Tirana simbol i zhvillimit dhe i transformimit/ Ta bëjmë progresin e pakthyeshëm

Kryetari i PSSH Edi Rama zhvilloi sot në Petrelë një takim me një pjesë të komunitetit të sipërmarrësve, fermerëve dhe banorëve te zonave rurale të Tiranës; Zall-Herr, Zall-Bastar, Farkë, Pezë, Ndroq, Vaqarr,etj, mbi punët e realizuara në Tiranë dhe jo vetëm, përgjatë 12 viteve dhe perspektivën e zhvillimit të kryeqytetit drejt Shqipërisë 2030.
* * *

Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama:

Shumë faleminderit! Mund të duket pak e çuditshme që ne zgjodhëm këtë vend jashtë rrëmujës dhe rrëmetit për të folur, jo thjesht për fshatin, por për të folur për Tiranën, për të folur për kryeqytetin, për të folur për metropolin e Shqipërisë sepse normalisht, kjo mund të ishte një bisedë që mund të bëhej në sheshin Skënderbej, po themi, por arsyeja pse vendosëm të vijmë këtu është sepse ne besojmë dhe faktet tregojnë që ajo çka ka ndodhur me zhvillimin e Tiranës ka impaktuar në mënyrë shumë domethënëse të gjithë hapësirën rurale dhe faktikisht, sot ne jemi këtu në një investim të bërë nga një çift që janë kthyer nga emigracioni, janë kthyer nga emigracioni dhe kanë bërë një investim jo të vogël, me siguri të suksesshëm besoj unë, që përpara një dekade do ishte e pa konceptueshme të bëhej.
Këtu ka pasur 2-3 njerëz që kanë hapur disa dyer por mezi mbijetonin ndërkohë që sot të hapësh një agroturizëm në periferitë e Tiranës është një investim shumë kuptimplotë për nga suksesi dhe po kështu gjithë zhvillimi i kryeqytetit dhe gjithë transformimi i tij në një destinacion turistik ka bërë që të rritet në mënyrë marramendëse numri I dyerve të mikpritjes dhe kjo të kërkojë një rritje domethënëse të gjithë prodhimeve vendase.
Flitet shumë për prodhimin vendas në mënyra nga më të ndryshmet por ka një të dhënë shumë të thjeshtë. Kur ne kemi marrë detyrën, raporti mes prodhimeve vendase që eksportoheshin dhe prodhimeve të importit ishte 1 me 9, pra ne eksportonin 1 dhe importonim 9 që do të thotë që nevoja jonë për ushqim ishte e bazuar kryesisht tek importi. Sot ne eksportojmë 1 dhe importojmë 3 që do të thotë që ka një prani shumë më të madhe të prodhimit vendas në treg dhe ka një ulje domethënëse të prodhimeve të importit. Është një raport që duhet të vazhdojmë ta përmirësojmë dhe do të përmirësohet por është shumë e rëndësishme të thuhet dhe të kuptohet që çfarëdo investimi që bëhet në kryeqytet, në pjesën urbane të qytetit duket sikur nuk ka lidhje me çfarë ndodh këtu por ka lidhje të drejtpërdrejtë dhe çdo përmirësim që i bëhet organizmit të qytetit në çdo pikë ndikon në të gjithë organzimin.
Përpara sesa të bëj një përmbledhje aq të shkurtër sa qe e mundur qoftë për një panoramë të përgjithshme të kushteve aktuale të vendit, qoftë për Tiranën, dua të flas për diçka që ka ndodhur dje dhe sot.
Dje shqiptarët kanë parë një kontratë të pabesueshme të kënetës me një grup magjistarësh amerikanë, siç i quajnë, dhe 6 milionë dollarë janë deklaruar, në bazë të ligjit amerikan duhet të deklarohen se ndryshe është krim shumë i rëndë, janë deklaruar si pagesë nga ana e kënetës për të pastruar damkën nga balli i bufit të kënetës dhe në ndërkohë është thënë që kjo kontratë është një kontratë që financohet nga një grup patriotësh, nuk dihet kush janë, nuk dihet sa janë, flitet për patriotë.
Kjo më kujton vjehrrat dhe baxhanakët e krushqit e atyre prokurorëve dhe gjykatësve të korruptuar që kur kaluan procesin e vetting-ut nuk kishin si justifikonin apartamente e lloj-lloj pasurish dhe thonin “Këto mi ka dhuruar vjehrra, këto na i ka lënë baxhanaku”. Domethënë, nga ai proces u krijua një perceptim sikur vjehrrat ishin gjel që bënte vezë të arta. Njësoj dhe me këta patriotët por sidoqoftë, edhe sikur të ekzistojnë këta patriotë që një mendje fare normale e dyshon sepse kjo të kujton edhe shokun tonë Lulin që e vendosëm përpara të shkretin për 500 mijë dollarë ndërkohë që këtu dolën 6 milionë dollarë.
Kjo është në shkelje flagrante me çdo ligj të Republikës së Shqipërisë. Ligji i Republikës së Shqipërisë është shumë i qartë sa donacione mund të marrësh, sa financim mund të marrësh etj.
