çdo ditë dhe mund të mendojnë me të drejtë që kanë diçka për të dhënë në këtë front, në këtë skuadër.

E këtu nuk është thjeshtë një proces që fillon dhe mbaron me skuadrën e deputeteve dhe të deputetëve, por është një proces që shtrihet dhe përtej kësaj me skuadrën qeverisëse në të gjitha nivelet. Ne këtu në Fier kemi eksperienca shumë pozitive me vajza dhe djem që janë përfshirë në qeverisjen vendore si profesionistë apo që janë përfshirë në këshillat bashkiakë të qarkut dhe kështu me radhe, e me radhë.

Ajo unë dua t’i siguroj të gjithëve është që ky nuk është një process që ne na detyroi dikush që ta bëjmë, nuk është as një proces që ne ta bëjmë për të thënë që “ja jemi hapur”, “ja jemi të prirur ta ripërtërijmë gjakun në këtë organizëm të madh politik”, por e bëjmë sepse kjo është tradita jonë. Nëse nuk do të ishte kjo traditë unë që po ju flas këtu nuk do isha këtu sot dhe si unë me siguri plot të tjerë. E nëse sot, unë jam këtu dhe këtu bashkë me mua është dhe Petro, kjo është shprehja më kuptimplotë e asaj që është tradita jonë, dy njerëz pak a shumë të një moshe, tani nuk e di se kush është më i ri nga ne të dy, por është një konkurencë e kotë sepse të dy i kemi humbur të gjithë tjegullat e kokës, jemi zbuluar nga ana e çatisë, por të një gjenerate, me dy drejtime të ndryshme që gjendemi në të njëjtën familje politike dhe kemi patur në vazhdimësi privilegjin që të jemi në pozita përgjegjësish të mëdha.

E pra, si ky shembull ka me qindra, me mijëra në historinë e kësaj partie dhe kjo është dhe garancia për të gjithë ata që mund të hezitojnë nëse ky është një proces real, nëse kjo është një qasje e sinqertë. Ne nuk kemi nevojë të bëjmë farsa si ajo që bënë kundërshtarët tanë politikë Partia Demokratike, farsë e panevojshme, farsë e padobishme, farsë e pakuptueshme për të ngritur një komitet të urtësh dhe për të futur në një proces absurd një numër të caktuar njerëzish, duke faktikisht nënçmuar të gjithë familjen politike dhe duke u thënë të gjithë anëtarëve dhe anëtareve të partisë “hajdeni ju dhe na tregoni se kush nuk duhet të jetë nga këta që po ju japim” dhe duke vënë ca kuota që e kthyen të gjithën në një absurditet dhe që e katandisën të gjithën në një proces për të vrarë djalin e Fahriut. E pakuptueshme, të fshihesh pas një komiteti për të përfunduar kokoshi një thelë dhe për ta bërë copë-copë, të gjithë integritetin dhe besueshmërinë e partisë politike. E pastaj Luli thotë që unë fshihem pas Komitetit të ekspertëve kur vjen puna tek administrimi i kësaj situate kaq dramatike sa kjo që po jetojmë ne dhe po jeton gjithë bota dhe unë e mirëkuptoj pasi ai ndërton komitete për t’u fshehur dhe përdor deri edhe një ish president, por edhe ish rreshter për të nxjerrë patllaken dhe për të asgjesuar kandidaturën e djalit të Fahriut apo përdor një ish themelues të partisë dhe një ish ministër për vite e vite për të ekonomizuar dëmet, duke i ngulur thikën Babales.

Ne nuk jemi fare në këtë botë me ta, ne jemi në një botë tjetër krejtësisht që është bota e Shqipërisë reale dhe e njerezve reale, që është borta e fakteve e shifrave e problemeve dhe e halleve reale. Shikojeni çfarë ndodh sot, diçka që nuk ndodh askund dhe këtë mund tua them me shumë përgjegjësi, por edhe me shumë keqardhje.

