Greqi, Me shqiptarët e Selanikut, pas premtimit të mbajtur të ligjërimit të së drejtës së çdo shqiptari jashtë Shqipërisë, për të marrë pjesë në zgjedhje, duke votuar nga aty ku banon
Takimet me shqiptarët e Diasporës, në vijim të turit “Krenarë për Shqipërinë, u rikthyen sot në Greqi, në një takim me komunitetin shqiptar të Selanikut, ku kryeministri Rama u mikprit nga bashkëatdhetarë, të cilët jetojnë e punojnë prej dekadash në këtë qytet.
Rikthimi në Greqi bëhet me premtimin e mbajtur të ligjërimit të së drejtës së çdo shqiptari jashtë Shqipërisë, për të marrë pjesë në zgjedhje, duke votuar nga aty ku banon.
“Sot ju jeni votues që do merrni pjesë për herë të parë në zgjedhjet politike të Shqipërisë, duke gëzuar të drejtën të votoni, këtu ku jeni, nga shtëpia juaj.” – iu drejtua kryeministri Rama shqiptarëve në Selanik.
Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste, njëherësh kryeministër, Edi Rama:
Motra dhe vëllezër shqiptarë të Greqisë!
Mirë se ju gjej përsëri, këtë herë në Selanik dhe më lejoni në fillim që t’ju prezantoj këtu disa nga ne, që siç ju premtova pas takimit të paharrueshëm të Athinës, do të na ndihmojnë që tu qëndrojmë më pranë fëmijëve tuaj për mësimin e gjuhës shqipe. Janë këtu në Selanik 8 nga 50 mësuesit e parë të rinj të gjuhës shqipe, me të cilët Ministria jonë e Arsimit do të lidhë një kontratë pune për t’i shërbyer dhe mësuar gjuhën tonë amtare vogëlushëve shqiptarë të Greqisë dhe siç mund ta merrni mend janë 8 gra që dua ti ftoj në skenë. Eva Paloka, Brunilda Troksi, Aurela Kunduri, Lindita Budini, Erjona Sula, Majlinda Tola, Silvana Mile dhe Vera Gjoni.
Nga ana tjetër dua që në fillim që tu shpreh keqardhjen të gjithë gazetareve të ardhur dje nga Shqipëria për të ndjekur këtë takim, të cilët u bllokuan për disa orë në kufi për arsye të panjohura për ne, por dua dhe të falënderoj Ministrin e Jashtëm grek, mikun tim Giorgos Gerapetritis për ndërhyrjen e tij dhe zhbllokimin e një situate absurde që kurrë nuk i ka ndodhur dhe s’mund t’i ndodhë për asnjë arsye asnjë gazetari grek në kufirin hyrës të Shqipërisë.
Dhe meqë po flasim për gazetarët dhe për lirinë e informimit dhe të lëvizjes së lirë të gazetarëve në territorin e Europës tonë të përbashkët, dua të besoj se ministri i Jashtëm i Greqisë, vet qeveria greke do ti përgjigjen me logjikën e shëndetshme europiane kërkesës që di t’ia drejtojmë zyrtarisht që nesër për rishikimin e një vendimi absurd të autoriteteve greke 12 vjet më parë për të ndaluar gazetarin Marin Mema që të hyjë në Greqi.
Marin Mema nuk ka kryer asnjë krim, ai nuk ka bërë asgjë më shumë dhe asgjë më pak sesa punën e tij si gazetar i apasionuar pas gjurmëve të historisë së shqiptarëve. Dhe nëse këndvështrimi i tij i historisë është i ndryshëm nga i kujto do qoftë në Athinë që ka nxitur apo ka marrë vendimin absurd për të ndaluar lirinë e tij të hyrjes në një vend të BE siç është Greqia fqinje dhe mike, ky s’mund të jetë kurrën e kurrës një shkak për t’i hequr arbitrarisht një gazetari lirinë europiane të lëvizjes, përkundrazi kjo është një masë ekstreme anti demokratike, anti europiane e cila bie ndesh me çdo vlerë dhe me çdo parim të komunitetit demokratik europian. Dhe në vazhdim të këtyre shfaqjeve të padëshiruara diku këtu rreth e rrotull një grup fantazmash të gjalla të së shkuarës, janë angazhuar në një protestë kundër ardhjes time këtu për t’ju takuar ju, me fletushka dhe me parulla qesharake të frymëzuara nga i ashtuquajturi vorio epir, ata kanë bërë këto ditë në adresën time edhe kërcënime të cilat mua më shkaktojnë vetëm keqardhje, njësoj siç më shkakton keqardhje edhe çdo spazmë e kujto qoftë në Shqipëri që ushqen ndjenja jo miqësore ndaj Greqisë fqinje dhe mike.
Vorio Epiri është një term i vdekur me kohë dhe me vakt. Ka vdekur bashkë me çdo ëndërr të lodhur të qarqeve dhe individëve te dalë boje dhe të dalë kohe këtyre anëve. Kush e përdor akoma sot termin Vorio Epir kur flet për jugun e Shqipërisë tregon vetëm dritë shkurtësinë dhe pafuqinë e vet për të jetuar në shekullin e XXI. Këto janë fosile për gjynah, por nuk janë në asnjë mënyrë arsye që të ushqejmë brenda nesh ndjenja jo miqësore ndaj Greqisë. Për Shqipërinë e sotme, Greqia është jo thjeshte një vend fqinj, por një partner i pazëvendësueshëm që së bashku me Turqinë dhe Italinë përbën njërën nga brinjët e trekëndëshit strategjik të politikes sonë të jashtme.
Ndërsa për ju shqiptarët e Greqisë, Greqia është shtëpia juaj. Ju jeni sot qytetarë të barabartë të Europës, njësoj si grekët pa asnjë dallim dhe ku peripecitë e jashtëzakonshme të integrimit tuaj të plotë në shoqërinë demokratike të këtij vendi janë kujtime në histori, kujtime të trishta sa të duash, por ama në të njëjtën kohë një histori krenare e mishëruar në fuqinë heroike të ambicies së të gjithë prindërve që morën në krahë fëmijët për të ardhur këtu për një jetë më të mirë, që qëndruan, luftuan dhe fituan vendin e tyre në këtë tokë të Europës.
Nga leximi i të ardhmes me sytë e të shkuarës, prej ku mendjet e ngushta dhe gojët e mykura të mexhelisit politik dhe mediatik jo vetëm këtu në Greqi, por edhe në Shqipëri dhe gjetkë në rajonin tonë, ushqehen me frytet e kalbura të nacionalizmave ballkanikë dhe jashtë nxjerrin helmet e historisë së përdorur si lëndë luftarake, fitojnë vetëm politikat e vjetra dhe politikanët që rrinë me kurriz nga e ardhmja, ndërkohë që lëndohen interesat e popujve dhe të të gjithë fëmijëve të këtij rajoni, i cili fatkeqësisht ka prodhuar gjithnjë më shumë histori sesa ka mundur të tresë. Ndërsa leximi me sytë e të ardhmes i historisë sonë të përbashkët me Greqinë, na jep mijëra arsye po aq sa vite që shqiptarët dhe grekët kanë bashkëndarë diellin në këtë pjesë të kontinentit tonë për të parë tek njëri-tjetri një vlerë dhe një forcë të shtuar në rrugën e pandashme të së ardhmes dhe për t’i parë territoret e njëri-tjetrit si hapësira bashkëpunimi, zhvillimi dhe mirëqenie të përbashkët; jo si copëra hartash të vjetra ku kultivohen drurët e shtrembër të nacionalizmit folklorik dhe ku më mirë se sa këtu në Selanik mund të lexohet e shkuara me sytë e të ardhmes sonë të pandashme. Selaniku është qyteti i jetëve të shumë brezave dhe njerëzve me prejardhje të ndryshme, të mbledhur bashkë si në një mozaik të gjallë të historisë në të cilin u ndërthurën fate e kultura dhe identitete të ndryshme; ku shqiptarët kanë patur vendin dhe rolin e tyre të pamohueshëm për shekuj me radhë.
