Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Vazhdojmë përpara me punë, këmbëngulje dhe durim për të çuar deri në fund punët e nisura

Të reja

Vazhdojmë përpara me punë, këmbëngulje dhe durim për të çuar deri në fund punët e nisura

06 Apr 2021    

Këndi i fjalës Bilisht – Rruga drejt 25 Prillit –

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

Faleminderit juve dhe natyrisht, me keqardhjen që edhe këtu u desh të bëhej një organizim shumë i kujdesshëm, duke lënë jashtë pjesëmarrjes shumë më tepër sesa ju që jeni këtu, por kjo është etika e qasja jonë ndaj një problemi që është problemi i problemeve, që do ta zgjidhim me patjetër pasi jemi futur në rrugën e zgjidhjes, shpëtimit dhe sigurimit të shëndetit të shqiptarëve kudo ku janë. Pavarësisht bindjeve të tyre politike, pavarësisht përkatësive të tyre, pavarësisht statusit social, çdo jetë dhe çdo shqiptar e shqiptare është një vlerë e çmuar e këtij vendi dhe e kësaj  bashkësie dhe ne nuk mundet ta vëmë në rrezik për disa shfaqje të pakuptimta në mesin e një luftë.

Një lufte që ka karakterizuar për hir të së vërtetës, këtë mandat të dytë. Në kemi bërë një mandat qeverisës dhe pastaj nuk kemi pasur një mandat qeverisës në kuptimin e plotë të fjalës, jo për zgjedhjen tonë, as nga dëshira jonë, kemi hyrë në një luftë me dy fronte, me dy fatkeqësi shumë të mëdha, një tërmet katastrofik që brenda pak sekondash la pa çati mijëra e mijëra familje, pa shkollë mijëra e mijëra nxënës, pa një qendër të afërt shëndetësore mijëra e mijëra të moshuar dhe njerëz në nevojë dhe një virus, i cili gjunjëzoi mbarë botën, i cili mbylli shtetet më të fuqishme të planetit dhe sfidoi shtetet më të zhvilluara shëndetësore të globit.

E jemi këtu, sot, në një moment të kësaj lufte ku sa kemi filluar kundërsulmin, kemi filluar një ofensivë për ta nxjerrë jashtë nga jetët tona dhe nga vendi ynë armikun e padukshëm, duke garantuar procesin e vaksinimit masiv që në këtë rajonin tonë, të lënë jashtë skemës së shpërndarjes së vaksinave nga Bashkimi Europian, nuk ishte absolutisht diçka e lehtë dhe mbetet diçka shumë e vështirë për vende të tjera rreth e rrotull nesh në rajon. Jemi vetëm njëri nga dy vendet në këtë komunitet prej 6 shtetet që po bën vaksinimin masiv dhe po e bëjmë me ritme që na kanë vendosur tani në pjesën e sipërme të klasifikimit në të gjithë kontinentin. Po garantojmë jetën e mbrojtjes së gjyshërve dhe gjysheve në radhë të parë, pa dallim dhe pa dashur t’ia dimë fare se me kë janë dhe për kë votojnë.

Vaksinimi masiv duhet garantuar nga distancimi i përgjegjshëm. Nuk mundet që nga njëra anë të vaksinojmë masivisht dhe nga ana tjetër të krijojmë vatra infektimi për vota, vatra infektimi për shfaqje elektorale, vatra infektimi që siç ka treguar eksperienca e hidhur e Kosovës, Malit të Zi dhe e vendeve të tjera, sjellin mbrapa halle të mëdha për të gjithë popullin. Shikojini numrat e infektimeve në Kosove dhe fatkeqësisht, numrin e jetëve të humbura. Shikojini numrat e infektimeve  edhe fatkeqësisht, numrin e jetëve të humbura në Malin e zi ku deri përpara zgjedhjeve, situata dukej rozë. Mali i Zi madje ftonte edhe turistë për të shkuar atje, pasi ishte një vend pothuajse i paprekur fare nga COVID-i, sot ka hyrë në një spirale të dhimbshme nga marshimet dhe tubimet elektorale, ku, mos ndodhtë kurrë këtu, por humbën jetën disa nga organizatorët dhe u plagosën shumë nga marshuesit.