Nuk ndodh askund edhe rreth e rrotull nesh, por edhe shumë përtej nesh që nga vendet e rajonit, deri tek vende, të cilat i shohim për të marrë shembull që të gjendet një opozitë, e cila edhe për një sëmundje që bie një herë në shekull për gjithë botën, nuk gjen dot forcën e brendshme, nuk gjen dot arsyet për t’u bashkuar në mënyrë konstruktive në mënyrë njerezore, jo me qeverinë, por me shumicën dërrmuese të njerëzve që janë në hall dhe që kanë nevojë që, siç thotë populli edhe nëse nuk ua zgjidh hallin të paktën qaja. Opozita në këtë rast është për ta qarë hallin se nuk ka mundësi ta zgjidhi.

Është detyra jonë ta zgjidhim hallin siç po përpiqemi çdo ditë për ta zgjidhur por ta qajë hallin dhe jo të bëjë politikë me hallin, deri në pikën kur në çdo moment që ka mundësinë, të shfaqet përpara njerezve t’u kalli frikën, t’ju ushqejë pasigurinë, t’ju rrisi ankthin, duke përdorur instrumenta që janë instrumenta të ulët, fare të ulët të ndërveprimit në shoqërinë njerëzore, shpifje, gënjeshtra, fabrikime, sajesa dhe duke arritur realisht të shqetësojë familje dhe familje të tëra, sidomos më të moshuarit.

Sot kam marrë një mesazh nga dikush që nuk kam autorizm që ta përdor emrin, por ju e njihni, e njohin të gjithë, një personalitet në një moshë të thyer që më shkruante se “më në fund  kam mundur të fle gjumë pasi pashë realitetin e spitaleve sepse nuk arrija më të flija gjumë nga ankthi që nëse do të më ndodhë që të infektohem, nuk do kem mundësi të gjej një shtrat me mjekët mbi kokë në një spital” dhe është një personalitet publik i Shqipërisë, nuk është një person anonim, nuk ka nevojë fare për mua në kuptimin e ndonjë interesi, por ishte realisht një mesazh nga dikush që nuk kam autorizim t’i përmend emrin, por e njohin të gjithë. Një personalitet në një moshë të thyer që më shkruante se më në fund kam mundur të fle gjumë, pasi pashë realitetin e spitaleve, sepse nuk arrija të flija gjumë nga ankthi që, nëse do të më ndodhë që të infektohem, nuk do të kem mundësi të gjej një shtrat dhe mjekët mbi kokë në një spital. Dhe është një personalitet publik i Shqipërisë, nuk është një person anonim. Nuk ka nevojë fare për mua, në kuptimin e ndonjë interesi, por ishte realisht një mesazh çlirimi. Na se? Nga barra e tmerrshme shpirtërore dhe mendore që i ka ngarkuar atij dhe si atij një mase dërrmuese shqiptarësh, sidomos atyre në moshë të thyer, kjo opozitë, duke përsëritur pa pushim në mënyrë të pabesueshme që spitalet janë në kolaps, që njerëzit dergjen në dysheme, që nuk ka oksigjen, që nuk ka ilaçe, që mjekët vetë po vdesin, kur në fakt kjo është e pavërtetë. Mund të ishte dhe e vërtetë, siç është e vërtetë, për fat të keq, në disa vende shumë më të zhvilluara se ne, me një shëndetësi shumë më të zhvilluar se sa e jona që në pika të caktuara të tyre janë në këtë situatë.

