Berat, 23 prill 2025 – Fermerë prodhues të Beratit, shumë prej tyre sipërmarrës të suksesshëm të sektorit të vreshtarisë dhe kantinave të verës, si dhe drejtues ndërmarrjesh së prodhimit të ullirit – bashkëbiseduan sot me Kryeministrin Rama, njëkohësisht Kryetar i PSSH mbi zhvillimin e bujqësisë në tërësi dhe projektet që qeveria parashikon për zhvillimin e zonave rurale të Beratit, në veçanti.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj e cila merrte pjesë në takim, informoi se “Është gati projekti me 50 fermerë, që do të bashkëpunojnë në një zinxhir vlere me grumbulluesin dhe ku vetë bashkia ka rolin e saj kryesor deri në tregtimin e këtyre produkteve të etiketuara “Made in Berat” të vajit të ullirit.
Ndërsa Kryetari i Bashkisë së Beratit Ervin Demo bëri të ditur se projekti “Berati 2400 vjeçar” bashkëpunim i Ministrisë së Bujqësisë dhe Bashkisë së Beratit me financimin e Bankës Botërore, do të ngrejë sidomos përpunimin e vajti të ullirit dhe rregullimin e tregut të vajit të ullirit, në një sektor, i cili realisht do të ndihmojë fermerët e zonës për t’i dhënë vlerë të shtuar këtij produkti të jashtëzakonshëm që ka ky territor”. Ai shtoi se projekti në fjalë parashikon ngritjen e një konsorciumi me pronarë vetë sipërmarrësit e vajit të ullirit.
Takimi u zhvillua në një nga investimet domethënëse në këtë qark në një model të suksesit, për sa i përket zhvillimit të bujqësisë dhe për sa i përket kalimit në një nivel tjetër të gjithë sistemit, rrjetit të pikave të grumbullimit dhe të përpunimit.
Mbi 70 pika grumbullimi janë mbështetur nga programet e qeverisë, janë financuar 16 tregje për produktet bujqësore dhe janë krijuar 400 pika të reja përpunimi.
Në dispozicion të fermerëve një instrument i ri financiar 250 milionë euro, një linjë financimi inovative e Bankës së Shqipërisë, e cila iu mundëson të gjithë sipërmarrësve në fshat që të marrin kredi me 70% kolateral të garantuar nga shteti dhe me një normë interesi më pak se 3%.