Dimal, Berat, 1 Maj – Në takimin me banorë të Dimalit, Berat, Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama ndau me ta shifra dhe fakte “të Shqipërisë reale, të Shqipërisë që punon, të Shqipërisë që ecën çdo ditë përpara, të Shqipërisë që gjendet sot në prag të shtëpisë së madhe të familjes së bashkuar europiane.”

* * *

Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama:

Mirëdita të gjithëve! Shumë faleminderit! E vlerësoj shumë që jeni këtu dhe do mundohem ta kem parasysh që keni gjithë këtë diell përballë për të folur sa më shkurt të jetë e mundur dhe pse do doja të ndaja me ju disa fakte që janë të rëndësishme për t’u pasur parasysh.

Fakte të cilat është thuajse e pamundur që të mësohen nga mediat, fakte, të cilat janë fakte të Shqipërisë reale, të Shqipërisë që punon, të Shqipërisë që ecën çdo ditë përpara, të Shqipërisë që nga një udhëtim shumë i gjatë, duke nisur nga buza e humnerës kur morëm detyrën gjendet sot në prag të shtëpisë së madhe të familjes së bashkuar europiane.

Po filloj me disa të dhëna të përgjithshme të ekonomisë së vendit dhe po e filloj me prodhimin e përgjithshëm kombëtar.

Prodhimi i përgjithshëm kombëtar ose prodhimi i brendshëm bruto siç quhet është e gjithë vlera që një vend krijon dhe kjo vlerë, kur ne morëm detyrën ishte më pak se 10 miliard euro, ndërsa sot ka kaluar 25 miliardë eurot. Ajo që do të bëjmë është që në Shqipërinë 2030 këtë prodhim të përgjithshëm do ta çojmë në 35 miliardë euro.

Kjo është një tjetër e dhënë për të parë edhe zhvillimin dhe rritjen e këtij prodhimi në kontekstin e rajonit.

Kjo është Shqipëria dhe kjo është mesatarja e rajonit dhe këtu siç e shikoni nuk është tabelë e qeverisë shqiptare, është tabelë e organizatave ndërkombëtare, përfshirë dhe FMN.

Këtu siç e shikoni, Shqipëria është në vendin e parë me rritjen më të lartë të prodhimit të përgjithshëm në dekadën e fundit.

Këtu jemi tek të ardhurat për frymë.

Kur ne morëm detyrën të ardhurat për frymë në Shqipëri ishin 3300 euro.

Sot ato janë 10300 euro dhe në Shqipërinë 2030 do të shkojnë në 15 000 euro.

Dhe një gjë, ne nuk kemi një program dëshirash, as një manifest ëndrrash që partitë e tjera përpiqen që t’i shesin në tregun e fushatës elektorale, të gjitha këto shifra dhe projeksione janë projeksione të bëra nga ekspertët e ministrisë së financave, nga ekspertë ndërkombëtarë që punojnë me ne sepse ne kemi një program qeverisës deri në 2030.

Këtu kemi tek borxhi. Shqipërinë e morëm me një borxh që zyrtarisht ishte 70% nga më të lartët në rajon, por që nuk ishte kaq në të vërtete sepse gjetëm dhe një borxh të fshehur prej më shumë se 700 milionë eurosh, pasi kur ju na dhatë besimin, qeveria e mëparshme kishte lënë pa paguar kompanitë e rrugëve, kompanitë e investimeve, të tjera kapitalet e qeverise dhe kompanitë e shërbimeve.

Spitalet nuk shërbeheshin më me ilaçe sepse qeveria nuk i paguante më kompanitë për kontratat dhe ne i shlyem të gjitha ato borxhe.

Sot nuk i kemi borxh asnjë kompanie dhe të gjitha kontratat respektohen me përpikmëri, ndërkohë që borxhin publik e kemi ulur në një normale prej 54%  dhe projeksioni ynë është që në Shqipërinë 2030, kur do të jemi dhe anëtar të BE do ta çojmë në 50% me një minus të lehtë nën 50%.

Këtu jemi te kreditë e këqija. Kjo ishte situata e bankave në Shqipëri kur ne morëm detyrën.

25% e njerëzve, subjekteve që kishin kredi nëpër banka nuk i shlyenin dot më dhe 25% është momenti kur ndizet drita e kuqe dhe sistemi bankar rrezikon të bjerë.

