Takim i Kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama me të rinjtë e Kamzës:
Mirëmbrëma të gjithëve! Kur po vija këtu mu kujtua që dy vjet përpara ishte ekzaktësisht një ditë pasi kisha dalë nga spitali dhe erdha këtu në Kamëz dhe pikërisht tek ky liqeni i Paskuqanit ku bëra dhe një vallëzim me një zonjë që u bë viral dhe u thash njerëzve të Kamzës që të na jepnin mundësinë të vazhdonim punën e nisur dhe të na besonin që nëse do të na jepnin mundësinë ne do bënim për Kamzën, për Paskuqanin, për të gjithë banorët shumë më tepër akoma.
Sot jemi dy vjet mbrapa dhe faktikisht gjithçka, ngado të shohësh dhe në çdo drejtim të kërkosh gjen se është ku e ku me çfarë ishte dhe kupton sesa shumë vite u humbën qorrazi, sesa shumë vite u humbën nga besnikëria e verbër ndaj një partie a thua se vota është një biletë për të shkuar në stadium dhe a thua se besimi për t’ia dhënë votën dikujt është një fanellë tifozi për një skuadër.
Ndërkohë që vota është e vetmja mundësi që njerëzit e zakonshëm kanë për të vendosur si duan të ndryshojnë vendin ku ata jetojnë dhe çfarë duan ata që të kenë. Faktikisht nëse ka një vend në Shqipëri ku realiteti është një libër që mund të shpjegojë kapitull për kapitull që nga infrastruktura, tek arsimi, tek shërbimet, tek pastërtia, tek gjelbërimi, ndriçimi e kështu me radhë është pikërisht Kamza për të parë se si duke ia ngarkuar detyrën një njeriu të duhur, bëhet e mundur që shumë gjëra të duhura që nuk kanë ndodhur më parë të ndodhin dhe të bëhen realitet.
Kur isha këtu dy vjet më parë me një pjesë nga ju, nuk ishte kështu ky park. Por të jeni të bindur që në fund të një dekade ky park nuk do jetë kështu dhe siç është ky park sot krahasuar si ishte, një zonë komplet djerrë e braktisur ky gjithsekush synonte të kapte ndonjë copë, ku kishte plehra e ferra dhe sot është mbjellë këtu e ardhmja dhe nesër do të jetë një destinacion i jashtëzakonshëm, ashtu është ekzaktësisht e ngjashme edhe Shqipëria, me këtë park.
Historia e këtij parku është si historia jonë, si historia e gjithë kësaj periudhe. Siç ishte ky park më parë, ishte Shqipëria që ne gjetëm, siç është ky park sot është Shqipëria që kemi sot por është akoma një punë që vazhdon, ka akoma mjete që punojnë, ka akoma infrastrukturë që zhvillohet. Ka shumë filiza që janë mbjellë dhe që po rriten por ka akoma shumë hapësirë për të vazhduar për të mbjellë të tjera derisa të bëhet një pyll i bukur.
Kjo është puna që ne kemi përpara! Nga ana tjetër, unë nuk dua të hyj në të gjitha ato që tha Elisa se Elisa e kemi udhëheqës këtu në Kamëz por unë dua t’ju them diçka konkrete. Dua t’ju them diçka konkrete përtej të gjitha atyre që janë shumë të rëndësishme për shoqërinë tonë, për vendin tonë, për kombin tonë me hyrjen në BE. Dua t’ju them që ajo pasaporta aty është një dokument që nuk është një dokument tjetër udhëtimi, nuk është një dokument i ri që zëvendëson të vjetrin ose këtë që kemi sot, që ka një ngjyrë tjetër, që ka të shkruar aty edhe Bashkimin Europian dhe që na jep mundësinë që të hyjmë në BE për të ndaluar edhe bërë të njëjtën gjë që bëjmë sot. Jo, është diçka krejt tjetër.
Kjo pasaporta këtu është një status i ri për shqiptarët. Me pasaportën që kemi sot ne hyjmë në çdo kufi të BE-së nga një korridor tjetër. E keni parë, thonë “dil pak këtej, futu atje në radhë”. Pastaj shkon te polici, ta merr pasaportën fillon pyetjet, “ku do shkosh, sa lek ke me vete, kush të ka ftuar, sa do rrish”. Pastaj vjen ajo pyetja e tmerrshme, ti sa ke vajtur, s’ke hyrë akoma “kur do ikësh”?
