Me vajzat dhe gratë e mençura dropullite e gjirokastrite, mjeshtre të punës artistike, të mirënjohura për traditën e bukur të kostumeve popullore, vijoi sot takimi elektoral në Dropull, për të theksuar rolin e pazëvendësueshëm të grave në zhvillimin e vendit dhe rrugëtimin e pandalshëm vetëm përpara.
* * *
Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama: Shumë faleminderit, shumë faleminderit dhe besoj që e ndani me mua kënaqësinë e asaj pamjes me burrat mbrapa telave atje. Jo stadium të ishte, por dhe tre stadiume të ishin, ata aty e kishin vendin në këtë moment. Por duhen dhe ata siç duhen hudhrat për të mos marrë sysh. Kështu që mirë janë atje varur nëpër tela duke iu parë juve ulur këtu. Edhe me pëlqen shumë edhe më vjen keq për ta, sidomos kur rrinë nëpër kafe dhe bëjnë sikur e kanë ata në dorë, bëjnë sikur ata janë të parët e shtëpisë, por kur vijnë në shtëpi pastaj po të jenë pak vonë ulin kokën edhe thonë “ja ngatërrova rrugën se isha bashkë me atë tjetrin atje”.
E vërteta është që kur unë bëra qeverinë e parë e kisha qëllim që të ishin të barabartë 50 % burra 50% gra, – të parën, që ishim pa të tjerë në prehër se kur kishim të tjerë në prehër, na u futën më shumë burra, – por te kjo qeveri për hir të së vërtetës numri shkoi më shumë, jo se doja unë të ishin më shumë gra, por sepse duke kërkuar për t’i gjetur çdo pune njeriun e duhur, dolën më shumë gra. Dhe rezultatet tregojnë që më shumë gra, më shumë punë. Më shumë burra, më shumë llafe. Dhe kishte të drejtë plotësisht sipas meje, nga eksperienca ime, Margret Thecer kur thoshte “do të bësh një muhabet ulur bëje me burra, do të mbarosh një punë, çohu dhe mbaroje me gra”.
Sot, Shqipëria është me e pastër, shumë më e pastër, falë një gruaje, një ministreje turizmi dhe mjedisi me fshesë në dorë që i mori i vuri përpara të gjithë kryetarët tanë të bashkive edhe i tha “Mbaroi tani. Tani duhet në këmbë të tërë sepse do ta pastrojmë Shqipërinë”. Dhe kemi bërë një operacion pastrimi masiv jo me ditë, me muaj dhe përtej vitit dhe kemi pasur vjet sezonin më të pastër turistik ndonjëherë.
Më në fund vizitorët e shumtë që na erdhën nuk shikonin më plehra nëpër plazhe, nuk shikonin më plehra rrugëve për të shkuar përgjatë bregdetit dhe kështu filluan të mësohen edhe burrat dhe tani e kemi më të thjeshtë.
Sot, bashkitë tona janë të pastra, përveç Shkodrës, fatkeqësisht, ku asnjëherë nuk na është dhënë mundësia të drejtojmë dhe ku fanatizmi politik, verbëria politike janë paguar vazhdimisht nga komuniteti me koston e mospasjes shërbimet e duhura, që nga pastrimi. Nuk dua të vazhdoj me të gjitha punët e grave në qeverinë tone, por dua të them që është gjë e madhe që në këshillat bashkiakë sot ne kemi fuqi të barabartë, burra dhe gra. Dhe dua t’i falënderoj dhe t’i përshëndes të gjitha zonjat këtu që janë bërë pjesë e skuadrës së këshillit bashkiak të Dropollit.
Në Dropull kemi bërë punë shumë të mira, por ka ende shumë punë për të bërë edhe këtu si kudo tjetër, ama një gjë është e sigurtë, që kemi hapur një fazë të re për Shqipërinë. Kemi hapur një fazë të re për ekonominë, kemi hapur një fazë të re për punësimin, kemi hapur një fazë të re për turizmin. Turizmi është industria bazë të cilën ne do ta fuqizojmë vit pas viti me gjithë komponentët e vet, jo thjeshtë me plazhin, por edhe me turizmin kulturor, ku Gjirokastra është kampione bashkë me Beratin. Edhe me turizmin malor dhe kështu me radhë për të fuqizuar çdo familje që jeton kudo qoftë në Shqipëri.