Për këtë arsye, unë them që shqiptarët, duke u bërë bashkë në 2013 shpëtuan Shqipërinë nga një humnerë e dytë pas asaj të ‘97. Për këtë dua t’ju kujtoj të gjithëve që çdo alternativë tjetër përveç PS është një alternativë e rrezikut për t’u kthyer përsëri mbrapa drejt të njëjtës humnere.

Këtu jemi te përqindja e popullsisë në rrezik për varfëri. Shikoni sesi përqindja ka rënë, duke u afruar me një sërë vendesh të rajonit dhe të BE.

Këtu jemi tek pabarazia në të ardhurat. Dhe këtu shikoni sesi është përmirësuar raporti dhe sesi Shqipëria përsëri ka hyrë në një tjetër kategori dhe edhe kjo pasqyrë është një pasqyrë e Eurostat që është institucioni euopian i statistikave, jo i qeverisë shqiptare.

Këtu jemi te tregu i punës.

Kemi sot papunësinë më të ulët historike dhe për herë të parë e kemi ulur papunësinë nën 10%, pra e  kemi bërë një shifrore.

Ka shumë njerëz që thonë që shifra e ulët e papunësisë vjen ngaqë kanë ikur njerëzit. Lerë pastaj ata që thonë që kanë ikur 1 milionë njerëz se kjo është një nga shpifjet më të mëdha të kënetës, ndërkohë që censusi e tregoi qartë se sa është popullsia sot në Republikën e Shqipërisë, por përqindja e papunësisë nuk matet mbi popullsinë e përgjithshme, por mbi forcat e punës.

Pra, nuk ka të bëjë fare popullsia e përgjithshme, ka të bëjë sa njerëz janë të papunë në tërësinë e forcave të punës. Dhe për herë të parë, ne kemi një papunësi një shifrore 8.8%, ndërkohë që, tek tjetra është dhe përgjigja për gjithë ata që përpiqen dhe këmbëngulin të na përqeshin që me demek në këto tre mandate, s’kemi bërë asgjë dhe një nga gjërat që thonë është ku i keni ato 300 mijë vendet e punës.

Kjo shifër është shifra e regjistrit të njerëzve të punësuar në Republikën e Shqipërisë, pra të gjithë atyre që ishin të regjistruar në momentin që ne morëm detyrën dhe që paguanin detyrime në Republikën e Shqipërisë. 1 milionë e 23 mijë. Kjo është shifra e regjistrit sot, 1 milionë e 327 mijë.

1 milionë e 327 mijë dhe tani kemi një problem të madh me aritmetikën se e filluan me 7×7 42 tani kaluan 7×7 6milionë dhe e kemi vështirë të merremi vesh për aritmetiken, por besoj që aritmetika që na kanë mësuar në shkollë tregon që nga kjo shifër tek kjo shifër janë më shumë se 300 mijë të punësuar të rinj.

Këtu jemi tek përqindja e të punësuarve me pagë nën 40 mijë lek. Shikoni sa ka pasur nën 40 mijë lekë në momentin kur ne morëm detyrën. Kanë qenë gati 60% e njerëzve. Shikoni sot, janë vetëm 14% e njerëzve në punë që marrin pagë nën 40 mijë lek.

Këtu jemi tek rritja e pagave. Paga minimale ishte 157 euro, sot është 400, në janar të 2026 bëhet 500 dhe në Shqipërinë 2030 do të jetë 650 euro.

Këtu jemi tek rritja e pagës mesatare te përgjithshme, pra paga në sektorin publik dhe paga në sektorin privat.

Ka qenë 322 euro, sot është 848 euro.

Këtu jemi tek paga mesatare në sektorin publikc, e cila sot është 1000 euro nga 372 që ishte dhe do shkojë 1200 euro në Shqipërinë 2030.

Ky ështe pensioni mesatar. Ishte 111 dhe sot është 330 euro dhe ajo që është e rëndësishme, është që në Shqipërinë 2030 do të jetë 400 euro pensioni mesatar dhe 200 euro pensioni minimal.

Këtu jemi tek taksimi, është një pikë e rëndësishme sepse ne kemi çliruar nga taksat, qoftë punonjësit në shtet ose në privat, qoftë në biznesin e vogël. Tek punonjësit 57% e të punësuarve nuk paguajnë asnjë taksë mbi pagën, ndërkohë që 93% e të punësuarve paguajnë më pak se 10% kur ne morëm detyrën të tërë paguanin 10% mbi pagën.