Herë si ushtarë, herë si tregtarë, herë si punëtorë , herë si individë problematikë, e herë si njerëz mendjendritur në mozaikun e mahnitshëm të historisë së këtij qyteti përkrah hebrenjve, turqve, armenëve, bullgarëve dhe sigurisht dhe grekëve, shqiptarët kanë vendosur gurët e një modeli jo vetëm bashkëjetese por edhe bashkëveprimi dhe shkrirjeje ndëretnike, ku të vetmit kufij për t’u kapërcyer ishin kufijtë e imagjinatës. Në Selanik tundimet e mbylljes dhe ngujimit në kështjella bashkësish etnike –homogjene, nuk u rezistonin dot vrulleve të njerëzisë për shkëmbime të hapura tregtare dhe i vajtjeve të anijeve me avull në portin e madh, prurjeve të lidhjeve hekurudhore në të katër anët e Mesdheut; shkëmbimeve të pareshtura kulturore, diplomatike, politike. Në ketë qytet Evropa ideale pa kufinj, është njohur në jetën e përditshme të njerëzve të zakonshëm shumë e shumë kohë më përpara se sa të shfaqej Evropa e trakteve dhe të merrte formën e vet BE-ja e qeverisur nga Brukseli. Shpirti i lirisë, i tolerancës dhe i bashkëjetesës në një rend ligjor , të pashkruar bashkësie shumetnike është mishëruar këtu natyrshëm në Selanik, shumë përpara sesa të kthehej në kriter përkatësie shumëkombëshe në flamurin me shumë yje të BE. Kur idetë e pavarësisë dhe të vetëvendosjes shqiptare filluan të zgjonin shpirtrat e ndrydhur në shekullin e XIX dhe fillim të shekullit XX ishte pikërisht në vende si Selaniku ku shqiptarët gjetën zë, parafytyruan një të ardhme lirie dhe barazie përtej sundimit perandorak , njohën shijen e lirisë jashtë kallëpit të perandorisë, u mblodhën këtu në Selanik edhe si aktivistë, shkrimtarë dhe mendimtarë në këtë qytet që mishëronte urën lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit u gjetën me njëri—tjetrin dhe me të tjerë që flisnin të tjera gjuhë jo si pengje të së kaluarës por si kalorës të së rdhmes. Këtë takim tonin këtu sot në Selanik e kam pritur, t’ju them të drejtën, me njëfarë padurimi sepse të takosh shqiptarët në Selanik është një mundësi për të depërtuar thellë në frymën e një historie kozmopolite të mirëkuptimit dhe të bashkëpunimit, që në një qytet-botë si ky, ka ditur gjithmonë t’u ofrojë botëve që e rrethojnë.
Më kujtohet një autor i cili shkruante se kur mbërriti në Selanik, ndjeu një Greqi tjetër, një Greqi ndryshe, më pak të shqetësuar nga një e kaluar e largët dhe më shumë të lidhur me popujt fqinj, me gjuhët dhe me kulturat e tjera. Dhe unë jam sot këtu me ju, kur sapo ka hyrë nëntori, muaji ynë kuqezi i pavarësisë dhe i çlirimit, dy ditët dhe dy datat tona më të mëdha dhe më kuptimplota për të sotmen tonë evropiane. Por, si shqiptarë dhe si Selanikas, ju keni kremtuar pak ditë më parë festën e Pajtorit të qytetit, ‘’Shën Dhimitrit’’ i cili është në fakt më shumë sesa një pajtor qyteti, për të gjithë Ballkanin e shënjuar den baba den nga tollovira luftrash dhe konfliktesh; hallakatjesh trupash dhe shpirtrash dhe sherre e përçarje elitash politike, së bashku me Shën Gjergjin në pranverë. Për shekuj të tërë Shën Dhimitri ka qenë në të dalë të vjeshtës, rregullatori i jetës i njerëzve të zakonshëm. Në Shën Gjergj shqiptari kapërcente kufijtë e fshatit ose të qytezës së tij dhe nisej të fitonte bukën e gojës drejt disa qyteteve matanë, Selaniku botë më vete, ishte nga më të dëshiruarit, ndërsa në Shën Dhimitër ose Shën Mitër ai kthehej me fitimet e tij në vendin e vet. Por sot në të hyrë të nëntorit, unë dua të kujtoj se përveçse shqiptari i ka dhënë këtij qyteti me kohë në pjesë domethënëse të ngjyrës së vet, me të bëra e me të pabëra, ai i ka dhënë ndoshta edhe një jetë të tij të dytë Selanikut, sepse ju duhet ta dini dhe duhet tua mësoni me krenari fëmijëve tuaj , se ka qenë një shqiptar që e ka shpëtuar Selanikun nga një kob i madh historik dhe i ka dhënë shansin të gjejë më pas vendin dhe veten, në bashkësinë e shtetit modern grek ku Selaniku ka begatuar si një nga qendra më të zhvilluara ekonomike dhe si një nga krenaritë e mëdha kulturore dhe shoqërore të Greqisë. Është e vërtetë se në kohë të hershme, shqiptarë krenarë dhe jo rrallë kaçakë, me doke të ashpra, me gojë të shthurur dhe të armatosur deri në dhëmbë, zbritën në Selanik në numër të madh, duke shkaktuar pakënaqësi të thellë në qytetet, aq sa në 1779 Valiu Osman përzuri me dhunë nga këtu më shumë se 4000 shqiptarë për 5 ditë mirëpo historia, e cila shpesh e spikat një moment më shumë sesa atë që ndodh afatgjatë, e ka mbajtur disi të fshehur historinë e madhe të dashurisë mes këtij qyteti dhe banorëve të tij shqiptarë.
Selaniku e ka përqafur gjithnjë atë Shqipëri të vogël që mblodhi ndër shekuj brenda mureve të tij një bashkësi shqiptare nga të katërta cepat e kombit tone, e cila u përzie në të katërta anët me bashkësi të tjera dhe me punët e këtij qyteti botë më vete brenda botës së madhe, ende jashtë, në atë kohë, të konjukturës së shtetit me të cilin Selaniku u bë njësh shumë më vonë.
Këtu në Selanik filloi të përkundej si në djep edhe një pjesë e çmuar e kulturës sonë, përfshirë dhe kulturën politike, madje artin sot mjerisht në dekadencë të plotë në Shqipëri të të bërit opozitë. Me gazetën e famshme Liria të cilën e botonte këtu në këtë qytet Mit’hat Frashëri lëvroi pedagogjinë e debatit të shkruar dhe të përballjes politike pa të shara, pa kacafytje dhe pa zënie prej gryke në mes të rrugës.
