Fjala e Kryeministrit Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë:

Sot jemi këtu për një mbledhje të grupit parlamentar, së bashku me qeverinë, për të çelur sesionin e ri parlamentar, duke u përpjekur së bashku që nga njëra anë të bëjmë një përmbledhje të punës dhe të sfidave që grupi i ri ka hasur në sesionin e mëparshëm që ishte dhe sesion i parë i kësaj legjislature dhe nga ana tjetër për të vendosur disa piketa të përbashkëta, në kushtet kur puna që kemi përpara këtë vit, është e një natyre shumë të veçantë për shkak të futjes së Shqipërisë në fazën më intensive të negociatave me BE dhe për shkak të domosdoshmërisë që në një hark kohor, relativisht shumë të shkurtër, prej vetëm 2 vjetësh, Shqipëria të përmbushë të gjitha kushtet për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit. Sikundër e kemi të qartë nga plani që kemi në tryezë i dakordësuar me Komisionin Europian dhe sikundër e kemi bërë të qartë edhe për opinionin publik.

Kam përshtypjen që akoma sot edhe brenda nesh, brenda grupit parlamentar dhe lëre më pastaj edhe brenda partisë, e lëre pastaj në opinionin publik, nuk ka një kuptim të qartë për çfarë do të thotë në pikëpamje të sfidës dhe të barrës së detyrimeve, përmbushja e kushteve për të dalë me sukses nga procesi i negociatave dhe pastaj, përmbushja e kushteve për të përballuar përfshirjen në një realitet tërësisht të ri, siç është realiteti i një tregu prej 450 milionë njerëzish, ku Shqipëria e integruar do të jetë ‘’një pikë uji në oqean’’ dhe ku sfida për të gjithë sektorin prodhues dhe po ashtu për institucionet do të jetë e shumëfishtë.

Sa për të dhënë një shembull, ne në momentin që flasim, përmes skuadrës së negociatave, jemi duke negociuar periudhat e ndërmjetme pas momentit të anëtarësimit që t’i japim mundësi vendit që të jetë i gatshëm të përmbushë të gjitha kriteret e të qenit bashkë në një familje të madhe siç është familja europiane.
Kjo nuk është diçka që bëhet ekskluzivisht për ne, kjo është diçka që është pjesë e mekanizmit të anëtarësimit, është diçka që e kanë bërë edhe vende përpara nesh, fjala vjen, Kroacia ka negociuar dhe ka arritur të marrë 10 vjet fazë të ndërmjetme për përmbushjen e të gjitha kritereve në aspektin mjedisor dhe ndërkohë që ne i referohemi atij rasti dhe jemi besimplotë që bazuar mbi atë precedent, do të mund të marrim një lehtësim të tillë, beteja kryesore është për sektorin e prodhimit ushqimor; për të gjithë prodhuesit në fshat; për të gjithë sipërmarrjen që përpunon prodhimet ushqimore.

Në kushtet e sotme ne jemi të paintegrueshëm në BE, për shkak të nivelit të pamjaftueshëm të sigurisë ushqimore sipas kritereve të BE dhe për këtë arsye, po përpiqemi të fitojmë një fazë të ndërmjetme prej 5 vjetësh pas anëtarësimit, por ama vitet kalojnë shpejt dhe përgatitjet duhet të fillojnë tani në vazhdën e të gjitha atyre arritjeve qe kemi pasur, po të kemi parasysh që kur ne e kemi marrë detyrën, rrugët e Shqipërisë ishin njëkohësisht edhe tregje ushqimore edhe thertore. Nuk besoj që është e vështirë, që duke u kthyer pas në vitin 2013, të gjithë të kalonin filmin e kujtesës, gjënë e gjallë që therej në rrugë, që nga kthesa e Kamzës e deri në pika të tjera, apo të gjitha autostradat e Shqipërisë të ashtuquajtura, që përveçse ‘’ishin lënë rrugëve’’ ishin të kufizuara nga tezgat dhe tregjet informale ushqimore. Që nga ajo kohë shumë përparim është bërë, por ama nga kriteret e sigurisë ushqimore të BE, jemi ende larg. Ama duhet të dimë ça do të thotë kjo. Kjo do të thotë që në momentin e anëtarësimit dhe pastaj në momentin kur përfundon periudha e ndërmjetme, asnjë ushqim i prodhuar në Shqipëri, nuk mund të shitet përveçse në Shqipëri dhe edhe në Shqipëri, do të funksionojnë kriteret e njëjta që do të thotë që edhe në Shqipëri, ushqimet mund të bllokohen sepse nuk përmbushin kriteret e sigurisë dhe pastaj në skenarin më pesimist, do të thotë që gjithçka që hahet, të importohet. Po shkoj në ekstrem!
Për këtë arsye duhet një super punë, por edhe një super vendosmëri dhe një super vendosmëri nga ana jonë si vendimmarrës për të mos falur asgjë dhe askënd në emër të nevojës që të vazhdojë të punojë. Gjithsekush duhet të vendoset në pozita shumë të forta përgjegjshmërie dhe pune sepse në rastin më të mirë, janë vetëm 10 vjet përpara, nëse do të llogarisim 2030 si vitin që jemi ulur në tryezën e BE dhe 5 vitet si periudhën e ndërmjetme që uroj dhe besoj, do ta sigurojmë duke negociuar me BE. 10 vjet! Shkojnë shpejt. Më pyesni mua sa shpejt shkojnë dhe në ndërkohë puna për tu bërë është shumë e madhe. Kështu që vij tek pika tjetër.
Kemi pasur deri më sot disa raste që në mënyrë të natyrshme procesi i diskutimeve dhe miratimit të ligjeve që kanë të bëjnë me anëtarësimin në BE është vonuar apo është marrë lehtë si një proces ku ne kemi lirinë të fusim duart sipas opinioneve tona. Ne nuk e kemi këtë liri, që të jemi shumë të qartë. Ne kemi lirinë që të negociojmë me BE dhe do të ndalem në këtë pikë menjëherë pasi të përmbyll këtë pikë ku jam, por nuk kemi lirinë që pasi negociojmë, të diskutojmë. Që do të thotë, negociatat mbi një draft që hyn në të gjithë mekanizimin e gjerë dhe kompleks të arkitekturës së ligjit europian, negociohet me Komisionit, i imponohet qeverisë dhe vjen në Parlament.

Në momentin kur vjen në Parlament duhet miratuar, jo diskutuar sepse që t’i hyjmë diskutimit të një ligji të tillë duhet më parë të ri diskutojmë a duam të hyjmë në BE apo jo? Dhe këtu kam një tjetër shembull për të dhënë. Me të drejtë disa shokë dhe kolegë këtu bëjnë gabimin që bëja unë, deri kur e mësova që nuk duhej bërë. Marrin një draft që vjen nga qeveria mbasi është dakordësuar me Komisionin përmes skuadrës negociatore dhe fillojnë i referohen vendeve të tjera të BE.

“Shiko se Franca nuk e ka kështu, Gjermania nuk e ka kështu, madje as Kroacia nuk e ka kështu dhe pse ta bëjmë ne kështu”.

Miqtë e mi,

Këtë gjë po e ndaj me ju si eksperiencë dhe duke shpresuar që ju e dini që unë nuk jam lehtësisht i përthyeshëm, ju ftoj që të jeni të gjithë të përthyeshëm në këtë pikë sepse kur ngrihet kjo pyetje ose ky pretendim, që ne nuk duam ta bëjmë këtë kështu sepse ne duam ta bëjmë si Franca, përgjigja është shumë e thjeshtë. “Që ta bëni si Franca, duhet të jeni Franca. Ju jeni Shqipëria. Nuk kemi kërkuar ne që ju të vini të bëheni pjesë e familjes sonë, jeni ju që keni kërkuar dhe ne jemi shumë të lumtur t’ju kemi pjesë të familjes por për ju kemi kushte. Dhe kushtet janë këto nëse doni, nëse s’doni mund ta bëni si të doni”.

Tani kjo nuk ndodh vetëm me Shqipërinë. I gjithë procesi i anëtarësimit është një proces që ka sjellë rëndim të kushteve për atë që ka ardhur më pas, ata që kanë hyrë në fillim në BE nga ish perandoria komuniste e lindjes e kanë pasur shumë më të lehtë procesin dhe janë bërë anëtar me shumë më pak kushte. Kanë qenë po ta themi ndryshe, shumë më të pa përgatitur se ç’jemi ne sot. Pastaj kanë ardhur ata më pas, që kanë pasur më shumë kushte se ata më përpara. Pastaj kanë ardhur ata të tjerët më pas që kanë pasur ku e ku më shumë kushte se ata përpara, pastaj në fund ka ardhur Kroacia që ka pasur më shumë kushte se të gjithë të tjerët. Dhe tani jemi ne, vendet e Ballkanit Perëndimor që kemi kushte që as Kroacia nuk do t’i merrte dot me mend.

Pika tjetër që unë dua të prek pas kësaj është që ndërkohë ka diçka që e kam theksuar në fjalën time në Asamblenë Kombëtare kur nisëm këtë mandat, që duhet të jetë shumë më tepër në vëmendjen e grupit parlamentar dhe të qeverisë dhe këtu kam parasysh drejtuesit e grupit dhe dy ministret që drejtojnë negociatat. Kjo është pjesa që lidhet me fazën përpara përmbylljes së negociatës mbi cilindo tekst. Duhet shumë më tepër punë për tu shpjeguar me grupin dhe për të dëgjuar nga grupi. Pra, duhet shumë më tepër informacion i ndërsjellë në mënyrë që të gjithë deputetët të cilët për shkak të përkatësisë në komisione apo për shkak të ekspertizës së tyre mund të kontribuojnë në një proces draftimi, të jenë të informuar dhe të jenë të mirëpritur të kontribuojnë. Kështu që, këtë format të sotëm që është një format i domosdoshëm për më tutje, natyrisht jo me gjithë ngarkesën e sotme, por me pika specifike dhe me një pikë gjithmonë të përbashkët për procesin e negociatave, për draftet që janë në proces, për draftet që vijnë më pas, do ta zhvillojmë çdo muaj.

Nga ana tjetër për të mos u zgjatur më tutje, dua të prek një tjetër aspekt për të cilin kam folur edhe në fjalën përpara asamblesë.

Aspektin e ndryshimeve brenda për brenda pushtetit, organizmit po themi të pushtetit legjislativ, që e filluam me komisionet, sot patjetër që qoftë nga kryetarët e komisioneve, qoftë nga anëtarët e interesuar për të diskutuar do dëgjojmë se çfarë opinioni keni lidhur me këtë formulë të re që kemi me numrin e komisioneve, ndarjen dhe duhet ta vazhdojmë me administratën e Kuvendit, e cila kemi kohë që themi duhet të modernizohet dhe duhet të mbështet nga një transformim i rëndësishëm teknologjik, punë për të cilën me siguri do të flasë kryetari dhe nga ana tjetër duhet sigurisht që të vendosim edhe piketat me një kalendar të qartë për godinën e re të Parlamentit të Shqipërisë. Të gjitha këto bashkë shkojnë me të njëjtin drejtim, natyrisht që asnjëra nga këto nuk pengon një pjesë të madhe të punës që bëjmë, por të gjithë këto bashkë ndihmojnë për t’i dhënë më shumë hapësirë dhe më shumë energji pozitive punës së deputetëve, të cilët duhet në ndërkohë të mos e ndërpresin, përkundrazi ta artikulojnë ende më mirë punën që filloi shumë mirë pas zgjedhjeve në territor. Ri braktisja e territorit si zakonisht në të shkuarën nuk duhet dhe nuk do mund të jetë një opsion për këtë grup parlamentar.

Natyrisht që përsa i përket kësaj do të flasim më konkretisht në Asamblenë e ardhshme Kombëtare së shpejti, por dua ta theksoj këtë pasi besoj që 83 mandatet e kërkojnë këtë me një ngulm të panjohur më parë. 83 mandatet imponojnë shumë gjëra për këtë forcë politike, duke filluar nga detyrimi që fundin e 2027-s ne të dalim përpara atyre që na i dhanë 83 mandatet dhe të tjerëve që nuk na votuan e t’ju themi që: “Ne e bëmë atë për të cilën iu kërkuam votën”, “i mbyllëm negociatat me Bashkimin Europian”, “i mbaruam detyrat tona”.

Pastaj detyra tjetër është sigurisht pjesa e këmbënguljes politike me gjithë kryeqytet e Europës, me gjithë parlamentet, me të gjitha qeveritë që të bëjnë ratifikimet për të anëtarësuar Shqipërinë në Bashkimin Europian.

Këto ishin ato që unë doja të ndaja me ju në hapje për të mos bërë një fjalim të gjatë dhe do t’ju lutesha shumë që nga kryetarët e komisioneve dhe pastaj dhe të tjerët që ky takim mos të jetë aspak formal dhe nga ana tjetër të gjithë të tjerët janë të ftuar dhe të lutur që të marrin pjesë në diskutime, për çfarëdo qoftë që nuk u tha apo për çfarëdo qoftë që duan të nënvizojnë, sigurisht duke pasur parasysh që jemi shumë këtu për të marrë shumë kohë.
Unë u përpoqa të jap shembullin personal duke bërë një fjalim më të shkurtër sesa zakonisht.

Shumë faleminderit!