Këtu jemi tek një pikë që unë e kam shumë krenari. Pabarazia gjinore në Republikën e Shqipërisë, është ulur. Ishim vendi i 83-të në botë, sot jemi në vendin e 23-të në botë, duke marrë parasysh klasifikimin e OKB-së.

Dhe këtu jemi tek shkalla e papunësisë për gratë. Ishte 16.4%, sot është 9%. Edhe papunësia e grave ka rënë në mënyrë të ndjeshme.

Ashtu sikundër pjesëmarrja e grave në forcën e punës ishte 50% , ka shkuar në 70%.

Kjo ësht paga mesatare e grave që siç e shihni është rritur proporcionalisht.

Këto janë investimet e huaja në raport me rajonin. Rritja e Shqipërisë është me të kuqe, rritja e rajonit ështe në kolonën tjetër. Këto janë eksportet për ata që thonë që Shqipëria nuk prodhon asgjë, Shqipëria nuk ka bukë, Shqipëri s’ka jetë, nga Shqipëria kanë ikur të gjithë. Në të vërtetë ja çfarë ka ndodhur me eksportet.

Shqipëria eksportonte 2.8 miliardë kur ne morëm detyrën dhe eksporton 9.1 miliardë me shifrën e vitit 2024. Dhe përpara se të vinim këtu, ishim me Ervinin, takuam dy protagonistë të ekonomisë lokale këtu që kanë qenë emigrantë dhe na tregonin për rritjen e të ardhurave në sipërmarrjen e tyre në bujqësi.

Këtu jemi tek biznesi i vogël. Ja ku ishte dhe ja ku është këtu, 0 taksë, 0 TVSH për biznesin e vogël që ka deri në 100 mijë euro xhiro dhe 0 taksë me TVSH për biznesin e vogël që ka deri në 140 mijë euro xhiro dhe siç e kemi premtuar, do të qëndrojë kështu deri në 2029. Nuk do të vëmë asnjë taksë tek biznesi i vogël.  Dhe kjo ka rëndësi sepse nga ulja e taksave, domethënë nga heqja e taksës për biznesin e vogël janë 66 milionë euro që i janë kursyer njerëzve dhe i janë lënë njerzve ndërkohë që deri kur ne morëm detyrën, këto 66.5 milionë euro i merrte shteti dhe plus atyre, këtu jemi tek biznesi i vogël me TVSh. Dhe këtu nga zerimi janë 58 milionë euro të tjera që deri dje i merrte shteti dhe prej vitesh tanimë i merr biznesi i vogël. Dhe siç e shihni, të dyja shifrat bashkë janë një shifër shumë domethënëse.

Këtu jemi tek pagat. Këto janë pagat e mjekëve. Disa shembuj shumë shpejt. Kanë qëne 490 euro, janë 1670 euro paga mesatare e mjekëve në Shqipëri dhe do të shkojë në 2000 euro në Shqipërinë 2030.

Kemi, këtu është programi kombëtar për fëmijët në nevoja të veçanta, për personat me nevoja të veçanta, etj, nuk dua t’ju mbaj më gjatë me këto. Dua te them vetëm që për fëmijët me aftësi speciale siç i quajmë, ku hyjnë fëmijët autikë, fëmijët e tjerë, ne me buxhetin e parë duke filluar nga viti 2026, do të dyfishojmë mbështetjen financiare për nënat.

Ky është buxheti i ndihmës ekonomike i cili ështe trefishuar dhe këto janë shërbime sociale në bashki. E di shumë mië Juli, e di shumë mirë edhe Ervini, e dinë mirë të gjithë kryetarët e bashkive, Fadili nuk diskutohet që deri dje, bashkive nuk i ishte dhënë bashkive të jepnin asnjë shërbim social. Sot 100% e bashkive kanë rrjetin e tyre të shërbimit social që mbështetet nga qeveria dhe nga vetë bashkitë.

Kjo është dhe një shifër tjetër dhe këtu do ta mbyllim këtë pjesë, për nënat e papuna me 3 ose më shumë fëmijë, ne kemi marrë një nismë që t’u paguajë qeveria sigurimet shoqërore dhe shëndetësore në mënyrë që pavarësisht se ato nuk janë në punë, për faktin se kanë 3 ose më shumë fëmijë, të mos mbeten pa pension.