E kujt i duhet kjo? Nuk e bëjmë dot ne një fushatë elektorale dinjitoze e të përgjegjshme si njerëz që në radhë të parë jemi njerëz e pastaj jemi politikanë, si njerëz që në radhë të parë jemi shqiptarë e pastaj demokratë e socialistë. Si nuk e bëjmë dot këtë e të bëhemi lolo duke sfiduar një armik të padukshëm që nuk do t’ia dijë fare as për trimëri e as për sfida të tilla, sepse kudo që gjen një shesh bën një përshesh.

Kjo është e tmerrshme, siç është e rëndë që ne kemi përballë një opozitë, e cila, sapo ndodh diçka shumë e madhe apo shumë e vogël, bëhet me të keqen, kundër zgjidhjes, jo kundër nesh. Ndodhi një përmbytje bëhen me përmbytjen, ndodhi një tërmet bëhen me tërmetin, ndodhi një virus bëhen me virusin, duke arritur deri në monstruozitetin e përhapjes së vaksinave, duke thënë gënjeshtra për rrezikun e vaksinave, duke arritur deri në pikën sa të venë gishtin mbi njerëz që humbin jetën se medemek e kanë humbur nga vaksina. Vaksinat nuk janë ilaçe çudibërëse kundër të gjitha sëmundjeve. Vaksinat mbrojnë nga armiku i padukshëm dhe nëse dikush ka një sëmundje tjetër, siç ndodh fatkeqësisht se kjo është jeta, gjithmonë, çdo ditë e çdo javë, nuk është vaksina ajo që e mbron. Fakti që ka bërë vaksinën nuk do të thotë se e ka nga vaksina, kjo është diçka që e gjithë bota e di, që e gjithë bota e ka të qartë.  Vetëm këta xhagajdurët që duan me patjetër të fusin mërzi, të ngjallin dëshpërim, të fusin panik në shpirtrat e njerëzve për politikë, për një politikë mizerabël në funksion të një qëllimi komplet mizerabël në raport me shëndetin e njerëzve, që është pushteti me çdo kusht.

Është fatkeqësi shumë e madhe, por nuk kemi sesi ta zgjidhim sepse kundërshtarët nuk i zgjedh, janë aty në demokraci. Apeli im pavarësisht përkatësive partiake, shëndeti është mbi të gjitha. Të sillemi si një komb serioz, si një bashkësi njerëzish që nuk bëhen qesharakë në raport me një sfidë kaq të madhe dhe të jemi të bashkuar në këtë drejtim. Të jemi të bashkuar. Kur ndodh një fatkeqësi, njerëzit bashkohen nuk ndahen, kur luftojnë me një armik të përbashkët, popujt seriozë bashkohen, nuk ndahen edhe nëse kanë mes tyre politikanë sharlatanë, jo seriozë, të papërgjegjshëm e qesharakë, që i bëjnë thirrje instinkteve më të ulëta të njeriut për hakmarrje, për revansh.

Ne duhet të jemi të bashkuar sepse duhet dhe do e fitojmë me patjetër këtë luftë, siç po fitojmë me pasojat e tërmetit, siç po kthejmë çdo ditë njerëz, familje, familje të varfra në të shumtën e herës, sepse ato kanë qenë më të goditurat, në shtëpi shumë herë më të forta, shumë herë më të bukura, më të mëdha se ato që kanë pasur, siç po kthejmë çdo ditë në shkolla fantastike nxënës dhe mësues duke i vënë në kushte më të mira, siç po kthejmë në kopshte apo çerdhe, që as nuk i kishin imagjinuar komunitetet në zonat periferike, fëmijëve të vegjël, ne do t’u kthejmë buzëqeshjen të gjithë shqiptarëve dhe do ta shporrim këtë armik të padukshëm një orë e më parë nga jeta jonë.

Vaksinimi masiv është një proces që nuk do të ndalet. Ne e kemi siguruar që çdo ditë kudo, në të gjithë Shqipërinë, në qendrat urbane dhe në qendrat shëndetësore të fshatrave të këpusim zinxhirin e infektimit. Duke nxjerrë nga zona e rrezikut çdo ditë me mijëra njerëz, duke bërë të mundur që më të moshuarit të jenë të mbrojtur, duke bërë të mundur që hap pas hapi, fashat të shkojnë duke u ulur dhe të rinjtë të vaksinohen dhe duke bërë të mundur që sezoni i ardhshëm turistik të jetë i lehtësuar nga kjo barrë e ankth i madh i tmerrshëm, të jetë i lehtësuar nga shtrëngesat e detyruara dhe Shqipëria të buzëqeshë. Ky është qëllimi ynë.