Parafytyrojeni, në Belgjikë, çfarë do diskutojmë për nivelin e zhvillimit? Çfarë do diskutojmë për nivelin ekonomik? I kanë detyruar në një spital COVID mjekët e infektuar dhe infermieret e infektuara të vazhdojnë punën se nuk kanë më mundësi, nuk kanë më zgjidhje. Parafytyroni Holandën, çfarë mund të diskutosh për nivelin, për kapacitetet, për aftësitë, për dijen, për ekspertizën, detyrohet të transportojë pacientë në landet në kufi nga ana tjetër në Gjermani se nuk di ku t’i çojë më. Mund të na kishte ndodhur, por nuk na ka ndodhur dhe larg qoftë të na ndodhë, por edhe aty ku ka ndodhur e ku ndodh nuk dëgjohen të tilla shprehje të vazhdueshme çnjerëzore, nga ana e atyre që përfaqësojnë një pjesë të njerëzve. Nuk dëgjohen! Nuk del opozita në Belgjikë e të akuzojë qeverinë për terrorizëm shtetëror pse në atë spital, autoritetet shëndetësore kanë qenë të detyruara të marrin atë vendim, ekstrem fare, më ekstrem nuk ka ku shkon, por e kanë marrë.

Në Italinë fqinje, që politika është më intensive, më pasionante, nganjëherë ngjan shumë me politikën tonë, nuk kam parë, nuk kam lexuar, nuk kam dëgjuar që të dalin liderët e opozitës e të nxjerrin përditë e përditë helm nga goja, për të helmuar miletin e për të çoroditur dynjanë për qëllime politike, për qëllime pushteti. Nuk kam parë, nuk kam dëgjuar as rreth e rrotull nesh në rajon. Ja ku e keni Kosovën, mund të bëhen kritika patjetër, por nuk kam dëgjuar në Kosovë që të flitet në çdo sekondë me këtë gjuhë.

Si mund të arrihet deri në pikën që të mohohet realiteti dhe kur jua tregon realitetin thonë është propagandë. Si mund të arrihet deri në pikën që të detyrohemi ne, të detyrohem unë, të fusim atje brenda kamera për të nxjerrë para të gjithë njerëzve çfarë ka realisht. Dje u fut një kamera e Top Channel në spitalin COVID 2, te “Shefqet Ndroqi”. Ai është realiteti se nuk ka se si të jetë i montuar dhe i zbukuruar për të dalë në televizor dhe ai është realiteti që shohin të gjithë ata që e kanë taksiratin të kalojnë në atë eksperiencë. Ndërsa 99% e atyre që flasin për spitalet tona, fatmirësisht nuk kanë shkuar në spital që nga koha e Saliut dhe janë me atë memorie e 99%  atyre që i besojnë ato që thonë për spitalet, janë me atë memorie. Nuk janë më  spitalet e Saliut në Shqipëri.

Ka akoma spitale me probleme patjetër, por shikoni spitalin e Fierit. Ndodh një situatë, e cila është e kuptueshme. Sot flisja me ministrin e Jashtëm të Italisë e më thoshte, jemi në kushte tmerrësisht të sikletshme me ambulancat, me qendrat shëndetësore, për shkak të fluksit të njerëzve. Ndodh për një moment që ka një defekt në sistemin e regjistrimit në poliklinikën e spitalit të Fierit, del njëri, që ai është tipik, një nga këta viktimat e komitetit, një luan kartoni, nxit një grup njerëzish që janë aty në stresin e tyre që të turren te poliklinika, për t’i marrë në video e për të nxjerrë se çfarë fsheh unë. Kjo është e tmerrshme. Kjo lloj mënyre me këto lloj materialesh të fabrikuara, është mënyra me të cilën, shërbime apo forca malinje ndaj shtetesh të tjera përdorin kur duan të nxisin trazira, por nuk mund t’i bëjë këto opozita e vendit që pretendon të udhëheqë vendin e ta kthejë atë, sipas saj, në drejtimin e duhur. Kush është drejtimi i duhur? Cili është drejtimi i duhur?

Ndërkohë që ne, sot, mund të jemi me plot gojën krenarë për faktin që kemi arritur pavarësisht faktit që ne nuk jemi as Italia, nuk jemi as Gjermania jo e jo, nuk jemi as Belgjika, nuk jemi as Polonia, nuk jemi as Çekia, të ndërtojmë një sistem mbrojtjejeje nga kjo flamë që nuk ka asgjë më pak se sa sistemet mbrojtëse në të gjitha këto vende.