Dhe faktikisht janë 25 milionë euro çdo vit që qeveria paguan për 9200 nëna të papuna që kanë 3 ose më shumë fëmijë.

Këtu jemi tek mbrojtja, investimet e mbrojtjes që siç e shihni janë 10-fishuar, ishin 28 milionë. Kishim ushtrinë më te keqpaguar në rajon se në Europë nuk diskutohet. Sot kemi ushtrinë më të mirëpaguar të rajonit kur kemi dhe dy vende të tjera të NATO-s meqë ra fjala, Malin e ZI dhe Maqedoninë e Veriut dhe deri në 2030, do të kemi një ushtri të paguar në mesataren e ushtrive të NATO-s që ju e dini shumë mirë se ça vendesh të zhvilluara janë dhe sa të fuqish më janë ekonomikisht.

Kjo është paga mesatare e ushtarakëve e cila sot është 1550 euro.

Vazhdojmë tëk pjesa e tani e investimeve në qarkun e Beratit sepse më shqetëson fakti që jeni përballë diellit akoma. Unë gjithsesi jam pak më i mbrotjur. Këtu janë investimet për qarkun e Beratit. Për të dhënë një pamje të pëgjithshme sepse ju jeni këtu në Dimal po nuk keni nga e dini se çfarë është bërë në Skrapar po themi, ose në Poliçan dhe nga ana tjetër në tërësi, fatkeqësi e madhe e kësaj shoqërie dhe e këtij populli, ësht që kur hap tv në darkë, është e pamundur që të marrësh informacion të vërtetë për ekonominë,të marrësh informacion të vërtetë për bujqësinë, për arsimin, për shëndetësinë, për të gjitha. Ndërkohë që patjetër në çdo vend të botës, nëqoftëse e merr kameran të shkosh të gjesh një rrugë me gropa apo nëqoftëse e merr kameran e të shkosh të gjesh një zyrë që nuk funksionon, e gjen edhe në vendin më të zhvilluar të botës. Ne kemi më shumë sesa ç’kanë vendet  mirëzhvilluara por ama është një pjesë tjetër shumë e rëndësishme e Shqipërisë, që ka ndryshuar totalisht edhe që është e pamundur ta gjesh nëpër ekrane dhe nëpër portale.

Këtu është qarku i Beratit dhe po filloj nga kjo dhe kjo është pothuajse e njëjta për të gjitha qarqet se po të shioni komentet që bëjnë ata që s’kanë idenë se ku bie fshati, ose ata që e kanë lënë prej shumë vitesh fshatin dhe janë jashtë, është që ‘’kur do filloni me rrugët e fshatit? S’ka rrugë në fshat’’. Shikoni këtu, janë bërë 203 projekte me një vleë 210 milionë euro në qarkun e Beratit për 255km rrugë, ku janë rrugë me asfalt, janë rrugët e bardha që janë rrugë të cilat nuk janë të asfaltuara por janë të shtruara siç janë dhe në vende të BE në hapësirat e thella rurale dhe një pjesë janë rrugë dheu, por të investuar dhe të shtuara për t’u bërë të aksesueshme. Dhe kështu është siguruar 95 % akses.

Patjetër që hap pas hapi, aty ku është e nevojshme do të fillojë edhe zëvendësimi i rrugëve të bardha dhe i rrugëve të dheut me rrugë me asfalt ose të bardha. Por ama kjo është e vërteta 255 kilometra rrugë fshati të investuara në territorin e qarkut Berat.

Këtu jemi tek ajo që ne e quajmë rigjenerimi urban. Janë 78 projekte, 59 milion euro i janë dhënë këtij qarku, dhe se kur kapen keq këta të kënetës, jo të mëdhenjtë, po ata të vegjlit që ushqehen, që pijnë në mëngjes ujë kënete para se të bëjnë komente nëpër rrjete sociale, thonë: Po mirë hajde se tani ca gjëra, i solli koha, do bëheshin.