Çajupi, nga ana e tij, këtu bënte durim dhe pa djegur karrige dhe pa shqepur tapete me artin e satirës tregonte çfarë i dukej e mbrapshtë në sallonet, në fakt, shumë të nderuara, krahasuar me klubin e parlamentit tonë sot, fatkeqësisht, të klubit shqiptar të Selanikut ku ai hynte e dilte lirshëm me mirësjellje dhe oborrësi, edhe kur nuk i pëlqenin dhe as e pëlqenin të pranishëm të tjerë aty.
Fatkeqësisht, historia e shekullit XX është treguar disi harraqe ndaj shqiptarëve të Selanikut. Nuk them se duhet t’i kujtojmë medoemos në çdo rast ata shqiptarë pronarë të mëdhenj tokash që jetuan me rentë dhe në kushte të privilegjuara në këto anë. Sado që kjo është histori dhe historia në thelb është kulture, por nuk duhet harruar ama, në asnjë mënyrë, ajo frymë bashkëjetese dhe shpirti sipërmarrës që shqiptarët, njësoj si hebrenjtë e Selanikut, edhe pse këta të fundit me më shumë fuqi e dominancë, i mbarështuan këtij qyteti.
Kush kujtohet sa e si duhet për egërshanin Ali Pashë Tepelena, që vuri rend dhe vuri dinjitet në këto anë, duke ndëshkuar me rreptësinë më të madhe çdo akt agresioni fetar të shumicës politike ndaj pakicës?
Ishte pikërisht ai Aliu nga Tepelena që sanksionoi me firmën edhe vulën e tij se çdo keqbërës musliman që guxonte të prekte një murg ortodoks varej në vend.
Kush kujtohet si dhe sa duhet për kulturën e dialogut dhe shembullin e paqes të kultivuar mes feve dhe etnive, si një kopsht i bukur në zemër të këtij qyteti ku kontribuan me ujitjen e lutjeve dhe me forcën e shembullit të tyre, jo vetëm brenda por dhe jashtë teqeve edhe të shumëduruarit bektashinjtë e Shqipërisë?
Kush i kujton rrëfenjat e autorit dëshmitar të librit “Lamtumirë Selanik” për shqiptarët që ndanin pusin e përbashkët me turqit, me grekët, me armenët dhe gjeorgjanët dhe që shpëtonin në shtëpitë e tyre bullgarët e llahtarisur nga frika e zhdukjes, atëherë kur askush nuk i donte më afër?
Për popullsinë në ekspansion të Mesjetës që nuk donte t’ia dinte për dallimet etnike, Selaniku konsiderohej si “Qyteti i Fronit”.
Këtu në Selanik u fortifikua Perandori bizantin, Manueli II Paleolog dhe nga këtu ai u bëri qëndresë vërshimeve aziatike në shekullin XIV.
Për grekët dhe gjithë ortodoksët, jo vetëm grekë si vend prehje dhe venerimi i Shën Dimitrit, Selaniku është emëruar “Qyteti ortodoks”.
Hebrenjtë e kanë quajtur Selanikun “Mëmën e Izraelit” ndërsa Frang Bardhi shkoi deri aty sa në fjalorin e tij të famshëm të 1636 e quajti Selanikun “Qytet të Arbënit”, por për ne shqiptarët Selaniku mund të quhej padyshim qyteti i mundësive dhe historia e tij sot për ne, mund të quhet një libër mësimi për si duhet të jetë e ardhmja e përbashkët e shqiptarëve, e grekëve dhe të gjithë atyre që kanë pasur bekimin të lindin nën diellin e Europës.
Mos e harroni asnjëherë se si të gjitha etnitë e tjera që e kanë populluar dhe e kanë bërë Selanikun atë botë më vete plot fuqi tërheqëse në shekuj, ne kemi këtu edhe muret tanë të lotëve, ne kemi këtu edhe dëshmorët tanë. Vërtetë nuk ka mbetur asgjë nga varrezat e hershme shqiptare të këtij qyteti, por i pashlyer do të mbetet në jetë të jetëve gjaku i dëshmorëve nga dy skajet e gegërisë dhe toskërisë që u martirizuan në këtë qytet dhe nëse shteti shqiptar është kujdesur në të kaluarën që të riatdhesojë eshtrat e Hasan Prishtinës nga Kosova dhe Themistokli Gërmenji nga Korca, i paskalitur ka mbetur akoma memoriali i një tjetër korçari, Spiro Kosturit, një ndër ata të shkëlqyeshmit të trungut tone, të cilin komuniteti i sotëm shqiptar i Selanikut, në radhë të parë, nuk mund ta lërë në harresë dhe për të cilin çdo shqiptar i Selanikut duhet të ndjehet shumë krenar.
Me Stambollin dhe Bukureshtin bashkë, Selaniku formonte një trekëndësh të artë të lulëzimit të letrave shqipe dhe të misionit gati fetar të rilindjes sonë kombëtare. Ishte koha kur shqiptarët që merreshin me politikë nuk linin pas kulturën dhe kultivimin e qytetarisë, këtu me shtypshkronjën “Mbrothësia” të Kristo Luarasit dhe me botimet e shumta të tij, këtu edhe më bekimin shpirtëror të një personaliteti si Galaktion Turtulli, i vetmi oshënar shqiptar në Lavrën e madhe të malit Athos, jo larg Selanikut, i cili vdiq duke pëshpëritur “Duaje atdhenë”, këtu edhe me çetën e studentëve shqiptarë të Selanikut, e cila zuri fill në bankat e shkollave të këtij qyteti dhe ka mbetur çuditërisht shumë pak e njohur, por habitesh kur mendon se emrat e anëtarëve të saj janë gjendur bashkë në Selanik në vitin 1912, Ali Fortuzi, Bilal Nivica, Dervish Hima, Qazim Puto, Bedri Toptani, Jonuz Tafaj, Sali Gjuka të mbështetur nga një tjetër shqiptar i madh, por dhe ai i harruar, Zija Dibra. Këtij qyteti të mundësive gjithmonë i rrezikuar nga zjarret, si një zjarr për shembull i vitit 1917 që rrënoi aq shumë sipërmarrjen shqiptare bashkë me të tjerët, ishte siç ju thashë, një shqiptar, ai i cili i shmangu zjarrin më të kotë, zjarrin më të kobshëm, zjarrin e luftës që qytetit mund t’i kishte lënë stigmata të pashlyeshme. Ishte kolonjari Hasan Tahsin Pashë Mesarea, komandanti i fundit osman i Selanikut që në vitin 1912 e refuzoi logjikën e shfarosjes mes ushtarëve të tij dhe grekëve në afërsi.
Ai e dorëzoi Selanikun pa luftë për të shmangur vuajtjet çnjerëzorë dhe rrënimet e një përballje të egër me fund të paracaktuar. Hasan Tahsin Mesarea bëri gjënë e drejtë, duke ua mohuar eprorëve të vet mundësinë e një revanshi të kotë dhe kundërshtarëve lavdinë e një lufte shkatërrimtare të fituar me gjak dhe kështu ai i kurorëzoi si ngadhnjimtarë të vërtetë selanikasit që sot e kësaj dite shohin tek ai një humanist dhe një njeri të drejtë. Për sa bëri me humanizëm dhe me drejtësi pashai shqiptar u shpërblye më dënimin me vdekje. Por ai i dha Selanikut shansin të vazhdonte jetën e qytetit të mundësive të paqes dhe jo të shkatërrohej e të kthehej në qytetin e fantazmave të luftës. Po sa e sa shqiptarë pa emër të shkuar apo edhe me emër të fshirë tinëzisht në librin e historisë e panë dhe e përjetuan Selanikun si një qytet mundësish. Pothuajse e tërë Toskëria e po ashtu një pjesë e mirë e shqiptarëve geg. E me sa syresh është krenuar vetë Selaniku deri dje, sot këtë nuk e dimë, s’mund ta thotë askush. Prandaj dhe shumëkush ditët e sotme mund të mendojë se prania e Shqiptarit këtu ka qenë dava, mijëra e mijëra anonimësh të punëve të vogla, që gjithsesi edhe ata nuk mund të shpërfillen në asnjë mënyrë.