Foli Gramozi për mandatin e parë e unë do doja që t’i ftoja të gjithë, na duan apo nuk na duan, na votojnë apo nuk na votojnë, kjo nuk ka rëndësi për këtë që po them, por t’i ftoja të gjitha që ta kthenin pak kokën tek spitali i Fierit, meqë jemi në Fier, 6-7 vjet më parë. Ta kthenin pak kokën tek QSUT-ja 6-7 vjet më parë. Ta kthenin pak kokën tek çdo spital i Shqipërisë, 6-7 vjet më parë e të shikojnë se dhe në spitalin më të fundit ku ne mund të mos kemi investuar dot, siç kemi investuar në këto spitale që përmenda, nuk ka të krahasuar me atë kohë. Nuk bëhet krahasimi, sepse në atë kohë, e para e punës, nuk gjeje dot, kur hyje, se kush ishte mjeku, kush ishte infermierja, kush ishin familjarët, kush ishin shitësit, kush ishin kontrabandistët. Të gjithë bashkë atje si në ndonjë stacion treti të periferisë.

Sot nuk ka të krahasuar dhe kjo që po ndodh është në fakt shembulli më kuptimplotë për ata që duan të kuptojnë, për ata që i kanë sytë e duan të shikojnë, për ata që i kanë veshët dhe duan të dëgjojnë se ata që nuk duan të dëgjojnë, nuk duan të shikojnë, nuk duan të kuptojnë, nuk shërohen, që kjo është fuqia qeverisëse e Partisë Socialiste dhe ky është dallimi i madh mes nesh dhe atyre që duan të rikthehen, por si duan të rikthehen? Duan të rikthehen pasi jo vetëm nuk kanë reflektuar mbi arsyet pse u larguan një herë, por janë po ata.

Sot situata është edhe më tragjikomike për votuesit e tyre, sepse sot rikthimi bëhet me një përpjekje për të paraqitur një dhëndër, Lulin e për t’i ftuar shqiptarët në një krushqi të re që në momentin që ta hanë tekun, t’ju dalin Iliri me Monikën e t’ju thotë dale një herë se vërtetë ju krushqinë e keni bërë me këtë, por mblesit jemi ne, ku është pjesa jonë? E keni parasysh, se është pjesa jonë, vazhdon me pjesën puna. Dhe ju e dini sa e ka pjesën Monika. E keni parë mirë në Fier dhe për më tepër, nëse deri dje, sidoqoftë, kishte një lloj kallaji dhe sidoqoftë, pavarësisht të tërave ishte e mundur të bashkëpunoje me Ilir Metën dhe me ndërmarrjen e tij, sot nuk ka më asnjë mundësi. Sot është një ndërmarrje e degraduar me një ortakëri të dalë boje komplet, mes njërit që duhet të bëjë presidentin e në fakt bën sekserin e asaj ndërmarrje dhe një tjetre që duhet të jetë zonja e parë e vendit dhe në fakt bën menaxheren e ndërmarrjes. E gjithë ajo që përfaqëson në Kushtetutë, në të drejtë dhe në zakon, institucioni i presidentit është kthyer në një komedi të madhe, për të qarë e për të qeshur.

Ata që pyesin, për çfarë duhet një mandat i tretë i Partisë Socialiste? Nuk ka nevojë fare ta ngrenë këtë pyetje, nëse duan vërtetë përgjigje mund t’jua shpjegojmë, unë mund të jap argumentet e mi, por përgjigja është tek çdo krahasim me 7 vite më parë dhe sot, në çdo fushë dhe tek fakti që sot, krahasuar me 7 vite më parë, në çdo fushë, kush do të shikojë, e shikon çfarë ndryshimi ka ndodhur. Kush do të kuptojë, e kupton çfarë ndryshimi ka ndodhur, por të gjithë kanë mundësi ta shohin qartë e ta kuptojnë qartë që është një ndryshim i  papërfunduar që duhet të vazhdojë sepse janë të gjitha në mes.

Shqipëria që ne duam, nuk është kjo që kemi e në këtë pikë unë bie dakord me të gjithë ata të cilët, jo për arsye mllefi apo për interesa çfarëdo qoftë, por për arsye se duan Shqipërinë më të mirë e për arsye se ndeshin në shumë pengesa e shumë halle, ankohen dhe kritikojnë. Jam dakord me të gjitha. Mund të them unë mbase dhe më shumë, por ama këtu jemi në kushtet kur duhet të bëjmë një zgjedhje konkrete. Nëse Shqipëria që duam nuk është kjo që kemi, Shqipëria që kemi nuk krahasohet me atë që kishim e nëse nuk krahasohet me atë që kishim, kjo lidhet vetëm me një fakt, sepse kemi Partinë Socialiste të Shqipërisë. Nëse nuk do të ishte Partia Socialiste e Shqipërisë, Shqipëria, sot, larg qoftë do të ishte në situatën që do ishte bërë turpi dhe gazi i botës, nëse COVID-i do ta kishte gjetur me spitalet e Saliut dhe të ndërmarrjes së Ilirit. Mos harroni, drejtuan spitalet, bashkë me Saliun, për një periudhë kohe.

Parafytyroni të vinte COVID-i në një kohë kur nuk kishte aparatura oksigjeni, por nuk kishte aspirina, bluza për mjekët të gjithë njësoj, për infermierët të gjithë njësoj dhe për të gjithë punonjësit të gjithë njësoj, uniformë shërbimi të një trupe siç janë sot, jo më pastaj të gjtiha ato të tjerat që sot, Shqipëria, në spitalet COVID i ka njësoj me këdo vend tjetër.

Pyeste dikush, pse shkojnë njerëzit në Turqi? Shkojnë njerëzit në Turqi sepse duan, ne nuk I ndalojmë dot, por unë ju them të gjithëve që asgjë mangët nuk ka këtu në këtë betejë. Turqia ka gjëra fantastike në shëndetësi në shumë drejtime të tjera, por në këtë betejë, as Turqia, as Franca, as Anglia, as Italia nuk kanë më shumë sesa c’kemi ne nga të gjitha pikëpamjet; nga pikëpamja logjistike, nga pikëpamja farmaceutike, nga pikëpamja profesionale.

Mjekët tanë në këtë front nuk janë pak, janë 550. Infermierët tanë në këtë front nuk janë pak, janë 1800, në mos gaboj, të gjithë duke luftuar ose gati për t’u future në luftë. E kanë treguar që ditën e parë dhe po e tregojnë çdo ditë se nuk janë gjëkundi ata që janë masakruar me sharje dhe janë baltosur pa pushim nga dynjaja si xhelatë që të lenë të vdesësh po nuk i dhe lekë. Që ka të atillë, nuk diskutohet. Të vdesësh jo, por që ka të atillë nuk diskutohet. Nëse ka diçka që do t’ju kërkoja të gjithë atyre që nuk rrinë dot pa nxjerrë fjalën e keqe, do t’ju thosha që nxirrni dy fjalë të këqija për mua, jo një, ama atë fjalën e keqe për mjekët mos e nxirrni më, se bëni mëkat, sepse janë heronj dhe meritojnë respekt. Ndërkohë që ne shkojmë në shtëpi dhe vazhdojmë jetën tonë me gjithë masat shtrënguese, por vazhdojmë jetën normalisht, ata, mos e harroni, kanë që kur u shfaq COVIDI-i që e kalojnë çdo ditë të punës së tyre të veshur me ato rroba të rënda lufte dhe me një stres të jashtëzakonshëm. E askush prej tyre nuk ka ardhur e ka thënë unë dorëzohem, deri këtu isha. Askush!

