Durrës – Me energjinë e të rinjve

 Kryeministrit Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i PSSH me të rinjtë socialistë të Durrësit:

Shumë faleminderit! Është takimi i fundit që bëjmë përpara fillimit zyrtar të fushatës nesër dhe jo rastësisht vendosëm që ta bëjmë këtu në Durrës me vajzat dhe djemtë e pjesës më vitale të qarkut dhe tek të cilët kemi shumë arsye të besojmë se do jenë aktivë më shumë se çdo herë tjetër në këto zgjedhje dhe arsyeja konkrete pse ju duhet të jeni aktivë më shumë sesa çdo herë tjetër kanë qenë vajza dhe djemtë të moshës suaj në zgjedhje prej shumë vitesh tanimë është se këto zgjedhje, zgjedhjet e 11 majit janë të lidhura konkretisht më shumë sesa shumë zgjedhje deri më tani pikërisht me ju, pikërisht me moshën tuaj, pikërisht me bashkëmoshatarët tuaj sepse këto zgjedhje janë me shumë gjasë dhe varet nga ne një pjesë e madhe e kësaj që them, zgjedhje të cilat mund të përcaktojnë në 4 vitet e ardhshme se ku do të jetë Shqipëria dhe nëse ne në këto zgjedhje do të bëjmë gjënë e duhur do të krijojmë një mbështetje më të madhe se asnjëherë tjetër për Partinë Socialiste, atëherë Shqipëria në 4 vitet e ardhshme do të jetë gati të ulet në tryezën e Bashkimit Europian sepse gjërat kanë ardhur në këtë mënyrë, gjërat kanë ardhur në këtë mënyrë dhe kanë ardhur sepse janë përputhur në të njëjtën kohën dëshira dhe fati ynë europian dhe dëshira dhe fati i Bashkimit Europian që ndryshe nga deri pak kohë më parë, sot jo vetëm e thotë siç e ka thënë gjithmonë “E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE, e ardhmja juaj është në BE, Shqipëria do të jetë një ditë në BE”, por edhe e kërkon me këmbëngulje që ne të mbyllim negociatat që kemi hapur me ta, brenda vitit 2027 dhe me të mbyllur negociatat, Shqipëria të shkojë në gjithë parlamentet e vendeve anëtare, siç është procedura për të marrë miratimin dhe në harkun e dy viteve, 2027-2029, këto procedura të përfundojnë dhe Shqipëria e 2030 të jetë anëtare me të drejta të barabarta në Bashkimin Europian.

Shumë njerëz që nuk e dinë si funksionon Bashkimi Europian, shumë njerëz që dëgjojnë debate që bëhen në vende të Bashkimit Europian, shumë njerëz që kanë një informacion shumë të kufizuar dhe që u besojnë burimeve jo të sigurta të informacionit thonë “Po çfarë na duhet neve Bashkimi Europian, çfarë do fitojë Shqipëria në Bashkimin Europian, vendet e tjera që janë në Bashkimin Europian janë të palumtura në Bashkimin Europian, vendet duan të dalin nga Bashkimi Europian”. Të gjitha këto në të vërtetë janë shumë periferike si opinione sepse opinioni i përgjithshëm dhe bindja e përgjithshme sot më shumë sesa ndonjëherë më parë, edhe për shkak të kërcënimit të sigurisë së popujve të Bashkimit Europian në kushtet e gjithë turbullirave që ka sot Europa dhe bota, është që Bashkimi Europian, jo vetëm na duhet, flas për vendet dhe për popujt që janë brenda në Bashkimin Europian, por na duhet më shumë se asnjëherë tjetër.

Ndërkohë, që për ne të qënurit në Bashkimin Europian është fundi i një historie shumë të gjatë, jo me dekada, por me shekuj, përgjatë të cilës, ne nuk kemi qenë asnjëherë në gjendje të zgjedhim se ku duam të jemi dhe gjithmonë kemi pësuar vendimet dhe kemi pësuar presionin shtypës të të tjerëve më të mëdhenj se ne dhe për një shekull të tërë kemi kaluar nga një perandori në një monarki, në një diktaturë dhe asnjëherë nuk ka qenë në mundësinë tonë që të zgjedhim, ndërkohë që qysh në krye të herës ata që kanë luftuar për Shqipërinë kanë dashur që Shqipëria të jetë në Europë dhe t’i përkasë perëndimit, ashtu siç thoshte Naim Frashëri “Dielli për ne lind andej nga perëndon”, që do të thotë që për shkak se ne nuk kemi qenë asnjëherë dot aty ku është dashur të jemi edhe kemi pasur gjithë ato vështirësi dhe tmerre që kanë kaluar më parë prindërit tanë, prindërit e prindërve tanë, e kështu me radhë.

