Kryeministri Edi Rama për hapësirat publike dhe performancën lokale në funksion të vizionit “Shqipëria 2030” e të rrugës së pandalshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian

 

Fjala e Kryeministrit Edi Rama:

Kam këtu përpara të gjithë inventarin e problematikave të konstatuara në territor. Natyrisht që mund të mos jetë shterues, por nëse thjeshtë dhe vetëm këto problematika do të adresohen si duhet, është një garanci e padiskutueshme që do sjellin një çlirim të madh, një frymëmarrje tërësisht të re të kryeqytetit dhe do të hapen perspektiva të reja për punët në vazhdim, që së bashku me bashkinë e Tiranës do të bëjmë për të adresuar nevojën që në këto territore të ndërtohet hap pas hapi, një mozaik i ri i një Rilindje Urbane 2.0

Kjo përmbledhje këtu ka 1463 çështje të identifikuara. Shumica dërmuese  e tyre janë të lidhura më zënien e hapësirës publike dhe prekin praktikisht jetën e të gjithë komuniteteve që jetojnë në bashkinë e Tiranës.

Dua të falënderoj Inspektoratin për Mbrojtjen e Territorit të Tiranës, që po bën një punë intensive dhe po përpiqet që t’i adresojë problematikat në mënyrën e duhur.

Volumi është tejet i madh dhe duhet t’ju them dhe qytetarëve, që është shumë e qartë, kanë krijuar një lloj pritshmërie dhe besimi dhe çojnë në mënyrë të vazhdueshme në të katërta anët ankesat e tyre se të gjitha do të adresohen, por duhet të kenë parasysh që duam pak kohë edhe për faktin që në shumë raste kur duket sikur inspektorati erdhi dhe nuk bëri gjë, në fakt lihen proces-verbale, lihen njoftime, iu jepet mundësia atyre që duhet të largohen që të çmontojnë vetë dhe kështu me radhë.

Ka filluar praktikisht e njëjta gjë, edhe në pjesë të tjera të territorit. Në Vlorë, në Durrës, në Shkodër që i kam parë dhe më afër dhe për shkak të detyrimit dhe si deputet dhe për shkak të situatës që ngriti siparin e kësaj përpjekjeje që u krijua me ndërtimet e paligjshme në Theth.

Për të mos u zgjatur, nga ana ime me këtë pjesë dua vetëm t’ju informoj pasi kemi një agjendë të ngjeshur, pasi kemi disa grupe pune. Është në radhë të parë ky grup i madh i të gjithë deputetëve që janë kthyer në territor dhe janë në komunikim të vazhdueshëm me komunitetet dhe me qytetarët dhe dua të falënderoj dhe ata që kanë ardhur në mbështetje nga bashkitë e qarkut Tiranë që nuk kanë qenë pjesë e mbulimit me kujdestari me zonat e Tiranës, të bashkisë.

Përveç kësaj skuadre janë dhe disa skuadra të tjera dhe disa grupe pune. Një grup që drejtohet, koordinohet më saktë nga Zëvendës/kryeministrja lidhur me analizën e shërbimeve në bashkinë e Tiranës. Një grup që koordinohet nga Ministria e Financave lidhur me analizën e financave. Një grup që koordinohet nga drejtuesja e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit me drejtuesin e Agjencisë së Planifikimit Urban dhe me mbështetjen apo më saktë nën drejtimin e Persidës, që përfshijnë rreth 60 arkitektë, në mos gabohem, lokalë dhe një numër të konsiderueshëm arkitektesh të huaj nga ana tjetër, të cilët kanë filluar të punojnë për prototipat dhe për modelet e ndërhyrjeve në territoret e këtyre lagjeve dhe të këtyre zonave, ku njerëzit kanë nevojë për hapësirë, patjetër, por nuk mjafton vetëm çlirimi dhe pastrimi, por duhen edhe disa ndërhyrje të tjera që do të bëhen në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës.

Në ndërkohë, një grup tjetër, që ka në përbërje një grup të konsiderueshëm pjesëmarrësish dhe anëtarësh që janë dhe këtu të pranishëm, një pjesë e tyre, pjesa e tyre më e madhe në fakt dhe ku edhe unë marr pjesë do merret me atë që e kam thënë që ditën e parë, paketën e re të reformës të territorit. Reforma e territorit do ketë dy faza. Do ketë një fazë imediate, kur qeveria do të ndërhyjë në kushtet e kësaj emergjence me një numër aktesh dhe një akt normativ dhe që besoj do të jetë paralelisht dhe me një akt tjetër për ujin e pijshëm dhe për mbetjet.

Dhe do të ketë pastaj një fazë të dytë, pak më mbrapa, ku do të rishikohen në mënyrë përmbarësore dhe të detajuar të gjitha ligjet që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me territorin, duke filluar nga ligji për ndërtimin, i cili është një ligj shumë i vjetër dhe është prekur në dy, tre raste, por mbetet krejtësisht jashtë kohe.

Dhe jemi duke diskutuar një sërë ndërhyrjesh shumë të domosdoshme sipas nesh, por dhe shpresoj me një impakt të nevojshëm dhe të shumëpritur dhe nga njerëzit.

Së pari, kemi diskutuar për të ashtuquajtur “proces legalizimi”, që është një terminologji abuzive, e përdorur nga individë, subjekte, që për qëllime përfitimi fillojnë zaptime të hapësirës publike apo dhe të pronës së tjetrit dhe pastaj bëjnë vetëdeklarimin, që praktikisht i fut si individë në proces legalizimi. Ndërkohë që, procesi i legalizimit me ligj është mbyllur në vitin 2020, në kuptimin që, asgjë e ndërtuar pas vitit 2020, nuk legalizohet dhe natyrisht është lejuar që të bëhen vetëdeklarime në vazhdimësi për t’i dhënë mundësi individëve, familjeve që të bëjnë vetëdeklarimin në kushte kur të mos e kenë bërë në afat, por jo që ndërto pas vitit 2020 dhe vetdeklaro dhe pastaj kur ka nevojë për të bërë ndërhyrje një bashki apo për të bërë ndërhyrje qeveria apo agjenci të ndryshme për investime në interes publik, dalin dhe thonë jemi në proces.

Këtë do ta adresojmë, e para duke i konsideruar të pavlefshme të gjitha vetëdeklarimet për godinat apo ngrehinat me qëllim fitimi, e theksoj këtë, me qëllim fitimi.

Nuk jemi këtu për të diskutuar shtëpitë e familjeve që kanë ndërtuar një shtëpi për të futur kokën.

Jemi këtu për të diskutuar këtë mashtrim të madh përpara, të cilit për fat të keq janë mbyllur sytë për një kohë të gjatë në shumë pjesë të territorit dhe interesi publik do të prevalojë në të gjitha rastet, ku do të duhet të bëhet një ndërhyrje dhe askush nuk mund të nxjerrë përpara një copë letre dhe të thotë “jam në process” dhe nuk do humbitet as një minutë për t’i kërkuar Agjencisë Shtetërore të Kadastrës që të bëjë skualifikimin siç ndodh edhe sot.

E dyta, kemi diskutuar dhe do të miratohet me ligj, krijimi i një liste të zezë të ndërtuesve dhe të investitorëve që abuzojnë me territorin dhe që shkelin lejet e ndërtimit dhe kush hyn në listën e zezë, do të humbasë të drejtën për të marrë një leje ndërtimi dhe do të penalizohet në rast se do të përfshihet në industrinë e ndërtimit, për një numër të caktuar vitesh që do të vendoset.

Nga ana tjetër, do të marrim masat për një kategori ndërtuesish shumë problematikë, që i njeh gjithë dynjaja, si ata mashtruesat te zona ku ishim së bashku me ministrin e Drejtësisë, ku nuk linin banorët që të futeshin në pallat, apo fatkeqësisht dhe të tjerë si ata që i lënë blerësit e apartamenteve të tyre në rrugë pa dokumentet hipotekore ose duke bërë edhe shitje të dyfishta të të njëjtave apartamente. Masat për këtë kategori do të jenë drastike dhe unë do t’u bëj një thirrje që të vrapojnë ta zgjidhin këtë problematikë sa pa dalë, së shpejti ky akt normativ, se pastaj do gjejnë një bela që do ta kenë shumë të vështirë, do ta kenë shumë, shumë të vështirë dhe ne na intereson që të zgjidhet problemi dhe njerëzit të marrin atë që ju takon, në radhë të parë.

Ne kemi bërë disa ndërhyrje të arsyeshme në legjislacion mbas tërmetit, por përsëri ka pasur shumë devijime dhe te këto devijime kanë rol disa kategori, përfshirë dhe noterët dhe për këtë arsye, do ta adresojmë problematikën e sigurimit të ndërtimeve, jo thjeshtë si sigurim ndaj tërmetit, por në radhë të parë, sigurim në funksion të marrëveshjes me shtetin për lejen e ndërtimit dhe të marrëveshjes me blerësit për shtëpitë, apartamentet e banimit. Bashkë me sigurimin, jemi duke diskutuar dhe një garanci bankare për të gjithë ata që marrin leje ndërtimi.

Historia e së drejtës për të zhvilluar me të cilën është abuzuar në të gjitha format, duhet të adresohet si një çështje të drejte dhe detyrimi për të qenë transparent dhe për të qenë konform ligjit.

Nga ana tjetër, do marrim një tjetër masë për të konfiskuar në interes të publikut të gjitha ndërtimet e braktisura dhe të gjitha ngrehinat e braktisura nëpër Shqipëri, që nga vitet ’90 që qendrojnë si karrakatina dhe që kanë problematika të natyrës mjedisore dhe të shëndetit të njerëzve.

Nga ana tjetër, do të sqarojmë përfundimisht edhe aspektin me të cilin kanë luajtur shumë njerëz të sistemit të drejtësisë, që kanë mbajtur anën e shkelësve të ligjit në ndërtime, kur vjen puna te shkelja e lejeve të ndërtimit me mbi 2% të kufijve të lejes.

2% është një përqindje krejtësisht e arsyeshme që përdoret dhe në vende të tjera të botës, sepse gjatë realizimit të një projekti, mund të ketë devijime të natyrës teknike, por kur ky 2% kapërcehet, atëherë kjo do të provokojë sekuestrimin e menjëhershëm të të gjithë ndërtimit. Jo të një pjese. Nuk mund të ketë një paligjshmëri të pjesshme.

Paligjshmëria është e plotë sepse shkelja në ndërtim dhe ndërtimi i kateve shtesë, ndërtimi i volumeve shtesë për qëllim fitimi, nuk bëhen në një moment. Bëhen me muaj edhe me vite nganjëherë dhe janë një shkelje në vazhdimësi me vetëdije të plotë e ligjit. Kështu që, kjo do të sjellë kalimin menjëherë të asaj prone në duart e shtetit, i cili do të mbrojë blerësit, aty ku do të ketë blerës, dhe nga ana tjetër do të përdorë të gjithë pjesën tjetër për interes publik dhe për strehim të njerëzve në nevojë.

Kemi një problem shumë, shumë të madh që është i patolerueshëm.

Është toleruar për një kohë të gjatë nga të gjitha bashkitë për fat të keq, që është problemi i kantierëve të ndërtimit. Kantierë që nuk kanë lidhje fare me asnjë lloj respekti, as për të tjerët rreth e rrotull, as për mjedisin, as për hapësirën, as për sigurinë. Kantiere që nuk janë kantiere. Rrethime që nuk janë rrethime. Ndotje e patolerueshme dhe për këtë arsye, do të bëhet edhe një ndërhyrje kuptimplotë edhe në raport me kantierët e ndërtimit për të bërë të qartë se çfarë kriteresh duhet të përmbushë një kantier ndërtimi. Ndërkohë që, ka dhe një sport tjetër që zhvillohet, sidomos në Tiranë, edhe në zona bregdetare, ku ata ndërtues apo zhvillues që marrin një leje, po ende pa u zbardhur leja, ende pa e marrë dokumentin në dorë, duke plotësuar të gjitha nevojat e ligjit, kuturisen të fillojnë të hapin gropa medemek që po bëjnë gati kantierin dhe me abuzivizëm të madh, përdoret dhe një nen, 6 a 7 për punime paraprake a deklaratë paraprake, lojëra që kanë prodhuar deri edhe pallate pa leje në fakt.

Kështu që, edhe për këtë masat që do të marrim do të jenë drastike.

Kemi menduar për gjithçka, por çuditërisht është lënë jashtë dhe dua të them dhe një gjë tjetër, në mënyrë të përsëritur, në Kuvendin e Shqipërisë ka pasur prej shumë vitesh ndërhyrje në sekondën e fundit dhe ngacmime të ligjeve që kanë pasur të bëjnë me ndërtimin e me territorin. Ngacmime dhe ndërhyrje që kanë shkuar gjithmonë në favor të ndërtuesve dhe në disfavor të …,  kjo është një histori 20 e kusur vjeçare. Ndërkohë që kemi menduar që të fusim në njerëzit përgjegjës për kantierin, të gjithë ata që janë palë me ndërtuesin, duke ja lënë mbikqyrësit që caktohet nga vetë ndërtuesi, certifikimin e gjithë procesit, kemi përjashtuar si asnjë vend tjetër i Europës, arkitektët nga e drejta e autorit faktikisht, dhe nga detyrimi për të nënshkruar deri në fund çdo proces dhe për të marrë përgjegjësinë, në raport me të drejtën e tyre të autorit dhe në raport me ligjin dhe këtë do ta përfshijmë menjëherë, ndërkohë që, do të procedojmë më pas, ose në vijim, paralelisht me krijimin e Agjensisë Kombëtare të Planifikimit dhe të Zhvillimit, si një agjenci me shtrirje në territor dhe me përfaqësi në çdo rajon, që do të thotë… që të gjitha bashkitë do ta kenë më të lehtë nga pikëpamja profesionale, nga pikëpamja e burimeve njerëzore, nga pikëpamja e asistencës teknike, përsa i përket planifikimit dhe përsa i përket zhvillimit të territorit, gjë që do të lehtësojë shumë një pjesë të madhe të bashkive të vogla, sidomos, ku është shumë e vështirë për të pasur arkitektë, dhe për të pasur inxhinierë që të qëndrojnë në ato territore, ku dhe kërkesat për lejen e ndërtimeve dhe projektet nuk janë të mëdha dhe nga ana tjetër, që të krijojmë një bazë krejt të re ndërveprimi mes komunitetit, investitorëve, zhvilluesve, pushtetit vendor dhe shtetit në tërësi. Është e domosdoshme. Kjo do të na japë mundësinë që të kemi burime njerëzore shumë më cilësore në territor dhe do të japë mundësinë që gjithë kjo që edhe ajo ai volum pune që përqëndrohet kur vjen puna e planifikimit apo e lejeve së zhvillimit me rëndësi të veçantë në Tiranë të decentralizohet në territor me departamente me divizione urbanistike që iu shërbejnë bashkive dhe që janë pjesë e rrjetit të Agjensisë Kombëtare. Nga ana tjetër do të përfundojmë edhe një rregullore të administrimit të hapësirës publike, bazuar në një dokument, të bashkisë Tiranës, që do të rishikohet dhe do të adoptohet për t’u kthyer në një rregullore kombëtare të administrimit të hapësirës publike dhe që do t’i japë një drejtim të përgjithshëm të gjithëve, pra qoftë administratorëve të qytetit, qoftë edhe atyre që e përdorin qytetin, qoftë inspektorëve, qoftë edhe atyre që kanë njësitë e shërbimit, qoftë punonjësve e policisë, qoftë edhe qytetarëve, dhe pa diskutim, në këto masa do të vendoset edhe përgjegjësia penale e inspektorëve të mbrojtjes së territorit, e policëve bashkiakë dhe e policëve të shtetit, e punonjësve të policisë shtetit dhe shefave të komisariatëve, për çdo lloj ndërtimi pa leje që nuk ju ka rënë në sy, sepse e përsëris është e pakuptimtë që të vendosësh përgjegjësinë penale për një ngjarje, por ama kur bëhet fjalë për zhvillime që ndodhin me javë, me muaj, në sytë e të gjithëve dhe askush nuk i denoncon, atëherë, këtu është bashkëfajësi. Dhe njerëz që përfaqësojnë shtetin nuk mund dot të luajnë me dy porta në këtë farë feje. Prandaj, duhet të marrin përgjegjësinë e tyre dhe ta mbulojnë territorin sipas përgjegjësisë që kanë dhe thjesht dhe vetëm të informojnë. Natyrisht që Policia e Shtetit nuk ka detyrë të merret në kontrollin e lejeve të ndërtimit, por do ta ketë  të detyruar të marrë përsipër dhe të informohet ka apo nuk ka leje ndërtimi, pastaj a po e zbaton, a s’po zbaton lejen si duhe, a po e respekton, apo s’po respekton rregullat e kantierit,  – kjo është një çështje e policisë bashkiake është  një çështje e inspektoriatit mbrojtës të territorit, dhe është dhe një çështje e atyre që bëjnë akt kontrollet.

Akt kontrollet nga ana e bashkisë që janë të gjithë për të shkuar për ndjekje penale për hir të vërtetës, sepse firmosin akt kontrolle sipas qejfit të ndërtuesve dhe edhe për këtë masat e reja do të penalizojnë çdokënd që merr përsipër të hedhin një firmë për një hapësirë që nuk figuron në lejen e ndërtimit, apo për një volum që është në shkelje të lejes së ndërtimit.

Këto janë pak a shumë disa pika kryesore të diskutimeve që kemi me grupin e punës. Besoj që edhe pak kohë dhe do të kemi një produkt, një draft përfundimtar, që patjetër do ta ndajmë pastaj me këdo që është i interesuar, përpara se ta kalojmë në qeveri dhe do ta kalojmë para përfundimit të pushimeve.

Përpara se të kaloj fjalën tek të tjerët dua të shtoj dhe një element tjetër që kam përshtypjen mbeti pa e thënë, lidhur me okupimin e një territori, brenda një hapësire të një komuniteti me pretendimin “është prona ime”. Kjo konsiderohet vepër penale. Pra, në rast se dikush me pretendimin se ka pronën e vet vendos një tra për të marrë para nga njerëzit, që jetojnë aty, se është prona e vet në mes të pallateve, kjo është vepër penale.

Ashtu sikundër, çdolloj okupimi tjetër, çdolloj zënie tjetër e rrugës, çdolloj bllokimi që i shkaktohet njerëzve ne jetën e tyre të përditshme me idenë që kjo është prona ime, është vepër penale.

Është diçka që e kemi konsultuar me të gjitha legjislacionet dhe nuk ndodh në një qytet me rend ligjor që dikush në emër të pronës së vet të bëjë çfarë të dojë, kur nuk është në pyll, por është në qytet dhe nga ana tjetër kemi adresuar me ligjin e fundit për bashkëpronësinë një element shumë të rëndësishëm që prej kohesh nuk është adresuar dhe prandaj ka prodhuar dhe probleme, elementin e bashkëpronësisë së truallit përreth një godine. Pra nëse një grup pronaresh bëjnë marrëveshje me një ndërtues për të ndërtuar një pallat dhe ai pallat ndërtohet në një përqindje të atij territori që është prona, se nuk ndërtohet me vijën e pronës, por ndërtohet sipas logjikes së të gjithë bllokut të banimit, gjithçka tjetër që nuk përfshihet në trupin e pallatit nuk është më prona e pronarëve që ishin në fillim, kur bënë marrëveshjen, por njësoj sicc janë shkallët e brendshme, siç është tarraca, siç është çdo mjedis i përbashkët është pronë e përbashkët, e të gjithëve. Dhe në këtë pikë lind nevoja që të marrë një masë ligjore për të prapa kthyer të gjitha llojet e dokumenteve që rezultojnë në shkelje të këtij parimi dhe në shkelje të pronësisë së të gjithë këtyre komuniteteve.

Nuk mundet dot dikush me një dokument të prodhuar më parë, të thotë unë jam këtu dhe kam këtë lokalin bashkë më këtë çatinë, ndërkohë që aty është në fakt në një pronë nga e cila e ka humbur të drejtën se ndërkohë ka marrë të drejta të tjera nga pallati që është ndërtuar.

Dhe e fundit që kam në këtë pikë është prona ka karakter individual, por ka dhe karakter social kur është fjala në një hapësirë ku jeton shoqëria, nuk jeton Robinson Crusoe dhe për këtë arsye gjithë përpjekja jonë do të jetë që të ndërtojmë një frymë dhe një rend komunitar në të gjitha qytetet tona, në Tiranë, në Vlorë, në Durrës dhe kudo qoftë. Dhe të gjithë ata, të cilët do t’i bien ndesh, jo qeverisë, as bashkisë, ne jemi më dobëtit në këtë anë, por do t’i bien ndesh të drejtës të fortë dhe të patundshme të komunitetit dhe të familjeve që kanë vendosur të jetojnë në një pellg komunitar së bashku, – do të përballen me forcën më të ashpër të mundshme të ligjit dhe të shtetit.

E vërteta është që një pjesë, jo e vogël dhe mund të korrigjoni e ka kuptuar dhe është përfshirë vetë në çmontimet e këtyre ngrehinave, një pjesë jo e vogël dhe i falënderoj. Patjetër, që ne nuk jemi këtu për të fshirë nga dheu i Tiranës dhe i qyteteve të tjera biznesin, nuk jemi këtu për të dëmtuar askënd, nuk jemi këtu për ta kthyer Tiranën në Teheran. Ky është kryeqyteti i Mesdheut, ky vend është mesdhetar, qëndrimi i njerëzve jashtë, karriget, tavolinat janë gjëja më normale por jo në rrugën ku ecin njerëzit dhe ku ecin nënat me fëmijë, prandaj duhet të ketë një ndarje racionale të hapësirës së trotuarve, pjesa më e madhe e trotuarit është e këmbësorëve. Pjesa dërrmuese e hapësirave brenda pallateve është e komuniteteve. Nuk mund të ketë brenda pallateve, situata ku gjithë sheshi, siç ishte një rast i pabesueshëm, gjithë sheshi brenda pallateve ishte i mbuluar me çati, dhe njerëzit për të shkuar nëpër shtëpi hynin nëpër disa korridore midis lokaleve prej hekuri dhe prej xhami.

Faleminderit!