Për ta mbyllur, sepse, nëse do fillojmë të hymë në çdo sektor, do mund të flisja deri nesër, por patjetër që çdo prind sot që ka një fëmijë në shkollë duhet ta dijë shumë mirë që puna jonë nuk ka mbaruar dhe këtu nuk është çështja se punën tonë po vjen dhe po e vazhdon dikush tjetër. Këtu çështja është që këtë punë o e mbarojmë ne, ose të tjerët e kthejnë së prapthi prapë, siç e kanë kthyer së prapthi saherë u është dhënë mundësia që ta bëjnë këtë punë.

Patjetër që shkolla ka ende shumë për të përmirësuar, por fëmijët tuaj, sot nuk janë më pengje të autorëve injorantë, kopjacë, anonimë që shkruanin vargje të tërë me libra që nuk i duheshin as dreqit, që dhe mësuesi vetë nuk arrinin t’i kuptonin e jo më t’ua jepnin nxënësve, por fëmija sot ka vetëm 3 alternativa; Oxford, Cambridge dhe Pearson. Këto janë librat sot të alternativave që marrin fëmijët shqiptarë, njësoj si të gjithë fëmijët në Europë, të të njejtit nivel. Fëmijët nuk kanë mësues, të  cilët i sjell aty ndërmarrja e Xhikes dhe Monës apo PD-ja. Ka mësues, të cilët vijnë aty në bazë të aftësive të tyre përmes portalit Mësues për Shqipërinë dhe që janë aty dhe mund të japin lirisht dijet e tyre, mund të kenë lirisht bindjet e tyre për politikën, madje dhe mund të dalin siç kanë dalë edhe ditët e fundit, të bëjnë edhe deklarata krah për krah me kryetarin e Partisë Demokratike sa e shtrenjtë është kura dhe sa keq po menaxhohet kjo situatë e të vazhdojë punën të japë mësim.

Këtë ua them dhe mësuesve. Mos mendoni që gjërat që kanë nevojë të përmirësohen, mund të mos përkeqësohen. Jo, mund të stërpërkeqësohen nëse ju nuk bëni dallimin e qartë mes opinioneve dhe interest tuaj personal, profesional, për të pasur qëndrueshmëri dhe vlerësim në punën tuaj. Nesër mund të vijnë prapë kohë të tmerrshme, kur ju flaknin pa pyetur fare, pa ditur fare se çfarë vlerash keni, se çfarë eksperiencash keni, se si e keni hallin, vetëm e vetëm që t’i hapni vendin dikujt tjetër që nuk di as sa 1/10 juaj.

Po kështu edhe infermierët, mjekët, po kështu të gjithë të tjerëve deri tek këta që punojnë tokën. E dinë mirë këta se çfarë hiqnin kur skemat e mbështetjes i bënte partia. Sot kanë të gjithë akses tek skemat e mbështetjes.

Për të mos folur për biznesin e vogël që sot ka arritur aty ku as nuk e ka ëndërruar dhe ku as ne vetë, për hir të vërtetës, nuk e kishim parashikuar se do arrinim t’ia dilnim, duke ju zeruar totalisht tatimin e fitimit dhe duke I zeruar TVSH-në atyre që janë deri në 100 milionë xhiro.

Çfarë tjetër mund të bëjë shteti. Edhe diçka tjetër, t’ju heqë nga qafa kontrollet e inspektorëve dhe po shohin gjithnjë e më pak inspektorë dhe nuk do shohin më. Janë të lirë të punojnë, të vetëpunësohen, të punësojnë të tjerë, të fitojnë, të jenë korrekt në deklarimin e tyre, askush nuk i kërkon taksë, askush nuk i kërkon TVSH, askush nuk i çon kontroll. I gjithë kontrolli do bëhet në mënyrë digjitale për të verifikuar vërtetësinë e deklarimeve.