Në ndërkohë, sot ne mund të kurorëzojmë atë që është zgjedhja, për herë të parë, e lirë e shqiptarëve që kur përmbysën komunizmin u bashkuan në thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Kjo është për herë të parë mundësia për ne, për popullin shqiptar që të vendosë me zgjedhjen e vet të lire, se ku do të jetë dhe nëse ne mbyllim këtë histori ne mbyllim njëkohësisht dhe të gjitha ato burime të kësaj historie që na kanë vendosur në një pozitë të diskriminuar në raport me të tjerët, na kanë vendosur në pozitën e një populli që është nëpërkëmbur, e një populli që është poshtëruar, jo njëherë, por më shumë sesa njëherë, jo thjesht për shkak të të huajve, por edhe për shkakun e të vetëve, dhe mbase më shumë për shkakun e të vetëve sesa të huajve, por pikërisht sepse nuk kemi qenë dot në gjendje të pozicionohemi dot aty ku mund të jemi të garantuar dhe pozicionimi në Bashkimin Europian bën që disa gjëra të thjeshta në dukje, por jo aq të lehta sa duken për të qenë të garantuara si liria individuale, si barazia përpara ligjit, si normat e bashkëjetesës demokratike, të jenë të garantuara njëherë e mirë, pavarësisht se kush qeveris në Tiranë.

Ky është Bashkimi Europian, është hapësira që ne na garanton barazinë përpara ligjit dhe barazia përpara ligjit, sot është për herë të parë një ushtrim që ne po përpiqemi ta bëjmë sepse për herë të parë në Shqipëri, njerëz të lidhur me pushtetin politik shkojnë dhe hetohen e gjykohen nga hetues dhe gjykatës të pavarur. Kjo nuk ka ndodhur kurrë ndonjëherë në historinë tonë dhe pavarësisht se ne kemi hyrë në këtë proces dhe kemi hyrë në këtë proces falë vullnetit të Partisë Socialiste dhe të askujt tjetër sepse po të mos ishte kjo parti dhe po të mos ishte ky vizion dhe kjo vendosmëri e jona për ta bërë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian, gjë që kalon përmes vendosjes së një kufiri të qartë midis pushteteve dhe përmes pavarësisë të pushtetit të drejtësisë, këtu kjo gjë nuk do të ndodhte kurrë, kurrë, kurrë.
Prandaj gjithë përpjekjet që bëjnë kundërshtarët tanë, kundërshtarët tanë dhe të gjithë ata që bëjnë papagallin e tyre që “Jo po sa njerëz keni në burg” Po Lulin e keni dëgjuar kur thotë ‘’ O Rame’’ se është i madh fare. Për vete tek pull si makinë policie pa sirenë, ‘’ku i ke shokët’’ thotë. Të gjitha janë të mjaftueshme për të kuptuar se sa mëndjelehtë dhe sa qesharakë janë, se mendojnë se duke iu thënë shqiptarëve që shiko se sa vetë vajtën në burg e sa vetë janë për të shkuar në burg, etj, shqiptarët do mendojnë se ky është një fakt që ne të ulim kokën. Në fakt, e kundërta është e vërtetë, ne jemi kryelartë për faktin që ne me vullnetin tonë i krijuam kushtet këtij vendi dhe këtij populli që të shikojnë dhe këtë pjesë që nuk e kishin parë kurrë në historinë e tyre, pjesën e një drejtësie që bën punën e vet dhe imagjinoni, sikur reforma në drejtësi të ishte një reformë që të mos prodhonte një gjë të tillë.
Imagjinoni, sot do thoshin “do çohemi në revolucion se këtu kjo reforma qenka vetëm për kundërshtarët’’, ndërkohë që reforma në drejtësi nuk është për kundërshtarët, reforma në drejtësi është për shqitparët; ndërkohë që gjithë këto procese që janë procese transformuese për Shqipërinë, janë procese që janë në radhë të parë për shqiptarët, por mbi të gjithë shqiptarët, për gjithë gjeneratën tuaj që të mos jetojë nesër në kushtet dhe me vështirësitë që kalon sot gjenerata e prindërve tuaj, pavarësisht se jetojmë në një vend të lirë dhe demokratik, por vështirsitë e krijuara nga mungesa e drejtësisë kanë qenë të atilla që i bënë shqitparët pa shpresë. Sot, nëse ka kaq shumë shpresë dhe nëse ka kaq shumë mundësi që ne të bëhemi anëtarë të BE, kjo vjen edhe për këtë fakt, por nga ana tjetër, BE nuk është thjeshtë një çështje lirish dhe të drejtash të garantuara, është dhe një çështje dinjiteti të barabartë, jo më në raport me historinë tonë apo në raport me vetveten, por në raport me gjithë të tjerët.
Duke hyrë në BE, ju fitoni statusin e të qenurit qytetarë të BE që nuk është e njëjta gjë si të jesh udhëtar në BE, ose si të jesh turist në BE ose si të jesh student në BE.
Sot, çdo student shqiptar që shkon në BE është student i huaj, quhet student i huaj dhe trajtohet si i tillë dhe nuk ka të njëjtat kushte siç ka çdo student që është qytetar i BE, pavarësisht se është francez edhe studion në Romë apo mund të jetë italian dhe studion në Paris. Ata i kanë kushtet njësoj të barabarta. Studentët e huaj nuk i kanë njësoj, kanë kuota të veçanta, kanë tarifa të tjera, kanë komplet tjetër akses në shërbimin shëndetësor dhe kështu me radhë. Me futjen në BE duke u bërë posedues të pasaportës europiane të Shqipërisë, të gjithë studentët shqiptarë janë dhe studentë europianë dhe kudo ku shkojnë pavarësisht se nuk janë në Shqipëri po janë në cilindo qytet të BE, janë absolutisht njësoj, jo vetëm para ligjit, por njësoj në raport me gjithçka tjetër si studentët që janë nga ai vend atje.
Dhe patjetër që kjo është vetëm ajo pjesë që lidhet me moshën studentore po pastaj historia vazhdon.

Qytetarët e barabartë të Evropës kanë të drejtën të shkojnë ku të duan, të qëndrojnë ku të duan.

Ne sot kemi të drejtë të shkojmë ku të duam, por s’kemi të drejtë të qëndrojmë ku të duam.

Ne kemi lirinë e lëvizjes,nuk kemi lirinë e qëndrimit, për një shqiptar që të qëndrojë diku duhet të shkojë të kërkojë azil politik, duhet të shkojë të fshihet dhe të tentojë në mënyra të ndryshme që të rregullohet pa u kapur dhe kështu me radhë sepse nuk është i pranuar ne tregun e punës, në tregun e përbashkët të punës në BE dhe shqiptarët që kanë shkuar dhe shkojnë në Europë, nuk janë të përndjekur politikë, janë njerëz që duan një jetë më të mirë, që duan një punë të paguar më shumë dhe e duan tani.

Po këtë gjë e bëjnë të gjithë qytetarët e BE. Italianët e jugut ikin çdo vit në Gjermani apo në vende të tjera; apo portugezët apo grekët. Ata nuk quhen njerëz që po ikin, ata quhen thjesht njerëz apo forca të lira pune në një treg të lirë të përbashkët pune dhe kjo bën që, duke qenë pjesë e atij tregu dhe asaj hapësire, njësoj siç jemi këtu pjesë e hapësirës shqiptare që ju për të shkuar e për të kërkuar punë në Tiranë apo për të shkuar për të kërkuar punë në Korçë, apo për të ndaluar ku të doni në Shqipëri, nuk keni nevojë t’i merrni leje asnjë njeriu, atëherë ata kanë mundësinë që të shkojnë dhe të kthehen. Nuk janë të detyruar që meqë e kaluam kufirin tani, të shkojmë të merremi edhe me gjërat më të këqia vetëm që të mos kthehemi mbrapsht. Të shkojnë dhe të mos kthehen. Dhe në nivelin kolektiv, në nivelin kombëtar, në nivelin e qytetit, në nivelin e shtetit futja në BE ndryshon si dita me natën me sot, sepse në momentin që ne bëhemi anëtarë të BE, ne marrim një buxhet ekstra si një shtet i ri anëtar i një familjeje e cila ndahet në dy kategori: kontribuesit, që janë më të mëdhenjtë, më të fortët dhe më të pasurit dhe përfituesit, që janë më të vegjlit, më të dobëtit dhe më pak të pasurit. Dhe Franca, Gjermania, Holanda dhe disa të tjerë japin, nuk marrin. Japin për buxhetin e BE. Natyrisht kanë përfitime që vijnë nga tregu i lirë etj, por ama ata kontribuojnë, pra çfarë marrin, më saktë është më pak se çfarë japin, ndërkohë vende të tjera deri dhe tek Greqia që e kemi këtu afër, marrin më shumë se sa japin. Ju kujtohet COVID që shkruanin njerëzit që “Greqia, greku po i jep këtë, greku po i jep atë. Pse s’jepni dhe ju’’? Greku në fakt s’po jepte asjë tjetër, perveçse se çfarë mori ekstra nga BE, se në momentin që ra pandemia apo në momentin që bie një fatkeqësi tjetër, BE menjëherë vihet në lëvizje dhe menjëherë shpërndan fonde ekstra për të përballuar një vështirësi të krijuar.

Është si një familje e madhe, ku të mëdhenjtë ndihmojnë më të vegjëlit dhe ku më të vegjëlit forcohen nga kjo ndihmë.

Dhe tani po ju jap një shembull shumë të thjeshtë. Ne sot, si rezultat i marrëdhënies që kemi me BE, në gjithë këto vite, kemi përfituar diçka më shumë se 1 miliardë euro.

Nga këto 90 % janë kredi, 10 % janë para pa interes, të falura, grant.

Në momentin që ne bëhemi anëtarë të BE-së çdo vit, ne marrim më shumë se 1 miliardë euro dhe nga këto 90 % janë të falura, pra grant dhe 10 % janë kredi, është komplet diçka tjetër, që do të thotë ne kemi një buxhet ekstra për shpenzuar shumë më tepër për të gjitha nevojat që ne kemi.
Sepse ne në këto vite e kemi rritur 2 herë e gjysëm prodhimin e brendshëm kombëtar, e kemi pas më pak se 10 miliardë, në 2024, e kemi mbyllur me thuajse 25 miliard. Por, gjithësesi nevojat që kemi janë ende më të mëdha sesa mundësitë, na duhet akoma më shumë financim dhe me futjen në Bashkimin Europian, ne fitojmë një buxhet tjetër që vjen plus buxhetit që krijojmë vet.

Pra, të gjitha këto janë besoj unë një arsye e mjaftueshme për të besuar diçka, që sot ne duhet të mbyllim negociatat.

Negociatat në 3 vjet janë diçka që nuk kanë ndodhur më përpara.

Kini parasysh se ka ca që thonë dhe besoj i dëgjoni që thonë “po cca është ky muhabet, 12 vjet nuk na futën në Bashkimin Europian tani ka dalë Edi Rama dhe thotë me jepni një mandat tjetër se tani do futeni”. Po në ndërkohë, Mali i Zi ka filluar negociatat përpara se ne të vinim në qeveri, në 2012-ën dhe ishte shumë përpara. Sot ne dhe Mali i Zi jemi dy vendet që ata duan të marrin brenda.

Ne i kemi filluar negociatat zyrtarisht vjet dhe na kanë dhënë kalendarin 3 vjet që të mbyllim gjithë negociatat. Pse? Sepse është hapur dera dhe dera nuk është hapur thjeshtë se ne jemi të zot, ne jemi të zot pa diskutim, po jo se ne jemi të zot. Dera është hapur se dhe ata sot kanë interes që të na marrin ne dhe Malin e Zi si fillim brenda, sepse duan të japin një mesazh gjeopolitik që Bashkimi Europian po shkon drejt unifikimit dhe të gjitha pjesët që kanë mbetur jashtë do të bëhen bashkë. Është për ta diçka shumë shumë e rëndësishme dhe prandaj, kjo derë e hapur nuk mund të lihet, nuk mund të lihet në dorë të muhabeteve pa lidhje, edhe në dorë të vendimmarrjeve pa kuptim.

Kjo derë e hapur duhet shfrytëzuar dhe ne duhet të hyjmë brenda, sepse në historinë e integrimit, dera është hapur dhe dera është mbyllur. Ka pas momente, që ata e kanë hapur dhe janë futur disa shtete bashkë, ka pas periudha të tëra që e kanë mbyllur.

Komisioni Europian përpara atij të mëparshmit ishte shumë i qartë kur thoshte, nuk do të marrim asnjë vend brenda dhe nuk do ketë zgjerim për një periudhë të pacaktuar.