Pra, nuk qenka aq e thjeshtë saç u bë jo për ne se ne e dimë që nuk ishte dhe nuk është fare aq e thjeshtë por saç u bë për atë pjesë të popullit që do të besojë tek të gjithë përrallat e bufit të kënetës, nuk qenka kaq e thjeshtë saç u bë që këtu qenka një komplot ndaj një burri të ndershëm, vdeksha unë, që pa pritur e pa kujtuar u ngritën Shtetet e Bashkuara dhe e damkosën sepse unë, Edi Rama, me Soros bëmë një konspiracion dhe ky i shkreti viktimë e pafajshme dhe në momentin që ndryshoi administrata në Shtetet e Bashkuara, gjithçka do të çlirohej, do të pastrohej, do të lirohej dhe ky buf do shfaqej si pëllumb i bardhë, i gatshëm për ta marrë përsëri në krahët e tij siç na mori dy herë, njëherë përfunduam në rrënojat e piramidave dhe njëherë tjetër përfunduam në buzë të humnerës në 2013 mu në prag të një kolapsi total financiar.
Jo vetëm kaq, por para se të vija këtu pashë dhe kjo është për të qeshur dhe për të qarë e gjitha, për të qeshur e për të qarë, nuk di ekzaktësisht se çfarë duhet të bëjë njeriu në këto kushte kur sheh dikë që ka qenë në të gjitha rastet Presidenti i këtij vendi, ka qenë Kryeministri i këtij vendi, sot është në atë procesin biologjik të rrëshqitjes së ledhit edhe nga ana tjetër përpiqet, përpiqet, e përpiqet ti tregojë njerëzve se ka një forcë magjike, ka ca magjistarë me vete, i ka marrë nga Amerika, do bëjë magji, do fitojë, etj, etj dhe sot kishte futur në lojë nëpërmjet një çyryku që e mban afër, edhe familjen e presidentit Trump.
Sipas tij unë paskësha bërë një përpjekje që të shkoja në Beograd, prandaj nuk shkova të takoj papën, për ti dhënë lamtumirën pas vdekjes. Po prisja të shkoja në Beograd, se në Beograd do shkonte djali i Trump dhe unë aty me vëllain tim Vuçiç-in do futesha si “Fanti-spathi” dhe do ta përshëndesja, por kjo nuk qe e mundur, se kjo dështoi, sepse Shtetet Bashkuara… .
Tani deri këtu, ok, ne i dimë këto. Po kur shef që detyrohen njerëzit e familjes së presidentit të Shteteve të Bashkuara që të mohojnë këtë çmenduri, të vjen turp. Realisht të vjen turp. Se në fund të ditës atje nuk e di njeri dhe nuk e njef njeri përveç këtyre që marrin 6 milion dollarë për ta njoft se po të çohet edhe Lymi i Tutit edhe të paguaj 6 milion dollarë, vjen Latifi dhe na e prezanton të gjithëve.
6 milion dollarë për të ardh njëherë, për të fol në dasmën e Lymit të Tytit vjen Latifi pa problem fare, s’ka problem. Problemi është se pa ato 6 milion dollarët as nuk e di njëri kush është Lymi dhe është e njëjta gjë ekzaktësisht, mos e dyshoni fare, është e njëjta gjë, as nuk e dinë fare. Dhe çfarë i mbetet në mend, i mbetet Albania – Shqipëria. Ky është një udhëheqës shqiptar, kjo është një forcë konservatore shqiptare, një çmenduri totale.
Dhe prandaj them nuk e di njeriu të qeshi apo të qajë dhe pastaj më e bukura, kishin shpërndarë edhe një trakt që të gjithë kandidatët e kënetës nuk duhet të shkojnë nëpër media, sepse ngaqë unë jam i tmerruar që po më afrohet dita e fundit, paskam imponuar në të gjitha mediat që të flitet vetëm për këtë kontratën dhe prandaj që të mos sposohet vëmendja e popullit nga programi i Shqipërisë Madhështore, duke vajtur këta dhe duke shpjeguar se ku i gjetën 6 milionë dollarë. Ku janë këta patriotë që bashkuan bashkë 6 milionë dollarë për të treguar në Amerikë se Shqipëria ka një specie të veçantë, se ne specie të veçantë, kemi pelikanin kaçurrel në Karavasta, po ka dhe një tjetër specie të veçantë, një buf 80 e kusur vjeçar, që flet me vete, si ai papagalli i mbretëreshës Elizabet, nuk e di a e dini atë barsoletën dhe për këtë arsye s’do shkojnë më nëpër media.
Tani vij tek arsyeja pse jemi këtu. Çdo gjë hajde se po ia lëmë lirisë dhe demokracisë, po kjo e kontrollit të mediave nga ana ime, nga ana jonë, është më kulminantja.
Unë nuk besoj se ka në ndonjë vend tjetër, në vendet demokratike perëndimore, jo, sepse aty mediat nuk janë këneta të angazhuara për kënetën politike, po as në vendet e tjera më pak po themi të zhvilluara demokratikisht, nuk ekziston, besoj, një vend ku nuk ka gjatë një fushate elektorale, një kanal të vetëm ku të shohësh njerëz që bëjnë sens kur flasin.
Dhe kaq e vërtetë është kjo, sa mjafton t’i referohesh sondazheve. Dalin sondazhet të gjitha, pa përjashtim nga televizioni më i vogël deri te më i madhi, nga sondazhistët italianë tek sondazhisti i Donald Trumpit, dora vet, nxjerrin që fitues i padiskutueshëm është Partia Socialiste, nxjerrim që të gjithë që kur pyetet populli kush do të fitojë, edhe gjysma e atyre që nuk na votojnë thonë do fitojë Partia Socialiste. Nxjerrë që shumica e dërrmuese e shqiptarëve mendojnë që vendi po shkon drejtimin e duhur. Dhe këto media, këto moçale, këta individë që me demek u kontrollonkan nga unë dhe nga ne kanë shpjegimet e tyre për këtë.
Shpjegimi i parë është populli shqiptar është një popull i sëmurë.
Shpjegim i bërë në ekran. Nëse populli shqiptar mendon që ky vend po shkon drejtimin e duhur, ky është një popull i sëmurë.