Fushata elektorale vjen pas kësaj dhe sigurisht, ne do e respektojmë këtë moment të rëndësishëm të demokracisë, kur duhet të dalim përpara njerëzve të themi çfarë kemi bërë dhe çfarë duhet të bëjmë. Për ato që kemi bërë, janë para syve të të gjithëve. Kush ka sy të shikojë, i shikon. Për ato që s’kemi bërë ka arsye, por ka për të thënë edhe diçka që ne nuk jemi të rënë nga qielli, nuk jemi të përsosur, nuk jemi pa të meta.

Patjetër që kemi bërë gabime. Madje, me siguri kemi bërë më shumë gabime se ato që i dimë edhe vetë. Por një gjë është e sigurt, ne jemi shumë të qartë se ku duam të shkojmë dhe e dimë se si shkohet aty, për të bërë Shqipërinë të ardhmen tonë, të ardhmen e çdo të riu e çdo të reje, të ardhmen e çdo fëmije, që nesër të ndihen krenarë në këtë shtëpi që quhet Shqipëri. Jo vetëm për historinë, jo vetëm për monumentet e kulturës, jo vetëm për bukuritë e natyrës, jo vetëm për traditat kombëtare e familjare, por edhe për kushtet e shtëpisë.

Është e mundur dhe ne jemi duke shkuar në këtë rrugë.

Korça, përpara disa vitesh ishte një vend nga ku të gjithë donin të iknin dhe ku rrënimi vazhdonte çdo ditë. Sot është një destinacion që çdo ditë transformohet sepse tanimë, shpirti i transformimit, shpirti i zhvillimit, shpirti i investimit i ka përfshirë të gjithë. Në çdo rrugicë të Korçës hapen bujtina të vogla fantastike, krijohen punë për ata që i kanë këto bujtina, punë për tjerët që shkojnë për të shërbyer në ato bujtina dhe hapen dyer për të pritur vizitorë, turistë. E natyrisht për të fituar me punë të ndershme, përmes vënies në shfrytëzim të një motori të jashtëzakonshëm që është turizmi. Dhe Korça është një nga arsyet dhe jo e vetmja, që unë e them me bindje se në këtë dekadë, ne do ta bëjmë këtë Shqipërinë, kampione të Ballkanit në turizëm, në agroturizëm dhe në eksportet bujqësore.

Nëse flasim për turizëm, për agroturizëm, për produkte bujqësore, edhe Devolli është një potencial i jashtëzakonshëm. Ne kemi vite që përpiqemi të kanalizojmë një investim në zonën e Nikolicës, për t’i dhënë Shqipërisë shembullin e parë për të hapur rrugën e parë të turizmit malor, në një vend përrallor. Një vend i bekuar ku ne jemi në diskutime të avancuara me kompaninë që do të ndërtojë portin e madh turistik të Durrësit dhe që ka një interes shumë të madh të futet në investim edhe në zonë, për të ndërtuar pikën turistike të Nikolicës. Që do të thotë jo vetëm vende pune, të paguara shumë mirë, por edhe shumë njerëz që do të vijnë në këtë zonë, që do të lëvizin, do të konsumojnë, që nga ana tjetër do të thotë rritje e shërbimeve në zonë. Sot, në Korçë nuk shkohet dot po nuk rezervove 10 ditë para. Prandaj po shtrihen strukturat e mikpritjes jashtë Korçës, edhe në fshatrat rrotull. Prandaj edhe Pogradeci që është një tjetër destinacion që do të fuqizohet shumë me investime po rrit shumë numrin e shtretërve.

E kështu hap pas hapi.

Nuk ka receta çudibërëse. Nuk shkohet pas recetave çudibërëse, se kemi vajtur mbas recetave çudibërëse dhe kemi e ngrënë rëndë si popull. E kemi ngrënë që kur vajtëm mbas Haxhi Qamilit e deri kur vajtëm mbas Sudes dhe Xhaferrit. Si u bëka sa hap e mbyll sytë!