Sot dhe ky është fakt, cilido që hap një agroturizëm fiton më shumë sesa po të shkojë të punojë në Greqi për dikë tjetër. Cilido që shtëpinë e vet e kthen në një bujtinë ka më shumë të ardhura sesa të ardhurat mujore që mund të ketë si punëtore për dikë tjetër në Greqi. Kjo nuk diskutohet. Dhe gjithë kjo zonë ka një begati shumë të madhe të falur nga Zoti, nga natyra, ndërkohë që me punët tona, ne po bëjmë që kjo begati të fillojë të kthehet gjithmonë e më shumë në të ardhura për familjet. Dhe industria e mikpritjes në Shqipëria është industria e të ardhmes.
Nga ana tjetër është shumë e rëndësishme që ne të vazhdojmë të bëjmë çmos për edukimin e fëmijëve tanë dhe mua më vjen shumë mirë që këtu në këtë zonë minoritare ne kemi arritur të krijojmë një harmoni të plotë dhe të krijojmë kushte dhe për fëmijët që të mësojnë, që të kenë tekstet, që të kenë mundësi që të krijojnë komunitet këtu.
Tani është koha që të Bushi të krijojë dhe skuadrat e fëmijëve, të vajzave dhe djemve, në volejboll dhe basketboll se ky, i thashë duhet të rrish më shumë me gra që t’i kuptosh më mirë se çfarë kanë nevojë dhe fëmijët sepse janë nënat ato që e kuptojnë më mirë se çfarë duhet për fëmijët, pastaj baballarët mësojnë sa të munden nga nënat. Kështu që, unë besoj shumë që ne kemi mundësi të jashtëzakonshme për të bërë gjëra shumë më të mëdha se kaq, por ama na është dashur që të përpiqemi shumë për të marrë këtë kthese të madhe historike dhe ka qenë një kthesë e madhe, e cila ka nisur me vështirësinë e madhe të një trashëgimie shumë të rëndë.
Mua më kujtohet kur kam ardhur për herë të parë këtu. As nuk ka të krahasuar me sot dhe pse potenciali këtu është shumë më i madh sesa ç’kemi mundur ne të vëmë në dispozicion të njerëzve. Por patëm rrugës pandeminë. Para pandemisë tërmetin, tërmeti na pengoi shumë dhe na bëri që shumë projekte t’i shtyjmë për më vonë sepse na u desh të strehojmë dhjetëra e mijëra familje. Të rindërtojmë më shumë shkolla nga e para, nga themelet sesa ç’janë ndërtuar në gjithë vitet e mëparshme. Dhe na erdhi lufta me gjithë pasojat e saj, me inflacionin, me krizën e energjisë, me rritjen e çmimit që sot është i njëjti që ishte përpara luftës, edhe përpara rritjes së çmimit, jo se çmimi është kthyer aty ku ishte, por sepse ne, qeveria, vazhdojmë të mbulojmë diferencën në faturat e dritave në çdo shtëpi tuajën. Ju nuk shikoni diferencë, ama diferencën e mbulojmë ne, qeveria për ju sepse kjo është detyra jonë.
Dropulli ka një karakteristikë fantastike. Dropulli ka qenë dhe është një nga liderët në sipërmarrjen e vendit tone, qysh të krye të herës, edhe për shkak të afërsisë me Greqinë, por dhe për shkak të një mendësie sipërmarrëse të njerëzve të minoritetit.
Ama, ne i kemi dhënë shumë mbështetje sipërmarrjes dhe sot sipërmarrja dhe në Dropull është shumë më e fortë seç ishte, qoftë sepse ka një taksim shumë më ndryshe, ashtu sikundër janë dhjetëra mijëra biznese të reja të vogla që kanë lindur vetëm vitin e fundit, dhjetëra mijëra për shkak se taksohen me zero mbi fitimin deri në vitin 2029. Sot ne kemi rritur pagën minimale përtej parashikimit. E kishim parashikuar që të shkonte 40 mijë lekë në fund të mandatit, në 2025 por edhe ata të tjerët që e dini sesi i bëjnë llogaritë, se ata premtojnë çdo gjë ngaqë asnjëherë nuk i vjen rasti të mbajnë fjalën sepse nuk ju vjen fare më në dorë që të qeverisin; edhe ata e kishin parashikuar 38 mijë lekë, ne sot e kemi 40 mijë lekë pagën minimale dhe duam patjetër ta bëjmë 45 mijë deri në fund të mandatit dhe nuk do të mund të flemë dot gjumë pa e çuar 60 mijë sepse pa një pagë minimale 60 mijë, nuk e kemi bërë detyrën tonë, nuk e kemi kryer misionin tonë.
Ashtu sikundër, ne sot kemi hyrë në procesin e rritjes më të madhe historike të pagave. Paga mesatare në Shqipëri në sektorin publik, vitin e ardhshëm, në prill të vitit të ardhshëm, me rritjen që ka filluar që këtë prill, do të shkojë 900 euro nga 530 euro para këtij procesi, por nuk mjafton. Prandaj ne po takohemi përditë edhe me sipërmarrësit duke thënë duhet të rrisim pagat; duhet të rrisim pagat sepse bota, Europa, vendet rreth e rrotull nesh; jemi në qendër të kontinentit më të pasur.
Kanë hyrë në një garë që do kthehet në një luftë për krahun e punës dhe nuk mund ne ta lejojmë që të humbasim në këtë luftë, ne duhet t’i mbijetojmë kësaj lufte. Prandaj pagat në sektorin privat kanë filluar të rriten.
Kjo është një kthesë e madhe e historike e ekonomisë sonë dhe ne duhet të vazhdojmë të ecim vetëm përpara. Nuk ka asnjë rrugë tjetër. Çdo rrugë tjetër është me kosto të madhe. Shqipëria ka humbur shumë vite, shumë dekada, shekuj dhe tani jemi në një kontekst tjetër; jemi një vend që po negocion hyrjen në Bashkimin Europian, jemi një vend i respektuar nga të gjithë, jemi një vend që, sic nuk mund ta imagjinonte kush deri pak vite më parë, i është besuar drejtimi i OSBE-së, i është besuar një ulëse në Këshillin e Sigurimit, jemi një vend që shikohet me respekt dhe kemi hyrë në një fazë të re të marrëdhënieve me fqinjët, çka është në interesin jetik të minoritetit.
Për ne, minoriteti është urë e pazëvendësueshme lidhëse, është arsye e patjetërsueshme për t’i forcuar sa më shumë marrëdhëniet dhe më vjen jashtëzakonisht mirë që dhe nga ana tjetër kemi gjetur një mirëkuptim të madh, vullnet të palëkundur, dëshirë të madhe dhe ju e patë kryeministri i Greqisë vizitoi Derviçanin 31 vjet pasi kryeministri grek kishte hyrë në Shqipëri për të vizituar Derviçanin pas një shkëputje gjysmë shekullore. Kjo është një shenjë domethënëse e asaj që mund, duam dhe do të bëjmë së bashku.
Kemi filluar një projekt të përbashkët të jashtëzakonshëm për Vjosën së bashku me kryeministrin dhe qeverinë greke; është një lumë i përbashkët edhe pse ka një emër tjetër matanë kufirit dhe emër tjetër këtej por është i njëjti lumë dhe ne, me vendimin për ta bërë Park Kombëtar, do t’i japim një perspektivë të re, të jashtëzakonshme ekonomike të gjithë qarkut të Gjirokastrës.
Unë nuk kam mendje për të mbushur këtu sepse këtu mendja është mbushur mesa unë kuptoj, por prapë, ka plot këtu, sidoqoftë janë shumë më tepër se ç’duhet të ishin, që e kanë mendjen mbrapa. E kanë mendjen mbrapa se nuk rrinë dot pa u bërë pis në baltën e të shkuarës, nuk jetojnë dot pa u bërë pis me sherret e të sotmes, sherre komplet të nxitura për arsye personale, për halle personale, por Dropulli nuk është peng për tu marrë për sherr asnjë bashki nuk është peng për tu marrë për sherr për t’i bërë karshillëqe qeverisë dhe për të filluar sherrin nga e para.
Kështu që, kush e ka mendjen për “piso” këtu, të kthehet për “mbrosta” dhe që të kthehen për ‘mbrosta” duhen gratë se ata atje mbrapa gardhit, ata janë midis “mbrosta” dhe “piso” dhe nganjëherë humbin rrugën se ngatërrohen. Në vend të shkojnë për shtëpi shkojnë tek klubi dhe pastaj mbeten “piso” atje. Kurse gratë të lindura për “mbrosta”.
Kështu që unë do ju kërkoja që derë më derë, me gratë njëherë si fillim, me gratë e atyre “pisove” për ti tërhequr “mbrosta”. Pastaj po u erdhi gruaja mbrosta, vjen dhe pisoja mbrosta sepse këta të “pisos”, bëjnë karshillëk por votën e guras këta nuk e kontrollojnë dot. Mdn të bëjnë si të fortë, kujtojnë se e kanë dhe gruan për “piso”, por gruan e kanë “mbrosta”. Kështu që i po i morët të gjitha gratë për “mbrosta”, ata le të rrinë në piso, nuk na intereson, sepse shumica bëhet për “mbrosta”. Shumë faleminderit!