Po në fakt koha solli edhe ’97 nga ‘90 në ‘97 koha nuk solli ndonjë përmirësim, solli shkatërrim total. Koha nuk i solli 1 milion turistë në qarkun e Beratit. I sollën gjithë këto investime dhe gjithë këto punë komplekse, që nga infrastruktura rrugore tek përmirësimet e jashtëzakonshme, se unë kam qenë këtu në Dimal, kur quhej Ura Vajgurore, apo jo? Dhe kur kam ardhur këtu si kryeministër herën e parë kam ardhur në një përmbytje të tmerrshme ku gjysma ishin të zhytur në baltë, jo në ujë.

Ishin të zhytur në baltë deri në brez nëpër shtëpitë e tyre dhe as që bëhej fjalë të gjeje këtu pllaka dhe të shikoje godina normale. Këtu ishte sikur kishte rënë bomba. Kështu që këtë Dimal që është sot nuk e solli koha, koha mund ta bënte edhe më të shkretë e më të zymtë nëse nuk do të mirë qeverisej qoftë në nivelin qendror, qoftë edhe në nivelin vendor.

Ashtu si kundër ça është Berati sot nuk e solli koha, sepse kur kemi ardhur në fillim s’kishte rrugë për të ardhur në Berat. Ju e dini shumë mirë në Lushnje merrje kthesën këputej lidhja. Duhet të hyje pastaj në një rrugë me gropa edhe kur të arrije në Berat mund të përfundoje në spital nga bllokimi i veshkave nga kërcimet në makinë, apo jo?

Dhe në ndërkohë as që bëhej fjalë të kishte në Berat gjithë ato dyert hapura si sot ku njerëzit vijnë edhe trokasin në bujtina fantastike, që hapen përditë, përditë, përditë. Ishte Mangalemi i rrënuar, lagja përballë e rrënuar, edhe Fadili, që heroikisht mbante gjallë frymën në Berat dhe shpresën atje, me mbështetje minimale nga qeveria, minimale.

 Këtu janë projektet për turizmin dhe mjedisin. Shikoni sa është investuar vetëm për turizmin dhe për mjedisin, dhe këto janë investimet e qeverisë nuk flasim për investime private. Gati 20 milion euro për t’i dhënë këtë profil turistik që ka qarku.

Këtu jemi tek investimet në ujësjellës kanalizime, se ky është një tjetër mit i madh që s’ka ujë, s’ka kanalizime askund nëpër fshatra, ndërkohë që sot, deri tani janë investuar 71 projekte me një vlerë 108 milion euro për ujësjellësin dhe për kanalizimet.

Këtu jemi tek energjia, ju e dini shumë mirë ça problemi ishte këtu për dritat, si në të gjithë Shqipërinë. Edhe besoj që ata që janë pak më të mëdhenj e mbaj mënd si dridhej poçi në darkë, nga tensioni i ulët derisa fikej fare, 60 milionë euro janë bërë në Berat investime vetëm për energjinë elektrike.

Kjo është bujqësia dhe 57 projekte për 18 milionë euro në mbështetje të bujqësisë dhe të atyre që kanë hapur këtu pika grumbullimi dhe agroturizma.

 Pikat e grumbullimit, kur ne morëm detyrën, numëroheshin me gishtat e dorës, sot, pikat e grumbullimit, serat dhe shumë çka tjetër në bujqësi janë si dita me natën, krahasimisht me të shkuarën.

Patjetër që këtu një meritë të madhe e kanë vetë sipërmarrësit, por ama sipërmarrësit këtu ishin dhe atëherë, edhe mbijetonin, ndërkohë që sot bëjnë fitim dhe gjëja më e mirë kanë rritur në mënyrë të ndjeshme pagat për njerëzit që janë të gatshëm të punojnë në sipërmarrjet bujqësore.

Këtu jemi tek arsimi. Janë bërë 54 projekte për shkolla për një vlerë afro 20 milion euro, shkolla, kopshte, çerdhe.

Këto janë prej dhe kulturës 22 milionë euro projekte për kulturë në qarkun e Beratit janë një shifër që ju siguroj është më e madhe se sa shifra për kulturën e të gjitha qeverive të marrës së bashku numërojini nga doni. Nuk bën vaki të gjesh të bësh bashkë 22 milionë euro.

Tani, të gjitha këto që thashë.

Ah, është dhe shëndetësia apo qendrat shëndetësore dhe spitali, 65 milionë euro, 48 projekte. Ndërkohë që e dinin shumë mirë si ishte gjendja e spitalit, e dinin shumë mirë si ishin gjëndrat shëndetësore, që s’kishe shans të mendoje se po të shkoje. Po shyqyr që të paktën pjesa e mjekëve, pjesa dërrmuese e mjekëve në Shqipëri kanë qenë heronj vërtetë, që në kushtet më skandaloze kanë shpëtuar jetë njerëzish dhe u kanë qëndruar njerëzve mbi kokë.