Sidoqoftë unë nuk kam ardhur këtu që të ripërtyp bashkë me ju historinë e jashtëzakonshme dhe posaçërisht komplekse të këtij qyteti. Në funksion të kurrfarë qëllimi politik, largqoftë dhe në asnjë mënyrë në kërkim të ndonjë kundërshtie të radhës për këndvështrimin tonë të historisë.
Përkundrazi, më gjithë sa po them në homazh të një pjesë të varrosur apo të hedhur si prapa krahëve të historisë të mahnitshme të këtij qyteti, historia e një Europe pararendëse, Europës së bashkuar të shumë shteteve dhe gjuhëve është pikërisht domosdoshmëria për ta parë historinë me sytë e të ardhmes së pandashme mes Shqipërisë dhe Greqisë, ku ju shqiptarët e Greqisë, ashtu si dhe grekët e Shqipërisë jeni thelbi brenda bërthamës së pandashme të një fqinjësie, e cila duhet të jetë burim miqësie, jo konfliktesh. Burim fuqie të përbashkët, jo karshillqësh ndaj njëri-tjetrit. Burim partneritetesh në çdo nivel që nga niveli i fqinjëve në një lagjeje, deri në nivelin e qeverive, jo sebepesh për ngërçe mes njëri-tjetrit që pastaj i paguajnë të gjithë qytetarët e zakonshëm të dy vendeve tona.
Prandaj sot, në vend sesa të çuditemi që rrallë në mos asnjëherë zihen me gojë sipërmarrësit me nam shqiptarë të Selanikut, Godët, Avramushët, Ballaurët, Turtullët, Antoniadët, Çelot e Leskovikut dhe shumë të tjerë, për më tepër të gjithë këta të përfshirë në lëvizjen tonë kombëtare dhe të cilëve pikërisht për këtë, kujtesa jonë i detyrohet dyfish, ne duhet të frymëzohemi dhe të përpiqemi që marrëdhënies strategjike të shekullit të 21 me Greqinë t’i japim të gjithë shanset e një potenciali të madh, ende të paçliruar të bashkëpunimit dhe bashkëveprimit dinamik mes dy shteteve tona.
Ka boll arsye historia e fqinjësisë në Europë, në Ballkan po e po për t’ia filluar avazeve të vjetra të shkuarës –“ Kush keni qenë ju, e kush kemi qenë ne” , të cilat nuk çojnë asgjëkundi, madje më keq akoma çojnë në hapje problemesh bilaterale që bëhen gurë e gropa në rrugën europiane të vendeve, e cila duam s’duam është e pandashme dhe është e përbashkët.
Prandaj duke e parë të shkuarën me sytë e së ardhmes, politika në histori duhet të kërkojë vetë arsyet dhe ato janë edhe më të shumta për të gjetur se sa të shumta janë lidhjet dhe mundësitë e përbashkëta, që jeta jonë nën diellin që bashkëndajmë prej mijëra vitesh të bëhet fuqia e përbashkët në dispozicion të paqes, të sigurisë, të zhvillimit dhe të mirëqenies të të dy popujve.
Të dashur bashkëqytetar dhe bashkëqytetare këtu në Selanik dhe Greqi!
Kjo është një ditë shumë e veçantë për mua edhe për një arsye tjetër, se ju sot këtu nuk jeni thjeshtë bashkatdhetarë jashtë atdheut me një të drejtë votë në Shqipëri që kush ka mundur e ka ushtruar, duke marrë rrugën për të ardhur deri atje.
Sot ju jeni votues, që për herë të parë do të merrni pjesë në zgjedhjet politike të Shqipërisë, duke gëzuar të drejtën të votoni nga këtu ku jeni, nga shtëpia juaj.
Ju e dini më është dashur të përpiqem shumë gjatë, bashkë me të gjithë shokët e mi të armëve, me partinë tonë për ta bërë realitet edhe këtë premtim të dhënë kohë më parë, të cilën nuk e mbajtëm dot për një kohë jo të shkurtër sepse pa marrë edhe votat e domosdoshme të palës tjetër për ligjin e zgjedhjeve, ishte e pamundur.
Por tanimë, unë mund t’ua them me plot gojën se në pranverën ardhshme, iu kërkoj votën tuaj nga Greqia për ta bërë Shqipërinë e 2030, anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Europian. Për t’i dhënë Shqipërisë të njëjtën mundësi që ju shqiptarët e Europës i keni dhënë familjeve tuaja, mundësinë që të përfitojë nga të gjitha të mirat e të jetuarit brenda familjes së bashkuar europiane.
Për të bërë të mundur që së bashku me shqiptarët e Shqipërisë, me ju këtu në Greqi, me gjithë shqiptarët e Europës dhe Amerikës, ne ta ngremë flamurin e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit në oborrin e Bashkimit Europian, në Bruksel, brenda kësaj dekade.
Sigurisht që më të moshuarit këtu janë ata që e dinë më mirë se të gjithë të tjerët se sot ju nuk jeni më ata që ishit kur i hytë detit në këmbë dhe kur kapërcyet dallgët e frikshme të integrimit në shoqërinë e Greqisë. Po dhe Shqipëria nuk është më ajo që ishte 11 vjet më parë, kur me Partinë Socialiste unë mora nga shqiptarët detyrën që ta udhëheqim kundër erës së dyshimeve dhe plotë paragjykimeve nga bota Shqipërinë, të cilën ishin mësuar ta shihnin pa respekt.
Sot Shqipëria ka shumë gjëra akoma për të bërë, por nga askush nuk shihet dot më pa respekt. Kur unë mora detyrën rruga europiane e Shqipërisë ishte e bllokuar dhe prej vitesh në Tiranë nuk shkelte asnjë vizitor i rangut të lartë. Ndërkohë që flamuri i Shqipërisë nëpër botë kishte rënë më poshtë se asnjëherë.
Vendi ishte në telashe të jashtëzakonshme ekonomike dhe financiare. Siguria ishte përtokë. Vrasjet kishin arritur në 115 në vit, ose 1 në 3 ditë. Qeveria e zhytur në borxhe. Rrugët mbetur rrugëve dhe puna në ndërtimin e tyre e ndalur prej borxheve që shteti u kishte kompanive. Rreziku i kolapsit energjitik më i madh se kurrë. Borxhi ndaj kompanisë së energjisë elektrike 1.3 miliard dollarë. Shqiptarët as pa ilaçet bazë. Korrupsioni i pranishëm në çdo takim të qytetarit me shtetin. Edhe për të marrë një certifikatë në gjendjen civile dhe plot nga ju mund ta kujtojnë se e kanë kaluar vetë, duhet të paguaje rryshfet, ndërkohë që për çdo copë letër nga shteti, duhet të rrije në radhë.
Turizmi në Shqipëri mbahej gjallë nga malli i emigrantëve dhe nga patriotizmi i shqiptarëve të Kosovës e Maqedonisë. Qytetet e Shqipërisë të mbuluara nga pluhuri i harresës së shtetit, ndërkohë që Tirana kishte ndalur njësoj si sahati në kohën kur kryetari i bashkisë ia kishte futur gjumit.
Fshati akoma më keq.
Kanalet ujitëse dhe kulluese mbuluar çdo vit e më shumë prej ferrave dhe plehrave. Më shumë se sa gjysma e tokave të bukës djerrë për mungesë uji. Edhe ato jo shumë prodhime bujqësore, përfundonin shpesh në kanale sepse pikat e grumbullimit dhe prodhimit, numëroheshin me gishtat e njërës dorë.
Agroturizmi nuk ekzistonte.
Paga minimale ishte 150 euro dhe paga mesatare në sektorin publik, 370 euro. Prodhimi i përgjithshëm i vendit më pak se 10 miliard euro.
Angazhimi në punë i forcave të punës më pak se 50%, borxhi publik totalisht jashtë kontrollit dhe në terma realë kishte prekur tavanin e rrezikshëm të 80% që mund të binte dhe ta zinte brenda Shqipërinë.
Drejtësia një pazar i madh. E drejta një mall që shitej dhe blihej. Pandëshkueshmëria e të pushtetshmëve një damkë e Shqipërisë në sytë e Europës dhe një shuplakë e përditshme në sytë e shqiptarëve.
Sot, ai realitet i zymtë i një Shqipërie ku vetëm malet dhe detet mund të nxirreshin fotografi pa të ardhur zor, dhe ku xhevahirët e trashëgimisë tonë kulturore Korça, Gjirokastra, Berati ishin mbuluar nga hija e rrënimit të heshtur, është përmbysur në çdo drejtim. Bumi i pandashëm i turizmit është shembulli më kokfortë i kësaj përmbysje, por ende më e rëndësishme për të ardhmen dhe për të gjithë fëmijët që janë këtu, dhe për gjithë fëmijët e shqiptarëve kudo ku janë, është era e re e shtetit që fryn gjithnjë e më e fortë, prova më kuptimplotë e të cilës është ftesa e Bashkimit Europian për Shqipërinë për tu ulur në tryezën e negociatave dhe për të dakordësuar anëtarësimin.
Në vetëm një dekadë, ne e kemi rritur 2 herë e gjysmë prodhimin e përgjithshëm kombëtar, duke çuar në 25 miliardë euro dhe kemi shënuar rritjen më të lartë në rajon. E kemi trefishuar pagën minimale dhe po ashtu, pagën mesatare në sektorin publik që ka shkuar 900 euro.
Kemi rritur angazhimin në punë të forcave të punës nga më pak se 50% në afro 70%.
Jemi të parët në rajonin tonë edhe për prodhimin e brendshëm për frymë.
Jemi rritur mbi 100% si asnjë vend tjetër i rajonit dhe nëse një dekadë më parë ishim të parafundit me 3324 euro për frymë, sot jemi mbi mesataren e rajonit me 10383 euro për frymë, dhe renditemi vetëm të tretët, pas Serbisë dhe Malit të Zi që kanë qenë shumë më përpara 10 vjet më parë.
Por ajo që është edhe më e rëndësishme për të gjithë ju, janë pagat reale në sektorin privat në Shqipëri, të cilat janë plotësisht konkuruese me rajonin dhe në sektorin e turizmit janë në një nivel me Greqinë. Prandaj edhe të gjithë shqiptarëve që punojnë këtu në Greqi, në këtë sektor, të turizmit flas, iu them ejani në Shqipëri ku jo vetëm do të merrni një pagë të ngjashme, por ku paguani shumë më pak taksa dhe detyrime sesa në Greqi dhe jeni në tokën tuaj, pranë njerëzve tuaj.
Për më tepër, çdo shqiptari të Greqisë dhe të Europës, që ka një shtëpi të vjetër apo një truall në fshat, kudoqoftë deri edhe në malet apo fshatrat më të largët, i them sot pa as më të voglin dyshim, t’i investojnë kursimet e veta në agroturizëm. Nuk ka nevojë të kthehet me të gjithë familjen nëse nuk dëshiron, por nëse i investon ato të ardhura për të hapur derën e shtëpisë së vjetër të stërgjyshit apo të gjyshit, dhe për ta kthyer në një bujtinë mikpritëse, do të ketë prej saj të ardhura më të larta sesa të ardhurat nga puna që bën këtu në Greqi, pa asnjë diskutim. Por më kryesorja sot dhe unë jam i bindur që në këtë pikë, e ndajnë me mua këtë mendim pothuasje të gjithë shqiptarët edhe ata që nuk ndajnë me pjesën më të madhe pëlqyeshmërinë ndaj qeverisë.
Më kryesorja është se Shqipëria sot nuk është vendi më i një kaste njerëzish të fuqishëm mbi ligjin. Kultura e pandëshkueshmërisë ka marrë goditje vdekjeprurëse. Goditja e parë qysh nga themelimi i shtetit shqiptar në vitin 1912 sepse për herë të parë në historinë e shtetit tonë, njerëz të veshur me pushtet politik, apo të lidhur me pushtetin politik i janë nënshtruar forcës së ligjit barabartë për të gjithë. Pavarësisht pozicionit apo lidhjes së tyre me partitë politike, qoftë në qeveri apo në opozitë, ata që i kanë rënë në qafë popullit shqiptar, ata që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme nga funksionet publike apo ata që e kanë lidhur kollaren e tyre me duart e botës së krimit, – po pësojnë goditjet e një drejtësie të çliruar nga duart e pushtetit politik.
Për të kuptuar se sa e re, për të kuptuar se sa e madhe dhe për të kuptuar se sa historike është kjo që po ndodh, mjafton që të kthesh kokën mbrapsht në historinë tonë ku nuk do të gjesh dot që nga 1912-ta, as në republikën e përkohshme parlamentare, as në mbretëri, as në komunizëm as në periudhën e kalimit nga komunizëm në demokraci, deri 3-4 vjet më parë, një individ të vetëm, një me profil të lartë politik që të jetë hetuar, që të jetë gjykuar apo të jetë dënuar nga një gjykate e pa kontrolluar nga pushteti.
Të gjithë ata që janë dënuar më parë, që nga 1912-ta kanë qen të dënuar politikë të një drejtësie e cila në të gjitha fazat historike të vendit, deri pak vite më parë, ka qenë e urdhëruar, e manipuluar apo e frikësuar nga partia në pushtet. Sot drejtësia është çiruar pikërisht nga duart e partisë në pushtet. Mjafton të kujtoni liderin e opozitës, Fatos Nanon, i cili u burgos jo nga një drejtësi e pavarur, as për përfitime të paligjshme personale, por për hesap të një partie në pushtet, e cila pastaj e fundosi Shqipërinë nën rrënojat e piramidave financiare pa i hyrë asnjë gjemb në këmbë përfaqësuesve të vet famë këqij. Sot historia e partisë në pushtet që kontrollon dhe orienton drejtësinë ka marrë fund.
Unë jam krenar që me votën e shqiptarëve ne, Partia Socialiste erdhëm në qeveri dhe udhëhoqëm një reformë në drejtësi e cila si fillim fshiu një pjesë të madhe të llumit të sistemit të korruptuar të drejtësisë me vettingun dhe sot po fshin hap pas hapi dhe llum nga ai i zullumit shumëvjeçar të politikës.
Kijeni parasysh asnjë nga vendet e reja, anëtarë të BE apo që kanë hyrë më parë nuk e ka bërë një reformë të tillë përpara se të hynte në BE ndërsa në vendet e rajonit tonë rreth e rrotull kjo që po ndodh në Shqipëri nuk ka ndodhur akoma dhe as në vendet që i kanë çelur negociatat përpara nesh, kjo nuk ka nisur të jetë një reformë. Prandaj unë jam shumë optimist dhe besim plotë që pikërisht pse ne kemi ecur shumë përpara pavarësisht bllokadave që na janë bërë herë nga një shtet, herë nga një shtet tjetër, e ardhmja jonë në BE nuk është më e largët siç ishte deri dje, por është e gjitha në duart tona për ta afruar në harkun e 5 viteve të ardhshme. Ju e keni parë që sa herë më marrin në pyetje ata që duhet të ishin zëdhënës të opinionit publik, por për fat të keq janë zëdhënës agjendash të ndryshme, më nxjerrin përpara lista emrash apo siç ndodhi me të vetmen opozitë që na ka mbetur, me të cilën mund të bëjmë debat me Blendi Fevziun, më nxjerr një ekspozitë me fotografi për të më thënë që unë duhet të ndjehem përgjegjës moralisht pse drejtësia ka hetuar, po heton, ka akuzuar, po akuzon apo ka dënuar individë të lidhur me pushtetin politik të PS.
Në fakt krejt e kundërta ndodh me mua. Natyrisht që nuk mund të më vijë mirë për arsye njerëzore dhe personale, por për arsye të kontratës që unë kam me të gjithë ata shqiptarë që më kanë dhënë besimin tre herë rresht, unë jam shumë krenar që me një vizion shtet bërës, me një kurajë patriotike dhe me një vullnet të hekurt politik PS plotësisht vetëdijshëm të gjithë së bashku për dhimbjet që do sillte një reformë e tillë, ia hoqi duart e pushtetit politik nga qafa dhe i dha të gjithë lirinë e nevojshme për të vepruar pa parë majtas e djathtas por duke parë vetëm drejtë. Përgjegjësia ime morale do të ishte e jashtëzakonshme nëse pasi ju kam kërkuar votën qysh në 2013 për të bërë reformën në drejtësi, për të luftuar korrupsionin sot do isha këtu dhe ju nuk do shikonit asnjë fakt konkret të luftës kundër korrupsionit. Ndërkohë që sot faktet e një lufte reale ndaj korrupsionit, i keni para syve dhe nuk ju mjaftojnë disa minuta për t’i numëruar emër për emër. Dhe për këtë arsye unë ndihem moralisht shumë shumë mirë kur përballem me ju dhe ju them: kjo është një tjetër arsye madhore pse vota e pranverës së ardhshme duhet t’i garantojë Shqipërisë udhëheqjen e PS në mënyrë që kjo që ka filluar me drejtësinë të garantohet dhe t mos kthehet përsëri mbrapa.
Sot askush më nuk është i paprekshëm dhe cilido nga radhët tona që kërkohet nga drejtësia, përballet me drejtësinë dhe nuk mbrohet duke i hedhur mbi kokë flamurin e PS. Ky është investimi më i madh i PS të shekullit të ri dhe kjo e drejtësisë është shprehja më shembullore e besnikërisë tonë ndaj të gjithë atyre që na i kanë dhënë votën tre herë resht sepse çfarë kemi thënë e kemi bërë dhe çfarë do të bëjmë po e themi.
Dhe unë do iu kërkoja të gjithë shqiptarëve që duke i njohur hapat e historisë sonë të përbashkët deri këtu, duke e ditur sesa shumë na është dashur për të ardhur deri këtu, duke i kujtuar të gjitha ato që na kanë ndodhur në rrugën për këtu, të mos gabojnë, askush të mos gabojë duke kujtuar që kjo që kemi arritur në çdo drejtim, ku pa diskutim ka ende shumë për të bërë, nuk kthehet përmbys nga e para siç ka ndodhur jo një herë në historinë tonë. Askush të mos gabojë duke harruar se në këto 30 e kusur vite, qysh prej hyrjes në të përpjetën e shtet bërjes demokratike në Shqipëri ka pasur vetëm një forcë ndërtuese, Partia Socialiste e Shqipërisë. Ndërkohë që Shqipëria ka bërë vetëm hapa mbrapa, madje ka rrezikuar të përfundojë në humnerë sa herë ka rënë në dorën e forcave të tjera. Këtë e tregon historia nga viti 1991 deri sot këtu në Selanik në vitin 2024.
Askush të mos gabojë duke menduar se barazia para ligjit që ka nisur më në fund të vlejë njësoj si për qytetarin e zakonshëm si për atë që ngjitet deri në majën më të lartë të piramidës, është një arritje që nuk rrezikohet më nëse nuk konsolidohet dhe për ta konsoliduar ka vetëm një garanci të mundshme, forca udhëheqëse e PSSH. Tani ju i ndiqni me vëmendje zhvillimet në Shqipëri dhe besoj që shqiptarët të gjithë bashkë, në Shqipëri ose jashtë, janë analistët më të mirë që mund të gjesh për të analizuar politikën e brendshme dhe ndërkombëtare. Unë jam i sigurtë që shqiptarët kanë një mendim më të kthjellët se çfarë do ndodhi në Amerikë për shembull në datën 5. Por mes shqiptarëve ka prapë një dallim, ata që e ndjekin politikën nga jashtë janë edhe më të kthjellët edhe më të ftohtë në logjikën e tyre sesa ata që janë të përfshirë aty brenda në vorbull. Dhe prandaj jam i bindur që ju i shihni dhe i dëgjoni përnatë se ditën ju jeni në punë kurse ata ditën janë në kafene, ata që përpiqen përmes kanaleve televizive, përmes portaleve që t’iu bindin se reforma në drejtësi është një teatër i qeverisë për të eliminuar kokat e opozitës, përmes organeve të treta të drejtësisë, por nëse kjo do të ishte e vërtetë, gijotina e një drejtësie teatrale që dirigjohet nga qeveria, nuk do kishte prerë aq shumë koka nga radhët tona. Askund s’ka bërë vaki një gjë e tillë, kudo dhe kurdo që drejtësia është nën kontrollin e qeverisë, as në historinë e Shqipërisë dhe as në historinë e vendeve të tjera.
Nëse qeveria ka kontroll mbi drejtësinë, drejtësia nuk hyn dot në rradhët e njerëzve të qeverisë. Nga ana tjetër ka dhe një ekstrem tjetër që thonë ‘’reformën e bëri Amerika dhe këto goditjet po i bën Amerika’’. Dhe kjo është po aq e pavërtetë se Amerika aty ishte edhe përpara sesa ne “t’i hynim këtij deti në këmbë’’ dhe fuqinë e saj ndikuese në Shqipëri e kishte po njësoj. Amerika është aty dhe në vende të tjera te rajonit, Amerika është edhe në Mal të Zi, Amerika është edhe në Maqedoninë Veriut që janë në NATO, Amerika është edhe në Kosovë, por vetëm në Shqipëri është bërë e mundur ajo që po ndodh dhe pyetja është shumë e thjeshtë; nëse Amerika e kishte këtë ‘’peshqesh’’ kaq kollaj pse nuk na e solli përpara por na la të jetonin nën ‘’thundrën’’ e padrejtësisë dhe të korrupsionit dhe të një drejtësie të nënshtruar prej pushtetit për kaq shumë vite? Sepse as Amerika, as BE, as mund ta bënin e as mund ta bëjnë në vende të tjera këtë reformë nëse nuk gjendet forca e brendshme që merr përsipër ta udhëheqë këtë proces dhe Shqipëria e ka këtë forcë të brendshme të mishëruar në dëshirën e paepur të shumicës dërrmuese të shqiptarëve për ta parë më në fund ligjin të barabartë për të gjithë dhe në shëmbëlltyrën e këtij vullneti që quhet Partia Socialiste e Shqipërisë.
Në fund unë dua t’ju kujtoj se nuk ka asnjë diskutim që pa mbështetjen e SHBA dhe BE, ne nuk do t’ia dilnim dot kësaj reforme. Pse? Sepse nuk do ta nënshtronin dot rezistencën e paepur të atyre që sot ulërijnë nga penxheret e kateve të larta, por të mendosh se kjo mund të ndodhte pa Partinë Socialiste dhe të mendosh se Shqipëria sot ka një tjetër forcë shtet-bërëse si Partia Socialiste, është si ajo shprehja ‘’merre me lëng se mishi mbaroi’’.
Të ishte për ato forca të tjera dhe me forca të tjera nuk kam parasysh vetëm ato me fytyra të vjetra por kam parasysh dhe ca fytyra të reja, i të gjitha llojet e fytyrave që ju dalin përpara dhe jua bëjnë fushë me lule, kini parasysh janë maska të Sudes, pas atyre është Sudja si kulturë politike dhe si qasje ndaj popullit. Janë njësoj si Sudja që pasi zhyti të tërë në borxhe dhe i “hodhi në erë”, doli në sportel dhe tha ‘’loja mbaroi’’. E pra nuk ka lojë për të filluar me asnjë prej tyre sepse loja e të gjithë atyre ka mbaruar.
Sot Shqipëria është e ulur në tryezën për negociata me Bashkimin Europian. Sot Shqipëria është një histori ndërkombëtare suksesi, jo vetëm me rritjen më të lartë në Evropë të turizmit, por edhe me portën e hapur të mikpritjes për samitet e BE; për samitin e Komunitetit Politik vitin e ardhshëm; për samitin e NATO-s pas dy vitesh të tjera; Shqipëria e ulur në tryezën e KS në OKB, Shqipëria në krye të OSBE-së, Shqipëria në krye të Këshillit të të Drejtave të Njeriut në Kombet e Bashkuara, Shqipëria që sot e bën çdo shqiptar që të mos e ulë kokën dhe të mos jetë në vështirësi kur e pyesin nga je, por thotë ‘’ Jam nga Shqipëria’’. Në fund të fundit ju e keni mësuar në rrugën më të vështirë dhe e keni provuar në lëkurën tuaj se nuk është të kesh, ajo që mjafton, por duhet dhe të jesh dhe për të pasur, për të ushqyer familjen, për të rritur të ardhurat, për të shkolluar fëmijët, për të jetuar më mirë, ju ia keni dalë me punën tuaj. Ajo që ju ka munguar është ajo që sot ua jep ju Shqipëria, krenarinë e të qenit shqiptarë dhe jo krenarinë për malet, as krenarinë për detet, as krenarinë për Skënderbeun dhe për Ismail Qemalin dhe për të gjitha figurat e tjera që kanë qenë gjithmonë frymëzimi ynë, por krenarinë përballë kujtdo që kur i thua ‘’jam shqiptar’’ nuk të shikon më sikur je ndonjë i ardhur nga ndonjë vend i botës së tretë. Dhe ju, shqiptarët e Greqisë duhet ta mbani kokën shumë lart dhe mos e harroni kurrë që Greqia është shtëpia juaj po njësoj siç është e grekëve. Dhe unë nuk kam ardhur t’ju them që Shqipëria është bahçe me lule se nuk është bahçe me lule, nuk kam ardhur t’ju them se në Shqipëri nuk ka probleme se në Shqipëri ka shumë probleme, nuk kam ardhur t’ju them që ne kemi bërë gjithçka, por kam ardhur t’ju them se unë besoj që ne kemi bërë aq sa për ta merituar besimin që të vazhdojmë të bëjmë duke ju treguar deri më sot se ne dimë ta shikojmë realitetin me sytë tuaj dhe dimë çfarë duhet bërë për ta ndryshuar akoma më shumë dhe po ashtu, jo vetëm dimë çfarë duhet bërë, por jemi të vetmi që dimë se si duhet bërë. Rroftë Shqipëria dhe Zito Eladha!
Faleminderit!
* * *
– Pensionistët më thanë një pyetje, se këtu janë shtresa më e vështirë e pensionistët do vijnë të gjithë të votojnë me postë. Nëse ka mundësi, pensionistë jo vetëm të Selanikut dhe të Greqisë, të mos paguajnë taksën që do të paguajnë, do jetë një ndihmë e madhe nga shteti shqiptar.
– Përshëndetje zoti kryeministër. Quhem Elona Kataro, jam presidente e organizatës së parë të gruas në Greqi, organizata Jeta. Pyetja ime është kjo, duke u nisur dhe nga thënia juaj që e thoni shpesh “Nëse doni muhabet keni burrat, në qoftë se duam punë, të angazhojmë gratë. Cili do të jetë roli i gruas së Diasporës në strategjinë Shqipëria 2030? Faleminderit.
Kryeministri Edi Rama: Po i përgjigjem këtyre dy pyetjeve, pyetjes që e nxori më në fund Luani dhe pyetjes që tha zonja. Së pari, e përsëris dhe ju e dini por për të gjithë ata që na ndjekin dhe mbase nuk janë të qartë, votimi në zgjedhjet e ardhshme do të përfshijë të gjithë shqiptarët dhe për të gjithë ata që banojnë jashtë dhe duan të banojnë aty ku banojnë do të bëhet me postë, fleta e votimit të vijë me zarf dhe ne tani jemi duke diskutuar për ta mbështetur edhe dërgimin mbrapsht në mënyrë që të mos ketë kosto për ata që do të jenë për herë të parë në histori zgjedhësit e parë nga jashtë vendit. Pastaj ,në zgjedhjet e tjera mund edhe të mos bëhet kjo mbështetje. Ndërsa, sa i përket citimit që ju bëtë, nuk e kam thënë unë atë, unë e kam shqipëruar por atë e ka thënë Margaret Thatcher që “Burrat janë për fjalë, gratë janë për punë” dhe është vërtetë, për hir të vërtetës kështu që tani ka një kontradiktë sepse ju jeni një grua që drejtoni një shoqatë dhe pyesni një burrë sesi duhet të bëni punën tuaj ndërkohë që ne jemi të dëshiruar të dëgjojmë më shumë nga ju, nga të gjithë gratë e organizuara në shoqata dhe organizata të ndryshme se çfarë mund të bëjmë ne më shumë për to prandaj do të mirëpresim të gjitha këshillat dhe sugjerimet tuaja.
– Përshëndetje zoti kryeministër. Unë jam përfaqësuese e organizatës “Jeta” por për degën e Selanikut. Si emigrante këtu 27 vjet, do të thoja që edhe kam dhënë kontributin tim nga 2008 pasi u integrova në shoqërinë greke. Kërkoj identitetin tim deri sot e kësaj dite në gjuhën shqipe e pyetja ime është; të gjithë ata mësues që do të paguhen, a thua do japim më shumë kontributin më me zell seç e jepnin në formë vullnetare sepse mendoj se kjo nuk do të ndryshojë disi situatat. Situata kryesore është që gjuha shqipe të jetë e institucionalizuar, të futet në shkollat greke si gjuhë e huaj sepse dhe fëmijët e humbin çdo të shtunë e të dielë duke shkuar nëpër kurset e gjuhës shqipe?
Kryeministri Edi Rama: Jam shumë dakord me pjesën e dytë. Kjo do të kërkojë kohën e vet por ndërkohë ajo që ne po bëjmë është krijimi i një rrjeti mësuesish të lidhur me Ministrinë e Arsimit dhe nuk është çështja vullnetarë apo me pagesë, por është çështja e shtrirjes së rrjetit të mësuesve që janë brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke filluar nga Greqia për t’i vënë në dispozicion të gjithë fëmijëve dhe prindërve mundësinë që të mësojnë gjuhën shqipe me mësues të dedikuar dhe ndërkohë, së shpejti, ne do të bëjmë publik dhe do të vëmë në dispozicion edhe një program të ri i cili është një program, sipas meje, shumë i zhvilluar dhe shumë miqësor me fëmijët dhe shumë i dobishëm për prindërit për të mësuar gjuhën shqipe përmes aplikacionit në telefon apo në kompjuter. Kështu që, jam i bindur që të gjithë prindërit por edhe fëmijët, do ta shfrytëzojnë, në të gjitha rastet kur duan ta bëjnë këtë gjë, programin sepse ndryshe nga programet në televizor dhe nga çfarë kemi bërë deri më tani, është një program shumë më miqësor për fëmijët për t’i futur në mësimin e gjuhës shqipe pasi ju e dini shumë mirë kush është prind, sesa e vështirë është të mund t’i bësh fëmijët të përqendrohen përpara leksioneve të një mësuesi ndërkohë që programi është ndërtuar i tillë që të jetë miqësor me fëmijët.
– Në vitin 2012, me një grup kirurgësh donim të hapnim një njësi spitalore për epilepsinë. Duke bërë udhëtimin nga Selaniku në Tiranë 12 orë, ai grup u tërhoq sepse nuk mund të udhëtonte kaq orë vajtje dhe kthimi. Në 2021 që rrugët ishin përmirësuar shumë më mirë, përsëri nuk u arrit sepse Selanik – Tiranë është 5 orë me makinë. Pyetja është kjo- Ka mundësi tani që Shqipëria ka arritur këto shifra në turizëm, të vijnë të mundësojnë miqtë tanë grekë të punojnë aty, po edhe si turist me një linjë fluturimi Selanik- Tiranë. E dimë që keni bërë një marrëveshje me Raynair për rreth 17 mijë bileta, a ka mundësi të krijohet, të fluturojnë shqiptarët për gjysmë orë, të bëjnë punët e tyre dhe ata që kanë për të udhëtuar ose si turistë në Shqipërinë e veriut të vijnë deri në Tiranë me avion dhe pastaj të shëtisin në të gjithë Shqipërinë e veriut?
Kryeministri Edi Rama: Është e vërtetë që distanca sado që është përmirësuar lidhja dhe sado që do ketë edhe do hapet shumë shpejt edhe mbas shumë vitesh për arsye të problematikave që ka pasur dhe rruga Qukës-Qafë-Plloçë po bëhet edhe një punë e madhe për korridorin 8, i cili po zgjerohet etj, etj. Po prapë për atë ju thoni distanca mbetet e konsiderueshme, ndërkohë që sa i përket shtimit të linjave ajrore, ne jemi duke e diskutuar edhe me Air Albania që ka një plan të ri investimi dhe shtrirje dhe këtë çështje e Selanikut do ta diskutojmë.
Natyrisht, ata do të bëjnë vlerësimet e tyre për sa kapacitet do të garantonte kjo, sepse nuk mund të vihet dot një linjë vetëm për pedagogët, por besoj se ka edhe shumë të tjerë, të cilët nëqoftëse do të kishin një linjë avioni do të vinin me kënaqësi në Shqipëri, kështu që do ta shohim.
-Përshëndetje zoti Rama! Duhet të vini më shpesh në Greqi se kemi harruar të flasim shqipen dhe nuk kemi udhëheqës të Shqipërisë të vijnë, jo të mësojmë shqipen, por të dëgjojnë zërin tonë.
Kryeministri Edi Rama: Dëgjo televizor ke në shtëpi ti. Po të duash ti të mësosh shqipen nga unë, ti hap televizorin dhe mua aty më ke, mund të të dal edhe në frigorifer.
-Partnerët e mi të Zvicrës, në Dubai dhe të shteteve të huaja duan të investojnë në Shqipëri. Së shpejti do realizohet. A do jenë të sigurt apo do jenë si në vitet 95 e mbrapa?
Kryeministri Edi Rama: Ata mjafton të vijnë njëherë në Shqipëri e do ta kuptojnë që në Shqipëri investitorët e huaj janë të gjithë të sigurt, nuk ka asnjë problem.
-Përshëndetje! Ju uroj mirëseardhjen në Selanik! Unë drejtoj shoqatën “Nënë Tereza” që ka 20 vjet që kontribuon në mësimdhënien e gjuhës shqipe, falas për emigrantët dhe disa nga ato mësueset që ishin aty janë mësuese që kanë kaluar pranë shoqatës “Nënë Tereza” dhe janë shumë të tjera që japin kontribut falas, u përmend mësimi i gjuhës shqipe dhe i bëj thirrje të gjithë bashkëqytetareve që jetojnë këtu në Selanik, – Sillini fëmijët të mësojnë gjuhën shqipe, sepse janë arvanitasit dhe arbëreshët nga 700 vjet që jetojnë në Itali dhe Greqi që akoma flasin shqip, kurse ne këtu kemi 30 vjet dhe fëmijëve tanë nuk u flasim shqip. Pyetja është: Si mund të bëhet një marrëveshje bilaterale që mësimi i gjuhës shqipe të bëhet krahas gjuhës greke në shkollat publike greke? Dhe pyetja tjetër është a mund të ndërhyni në marrëveshjet midis ministrive, sepse këtu ka një problem shumë të madh me dokumentacionin, shumica e emigrantëve këtu kanë vite, e vite që nuk janë akoma me leje qëndrimi?
Kryeministri Edi Rama: Të dyja këto janë shumë të rëndësishme. E para përsa i përket përfshirjes së gjuhës shqipe në shkolla, ne kemi filluar të diskutojmë me palën greke, do të kërkojë kohë iu thashë, do të kërkojë hapa të caktuar. Ndërsa, përsa i përket lejeve të qëndrimit është bërë progres i konsiderueshëm dhe të jeni të sigurt që ata që janë ende në pritje nuk do të presin më aq sa kanë pritur dhe gjëja është në rrugën e zgjidhjes, sepse ka shumë vullnet edhe nga ana e palës greke.
Ju falënderoj të gjithëve!
Pyetjet nuk mbarojnë, por rëndësi ka që ne të vazhdojmë të qëndrojmë në kontakt dhe duke ju uruar çdo të mirë të gjithëve, ju them që së bashku do të bëjmë të mundur gjëra që duken të pamundura.