Për ta bërë kapërcimin e madh, për të bërë atë që nuk e kemi bërë më parë në të shkuarën sepse kemi qenë të paduruar, se jemi joshur nga sirenat e atyre që kanë ofruar recetat çudibërëse, duhet punë e madhe. Duhet durim i madh. Duhet këmbëngulje e madhe. Duhet besim i madh je jemi duke u ngjitur. Çdo ngjitje është e vështirë. Sa me lart të ngjitesh, aq më shumë të merret fryma, aq më shumë lodhesh, aq më shumë të dhembin gjunjët. Por ama nuk ka alternativë tjetër. duhet të vazhdosh të ngjitesh. Nuk mund të qëndrosh në vend dhe nuk mund të kthehesh mbrapa. Përndryshe fillon gjithçka nga e para.

Sa herë e kemi filluar nga e para? Ju e mbani mend shumë mirë edhe në jetën tonë. S’ka më kohë për t’i filluar gjërat nga e para. Jemi duke u ngjitur, vazhdojmë të ngjitemi sëbashku. Vazhdojmë ngjitemi dorë për dore. Vazhdojmë ngjitemi duke i tejkaluar këto luftëra të vogla provinciale politike. Vazhdojmë të ngjitemi duke i kaluar fare këto parti politike.

PS-ja nuk është një parti politike. PS-ja është një komunitet. PS-ja nuk është një hapësirë e mbyllur egoizmash, për vete. Pavarësisht të gjitha të metave që ka, PS-ja është një hapësirë e gjerë ku ka vend për të gjithë ata që duan të japin një kontribut dhe ku sëbashku, duke rezonuar me njerëzit, ne ecim përpara.

Sot i kemi 400 milionë dollarët eksportet bujqësore. Ishim rreth 100 milionë, 7 vite e kusur më parë. Tani kemi të gjithë mundësinë të themi që do të shkojmë mbi 1 miliardë me Planin e Veprimit 2021-2025 dhe është plotësisht e mundur. Deri dje kishim një bujqësi mbijetese. Sot, në Shqipëri është fakt, nuk është opinion, punohet 2-fishi i tokës bujqësore që punohej deri 7 vite më parë, që ishte diku 120 mijë ha. Sot është 235-240 mijë ha. Do të thotë që është rritur puna, është rritur besimi te toka, është rritur prodhimi.

Ka edhe një tjetër shifër shumë domethënëse. Deri 7 vite më parë, ne eksportonim 1 dhe importonim 7. Sot është 1 me 3. Do të thotë është ulur importi, është rritur eksporti, sepse prodhimet vendase kanë më shumë hapësirë në tregun e brendshëm. Patjetër ka akoma fermerë që i hedhin mollët, që hedhin produktet, por zgjidhja haluçinante që propozon profesor Edmond Spaho është pikërisht një arsye pse duhet refuzuar një zgjidhje idioteske, “do të mbyllim doganat sa të shisni ju prodhimet”.

Një tallje, një abuzim, një nëpërkëmbje e inteligjencës së njerëzve. Do të heqim traun sa të kaloni ju, nga ana tjetër, andej nga veriu. Do të ulim sigurimet shoqërore, do të rrisim pensionet. Vetëm këta mund t’i thonë popullit që do ulim prodhimin e qumështit, do rrisim prodhimin e djathit, do të ulim prodhimin e domates, do të rrisim prodhimin e salcës së domateve. Me se do ta bëjnë? Apo me sapun? Kush ta hajë sapunin për djathë, ta hajë e mbasi të hajë kur të vijë të kërkojë uljen e sigurimeve apo rritjen e pensioneve, t’i thonë merr tramvajin e Tiranës dhe nisu.

Jemi në mes të luftës, duke u kacafytur me një forcë kaq agresive saç është një virus, ndërkohë që vendet e tjera anunçojnë mbylljen. Dje dëgjova se Maqedonia e Veriut do të mbyllet prapë. Po kështu edhe Kosova po flasin për mbyllje.