Sepse ne kemi liri lëvizje, pa vizë, kjo është e vërteta, por s’kemi liri qëndrimi. Ne vetëm duhet të lëvizim dhe të ikim. Nuk mund të rrimë, nuk mund të ndalojmë ndërkohë sepse nuk jemi qytetarë të BE. Ne jemi qytetarë të Shqipërisë, por për BE jemi të huaj. Ndërkohë që ajo që ndodh me këtë pasaportë është që kjo të bën të identifikohesh si një nga qytetarët e barabartë të BE-së dhe me këtë pasaportë hyn në Francë, hyn në Gjermani, hyn në Suedi. Ti ke të njëjtat të drejta që kanë bashkëmoshatarët e tu francezë, gjermanë, italianë, suedezë.
Sot nëse ju doni të studioni në BE jeni të huaj dhe duhet të gjeni rrugën që të gjeni një vend përmes kuotave që ka BE-ja për studentet e huaj. Pastaj keni detyrimin të paguani tarifa komplet të tjera nga ato që paguajnë studentët e BE sepse ju jeni studentë të huaj.
Pastaj nëse ju duhet një ndihmë mjekësore, ju nuk merrni të njëjtin trajtim si të tjerët se jeni të huaj. Pastaj nëse doni të kërkoni një punë, ju nuk keni mundësi fare ta kërkoni punën se nuk keni leje për punë. Duhet ose të kërkoni azil dhe të bëni…
Tha ‘’Rama ik’’ se duhet në këto raste, gjithmonë na duhet një hudhër…
Pra ose duhet të kërkoni azil edhe të sajoni historira sikur keni një persekutim e ku di unë, ose duhet të rrini fshehtas.
Shumë faleminderit për solidaritetin po për mua, unë do shqetësohesha sikur të mbaronte e gjithë kjo dhe të mos dilte ai zëri i të mbyturit në kënetë që thotë; ai duke u mbytur, thotë “Rama ik”, e kupton? Unë këtu në këmbë me ju këtu, ai tek pull atje.
Ndërkohë që me atë pasaportë ju mund të kërkoni punë ku të doni dhe mund të ktheheni prapë, mund të shkoni prapë, nuk ka më asnjë dallim. Pra, pa asnjë ekzagjerim BE bëhet njësoj si Shqipëria për secilin nga ne, sepse si të çohesh sonte nga këtu e të marrësh makinën e të shkosh në Korçë ose të shkosh në Dibër dhe askush nuk të thotë ku po shkon, sa do rrish etj, është absolutisht e njëjta gjë të marrësh makinën dhe të nisesh të shkosh në Itali, në Spanjë, Portugali, Suedi , ku të duash pa asnjë problem. Askush nuk të pyet ku po shkon.
Dhe tani më thoni ju mua, sikur vetëm kaq të jetë 11 maji, harrojeni të gjitha të tjerat, vetëm kaq, që ju që jeni sot në fillim të rrugës suaj, të keni mundësinë që të merrni statusin e qytetarëve të BE-së, a mund të diskutohet, se a duhet të shkojmë të votojmë pastaj kë dhe si duhet të votojmë. Unë them që nuk ka ça diskuton fare. Patjetër që duhet shkuar për të votuar dhe patjetër për të bërë një shumicë më të madhe se ç’e kemi sot, siç jemi sot këtu, unë mendoj që jemi, kemi ne mundësinë, se di, mbase Elisa dhe Lindita e kanë pasur këtë fat po unë s’e kam pasur, që të kem para meje më shumë të reja dhe të rinj se asnjëherë tjetër kur kam ardhur në Kamëz, sepse Partia Socialiste e Kamzës është fuqizuar, është rritur dhe rinia progresiste e Kamzës pranë nesh, është fuqizuar dhe është rritur.
Tani, ajo që duhet të bëjë secili dhe secila prej jush, është që të gjithë ata shokë dhe shoqe që i keni pranë, që janë votues të parë ose janë votues për herë të dytë , që janë mosha juaj dhe qe kanë një dyshim ose që e diskutojnë këtë punë si një muhabet pazari ose si muhabet loto sporti, t’i thoni që ky është momenti për të bërë diçka që është gjëja më e thjeshtë, por njëkohësisht dhe detyrimi më elementar i dikujt që është një njeri i lirë. Një njeri i lirë e përcakton ndër të tjera dhe fakti që ka lirinë po ka dhe pushtetin që me mendimin e vet përmes votës, të kontribuojë në gjykimin e gjithë popullit se kush duhet të rrijë këtu e kush duhet të rrijë këtu; kush duhet të rrijë në qeveri e kush duhet të rrijë në opozitë.
Prandaj besoj unë, duke parë ju dhe duke parë këtë energji këtu, që në Kamëz ne kemi gjithë mundësinë të marrim një rezultat spektakolar. Pastaj patjetër vjen dhe pjesa tjetër, qytetarë të barabartë të Europës patjetër, por nga ana tjetër tanimë nuk është aspak diçka e pamundur që të imagjinohet që Kamza të bëhet si Tirana në çdo aspekt. Madje, në disa aspekte të ketë dhe disa gjëra që në Tiranë nuk janë sepse në Kamëz ju keni shumë më pak dendësi banimi në pjesë të mëdha, keni hapësira etj dhe të gjitha këto si do bëhen? Do bëhen duke na dhënë fuqinë që ne të mbështesim dhe më shumë Rakipin bashkë me ju dhe që ju bashkë me Rakipin të bëni dhe më shumë gjëra që duam. Sot në Kamëz për shembull, uji shkon në 95% të shtëpive. Deri kur Rakipi mori detyrën, shkonte në 30% të shtëpive. Pjesa tejtër, dhe kjo nuk ishte para 40 vjetësh, as përpara 12 vjetësh. Kjo ishte deri përpara shumë pak vitesh. Pjesa tjetër dilte dhe mbushnin ujin ku të mundnin, por sot uji vërtetë vjen në të gjitha shtëpiat, por nuk është 24 orë. Uji vjen 12 orë mesatarisht. Tani duhet bërë dhe një investim tjetër tek Bovilla e vjetër për të cilën duhet një fond dhe për këtë ju them, vetëm për kaq gjë, e imagjinoni dot ju që ata që lanë prindërit tuaj se juve në një farë mënyre, juve ju ra bixha kur i thonë fjalës, se që në shkollë filluat të shihnit ndryshimin tek shkolla juaj; që në shkollë. Juve ju ra bixha se tani keni dhe ekip kampion në volejboll dhe në basketboll e ku di unë, për gjithë Shqipërinë, se keni palestra. Tani, prindërit tuaj ose ata që mbase s’janë bërë prindër akoma po nuk e kanë më moshën e shkollës, as nuk i imagjinonin dot këto; palestra, shkolla si shkollat e Kamzës që janë shkolla europiane po jo si çdo shkollë në Europë po si shkollat më të mira europiane, i keni ju këtu. Tani, ju a mund ta imagjinoni që ata që i lanë prindërit në kanale që ju kur ishit të vegjël ju merrnin në krah për të kaluar rrugën se mund të humbnit në baltë, do t’ju bëjnë ju dhe do ta mbështesin Kamzën më shumë se ne? Çështja nuk është tek a duan, a s’duan. Çështja është a dinë, a s’ dinë dhe ata dinë vetëm Noc Rrokun dhe Noc Rrokun ne do t’ua prezantojmë në datën 12 maj, të gjithë bashkë. Do t’iu bëjmë një prezantim me Noc Rrokun atyre se e kanë dëgjuar nga unë që e përdor dhe tani ma përdorin mua. Ne tani do t’iu bëjmë atyre një prezantim me Noc rrokun po kjo është temë tjetër.
Dhe e fundit që kam se s’dua t’ju mbaj më gjatë, e fundit që kam, është kini parasysh që sot Europa nuk është më ajo që ishte deri dje për sa i përket mundësisë që i ofron atyre që ikin nga këtu atje. Një pjesë rrinë atje nga kokëfortësia që e kanë hedh hapin dhe rrinë, e provojnë e tentojnë.
Sot Shqipëria nuk është më ajo që ishte deri dje.
Unë isha paradite në një kompani me 300 vajza dhe djem të moshës suaj që punon për Amerikën dhe Europën. Një kompani në Selitë që menaxhon 12 porte në Shtetet e Bashkuara me një aplikacion digjital dhe Inteligjencë Artificiale dhe ku paga mesatare është 2500 euro, në Selitë.
Pra, Shqipëria nuk është Gjermania, ishim të dytët pas Gjermanisë kur kishim bufin e kënetës që na mbante aq lart. Nuk jemi të dytët pas Gjermanisë, por ama siç tregon realiteti këtu i Kamzës sot, krahasimisht me pak vite më parë, këtu potenciali është i jashtëzakonshëm, dëshira e madhe, ambicia, vullneti puna mund t’i japi secilit mundësinë të jetë shumë më mirë se kudoqoftë që të imagjinojë se mund të shkojë dhe kini parasysh që BE-ja nuk është vetëm pasaporta, nuk është vetëm pasaporta, është ajo gjëja direkte individuale që secili e merr.
Pra nëse thotë dikush ore, ça marr unë nga BE-ja, ti personalisht merr një status që asnjëherë shqiptarët s’e kanë pasur. As prindërit e tu s’e kanë pasur, as gjyshërit e tu, as stërgjyshërit. Ti merr statusin e të qenit i barabartë mes barabartësh në këtë kontinent, ti personalisht.
Por përtej kësaj, BE-ja ça i jep Shqipërisë, ça fiton Shqipëria, e gjitha. E para, shumë më tepër siguri.
Sot, bota nuk është më aq e sigurt sa ç’ishte.
Sot lufta nuk është film bardhë e zi që e sheh nga dokumentarët e vjetër, sot lufta është në kufi me Europën dhe çështja e sigurisë është më e ndjeshme dhe më e madhe dhe prioritare se ç’ishte deri dje dhe më mirë atje me ta sesa jashtë.
E dyta, BE-ja do të thotë një mbështetje ekstra për një vend si ne.
Kur vendet hyjnë në BE, aty janë dy kategori janë përfituesit, janë dhe kontribuuesit. Kontribuuesit janë ata që janë më të fortë, më të zhvilluar, përfituesit janë ata që janë më të vegjël dhe që janë në zhvillimin e sipër si ne.
Kini parasysh vetëm këtë fakt në këto vite, ne BE-ja na ka dhënë, na ka mbështet me diçka më shumë se 1 miliardë euro, nga të cilat 90% kredi e butë, po kredi borxh.
Me hyrjen në BE, ne nga BE-ja marrim çdo vit diçka më shumë se 1 miliardë euro dhe 90% është mbështetje solidariteti, grant, domethënë e falur. Është një ndryshim i madh. Gjithashtu, programet e BE-së për rininë, mbështetja financiare e BE-së për startup-et e të rinjve, për të rinjtë që janë në fshat, për fëmijët, për të rinjtë që kanë probleme të varfërisë në familje, kështu me radhë, është e jashtëzakonshme.
Prandaj, miqtë e mi, mos e merrni këtë proces dhe mos i merrni këto zgjedhje si diçka që thjesht ju duhet të bëni detyrën dhe të shkoni të votoni. Të gjithë përpiquni të bëni pak më shumë se kaq dhe mos shkoni vetëm, po të merrni të paktën dhe një tjetër që sot, tani që flasim, nuk e ka ndarë mendjen, të paktën një tjetër. Ndërsa të gjitha ato goca që janë këtu, që kanë simpatizantë ose të dashur, që janë me bindje të tjera duhet t’i vëni kusht, duhet t’i thonë, dëgjo: “Ti më pëlqen mua, po unë të dua ty me status të barabartë me çdo lloj të huaj, se ndryshe të dy qytetarë europian, jo vetëm kamzali”. Kështu që ajo që pres prej teje është të vish me mua, edhe të votosh si mua.
Po mirë më fal, le të jetë i bukur sa të dojë, le të jetë i zgjuar sa të dojë, le të jetë ça të dojë, po a mund të rrihet me një çun që hudhet në kënetë me 11 maj? Ç’e do? Se është çështje karakteri kjo, mos mendoni që është kaq hajde se..
Po përtej shakasë që është këtë rast më shumë se gjysma e të vërtetës, unë kam shumë besim që këtu në Kamëz, në 11 maj, ju dhe gjithë ata që s’janë këtu, janë gjeneratë tjetër, po që janë pjesë e gjithë kësaj familje, do ta bëni Kamzën që të shkëlqejë.
Kamza herën e kaluar, Kamza ishte një rrufe që siç e keni parasysh, del drita herë, pastaj vjen edhe zhurma, pastaj fillon edhe furtuna. Kamza ishte drita që doli, se kishte numërimin elektronik. Edhe veçse kur, pastaj erdhën bubullimat, edhe pastaj filloi breshëri, edhe u bë qamet.
Këtë herë qameti duhet të jetë edhe më i madh, këtë herë ne duhet të nxjerrim nga lumi i 11 majit, një rezultat që është më i miri i të gjithë rezultateve të Partisë Socialiste dhe kemi fituar 9 herë, kjo duhet të jetë fitorja e 10-të me notën 10-të.
Shumë faleminderit!