Pogradec, fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama:

 

Shumë faleminderit të gjithëve dhe të gjithave që jeni mbledhur sot këtu në këtë odeon, siç e quan Kryetari i Bashkisë suaj, që është vërtetë një pikë takimi, tanimë tradicional për ne, kur përmbyllim një fushatë dhe vazhdojmë në ditët e fundit, përgatitjet e fundit për fitoren e radhës.

Dua tas rimarr aty ku e preku Niko, në momentin kur tha që 4 vjet më parë, ekzaktësisht në këtë odeon kemi thënë që ky mandat, mandati ynë i tretë do ishte mandati i Pogradecit, nuk kishte si  të ndodhte ndryshe sepse kërraba kishte tërhequr shumë nga Korça dhe në të vërtetë ky ishte mandati i Pogradecit.

Tanimë transformimi i Pogradecit është në sytë e të gjithëve, mbështetja jonë ka qenë e pakursyer, por dua ta them me plot gojën që gjithë ky transformim nuk do të ishte i mundur pa Ilir Xhakollin. Iliri ka qëndruar mbi kokë të çdo pune, është marrë me çdo detaj, ka pasur durim të madh derisa arriti ta tërheqë kërrabën nga Pogradeci, por e vërteta është që në të gjitha drejtimet, Pogradeci mund të konsiderohet sot si një nga pasqyrat më kuptimplota të rilindjes, që ne kemi çuar në të gjithë Shqipërinë.

Nuk ka sesi të mos më kujtohet kur kemi nisur këtë rrugëtim së bashku me rrugën për të ardhur në Pogradec që nuk kishte rrugë hyrje në një qytet turistik, por ishte një korridor mes godinash pa leje, të cilat krijonin një mur të shëmtuar që nuk të lejonte të shikoje bukurinë e liqenit.

Besoj ju kujtohet se çfarë beteje kemi bërë me kënetën sepse na i nxori të tëra speciet aty tek rruga, nuk donin që ne të shembnim të vjetrën për t’i hapur rrugë të resë, por pavarësisht këtyre vështirësive, rruga hyrëse e Pogradecit është një nga rrugët më të bukura panoramike të Shqipërisë sot dhe besoj e keni parë, zë vend hera-herës në të gjitha reportazhet që bëhen për Shqipërinë turistike jashtë Shqipërisë.

Nga ajo hyrje filloi e gjithë një punë që siç thashë  mund ta prekësh në çdo pjesë të trupit të Pogradecit, por edhe në të gjitha drejtimet e jetës së komunitetit dhe për shembull, është përsëri këtu rasti sepse më duhet ta prek për të gjithë ata që e shikojnë Shqipërinë me sytë e historive që tregojnë vetë dhe që thonë “Nuk ka ujë, nuk ka bukë, nuk ka drita” sot kanë mbetur vetëm një grusht i vogël fshatrash, ndërkohë që pjesa dërrmuese, jo vetëm e qytetit, por edhe e të gjitha fshatrave furnizohet me ujë të pijshëm dhe projekti aq shumë i munguar dhe aq shumë i pritur për ujin e pijshëm tanimë është realitet.

Megjithatë, në këtë rrugëtim drejt 11 majit, ne nuk kemi vetëm çfarë duhet të adresojmë për komunitetet dhe çfarë duhet të bëjmë në të gjitha drejtimet për 4 vitet e ardhshme këtu brenda vendit tone, por kemi edhe diçka tjetër që është mbi të gjitha këto dhe kjo “diçka” tjetër mbi të gjitha këto është dhe arsyeja e fortë pse unë dua të përqendrohem pikërisht këtu, tek natyra historike e zgjedhjeve të 11 majit.

Nuk ndodh shpesh, mund të ndodhë që të votosh dhe të shkosh në zgjedhje gjithë jetën dhe nuk ke asnjë rast kur zgjedhjet politike për të zgjedhur midis partive për mandatin e ardhshëm të parlamentit të vendit tënd lidhen drejtpërdrejtë me historinë e vendit tënd.

Në Shqipëri ka pasur një moment të tillë, ka qenë mars 1992, ku masivisht shqiptarët dolën në zgjedhje dhe votuan Partinë Demokratike, pavarësisht se shumica e atyre që e votuan Partinë Demokratike në ’92-shin nuk ishin me Partinë Demokratike dhe këtë e treguan menjëherë zgjedhjet që erdhën më pas, pas 6 muajsh, zgjedhjet vendore ku shumica votoi kundër  Partisë Demokratike, por ama në mars shqiptarët nuk panë ngjyrën e partisë, nuk panë as bufin që në atë kohë ishte i sapo dalë nga prehri i Partisë së Punës, nuk panë asgjë nga këto dhe i kapërcyen të gjitha këto sepse ishte momenti i duhur, ishte vendi i duhur për të bërë një zgjedhje historike, për të ndarë, jo vetëm me zakon, gjë që ndodhi me përmbysjen e diktaturës, por për të ndarë edhe me ligj kur i thonë njëherë e mirë të shkuarën nga e ardhmja dhe aty në atë moment, shqiptarët shkuan i dhanë votën një partie që, jo të gjithë e simpatizonin në vetvete, por për t’i hapur rrugë një historie të re, e cila lidhej drejtpërdrejtë me Europën.

Në atë moment u përcaktua njëherë e përgjithmonë rrugëtim i ri i Shqipërisë, ndërkohë që në 11 maj është një moment i ngjashëm. Është një moment shumë i ngjashëm sepse në 11 maj ne mund të përcaktojmë fuqinë me të cilën do të përballemi dhe me cilën do t’i dalim me sukses përballjes në tryezën e negociatave me Bashkimin Europian për ta anëtarësuar Shqipërinë në BE.

Dhe përsëri nuk ka fort rëndësi sipas meje, nëse ata, që nuk janë drejtpërdrejtë mbështetës të Partisë Socialiste, por që janë me siguri të interesuar që Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Europian, a e pëlqejnë apo se pëlqejnë Partinë Socialiste, a e pëlqejnë apo se pëlqejnë Edi Ramën, apo Niko Peleshin, apo këdoqofte. Por ka rëndësi se çfarë ata nuk duhet të bëjnë.

Nuk duhet që një vote, e cila përputh zgjedhjet për Kuvendin e ri të Shqipërisë me një zgjedhje të qartë midis Shqipërisë me BE-në në Europë dhe Shqipërisë me një politikan të lashtë dhe të dëshpëruar, prapë në gropë, të bëjnë, jo atë që forca e zakonit do t’i shtynte të bënin drejt kënetës, por t’i bashkohen 5-ës.

Ti bashkohen 5-ës për t’i dhënë Shqipërisë një fuqi. Në çfarë kuptimi? Në kuptimin që ne në negociatat me Bashkimin Europian kemi një afat. Një afat tre vjeçar që nuk e ka pasur asnjë vend ish-komunist që ka hyrë apo që kërkon të hyjë në Bashkimin Europain, të gjithë të tjerët kanë marrë shumë më tepër kohë.

Për arsye se në gjithë këto vite ne kemi bërë një përpjekje të madhe dhe të suksesshme për të rivendosur, apo për të vendosur identitetin tonë europian, bashkë me respektin ndaj nesh, si një kusht në marrëdhëniet tona ndërkombëtare dhe ia kemi dalë që nga një vend dhe nga një emër shqiptarët që ata nuk e merrnin seriozisht, nuk e respektonin, nuk e vlerësonin, e shihnin me dyshim, të kemi sot një marrëdhënie, ku ata ne na respektojnë, na vlerësojnë dhe na besojnë. Dhe në këto kushte na kanë dhënë një afat 2027-ën për të mbyllur negociatat.

Por, duhet ta dimë të gjithë që hapja e derës së negociatave, siç besoj të gjithë e mbajnë mend, na ka marrë shumë kohë, sepse ajo është një shtëpi të pasurish. Bashkimi Europian është një shtëpi të pasurish. Shtëpitë e të pasurve nuk e mbajnë derën hapur, ju e dini shumë mirë.

Shtëpitë e të varfërve janë me derën hapur. Te shtëpitë e të pasurve, ti mund të trokasësh sa të duash, dera hapet kur duan ata ta hapin dhe kur ata kanë një interes të tyrin që ta hapin. Dhe janë 27 në atë shtëpi që duhet të jenë dakord që të gjithë që të hapet dera, ti trokit sa të duash.

Por ama, ajo që ne kemi bërë, duke e ditur këtë, ka qenë që ne të përgatitemi, të shtrëngojmë dhëmbët kur ata na refuzonin, e na refuzonin, e na refuzonin, se dilte njëri aty brenda, thoshte “jo, po prit se s’janë gati”, dilte tjetri, “jo, po prit se s’kanë bërë këtë” dhe të ishim gati në momentin, kur dëshira jonë e përhershme dhe vendosmëria jonë e palëkundur për të hapur atë derë, të përputheshin edhe me interesin e tyre për të hapur atë derë. Këto janë përputhur, tani dera është hapur, ne jemi ulur në tryezë dhe duhet të bëjmë marrëveshjen, duhet të bëjmë marrëveshjen e krushqisë për të hyrë në atë shtëpi.

Është mbi 250 mijë faqe, ka që të gjitha, që nga ekonomia tek drejtësia, tek, liritë, të drejtat, administrata, shëndetësia, mjedisi, deri tek zogjtë, tek peshqit, tek midhjet, tek gaforret, të gjitha, sepse duhet të biem dakord me ta për kriteret, standardet, rregullat, masat, ligjet që janë baza e funksionimit të asaj shtëpie.

Ata të gjithë funksionojnë me atë bazë dhe ne duhet të biem dakord që të funksionojnë me atë bazë. Ne kemi kërkuar këtë gjë, në radhë të parë, jo për ata, por për veten tonë, sepse ne duam ta bëjmë Shqipërinë Europën e Ballkanit këtu dhe të jemi pjesë e asaj shtëpie atje.

Dhe mbasi biem dakord me ata në Bruksel, duhet të kthehemi këtu vazhdimisht për të bërë gjërat për të cilat biem dakord për t’i bërë ato vendime, për t’i marrë ato masa, për t’i vendosur ato rregulla, për t’i bërë ato ligje.

Tani e përfytyroni ju që ne këtë kohë kaq të shkurtër që na është dhënë dhe kaq intensive, të mos mundim ta shfrytëzojmë për të përmbushur të gjithë negociatën, sepse mund të na duhet të kthehemi këtu dhe të rrimë të presim që t’i mbushet mendja kënetës, që të bashkohet me ne për të bërë një ligj të caktuar.

Si do t’i themi atyre në Bruksel, që ne ramë dakord, por do prisni pak, se atje e kemi një kënetë që duhet të merremi vesh me të. Ne mund t’ia themi këto, por problemi është që, siç e ka treguar historia e zgjerimit të Bashkimit Europian, dera mbyllet. Dera mbyllet dhe ne mund ta humbim këtë moment historik, mund ta humbim këtë mundësi që fati deshi që të na vinte ne në dorë në formën e një flete votimi në një ditë votimi për të thënë njëzëri përtej kufijve të partive, përtej ngjyrave të partive, se ne, populli shqiptar duam të hyjmë tani në Bashkimin Europian.

Dhe për ta kuptuar këtë që po them, duhet t’i referohemi së paku historisë së anëtarësimeve në rajonin tonë. Nuk ka ndodhur asnjë anëtarësim në rajonin tonë dhe në ndërkohë, atyre që iu thonë që po, ç’është kjo punë, Edi Rama mori tre mandate, nuk na futi dot në BE, tani po vjen edhe po na thotë, më jepni mandatin e katërt, se tani do t’ju fus në BE.

Duhet t’i thoni dakord, Edi Rama nuk ishte i zoti ta bënte këtë punë, se ishte i zënë me punë të tjera nga ato që thotë bufi. Po, Mali i Zi? Mali i Zi ka filluar negociatat për t’u anëtarësuar, përpara sesa ne të vinim në qeveri. Ne ishim në opozitë, kur Mali i Zi ka filluar të negociojë anëtarësimin. Pse nuk është anëtarësuar?

Po Serbia që i ka filluar negociatat në 2014-ën, ne nuk kishim bërë akoma kandidat. Ne në ato fillime na shikonin si “dele të zezë”. Na shikoni si një bezdi që duhet kaluar, por nuk na merrni seriozisht. Pse Serbia nuk është futur në Bashkimin Europian?

Po Maqedonia që është këtu afër, që është bërë kandidate 2005-ën. Këtu ka plot vajza dhe djem që nuk kishin lindur në 2005-en, jo që nuk është futur në Bashkimin Europian, po akoma si ka hapur negociatat.

Ndërsa ne i kemi hapur negociatat vjet dhe na është dhënë mundësia që për tre vjet t’i mbyllim dhe kur e nisëm së bashku këtë rrugë, Mali i Zi ishte shumë përpara nesh, nuk dukej fare, bashkë me Serbinë, sot ne jemi në të njëjtë shkallë tek pragu i derës me Malin e Zi dhe Serbia dhe të tjerët janë mbrapa nesh.

Dhe ky është momenti për të bërë hapin vendimtar që në këto dy vite, ne t’i çojmë deri në fund negociatat dhe të mos luajmë me fatin tonë, siç kemi luajtur ne shqiptarët në të shkuarën, jo në një rast të mos vëmë në pikëpyetje vullnetin europian të këtij kombi dhe fatin europian të këtij populli për mustaqet e Kujtim Gjuzit dhe të kapërcejmë ato gardhe, ato hendeqe që na kanë ndarë dhe le të na ndajnë dhe më mbrapa, majtas-djathtas e ku di unë se çfarë, por ama, mbasi ta mbyllim këtë punë sepse kjo nuk është një punë, ky është në mision historik, ky është një mision kombëtar, ky është një mision që e ka zanafillën e vet tek ajo ditë kur Gjergj Kastrioti, duke ngritur barrikadën për të zgjedhur të mbrojë Perëndimin, bëri profecinë si ‘’profeti’’ i historisë sonë kombëtare, duke e lënë për të gjithë brezat: ‘’vendi ynë është në Perëndim, jo në Lindje. Është në Europë, jo në Azi ne jemi europianë dhe vendi ynë është në Europë” dhe pastaj kaluan shekuj deri kur rilindasit tanë e lanë me shkrim, e bënë e amanet atë profeci; “për ne shqiptarët dielli lind andej nga perëndon”.

Dhe më pas erdhën kohëra të ngatërruara, por kjo flakë nuk u shua asnjëherë. Shqiptarët gjithmonë edhe në ditët më të errëta ëndërronin perëndimin, ëndërronin Europën dhe kur ra sistemi i diktaturës, dolën të gjithë rrugëve, askush nuk i nxori me urdhër, askush nuk i mblodhi me organizim, askush nuk i udhëhoqi kur ata sëbashku e nxorën nga shpirti atë shprehjen që mbeti në histori “E duam Shqipërinë si gjithë Europë’’ dhe sot jemi këtu me flamujt tanë, me flamurin më të bukur në botë dhe me flamurin e ëndrrës sonë shekullore. S’kemi këtu flamuj të PS dhe pse ne jemi shumë krenarë për flamurin e PS, por ama jemi këtu për t’i thënë dhe të tjerëve, që ky është momenti ynë, i shqiptarëve, ky është momenti për të afirmuar identitetin tonë europian dhe për të këmbëngulur në identitetin tonë europian, ky është momenti kur ne që Zoti na ka vënë këtu, ndër popujt më të vjetër në mes të Europës të vendosim me votën tonë që të mos jemi më të huaj në zemër të Europës.

Dhe kjo është shumë konkrete. Ne jemi të huaj në Europë dhe na trajtojnë si të huaj në Europë, ju e dini shumë mirë. Ne kemi një pasaportë për të udhëtuar siç udhëtojnë dhe japonezët në Europë, por nuk kemi një pasaportë për të banuar si qytetarë të barabartë të kësaj Europë në derën e së cilës tani jemi dhe dera e së cilës është hapur para nesh.

Dua të përfitoj nga rasti dhe këtu, t’i them të gjithë atyre që janë në emigracion, sidomos në Greqi ku ka pasur probleme në ditët e para me shpërndarjen e zarfave nga DHL, që tani është momenti që, ndërkohë që zarfat pothuajse janë shpërndarë në masën 90% në këtë orë, ata t’i hapin, t’i mbushin, të vënë shenjën tek 5 dhe t’i nisin. T’i nisin sepse për ta 11 maji është shumë konkret, është shumë, shumë konkret. Ata akoma sot, një pjesë e madhe e tyre, jo të gjithë, nuk kanë akoma pasaportë, nuk kanë akoma sigurinë e qëndrimit. Duhet të rrinë nëpër rradha, leja e qëndrimit. Ata akoma sot atje, pas kaq shumë vitesh sakrifica duhet të kenë përsëri problemin që fëmijët e tyre kur i çojnë nëpër shkolla janë të huaj. Dhe sot, ka ardhur për ta dhe një moment shumë i trazuar, sepse ishin të rinj, prindër të rinj kur morën malet vetëm me rrobat e trupit dhe me fëmijët në krahë dhe u nisën drejt të panjohurës absolute duke pranuar sakrifica që vetëm ata mund t’i dinë deri në fund, por që ne që i marrim me mend e kemi shumë të qartë që janë sakrifica të jashtëzakonshme.

E lanë Greqinë me lot dhe me djersë për të rritur fëmijët dhe për të bërë të mundur një jetë më të mirë për familjet e tyre, kontribuuan për atë shtet dhe i dhanë ekonomisë greke, atë që ekonomia greke nuk kishte se ku ta gjente nëse shqiptarët nuk do ishin një gjak i ri në atë organizëm. Ishin shqiptarët që garantuan,  e thonë dhe grekët, që grekët t’i ndërtonin në kohë të gjitha infrastrukturat e lojërave olimpike dhe sot ata janë në pension ose në prag të pensionit, shumica dhe do të jenë gjithnjë më shumë në prag të pensionit sepse ajo gjeneratë tanimë po shkon drejt moshës së tretë dhe jetojnë përditë me ankthin “a do ketë për ta njohje të gjithë kësaj lodhjeje në formën e një pensioni dinjitoz? Apo gjithë puna e bërë dhe gjithë kontributet e paguara do t’i marrë deti? Për t’i njohur pensionet e emigrantëve duhet marrëveshje me qeveritë. Ne kemi bërë 22 marrëveshje në këto 3 mandatet tona dhe arritëm ta mbyllim më në fund dhe marrëveshjen e parafundit për nga vështirësia, atë me Italinë ku në janar të vitit të ardhshëm për të gjithë ata shqiptarë që kanë punuar, emigruar, kontribuuar në Itali dhe që janë në moshën e pensionit, do fillojnë pensionet e njohura sipas viteve të punës që kanë kryer atje. Ndërsa marrëveshja më e fundit po më e vështira është ajo me Greqinë. Pse? Të dyja ishin më të vështirat për nga masa e njerëzve se janë masa të mëdha, që do te thotë dhe barra financiare nuk është e vogël, por nga ana tjetër Italia nuk është Greqia, Greqia nuk është aq e fortë sa Italia dhe ne i kemi filluar negociatat me qeverinë greke, ata janë shumë pozitivë, por unë nuk di ta them sa mund të zgjasin ato negociata. Nuk e di ta them sa vite mund të duhen për atë marrëveshje dhe ndërkohë, për shqiptarët atje është shfaqur një mundësi e re, 11 maji. Pse? Sepse nëse ne mbyllim negociatat dhe hyjmë në BE, të gjithë shqiptarët kudo ku janë do të marrin këtë pasaportë dhe kjo pasaportë nuk është një dokument tjetër udhëtimi si pasaporta që ne kemi sot.

Kjo pasaportë nuk është pasaporta e qytetarit shqiptar që lëviz pa vizë, kjo pasaportë është pasaporta e qytetarit europian që banon në Bashkimin Europian, punon në BE, del në pension në BE, kurohet kur ka nevojë për kujdes shëndetësor në BE, studion në BE dhe të gjitha këto i bën njësoj si të tjerët. Me këtë pasaportë nuk ka më nevojë për pasaportë greke, italiane, spanjolle, franceze.

Me këtë pasaportë ti mund të jetosh në të gjitha këto vende dhe ke absolutisht të njëjtat të drejta si të gjithë ata që kanë lindur dhe janë jo vetëm me nënshtetësinë, por edhe me kombësinë e atyre vendeve.

 Me këtë pasaportë studentët shqiptarë nuk janë më të huaj në qytetet e Europës dhe nuk paguajnë më 10 herë më shumë sesa ata por janë pjesë e të njëjtit komunitet. Nuk bëj asnjë ekzagjerim. Nëse e kthejmë në pasqyrën e Shqipërisë atëherë nëse Pogradeci është Shqipëria, Korça është Greqia. Që do të thotë më të njëjtën lehtësi që shkojmë nga Pogradeci në Korçë do shkojmë dhe nga Shqipëria në Greqi dhe anasjelltas. Me të njëjtën lehtësi që nisemi për në Korçë dhe qëndrojmë atje dhe nuk na thotë njeri ku po shkon, sa do rrish, kush të ka ftuar, a ke lek me vete apo duam të punojmë atje, punojmë atje, apo duam të bëjë një biznes atje, e bëjmë atje. Me po atë lehtësi mund të bëjmë të njëjtën gjë në të gjitha vendet e BE.

Shqipëria do të mbetet 28 mijë kilometra katrorë dhe do të jetë gjithmonë atdheu ynë siç është atdheu i kujtdo prej tyre vendi që është atdheu i tyre, por nga ana tjetër, shqiptarët nuk do jenë më thjeshtë banorë të Shqipërisë, do jenë banorë të Bashkimit Europian, ky është ndryshimi. Dhe në të gjithë perimetrin e madh të Bashkimit Europian, kudo ku të shkojnë, do të jenë në shtëpinë e tyre.

Me këtë pasaportë shqiptarët mund të zgjidhen kryetar bashkish dhe komunash në çdo vend të BE. Duhet të marrin votat kuptohet apo anëtar këshillash bashkiak apo komunal apo mund të zgjidhen dhe euro parlamentar nga Italia, nga Greqia, nga Spanja nga cilido vend, qoftë si pjesë e partive të tyre qoftë dhe nëse janë të zotë të bëjnë vota për të shkuar vet atje. Vetëm një gjë nuk e bëjnë dot me këtë pasaportë, që të bëhen deputetë dhe ministra në vendet e tjera se normal për tu bërë deputet dhe ministra për të përfaqësuar vendin tënd duhet të jesh nga vendi yt, patjetër, por të gjitha të tjerat janë njësoj. Tani a mund të lihet kjo mundësi në dilemën me Shqipërinë në BE në 2030 apo me bufin e kënetës dhe me kënetën edhe një herë tjetër? Kjo nuk ka për të ndodhur natyrisht dhe ne nuk jemi këtu për të thënë që kemi një merak se nuk do marrim dot shumicën aritmetike që i duhet një partie për të qeverisur e vetme, këtë nuk e kemi fare si merak, por tjetër është shumica aritmetike për të qeverisur vetëm dhe tjetër është mesazhi i fortë i përbashkët i gjithë popullit për të negociuar si një trup i vetëm.

Ju them demokratëve që duhet të bëjnë të njëjtën gjë që bënë socialistët apo gjithë jo demokratikasit në mars të ’92, duhet të shkojnë në kutitë e votimit dhe në rast se janë prindër dhe kanë fëmijët e tyre që nuk kanë të drejtë vote, duhet të votojnë për fëmijët e tyre, që tu japin fëmijëve të tyre pasaportë europiane.

Kur fëmijët ta kuptojnë se për çfarë bëhet fjalë tu thonë për këtë pasaportë baba dhe nëna jote bën një sakrificë shumë të madhe, votuan për një maskara si Edi Rama por ama pasaportën ta dhamë, po them për demokratët. Tani doni që t’iu them atyre që të thonë “Edi Rama ishte burrë i mirë”. Nuk e thonë ata. Po le të thonë çfarë të duan për mua por puna është të votojnë për 5-n dhe të marrin pasaportën.

Nëse nuk e kapërcejnë dot këtë fare, duhet të bëjnë atë që bëra unë në mars të ’92, nuk vajta fare të votoja se unë nuk votoja dot për bufin të them të drejtën se ia kisha ndjerë erën që kur e kam parë në minutën e parë atje te Qyteti Studenti, por nuk vajta të votoj për askënd tjetër sepse kush nuk shkon të votojë i hap rrugën opsionit të shumicës. Kështu është rregulli dhe patjetër që unë u bashkova me ata që i hapën rrugën Shqipërisë që dilte nga gjithë errësira e gjatë e komunizmit dhe hynte në një rrugë të re drejt Europës.

Le ta bëjnë kështu, të mos votojnë fare. Po të çohet burri botës që në mëngjes, të vishet si për dasmë, të shkojë të mbajë radhët dhe të hidhet në kënetë, nuk e di sesi mund të bëhet kjo.

Ka dhe një gjë tjetër dhe këtë shumë seriozisht, këta duhet të bëjnë dhe një sevap, demokratët e zakonshëm flas, jo ata çyrykët që e marrin bufin me tendë, e keni parë, se nuk e mban dot as diellin, e marrin me tënde e lëvizin nëpër Shqipëri. Ai futet tek tenda lart, këta rrinë të gjithë si ato speciet e tjera të kënetës poshtë se bufi kështu rri, rri lartë mbi kënetë, ata rrinë poshtë të gjithë. Ata nuk kanë asnjë mëshirë për një person që është i lashtë, i dëshpëruar, i pashpresë dhe që ka rrëshqitur, nuk është më në metro.

Ua u thashë dhe dje në Lezhë, e shkruajta dhe sot, po jua u them dhe ju. Ka një fabul popullore shumë të bukur për këtë çështje. I mblodhi babai djemtë e tij. I tha të madhit, ti do kujdesesh për arën që të prodhojë. I tha të dytit, ti do kujdesesh për prodhimin që të shitet, të voglit i tha ti do kujdesesh për babën që mos ta lësh të dali nga shtëpia kur të fillojë të lajthisë. I tha ai, po si do ta kuptoj unë këtë o bab? Është kollaj fare, kur baba të ngatërrojë fjalët e konakut të burrave me fjalët e konakut të grave ti mos e lër të dalë më nga shtëpia. Tani këtij derëziut dhe punë ziut nuk i doli njeri t’ia heqë të paktën këtë lloj degradimi në sy të njerëzve.

Po dhe ky nuk është se dëgjon njeri se ky është në një hall shumë të madh. A e keni parasysh kur thoshte më vuri non grata-n Edi Rama me Sorosin? po tani pse nuk e hoqi non gratan ky? Tani për tërhequr atë damkën në ballë nxori 6 milionë dollarë. 7×7, vajtën 6 milionë. Para e madhe. Nga i nxori, ku i gjeti, sa ka të tjera akoma? Këto janë probleme të mëdha që flasin për një njeri të pashpresë, të dëshpëruar, që lufton si i mbyturi që kapet pas fijes së barit, por nuk mundemi dot ne të lejojmë që ai të behet i mbyturi që mbyt.

Ndërkohë kjo vlen për demokratët. Duke votuar për 5-n, bëjnë atë që duhet të bënte djali i vogël i fabulës. E ndihmojnë atë të shkojë në shtëpi, nuk futen në gjynah ta mbajnë akoma rrugëve. Unë kështu mendoj, nuk e di si mendoni ju por unë kështu mendoj.

Unë besoj shumë që siç thotë Ilir Xhakolli, këtu në Pogradec ne do marrin rezultatin më të mirë ndonjëherë siç do ta marrim në të gjithë Shqipërinë.

Ne jemi përgatitur shumë për këtë rrugë, ne jemi përgatitur shumë për ditën kur do të na hapej dera, për ditën kur do uleshim në tryezë ne nuk ishim të përgatitur me thënë të drejtën për këtë surprizë që na e vuri Bashkimi Europian përpara. Të gjithë negociatën për 3 vjet, nuk e ka pasur asnjë vend ish komunist, është negociata më e shpejtë që është vlerësim për ne dhe patjetër që ne jemi përgatitur shumë fort edhe për të marrë një fitore shembullore. Do jetë pa diskutim një fitore që siç është beteja ime bashkë me juve, e 10-a, do të mbajë notën 10.

Deri në 11 maj të gjithë ju që keni ardhur këtu dhe të gjithë ju që keni ardhur këtu nuk diskutohet që jeni me mendje të ndarë, bëni çmos që të merrni të tjerë me vete dhe sidomos fqinj demokratë, të njohur demokratë, fillojeni nga gratë e tyre ju gratë dhe vajzat këtu sepse në qoftë se arsyeja e burrave errësohet nga tifozllëku, arsyeja e grave nuk ka tifozllëk, por ka sensin e shtëpisë së përbashkët.

Ju falënderoj shumë për të gjitha, ju jam shumë mirënjohës për të gjitha, kini besim dhe sa i përket Pogradecit duhet ta dini, kemi bërë për Pogradecin në 4 vite atë që thamë, më shumë se në të gjitha vitet e tjera të marra së bashku, por në Shqipërinë 2030 Pogradeci do jetë edhe më i bukur se ky që është sot, edhe më i transformuar se ky që është sot, edhe më i zhvilluar, edhe me një ekonomi shumë më të mirë se kjo që ka sot.

Shumë faleminderit!