Shpjegimi tjetër është që këtu ka dy rrugë; o janë çmendur këta që bëjnë sondazhe bashkë me sondazhet e tyre, o është çmendur populli shqiptar.
Opsioni tjetër janë të gjitha të dëgjuara prej tyre, i keni dëgjuar ju, unë pasi pashë pak minuta në YouTube, një nga këta, i kërkova të m’i çojnë ç’a thonë. Është të vësh duart në kokë.
Të mendosh që këta njerëz marrin mijëra, e mijëra, e mijëra euro në muaj dhe asnjëri prej tyre nuk bën deklarimin real të asaj që merr dhe qajnë hallet këta të shqiptarëve, të pensionistëve, të invalidëve, të dreqit e të birit dhe në fund fare nuk paguajnë nga ajo që marrin as kontributin e sigurimeve shoqërore për pensionistët është kulmi i hipokrizisë.
Por vazhdojmë me opsionet. Opsioni tjetër; Edi Rama e ka blerë shumicën e popullit, se këtu janë 250 mijë, janë dhe komplet të çmendur.
Këtu janë 250 mijë njerëz të punësuar, ata kanë nga 5 veta, 250 x 5, hiq ndonjërin, dalin gjithë votuesit e Shqipërisë.
Opsioni tjetër është që këtu, me sa duket, thonë këta, me sa duket, jemi në një regjim kaq autokratik dhe frika ka hyrë kaq thellë tek njerëzit, saqë kur i pyesin; Këtu do votosh? Thonë do votoj Partinë Socialiste nga frika.
Po mirë më tani, të gjitha këto, okej, se mund të ishin një pjesë e këtyre opinionistëve që i thonë këto janë siç unë e kam thënë këto ditë, ç’a janë? Po si shpjegohet që nuk pashë njërin, nuk dëgjova njërin, nuk lexova njërin nga këta që të thotë ore, shikoni këtu, se mbase ky popull në shumicë ka të drejtë, mbase vërtetë vendi po ecën në drejtimin e duhur. Mbase ne nuk kuptojmë deri në fund atë që duhet të kuptojmë. Jo! Këta kuptojnë thellësisht që “vendi është në një humnerë”, “më keq s’ka qenë ndonjëherë”, “njerëzit vdesin për bukë”, “nuk ka vend në varreza, të vdekurit janë rrugëve”, “nuk jepen sepse media kontrollohet nga qeveria”, “ujë nuk ka asgjëkundi, etja është problemi kryesor i vendit, “Pagat janë nga 200 mijë lekë vjetra. Tani unë këtu duhet të bëj një pasqyrë shumë të shpejtë të disa dhënave që kanë të bëjnë me Shqipërinë tonë.
Të dhëna që janë të dhëna zyrtare jo thjeshtë shqiptare, por të certifikuara nga organizata ndërkombëtare. Dua ta filloj me prodhimin e brendshëm, çfarë prodhon ky vend se shumëkush nga këta që komentojnë thonë këtu s’prodhohet asgjë, këtu s’ka bukë. Shqipëria në vitin që ne kemi marrë detyrën prodhonte më pak se 10 miliard në total vlerë. Në fund të vitit 2024, 25 miliard euro vlerë. Pra është dy herë e gjysmë dhe burimi është FMN. Projeksioni ynë, jo dëshira madhështore, projeksioni ynë me Ministrinë e Financave duke parë gjithë trendin dhe të gjithë komponentët e tjerë që merren në konsideratë kur vlerësohet e nesërmja është që në Shqipërinë 2030, prodhimi ynë i përgjithshëm kombëtar do të shkojë 35 miliard euro.
Një vend që ka dy herë e gjysmë rritur prodhimin e përgjithshëm kombëtar në një dekadë është më mirë apo është më keq? Është në drejtimin e duhur nëse ka tendencën të shkojë deri në 35 miliardë apo është në drejtimin e gabuar? Kush gabon këtu, populli që është sëmurë, që është çmendur, që ka frikë, që është i blerë apo këta honxhobonxho që shtrihen netëve në ato sallonet që shkëlqejnë kur i sheh në të katra anët, por që janë fundi i respektit për inteligjencën e këtij populli. Fyerja më e madhe për inteligjencën e këtij populli janë ato pasqyra dhe nuk është e rastësishme, përkundrazi që kanë kaq vite që bëjnë atë punë dhe kanë kaq vite që populli iu thotë: jo. Kur shkon të votojë iu tregon që janë një minorancë e dëshpëruar dhe janë pjesë e kënetës faktikisht. Nuk ka rëndësi a i shërbejnë kënetës direkt si disa apo janë pjesë e kënetës se nuk janë dot normal në vështrimin e gjërave.
Kjo është rritja e prodhimit të përgjithshëm në rajon, se tani nuk jemi Gjermania dhe nuk jemi në garë me Gjermaninë. Ishim ne të dytët pas Gjermanisë ju kujtohet, para se të shkonim në buzë të humnerës dhe para se populli ti nxirrte me shkelma nga zyrat këta që sot duan të kthehen prapë. Ishim të dytët pas Gjermanisë, e mbani mend, por ne nuk jemi në garë me Gjermaninë. Ne jemi në një rajon ku matemi me zhvillimet rreth e rrotull. Me vendet që janë në një proces drejt anëtarësimit të BE. Ja ku janë, nga viti që ne kemi marrë detyrën deri në 2024 kur janë të dhënat e fundit. Ja ku janë rritjet e prodhimit të përgjithshëm të të gjithë vendeve. Kjo është mesatarja e rajonit. Kjo është Shqipëria. Dhe besoj që është shumë i dukshëm fakti që Shqipëria ka rritjen më të lartë të prodhimit të brendshëm, prodhimit të përgjithshëm kombëtar në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Këtu jemi tek të ardhurat për frymë. Ja të ardhurat për frymë në 2013 kur ne morëm detyrën, 3300 euro. Ja të ardhurat për frymë 10 mijë e 300 euro, tre herë më shumë në 2024. Ja dhe projeksioni i Shqipërisë 2030, 15 mijë euro. Dhe dua këtu të nënvizoj që kjo kurbë rritëse koincidon dhe me atë që është projeksioni ynë për rritjen e pensionit minimal dhe për rritjen e pensionit mesatar.