Franca mbyll. Ne ndërkohë po dalim nga tuneli e rrimë dhe infektojmë njëri-tjetrin, flasim broçkulla për çudira që do ndodhin duke firmosur marrëveshje rrugëve. Marrëveshje që nuk kanë asnjë vlerë e që nuk i duhen dreqit, për shoq, për të marrë njerëzit për hunde, për të shfrytëzuar edhe mërzitë, edhe pakënaqësitë e tyre, që janë legjitime. Çdo shqiptar që është i mërzitur sot ka të drejtë, nuk diskutohet. Ne mund të themi 1001 gjëra, mund të japim 1001 arsye pse, por ai shqiptar që është i mërzitur ka të drejtë që do më shumë. Dhe ne jemi këtu për t’i dhënë më shumë.

Por si i jepet më shumë? Me Vebiun apo me Suden? Ma Hazhi Qamilin apo me Saliun dhe me Ilirin?

Më shumë jepet vetëm me punë. Vetëm me këmbëngulje. Jo me gjumë dhe duke folur përçart e duke fjetur në këmbë. Kjo nuk është politikë për vitin 2021 në mes të Europës. Kjo është politikë për kohërat e qepës. Si do ta fusin këta në BE? Me tramvajin e Tiranës? Qesharakë komplet! Është edhe më e dhimbshme të mendosh që ka njerëz që ju besojnë atyre, deri në pikën që u shkojnë mbrapa dhe infektohen verbërisht.

As nuk diskutohet kush fiton në 25 prill. Problem nuk është kush fiton si parti, se fiton PS-ja, kjo nuk diskutohet. Por problem është si fitohen luftërat, si fitohen betejat, si shkohet nga këtu atje.

Deri dje për të shkuar nga këtu atje duhej të kaloje gropat. Kush e bëri bulevardin këtu? Edhe ky u bë siç janë bërë të gjitha punët, me vizon, por mbi të gjitha me punë, me këmbëngulje, mbi të gjitha, me durim të madh. Nuk bëhen gjërat sa hap e mbyll sytë. Këtu në Devoll janë një komunitet njerëzish që rrinë përballen çdo ditë, me të gjitha vështirësitë që ka zhvillimi i bujqësisë. Punojnë tokën nga ora 5 e mëngjesit, luftojnë çdo ditë për të nxjerrë prodhimin në treg, për të fituar të ardhura, për të investuar, për të ushqyer familjen, për të edukuar fëmijët.

A e imagjinoni që toka të prodhojë ndërkohë që ju flini gjumë? A e imagjinoni që toka do ju japë atë që doni, ndërkohë që ju gënjeni veten dhe gënjeni tjerët?

Nuk ndodh!

E pra, kështu është edhe puna e përbashkët që politika duhet të krijojë për të çuar gjërat përpara.

Ne jemi sot në kushtet kur ju themi se Plani ynë i Veprimit është shumë i qartë. Të gjithë këto dyqane që janë këtu u është rritur vlera. Edhe apartamenteve këtu u është rritur vlera. Gjithë pronave u është rritur vlera. Vlera nuk u rrit nga gjumi, por nga puna. Ndërkohë të gjithë ata që bëjnë biznes të vogël këtu e kanë taksën zero, e kanë edhe TVSH-në zero.

Çfarë kërkon një demokrat, që demokrat është, demokrat të jetë, mos të lëvizë nga instikami, nga 25 prilli? Kërkon që për mustaqet e Saliut dhe për mollaqet e Lulit të paguajë taksë të sheshtë 9% çdo muaj nga fitimet e tij, që të shkojë Luli të flejë në Kryeministri? Të jesh me PD-në nuk është turp, se turpet nuk i bën ai që është me PD-në. Turpet i bën ai që drejton, që krijojnë ato vatrat e infektimeve. Mbi të gjitha, partitë nuk janë skuadra futbolli. Partitë duhen për interesat e tua dhe interesi yt kush është, të paguash taksë zero, TVSH zero, apo të paguash 9% për tifozllëk? Fleta e votimit nuk është bileta për të hyrë në stadium, që do paguash e të shkosh të bërtasësh për skuadrën që do. Fleta e votimit është autorizim për interesat e tua. E nëse interesat e tua përputhen me masën që ne kemi në fuqi sot e që do e mbajmë në fuqi deri në 2029-ën, taksë zero, TVSH zero, ç’punë ke andej nga ana tjetër? Rri andej nga ana tjetër, mbaj dhe flamurin në xham, mbaj dhe fotografinë e Lulit në mur, po votën jo, se të vjen taksa 9%.

Duhet logjikuar mbi bazën e interesit. Cili interes është për ata që marrin një pagë deri në 400mijë lekë, që të paguajnë taksë të sheshtë 9%, apo që nga 1 janari i 2022-it të mos kenë taksë fare? Sigurisht kjo e dyta. Këtë të dytën ua jep Plani ynë i Veprimit.

Mjekët, infermierët, mësuesit, e dinë shumë mirë që ne ua kemi rritur pagën. E dinë sepse i kanë në xhep lekët. E dinë shumë mirë se sa paguanin me taksën e sheshtë dhe sa paguajnë sot me tatimin progresiv. Do t’ua rrisim 41% më shumë akoma. Do t’ua rrisin ata që vetëm flasin dhe që kthehen nga ana tjetër e flenë gjumë? Apo ata që thonë atë që bëjnë dhe bëjnë atë që thonë?

Ne, jo të gjitha gjërat që i kemi thënë, i kemi bërë në kohë  dhe jo të gjitha gjërat që kemi thënë, i kemi bërë deri tani. Por ama nuk i kemi harruar dhe vazhdojmë këmbëngulim dhe të  gjitha do t’i bëjmë. Një për njëQ Asgjë nga ato që themi nuk mbetet pa bërë dhe gjithçka që bëjmë është ajo që themi.

Mos harroni se fëmijët nuk votojnë, por cilido tjetër që është në moshën e votimit voton edhe për fëmijët. Kur shkon të votosh, përveç asaj që t’i mendon për vete, për kategorinë tënde, duhet të mendosh edhe për fëmijët e tu. Shqipëria e fëmijëve tanë nuk i meriton më prapakthimet deri në rënien nëpër gropa e nëpër gremina. Nuk ka nevojë të provohet 100 herë një shalqi që është provuar, edhe që qartësisht është kungull, nuk është shalqi. Sa herë ta provosh, aq herë do e konfirmosh që është një kungull. Nuk ka nevojë të provohet prapë e prapë PD-ja. Për atë partinë tjetër as ia vlen të flasim fare, se nuk është parti. S’ka nevojë të riprovohet Partia Demokratike, për të shkuar prapë në buzë gremine. Sa herë u është dhënë një mundësi të drejtojnë, aq herë e kanë bërë çamure. Sa herë u është dhënë një punë për ta bërë, aq herë kanë bërë më shumë dëm, seç kanë bërë punë, se nuk dinë të punojnë. Nuk kanë këllqe për t’i rezistuar gjithë atyre presioneve të lodhjes dhe gjithë atyre ngjarjeve që njeriu ndeshet kur bën një punë. Je në fushë, gjithçka shkon mirë, bie një breshër, kthehet bota përmbys, por nuk mund të shtrihesh përtokë të dorëzohesh. Do ngrihesh prapë e do e fillosh nga e para.

Je duke qeverisur, bie një tërmet, nuk mund të  shtrihesh përtokë, do çohesh prapë e do fillosh nga e para. Bie një virus nuk mund të ulesh në gjunjë, do rezistosh e do ta përballosh. Ku dinë këta të bëjnë nga ato gjëra? Është e kotë dhe i kuptoj shumë mirë ata që thonë “ore pse merresh me ata?”. Si mos merresh me ata, kur sheh që ka njerëz që çoroditen, që hutohen, që shkojnë marrin COVID-in, për të bërë dasma nëpër rrugë.

Miqtë e mi!

Ne nuk iu propozojmë shqiptarëve mrekulli. Ne iu ofrojmë shqiptarëve vizionin tonë qe nuk është i konkurrueshëm, karakterin tonë që nuk është  i konkurrueshëm, punën tonë që nuk është  i konkurrueshme, këmbënguljen tonë  që nuk konkurrohet, durimin tonë që nuk ka konkurrent dhe besimin tonë që Shqipëria bëhet.

Por Shqipërinë e bëjnë karakteri ynë, puna jonë, këmbëngulja dhe durimi ynë e mbi të gjitha, besimi ynë.

Të vazhdojmë të ngjitemi, mos ndalojmë, se nuk ka kohë për pushim realisht. E jo më pastaj për t’u kthyer mbrapa.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm