Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama në Lezhë për prezantimin e arritjeve të deritanishme dhe projeksionet për të ardhmen:

Shumë faleminderit dhe po mendohesha a duhet tua shpjegoj apo e dini vetë ju, që Pjerini nuk thotë të vërtetën kur thotë që nuk e dija që do dilja të flisja këtu, po vetëm mundohuni të viheni në pozitën time, sikur largqoftë mos të kishte dalë Pjerini të fliste, pasi doli Beneti e foli në Shkodër për këtë lloj prezantimi dhe tani, përtej shakasë që në këtë rast është e gjitha e vërtetë, unë dua që ta filloj këtë prezantim me një konsideratë shumë të veçantë për Kryetarin e Bashkisë që nuk është i zoti se e kam unë shok, por e kam shok se është i zoti.

Edhe më ka sfiduar, edhe më ka provuar që unë isha gabim kur mendoja që një polic nuk mund të transformonte Lezhën.

Tani arsyeja pse po i bëj këto prezantime, është sepse dhe do ta përsëris dhe mbase e keni dëgjuar, por për ata që nuk e kanë dëgjuar dhe që na ndjekin, kam pasur një moment shumë tronditës befasisht një natë, pasi kisha mbaruar gjithë punët e tjera dhe kam një orë kur të gjithë shkojnë të flenë dhe ju të gjithë shkoni të flini, unë shoh një çikë ça ndodh nëpër botë, por atë natë u futa në kënetë.

U futa në kënetë se kishte dalë sondazhisti i Donald Trumpit që është një nga sondazhistët më të mirë, më me famë në USA dhe që faktikisht parashikoi fitoren e Trumpit , nga të paktët, kur të gjithë thonin se do humbiste.

Isha shumë kurioz se çfarë kishte gjetur në anketimin e vet të parë këtu për Shqiërinë dhe hyra në youtube në atë pasqyrën e kënetës mediatike që e kishte atë sondazh dhe mbeta komplet i shokuar.

Jo nga sondazhi, por nga komentatorët, nga ata që juve me siguri i njihni, i shihni se shkoni i shihni, unë kam që në 2009 që nuk shoh debate, nuk shoh emisione politike në tv dhe për shkak edhe të emisioneve politike, kemi hequr edhe komplet edhe informimin nga këto kanalet e kënetës mediatike në Tv e shtëpisë, por natyrisht që marr informacion vazhdimisht nga stafi që merret me mediat.

Patjetër që në raste të caktuara më çojnë dhe materiale filmike, që dalin, por fragmente të vogla që i shoh përgjithsisht në makinë, por në atë natë mbeta komplet pa fjalë. E dija dhe e di që të futesh në ato moçale është hall i madh sepse e para, nuk merr asnjë infromacion serioz, merr vetëm gjysmë të vërteta që janë edhe gënjeshtra më të mëdha, e dyta ka shumë helm, por e treta, ajo që konstatova unë, se pastaj i kam ndjekur edhe të tjerat, komente dhe sondazhe, ajo që konstatova unë, është që këta kanë krijuar një botë të vetën, të cilën e kanë mbushur me opinionet e tyre, i kanë nxjerrë faktet jashtë nga bota e tyre dhe kanë faktet e veta.

Kanë ndërtuar një botë alternative faktesh dhe vërtiten me atë vorbullën e tyre dhe hedhin çdo nat ujë kënete në pjatën e gjithëkujt që e ka Tv në kuzhinë dhe e hap për të parë çfarë flitet në Shqipëri dhe nuk është aspak pastaj e çuditshme pse 95% e tyre, që i thonë vetes dhe i kanë vetes titulin analist, që më kujton dhe gjëra të tjera, 95% e tyre flasin çdo ditë prej 12 vjetësh, kundër nesh, thonë çdo ditë më të zezat kundër meje dhe në fund populli nuk i dëgjon. Nuk ështe e rastit, nuk bëjnë opinion, por gjithësesi helmojnë dhe përçajnë shumë.

Tani ça ndodhi atë ditë? Atë natë. Dilte një faqe e sondazhit, shumica e shqiptarëve mendojnë që vendi po shkon në drejtimin e duhur. Kthehej në studio muhabeti, në studio, domethënë ato berberhanet që rruajnë e qethin tërë dynjanë. Mjerë kush futet aty se mua kështu më duket andej nga fundi, më dukej sikur futeshe tek berberi dhe vinin e më kapnin e më qethnin pa leje. Sikur futesha për të pyetur ‘’ore , dini gjë ku është rruga filan’’? .’’Hajde, hajde dhe …’’

Dhe kthehej në berberhane muhabeti dhe fillojnë këta ‘’në drejtimin e duhur Shqipëria, shumica shqiptarëve mendon që shkon në drejtimin e duhur? Po ça bëhet kështu? Mos e ka gabim ky’’? – i ktheheshin atij. Ai në Amerikë. Ai thoshte dhe korrekt me të vetën.

Ah, atëherë këtu kemi një fakt , që populli është i sëmurë. Shumica e popullit është e sëmurë. E sëmurën popullin si fillim. Doli ajo tjetra dhe thoshte ‘’Shumica do votojë PS’’. Si ka mundësi? Ore, po mos është çmendur sondazhi- thoshte njëri.

-Jo, jo, o është çmendur sondazhi, o është çmendur populli, një nga të dyja, dhe ishin sagllam që e diskutonin.
Doli tjetra: – Si e mendoni ekonominë në dy vitet e ardhshme? Shumica thonin ‘’ më mirë’’.
-Ua, kjo është e tmerrshme.
Po ta shikonit atë, do habiteshit.
-Ne nuk dikemi ku qenkemi, po ne paskemi mbetur…
Nuk e thoshin paskemi mbetur vetëm, thoshin po ne paskemi mbetur në duart e një populli që qenka shitur komplet.
-Jo, -thoshte tjetri- shitur jo, por blerë. E ka blerë Rama.
-Po si e ka blerë?
-Po me 250 mijë punonjës në administratë.
Po 250 mijë punonjës në administratë nuk kanë qenë kurrë, ne kemi më pak se 90mijë punonjës në administratë. Pastaj doli dhe një tjetër e thoshte ‘’kush mendoni se do fitojë?”. Aty pastaj shtohej numri por edhe shumë nga ata që nuk do votonin për ne, thoshin do fitojë PS se e dinë njerëzit se njerëzit janë vërdallë. E dinë edhe ata të kënetës këtu që kush do fitojë në Lezhë. Edhe e thoshin ata. Aty iku fare. Aty e humbën pin-in komplet dhe thoshin që ‘’tani kjo tregon që qenkemi në një autokraci putiniane dhe nuk e paskemi kuptuar. Ketu frika paska hyrë aq shumë në palcë, sa këtë milet kur e pyet se ‘’si të duket situata’’, thonë mirë nga frika. Kur e pyet ‘’për kë do votosh’’, thotë PS nga frika; kur e pyet ‘’se si do jetë ekonomia pas 2 vjetësh’’, thonë do jetë më mirë nga frika. Dhe kur e pyet ‘’kush do fitojë’’, u bëkan më shumë që thonë do fitoje PS dhe këta qenka tmerruar të gjithë.

Edhe pyetja ime që kërkon përgjigje, por unë nuk e di, e kam pyetur dhe Ulsiun se këta dibranët kanë përgjigje për çdo pyetje, por këta kanë 3 përgjigje për të njëjtën pyetje dhe ti nuk di cila është ajo që duhet të marrësh për të vërtetë, pyetja ime është: ‘’Ore , po mirë, si nuk e ngritën këta një moment pyetjen, mos vallë populli është në rregull dhe ne kemi ndonjë..”, se unë si njeri po të isha aty dhe po të shikoja këtë realitet do thoja, po mirë mo çuna, se kemi kaq vite këtu që bëjm ham-ham, e kua –kua, po këta ne sa më shumë i shajmë, këta më shumë rriten? Ore mund të jenë të gjitha këto po ekziston dhe versioni që mos ndoshta jemi ne çyrykë? Se tani këta që thonë “Edi Rama i thotë popullit çyryk’’, këta i thonë popullit i sëmurë. Unë s’i them poupullit çyryk, i them një pjese dhe kur këta më dolën vetë në tv dhe mu prezantuan, çfarë t’i them unë këtyre që thonë “Populli është i sëmurë, populli është i shitur, populli është i blerë, populli është i çmendur” çfarë t’i thuash këtyre?

Pse është populli i gjithë këtyre të zezave? Se nuk do të shkojë në kënetë, por ajo që mendova tani, në aspektin tjetër, si ka mundësi sepse ne realisht, të paktën ne e dimë, ne të tre këtu, edhe ju ndoshta e dini, por ndoshta nuk e dini, por ne e dimë që kur vjen puna tek këneta mediatike, 95% ne nuk i kemi pozitivë në sensin që jo të na lavdërojnë, por që të tregojnë edhe se çfarë bëjmë ne.

Për shembull, dhe këtu po filloj, kush e ka marrë vesh ndonjëherë nga këneta që prodhimi i përgjithshëm kombëtar i Shqipërisë në 3 mandatet tona është rritur 2 herë e gjysmë? Ka qenë më pak se 10 miliardë euro, pra e gjithë vlera e grumbulluar në vend nga puna, nga investimet, nga investimet e huaja e të gjitha ka qenë 9,6 miliardë euro, më pak se 10 dhe është mbi 25 miliardë dhe projeksioni për 2030 është 35 miliardë.

Tani, cili është shpjegimi im që pse populli, pavarësisht se çfarë thonë këta, na mbështet neve më shumë? sepse e gjithë kjo vlerë nuk është në cloud të Google, është në realitetin e Shqipërisë, është në punët e shqiptarëve, është në xhepat e popullit, është në arkën e kompanive, është në gjithë lëvizjen e madhe të ekonomisë, të konsumit, e kështu me radhë sepse ndryshe pse do na vinin njerëzit nga mbrapa dhe të thonin “Po t’ia japim prapë këtyre” nëse do të ishte e kundërta, nëse ne do e kishim gjetur Shqipërinë këtu e do e kishim çuar këtu? Patjetër që populli do thoshte që këtu gjërat janë skandal dhe duhet ndryshim, por populli e di që këtu duhet ndryshim dhe çdo ndryshim e sjellim ne, ndërkohë që çdo ndryshim për keq është kur ti e lë gjithë këtë punë dhe shkon hidhesh në kënetë.

Isha në ishull të Lezhës tani dhe shkova të vizitoja atë shtëpinë e vjetër, kam qenë para disa vitesh dhe ishte komplet e rrënuar dhe ishte bërë një vend shumë i bukur, ai zotëria aty kishte investuar. Aty kishte nevojë akoma, por ama, si të thosha unë që ai nuk e kishte transformuar nga çfarë ishte?

Patjetër që aty duhet akoma e prandaj ai zotëria ka nevojë për mbështetje akoma, kjo është shumë e thjeshtë, nuk mund të thuash që “Shiko tani se meqë këtu janë dhe disa gjëra që nuk janë bërë, ti zotëri do ta lësh këtë punë dhe do vijnë ata që deshën ta djegin”. Nuk funksionon dhe në këtë aspekt, unë mendoj që pikërisht prandaj këneta mediatike nuk ka impakt mbi njerëzit. Natyrisht që helmon një pjesë, natyrisht që ka një pjesë që janë ajo pjesë që unë them “Kur njeriu i ka sytë top dhe kur nuk do të shohë është më i verbër se dikush që nuk i ka sytë nga natyra ose Zoti sepse ai përpiqet të shohë dhe sheh shumë më tepër nganjëherë, edhe se nga ne që i kemi sytë në vend, kurse kush i ka sytë e nuk do të shohë ai është qorr absolut, mos u merr me të. Kush është me veshët top dhe këngën e bufit e dëgjon në çdo note, kurse nuk do të dëgjojë faktet, harroje, ai është më shurdh se çdolloj shurdhi”.

Këtu jemi tek rritja e prodhimit, jo më në raport me veten, por në raport me rajonin tone, ku ishim delja e zezë, vrima e fundit e kavallit. A ju kujtohet kur thonin dhe na thonin “Shihni Maqedoninë, merrni shembull nga Maqedonia”. Ku është Maqedonia tani? Ku është? Nga është? Ja arritja e Shqipërisë në këtë dekadë e prodhimit të brendshëm, ja rritja mesatare e rajonit dhe kjo rritje këtu është një rritje, e cila është e klasifikuar jo nga ne, por është e klasifikuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe nga organizata të tjera ndërkombëtare, është hartë që nuk e kemi bërë ne.

Këtu jemi tek të ardhurat për frymë.

Pra, prapë kthehemi tek populli, kthehemi tek njerëzit. Sa janë të ardhurat për frymë në vit, për banorë?

Ishin 3300 euro, sot janë 10 300 euro. Do jenë 15 mijë në Shqipërinë 2030. Po të shikojmë tek, nuk e di a e kemi klasifikimin në rajon, po të shikojmë tek rritja e të ardhurave për frymë ka ndodhur e njëjta gjë, kemi qenë taban fare dhe jemi ngjitur në mënyrë të ndjeshme, flasim gjithmonë me rajonin. Ne nuk konkurrojmë me Gjermaninë, me Gjermaninë patën konkurruar, e mbani mend kur dolën të dytët pas Gjermanisë? Ka qenë momenti kur ndërhytë ju dhe shumica e shqiptarëve që i mori me shkelma e i çoi nëpër shtëpia sepse edhe pak duhet të rrinin aty dhe do na kishin futur prapë në gropën ku na futën në ’97. Ashtu ka qenë situata, por do jua shpjegoj pak më vonë.

Këtu jemi tek borxhi. Borxhi zyrtar kur ne kemi marrë detyrën ka qenë kaq, 70% por ka pasur edhe një borxh tjetër që ishte borxh më i tmerrshëm që nuk ishte i shpallur, ishte borxh i atyre rrugëve që ngelën rrugëve, ishte borxh i atyre tenderave që u bënë nga të katërta anët për të hapur rrugë nga të katërta anët dhe ju e keni parë dhe e keni përjetuar se si u hapën rrugët këtu për të ardhur në Tiranë, ranë dhe shumë daulle “rrugë, rrugë, rrugë” dhe papritur rrugët mbetën rrugëve dhe kur ne (ja, i doli bufi në xhep njërit, e ndjeu. Ka filluar të axhitohet sepse 6 milionë për Latifin edhe nuk e bëri…) tha “Po marr Latifin, po i jap 6 milionë që Latifi të më ndihmojë këtu tua bëj këtyre, neve domethënë, detin kos këtu, kurse ai të ma bëjë mua oqeanin kos. Detin kos po e bën në fakt sepse po bën premtime spektakolare, spektakolare i ka ato premtimet, bën edhe disa gabime, në Gramsh tha “Shikoni çfarë i bënë Gramshit këta, nga 50 mijë njerëz e bënë 60 mijë njerëz”, në Fier tha “Do ju japim statusin e minatorit të gjithë atyre që kanë punuar në naftë”, ndryshim i vogël nga kromi tek lëngu nuk ka problem.

Çfarë kishte thënë tjetër more Ulsi se ti e ndjek atë? Është në ankth të madh sepse erdhi tani, erdhi dita tani e të vërtetës sepse deti kos u bë këtej, por oqeani mbeti i pakalueshëm, mesa kuptoj unë, mbase e kalon, nuk e di, bufi buf edhe fluturon por për momentin ka lloc. E keni parë ju? Se është tamam kënetë se më thonë mua “Pse i bullizon?”
Unë nuk i bullizoj, satira dhe karikatura janë format më të larta të kritikësh, janë thumbuese, kanë humor, po kanë humor. Satira është e dhimbshme, të dhemb shumë, po s’është faji i atij që bën satirën, është faji jot pse të dhemb, pyet veten.
Pyet veten se më tha një nga këta kandidatët diku: ça ke që më rreh? Ça kam bërë tha që më rreh? Unë nuk e di ça ke bo, po ti e di pse të rrah.
Kështu që e dinte vetë ai pse po rrihej, më thonte mua, ça kam bërë? Jo dru kështu, se ishte Ulsiu prezent, ishte dhe Beneti prezent, jo dru kështu.
Shiko është kënetë tamam, bufi është buf rri kështu. Shiheni tani, viheni re me kujdes, se ka dalë dielli, e çfarë bëjnë. Marrin një tendë këta, i shkojnë me tendë nga mbrapa, e fusin bufin në hije lart atje dhe të tjetër rrinë në diell, edhe ai thotë ato: Pensionin deri në 200 euro, do e bëj 200 euro dhe ato nën 200 euro. Domethënë aty në hije, kënetë komplet, po ti shohësh ato fotografi është kënetë, e mblidhen ata të gjithë, siç mblidhen i keni parë bretkosat kur mblidhen. nejse ju i dini se keni një kënetë këtu afër.
Pra u bllokuan kompanitë. Ça ndodhi? Pse u bllokuan? Se këta kishin po them 100 milion euro total, e keni parë se e tregon bufi, e tregonte bukur një ditë, po ishte içik e gjatë për ta fut në ato kanalet e historisë së satirës shqiptare, se thonte: E di si e bëja unë thoshte, unë i thërrisja i thoja shiko, do rrisim paga, do rrisim këto, do rrisim ato, pasi i rritnim këto i thoja 500 milion për rrugët, 500 milion i gjenin ata, “Just do it” si Nike.
Mirëpo ja si i gjenin ata. Vendosnin punime për 100 milion, edhe nxirrnin 10 milion, se aq kishte. I thonin kompanive fillo punën ti tani me 100 mijë euro, ti tjetri me 100 mijë euro rruga Milot-Balldren, filloje me 100 mijë euro, se ti kemi ne dhe ti e ke kontratën me shtetin. Shko në bankë, merru në bankë, edhe vazhdo punën.
Edhe këta të shkretët patriotë të gjithë, se na mbytën patriotët nga të katër anët, po atëherë s’bënin dot llafe kompanitë, se i shalonte bufi edhe. Se bufi, se 6 milionë nuk janë asgjë për bufin, se këneta është plot poshtë. Se nga i ka, këto janë, e dalin patriotët andej të shkretët.
Erdhi momenti, ata merrnin kredi nëpër banka, vazhdonin punët, por nuk kishin më kapacitet kthimit të kredive. Edhe llocën të gjithë, 700 milionë e ca. Dhe erdhi situata kur kreditë hipën këtu shihe u zhyt, u zhyt komplet si puna ime këtu. Kjo ishte niveli i detit. Zhyt brena shkoi te 25% kredi të këqija, domethënë që nuk i kthenin dot njerëzit, bankat filluan të hyjnë në probleme, dhe kur shkon 25 % kredia keqe e bankave është dritë e kuqe alarm, mund të bjeri sistemi, siç ra në kohën e Sudes e të Vebiut, po për shkaqe të tjera.
Erdhi puna që as shkumësa për shkollat, është kështu? Shkumësa për shkollat, e di zysha se ka qenë me dërrasë të zezë, po s’kishte shkumës me vete, edhe i gjenin, i bënin mësuesit me gëlqere, e kupton. Shkumësat nuk shkonin, sepse kompanitë nuk i furnizonin dot më, se s’jepnin lekët.
Ilaçet në spital s’kishte më, ju kujtohet fundi 2012-ës s’kishte më fare ilaçe. Del tani, bufi flet për ilaçe. Kjo është ç’të them unë. Del flet për ilaçe, s’ka ilaçe, ndoshta s’ka ilaç për atë. Se ai ka një problem që s’ka ilaç që i bë derman më, se është ai momenti kur duhet të shkosh të tregosh përralla stërnipërve, jo të rrish të bësh çorap një vend.
Po ça të them unë tani, edhe Zoti e di kë harron, po hë mos ki merak.
Edhe nuk kishte furnizim.
Shikoni ku janë kreditë e këqija sot dhe asnjë rrugë nga ato që deklaronte, asnjë nuk mbaroi. Rruga e Kombit, që është e vetmja vepër që nuk mund t’i thuash që nuk pati fillim dhe nuk pati fund, se pati fillim dhe pati fund, u la dhe ajo rrugëve. Dhe e keni pa vetë se sa shumë kemi bërë ne për ta përfunduar, po po e lëmë atë. Atë nuk po e fusim ke kaosi total, megjithëse ajo i kushtoi shqiptarëve një hata.
Një hata është gropa më e madhe e korrupsionit në historinë e transformimit ekonomik dhe demokratik të Shqipërisë më e madhja është mbi 1 miliardë ajo, dihet botërisht. Por e lëmë atë.
Rrimë te rrugët e tjera, të gjitha arna, copa, gropa. Kemi bërë një analizë të rrugës nga Muriqanit në Tiranë dhe pastaj te poshtë deri në Kakavijë, që zbret.
E merrni dot me mend që në një linjë rrugë të ketë 27 standarde? 27 standarde, domethënë i bie që të shkoj unë për një kostum, edhe të më bëjnë mëngët e Erion Braçës, të më bëjnë jakën, jakën e gjejeni, vërjani emrin vetë, kujt doni, larg qoftë Tomorr Alizotit, të më bëjnë gjatësinë e xhaketës, si të Kujtim Gjuzit, pantallonin e majtë të ma bëjnë të hollë, si si këmbët atij si e ka ai Ulsi? Nejse, nuk po hyjmë tani te këmbët e te këto, mos pyet tani se po prishim shijen.
Po me një fjalë të kesh një kostum me 27 përmasa. A mund ta veshësh dot? A mund të ecësh dot? A mund të lëvizësh dot? Kështu i bën rrugët e Shqipërisë, projektet.
Projekti i Qafë-Plloçës kishte diferencë domethënë ishin dy shpate malesh që do lidheshin me njëra-tjetrën me urë. Diferenca ishte 17 metra, domethënë ishte një kështu si ato pistat e skive ku hidhen, domethënë të vishnin makinat me shpejtësi këtu, të futeshin 17 metra poshtë dhe e merrnin me mend se k u të shkonim dhe gjithë kjo është dashur të kthehet mbrapsht përmbys komplet dhe e gjitha kjo E çoi vendin në një pikë ku vendi mund të kolapsonte.
Ndërkohë që sot të gjitha rrugët e nisura dhe të gjitha rrugët e reja janë rivendosur në standarde, janë të gjitha me standarde sipas kategorive të standardeve të Bashkimit Europian.
Kjo është e rëndësishme, është rreziku i rënies në varfëri. Këta thonë që gjithë Shqipëria është pa bukë, pa ujë, pa drita, njerëzit vdesin rrugës, varrezat janë mbush, ngelën njerëzit rrugës, tjerët ikin, 1 milion kanë ikur.
Bëj census sa të dush, nxirr shifra sa të dush, nxirr fakte sa të dush, shko, natën berberhane, t’i qethin të gjitha, edhe del prapë në fantazitë e tyre. Por ja që këtë nuk e themi ne, këtë e thotë Eurostati, që është institucioni i statistikave europiane.
Rreziku për varfri në Shqipëri ka vajtur 19.2 % dhe shikoni këtu mesataren e vendeve të BE-së lidhur me rrezikun në varfri dhe jemi në një vijë ku ka plot vende të Be-së që janë shumë më mirë se ne, po ka dhe vende të BE-së që janë nën ne. Kjo është Shqipëria e sotme.
Pabarazia në të ardhura kemi pas një problem shumë të madh, dhe këtu e këtu kemi kap 2017-ën. Ndërkohë që 20130 ka qenë edhe më keq, kemi pas një problem shumë të madh të rishpërndarjes. Si shpjegohet që pabarazia në të ardhura ka vajtur në më pak se 5 dhe 4.9 e kemi ne pabarazinë në të ardhura, 4.7 është mesatarja e vendeve të BE-së dhe po të shikoni të gjitha këto vende të tjera, më fal shkallën e pabarazisë. Serbia ka 5.5, Rumania 5.8, Bullgaria 6.6 dhe këto janë në BE. Pse? Sepse është krijuar më shumë ekonomi, janë krijuar më shumë të ardhura dhe është ri shpërndarë më mirë. Pra ajo radha e 5 oligarkëve që i marrin të gjitha, që oligarkë në Shqipëri nuk ka, se oligark nuk mjafton i pasur, duhet të jesh i pasur por duhet të jesh edhe pushteti që kontrollon pushtetet. Do të thotë që e vendosin ata se çfarë do bëjë qeveria, çfarë do bëjë parlamenti. Nuk ekzistojnë këta njerëz në Shqipëri, nuk janë. Një nga këta për të ardhur për të marrë takim me muaj duhet të presë tre muaj, e dinë të gjithë. dhe harroje që të bëjmë ne gjëra që nuk shkojnë. Po patjetër, ata janë njerëz që janë punëdhënësit më të mëdhenj në Shqipëri, taksapaguesit më të mëdhenj të Shqipërisë dhe s’ke arsye pse ti shigjetosh, duhet thjeshtë t’i respektosh, duhet thjeshtë t’i shohësh si aleatë ku interesi privat dhe interesi publik duhet të harmonizohen. Por ata kur ishte këneta paguanin taksa sa biznesi i vogël. 10% ata, 10% biznesi i vogël. 10% 15 katëshi, 10 % furra e bukës këtu ën Lezhë. 10% Teg, 10% marketi i Lezhës. Kështu pra kështu ishte. Sot marketi i Lezhës, furra e bukës dhe biznesi i vogël paguajnë zero. Ata paguajnë 15%. Dhe shikoni këtu tani te biznesi i vogël si ka ardhur historia. Biznesi i vogël ishte deri në 35 mijë euro konsiderohej biznes i vogël, fasha e parë, fasha e dytë 55 mijë dhe tek fasha e parë deri tek 35 mijë euro 10% taksë, kishin TVSh ata por kishin taksë dhe ishin më të lodhurit. Tek 55 mijëshi taksë, TVSh dhe taksat vendore më të renda sesa ato të biznesit të madh. Kur erdhëm ne e çuam në zero dhe jo vetëm e çuam në zero por ne rritëm pragun, domethënë jo 35 mijë euro xhiro në vit se është shumë pak. Ata që janë 35 mijë euro në vit janë realisht që punojnë veten e vet dhe familjen, në rastin më të mirë. E çuam 100 mijë euro dhe për 100 mijë euro vumë zero TVSh, zero taksë. E kemi thënë do e mbajmë deri në 2029-ën dhe do ta mbajmë deri në 2029 pa taksa. Shikojeni këtu se kjo shifër ka shumë rëndësi. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që çdo vit ne 66 milionë euro nuk i morëm për buxhetin e shtetit, i lamë në arkën e familjeve të këtyre njerëzve këtu.
66 milionë euro në vit. Shikoni këtu, vetëm 27% e bizneseve të vogla, janë subjekte të TVSh dhe vijmë tek tjetra, që këtu jemi tek biznesi i vogël nga 100 deri 140 mijë, këta e kanë 0 tatim fitimin dhe këta kanë TVSh por dhe për këta 58.5 milionë euro në vit në xhepin e tyre.
Shikoni këtu, në Shqipëri vetëm 11 % e gjithë bizneseve paguajnë tatim fitimin. Këtu tani, vjen tjetra. Kursimi për ta dhe sakrifica për buxhetin e shtetit 125 milionë euro në vit.
Por kjo nuk është e një viti, kjo është një dekadë. Janë 1 miliardë e 250 milionë, të paktën me aritmetikën e liceut artistik. Nuk kemi qenë më të mirët në aritmetikë por unë them që janë 1 miliardë e 250 milionë. Them unë me atë aritmetikë, 10 vjet. Me aritmetiken e kënetës që tha për Noizin, shkoi tha me Lamborgini në Dibër dhe Lamborgini kushton sa 50 mijë pensione. Në fillim tha 10 mijë pensione po iu duk pak dhe e ngriti 50 mijë pensione. Lamborgini i Noizit është 50 mijë pensione. E para një herë që s’ka fare lidhje se Noizi është i zoti i vetes, e di vet se çfarë bën me ato që fiton por Noizy të paktën i fiton duke kënduar. Po bufi si i ka fituar 6 miliardë, çfarë ka kënduar? Do thoni ju pse the 6 miliardë, po me aritmetikën e bufit pra se ai 6 milionë i shkreti. Po sa pensione janë 6 milionë se Lamborgini i Noizyt është shumë më pak se gjysme milionë dhe qenka 50 mijë pensione. Po 6 milionë sa pensione janë, pse s’ia dha pensionistëve ky? Çfarë i duhej këtij 6 milionë dollarë t’i çonte tek tre vëllezër çfarë janë ata nga Tropoja patriotit në Amerikë për të larë atë si quhet, matrikullimin. Matrukullimin se e bëra më butë, ajo që i vënë deleve te veshi. Për të hequr atë, se thonë “karma is a bitch”. Është marrë me vathin tim shumë vite përpara. Tani i kanë vënë një vath që s’po e heq dot. 6 milionë dollarë, sa pensione i bie? Pafund. Për çfarë kënge? Një këngë të na tregojë, Noizy ka këngë plot. Një të tregojë!
Kjo e zeza është tamam vija e kënetës, e shihni këtë? Kjo është taksa e sheshtë e kënetës, 10 % për të gjithë mbi pagat. Nga këtu pastruesja në kryeministri, tek punonjësit e kryeministrisë, tek drejtuesit e kryeministrisë, tek ministrat, tek zëvendës kryeministrat, tek kryeministri njësoj, 10 % nga paga. Tani 10% e një page të vogël është shumë më shumë se 10% e një page më të madhe. Por jo, 10% të gjithë, gjithë viti. Çfarë bëmë ne, ne thamë jo. Kush fiton më shumë këtu, do paguajë më shumë. Kush fiton më pak do paguajë më pak dhe kush shkon poshtë s’do paguajë fare. Dhe kështu erdhëm këtu. 57% e shqiptarëve që punojnë në shtet ose në privat nuk paguajnë asnjë taksë mbi pagën dhe 93% paguajnë më pak se 10%. Domethënë kaq janë ata që paguajnë më shumë se 10. Të tjerët janë të gjithë këtej poshtë. Kjo është politika jonë dhe kështu kemi bërë. Dhe kemi bërë që 145 milionë euro në vit mos ti marrë shteti nga pagat e njerëzve por t’i mbajnë njerëzit t’i çojnë nëpër shtëpi. Tani i bie 1 miliardë e 450 në 10 vjet? Po. Dhe 1 miliardë e 250 nga biznesi sa shkojnë në këtë dekadë që janë investim i PS për burimet njerëzore dhe për burimet e punës së këtij vendi. Sa janë?
Këtu jemi te tregu i punës. Për herë të parë papunësia është nën 10%. Ata që thashë, nuk duan të shohin nuk duan të dëgjojnë dhe që informohen nga këneta, thonë që kjo ka rënë se ka rënë popullsia. Kjo nuk është e vërtetë sepse kjo nuk është përqindje mbi popullsinë. Kjo është përqindje mbi forcat e punës. Pra, sa forca pune ke në territor dhe sa % e tyre janë të punësuar dhe të papunë. Këtu nuk llogariten as pensionistët, as fëmijët. Llogariten vetëm ata që janë të aftë për punë. Këtu jemi te të punësuarit. Këtë e kam shumë qejf. E kam shumë qejf se kjo është nga ato këngët e tyre ku i ke 300 mijë vende pune? Ku i ke 300 mijë vende pune?! Këto nuk janë statistika. Këta janë 1 milion e 23 mijë emra dhe mbiemra punonjësish në shtet e privat të regjistruar në vitin 2013. Këta janë 1 milion e 3 qind e 27 mijë punonjës në shtet dhe në privat të regjistruar në vitin 2024. Tani, a janë pak më shumë se 300 mijë midis këtyre të dyjave sipas aritmetikës së liceut artistik po them unë. A janë? Bufi, me atë logjikën e Gramshit shiko çfarë kanë bërë, shiko si e kanë zhytur. Nga 1 milion e 23 mijë e kanë çuar 1 milion e 3 qind e 27 mijë. E vërteta është kjo. Dhe përveç kësaj, dhe një gjë tjetër. Se këta thonë është rritur administrata. Në 1 milion e 3 qind e 27 mijë, e dini sesa janë në administratë publike. 89 mijë dhe janë dhe rreth 30 mijë në administratën vendore. Pra në 1 milion e 3 qind e 27 mijë janë shumë më pak në administratë sesa ishin këtu. në raport. Kjo është e vërteta.
Kjo është shumë interesante, se këtu e kemi bërë me lek se mos thonë jo euro…, sa shqiptarë merrnin pagë nën 40 mijë lekë kur ne morëm detyrën? 60% e shqiptarëve jetonin me nën 40 mijë lekë. Po sot? Vetëm 14% dhe këtu janë shumë kontrata të pjesshme, të punësuar me orë të pjesshme. Nuk ka me orë të plota nën 40 mijë lek në Shqipëri, ju e dini këtë gjë. Është 400 euro paga minimale që në janar të 2026 do të shkojë 500 euro. Ja ku është rritja e pagave. Kjo është paga minimale, në janar do jetë 500 euro dhe në Shqipërinë 2030 ne duam që të paktën të jetë 650 euro minimalja. E përsëris, këto nuk janë përralla. Mblidhemi ne, krijojmë një grup, bëjmë program elektoral se do marrim pushtetin, do bëjmë detin kos. I japim Latifit 6 milion dollarë, të vijë këtu të lerë nam, por të paktën të na bëjë kos oqeanin. Nuk janë këto. Këto janë për ne analiza financiare që bën ministria e Financës. Ne jemi qeveria. Ne jemi dhe do të jemi qeveria. Ne nuk mund t’i themi njerëzve do bëjmë kështu, do bëjmë ashtu, se ne e kemi në dorë. Do ta kemi në dorë prap. Ata që s’kanë gjë në dorë, janë disa të tjerë. I keni parë ata të tjerët që vijnë vërdallë, thonë ne jemi e reja që po vjen, Shqipëria mundet. I keni parë? Ata mund të thonë çfarë të duan. Ata nuk do të kenë ndonjë gjë në dorë asnjëherë dhe nuk do ta gjeni kurrë a e bëjnë a se bëjnë, por për të ditur se çfarë do bëjnë ata, e keni një provë dhe për ata që janë këtu, që merren me bujqësi e dinë shumë mirë punën e farës. Këta janë fara e të ndjerës LSI. E mbani mend ka qenë një farë bari të keq, që hapej me shpejtësi. Lloj, lloj janë ato. E mbani mend këtë që po them unë. LSI-në e mbani mend?! S’flas për gramin, flas për LSI-në. Ju kujtohet që ishte një LSI që hapej e hapej e hapej dhe që më ka tmerruar kur kam lexuar qelizat e kancerit sesi rriten. Qelizat e kancerit janë të vetmet qeliza që qelizën e kanë qëllim në vetvete kundër gjithë mbarëvajtjes së organizmit. Kështu janë. Këta janë një version tjetër. Janë version laik, nuk janë version fetar, në kuptimin, akoma nuk e kanë një shef kulti e të tjerë, por janë e njëjta gjë. Sa më të vogla partitë, aq më të vogla interesat dhe aq më të mëdha llafet. Mos e harroni kurrë këtë gjë. Kur mblidhen 10 veta dhe thonë hajde të bëjmë një parti, flitet për interesat e tyre dhe ngaqë janë 10 veta, e kanë gojën aq të madhe saqë lemerisin gjithë lagjen dhe të thuash ti ku paskemi qenë ne. Historia e partive të vogla në të gjitha vendet ka treguar që janë problem. Nuk janë vlerë për demokracinë. Nuk janë. Megjithatë, në kushtet kur këtu një kënetë ka marrë rrugët dhe në kushtet kur demokratët s’kuptojnë që po nuk e thanë atë kënetë do mbeten pa parti fare në fund. Ata pa parti s’do mbeten se ne jemi gjithmonë gati t’i marrim, por ata me mendjen që kanë. Atëherë dalin këto të tjerat. Dalin këto të tjerat dhe premtojnë. Ne nuk premtojmë, ne themi çfarë do bëjmë dhe analizat tona bëhen me ministrinë e Financave bëhen dhe me ekspertët ndërkombëtarë që i kemi nga më të mirët në botë. Unë prej disa vitesh, këshilltar për ekonominë kam krye ekonomistin e kancelares së Gjermanisë, 10 vjet atje me kancelaren, dhe kur flasim për pensione, kur flasim për paga, kur flasim për rritje, të gjitha këto i kalojmë në filtrat e këtyre lloj burimeve që janë njerëz shumë seriozë. Shumë të ditur dhe që më ndihmojnë dhe mua se me aritmetikën e liceut, unë të paktën jam shumë më lart se këneta nuk diskutohet, por duhet të mësoj.
Këtu vijmë te paga në sektorin publik. Paga në sektorin publik, mesatarja është 1 mijë euro dhe në Shqipërinë 2030 do shkojë 1 mijë e 200 euro. Këtu vijmë te pensioni mesatar. Kishte dalë diku nëpër kënetë, se ma çuan, që Taulanti kishte thënë ndryshe, unë kisha thënë ndryshe. Jo, nuk kemi thënë ndryshe. Kemi thënë të njëjtën gjë.
Këtu jemi në kushtet e pensionit mesatar me sigurim të plotë dhe pse është i rëndësishëm ky. 300 euro është pensioni mesatar i të gjithë atyre që kanë dalë në pension mbas reformës sonë. Kjo është e vërteta sepse sot në Shqipëri ne kemi 2 blloqe pensionistësh. Kemi një bllok pensionistësh që kanë dalë në pension para 2014, kemi një bllok pensionistësh që kanë dalë në pension mbas 2014. Pse them 2014? Se në 2014 ne bëmë reformën reale të pensioneve. Ne nuk kishim sistem pensionesh në Shqipëri. Nuk kishim! Është e tmerrshme ta mendosh, por nuk kishim! Ishte një miks, një hibrid, një çfarë të them unë, një shartim i kumbullës me dardhën që në fund del pjepër edhe aty ishin mbledhur të gjithë. Të gjithë ata që dolën në rrugë nga shkatërrimi i bazës industriale të vendit, e shkatërruan komplet gjithçka dhe dolën njerëzit në rrugë, edhe 40 vjeç i thanë ik se je pensionist. Ai nuk është pension. Ajo është asistencë. Sa ushtarakë dolën në pension, sa të tjerë i thanë dilni në pension dhe ndërkohë, për të gjithë të tjerët që dilnin në pension vit pas viti, dhe kjo është një përgjegjësi shumë e madhe e Partisë Socialiste në kohët e mëparshme, ishte një tavan 24 mijë lekë. Ti hidhu përpjetë. Ke qenë mësues 40 vjet, nuk ka pikë rëndësie. Ke paguar të gjitha, s’ka pikë rëndësie. 24 e ke maksimumi. Dhe prandaj, duke qenë se ishte 24 mijë lekë pensioni mesatar i atyre me sigurime të plota dilte 111, fatkeqësi sepse bashkoheshin bashkë të gjithë. Bashkoheshin të gjithë bashkë, edhe mësuesit, edhe ata të fshatit që s’kishin dhënë asnjëherë kontribute në sigurimet shoqërore; bashkoheshin bashkë edhe gjithë të tjerët, ushtarakë e mjekë.

Sot, pjesa e atyre me sigurim të plotë e kanë mesataren 300 euro dhe prandaj nëse sot, ti merr një mësues që ka punuar 40 vjet dhe ka dalë në pension deri kur ishte bufi në krye të kënetës dhe ishte këneta mbi kryet tona dhe ne ishim nën ujin e kënetës, një mësues që ka punuar 40 vjet dhe ka dalë pas reformës sonë, ky që ka dalë pas reformës sonë e ka pensionin më të lartë sesa i njëjti mësues, mësuesi tjetër për të njëjtat vite pune për të njëjtin profil. Pse? Sepse ne jemi shtetbërës, ata janë ça t’i thuash atyre? Ça t’i thuash, se lloj-lloj fjalësh më vijnë e pastaj thonë ‘’ky lëshon gojën’’. Këtu jemi tek pensioni mesatar i 2030 që do ta çojmë në 400 euro.

Ndërkohë vijmë, duhet të kemi një tjetër që është pensioni mesatar në total. Pra, ky është pensioni mesatar në total, i cili është ky që e patë më përpara.

Pensioni mesatar në total sot është kaq, kur i perziejmë të gjithë, kur i fusim të gjithë brenda, pra dhe ata që kanë bërë sigurime, dhe ata që s’kanë bërë sigruime, patjetër që ajo ulet se ështe një masë shumë e madhe e atyre që s’kanë dhënë asnjë kontribut për shkaqe të tyre, por dhe për shkak se shteti më përpara i ka llogaritur si njerëz të nxjerrë jashtë përdorimi.

Janë trajtuar si njerëz jashtë përdorimi, ushtarakë, punëtorë, fshatarë. Janë trajtuar si njerëz jashtë përdorimi. Ikni, se këtu do bëjmë kapitalizmin dhe prandaj është kështu,kështu që të dyja shifrat janë të vërteta.

Por ama, duke u kthyer dhe një herë tek pensioni, për ata që janë nën shifrën e 200 eurove, është shumë e vështirë, nuk diskutohet.prandaj ne kemi rritur bonuset dhe prandaj e keni parë, tek bonuset tona, bonusin më të madh e marrin ata që janë nën 200.

Po prapë kjo nuk mjafton. Ne e dimë shumë mirë dhe prandaj duam që në Shqipërinë 2030 të mos ketë më asnjë pensionist, le të jetë ku të dojë, si të dojë që të mos ketë 200 euro pension minimal.

Këtë e kam shumë për zemër këtë. E kuptoni ju pse. Kjo s’ju pëlqen burrave shumë, por kjo ështe hendeku… pabarazia gjinore në Shqipëri dhe ky është klasifikim i OKB-së. Kemi qenë në vendin e 83 në botë, turp i madh. Sot jemi në vendin e 23 në botë.

Pjerin, po të afrohen gratë dhe një mandat të ka mbetur. Edhe një mandat të ka mbetur pastaj bëhet hendeku …

Këtu jemi tek shkalla e papunësisë për gratë.

Është ulur dhe ajo nën 10%, por më interesante është tjetra që vjen më pas, prapë për gratë. Pjesëmarrja e grave në forcat e punës, shikoni sa ka qenë, jo 50% e gjithë grave, 50% e grave të afta për punë merrnin pjesë në forcat e punës. Shikoni sa ka vajtur dhe do rritet, prandaj ju mos e lëshoni.

Mos e hani presionin e policisë, megjithëse policia sillet mirë me gratë, ka inat burrat se burrat i bëjnë karshillëk policisë.

Këtu jemi tek paga mesatare e grave që është pak më pak sesa paga mesatare e burrave.
Këto janë investimet e huaja se s’dua t’ju lodh shumë. Kjo është përqindja e investimeve të huaja në PBB, ne dhe rajoni.

Këtu jemi tek eksportet. “Shqipëria nuk prodhon, Shqipëria nuk ka ujë, nuk ka bukë,nuk ka drita’’por çuditërisht ka 3 herë më shumë eksporte ,nga 2.8 mld në 9.1 mld.

Këtu jemi tek pagat e mjekëve, këto flasin vetë besoj. Kjo është paga mesatare e mjekëve dhe kjo do të jetë paga mesatare në Shqipërinë 2030 dhe kjo është arsyeja pse nuk kemi më, ka ndonjë, por nuk ka më problematikë mjekësh që largohen, përkundrazi, kemi mjekë që kthehen dhe kemi shumë kërkesa për vende në spitale.

E njëjta gjë dhe për infermierët.

Këtu jemi tek përfitimet nga programi kombëtar i mbrojtjes sociale.

Tani, nuk kemi folur shumë ne për këtë, kuptohet, që nëpër ato pasqyrat e kënetës mediatike, as që bëhet llaf të shohësh ndonjë fjalë të mire, ku të çojnë kamerën dhe të kapin ndonjë rrugicë që është pa shtruar, ndonjë tufë me plehra, ndonjë që mund të gjesh kudo dhe që ne nuk i mohojmë që ekzistojnë, por edhe në çdo vend tjetër të shkosh, mund të gjesh situata që të bësh sikur je në Afrikë, ndërkohë që mund të jesh në ndonjë periferi të Parisit.

Nuk është ky problemi, aq më tepër pastaj që është edhe ai, si e ka ai heroi i Astirit? I Balli Fariut. Po . Çuni i Balli Fariut. Ai që shkon, ai është si ata.. unë sa herë e shoh atë që del, më kujton ca mace që shkonin tek kazanët edhe del atje, vetëm macet nuk bënin video selfie, ky i bën si maçok atje, i vogël. Maçok, ça maçoku, kënetë komplet, i dalë nga këneta. Ujë. Tani, o Pjerin pse më bën të flas me këto gjëra? Se isha me këtë, nuk la njeri pa sharë…

Pse mo, ça? Ke frikë se të merr inat Balli Fariu?

Këtu është një program për fëmijët me nevoja të veçanta dhe këtë do ta veçoj sepse bëhet fjalë për një rritje që ne do të bëjmë në buxhetin e 2026, do ta dyfishojmë mbështetjen për nënat e fëmijëve me aftësi të veçanta.
Janë shumë programe, janë 32 shërbime për personat me aftësi të veçanta që janë bërë; janë shërbimet për të moshuarit, janë shërbimet për fëmijët, janë të gjitha këto shërbime që ne praktikisht i kemi ndarë tani me bashkitë dhe në totalin e vet, ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale ka arritur në një buxhet rreth 1 miliardë, nga të cilat çerek miliardi janë të mbrojtjes sociale sot në Shqipëri dhe 100% e bashkive mbulojnë shërbimet sociale.

Këtu jemi tek ndihma ekonomike.

Kjo është një shifër interesante sepse nga një anë është thuajse përgjysmuar numri i atyre që janë me ndihmë ekonomike, sepse janë integruar më shumë dhe nga ana tjetër është trefishuar buxheti i ndihmës ekonomike.

Kjo, edhe kjo është diçka që kemi veçuar jo pa qëllim, janë 9200 nëna të papuna në Shqipëri me 3 fëmijë ose më shumë të papuna dhe prej disa vitesh… (Të mori gruaja? Këtu është këtu, shikoje, ktheje pak kamerën. Ktheja kamerën se mbase nuk të beson se e ule zërin shumë, u duke i trembur pak)
Pra, prej disa vitesh, qeveria paguan 25 milionë euro për t’i paguar atyre sigurimet shoqërore dhe shëndetësore sepse nga fakti se nuk punojnë për shkak se rrisin shumë fëmijë nuk mund të mbeten pa një pension dinjitoz nesër.

Këtu jemi tek bonusi i bebes, janë 227 mijë fëmijë që kanë marrë çekun e bebes. Ne prej vitesh e kemi çuar 400 euro për fëmijën e parë sepse fëmija i parë është fëmija i parë, i dyti 800 dhe pastaj i treti 1200 dhe pastaj 1200, 1200. Tani do bëjmë një ndryshim, duke filluar nga viti tjetër, nuk do bëjmë një çek njëherë në maternitet, por do të japim një mbështetje financiare mujore sipas numrit të fëmijëve në një shkallëzim vitesh që do jetë një mbështetje më konstante për fëmijët.

Këto janë pagat e mësuesve, edhe këto besoj flasin vetë. Ajo është paga mesatare dhe pagën mesatare të 2030 duan ta çojmë minimalisht 1250 euro.

Edhe diçka për mbrojtjen.

Këtu jemi tek buxheti i mbrojtjes që e kemi bërë 10 fish, nga 28 milionë, ishte ushtria më e keqpaguar dhe më e keqpajisur dhe fatkeqësisht e zhytur në korrupsion, paguanin njerëzit e shkretë mijëra euro për të shkuar edhe në Afganistan.

Sot, kemi ushtrinë më të mirëpaguar të rajonit, përfshirë edhe ushtrinë serbe, që është ushtria më e fortë në rajon dhe kemi edhe, ja ku e keni këtu, paga mesatare e ushtarakëve sot dhe në 2030 synojmë që paga mesatare e ushtarakëve të jetë mesatarja e ushtrive të NATO-s.

Është shumë ambicioze sepse ato janë ushtri, por është e domosdoshme.

Ndërkohë, kemi filluar punën dhe kemi disa pika, ku do të fillojmë investimet për ta rilindur industrinë ushtarake dhe një nga pikat është Rubiku, ku do kemi një investim shumë të rëndësishëm për prodhime të standardeve shumë të larta të NATO-s.

Këtu jemi tani tek qarku i Lezhës dhe dua ta filloj këtu me këtë grafik.

Të gjitha çfarë shihni me jeshile janë rrugë që lidhin qarkun brenda për brenda me asfalt dhe çfarë janë me të verdha janë rrugë të bardha dhe në 2-3 pika, ato në të kuqe janë rrugë dheu, por janë pika shumë të larta, që do të thotë që në këtë decade, ne kemi arritur të krijojmë 95% akses brenda për brenda qarkut dhe kemi investuar në 177 kilometra rrugë.

Patjetër që, kemi akoma për të bërë, kemi akoma për të përmirësuar, por historia e një qarku ose e qarqeve ku realisht ishte e tmerrshme të merrje rrugën për fshat është histori që ka kaluar.

Sot ka problematika dhe pikërisht pse ka akoma problematika duhet dhe policia, duhet dhe qeveria, apo jo?
Ja dhe volumi i investimeve, 45 milionë euro vetëm për infrastrukturën e brendshme.

Vijmë tek rigjenerimi urban siç e quajmë ne. Këto janë projekte të rigjenerimit që ju në Bashkinë e Lezhës, por dhe në bashkinë e Kurbinit. Laçi sot është një qytet tjetër komplet. Më thanë që bufit sikur nuk i kishte pëlqyer Laçi. E ka me ty ai. 8,5 milionë euro investime, 18 projekte.

Mos harroni që tek rigjenerimi urban këtu nuk kemi futur rindërtimin sepse po të fusim rindërtimin (të zuri lemza po të kujton bufi. Çfarë lemze pati, thashë na mbeti në dorë). Nuk është rindërtimi se po të futet dhe rindërtimi shkon shumë më tepër.

Ja ku është rindërtimi këtu. këtu doli rindërtimi. Janë 23 milionë euro rindërtim dhe ka dhe disa problematika të tjera, një shumë më e vogël se kaq, qoftë në Kurbin, qoftë në Lezhë edhe as nuk duhet të ketë asnjë dyshim që pa u futur në shtëpi banori i fundit nuk ikën Ulsi Manja nga Lezha.

(Hë mo se 1 mandat është, nuk është ndonjë gjë se nuk ma ha mendja që do i mbash banorët jashtë që të rrish në Lezhë nja 5 mandate të tjera).

Vazhdojmë me turizmin dhe mjedisin. Kur të ma gjeni një shifër 2,5 milionë të të gjitha qeverive të tjera të mbledhura bashkë të investuara për projekte në mbrojtje mjedisi dhe turizëm, më lajmëroni.

Këtu jemi tek ujësjellës-kanalizime. Ky është miti tjetër i madh që nuk ka ujë në asnjë vend, ndërkohë që 33 milionë euro në 17 projekte janë investuar pikërisht në ujësjellës-kanalizime në qarkun e Lezhës.
Këtu jemi tek energjia. Ju e dini shumë mirë problematikën, ju e dini shumë mire, ndërkohë që Lezha ka një karakteristikë që është e disa vendeve që ti rrit kapacitetet e ujësjellësit, rrit kapacitetet e kanalizimeve të energjisë, por rriten ndërkohë kapacitetet e hotelerisë dhe ne patjetër që duhet të fuqizohemi akoma, por ama, 36 milionë euro janë investuar për të përmirësuar rrjetin e shpërndarjes dhe cilësinë e shpërndarjes në Lezhë qark.

Kjo është bujqësia, kjo është mbështetja për bujqësinë.

Ky është arsimi, janë projektet e shkollave, kopshteve, çerdheve, 55 projekte. Sot Lezha si qark ka shkolla që janë si në Europë, por jo si në çdo vend të Europës në çdo fshat të Europës, por si shkollat e mira të Europës.

Këto janë projektet e sportit, 3,8 milionë euro, këtu nuk hyn Besëlidhja kampione në basketboll, kuptohet.

Kjo është kultura. Tani, besojeni ose jo, por 2,94 milionë euro ishte buxheti për kulturën i qeverisë së bufit për Shqipërinë dhe jo një vit, por disa vjet, ndërkohë që për të gjetur 3 milionë euro për kulturën në Lezhë përpara kësaj qeverie, duhet të shkosh shumë larg, duhet shkuar deri nga vitet ’70, me i mbledh bashkë që të bëhen 3 milionë euro për kulturën në Lezhë.

Shëndetësia dhe kujdesi social, kryesisht qendra shëndetësore por edhe spitalet. Kemi spitalin e Kurbinit, kemi spitalin e Lezhës, edhe në Mirditë dhe janë 20 milionë euro por ajo që po e pres me shumë padurim është të hapim spitalin plotësisht të rindërtuar të Lezhës sepse aty po vijnë edhe aparaturat e fjalës së fundit, do shikoni një spektakël.

Ky është totali i investimeve, 218, 4 milionë euro. Këtu nuk llogariten rrugët kombëtare etj, të jemi të qartë. Këto janë vetëm çfarë janë brenda për brenda juridiksionit të bashkive me mbështetjen e qeverisë.

Ju falënderoj shumë për durimin!

Tani, nuk kanë faj shumë njerëz që nuk i dinë këto edhe që bien pre e atyre berberhaneve. Por besoj që këto shpjegime vlejnë edhe për të kuptuar pse shumica voton Partinë Socialiste, pse shumica mendon që vendi po shkon në drejtimin e duhur, pse shumica mendon që do të fitojë Partia Socialiste dhe pse Bashkimi Europian na do brenda Bashkimit Europian.

Faleminderit!