Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Xhafaj: Miratimi i Kodit te Ri zgjedhor mbetet prioriteti yne thelbesor

Të reja

Xhafaj: Miratimi i Kodit te Ri zgjedhor mbetet prioriteti yne thelbesor

30 Aug 2008    
Ne jemi një forcë politike që shohim nga e ardhmja. Reforma zgjedhore, Kodi i Ri elektoral janë tejet të rëndësishme për ne sepse i hapin rrugë procesit elektoral, proces elektoral që kurorëzohet me procesin zgjedhor, proces zgjedhor i cili kërkohet dhe do të sjelli ndryshimin e madh të qeverisjes në këtë vend. Largimin e kësaj politike të vjetër që ka prodhuar këtë qeveri të paaftë, me politikën e re që do të prodhojë një qeverisje të re, për Shqipërinë edhe për shqiptarët.

Jam sot këtu para jush në këtë konferencë për shtyp, për të shprehur pikëpamjen tonë lidhur me ecurinë e procesit zgjedhor dhe marrëdhëniet në kuadër të këtij procesi me të gjitha partitë parlamentare në mënyrë të veçantë me partitë e opozitës.

Kam dalë sot këtu për të ri konfirmuar edhe njëherë se miratimi i Kodit të Ri zgjedhor mbetet prioriteti ynë thelbësor dhe konsiderojmë se i tillë duhet të jetë për të gjithë faktorin politik parlamentar.

Ne jemi një forcë politike që shohim nga e ardhmja. Reforma zgjedhore, Kodi i Ri elektoral janë tejet të rëndësishme për ne sepse i hapin rrugë procesit elektoral, proces elektoral që kurorëzohet me procesin zgjedhor, proces zgjedhor i cili kërkohet dhe do të sjelli ndryshimin e madh të qeverisjes në këtë vend. Largimin e kësaj politike të vjetër që ka prodhuar këtë qeveri të paaftë, me politikën e re që do të prodhojë një qeverisje të re, për Shqipërinë edhe për shqiptarët.

Ndryshimi ligjor në të gjithë këtë proces të madh ndryshimi të jashtëzakonshëm nis pikërisht me miratimin e Kodit të ri Zgjedhor. Askush nuk mund ta zëvendësoj këtë prioritet thelbësor me çfarëdo lloj manovrash politike e ligjore qoftë edhe duke thirrur në ndihmë spiunët e të gjitha kohërave atyre të arkivave dhe atyre të ditëve tona.

Ky është një proces që kërkon angazhimin e të gjithë faktorit politik, parlamentar të përfshirë në këtë proces. Ne kërkojmë nga kolegët tanë të PD, nga mazhoranca ta marri shumë më seriozisht këtë angazhim politik e ligjor çka do të thotë

• të siguroj një angazhim shumë më efektiv në procesin e përgatitjes dhe miratimit të Kodit Zgjedhor,në të gjitha hallkat e punës së komisionit të posaçëm parlamentar të ngritur posaçërisht për këtë qëllim

• të vlerësoj me shumë seriozitet dhe me përgjegjësinë e ligjit detyrimin e saj për infrastrukturën zgjedhore që do të thotë veçanërisht procesin për regjistrin kombëtar të gjendjes civile dhe përgatitjen e listave të zgjedhësve që burojnë prej tij si edhe në mënyrë të veçantë procesin e përgatitjes së kartave të identitetit si burimi i identifikimit të votuesve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare duke e bërë shumë më transparente se deri tani të gjithë këtë proces dhe duke plotësuar detyrimet përkatëse ligjore.

Ne jemi të vendosur për të kontribuar realisht në këtë proces duke dhënë siç kemi bërë deri më tani, kontributin tonë efektiv në komisionin e posaçëm parlamentar dhe në grupin e ekspertëve që punon pranë tij, por duke shfrytëzuar shumë më mirë se deri tani të gjitha instrumentat parlamentare dhe publike për të bërë transparencën e procesit, për të ushtruar kontroll ndaj qeverisë për përmbushjen e detyrimeve të shprehura publikisht dhe ligjërisht me përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore, detyrime që i përkasin drejtpërsëdrejti kësaj qeverie. Ne siç edhe e kemi thënë, e ritheksojmë se jemi të vendosur të kontribuojmë në këtë proces elektoral dhe veçanërisht në hartimin e kodit te ri zgjedhor për të garantuar respektimin e frymës kushtetuese lidhur me sistemin zgjedhor të miratuar sistem proporcional rajonal si dhe implementimin e standardeve dhe rekomandimeve ndërkombëtare në formulimin e Kodit të ri zgjedhor. Ne e ritheksojmë përsëri me forcë se këtë reformë duam ta çojmë deri në fund pa deformime dhe pa arnime tipike siç ato që janë bërë në të gjitha këto vite me kodet zgjedhore, duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha forcat politike si një kusht thelbësor ky, hartimi i një kodi të ri në standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare të gjithë pranuar në këtë fushë dhe në implementim të rekomandimeve të ODHIR-it si rruga e vetme për të na mundësuar përfundimisht zgjedhje të denja për një vend që aspiron anëtarësimin në NATO e në BE. Kjo është e rëndësishme për fatin e demokracisë në vend, është e rëndësishme për imazhin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, është kusht i përcaktuar qartazi nga partnerët tanë ndërkombëtarë për procesin e integrimit të vendit.

Ndaj ky përbën dhe duhet të konsiderohet prioriteti thelbësor për të gjithë politikën shqiptare dhe askush të mos mundohet ta ndërrojë kontributin e tij në këtë proces ta bazojë në modelet e së shkuarës, mbi modelet famëkeqe si ato të 1996 apo mbi ëndrra që synojnë për të mbajtur apo për të zgjeruar pushtetin personal mbi pazare elektorale dhe për më tepër të bazuara në deformime të ligjit.

Ne jemi këtu të vendosur për të mos e pranuar dhe për të mos e lejuar një gjë të tillë

Ne vlerësojmë dhe inkurajojmë procesin e komunikimit dhe të dialogut politik për procesin elektoral, reformën zgjedhore dhe vet procesin e hartimit të Kodit të Ri Zgjedhor me të gjitha forcat politike në vend dhe veçanërisht dialogun e komunikimin me partitë e opozitës.

Po ne kërkojmë që ky proces të jetë pa paragjykime dhe me një frymë të qetë komunikimi duke vlerësuar, se nuk mund të ndërtohet një proces bashkëpunimi real dhe i qëndrueshëm bazuar apo paralel me një proces paragjykimi, mosnjohjeje dhe për më keq i mbështetur në emocione personale me shkëmbim akuzash, presione e mungese etike komunikimi.

Mund ta quash eforike, mund ta quash edhe të parakohshme reformën për administrimin zgjedhor, por s'ke asnjë të drejtë pse ta anatemosh dhe ironizosh atë dhe sidomos përderisa ky përbën një standard normal për demokracitë normale.

Mund të mos e pranosh koalicionin e përbëre si një formë ligjore bashkëpunimi, por ske asnjë te drejtë të flasësh me emocion dhe fyerje bazuar në logjikën e paragjykimit të ndërtuar mbi padijeninë rreth propozimit dhe të praktikës ligjore që zbatohet edhe në vende të tjera ku aplikohet ky lloj sistemi zgjedhor.

Është alogjike dhe padijeni më së paku mbi frymën e kushtetutës dhe të ligjin të thuash se koalicioni i përbërë është nonsens juridik, se kjo përjashton partitë të dalin më vehte në konkurrim elektoral, se ku është tufëzim politik etj etj.

Kushtetuta e lejon koalicionin zgjedhor, Kodi zgjedhor aktual gjithashtu e parashikon koalicionin si një formë të paraqitjes së subjekteve zgjedhore. Në 2007 e aplikuam sëbashku koalicionin si formë bashkëpunimi dhe garuam sëbashku në një koalicion si formë bashkëpunimi, ashtu siç kanë bërë edhe grupime të tjera politike në procese të ndryshme elektorale.

Është korrekte edhe politikisht të thuash se nuk je dakord për këtë formë koalicioni dhe të hedhësh gjithashtu në debat projektin tënd ligjor apo të thuash se nuk je dakord me mundësinë e koalicionit me parti të caktuara, por jo të ndërtosh fjalime e deklarata që s'thonë asgjë veç faktit që je duke kundërshtuar, ironizuar apo fyer konkurrentin apo kundërshtarin tënd politik.

Ne kemi vlerësimet tona, alternativat tona, zgjidhjet e propozimet tona për reformën elektorale në tërësi e kodin zgjedhor në veçanti fryt i një ekspertize të gjerë profesionale për të cilat kemi kohë që punojmë.

Ne nuk kemi komplekse ti bëjmë qëndrimet tona publike, të ballafaqohemi me vlerësimet dhe opinionet e te tjerëve dhe jemi te hapur të pranojmë çdo zgjidhje që e përmirëson procesin, por thjesht nuk jemi ta gatshëm të bëjmë pazarin e radhës mbi standardet e ligjit elektoral nga cilido që të kërkohet kjo.



Personalisht e vlerësoj shume deklarimin e ditëve të fundit të disa kolegëve të partive opozitare se koalicioni do të vendoset me miratimin e kodit zgjedhor. Kjo është shprehje e faktit se nuk janë interesat parciale te një individi apo dhe të një force politike ato që duhet të orientojnë normat ligjore, por janë normat ligjore ato që orientojnë taktikat elektorale. Personalisht i përmbahem vlerësimit të bërë se : Nuk janë taktikat dhe llogaritë elektorale partiake ato që duhet të përcaktojnë formulimin e dispozitave të kodit të ri zgjedhor, por është kodi ai që i ndërtuar në përputhjet me standartet ndërkombëtare dhe rekomandimet e OSBE/ODHIR që duhet të përcaktojë rregullat e lojës dhe në varësi me to partitë të përcaktojnë taktikat elektorale.

Kjo është një garë me shumë korsi, me mundësi për të garuar kushdo. Një garë ku mund te garosh sipas kushtetutës në fuqi me fanellën e një grupi zgjedhësish, pra i propozuar nga një grup zgjedhësish, me stemën e një partie politike ose me simbolin e një koalicioni, bashkim i disa partive.

Ne ju kemi propozuar partive opozitare dhe kujtdo që përputhet me programin e vizionin tonë politik të bashkohemi në këtë garë në një front të përbashkët, në një koalicion programor, politik e elektoral.



Koalicioni është një formë ligjore e konkurrimit elektoral që jep mundësinë e bashkimit në një grupim politik të përbashkët opozitar, forma bashkëpunimi e cila mundëson :

• Nga njëra anë shumëfishishon forcën e opozitës dhe garanton që çdo votë e majtë të mos humbasë, por ti bashkohet votës së madhe të fitores ndaj kundërshtarit

• Dhe nga ana tjetër siguron që të ruhet Identiteti i çdo subjekti politik dhe të vlerësohet pesha reale politike e gjithëseicili.





Ne mbetemi të hapur për dialog e bashkëpunim me partitë e tjera të opozitës së vërtetë, te gatshëm të dialogojmë e debatojmë për të arritur në qëndrime të përbashkëta bashkëpunimi elektoral në tryeza bisedime, dialogu politik që përjashtojnë emocionet dhe mbështeten te argumenti e alternativat konkrete si rruga e vetme për bashkëpunim e bashkim politik dhe elektoral.



Bashkëpunimin dhe bashkimin e forcave opozitare në një front të vetëm nuk e do vetëm Sali Berisha i cili mund të rrijë në pushtet siç erdhi në të nëpërmjet paaftësisë dhe përçarjes së opozitës.



Ne vlerësojmë se dialogu ndërmjet partive të opozitës është një proces pozitiv që duhet ti japë një dimension të ri jo dialogut në vetvete, as dhe vetëm mundësive për një marrëveshje të re politike, por mbi te gjitha duhet të kontribuojë realisht për një bashkim të ri të forcave progresiste opozitare, një shpresë të re për një qeverisje ndryshe.



Ne nuk i lutemi askujt, nuk i bëjmë presion askujt për të qenë pjesë e këtij bashkimi por ftojmë sinqerisht të gjitha forcat opozitare të bashkohemi në një front të përbashkët opozitar elektoral.



Të gjithë bashkë mund të bëjmë shumë më shumë.



Është koha e bashkimit për fitore, koha e bashkimit për t'ju sjellë shqiptarëve qeverisjen që meritojnë për një jetë ndryshe, për një jetë më të mirë e më të sigurt për ta, për familjen dhe mbi të gjitha për të ardhmen e fëmijëve të tyre.





Pyetje



Ligji për prokurorinë?



E dëgjova me vëmendje deklaratën e kryetarit të grupit parlamentar të PD -së dhe të them të drejtën jam i çuditur dhe i keqardhur për mënyrën se si e shtroi zoti Patozi këtë kërkesë. Ne kemi një filozofi krejt të ndryshme për këtë çështje dhe nuk e konceptojmë çështjen e reformës në drejtësi si çështje numrash, çështje aritmetike, nuk e konceptojmë si një bashkim votash numerike, nuk e konceptojmë si një mundësi për të pasur dhe ca vota që të bëjnë atë numër magjik që mundëson miratimin sepse kështu na detyron kushtetuta. Jo. Ne e konceptojmë mënyrën e bashkëpunimit për të debatuar, diskutuar për një vizion të ri, për një reformë cilësore në sistemin e drejtësisë, një reformë që nuk mund të jetë produkt i numrave kushtetues por të jetë produkt i debatit politik dhe profesional. E them këtë për shkak të faktit sepse është folur shumë për ligjin e prokurorisë, për ndryshimet në këtë ligj por për fat të keq nuk ka transparencë. Përveç kontributit që ka dhënë media në këtë gjë nuk asnjë kontribut të mazhorancës, qeverisë dhe ministrisë përkatëse. Që nga dita që ka filluar ky proces nuk ka qoftë edhe një deklarim publik se çfarë synon një deklarim i tillë, bëhet fjalë për një reformë thelbësore. Bëhet fjalë për të ndërhyrë në një institucion të rëndësishëm të pavarur siç është prokuroria, sistemi i prokurorisë dhe jo thjesht prokurorja e përgjithshme për ta bërë atë më efektiv në luftën ndaj krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti. Dhe kjo nuk duhet të jetë atribut i disa nëpunësve, por duhet të jetë kontribut i të gjitha forcave profesionale në Kuvend, duhet të jetë rrjedhojë e një konsultimi në radhë të parë me pushtetin gjyqësor me prokurorinë dhe më gjerë. Duhet të jetë rrjedhojë e një debati publik dhe të gjerë profesionistësh. Por sot jemi në kushtet e mungesës së një transparence totale. Në kohën kur Patozi flet për miratimin e një projektligji në parlament dhe i bën thirrje opozitës për të bashkuar votat numerike, sot nuk kemi qoftë dhe në faqen e internetit të ministrisë se cili është projekti konkret. Pale të diskutojmë për një draft që nuk ka ardhur në parlament për të cilin mund të japim vlerësime dhe kontribute, sepse nëse bëhet fjalë për projektin që është botuar në media natyrisht që opozita nuk mund të japë jo thjesht numrat por mbështetjen, vullnetin e saj politik dhe ligjor për produkte të tilla. Por ne nuk kemi asnjë arsye të paragjykojmë atë që do vijë por kemi gjithë të drejtën të ngremë zërin për këtë mungesë transparence publike, për këtë draft që mund të çojë siç çoi në rastin e parë, në një ligj që ishte më shumë pjesë ballomash sesa një konceptim integral i ndryshimeve që do duhen të bëhen. Ne kemi qenë dhe jemi për reformën në drejtësi, mos harrojmë një fakt që PS ka qenë promotore e paktit kombëtar të drejtësisë, pakt i cili do të jepte një koncept të ri, një vizion të ri do e çonte mbi një bazë të re tërësisht reformën në drejtësi. Por është një pakt që ka mbetur tryezave të plurosura të kryetares së Kuvendit dhe sot nuk kemi asnjë hap në këtë drejtim. PS si iniciatore e këtij pakti, si iniciatore dhe nxitëse e reformave në përgjithësi dhe reformës në drejtësi në veçanti është e hapur të dialogojë, të ofrojë kontributin dhe bashkëpunimin e vet në një proces që synon të sjellë institucionet dhe sistemin në tërësi në standardet më të mira ndërkombëtare të pranuara, në modelet më të mira që funksionojnë aktualisht por gjithnjë frymë e një debati produkt i gjithë mendjeve të mençuara dhe profesionale që nuk i mungojnë këtij vendi. Por nuk është qëllimi për të bërë një reformë reale dhe të ndershme që do të ndryshojë cilësisht sistemin dhe produktin e tij por një përpjekje se si mund ta verë në kontroll sistemin dhe instrumentet që ai ka, për të mbajtur dhe konsoliduar pushtetin personal.