Këtu jemi tek borxhi. Ky borxh është borxhi zyrtar i ditës që ne morëm detyrën. Përtej këtij borxhi kur ne morëm detyrën, të tëra kompaninë kishin ndaluar punën. Kompanitë që kishin lidhje me shtetin, kompanitë që kishin kontrata investimesh të rrugëve kryesisht, por dhe të shkollave dhe të investimeve të tjera kapitale dhe kompanitë që kishin kontrata shërbimi, për shembull kompanitë e furnizimit me ilaçe të spitaleve. Kishin ndaluar! As nuk punonin, as nuk furnizonin sepse nuk kishin më mundësi. Pse? Sepse iu ishte dhënë punë por nuk kishte para për ato që punë që iu ishin dhënë. Iu ishte thënë “financoni ju se do tua u japim” dhe erdhi një moment që ato ngecën. Dhe në total ky borxh ishte 700 e ca milionë euro që po t’ia shtosh atij borxhi zyrtar shkon shumë më lartë. Ne midis këtyre të dyjave na është dashur të bëjmë një rritje të borxhit, erdhëm në ulje pastaj na u desh ta rrisnim prapë sepse erdhi pandemia, të gjithë rritën borxhin. Erdhi tërmeti, u detyruam të rrisnim borxhin dhe me gjithë ato rritje të borxhit kaq mirë ka performuar ekonomia jonë kombëtare sa shikoni këtu ku kemi zbritur, kemi ulur borxhin duke rritur pagat. Kjo është shumë e rëndësishme. Nuk kemi bërë një ulje borxhi duke shtrënguar njerëzit. Kemi ulur borxhin dhe kemi rritur pagat.
Po të vazhdojmë më tutje, vijmë tek kreditë e këqija. Shikoni se ku kanë qenë kreditë e këqija. Kreditë e këqija janë kreditë që i mbeten bankave si kredi që nuk kthehen dot se kredi marrësit nuk janë në gjendje t’i kthejnë. Ky është tavani ku rrezikohet kolapsi i sistemit bankar.
Kjo ishte situata në ditën që ne kemi marrë detyrën. Shikoni ku janë kreditë e këqija sot. Ata që janë mbrapa nuk i shohin dot. Janë një nivel normal si në të gjithë vendet normale.
Vazhdojmë me stabilitetin e çmimeve dhe inflacionin. Rritja e çmimeve është një fakt, nuk është një opinion dhe kjo nuk diskutohet, por ama po të shikoni në raport me rajonin, mesatarja e rritjes së çmimeve në rajon sot që flasim është 3.1%, në Shqipëri është 2.6% dhe këto janë të dhëna të FMN dhe të Ëord Economic Outlook database. Nuk janë të dhëna të qeverisë shqiptare që mos të krijojmë diskutime të kota.
Këtu jemi në përqindjen e popullsisë në rrezik për të rënë në varfëri. Se e dëgjojmë shumë këtë “varfëria, varfëria”, që nuk diskutohet që është një problem por kjo ulje nga ku e gjetëm te ku është, reflektohet këtu. Dhe po të shikoni ne jemi në një grup ku ka vende të BE si Bullgaria, Portugalia, Lituania, Letonia, Estonia etj, që janë në po atë fashë.
Këtu jemi tek pabarazia në të ardhura. Ky është një tjetër indeks që është shumë i rëndësishëm që ka të bëjë me shpërndarjen ose me ri shpërndarjen e pasurisë që krijohet. Pra kishim një prodhim të brendshëm nën 10 miliardë, shkuam në një prodhim të brendshëm 25 miliardë. Si shpërndahet e gjitha? Dhe shikojeni se ku ka qenë se kjo është shifra që e morëm për korrektesë sepse ka qenë ku e ku më keq në 2013, por morëm këtë të 2017 për një arsye shumë të thjeshtë sepse ky moment dhe deri këtu, i korrespondon një momenti që praktikisht shënon kthesën përfundimtare në sensin, jo që ekonomia shqiptare s’do ketë ndonjëherë kriza se çdo ekonomi ka krizat e veta por në sensin që ekonomia jonë sot është ekonomia e një shteti që nuk është më një shtet në tentativë për tu ndërtuar, por është një shtet që është në një fazë të avancuar të ndërtimit të vet që lidhet edhe me arsyen pse BE thotë që deri në 2027 me duam të mbyllim marrëveshjen me ju. Dhe shikoni këtu si është situata me pabarazinë në të ardhura që quhet, raporti i famshëm në 80-20 dhe shikoni këtu që ne jemi në një fashë që as nuk mund ta konceptonim dot në vitet e mëparshme ku do të ishim komplet jashtë këtij grupi. Vazhdojmë. Dhe këto janë të dhëna nga institucionet ndërkombëtare.
Këtu jemi në një tjetër pabarazi që ka të bëjë me pjesën e pabarazisë në të ardhurat gjinore. Shikojini se si kemi shkuar drejt normalizimit, ka akoma pa diskutim por kemi shkuar drejt normalizimit të pabarazisë gjinore duke u nisur përsëri këtu, këto janë dy mandate, nuk janë të treja dhe këtu me 30.2% jemi praktikisht në një fashë me vende që janë vende të BE. Vazhdojm!
Këtu jemi te tregu i punës, kjo është papunësia. Sot kemi nivelin më të ulët të papunësisë në të gjithë rrugëtimin e këtij vendi. Është hera e parë që Shqipëria në 2024 zbriti në një papunësi njëshifrore, 9%. Ka një teori nga ata që përsëritet që nuk dinë ça thonë, që del më ulët se ka më pak milet. Po ajo nuk është përqindja në bazë të numrit të njerëzve për të cilët këneta thotë se janë 1 milion më pak. Në fakt edhe kjo është një shifër e çmendur komplet sepse nga Censusi dihet që ishin 2.8 në 2012 dhe jemi 2.4 sot. Ajo është përqindja e papunësisë në forcat e punës, pra sa forca ke dhe sa përqind prej tyre i kë në punë apo të papunë. Vazhdojmë.
Këtu jemi tek të punësuarit. Kjo shifër mua më pëlqen shumë për ata që vazhdojnë edhe bëjnë ironi ‘’ku i ke ato 300 mijë vende pune. Premtove 300 mijë vende pune, ku janë ato’’? tani këto nuk janë piktura, nuk janë as opinione, këtë të dy shifrat janë shifrat e të punësuarve të regjistruar në Republikën e Shqipërisë. Kur ne morëm detyrën ishin 1.023 000 persona që figuronin në punë. Sot janë 1 327 000. Tani me aritmetikën e kënetës se menduam që Luli ishte më e keqja në raport me aritmetikën, por tani ka dalë ky aritmetikani që është… . Janë 300 mijë e pak më shumë apo nuk janë? Kjo është ajo që ne kemi thënë dhe kjo është ajo që ne kemi bërë. Vazhdojmë!
Këtu kemi një tjetër gjë shumë interesante. Për të gjithë ata që, dhe sinqerisht unë nuk i vë faj dhe s’kam si t’i vë faj askujt që bën komente në rrjete sociale, apo në klube, sepse ato që nuk merren me informimin e publikut, nuk kanë nga e marrin vesh këto. Këto të gjitha janë të dhëna reale të Shqipërisë ku jetojmë ne. Por këto nuk i sheh njeriu në tv, nuk i sheh njeriu nëpër portale sepse merren me gjëra të tjera . ata kanë gjëra të tjera, nuk kanë këto, nuk i kanë. Do të dish ti se ça bëhet në Shqipëri me punën, me papunësinë, me inflacionin, me prodhimin, me këto nuk e merr vesh nga mediat. Këtu flitet shumë ‘’po hë mo ça pagash ka në Shqipëri, po në Shqipëri 200 mijë lekë…’’
Kaq ishin ata përqindja e të punësuarve kur ne morëm detyrën që merrnin një pagë nën 40 mijë lekë dhe mos harrojmë që 40 mijë lekë atëherë ishin shumë më pak euro se ç’janë sot , apo jo? Kaq ishin. 60 % e të punësuarve të atyre 1 milion të punësuarve që nxora më parë, merrnin nën 40 mijë lekë. Sot janë vetëm 14%. Gjithë pjesa tjetër marrin më shumë.
Dhe këto janë, e përsëris, shifra regjistrash, nuk janë opinione politike. Vazhdojmë!
Kjo është rritja e pagave. Kjo është paga minimale. 157 euro kur morëm detyrën, 400 sot, 500 në janar të 2026. Vazhdojmë.
Këtu jemi tek paga mesatare e përgjithshme, pra midis atyre që janë në shtet dhe atyre që janë në privat. 322 euro ishte paga mesatare e përgjithshme, e cila kryesisht ndikohej nga paga në sektorin publik. 848 euro është mesatarja e fundit e pagave ku rritja vazhdon për shkak se sektori privat vazhdon të rrisë pagat. Vazhdojmë!
Këtu jemi në pagën mesatare në sektorin publik vetëm në shtet, nga 372 jemi në 1000 euro dhe projeksioni është 1200, i mesatares. Vazhdojmë.
Ky është pensioni mesatar dhe ai është projeksioni i pensionit minimal dhe mesatar në 2030. Vazhdojmë.
Këtu jemi tek një element tjetër i rëndësishëm që është taksimi. Çfarë bëmë ne? Ne ndryshuam faktikisht sistemin e taksës që ishte faktikisht 10% për të gjithë njësoj dhe ja çfarë solli ajo që bëmë ne. Solli që 57% e të gjithë të punësuarve paguajnë 0 taksë për pagën dhe 93% e të gjithë të punësuarve privat –publik, paguajnë me pak se 10%, ndërkohë që në të kaluarën të gjithë paguanin 10%. Të gjithë, 100%. Vazhdojmë.
Ky është indeksi i hendekut gjinor. Ju e dini që ne kemi luftuar shumë për këtë. Ishim në vendin e 83, jemi në vendin e 23 në botë, klasifikim i OKB-së. Vazhdojmë.
Shkalla e papunësisë për gratë është shumë kuptimplotë edhe shifra e rënies së papunësisë së grave në një shifrore, për herë të parë. Vazhdojmë.
Pjesëmarrja e grave në forcën e punës. Shikojeni, 50.8 % e grave mernin pjesë në forcën e punës, tani janë 70%. Vazhdojmë!
Paga mesatare e grave, flet vetë. Vazhdojmë!
Këtu jemi tek investimet e huaja direkte, që janë shumë domethënëse për ekonominë dhe këtu jemi në një krahasim, jo me të kaluarën se nuk kemi çfarë krahasohemi fare me ata, por këtu jemi me rajonin se flitet që “Ja, ku shkojnë investimet”. 6,1% është mesatarja e investimeve të huaja në rajon. 8% e ka Shqipëria. Ky është sektori i jashtëm i eksporteve, nuk prodhon Shqipëria, por çuditërisht eksportet janë rritur 3 herë, vazhdojmë, dhe janë 9 miliardë euro eksporte.

Këtu jemi tek biznesi i vogël, nuk kemi çfarë diskutojmë fare.

Shikoni ku ishte biznesi i vogël në periudhën para se ne të merrnim detyrën dhe sot biznesi i vogël deri në 2029 do jetë 0 taksë, 0 TVSH. Vazhdojmë.

Kjo është një shifër interesante sepse duhet kuptuar çfarë ka lënë shteti sepse në momentin kur shteti ul në taksë dhe heq një taksë, sigurisht lë diçka, nuk e merr vetë, ja lë njerëzve. Shikojeni se çfarë ka ndodhur në taksimin e biznesit të vogël. Duke e çuar pragun e TVSH në 100 mijë, pra duke thënë dhe duke ligjëruar që biznesi i vogël deri në 100 mijë euro xhiro nuk paguan TVSH, praktikisht, ne kemi lënë 98 336 biznese, gati 100 mijë biznese që të përfitojnë në total 66 milionë euro në vit.

66 milionë euro në vit llogariteni që janë më shumë sesa gjysmë miliardi euro në 10 vjet, gjysmë miliardi euro që ia kemi lënë bizneseve të vogla, duke i konsideruar motorët e vetë-punësimit dhe aleatë të qeverisë në luftën kundër papunësisë dhe nuk i kemi marrë për të bërë investime të tjera.

Shikoni një gjë tjetër këtu interesante. Këtu jemi tek biznesi mbi 100 mijë euro, nga 100-140 mijë quhet biznes i vogël prapë, nuk paguan takes, por paguan TVSH. Duke i hequr tatim-fitimin, kemi çliruar 123 mijë të tjerë dhe kemi kursyer këtu edhe 60 milionë euro të tjera në vit.

Pra, vetëm nga biznesi i vogël, duke hequr taksën ne kemi hequr dorë si shtet nga afro 1 miliardë e 200 milionë euro dhe 1 miliardë e 200 milionë euro kanë mbetur në familjet e të gjithë atyre që kanë një biznes të vogël në totalin e vet.

Prandaj dhe biznesi i vogël është rritur dhe është forcuar dhe prandaj ne mendojmë që deri në 2029 nuk duhet ta prekim me taksa që të vazhdojë të fuqizohet.

Këtu jemi tani tek një tjetër element sepse e solla këtu për të kujtuar që bufi i kënetës u betua, domethënë përveç SPAK-ut që do ta shkrijë në datë 12, në datën 12 do fikë dhe platformën e-Albania dhe do kthejë sportelet, ky ishte betimi.

Në të gjithë Shqipërinë do kthehen sportelet, do kthehen radhët, do kthehen të gjitha, ndërkohë që numri i shërbimeve që ofrohen pa lëvizur nga vendi vetëm me celular ose kompjuter është 1252 dhe ka një sërë të dhënash të tjera se sa shumë para e kohë e mund janë kursyer njerëzve.

Këtu jemi tek shëndetësia. Kjo është tabela e rritjes së buxhetit të shëndetësisë, i cili në këto mandate tonat është trefishuar dhe së bashku me buxhetin e Mbrojtjes Sociale, sot jemi në 1 miliardë euro Shëndetësi dhe Mbrojtje Sociale.

Këtu jemi tek pagat e mjekëve, këto ishin pagat e mjekëve kur ne morëm detyrën, 490 euro, sot janë 1670, mesatarja jo paga më e lartë, mesatarja dhe synimi ynë është, dhe projeksioni i arsyeshëm, që në Shqipërinë 2030, pagat e mjekëve, mesatarja të jetë 2000 euro.

Pagat e mësuesve 420 euro mesatarja kur morëm detyrën, 950 sot, 1250 në Shqipërinë 2030.

Tani vijmë tek Tirana sepse është shumë e rëndësishme që të bëjmë një përmbledhje se çfarë ka ndodhur në qarkun e Tiranës në tërë këto vite, pasi në të gjitha rastet ndodh e njëjta gjë, për shembull në qarqet e tjera njerëzit, as nuk e dinë dot, nëse nuk e shohin vetë nuk kanë nga e marrin vesh se çfarë ka ndodhur në anën tjetër të kodrës, ndërkohë që në Tiranë dhe për Tiranën e gjithë biseda, i gjithë debati anti-propaganda bëhet rreth sheshit Skënderbej dhe kullat “kulla-beton, beton-kulla”.

Ky është muhabeti ordiner për zhvillimin e kryeqytetit. Këtu, si në çdo qark tjetër që do ta bëjmë këtë gjë, e fillova me qarkun e Vlorës do vazhdojmë ta bëjmë në çdo qark sepse është shumë e rëndësishme njerëzit ta shohin sepse këtu të bëjnë edhe për budalla fare “Nuk kanë bërë asgjë, 12 vjet është bërë më keq, nuk kanë program” dhe kjo nuk ka rëndësi fare çfarë thonë. Unë dua që njerëzit që ne na japin mbështetje e që janë shumica, njerëzit që ne do të na japin mbështetjen të kenë një informacion sa më të plotë që ndryshe nuk mund ta marrin dot as nga mediat, por as nga ne sepse ne gjatë gjithë periudhës së qeverisjes, ne informojmë, por ne informojmë nëpërmjet rrjeteve tona sociale, njerëzit kanë punë të tjera, ato gjëra që ne bëjmë në rrjetet tona sociale në mediat tradicionale shikohen shumë pak, kështu që përgjithësisht nuk ka informacion.

Shikoni se çfarë ka ndodhur me qarkun e Tiranës sepse është diçka e pabesueshme.

Ky është qarku dhe këtu fillojmë me 1 nga komponentët, për shembull, që kur flasim për Tiranën nuk e llogarisin fare që Tirana nuk është qyteti vetëm, por Tirana është dhe fshati, Tirana ka bujqësi, Tirana ka fermerë, Tirana ka shumë familje që punojnë me tokën, që jetojnë me tokën dhe vetëm në bujqësi janë investuar 38 milionë euro.

Nuk flasim këtu për eurot që kanë investuar çifti këtu, nuk flasim fare për çfarë kanë investuar subjektet private, flasim për mbështetje nga institucionet për mbështetje që ne kemi dhënë gjatë këtyre 3 mandateve për fshatin në qarkun e Tiranës për bujqësinë, jo për fshatin infrastrukturë etj., flasim vetëm për bujqësinë.

Këtu jemi tek, nuk jam i qartë ekzaktësisht se çfarë është kjo, por kam përshtypjen duhet të jetë për parkun, por ecim sepse nuk e kuptoj çfarë është kjo.

Vijmë tek shëndetësia dhe kujdesi social
Jemi në Tiranë, projekte për shëndetësinë dhe kujdesin social, ku hyjnë qendrat shëndetësore, ku hyjnë këto mbështetjet për këto fondet, fondin social, për organizatat etj etj, janë 290 milion euro. Nuk është spitali “Nënë Tereza” këtu, nuk flasim për investime në spitalin “Nënë Tereza”, flasim për investime në territor, siç e shihni këtu janë të gjitha investime të shpërndara në territor që kanë të bëjnë me shëndetin dhe me kujdesin social.

Vijmë të arsimi, 178 projekte, 235 milion euro, vetëm në qarkun e Tiranës.

Rindërtimi deri tani ka kushtuar 60 milion euro dhe kemi një numër, duhet ta kem, nëse s’është këtu e kam te shënimet e mia, një numër çelësash, apartamentesh shumë të lartë, 16 mijë çelsa, dyer që janë hapur falë projekteve të rindërtimit.

Këtu jemi në projektet që ne i quajmë rigjenerim urban, ndërhyrje në të gjithë territorin për të përmirësuar blloqe banimi, për të përmirësuar zona komunitare etj, 307 milionë euro.

Infrastruktura rrugore në Tiranë.

Shikoni se kjo është interesante dhe këtë të dhënë e kam nënvizuar edhe në qarkun e Vlorës. Shumë kush vazhdon flet dhe mendon sikur ne e bëjmë vetëm rrugë kombëtare dhe nuk interesohemi për fshatin. Dhe kur do filloni rrugët në fshat, për shembull, është një pyetje që vjen shumë shpesh. Dhe njerëzit nuk kanë faj, sepse nuk ua tregon kush. Patjetër që ka rrugë në fshat akoma, të cilat nuk janë prekur, patjetër që ka dhe patjetër që nuk është e vështirë për të marrë kamerën dhe për të shkuar dhe për të gjetur një rrugë në fshat që s’është prekur. Një rrugë ashtu me gropa apo që nuk funksionon, mund ta gjesh në çdo vend të botës në qoftë se shkon ta gjëmosh. Por shikoni se ça ka ndodh me infrastrukturën rrugore në Tiranë. 332 kilometra infrastrukturë rrugore dhe 95 % akses në zonën rurale është prekur. Është prekur qoftë me rrugë të asfaltuar, qoftë me ato që quhen rrugë të bardha.

Këtu jemi tek energjia. 48 projekte për energjinë elektrike janë bërë vetëm në qarkun e Tiranës për 36 milionë euro.

Ujësjellës kanalizime 49 milionë euro, 42 projekte dhe akoma ka punë për të mbyllur ciklin, por në afro 70% të saj Tirana ka ujë 24 orë.

Këto janë projektet e turizmit dhe mjedisit, 31 milionë euro. Flasim për financime shtetërore, jo për private.

Kultura, projektet e kulturës në Tiranë, 113 milionë euro që është një domosdoshmëri edhe për faktin se kultura në një kryeqytet si Tirana është në funksion të turizmit dhe gjeneron shumë lëvizje përmes aktivitetit të saj.

Edhe sporti. Këtu jemi tek projektet sportive që janë bërë dhe në përfundim besoj duhet të kemi tabelë përfundimtare.

Ne vetëm në qarkun e Tiranës, vetëm për qytetarët e Tiranës kemi investuar si shtet, duke bërë të gjitha ato lehtësitë që thashë më parë për biznesin e vogël, për tatim mbi pagat etj, etj 2.17 miliard euro.

Dhe nuk dua t’ju mbaj më gjatë, sepse keni dhe diellin përballë, unë e kam në profil. Por dua të them këtë, që pasqyrat e të gjitha qarqeve, pa përjashtim, flasin për disa gjëra shumë të qarta.

E para, në këto 12 vjet janë bërë më shumë punë, më shumë investime dhe nga investimet është krijuar më shumë ekonomi, sesa jo në të gjitha vitet e kënetës të marrës bashku, por se sa në shumë vite akoma të marra bashku.

Çfarë dua të them me në shumë vite akoma.

Dua të them për shembull që qendra shëndetësore të qarkut të Tiranës ose të qarqeve të tjera ishin ndërtuar në vitet ‘70 dhe nuk ishin prekur më, për shembull.

Që mos flas për spitale, të cilat ne i kemi rindërtuar nga e para, ose jemi tani në fazë rindërtimi, që janë ndërtuar edhe 100 vjet përpara, siç është spitali i Korçës apo siç është spitali i Gjirokastrës dhe ku janë bërë vetëm riparime. Ndërkohë, që ne po bëjmë rindërtim total, kjo është e para.

E dyta është që po të shikosh të gjithë logjikën e investimeve, kupton se nga vjen gjithë ky bum turistik.
Nuk e zbuloi bota Shqipërinë se ka det, as se ka diell, as se ka male, as se ka një natyrë të mrekullueshme. Të gjitha këto Shqipëria i kishte. Pse bota nuk erdhi përpara këtu? Pyetja e parë dhe pyetja e dytë është si shpjegohet që turizmi ynë rritet në numër dhe zgjerohet në hartë?

Nuk është një turizëm i përqendruar që vijnë njerëzit dhe shkojnë në det, është kudo.

Sepse gjithë logjika e investimeve ka qenë e tillë që të krijojë një lëviz tamam siç bëhet me lëvizjen e gjakut në organizëm që duhet të jetë qarkullimi i gjakut i tillë që mos krijojë pika kolapsi.

Ashtu kanë qenë dhe logjika e investimet tona për të investuar, duke hapur horizonte të reja brenda për brenda vendit, duke krijuar perspektiva të reja dhe duke marrë mbrapsht për të riinvestuar, kjo është e dyta.

Po të shikoni gjithë logjikën e gjitha këto që shikoni që kanë ngjyra mbi hartë janë investime, që të gjitha.

Është prekur gjithë territori në mënyrë të tillë, që i është dhënë mundësia e aksesit njerëzve, i është dhënë mundësia e lëvizjes, prodhimit i është dhënë mundësia e shtrirjes në territor turizmit që do të thotë që është edhe eksporti më i madh i një vendi si yni.

Dhe e fundit që lidhet me këto pasqyra është që ne kemi bërë me këto investime diçka që quhet dinjitet, pra i kemi dhënë vendit një pamje dinjitoze, i kemi dhënë vendit një kapacitet për t’u shfaqur përpara të tjerëve dhe për t’u respektuar nga të tjerët, njësoj si të gjithë përpiqen të vishen me kujdes, kur shkojnë diku, ashtu ne e kemi bërë me Shqipërinë, sepse Shqipëria ka hapur derën për të pritur njerëz.

Dhe të tre këto komponentë, janë komponentë që i kishin munguar komplet Shqipërisë në të shkuarën.
Ajo që unë mund t’ju them është që gjithë sa mund të shohim sot në mënyrë të përmbledhur ose mund të hyjmë dhe në mënyrë të detajuar është shtetbërje. Është e njëjta gjë, ekzakt e njëjta gjë, që është e dukshme këtu me punët, me investimet kapitale ka ndodhur dhe me sistemet, dhe me sistemin arsimor, dhe me sistemin shëndetësor dhe me sistemin e organizimit të administratës në tërësi.

Pra janë lidhur bashkë pikat në organizëm dhe organizmi i Shqipërisë ka filluar të funksionojë, të qarkullojë gjakun dhe të ecë me shumë më tepër shpejtësi.

Kjo është një punë që na ka ardhur ne fati ta kurorëzojmë duke anëtarësuar Shqipërinë në BE.

Dhe të gjithë këto janë të rëndësishme. Është shumë e rëndësishme që të gjithë ju dhe njerëzit ta dinë që ne jemi shumë të vetëdijshëm, që ka shumë akoma për të bërë dhe prandaj jam këtu akoma unë dhe prandaj jemi ne këtu, por mbi të gjitha këto më e rëndësishmja është, ne të garantojmë pakthyeshmërinë e gjithë kësaj rruge dhe në këtë proces pakthyeshmërie, të garantojmë pakthyeshmërinë e përpjekjes për të siguruar dinjitetin e shtetit dhe të qytetarit përmes barazisë para ligjit.

Barazinë para ligjit, ne kemi vetëm një mënyrë për ta bërë të pakthyeshme.

Të mos e lëmë në dorë të rastësisë, çfarë do të sjelli e ardhmja këtu brenda.

Të mos e lëmë në dorë të ndryshimeve që mund të vijnë në të ardhmen, jo shumë të largët, por jo dhe nesër, se nuk e dime.

Të mos e lëmë në dorë të një lideri X, Y dhe të një force politike që mund të shfaqet një ditë e të thotë “e di si është muhabeti, hajde t’i kthejmë përmbys dhe një herë nga e para”.

Që të mos ndodhë kjo, ne këtë gjë duhet ta kyçim në kasafortën e vlerave të BE.

Barazia para ligjit mund të garantohet vetëm duke e ulur Shqipërinë në sallonin e shtëpisë së Europës së bashkuar ku pastaj është e pamundur që një vend anëtar të marrë një drejtim tjetër nga gjithë familja.

Ju falënderoj shumë për durimin!

Shpresoj që ju vlejti ky prezantim. Shpresoj që i ka vlejtur dhe atyre që e kanë ndjekur dhe duke qenë se këtu jemi mes nesh, flas familjes sonë politike, do ju bëja thirrje të gjithëve që në këto ditë të mbetura të bëjmë çmos që të bindim sa më shumë njerëz, e para, që të ndalin në votim sepse ne vërtete do fitojmë por ndeshja fitohet, thotë Xhemali, themi ne katundarët domethënë e kësaj zone, ndeshja fitohet kur mbaron, nuk fitohet përpara. Kështu që, duhet t’ia bëjmë hyzmetin deri në fund dhe të gjithë dalim dhe të nxjerrim të tjerët në votime. Askush nuk duhet të rrijë, të bëjë ndonjë punë tjetër me idenë “të fituar e kemi, varja, punë e madhe. Një votë më shumë, një votë më pak, unë po shkoj për vizitë te vjehrra”. Jo, duhet marrë dhe vjehrra me vete që të votojë pastaj vazhdo punën. E para.

E dyta, duhet vazhduar çdo përpjekje me fqinjët tanë, me të njohurit tanë, me bashkëfshatarët tanë, me bashkëkatundarët tanë, bashkëqytetarët tanë demokratë. Çdo përpjekje për t’ju shpjeguar që të kuptojnë që këtu s’bëhet fjalë për një ndeshje mes dy forcash politike.

Këtu bëhet fjalë për fatin që na ka ardhur në dorë si shqiptarë, që së bashku ta bëjmë Shqipërinë anëtare të BE dhe fati në dorë do të thotë një votë ka secili, atë votë për ta investuar për Shqipërinë me BE në Europë, jo me bufin e kënetës prapë në gropë.

Shumë faleminderit!