11 maji nuk është votë për shumicën aritmetike, është fjala për të krijuar një shumicë shpirtërore shqiptare për Shqipërinë si Europën e Ballkanit dhe për shqiptarët si banorë të Europës së Bashkuar
Korçë, Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama:
Shumë faleminderit!
Shumë faleminderit edhe megjithëse unë nuk jam si djali nga Maliqi që e kishte për herë të parë që shikonte përballë, por realisht tani e kuptoj se çfarë pati parasysh Nikoja kur tha do doja të ishit të gjithë këtu, sepse ne kemi bërë takime shumë të bukura në Korçë, por këtu është tamam si një zemër e hapur dhe duket shumë fantastike pamja e këtij trupi të madh njerëzor të bashkuar këtu në këtë shesh. Dhe Nikoja foli për rrugën e gjatë të shpirtit europian, shpjegoi edhe lidhjen e Korçës me atë shpirt, foli edhe për projektet. Ça më ngeli mua tani?
Mua më ngeli të flas për diçka që nuk është aq e këndshme sa ato që zgjodhi Niko po unë duhet të flas, edhe dua ta filloj me një ndjesë për të gjithë ju, për të gjithë qytetarët e Korçës që e përkëdhela Ilir Vrenosin në momentin e gabuar edhe u fry, edhe pastaj u bë protagonist i një shfaqje “porno politike” në pallatin e sportit, ku besoj unë këneta i dha të gjithë Korçës dhe të gjithë korçarëve në radhë të parë të gjitha arsyet pse duhet tharë dhe nuk duhet votuar më kurrë nga Korça, kurrë.
Edhe për hir të vërtetës, historia ishte shumë e thjeshtë, se më tregoi Nikoja një video këtu të kënetës, që ishte një gjë e pabesueshme. Në një kafe ishin vetëm burra, s’kishte asnjë grua, dhe ky deputeti bënte, “u, u, u” dhe ato çoheshin, ata bravo, ky “u, u, u”, ata bravo. Edhe nuk e besoja dot që ky ishte deputet.
Domethënë në 1923-in Korça zgjodhi Fan Nolin, 2025-n këneta i thotë Korçës zgjidh Fidelin, “u, u, u”. Edhe kur bënte, “u, u, u”, i fryheshin mëngët, e pabesueshme, e pabesueshme. Dhe më vjen keq se ka dhe emrin e një shokut tim, skandal, e tmerrshme.
Dhe është e rëndësishme, sepse se shikoni çfarë kontrasti. Ju e patë si filloi ky takim këtu me gjithë ato mandolina, e kitara e me gjithë atë sqimë edhe respekt për veten dhe e tërë Korça e pa çfarë ndodhi në pallatin e sportit.
Një shfaqe e lemeritshme, e anti kulturës, një shfaqe e lemeritshme anti europiane, një shfaqe e lemeritshme anti qytetare, një shfaqe e lemeritshme anti korçare dhe për këtë arsye unë besoj që të gjithë ata të cilët janë mërzitur me Nikon, janë fare të pakënaqur me mua, janë krejt të pa orientuar që të vijnë drejt nesh, duhet t’i dëgjojnë disa fjalë nga unë sot.
Do dëgjoj disa fjalë nga unë sot, jo për t’u bërë me Nikon e me mua e me Partinë Socialiste, por për tu arratisur nga ajo lemeri, nga ajo kënetë dhe për të menduar se çfarë është vota e 11 majit.
Nuk është votë për shumicën aritmetike për të krijuar një qeveri të Partisë Socialiste. Shumicën aritmetike për të krijuar qeverinë e Partisë Socialiste, nuk e them fare për mendjemadhësi, as e them për vetësiguri, as e them për, ne as nuk e diskutojmë fare, fare. Këtu fjala është për të krijuar një shumicë shpirtërore shqiptare për Shqipërinë si Europën e Ballkanit dhe për shqiptarët si banorë të Europës së Bashkuar. Këtu është fjala për ta parë se çfarë peshe dhe çfarë kuptimi ka vota e 11 majit. Nuk është një votë thjeshtë dhe vetëm se do shkojmë, do zgjedhim parlamentin e ri, edhe do ndajmë kush është shumica, kush është pakica. Është një votë që ka brenda edhe një vendim historik, ka brenda vendimin që shqiptarët së bashku do të marrin në një moment historik, sepse për herë të parë, për herë të parë, qysh se ra muri i izolimit, Europa na ka hapur derën dhe ne jemi tek pragu, gati për ta kapërcyer.