Patozi tha se do kalojnë dosjet dhe pa opozitën. Është ky një formë presioni për të dhënë konsensus për reformën zgjedhore dhe atë të prokurorisë?



Theksoj se për ne nuk ka lidhje mes të famshmit ligj të spiunëve që ka marrë etiketimin më të keq, dhe reformës zgjedhore. Për ne prioritet thelbësor është reforma zgjedhore sepse miratimi i kodit elektoral është baza për ndërtimin e rregullave të lojës për sistemin demokratik, është baza e garës së ardhshme elektorale, është baza e ndryshimit të pritshëm për shqiptarët. Dhe askush nuk mund të bëjë presion me disa spiunë. Po të më pyesësh mua personalisht kam qenë dhe kundër këtij ligji, personalisht dhe vendimi politik nuk është çështje ligji. Grupi parlamentar nëpërmjet përfaqësuesve të tij, nënkryetarit Isaraj ka shprehur qëndrimin e vet kushtetues dhe ligjor dhe ka qenë i gatshëm të kontribuojë në këtë proces por brenda kornizës kushtetuese duke parë dhe rekomandimet e ndërkombëtarëve në këtë fushë dhe ky ti shërbejë një të vërtete dhe jo gjuetisë së shtrigave brenda grupeve politike të PD-së apo qëllimeve për spastrime në sistemin e drejtësisë në funksion të interesave të ditës që lidhen me këtë sistem për grupe të caktuara të mazhorancës. Thashë se personalisht nuk kam qenë me hapjen e këtij debati të pafrytshëm për parlamentin dhe gjithë shqiptarët që i detyrojnë me forcë nga njëherë të merren me zgjedhje, të merren me arkiva. Edhe për një fakt tjetër se kam patur fatin e keq që të isha nënkryetar i komisionit që drejtohej nga i nderuari, Bezhani. E kam njohur mirë këtë proces dhe kam njohur mirë disa nga ata që flasin sot për këtë ligj, kam patur rastin ti shikoj në ambientin e zyrave të atij komisioni. Them se kam patur fatin e keq se unë personalisht mendoj se ka plot plagë në këtë vend, nuk kemi pse tu hapim plagë të reja familjeve apo fëmijëve të një brezi i cili po e ndërton fatin e vet duke mos pasur asnjë lidhje me të kaluarën. Kam qenë nënkryetar dhe kam parë dhe njoh shumë praktika dhe dosje dhe jam i vendosur të mos i përmend dhe mos i shfrytëzoj asnjëherë për qëllime personale e para se është detyrë ligjore, nuk ma lejon ligji dhe kushtetuta por dhe për shkak të moralit sepse këto janë plagë. Është fat i mirë kur ato zënë kore dhe shërohen dhe është e pandershme që ti hapësh dhe një herë. Për para se të interesohen për dosjet për të pastruar figurën e disa zyrtarëve, për dosjet e plurosura, kryeministri, kryetarja e kuvendit dhe mazhoranca duhet të interesohen se si të pastrojnë jetën e shqiptarëve, nga dukuritë negative, nga produktet negative që janë duke i krijuar përditë me keqqeverisjen e tyre. Kjo është më e rëndësishme sesa pastria e dosjeve të dy tre zyrtarëve apo të disa dosje të plurosura në arkivat e keqshfrytëzuara.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm