Tiranë, 8 shtator 2025 – Shërbimi diplomatik i Republikës së Shqipërisë duhet të fokusohet në objektivin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian dhe shtetet kryesore të unionit. Asnjë ditë nuk duhet humbur në 4 vitet e ardhshme, në shërbim të këtij synimi historik.
Kjo ishte porosia që kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama u dha ambasadorëve të Shqipërisë në vende të ndryshme të botës, të cilët u mblodhën sot në Tiranë, në kuadër të Konferencës së Ambasadorëve Diplo2025, “Shqipëria 2030: në Evropë, e ndërlidhur me botën”.
Kjo konferencë është një pikëtakim i rëndësishëm i shërbimit të jashtëm për të përcaktuar prioritetet, për të adresuar sfidat kryesore dhe për të forcuar shërbimin konsullor për qytetarët shqiptarë.
Kryeministri Edi Rama i cili përshëndeti pjesëmarrësit tha se “Konferenca tradicionale e ambasadorëve këtë vit vjen në një moment historik për rrugëtimin e Shqipërisë drejt majës së shumë ëndërruar të Bashkimit Europian dhe pa asnjë diskutim të gjitha forcat e shërbimit tonë diplomatik kudo nga Brukseli e në çdo kryeqytet tjetër duhet të fokusohen në radhë të parë te ky objektiv historik.”
* * *
Fjala e Kryeministrit Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve dhe para së gjithash edhe në emrin tuaj më lejoni që edhe unë ashtu si ministri, t’i shpreh mirëseardhjen në Shqipëri një miku, ministrit të Jashtëm të Qipros i cili vjen sot këtu edhe në rolin e rëndësishëm të përfaqësimit të presidencës europiane së radhës, por pa dyshim edhe për të shtyrë përpara një marrëdhënie të rëndësishme për ne në disa dimensione pasi Qipro është një vend i vogël, por që ka bërë suksese të admirueshme dhe në dijeninë time Presidenti i Republikës i ka përcjellë një ftesë presidentit qipriot për të vizituar Shqipërinë, gjë që ne e presim me shumë, shumë kënaqësi.
Konferenca tradicionale e ambasadorëve këtë vit vjen në një moment historik për rrugëtimin e Shqipërisë drejt majës së shumë ëndërruar të Bashkimit Europian dhe pa asnjë diskutim të gjitha forcat e shërbimit tonë diplomatik kudo nga Brukseli e në çdo kryeqytet tjetër duhet të fokusohen në radhë të parë te ky objektiv historik që tanimë është më afër se asnjëherë tjetër dhe që duhet përmbushur me përmbushjen me sukses të procesit të negociatave për anëtarësim me ratifikimin me sukses të vendimit të anëtarësimit në 27 parlamente të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Që do të thotë se këto 4 vite të cilat përkojnë me këtë agjendë, janë 4 vite ku asnjë ditë nuk duhet humbur dhe ku koha nuk pret për të përgatitur të gjithë terrenin e mbështetjes së pikërisht të vendimit që do të marrë BE për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ndërkohë që përsa i përket negociatave, sigurisht që ato zhvillohen mbi bazë dypalëshe mes Republikës se Shqipërisë dhe Komisionit Europian, por e gjithë atmosfera rreth tyre ka një rëndësi të vetën dhe është e ndikueshme patjetër siç e keni parë dhe në të shkuarën, nga faktorë të ndryshëm. Pikërisht për këtë arsye është me shumë rëndësi puna e përditshme e shërbimit tonë diplomatik dhe fokusi i përditshëm sidomos në disa prej vendeve europiane ku nevoja për të ushqyer me energji pozitive nga Shqipëria politik bërësit dhe opinionin publik është e një rëndësie të veçantë.
Nga ana tjetër besoj që ndani me mua mendimin se kjo konferencë zhvillohet në një moment kur kreditet e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare janë më të larta se asnjëherë dhe kur profili i Shqipërisë si një vend në ngjitje, si një realitet në zhvillim, si një partner i besueshëm në rajon, në të gjitha tryezat ndërkombëtare është absolutisht një aset i cili duhet shfrytëzuar në funksion të Shqipërisë 2030 dhe më tutje.
Nuk dua të marr shumë nga koha juaj, por dua të theksoj se është e domosdoshme që shërbimi ynë të zhdërvjelltësohet, që shërbimi ynë të jetë një pikë referimi për talentet dhe për vajzat dhe djemtë që kanë dije dhe kanë ambicie për t’i shërbyer Shqipërisë dhe nga ana tjetër të rrisë kapacitetin për të shkuar përtej rutinës së përditshme.
Dua të veçoj këtu shembullin pozitiv, i cili duhet të jetë një frymëzim për të gjithë qasjen e ministrisë për Europën dhe punët e jashtme në raport me shërbimin, të gjithë procesit të punës për formësimin e trupës në përfaqësinë në ambasadën tonë në Bruksel, pranë Komisionit dhe për punën me Komisionin.
Është bërë një punë e admirueshme për të hapur dyert për të gjithë ata që kishin dëshirë t’i bashkoheshin skuadrës së ambasadës dhe përmes një bashkëveprimi pozitiv mes ministrit të Jashtëm, dy ministrave të Shtetit përkatësisht krye negociatores dhe zëvendëses së saj dhe ambasadorit tonë në Bruksel Ferit Hoxhës, është arritur që të krijohet një bërthamë e cila nuk kam asnjë dyshim që është një nga investimet më të bukura që janë bërë në gjithë këto vite për shërbimin tonë të jashtëm dhe që me gjasë do të shërbejë për ta fuqizuar ashtu siç duhet atë trup që muaj pas muaj dhe vit pas viti do të ketë një ngarkesë gjithnjë e më të madhe për shkak të procesit të negociatave për anëtarësim dhe patjetër që do të jetë baza e asaj që do të vijë më pas, e Shqipërisë shtet anëtar i Bashkimit Europian me një pjesë të veprimtarisë së vet domethënëse në kryeqytetin e Bashkimit Europian.
Nga ana tjetër dua të vë theksin tek domosdoshmëria për ta forcuar më tej punën tonë si shërbimin diplomatik në rajon, në funksion të mbajtjes dhe rritjes së intensitetit të komunikimit jo thjeshtë me qeveritë por me të gjithë aktoret dhe faktorët politikë, institucional apo shoqëror sepse për sa i përket rajonit ne kemi pa diskutim interesat më të mëdha strategjike dhe detyrimin që të jemi promotorët më të vendosur të paqes dhe stabilitetit në të gjithë këtë lagje të Europës dhe në këtë aspekt është natyrisht me rëndësi të veçantë edhe mirëmbaja e marrëdhënieve me të gjithë faktorin shqiptar, si dhe përcjellja në vazhdimësi e mesazhit pozitiv dhe konstruktiv të Shqipërisë që faktori shqiptar në rajon të jetë shëmbëlltyrë e qasjes sonë shumë të qartë dhe të formësuar në shumë vite me radhë, si një komb i përkushtuar ndaj ardhmërisë europiane dhe si një vend tërësisht i përkushtuar ndaj aleancës dhe partneritetit me botën demokratike.
Nga ana tjetër nuk dua të bëj një listë të të gjitha angazhimeve që Shqipëria ka pasur dhe aktualisht ka apo synon të ketë në tryezat e institucioneve të ndryshme ndërkombëtare, por dua ta ve theksin tek një moment absolutisht historik dhe shumë sfidues që është ai i organizimit të samitit të NATO-s në Shqipëri në vitin 2027. Pra faktikisht më pak se dy vite nga sot, nëse kemi parasysh kohën e organizimit të Samitit dhe dua të falënderoj dhe të përgëzoj ambasadorin tonë në NATO, ekipin tonë në NATO dhe të gjithë ata që punuan intesivisht dhe me besim për t’i dhënë formën përfundimtare dhe për të garantuar vulën mbi një vendimmarrje që besoj se ju e mirëkuptoni plotësisht kur iu them: Ishte thuajse utopike që Shqipëria të mik presë një samit që s’poston drejt një vendi me mijëra, mijëra e mijëra vetë dhe që në Shqipëri të rimblidhen të udhëheqësit e Bashkimit Europian, plus një numër tjetër udhëheqësish nga Europa dhe nga Amerika.
Kjo është arritur, vendimmarrja, tani ne duhet të përmbushim ashtu siç duhet të gjitha pritshmëritë që janë nga ana e Shqipërisë, ndaj Shqipërisë dhe t’i tejkalojmë ato duke e shfrytëzuar këtë moment si një moment kur Shqipëria përsëri mund dhe do të shkëlqejë botërisht.
Thënë të gjitha këto një element kyç që për hir të vërtetës mbetet hallka më e dobët e punës së shërbimit tonë diplomatik është diplomacia ekonomike, ku roli i përfaqësive tona është i dobët dhe ku përjashto raste shumë specifike dhe shumë të veçanta që lidhen me natyrën dhe vullnetin e ndonjë ambasadori, kontributi është thuajse inekzistent.
Kemi bërë disa herë përpjekje për të shtyrë në këtë drejtim, është bërë edhe një konferencë e dedikuar për aktivizimin e përfaqësive tona diplomatike në funksion të diplomacisë ekonomike, por rezultatet lënë shumë për të dëshiruar. Ndërkohë që ky aspekt do të jetë një aspekt prioritar i përfaqësive tonë diplomatik dhe që t’i themi gjërat ashtu siç janë duke pas parasysh se përsa i përket politikës së jashtme, qeveria këtu në Tiranë jua ka lehtësuar punën jashtëzakonisht dhe ndryshe nga si ndodhte më parë, kur kancelaritë kryesore europiane ishin të paarritshme nga Tirana dhe ishin krejtësisht të largëta për përfaqësitë tona, sot kancelaritë më të rëndësishme europiane janë vetëm një telefon larg nga Tirana, ndërkohë që puna e shërbimit diplomatik në vendet europiane duhet të jetë e fokusuar tek rritja e intensitetit të lidhjeve me botën ekonomike, e cila nuk ka nevojë ta zgjasim kur them se është tejet e zhvilluar në Europë dhe ku duke shfrytëzuar impaktin e imazhit të ri ndërkombëtar të Shqipërisë mund të tërheqim shumë më tepër dhe mund të bëjmë shumë më tepër së bashku, por ama në këtë rast flas për nxitjen që duhet të vijë nga jugu.
Nga ana tjetër, nuk është vetëm Europa. Ne kemi çuar në një nivel krejt tjetër marrëdhëniet me disa nga vendet kryesore të Gjirit dhe presim që edhe shërbimi diplomatik të ngrihet në atë nivel. E padyshim mund të shkoj edhe më tutje, por po e mbyll këtu këtë pjesë lidhur me diplomacinë ekonomike, duke thënë që rezultati është shumë për të dëshiruar.
Më tej shpresoj që disa nisma që kanë filluar të marrin formë si Këshilli Ndërinstitucional i Diplomacisë Ekonomike apo krijimi i rrjetit të atasheve ekonomike dhe i platformës unike për investitorët të na japin një dorë, ama të gjitha këto janë, janë instrumente, ndërkohë që pa mentalitetin e ndryshuar dhe pa raportin e ndryshuar mes kohës që i kushtohet pjesëve të tjera dhe kohës që i kushtohet diplomacisë ekonomike, edhe këto instrumente nuk do të na japin mundësinë që të shikojmë ndonjë çudi.
Diaspora dhe shërbimet konsullore kanë qenë vazhdimisht në vëmendjen tonë dhe transformimi digjital i shërbimeve konsullore ka sjellë një avancim të shumë domethënës në lehtësimin e barrës së shqiptarëve jashtë Shqipërisë, që kanë vuajtur shumë për t’i marrë këto shërbime, por ka ende shumë për të bërë dhe mundësitë e reja të teknologjisë na japin shumë më tepër arsye që të besojmë se mund ta përmirësojmë më tej në mënyrë domethënëse shërbimin tonë konsullor. Ndërkohë që pjesëmarrja e shqiptarëve jashtë atdheut në zgjedhje forcon jo thjesht rolin e tyre në aspektin e fuqisë vendimmarrëse në vend, por forcon edhe shkallën, nivelin e detyrimit tonë për t’u shërbyer dhe për t’u organizuar me ta.
Edhe këtu ka disa raste të veçuara suksesi, apo më saktë pozitiviteti në raport me nevojën për këtë zhvillim, po në tërësi jemi shumë mbrapa, rezultati lë shumë për të dëshiruar. Ne jemi një vend i vogël dhe ne jemi një popull i vogël që nuk e kemi luksin që të mos kemi as dijeni për burimet tona njerëzor jashtë vendit.