Të gjitha këto mund të bien sa hap e mbyll sytë. Mjafton të votosh për Lulin, të marrësh Ilirin dhe Monikën me vete dhe të gjitha këto ikin sa hap e mbyll syte, se nuk ka asnjë arsye për të menduar që, nëse jua jepni besimin, do bëjnë diçka ndryshe. Po të ishte se kishin reflektuar dhe ndryshuar, nuk do ishin duke bërë atë që po bëjnë sot. Kjo që po bëjnë sot është skandaloze, e turpshme, e neveritshme, e përbuzshme, që po helmojnë papushim popullin në kushtet kur populli më shumë se kurrë ka nevojë për mirëkuptim, përkujdesje, dhe siç thashë, t’u qash edhe hallin që nuk ia zgjidh dot përballë një situate kaq të rëndë dhe kaq të paparashikueshme, sa është situata e krijuar nga ky armik i padukshëm.

Pas këtij takimi do të takoj naftëtarët për të mbyllur marrëveshjen me ta dhe për t’ju dhënë atyre atë që besoj kemi detyrimi t’ua japim. Naftëtarët sot janë në një situatë që nuk e kemi krijuar ne. E vërtetë që atë situatë e ka krijuar kompania, por kompaninë e ka krijuar Saliu, bashkë me Ilir Metën dhe atë privatizim kriminal e ka bërë Saliu, nuk e kemi bërë ne. Naftëtarëve ju them se, sigurisht, nuk mund të them që ne kemi arritur kushtet që problemi të zgjidhet njëherë e mirë, sepse nuk e kemi arritur, por ama u them që le ta parafytyrojmë për një moment, sikur sot të mos ishim ne, por të ishte Luli me Monikën, bashkë me Saliun dhe Ilirin nga mbrapa, se sa shanse kishin ata që të merrnin një haber të mirë dhe të futeshin në një fazë qetësie e që të kishin në mbështetje një qeveri që do vazhdojë të punojë papushim që të garantojë një zgjidhjë përfundimtare. Zero shanse, sepse aty ku janë i çuan ata që duan të kthehen prapë. Zero shanse dhe prandaj nuk hyhet fare në diskutim dhe aq më pak mund të pranohet ideja që këtu janë të gjithë njësoj. Po të ishin të gjithë njësoj, edhe ky sheshi këtu do ishte njësoj siç ishte. Dhe si ky shesh këtu do ishin njësoj të gjitha sheshet e tjera që mund t’i numërojmë, nga Bajram Curri deri në Konispol. Do ishin njësoj kanalet vaditëse që në fakt nuk ishin vaditëse, por thjesht vija uji të mbuluara nga ferrat dhe llumi, nga papastërtitë që detyroheshin vetë njerëzit t’i pastronin sa të mundeshin. Po të ishim njësoj, do të ishte njësoj edhe Gjanica, po të ishim njësoj do të përmbyteshim njësoj siç jemi përmbytur rregullisht në të shkuarën dhe nga një shi i zakonshëm në këtë zonë dhe më tutje se kaq. Po të ishim njësoj, do të ishin njësoj të gjitha gjërat. E përsëris, do ishin njësoj të gjitha spitalet sot dhe pastaj nuk do ishte kurrsesi njësoj situate në këtë luftë me armikun e padukshëm.

Nuk jemi njësoj fare. Ne nuk jemi absolutisht të përsosur, nuk jemi pa të meta, nuk jemi pa gabime, nuk jemi pa boshllëqe, nuk jemi të pakritikueshëm, përkundrazi, ka njëmijë e një arsye për të na kritikuar, por më të mirë se ne, jo socialistë, por as demokratët nuk gjejnë. Për demokratët jemi i vetmi shpëtim ne këtë herë, sepse demokratët duhet ta ndajnë; o ta çojnë votën për PD-në e të mbajnë në kurriz Ilirin me Monikën, ose ta çojnë votën për PS-në e të shpëtojnë PD-në e të shpëtojnë të gjithë nga Iliri dhe Monika.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm