Kryetari i PSSH Edi Rama e vijoi sot në Shkodër ciklin e prezantimeve të panoramës së përgjithshme ekonomike dhe bilancit të investimeve të bëra në këto tre mandate, qark për qark, ku ndau shifra dhe fakte të punëve të realizuara deri më sot në të gjithë vendin, e në mënyrë më specifike në Shkodër.

* * *

Mirëmëngjes! Shumë faleminderit për praninë tuaj në këtë ditë pushimi edhe në këtë orë pak të herët, për të ndarë me ju një pasqyrë që më duket e rëndësishme, sepse e kam thënë në disa raste dhe shtysa që unë të ndërmarr këtë cikël prezantimesh të panoramës së përgjithshme ekonomike dhe të panoramës së përgjithshme të investimeve të bëra në këto tre mandate, qark për qark më ka ardhur në mënyrë të befasishme pas një mbrëmje shumë të paharrueshme do të thosha, kur pasi kisha kaluar gjithë punët e ditës dhe kishte ardhur ajo ora e lundrimit nëpër pasqyrat e botës, gjë që e bëj çdo natë vonë, mu desh të hyja në pasqyrat e kënetës këtu, sepse ishte shfaqja e parë e anketimit të parë të atij sondazhistit të presidentit Trump, i kontaktuar nga një televizion dhe isha shumë kurioz të shihja rezultatet e anketimit, pasi e ndjek atë dhe është një nga më të famshmit në Amerikë dhe me një reputacion shumë të lartë, për shkak se ka arritur të shoh përtej sipërfaqes dhe për të dytën herë rresht, ka parashikuar fitoren e Trump-it, ndërkohë që shumë sondazhe të tjera e jepnin humbës.

Edhe më thënë të drejtën nuk gjeja fjalë dhe akoma në vështirësi se nuk besoj që gjenden fjalë për të përshkuar se çfarë kam përjetuar kur shikoja ato të dhënat e anketave dhe pastaj duhet të dëgjoja komentatorët që ishin aty mbi ato anketa.

E pabesueshme, realisht e pabesueshme edhe realisht e frikshme të mendosh se çfarë i bie këtij populli të shohë e të dëgjojë mbrëmjeve të debateve apo të komenteve politike, nëpër ato pasqyrat, ku një numër i caktuar njerëzish, nuk dua t’i fus të gjithë në një thes, se asnjëherë nuk janë të gjithë njësoj. Po pjesa e madhe e të cilëve janë realisht brenda një realiteti të krijuar nga vetë ata, arrijnë deri në atë pikë ku i pashë atë natë.

Edhe për hir të vërtetës ndoshta ajo befasi erdhi si rezultat i faktit që unë nuk i ndjek. Kam që pas zgjedhjeve të 2009-ës, unë nuk shoh debate dhe emisione politike. Ndjek kuptohet raportet që më bëjnë shumë shkurt, kur ka gjëra të veçanta, por nuk i ndjek se është, jo vetëm humbje kohe, por është edhe një konsum i jashtëzakonshëm energjish, edhe një mbarsje me jashtëzakonisht shumë energji negative që janë helm.

Del pasqyra e parë: “Shumica e shqiptarëve mendon se vendi po ecën në drejtimin e duhur”.

Kthehet biseda në studio, fillon muhabeti dhe në mënyrë më të pabesueshme, komenti dominant është që “nëse kjo është e vërtetë, nëse vërtet shumica mendon se vendi po shkon në drejtimin e duhur, atëherë jemi përpara një situate që është shumë më e rëndë seç e prisnim sepse “populli është i sëmurë”.

Edhe fillon diskutimi mbi “popullin e sëmurë”, pa asnjë lloj turpi fare, asnjë lloj sëkëlldie, disa njerëz të ulur.

Pastaj vjen pasqyra tjetër, “Shumica mbështet Partinë Socialiste”, atëherë vjen komenti tjetër; “Ose sondazhi është çmendur”, “ose është çmendur populli”. Domethënë, sëmundja e popullit shkon në një nivel tjetër dhe diagnostikohet “populli si i çmendur”. Pse? Se mbështet Partinë Socialiste.

Dhe pastaj vjen një pasqyrë tjetër, që është një pyetje që bëhet gjithmonë nëpër sondazhe: Që cila forcë politike mendoni që do fitojë? Dhe aty një numër më i madh se ata që mbështesin Partinë Socialiste, mos gabohem, ishte rreth afro 60%, 57%, 58% thoshin do fitojë Partia Socialiste.

Kjo tregon që problemi është edhe më i thellë. Jo, mo nuk është vetëm çështje sëmundje, as çështje çmendurie, këtu ka një gjë më të thellë se tani, shiko sa shumë janë ata që mendojnë, se do të fitojë Partia Socialiste. Domethënë, që këtu jemi në një situatë kur populli është i shitur, edhe i blerë.

Edhe fillon teoria, “popullin e ka blerë Rama në gjithë këto vite” “250 mijë njerëz në administratë, që është një shifër komplet e çmendur që s’ka lidhje fare. Administrata jonë publike ka më pak se 90 mijë njerëz. “Edhe ata janë në administratë”, “atyre u bëhet presion”, “po ata kanë dhe njerëz të tjerë”, “po shumica janë pleq”.
Po, jo – thotë tjetri, – është më keq, mund të jetë më keq, mund të jetë më keq, se ishin gjithë hipoteza mjekësh që ishin mbledhur një grup doktorësh popullorë atje edhe diskutonin për të vënë një diagnozë të një sëmundje të tmerrshme që nuk njihej deri në atë moment.

Jo i thotë, duhet të jetë më rëndë se kaq. Këtu mund të jemi në kushtet e një autokracie shumë më të egër se sa çfarë e kemi denoncuar ne të tipit putinian që do të thotë, “populli ka frikë”, “e ka frikën deri në palcë”, Edhe kur e pyet si po shkon vendi? “Mirë!” Kush do të fitojë? “Partia Socialiste” Kë mbështet? Partinë Socialiste. Domethënë njerëz të trembur që nuk dinë se çfarë flasin.

E me thënë të drejtën, e gjithë kjo më la atë natë pa gjumë, sepse është realisht e frikshme të mendosh se me çfarë ushqehet opinioni publik çdo natë, çdo natë dhe me çfarë ushqehet çdo ditë, kushdo që futet nëpër ato kanale për të marrë lajme nga portalet.
Po ju them pa asnjë ekzagjerim, se duke qenë se kaloi pjesë të madhe të kohës në makinë këto ditë, edhe ndjek ato që më çojnë nga stafi, pa asnjë ekzagjerim 95% e titujve që vendosen nëpër pasqyrat e portaleve që më citojnë mua janë të shtrembëruara, 95% të nxjerrë nga konteksti, të shtrembëruara, jo për qëllim, nuk besoj se është me qëllim, por besoj se është përfundimisht një botë ajo e mbyllur brenda vetes ku prodhohet lajmi, për shembull, është prodhuar një lajm që “Zëvendës/kryeministrja harxhon 10 mijë euro për të larë makinën dhe kjo përsëritet, pastaj kthehet në fakt, diskutohet aty, pastaj kthehet në faj e pastaj kthehet në pyetje që si ka mundësi dhe ti gjendesh përpara një situate, ose “Edi Rama pi verë 33 mijë euro”. Tani si luftohet me këtë dhe po jap shembujt më banalë sepse nuk është ky thelbi.
Për të ardhur tek prezantimi, mendova që është shumë e rëndësishme të ndajmë disa të dhëna, të cilat tregojnë pse në fakt populli nuk është i sëmurë, pse populli nuk është i çmendur, pse populli nuk është i trembur dhe pse populli nuk është as i shitur e as i blerë, por nëse shumica e popullit mendon se vendi po shkon në drejtimin e duhur, kjo lidhet me disa gjëra, që lidhen me jetën reale të njerëzve sepse ti mund ta thuash në ato moçalet e kënetës mediatike që “nuk ka ujë asgjëkundi” dhe “njerëzit po vdesin për ujë”, mirëpo fakti është që shumica dërrmuese e njerëzve kanë ujë të pijshëm në shtëpi dhe ata e dinë që ujin e kanë ose “Njerëzit nuk kanë bukë, po vdesin për bukë” por në fakt njerëzit e dinë se çfarë kanë dhe sa më shumë kanë sesa kishin dje ose “Nuk janë rritur pagat që nga 2013”, por në fakt njerëzit marrin paga që janë rritur më shumë se asnjëherë tjetër, etj.

Për më tepër, njerëzit jetojnë në të përditshmen e qyteteve, por dhe të fshatrave.

Tjetra, “Nuk ka rrugë në fshat”, por në fakt e kundërta është e vërtetë, që saç janë ndërtuar dhe janë bërë të aksesueshme rrugë fshati në këtë dekadë të fundit, nuk janë bërë në të gjitha vitet të marra së bashku.
Nuk është absolutisht populli problemi, problemi është që informacioni për punët e bëra dhe informacioni për të dhënat reale të ekonomisë dhe debati real sepse me këto, unë nuk dua të them që ne i kemi zgjidhur të gjitha problemet ose që nuk jemi të kritikueshëm ose që nuk mund të bëhet një debat real ose që nuk mund të kishte një alternativë reale tonën që të na sfidonte në fushën e fakteve, jo të luftonte me faktet dhe e fundit për këtë parantezë pak të gjatë është se duke qenë se nuk ka vend nëpër ato pasqyra për të dhënat, e para njëherë nuk ka vend për lajmet e mira nga asnjë sens, thjesht nuk ka dhe pyetja është “Nga do e marrin vesh njerëzit një lajm të mirë për ekonominë?”

Ne bëjmë përpjekjet tona, unë bëj përpjekjet e mia me ato rrjetet sociale, mirëpo këta i klasifikojnë shumë thjeshtë; propagandë, dhe kur shkon nëpër studio dhe prandaj prej shumë kohësh nuk kam shkuar më dhe do shkoj këto ditë se duhet të shkoj, kur ti fillon e tregon fakte; “Mos bëj propagandë tani se këtu jemi për një muhabet tjetër”. Po për çfarë muhabeti jemi? Unë jam këtu për të folur për gjëra që duan njerëzit t’i dëgjojnë nga unë si përfaqësues i qeverisë. “Lëre propagandën tani”.Po si more propagandë?

Unë tani kam sjellë këtu disa fakte të përgjithshme për të krijuar një ide se çfarë është bërë në këto vite sepse ka dhe një gjë tjetër, që nëse ne nuk do kishim bërë këto që kemi bërë dhe nëse Shqipëria do të ishte jo 100%, por do të ishte 25% e ngjashme me si e përshkruajnë këta, këneta e gjitha, ne nuk do ishim dot sot në tryezë me Bashkimin Europian për të negociuar anëtarësimin sepse Bashkimi Europian ka vërtetë vizionin e vet gjeopolitik, vërtetë ka strategjinë e vet politike, por Bashkimi Europian, kur vjen puna tek negociatat nuk merret me politikë fare, ”E bërë? Nuk e bëre? E ke? Nuk e ke? Po e lufton korrupsionin? Nuk po e lufton korrupsionin? Po e bën këtë reformën e administratës? Nuk po e bën këtë. Si po e bën këtë? Si po e bën atë?”

Ata kanë skuadër të super stazhionuar burokratësh që merresh 24/7 me të gjitha vendet dhe çdo vend që do të hyjë atje është 24/7 nën mbikëqyrje, ata merren me çdo detaj, ata studiojnë çdo sektor.

Ne sot negociojmë me Bashkimin Europian sepse këta të kënetës flasin “Tani nuk është puna tek Rama dhe tek qeveria, duan ata tani se është gjeopolitika”.

Kjo është kot, ne negociojmë me Bashkimin Europian mbi 250 mijë faqe, mbi çerek milionë fletë që nuk janë fletë shënimesh, që këtu kam një shënim që thotë “Ke Zyliha Milotin, mos harro ta shohësh”. Të përshëndes dhe të falënderoj shumë, por nuk është çështje pusullash, janë kuadër rregullator i përgjithshëm, ligje, vendime, masa, standarde, kritere në çdo sektor dhe në negociata janë 1000 persona, nuk e ekzagjeroj, 1000 punonjës, 1000 nëpunës të shërbimit civil, që janë të institucioneve të tjera.

Janë të gjitha institucionet e shtetit, janë ata të drejtësisë, janë autoritetet e pavarura, rregullatorët, të gjithë ministritë, afro 40 grupe me negociatorët përkatës dhe 1000 janë nga krahu tjetër. E imagjinoni dot që janë 1000 nga krahu tjetër? Është makina më e madhe burokratike e botës Bashkimi Europian dhe ata merren me çdo sektor, me çdo detaj, me çdo produkt, ti do negociosh çdo produkt, veza, peshku, midhja, gaforrja, çdo produkt do ta negociosh, do negociosh si do t’i hedhësh ti hapat për të përmbushur x gjëra për institucionet e drejtësisë, do negociosh ekonominë, do i negociosh të gjitha dhe si mundet tani që ata të pranojnë të negociojnë me një vend që është “Narko”?

Si mund të imagjinohet kjo? Si mund të pranojnë të negociohet me një vend që nuk ka ujë, nuk ka drita, nuk ka bukë e nuk ka asgjë? Natyrisht që ne kemi probleme në të gjitha këto drejtime, por janë probleme shumë më të reduktuara seç kanë qenë dhe këtu kam sjellë një pamje të përgjithshme dhe do t’ju falënderoja paraprakisht për durimin sepse mbase nuk është shumë i shkurtër.

Ky është prodhimi i përgjithshëm i Shqipërisë. Kjo është ajo që prodhon vendi në totalitetin e vet. Prodhimi i brendshëm bruto, domethënë sa kapacitet prodhues të vlerës financiare ka vendi dhe këtu futen të gjitha, ato që janë, kuptohet, zyrtare dhe që janë legale dhe këtu kemi sa ishte prodhimi i përgjithshëm se këtu është interesante, këta dalin atje me ato kravatat dhe ato kostumet si bolshevikë se ju duket vetja si modernë dhe thonë “Këtu nuk prodhohet asgjë more. Këtu vjen mishi nga Brazili”, seç thonë ca gjëra që janë gjysmë të vërteta që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, “Çfarë prodhohet këtu? këtu nuk ka asnjë fabrikë” ndërkohë që këtu hapen fabrika vazhdimisht dhe prodhimi, ajo që prodhonte Shqipëria kur ne morëm detyrën ishte më pak se 10 miliardë euro, sot është më shumë se 25 miliardë euro. Kur ke një rritje 2 herë e gjysmë të prodhimit në një dekadë, je më mirë apo je më keq? Je më i fortë apo je më i dobët? Ke më shumë për të rishpërndarë apo ke më pak? Projeksioni për 2030 është 35 miliardë, por këtu duhet të bëj një specifikim, projeksionet tona nuk janë si ato përrallat e bufit, nuk janë si ato që lëshojnë këto partië që vijnë vërdallë,’’do bëjmë këtë e do bëjmë atë’’. Këto janë projeksione të qeverisë së vendit, s’janë programe për të marrë vota dhe ky projeksion është bërë nga ekspertët e Ministrisë së Financave dhe në bashkëpunim. Ne bashkëpunojmë shumë edhe me ekspertë ndërkombëtarë sipas fushave të ndryshme, ndërkohë që drejtpërdretjë me mua punon kryeekonomisti i Kancelares gjermane, që qëndroi me të 10 vjet dhe të gjitha këto që ne flasim për ekonominë, janë gjëra.. sepse ne nuk mund të dalim si qeveri e të themi ‘’Ne do ta bëjmë PBB në 2030-ën, 50 miliardë’’. Në momentin që unë dal e bëj këtë, pa mbaruar mbledhja dhe nuk ekzagjeroj asgjë, fare, pa mbaruar mbledhja midis atyre grupeve të negociatorëve vjen një telefonatë e thotë; “ça është kjo?’’
Ose në çdo drejtim tjetër sepse negociatat janë një marrëveshje midis një ‘’shtëpie’’ të pasurish me 27 vende dhe një vendi tjetër, që duhet të kalojë të gjithë check up-in e kapaciteteteve të veta shtetërore dhe që duhet të provojë me të gjthë mangësitë dhe të gjithë prapambetjen që mund të ketë me ata që janë aty brenda, duhet të provojë që është një shtet me institucione dhe që flet dhe bën gjërat siç duhet. Nuk mundet ne të hedhim fishekzjarre, nuk mundemi ne të dalim e të themi se do t’i bëjmë pensionet 500 euro, se në atë moment, atje nuk kemi ansjë lloj kredibiliteti për të vazhduar diskutimet.
Këtu jemi tek rritja dhe kjo është një tjetër pasqyrë e rëndësishme se ne nuk veprojmë në një kontekst jashtë kontekstit të përgjithshëm, ne nuk jemi në garë më Gjermaninë. ‘’Ne ishim të dytët pas Gjermanisë’’ dhe ju e mbani mend mirë në Shkodër, këtu luftoi komunizmi, duke mos bërë asnjë punë dhe duke lënë plehrat që të zëvëndësonin gjelbërimin nëpër rrugë, por ne krahasohemi me veten dhe krahasohemi me rajonin dhe ne jemi në një rajon që ka qenë shumë më përpara nesh, shumë më përpara nesh nga të gjitha drejtimet.

Ne jemi në një rajon që ka trashëguar një bazë industriale, një bazë industriale që ne e shkatërruam komplet në fillim të viteve ’90.

Nëse sot, Serbia ka një industri ushtarake, është një industri ushtarake e trashëguar dhe produket e asaj industrie ushtarake, janë produkte të gjeneratave më të vjetra, por janë më të rëndësishme sot, ose janë bërë të rëndësishme në vende të caktuara të botës dhe ata bëjnë dhe eksporte etj. Pra, nuk është një industri ushtarake që ata e ngritën pasi dolën nga ish-Jugosllavia, ashtu sikundër dhe plot industri të tjera.
Kroacia që hyri në BE ka plot industri të tjera dhe plot baza industriale që vinin nga e kaluara, ne i shkatërruam të gjitha, totalisht dhe ndëkrohë kur ne kemi marrë detyrën, në raport me PBB, ishim më dobët se të gjithë.

Shikoni tani këtu, kjo është dekada e fundit, rritja e PBB në dekadën e fundit në Shqipëri dhe në të gjithë rajonin. Shqipëria ka rritjen më të lartë të PBB dhe këtu jemi në 109% dhe pastaj vijnë vendet e tjera. Dhe kjo nuk është pasqyra, dhe këto nuk janë pasqyra, të gjitha xhanëm, këto janë pasqyra të FMN, BB etj. Pra ne i kemi rritur me 109% PBB, mesatarja e rajonit ështe 64%.

Këtu jemi tek të ardhurat për frymë. Edhe kjo është një e dhënë që është shumë domethënese. Kemi pasur të ardhua për frymë 3300 euro,sot i kemi 10 300 euro. Në 2030 do i çojmë në 15 mijë euro.

Tani, ne e dimë shumë mirë që ka një problem, është një problem i përgjithshëm, e kanë të gjithë, të rritjes së kostos së jetesës, por ama po të marrësh të shikosh më në brendësi dhe do vijmë më pas, kam përshtypjen, tek çështja e inflacionit.

Ky është borxhi publik, ne morëm vendin me një borxh publik zyrtar 70 e kusur % por s’ishte ky. Problemi që ne gjetëm, ishte borxhi i fshehur që e kishte bllokuar ekonominë dhe dihet që njerëzit e vlerësojnë një qeveri për ato që bën. Por thuhet në një fjalë ‘’ekonomistët e vlerësojnë qeverinë për atë që nuk lejon të ndodhin’’dhe në këtë rast nuk është qeveria. Në këtë rast është populli shqiptar që në 2013, e ka shpëtuar Shqipërinë në fije të perit, duke ndërruar dorën e drejtimit, sepse Shqipëria në 2013 ka qenë në prag të një kolapsi të dytë shumë të ngjashëm me atë të piramidave, sepse ishte e bllokuar. Si ishte e bllokuar? Mbi këtë borxh, kishte një borxh tjetër rreth 700 milionë që nuk janë pak, janë shumë për Shqipërinë që ishte borxh ndaj kompanive.

Thuheshin “rrugë, rrugë, rrugë”, por ju e dini shumë mirë që asnjë rrugë, as edhe një nuk u pëfundua, as rruga e Kombit që është e vetmja dhe kishte dhe një fillim dhe një mbarim kur hyje dhe arrije në fund, nuk ishte e përfunduar, ishte një rrugë e lënë në mes të rrugës.Por e kishte një fillim.
Të gjitha rrugët e tjera, ju e dini shumë mirë se ju nga Shkodra keni shkuar në Tiranë, kishte shumë. Ju e dini shumë mirë që aty thuhet sikur ishin bërë, nuk ishte bërë asgjë. Ato ishin tendera të bëra për të hapur gjithandej gropa, për t’i rënë daulleve githandej që po bëjmë rrugët, por cili ishte problemi? Ato kushtonin, le të themi 100 milionë, qeveria kishte vënë në dispozicion 10 milionë. Dhe 10 milionë ndarë kompanive dhe thënë ‘’fillloni, vazhdoni dhe ne ua kemi’’. Kompanitë ça bënin? Kompanitë shkonin nëpër banka, kishin kontrata me qeverinë, normalisht s’ka më mirë se kontratat me qeverinë se qeveria s’ka ku ikën, do ia marrësh një ditë lekët, bankat jepnin kredi dhe erdhi një moment që qeveria s’kishte lekë për t’i dhënë kompanive, kompanitë nuk kishin lekë për t’i dhënë bankave dhe u krijua një stok kredish të këqia, që ishte në pikën fundore ku fillon alarmi.
Shikoni këto ishin, domethënë çereku i kredive në banka ishte i keq. Nuk kishin mundësi kthimi dhe qëndrueshmëria e bankave ishte në rrezik. Dhe nuk ishin vetëm rrugët. Kompanitë që furnizonin spitalet, kishin ndaluar furnizimet. Ju kujtohet, ka qenë një kohë se flasin tani për ilaçë këta, ka qenë një kohë kur njerëzit rrinin varur tek kangjellat e spitaleve, me receta. Nga ana tjetër e rrugës ishin farmacitë private sepse kompanitë nuk furnizonin më spitalet se nuk paguheshin. Kemi shlyer borxhe për ilaçe, për rrugët patjetër që na mori gjithë mandatin e parë shlyerja e boxheve, rifillim punimesh dhe ato rrugë që u tenderuan atëherë, të gjitha kanë vazhduar të ndërtohen nga ne deri për shkumësat. Nuk kishte shkumësa nëpër shkolla sepse kush sillte shkumësa, nuk kishte më lekë. Kjo ishte situata në atë kohë se kalojnë vitet, natyra njerëzore është e tillë, e ka bërë Zoti për merak, që e keqja harrohet shpejt, e mira s’ka fund dhe dakord jemi me këtë. Invalidët, personat me aftësi të kufizuara nuk kishin marrë më asnjë lek. 40 milionë euro se i kam të fiksuara, 40 milionë euro i kishte shteti borxh personave me aftësi të kufizuar. Nuk jepnin më lek dilnin ata të shkretët me karrocë e me paterica i mbysnin në dru. Kjo ishte Shqipëria. Dhe sot ja ku janë kreditë e këqija. 4.2 është nivel normal, kredi me probleme që i ka gjithë bota.
Kthehemi pak tek borxhi se është shumë i rëndësishëm momenti i borxhit se ne kemi bërë rritje ekonomike por nuk kemi bërë rritje ekonomike, rritje të asgjëje në kurriz të themeleve të ekonomisë. Sepse të rrisësh ekonominë me borxh është njësoj si të shtrosh njerëzit në tavolinë në shtëpi dhe të shtrosh darka speciale duke marrë borxhe. Vjen një moment dhe ti humb shtëpinë.
Dhe borxhin sot duke pasur parasysh që kaluam Covidin, kaluam tërmetin që na u desh prapë të merrnim borxhe, e kemi ulur me 16 pikë përqindje në 54% dhe projeksioni është ta çojmë tek vija e artë e 50%-it.
Po kur thonë i solli koha, e këndi dëgjuar këtë? Është e bukur kjo. Hë se këto i soli koha, çfarë është bërë mirë i solli koha, çfarë nuk është bërë akoma nuk është bërë për fajin tonë. Koha solli dhe Covidin. Ne e përballuam me shumë sukses. Koha soli dhe tërmetin por sot 90% e gjithë atyre që humbën shtëpinë janë në shtëpi shumë më të forta, shumë më të bukura, shumë më të mira dhe i kanë marrë falas, pa asnjë kokërr leku dhe pa asnjë qindarkë kredi, gjë që nuk e bëjnë shtetet e tjera.
Këtu jemi tek përqindja e popullsisë në rrezik për varfëri. Kjo është një shifër shumë e rëndësishme sepse këtu flitet sikur është një vend ku varfëria është ulur këmbëkryq ndërkohë që këtë statistikë nuk e nxjerrim ne, e nxjerr Eurostat. Institucioni Europian i Statistikave. Dhe shikoni nivelin e rrezikun e rënies në varfëri në disa vende që janë vende të BE dhe qe janë vende dhe të rajonit. Dhe ne e kemi ulur në një nivel që është një nivel mjaft i arsyeshëm mes një numri të madh vendesh të BE.
Këtu jemi tek pabarazia në të ardhura se ky është një tjetër raport i rëndësishëm, se këtu thuhet janë 5 oligarkë, të tjerët po vdesin të gjithë. Gjithë pasuria shkon te 5, se kush janë nuk e di se unë nuk njoh asnjë oligark në Shqipëri se ne Shqipëri nuk ka oligarkë, ka njerëz të pasur, por oligarkë jo se oligark do të thotë të vendosesh ti dhe qeveria të jetë kukull. Emrat që unë dëgjoj sikur janë oligark, më besoni presin shumë gjatë për të marrë një takim me mua, jo më për të vendosur gjë që është në detyrën dhe përgjegjësinë e qeverisë për ta vendosur, por kjo është temë tjetër.
Pabarazia në të ardhura ka rënë në 4.9%. Pra shpërndarja e të ardhurave është bërë shumë më e ekuilibruar dhe shikoni tek mesatarja e vendeve të BE dhe ky është EUROSTAT, nuk jemi ne. Mesatarja e vendeve të BE 4.72, Shqipëria 4.9, Serbia 5.5, e ka më të lartë negativisht. Rumania 5.8, Bullgaria 6.6 pra nuk jemi një vend anormal. Jemi një vend normal sot që flasim me të gjitha problemet që kemi. E përsëris, nuk jam këtu për të thënë që jemi përpara një tabloje rozë. Absolutisht jo, tabloja jonë ka drita, ka hije, i ka të gjitha ngjyrat, ka dhe pika të zeza pa diskutim.
Këtu jemi tek tregu i punës. Për herë të parë papunësia është nën 10% dhe këtu dua të bëj një sqarim. Se shumëkush thotë “ah ka rënë, kanë ikur njerëzit”. Jo, nuk është përqindje e popullsisë, është përqindje mbi forcat e punës. Sa e ke forcën e punës dhe sa nga forca e punës i ke jashtë pune. Nuk është përqindje e përgjithshme. Nuk është përqindje duke futur këtu pensionistë e fëmije, vetëm forcat e punës dhe është rënia e parë në dy shifrat, 8.8%.
Këtë e kam shumë qejf sepse iu ka mbetur ajo atyre, kua-kua-kua-ve “ku i ke 300 mijë vende pune”. Këta janë të punësuarit kur ne morëm detyrën, 1 milionë e 23 mijë dhe këta janë emër mbiemër, vend pune, paga, kontribute. Nuk janë statistika, anketa. Këta janë njerëz realë. 1 milionë e 23 mijë. Në fund të 2024-ës, pasqyra më e freskët 1 milionë e 327 mijë.
Tani, mes kësaj dhe kësaj a janë 300 mijë të paktën se janë ik më shumë, po janë 300 mijë në mes? Ja ku janë 300 mijë. Dhe natyrisht që me aritmetikën sot jemi në hall se ka filluar një sulm dhe ndaj aritmetikës e keni parë. Ne e dënonim Lulin artistin kur thoshte 7×7, 42 edhe na dukej sikur ishte një tmerr i madh por tani është 7×7, 6 milionë dhe ka dhe një X mbrapa se nuk dihet se çfarë vjen pas atij 6 milionëshit që nuk është zbuluar akoma.
Ndërkohë që këto nuk janë aritmetikë e bazuar tek imagjinata individuale, këto janë shifra njerëzish me emër dhe me mbiemër të punësuar në Republikën e Shqipërisë.
Kjo është një tjetër e dhënë që është shumë e rëndësishme. Këta janë të punësuarit dhe këtu e kemi vënë qëllimisht me lek, që mos të thotë se euro është më e fortë, me lek, 40 mijë lek të reja.
Shikoni sa njerëz jetonin me më pak se 40 mijë lek kur ne morëm detyrën, 60% e njerëzve që punonin. Shikoni sot sa ka rënë, nën 15 % dhe është një shifër kjo që lidhet shumë me kontratat e pjesshme.
Këtu jemi tek rritja e pagave. Kjo flet vet, është paga minimale. Ishte 157 euro, është 400, në janar të 2026-es do bëhet 500 dhe në fund të mandatit, në Shqipërinë 2030 do jetë të paktën 650 euro. Por ka një fakt tjetër, në sektorin privat është gjithmonë e më shumë e qartë nga të gjitha të dhënat tona që pagat minimale tashmë ka shkuar tek 500 mijëshi, madje ka shumë që kanë shkuar dhe më lart, pse? Sepse kane nevojë për krah pune dhe paguhen me shumë.
Kjo është rritja e pagave të përgjithshme, kjo është mesatarja e pagës publik-privat. Ishte 322, është 848 euro sot. Dhe do të shkojë ta paktën 1000 euro në Shqipërinë 2030, mesatarja. Ndërkohë që kjo është në sektorin publik. Është 1000 euro sot në sektorin publik paga mesatare, dhe do shkojë 1200 euro të paktën në Shqipërinë 2030.
Këtu jemi te pensioni mesatar. Ky është pensioni mesatar i bazuar te sigurimet e plota. Sot që flasim. Sot që flasim, ne kemi 2 blloqe pensionistësh dhe kjo është pamja më e qartë, por dhe më e dhimbshme e dallimit mes nesh dhe kënetës, edhe shëmbëlltyra e asaj që nuk është koha. Nuk është koha që sjell. Koha sjell njerëzit, njerëzit pastaj e bëjnë kohën. Deri në momentin që ne kemi marrë detyrën, ne nuk kemi pasur sistem pensionesh në Shqipëri. Ka qenë i vetmi vend në Europë, nuk e di andej në kontinentet e tjera, mund të ketë dhe të tjera, që nuk kishte sistem pensionesh. Kishte një sistem asistence. Pse? Sepse ishte vënë një tavan 24 mijë lekë. Ti mund të kishe punuar 50 vjet, mund të kishe plotësuar të gjitha detyrimet, nuk kishte rëndësi fare, 24 mijë lekë ishte. Gjithë të tjerët poshtë. Dhe kjo ndodhi në momentin kur u shkatërrua baza industriale e vendit, u hodhën në rrugë njerëzit dhe u quajtën pensionistë. 40 vjeç pensionistë. Sa ushtarakë e sa punëtorë e sa njerëz mbetën në rrugë dhe morën statusin, emrin pensionist. Dhe pastaj filluan të bëjnë punë të tjera natyrisht. Ajo që bëmë ne me reformën e 2014, është që ne vendosëm sistem pensionesh që do të thotë, sistem i bazuar në sigurime. Sa paguan kontribute, aq të del pensioni. Dhe sot kemi një bllok pensionistësh që janë para reformës, dhe një bllok që janë mbrapa dhe po të shikoni, është e dhimbshme që shumë pensionistë, për të njëjtën punë, mësues, për të njëjtat vite pune 40 vjet, kanë pensione të ndryshme. Ata që kanë dalë përpara e kanë pensionin më të ulët, ata që kanë dalë mbrapa e kanë pensionin më të lartë. Pyetja që bëjnë të gjithë dhe që është pyetja më normale, çfarë faji kemi ne që na ra kjo fatkeqësi që të dilnim në pension në kohën kur ata që sot, në mënyrën më të habitshme, iu premtojnë pensionistëve që do të zgjidhin problemet, i lanë pensionistët me një barrë drush në kurriz që nuk hiqet gjithë jetën. Absolutisht nuk kanë asnjë faj, pyetja është shumë e thjeshtë. A mundet ne të bënim në këto vite diçka që do të na sillte, në mos ne do sillte të tjerët mbas disa vitesh, në të njëjtin pozicion ku ishim në 2013. Kjo që ne po bëjmë, është që po e mbyllim gropën. Nëse ne do të fusnim dhe të tjerët pa u bazuar te sigurimet, do ta hapnim gropën. Por nga ana tjetër ne nuk mund të rrimë, ju e pësuat për shkak të kohës së atëhershme, njerëzve të atëhershëm, situatës së atëhershme dhe ne do vazhdojmë strikt, sepse është e pamundur. Për këtë arsye ne, në rritjen e bonuseve, po ta shikoni e kemi marrë në konsideratë diferencën, ata që kanë pensionin nën 200, e marrin bonusin më të lartë. Ata që kanë pensionin mbi, e marrin më të ulët. Kemi rritur bonusin, kemi dyfishuar, nga një bonus kemi bërë dy bonuse dhe duam të mbajmë dy bonuse sepse kemi projeksione shumë të mira të rritjes së të ardhurave. Përsëri, nuk janë vetëm bonuset që mund të zgjidhin këtë punë, sepse kostoja do shkojë duke u rritur dhe nga ana tjetër ata do të kenë nevojë, kështu që paralelisht ne do të ecim që të arrimë t’ju japim të gjithëve pa përjashtim, para 2030, një pension minimal 200 euro. Ndërkohë që pensioni mesatar do të shkojë 400, ai i sigurimeve të plota.
Këtu jemi te taksat, kjo është shumë e rëndësishme për një aspekt tjetër dhe kjo shpjegon shumë për prodhimin e përgjithshëm. Për aspektin që ne kemi sot një biznes të vogël në Shqipëri, që është biznesi i vogël më i ‘’përkëdhelur’’ dhe e them në kuptimin e mirë, jo për keq nga qeveria e vet. Është i vetmi biznes i vogël në rajon, se në Europë as që bëhet fjalë, por në rajon, pa taksa. Para se të shkoj te biznesi, po flas për të punësuarit. Shikoni si ka qenë taksa kur ne morëm detyrën. Kjo e zeza. Të gjithë njësoj, 10%. Këtu hynin pagat e sanitareve, pagat e ministrave, pagat e deputetëve. Të gjithë këtu dhe të gjithë jepnin 10% nga paga që është sistemi më i poshtër dhe më i padrejtë, sepse 10% nga një pagë e lartë, nuk të vret aq sa të vret 10% nga një pagë e ulët kur ty ta merr shteti. Dhe ne kaluam te sistemi i taksimit të ndershëm. Kush fiton më shumë, do paguajë më shumë, kush fiton më pak do paguajë më pak dhe bëmë që 57% e të punësuarve në Republikën e Shqipërisë mos paguajnë taksë mbi pagën. 93% e të punësuarve në Republikën e Shqipërisë dhe këtu janë në publik dhe në privat, të paguajnë më pak se 10% që paguanin dikur. Vetëm 7% e të punësuarve në Shqipëri paguajnë më shumë se 10% dhe ata që fitojnë më shumë, patjetër.
Këtu jemi te taksa mbi fitimin e biznesit. Shikoni ku kemi qenë dhe biznesi i vogël konsiderohej biznesi që merrte deri në 55 mijë euro, kishin dy fasha 35 mijë euro xhiro në vit dhe 55 mijë euro xhiro në vit. Sot, ne e kemi rritur tavanin në 100 mijë euro dhe 140 mijë euro. Quhet biznes i vogël. Dhe shikoni ku janë sot në tatim fitim. Zero! Çfarë ka sjellë kjo? Kjo ka sjellë që nga biznesi i vogël 100 mijë euro xhiro në vit, pa TVSH dhe pa tatim fitimin, kanë përfituar 98 mijë subjekte dhe shteti, qeveria ka vendosur vullnetarisht që 66 milion euro mos t’i marrë taksë në vit, por t’ua u lerë atyre që krijojnë një biznes, vetëpunësohen, punësojnë të tjerë dhe 66 milion euro në vit, kam përshtypjen se janë 660 në 1 dekadë, milion, apo jo, vetëm nga këta që ja kemi hequr arkës së shtetit. Pastaj vjen fasha tjetër që është biznesi deri në 140 mijë euro xhiro që ka marrë 58 milion euro, që janë 580 në mos gabohem në 1 dekadë. Pra, 660, 580 kapërcejmë miliardin e të ardhurave që në vend t’i merrte qeveria, i kanë marrë njerëzit. Ky është totali. 125 milion. Shkojmë në 1 miliard e 250 milion. Kthehu te taksa mbi tatimin mbi fitimin, mbi pagën. Është hall i madh me ne. Nuk kthehemi dot mbrapsht. Nuk kthehet dot mbrapsht, shkojmë vetëm përpara.
Kjo më pëlqen shumë, e dini pse? Këtu janë gratë dhe vajzat. Kjo është pabarazia gjinore. Shikoni ku ishim, është klasifikim i Kombeve të Bashkuara, shikoni çfarë vendi ishim si vend i pabarabartë mes gjinive, shikoni ku jemi sot. Vendi i 23-të në gjithë klasifikimin e Kombeve të Bashkuara dhe kjo është vetëm Partia Socialiste.
Shkalla e papunësisë për gratë, e njëjta gjë ka rënë nën 10%. Vazhdojmë se ka dhe një tjetër që është dhe më e bukur, që është pjesëmarrja e grave në forcën e punës. Vetëm gjysma e grave merrnin pjesë në forcën e punës. Sot ka arritur në 70%.
Këtu jemi te paga mesatare e grave që është, 848 është e përgjithshmja, 820 është e grave.
Këtu janë investimet huaja, edhe këtu jemi në rajon me rritjen më të lartë të përqindjes së investimeve të huaja në prodhimin e përgjithshëm.
Këtu jemi te ekspertet, se Shqipëria nuk prodhon, nuk prodhon, nuk prodhon, s’ka asgjë, s’ka bukë, njerëzit vdesin rrugëve, mbeten pa varrosur etj, etj. 2.8 miliard euro eksportonte Shqipëria kur ne morëm detyrën, 9.1 miliard eksporton sot, 3 herë më shumë.
Pagat e mjekëve, sot janë 1670 euro mesatarja, ka edhe më shumë, 2000 euro do të jenë në Shqipërinë 2030, mesatare.
Këtu janë një sërë programesh sociale. Dëgjoni, ne kemi krijuar fondin më të madh të mbështetjes sociale në historinë e këtij vendi dhe sot faktikisht Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka arritur të këtë një buxhet 1 miliard nga të cilat 25 % janë mbrojtje sociale. Dhe këtu janë shumë programe, nuk dua t’i kaloj të gjitha, po dua të ndalem tek 2, 3. Këta janë fëmijët me nevoja të veçanta ku hyjnë fëmijët autik, edhe të tjerë, edhe ne do ta dyfishojmë që nga janari i 2026-s mbështetjen për nënat e tyre.
Këtu kemi shërbime për personat me nevojat e veçanta, mbasi iu kujtohet që vinin protestonin të parlamenti, kemi bërë edhe një diskutim me ta aty dhe 15.200 persona që kanë nevoja të veçanta, kanë marrë paketën e tyre të trajtimit të veçantë siç e kërkonin vetë.
Kjo është ndihma ekonomike. Kemi pothuajse përgjysmuar numrin e familjeve me ndihmë ekonomike dhe kemi trefishuar buxhetin për pjesën që është sot në ndihmë ekonomike.
Këtu jemi tek shërbimet sociale. Bashkitë nuk kishin asnjë shërbim social, zero. Sot 100 % e bashkive janë pjesë e rrjetit të shërbimeve sociale.
Kjo është një shifër që e kam shumë përzemër. Këto janë 9200 nëna në Shqipëri që janë të papuna dhe që kanë tre ose më shumë fëmijë. Për to çdo vit qeveria jep 25 milion euro për t’iu paguar sigurimet shëndetësore dhe shoqërore që do të thotë që për shkak se ato nuk shkojnë në punë, se kanë shumë fëmijë nuk mund të mbeten pa pension dhe kur të dalin në pension, do të keni pension dinjitoz të mbuluar nga qeveria shqiptare.
Këtu jemi te bonusi i bebes. Janë 227 mijë bebe që kanë marrë bonusin. ju e dini që bonusin e kemi rritur 400 euro për fëmijën e parë, 800 euro për të dytin, 1200 për tretin. Duke filluar nga viti i ardhshëm, do të ndryshojmë skemën, nuk do të jetë më një çek menjëherë në maternitet, por do të jetë një pagesë e shtrirë çdo muaj sipas numrit të fëmijëve për të ndihmuar në mënyrë sistematike familjet e reja për rritjen e fëmijëve të tyre.
Këtu jemi te pagat e mësuesve. Mësuesit sot kanë shkuar në 950 euro pagën mesatare dhe do të shkoj në 1250 euro në Shqipërinë 2030.
Këtu jemi tek mbrojtja, e kam nxjerrë këtë veç sepse është shumë e rëndësishme koha që jetojmë, problematikat që kemi, detyrimet si anëtarë të NATO-s dhe shikojeni, kjo është një shifër që flet vetë. Nga 28 milionë euro, 28 milionë euro jepeshin për mbrojtjen, një ushtri dordolecësh më e keq paguara e rajonit, më e keq pajisura e rajonit, korrupsion. Një i korruptuar i famshëm i asaj ushtrie është sot kandidati i kënetës, 280 milionë euro e kemi sot buxhetin e mbrojtjes. Por nuk është vetëm buxheti, janë edhe të gjitha planet dhe investimet që po bëjmë për industrinë e mbrojtjes. Në Shqipërinë 2030, ne do të kemi hedhur bazat e një industrie ushtarake të ekselencës, industrie prodhuese, eksportuese dhe mbështetëse për forcat tona të armatosura. Ndërkohë që këtu jemi tek paga mesatare e ushtarakëve sot dhe ambicia jonë është sot të kemi ushtrinë më të paguar të rajonit, përfshirë edhe Serbinë. Por ambicia jonë është që në Shqipërinë 2030 pagën e ushtarakëve ta çojmë në mesataren e vendeve të NATO-s, që është ambicie e madhe. Por vetëm kështu shohim që po rritet interesi dhe i të rinjve që të marrin formimin ushtarak dhe dhënë kështu do të bëjmë dhe ripërtëritjen e gjeneratave në ushtri.
Këtu, tani jemi te Shkodra. Po bëj një parantezë, ky është qarku i Shkodrës. Po bëj një parantezë, ndryshe nga të gjithë qarqet e tjera, në këtë qark ka një gropë, në 10 vjet. Gropa është gropa e bashkisë së vjetër të Shkodrës. Deri përpara se këtu Beneti të merrte detyrën, këtu ju e dini ça ishte kalaja e shkëmb graniti kundër komunizmit e tjerë, e tjerë, edhe s’bëhej fjalë për projekte. Prandaj, në aspektin si bashki në dekadë, Shkodra ka marrë më pak investime se të gjitha bashkitë e tjera qendër qarku, jo se s’kemi dashur ne, por, sepse s’kemi pas dot asnjë bashkëpunim normal me bashkinë e Shkodrës, nuk kemi pasur. Ju e dini shumë mirë se si ishte situata, dhe ishte një çështje mentaliteti që shpresoj të jetë përmbysur dhe uroj që në 11 maj Shkodra të na e japi këtë lajm që është përmbysur, se tashti në fund të ditës njerëzit kur zgjedhin, nuk zgjedhin dhëndrin, as krushkun, zgjedhin kalin që do t’ia tërheq më shpejt karrocën. Dhe tani të zgjedhësh një kalë gjysëm të ngordhur se të pëlqen ngjyra dhe të mos zgjedhësh një kalë që ta tërheqë karrocën me shpejtësi, se s’të pëlqen ngjyra, vetëm në Shkodër e kam parë unë këtë punë, deri dje. Shpresojmë që mos ndodhi më.
Këtu tani jemi tek qarku. Gjithsesi ka një gjë që mua më bën shumë krenar personalisht, por që është një nga shumë mitet e ngritura nga këneta që është komplet pa asnjë bazë, e keni dëgjuar 100 herë Edi Rama s’do veriun, Edi Rama s’do verioret, Edi Rama. Unë nuk e di se si, se si, sepse në atë pemën e komplikuar të familjes time rrënjët janë të shpërndara dhe kam rrënjë edhe në Shkodër, kam rrënjë edhe në Mirditë. Kështu që nuk e di unë se si s’e dua, përveçse përtej të tjerave në Shkodër kam pas njerëzit që më kanë udhëhequr mua, më kanë mentoruar mua si artist që nga Danish Jukniu, te Edi Hila me historinë e Shkodrës kam qenë shumë i lidhur. Gjyshja ime katolike më ka ndikuar shumë. At Zef Pllumin e kam pas privilegjin ta kem shumë mik, e tjerë e tjerë, po kjo është histori tjetër.
E vërteta është që çfarë kemi bërë ne për veriun, – hiqe, jo hiqe, po nuk ia u heq rrugën e Kombit si iniciativë dhe si përpjekje, edhe pse është njëkohësisht edhe një nga veprat më të korruptuara të historisë, po kjo është punë tjetër, – ccfarë kemi bërë ne për veriun nuk është bërë nga të gjitha qeveritë e tjera më përpara dhe të gjitha akset strategjike të veriut për ta hapur veriun ndaj turizmit i kemi ndërtuar ne, të gjitha dhe këtu dua të them që ka qenë për mua fat që kam pasur Benetin tek Fondi i Zhvillimit.
Beneti ishte një nga mbetjet e pakta të të kaluarës që kishte vlerë të plotë ricikluese. Ata janë mbetje të pariciklueshme, Beneti ja ku e keni dhe falë Benetit në radhë të parë sepse janë projekte që i kemi bërë me Benetin, nuk i çanim dot këtu ne me bashki e me gjëra, falë Benetit janë të gjitha këto, një pjesë e madhe sepse tani ka ardhur edhe Fondi i Ri i Zhvillimit por të gjitha këto akset e asfaltuara, këtu jemi në 315 kilometra rrugë të brendshme të qarkut të Shkodrës në 1 dekadë, le t’i nxjerrin çfarë kanë investuar në çerek shekulli të tjerët dhe të bëjmë krahasimin.

Unë e kam bërë për vete, nuk ka krahasim, nuk kishte rrugë. Si shkohej në Vermosh? Kush shkonte në Vermosh? Si shkohej në Theth?

Sot 95% e territoreve janë të aksesueshme ose me rrugë të bardha ose me rrugë me asfalt.

Nuk diskutohet që aksesi nuk është kudo perfekt dhe duhet të vazhdojmë punën, për këtë jemi këtu, por jemi tek më shumë çerek miliardë euro investime për qarkun e Shkodrës, 414 projekte janë bërë për qarkun e Shkodrës.
Këtu jemi tek rigjenerimi urban. Është një nga qarqet me numrin më të madh të projekteve të rigjenerimit urban, afro 50 milionë euro dhe këtu flasim Malësi e Madhe, flasim Pukë, flasim Fushë Arrëz, flasim Vau i Dejës dhe këtu një pjesë e konsiderueshme ka hyrë tani dhe është bashkia e Shkodrës.

Këtu jemi tek projektet e turizmit dhe të mjedisit. Tani, a e parafytyroni ju se sa vite duhet të shkosh mbrapsht dhe të mbledhësh shifrat për të arritur tek 20 milionë euro të dhëna nga qeveria për turizëm dhe për mjedis në Shkodër? E parafytyroni? Nuk e parafytyroni. Unë them duhet të shkosh deri nga vitet ’70 që t’i mbledhësh dhe ta bësh këtë. Ne i kemi bërë në një dekadë.

Këtu jemi tek ujësjellës-kanalizime, 73 milionë euro janë investuar deri tani për 43 projekte për ujin e pijshëm dhe kanalizimet në qarkun e Shkodrës.

Këtu jemi tek energjia që ka qenë një problem shumë i madh, ka akoma disa pika ku është problem, por po i japim zgjidhje edhe zonës së Bogës dhe po shkojmë edhe të mbyllim edhe Thethin dhe do kemi furnizimin normal me energji, por shikoni se sa është investuar në qarkun e Shkodrës dhe për shkak të hidrocentraleve nuk diskutohet, por shikoni se sa e ka volumin e investimeve vetëm për infrastrukturën energjetike, 124 projekte.

Këtu jemi tek bujqësia, 43 milionë euro mbështetje për qarkun e Shkodrës, këto janë projekte agroturizmi, agrobiznesi dhe patjetër këtu hyn edhe kanalet ujitëse dhe kulluese.

Këtu jemi tek arsimi dhe këtu është për të ardhur keq që nuk kemi më shumë, por tani ka filluar të ndryshojë për shkak të projekteve të reja për shkollat edhe në Shkodër që realisht, vetëm ato shkolla që kam parë unë këtu që duhet të kthehem prapa në kohën kur ishim ne në opozitë për t’i gjetur ato shkolla në Tiranë e ku di unë, vetëm ato shkolla janë mjaft që këtu të mos guxojnë fare të vijnë ata të tjerët të kërkojnë votë nga shkodranët që janë arsimdashës. Vetëm lënia e fëmijëve të Shkodrës në ato shkolla është e mjaftueshme që normalisht të mos vijë njeri këtu fare të kërkojë mbështetje dhe prindërit e Shkodrës të mos ja japin më mbështetjen atyre që ia kanë lënë fëmijët në ato shkolla si fëmijë të dorës së dytë brenda Republikës së Shqipërisë.

Këtu jemi tek shëndetësia, këtu hyjnë qendrat shëndetësore, spitali etj, 19 milionë euro, 56 projekte.

Këtu jemi tek sporti. Natyrisht, këtu janë kontributet e qeverisë, qoftë për palestrat, terrenet sportive e qoftë dhe vlera që kemi kontribuar ne për stadiumin.

Kultura, 3.5 milionë euro, duhet të jetë më shumë, duhet të shkojë më shumë dhe tani me Benetin besoj se do të shkojë më shumë.

Këtu jemi tek totali. Tani shikoni investimin e përgjithshëm të qeverisë shqiptare në qarkun e Shkodrës, 1,3 miliardë euro në 10 vjet, është një nga qarqet më të financuara të Shqipërisë dhe 1,3 miliardë euro Shkodra, ju betohem, nuk i ka marrë, jo në 25 vjet më parë, por as në 40 vjet më parë.

Këto ishin fjalët e mia për këtë moment. Fjalët e tjera vazhdojnë përpara bashkisë.

Ju falënderoj shumë, kam shumë besim që do kemi gjithë mbështetjen e nevojshme, jo për vete, por për të vazhduar për të bërë për Shkodrën të gjitha ato gjëra të reja që kemi nisur dhe për të vazhduar projektin transformues dhe ambicioz që unë kam fatin të kem Benetin këtu dhe i ndajmë të gjitha ato ëndrrat se si mund të bëhet kjo e si mund të bëhet ajo.

Ju falënderoj shumë!