Dhe në total në qarkun e Beratit, ne kemi investuar mbi gjysmë miliardë euro.

Tani, besoj se e gjitha kjo flet vetë, jo, se këtu është bërë fushë me lule, edhe se njerëzit duhet të jenë të lumtur, por flet vetë për sa shumë është bërë dhe ndërkohë atyre që thonë, po mirë, pse doni ju mandatin e katërt?

I them ekzaktësisht sepse ka ende shumë për të bërë, dhe atë shumë që ka për të bërë, harrojeni se e bën dikush tjetër përveç Partisë Socialiste, harrojeni se e bën dikush tjetër. Harrojeni!

Njëri bufi i kënetës e keni dëgjuar? Del thotë në 12 maj, do shkrij SPAK-un, do shkrij dhe platformën në e-Albania.

Domethënë, drejtësia do kthehet aty ku ishte në kënetën e bufit, që kur vriteshin njerëz poshtë dritares së kryeministrit, prokurori nuk merrte dot në pyetje tre drejtorë policie dhe nga ana tjetër, kryeministri dilte dhe e bënte prokuroren e përgjithshme lavire. Ka ndodhur para pak vitesh, këto nuk kanë ndodhë në shekullin e XV dhe do kthehen dhe të gjitha sportelet aty ku ishin, që njerëzit të capërlohen nëpër radha dhe ndërkohë, emigrantët të mos marrin më asnjë shërbim, siç marrin sot, pa lëvizur nga vendi deri në Australi, nga e-Albania, po të presin që të vijnë këtu për të marrë një shërbim.

 Këto janë dy propozimet kryesore që dëgjoni, se ato të tjerat pastaj do u japim kaq e do japim aq, e dini mirë ju se si janë lekët e bufit.

6 milionë dollarë nga këneta për të pastruar atë tatuazhin në ballë të non gratës dalin, po ato paratë e tjera për popullin, ato nuk dalin.

Ndërkohë, të tjerët që me demek janë të rinj, thonë, po qe se na vjen ne në dorë kjo punë do shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Ndërkohë që ne na duhet të mbyllim negociatat me Bashkimin Europian 2027-ën dhe të futemi në Bashkimin Europian, që të kemi pasaportën europiane për të gjithë shqiptarët, që mos jenë më populli i dorës dytë, kur kalojnë nëpër aeroporte dhe fëmijët tanë studentë apo nxënës, mos jenë më të huaj në Bashkimin Europian. Dhe nga ana tjetër, që të kemi dhe një buxhet ekstra.

Sepse, për shembull, sot po t’i kthehemi të gjithë këtyre shifrave, atyre të bujqësisë që patë aty është dhe ndihma e Bashkimit Europian, por ama në një dekadë është shumë më pak se 200  milionë euro, po të hyjmë në Bashkimin Europian, 300 milionë euro në vit janë vetëm për bujqësinë.

Ne duam të hyjmë në Bashkimin Europian, ata thonë do shkojmë në zgjedhje të parakohshme.

Domethënë, e kishim ndjesë pastë një LSI që na u ngatërrua nëpër këmbë dhe u bë, u kthye në nyje në fyt për shqiptarët, tani në vend që ta kujtojmë për 1 maj meqë është dhe dita e punëtorëve, e themi shyqyr shpëtuam nga këta pengmarrësit e vegjël, dalin këta të tjerët thonë do shkojmë në zgjedhje të parakohshme. E kuptoni ju?

Të rinj? Çfarë të rinjsh, të rinj në moshë po, në fytyrë po, por në program, në përmbajtje, në kuptim të politikës, të gjeopolitikës, të marrëdhënieve ndërkombëtare, nuk ka lidhje fare qëkur thonë “Do shkojmë në zgjedhje të parakohshme”.

Kështu që, duhet të fokusohemi tek 11 maji dhe duhet të fokusohemi tek anëtarësimi në Bashkimin Europian.

Shumë faleminderit edhe njëherë dhe shumë respekte për këtë durim heroik këtu me gjithë këtë diell përballë.

Shumë faleminderit.