Për herë të parë ajo derë nuk ka qenë asnjëherë e hapur, ajo shtëpi, Bashkimi Europian është një shtëpi të pasurish, ajo nuk e mban derën hapur. Shtëpitë e të pasurve nuk e mbajnë derën hapur gjithmonë, shtëpitë e të varfërve po, janë gjithmonë me dyer të hapura, që ata të hapin derën duhet që 27 anëtarë brenda asaj shtëpie të bien në një mendje, që dera të hapet dhe ti mund të trokasësh sa të duash, dera nuk hapet nëse ata nuk kanë interesin e tyre ta hapin dhe në gjithë këto vite ne na është dashur të bëjmë një përpjekje të jashtëzakonshme që në radhë të parë të na shohin. Të ngrenë sytë, të na shohin, të na njohin, të na njohin dhe të na kuptojnë, dhe pastaj të na pranojnë si europian me identitetin tonë europian. Të na pranojnë dhe pastaj, mbasi të na pranojnë, të na respektojnë dhe pasi na respektojnë, të na vlerësojnë, dhe pasi të na vlerësojnë, të na besojnë dhe ne e kemi arritur këtë. Kemi punuar shumë për këtë.
Kemi dashur ne të gjithë, të gjithë, pa përjashtim, të majtë e të djathtë e tëra partitë të shkojmë në Europë, të shkojmë në Europë. Po ti mund të duash të shkosh sa të duash, duhet të të hapin derën. Shanset historike i kemi djegur në të shkuarën. Kemi djegur në një shans të madh në vitet ’90 kur e kthyem përmbys Shqipërinë dhe e hodhëm në humnerën gjithë zjarre të piramidave dhe kur ne morëm detyrën Shqipëria ishte në fund fare.
Ndërkohë që sot Shqipëria është tek pragu, na kanë vënë përpara marrëveshjen e krushqisë së madhe 250 mijë e kusur faqe për të negociuar, për t’u marrë vesh për të gjitha, të gjitha, të gjitha çështjet, nga ekonomia te drejtësia deri te mjedisi te zogjtë dhe te peshqit dhe gjëja më e jashtëzakonshme, më e paimagjinueshme derisa disa vite përpara na kanë dhënë tre vjet, nga vjet deri në 2027-ën, për ta mbyllur marrëveshjen.
Duhet ta kenë të gjithë parasysh asnjë vend që ka qenë komunist dhe që ka dalë nga regjimi komunist, shumë prej të cilëve janë sot në Bashkimin Europian, nuk kanë marrë tre vjet, kanë marrë shumë më tepër se tre vjet.
Duhet pasur parasysh që Mali i Zi i ka hapur negociatat përpara sa ne të vinim në qeveri në 2012-ën, nuk është akoma në Bashkimin Europian. Ishte ku e ku përpara nesh. Sot ne jemi krahë për krah me Malin e Zi tek pragu. Duhet pasur parasysh që Serbia në 2014 hapi negociatat, ne nuk ishim bërë akoma kandidat. Dhe mos harroni që Maqedonia ndërroi dhe emrin, është bërë vendi i parë kandidat në 2005, akoma ska hapur negociatat. Tani që të ndodhi kjo, duhet ekzaktësisht që yjet e tyre dhe ylli i fatit tonë europian të rreshtohen në një vijë. Janë rreshtuar në një vijë, por tani na takon ne, është sfida jonë që t’i përmbushim të gjitha brenda 2027. Është jashtëzakonisht e vështirë, por ne duhet të bëjmë tonën dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të jetë për fajin tonë që afati të mos kapet. Dhe ku lidhet kjo me 11 majin? Lidhet pikërisht tek afati. Lidhet pikërisht tek nevoja për të gjitha ato për të cilat ne merremi vesh atje në Bruksel që janë rregulla që duhen vënë këtu, janë vendime që duhen marrë këtu, janë masa që duhen përcaktuar këtu, janë ligje që duhen aprovuar këtu. Kur të vijmë këtu, duhet të kemi fuqinë që t’i zbatojmë siç zotohemi atje dhe jo të mbetemi në dorë të Ilir Vrenozit dhe të kënetës dhe të atij “u, u, u’, me atë do bëjmë ne negociata në BE, dhe ata të tjerët hidheshin përpjetë si të xhindosur. Mbledhur të tërë atje në një kuvli. Nuk bëhet dot kjo punë. Duhet të lëmë pas të gjithë këta dhe për arsye na duhet një fuqi më e madhe vendimmarrëse. Na duhet një fuqi që të mos detyrohemi të ulim kokën atje si të pafuqishëm për t’i qëndruar të gjitha angazhimeve që marrim në atë arenë.
A e kuptoni çfarë transformimi i kemi bërë Shqipërisë? Ky flamur që sot ne e tundim me shumë krenari të gjithë këtu dhe me të drejtë në këtë shesh dhe që e kemi tundur gjithmonë me krenari këtu brenda, ka qenë në gjysmë shtize, jashtë kufijve të Shqipërisë sepse nuk e respektonte askush. Ne e morëm këtë flamur dhe e kemi ngjitur në të gjitha shkallët ku Shqipëria është thirrur dhe e kemi vendosur me dinjitet dhe e kemi kthyer jo vetëm në flamurin e identitetit tonë kombëtar, por dhe të identitetit tonë europian. Tani është koha për ta marrë dhe për ta vendosur përfundimisht në oborrin e shtëpisë së përbashkët europiane.
Si mundet ne t’i shmangemi kësaj mundësie të jashtëzakonshme? Ne kur lexojmë historinë na duket sikur ata që kanë bërë historinë kanë qene njerëz të rënë nga qielli, kanë qenë njerëz me formë fantazmagorike, kanë qenë njerëz që fluturonin nëpër re. Jo, kanë qene si ne, kanë qenë njerëz si ne dhe kanë bërë histori dhe prandaj koha i ka lartësuar. Na është dhënë ne tani kjo mundësi që të bëjmë histori, na ka rënë ne siç iu ra shqiptarëve në mars të ’92-shit mundësia të shkonin në takim me historinë dhe të vendosnin çfarë do bënin. Do vazhdonin me të shkuarën. Do linin një paqartësi midis të shkuarës dhe të nesërmes apo do ta ndanin përfundimisht atë që iku me Europën që po vinte dhe shqiptarët e bënë masivisht dhe Partia Demokratike në atë kohë mori shumë më tepër vota se sa c’kishte mbështetës të PD. Disa muaj më vonë mbeti prapë në pakicë. Ama në atë moment shqiptarët nuk mund të votonin asnjë tjetër ose në rastin më të keq duhet të bënin atë që bëra unë, të mos votonin fare.
Unë nuk votoja dot bufin se ia kisha ndjerë erën që në minutën e parë që e pashë por nuk mund të voroja askënd tjetër. Dhe kush nuk shkon të votojë pranon ti hapë rrugë opsionit më të fortë. Dhe unë atë bëra. Demokratët nëse e kanë të pamundur të vijnë të votojnë për PS dhe të bashkohen me ne tek numri 5, nëse e kanë të pamundur se kanë sqimë të madhe që pa e votuar 5-n të shikojnë në gjithë kolonën dhe të shikojnë gjithë këta kandidatë dhe ta gjejnë, e duan grua, e duan burrë, e duan vajzë, e duan djalë. Nëse nuk i bëjnë dot të gjitha këto, të rrinë në shtëpi, por jo të vishen, të lahen, të rruhen e të krihen e pastaj të shkojnë të veshur si në dasmë për të mbajtur radhe që ta marrin votën e të hidhen bashkë me votën në kënetë. Kjo është çmenduri.
Ndërsa të tjerët duhet të na bashkohen ne. Kjo është historia që na ka ardhur në dorë dhe është fati europian që ne mund të realizojmë dhe ta përmbushim me duart tona.
Nuk dua të kthehem tek trajektorja që i bëri Niko shpirtit të Europës dhe lidhjes së tij me shqiptarët, por dua që t’ju them ta shohim më tutje projeksionin e këtij shpirti të Europës dhe sesi mund të jemi nesër nëse bëjmë gjënë e duhur të dielën e ardhshme. Dhe këtu dua të përfitoj nga rasti se e di shumë mirë që ka plot korçarë, pogradecarë, devollinj, kolonjarë, banorë të Maliqit, maliqar, që në emigracion në Greqi janë regjistruar për të votuar në 11 maj. Ka pasur një problematikë me shpërndarjen e zarfeve në ditët e para nga DHL, tani zarfet janë shpërndarë dhe unë duhet t’i një thirrje. Nuk mund dot ju, shqiptarët e Greqisë të mungoni në këtë takim me historinë edhe për një arsye më shumë. Sepse Shqipëria në BE dhe ajo pasaporta aty i jep fund një herë e përgjithmonë të gjitha llojeve të sikleteve, të radhëve, të pritjeve, të burokracive, leje e qëndrimit, leja e parkimi, leja e zhvillimit e ku di unë çfarë lejesh të tjera dhe mbi të gjitha i jep fund atij ankthi që ka filluar të shtrihet në zemrat e shumë prindërve që kur ishin të rinj i morën fëmijët në krah me rrobat e trupit kaluan malet, e lanë me lot dhe me djersë tokën e Greqisë për fëmijët e tyre dhe tani nuk dinë a do marrin dot një pension, a do ua u njohi dot shteti grek dhe a do jetë në gjendje shteti ynë që ta bindi shtetin grek që të marrin pension për të gjithë ato kontribute që i kanë dhënë Greqisë. Pa shqiptarët e Greqisë, Greqia nuk do i mbijetonte dot krizave të veta dhe për ta zgjidhur këtë problem, ne duhet të bëjmë marrëveshje me ta, me qeverinë greke. Ne kemi filluar të punojmë për marrëveshjen, por ajo mund të marrë vite të tëra. Sa vite na mori marrëveshja me Italinë?
Fati e desh, më doli një motër mua në Romë dhe e bëmë marrëveshjen dhe prapë pasi ne bëmë marrëveshjen u deshën dy vjet pothuajse që të përmbyllej dhe nga janari shqiptarët e Italisë do fillojnë të marrin pensionin për të gjitha vitet e punës në Itali.
Ndërsa me Greqinë kjo mund të vazhdojë me vite, se s’e kemi ne në dorë. Është shumë e vështirë dhe për qeverinë greke sepse janë shumë njerëz dhe kushton, ama fati europian që na ka ardhur në dorë na ka dhënë një mundësi të re, iu ka dhënë atyre një mundësi të re. Nëse ata dhe ne bashkë me ta, marrim këtë pasaportë, kjo pasaportë nuk është një dokument tjetër udhëtimi për të lëvizur pa viza, që shkruan sipër Bashkimi Europian, po kjo është pasaportë qytetarie statusi të barabartë dhe në momentin që ke atë pasaportë, ti mund të rrish të jetosh, të punosh, të pleqërosh në çdo pikë të BE, njësoj siç rri, jeton dhe punon në çdo pikë të Korçës dhe nuk të thotë dot njeri as “nga je”, as “ku po shkon”, as “kush të pret” sepse je qytetar i barabartë i BE me të gjtha të drejtat dhe kjo pasaportë ka brenda dhe njohjen automatike të pensionit.
Dhe kur marrrim atë pasaportë, të gjithë ata që jetojnë jashtë nuk kanë nevojë ta kenë më pasaportën e vendit që janë atje. Pasaporta kuqezi në Greqi do të jetë e barabartë me pasaportën bardhë e blu, njësoj, me të vetmin ndryshim që me pasaportën kuqezi nuk bëhesh dot deputet dhe nuk bëhesh dot minsitër në Greqi. Por, tani emigrantët mund të bëhen deputetë dhe mund të bëhen ministra në Shqipëri.
E kemi zgjidhur dhe këtë punë, por mund të bëhesh kryetar bashkie, kryetar komune, anëtar këshilli. Mund të bëhesh europarlamentar me këtë në çdo vend të Europës sepse është ajo që korrigjoi Nikua Ilirin. Iliri tha “ta fusim Evropën” dhe kujtoi se bëri gabim, në fakt është ekzakt kjo. Europa bëhet Shqipëri, Shqipëria bëhet Europë.
Shqipëria bëhet e madhe sa BE.
BE bëhet e vogël sa Shqipëria.
Kjo është ajo që sjell 11 maji. Si një mundësi për të përmbushur një profeci, profecinë e Gjergj Kastriotit dhe pastaj një amanet që na e lanë të shkruar rilindasit dhe për rilindasit ju keni shumë prej tyre, shpirtërat e të cilëve janë vërdallë këtu në qiellin e këtij qyteti dhe ajo që ne të gjithë, cilido që ka të drejtë vote, ia ka borxh në radhë të parë atyre fëmijëve që nuk votojnë dot në 11 maj. Sepse më shumë se për të gjithë të tjerët, ajo pasaportë është për ata fëmijë dhe prandaj i them prindërve demokratë, baballarëve demokratë me atë uuu-uuu. Ça uuu-je? Ku do veni me atë? Jo, unë s’e bëra ashtu, po një hap larg ishte. Ku do veni me atë? Uuu? Aq më tepër në Korçë, Korça është e serenatave. Këta duan ta bëjnë “uuu”. Ku ka pasur ndonjëherë “uuu” në Korçë. I vetmi vend, ku dhe qentë nuk lehin, por këndojnë , Korça. Dhe ndoshta për këtë arsye kanë dalë ca që bëjnë “uuu”.
Prindërit demokratë duhet ta mendojnë këtë gjë, kanë votën, kanë fëmijët. Ja ku janë. Ata fëmijë nesër do shkojnë në shkollë, do të duan t’i çojnë në shkollë në Europë. Do të duan t’i çojnë në universitet në Europë. Me atë pasaportë i çojnë dhe nuk paguajnë 10-fishin sepse fëmijët e tyre nuk janë më të huaj as në Itali, as në Greqi, as në Spanjë, po janë qytetarë të barabartë të Europës. Janë europianë të barabartë. Edhe sa vite, sa dekada do mbetemi ne popull i dorës së dytë, popull i përçmuar? Qytetarë të huaj? Një nga popujt më të vjetër, Zoti e ka vënë në mes të Europës, jemi akoma të huaj për Europën. Pse? Për cilën arsye? Ka shumë arsye në të shkuarën. Sot nuk ka arsye, nëse ne nuk duam të krijojmë arsye që janë të gjitha arsyet e mosarsyes.
Për këtë unë i bëj apel të gjthëve që të bashkohen dhe mbi të gjitha, e përsëris prapë se nuk më del e keqja me atë “uuu” edhe me atë kënetën porno-politike atje që…
Në atë pallat sporti është çnderuar Korça po ju them. Korça është çnderuar në atë pallat sporti. Në atë pallat sporti janë çnderuar të gjithë ata që kanë kënduar serenata, të gjithë ata që kanë dalë nëpër Korçë me frak e me ato ksotume të mrekullueshme që e bënë Korçën ohu. Kur të tjerët s’dinin ku binte Europa, Korça quhej Paris i vogël. Ça duan të bëjnë këta, more? Duan ta kthejnë Korçën në epokën e gurit? Uu-uuu.
Ju lutem, dhe në fund fare dua të them dhe diçka që është e rëndësishme dhe kjo. Për herë të parë në historinë tone, ne kemi një moment kur shqiptarët po jetojnë një përpjekje të barazisë para ligjit. S’ka qenë kurrë barazia para ligjit një realitet për shqiptarët. Që kur shqiptarët bënë shtetin, ligji ishte bashkë me Maliqin dhe Maliqi ishte i pari i qeverisë; republikë, mbretëri, diktaturë, tranzicion demokratik e ku di unë, të gjithë shpatën e ndëshkimit të drejtësisë e mbanin te zyra. E mbante i pari i qeverisë. Ne jemi të parët në histori, që dorëzuam shpatën dhe e lamë të lirë drejtësinë sepse pa një drejtësi që është e lirë të godasë majtas dhe djathtas dhe pa një forcë udhëheqëse që është e gatshme të marrë të gjitha kostot sepse nuk jemi këtu për pushtetin sot, jemi këtu për shtetin europian të fëmijëve tanë nesër, nuk bëhesh kurrë, kurrë i denjë për të hyrë tek ao “shtëpia” e madhe dhe e pasur atje. Dhe vijnë këta, bashkë me ca të tjerë që shtrihen çdo natë nëpër ato berberhanet e debateve politike edhe bëjnë të habiturin; si mund të votohet PS? Këta kanë gjysmën e qverisë në burg? Këta kanë gjysmën tjetër në hetime. Këta janë të zhytyr aty, janë të zhytyr këtu.
E para e punës një herë, këta s’dinë aritmetikë se ne kemi pasur 60 e kusur ministra dhe nuk janë sa gishtat e njërës dorë ata që kanë pasur probleme me drejtësinë, por dhe sikur të ishte gjysma, kush e solli këtë realitet të ri? Stamo Dumo? Apo Noc Rroku? E solli PS, e sollëm ne me vendosmërinë më të madhe dhe këta bëjnë interesantin edhe thonë “Edi Rama del nëpër Shqipëri, një herë timoni, një herë tepsia, një herë këneta, një herë bufi’’ po sot unë ju them juve, ju kujtohet kur ju thosha në 2017 “ma jepni timonin, mos më lini të tjerë në prehër se ndryshe nuk e bëjmë dot drejtësinë, që godet majtas e djathtas dhe që sheh vetëm drejt”, juve më besuat dhe ja ku është sot Shqipëria që po përpiqet të bëjë barazi para ligjit.
Këta kujtojnë se do ulim kokën ne, se mes nesh dalin dhe drurë të shtrembër.
Këta s’janë në vete. Ne jemi shumë krenarë që ne e krijuam këtë realitet të ri, që ne e bëmë realitet ndarjen e pushteteve dhe ne i dhamë sens shtetbërjes demokratike, ku qeveria ka punën e vet, parlamenti ka të vetën dhe drejtësia ka të vetën. Tani, doni ju që kjo punë të vazhdojë apo doni që të kthehet mbrapsht? Doni ju që fëmijët tanë nesër të jetojnë në një vend, ku nuk vihet më në diskutim kjo gjë? Atëherë kjo gjë nuk i duhet lënë asnjë udhëheqësi shqiptar këtu, kjo gjë realizohet dhe bëhet e pakthyeshme duke futur Shqipërinë në BE dhe duke sjellë BE këtu. Vetëm atëherë nuk del dot asnjë karafil këtu, asnjë buf kënete dhe asnjë shitës qilimash që do ta kthejë dhe një herë nga e para. Vetëm atëherë, kjo nuk ndodh dhe vetëm atëherë të gjithë fëmijët e shqipes do jenë të gjithë të barabartë dhe nuk do ketë më “I kujt je, sa para ke, me kë ke lidhje?” por do të jetë thjeshtë “Ke të drejtë apo nuk ke të drejtë”.
Kjo është Europa në Shqipëri dhe kjo është Shqipëria në Europë dhe për këtë duhet të luftojmë të gjithë së bashku dhe zgjedhja është shumë e qartë; për gjithë këtë shpresë të madhe apo për një politikan të lashtë, të dëshpëruar, të pashpresë dhe të tani edhe zyrtarisht të rrjedhur, është zyrtarisht i rrjedhur, nuk diskutohet.
Përse do shkojmë në 11 maj ne, do shkojmë për Shqipërinë me BE-në në Europë apo për kënetën dhe për të zgjidhur hallin e një individi të vetëm që me demek do hiqte dhe Non-Grata. E hoqi gjë Non-Gratën se ia kisha vënë unë me Soros-in? Na solli dhe një Latif nga Amerika dhe do hutonte Shqipërinë. Lafiti nga Amerika njësoj si ai korçari që luante tek “Gjeneral Gramafoni”. Erdhi vërdallë edhe Latifi, iku dhe Latifi, por Latifi të paktën i zgjuar, i mori dhe nja 600 milionë dollarë andej.
Tani nga dolën këta 6 milionë dollarë, nga dolën apo tani 7×7 janë 6 milionë?
Janë të gjitha arsyet e botës për të mos e dyshuar që, nëse ke një votë për ta hedhur dhe nëse shkon ta hedhësh do ta hedhësh vetëm tek “Qepalla Bashkimi Europian” dhe nëse ke një votë për ta hedhur dhe nuk të vjen ta hedhësh tek “Qepalla Bashkimi Europian” mos ik fare të votosh, rri në shtëpi dhe lëri të tjerët të vendosin për ty.
Kaq e thjeshtë është kjo.
Ju falënderoj nga zemra të gjithë për durimin, për kulturën dhe unë nuk jam korçar, unë nuk jam korçar, unë kam shokë në Korçë, korçar nuk jam, nuk marr dot hak për ju, por ju dhe të gjithë korçarët që e ndjejnë borxhin që i kanë Korçës së kulturës, Korçës së rilindësve, Korçës së Mësonjëtores, Korçës së edukatës, Korçës së modës, Korçës së muzikës, teatrit, Korçës së mjekrës lart, të gjithë duhet të marrin hak dhe duhet t’i japin asaj kënete të Pallatit të Sportit, atë natë, mësimin më të hidhur që mos guxojë njeri më në Korçë të vijë dhe të nxjerrë nga goja fjalë që fyejnë Korçën dhe që pështyjnë në fytyrën e të gjithë atyre që i kanë dhënë Korçës bukuri dhe nder.
Shumë faleminderit!