Nuk e kemi luksin që të mos kemi as dijeni për shqiptarët e shkolluar, për profesionistët e jashtëzakonshëm që ne kemi thuajse në të gjitha vendet e botës dhe minimalisht dijeninë për ta, për ekzistencën e tyre, për praninë e tyre në një vend apo në një vend tjetër, duhet të na e garantojë shërbimi diplomatik. E pastaj, natyrisht me ketë dijeni, shumëçka tjetër mund të parafytyrohet dhe mund të ndërtohet, por që ne të mos kemi një databazë që pasurohet dita-ditës me profesionistët shqiptarë në territoret e mbarë botës dhe ku shumë shqiptarë shkëlqejnë e bëjnë sukses dhe nuk kanë nevoja materiale ndaj Shqipërisë, po pa diskutim do ta mirëprisnim një interesim të Shqipërisë dhe patjetër që në një masë të madhe do ta mirëprisnin dhe një ftesë nga Shqipëria për të kontribuuar ndërkohë kur bota është bërë kaq e ndërlidhur saqë nuk ka më asnjë nevojë që të lëvizësh nga aty ku je për të mundur të japësh një kontribut. Është e papranueshme që ne të jemi kaq të paditur në lidhje me një kapital të jashtëzakonshëm njerëz që kemi jashtë vendit dhe ky duhet të jetë një objektiv ndër parësorët e të gjitha përfaqësive tona diplomatike.
Ngritja e Akademisë Diplomatike sipas modeleve më të mira evropiane është një hap shumë i nevojshëm, i domosdoshëm i cili më në fund po hidhet ndërkohë që i domosdoshëm është edhe reformimi i gjithë kuadrit normativ të shërbimit të jashtëm për të rritur profesionalizmin, për të garantuar edukimin në vazhdim të të gjithë trupës dhe përmirësimin sistematik të burimeve njerëzore.
Dhe siç e tha ministri, një draft për këtë reformim është gati dhe së shpejti në Kuvendin e Shqipërisë ne do të miratojmë të gjithë kuadrin e ri që do t’i mundësojë ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme të jetë më pranë dhe më efektive në përmbushjen e nevojave të përfaqësive tona që patjetër do të rrisë nga njëra anë kërkesën ndaj përfaqësive, por nga ana tjetër mbështetjen për përfaqësitë tona diplomatike sepse pa dyshim që jeta në Europë, por kudo është shtrenjtuar dhe nevoja për të patur një trupë të motivuar, është rritur dhe natyrisht për ta përmbushur siç duhet këtë përvojë dhe për t’iu përgjigjur siç duhet sfidave dhe për ta shfrytëzuar siç duhet potencialin që kemi, duhet një motivim edhe më i madh financiar i trupës tonë të shërbimit të jashtëm.
Thënë të gjitha këto, dua ta mbyll aty ku e nisa, tek momenti historik tek niveli më i lartë se asnjëherë i kredive të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, tek rrugët e hapura për të arritur më lehtë në çdo pikë kontakti me shoqëritë e vendeve ku ju jeni aktivizuar në mënyrë që secili dhe secila të kuptojë nga kjo konferencë se të gjithë së bashku kemi detyrimin madhor që të nxjerrim më të mirën e mundshme nga vetja për ta bërë Shqipërinë të denjë në përballimin e sfidave të këtij momenti historik.
Ju falënderoj edhe një herë të gjithëve për kontributin tuaj. Ju falënderoj edhe për vëmendjen tuaj. Uroj që të gjeni çdo ditë arsye për tu zgjuar më herët dhe çdo natë, arsye për të fjetur më vonë. E di që për diplomatët është pak e vështirë që të luftojnë me rutinën e tyre për vetë natyrën e punës, por edhe për eksperiencën që diplomatëve u thotë ‘’ehu, sa kemi parë ne; ehu, sa herë është provuar kjo; ehu, ç‘mund të tregojmë ne, po hajde se do kalojë edhe kjo’’, në mënyrë që këtij momenti t’i përgjigjemi ashtu siç e meritojnë ata që e kanë ëndërruar, ata që janë përpjekur, ata që kanë luftuar dhe ata që kanë dhënë jetën për t’iu afruar Europës, për t’iu afruar qytetërimit perëndimor dhe europian si pjesë e integruar plotësisht e tij dhe ata që sot janë fëmijë dhe që prej nesh presin që ta konsiderojmë punën tonë si borxhin më të madh që u kemi atyre.
Shumë faleminderit!