Tani, kur ndodh kjo, a mund t’i thuash që e ka qeveria shqiptare fajin që ata mbyllin derën?

Jo ata e mbyllin derën, se ata janë në shtëpinë e tyre dhe vendosin vetë dhe janë më të fortë. Ama, momentin kur ata hapin derën, ne nuk mund të bëjmë teori dhe dera është hapur tani.

Ky është momenti dhe ky është vendi tani.

Dhe pikërisht në momentin e duhur, dhe në vendin e duhur gjendemi ne, Partia Socialiste, nuk është dikush tjetër. Është shumë njësoj me kohën kur në vendin e duhur dhe në kohën e duhur u gjend Partia Demokratike. Ata që e votuan Partinë Demokratike për të mbyllur faqen 50 vjet me sistemin komunist, nuk ishin të gjithë me PD-në. Dhe nuk është se të gjithë donin PD-në, por ama donin të mbyllnin atë faqe dhe e votuan masivisht, dhe kaq e vërtetë është kjo, sa në mars e votuan shumë shumë më tepër sesa çfarë ishin mbështetësit e PD-së. Pastaj në gusht, korrik, kur u bënë zgjedhje vendore, ia kthyen kundër, por ama, llogarinë me historinë, shqiptarët e bënë si duhet dhe mbështetën PD-në në atë moment.

Llogarinë me historinë do ta bëjnë shqiptarët në 11 maj si duhet, dhe prandaj, ne kemi të gjitha arsyet që të kërkojmë një votë përtej mbështetësve natyrale dhe tradicionale të Partisë Socialiste dhe përtej simpatizantëve tanë. Prandaj, ne duhet të synojmë, jo 800 mijë, po 1 milionë vota në 11 maj, duke përfshirë edhe emigrantët, natyrisht. Ai duhet të jetë limiti, ku ne duhet të synojmë dhe patjetër që ne duhet të dalim nga 11 maji, me më shumë se 900 mijë vota. Patjetër, duhet të bëjmë çmos.

Natyrisht që, është shumë e lehtë ta thuash, por është shumë e vështirë ta bësh. Ama, këtu në Durrës, në gjithë qarkun, ne i kemi eksperiencat dhe i kemi arsyet për të besuar, që beteja për të marrë mandatin e 9-të, jo vetëm që nuk është e pamundur, por është e vetmja betejë e arsyeshme që ne mund të bëjmë si Parti Socialiste. Është e vetmja betejë me kuptim që ne mund të bëjmë. Ne duhet të synojmë të marrim mandatin e 9-të për Partinë Socialiste këtu në Durrës.
Dhe unë kam shumë besim që ne sot që flasim jemi më afër se asnjëherë mandatit 9-të. Por duhet shumë punë, duhet shumë punë, duhet shumë punë dhe mbi të gjitha duhet që të gjithë ju, vajzat dhe djemtë e Durrësit, e qarkut, të bëni çmos që sa më shumë bashkëmoshatarët tuaj të vijnë të votojnë në 11 maj. Të vijnë të votojnë dhe të investojnë për pasaportën e tyre. Që kur ta marrin atë pasaportë në dorë, të thonë që edhe unë e kam këtu kontributin për këtë pasaportë dhe mos iu vij turp që kur ishte momenti për të investuar për atë pasaportë, në vend të investonin, o ia futën gjumit, o i përgjumshëm shkuan edhe u hodhën në kënetë.

Se realisht nuk ia vlen të diskutojmë për kë kemi, në fakt, nuk i kemi as përballë, ne kemi mbrapa ata, ne jemi përpara ata na gjëmojnë me britma e me gërhima, edhe ne tani të ndalojmë të kthehemi andej e t’iu flasim atyre, është pa kuptim. Por realisht, realisht, unë kam bindjen që ata maksimumin e tyre të mundshëm e morën në 2021-shin dhe nuk do arrin dot kurrë atë rezultat, derisa nuk do dalin nga ajo kënetë. Ndërkohë, që ne nuk e kemi marrë akoma maksimumin tonë, maksimumi ynë është i gjithi aty në fushë për t’u arritur dhe varet i gjithi nga sa më shumë energji dhe sa më shumë forcë ne do të vëmë për ta arritur.
Por, nëse Shqipëria do të do të hyjë në Bashkimin Europian, të gjithë duhet ta dinë që Shqipëria do të hyjë në Bashkimin Europian vetëm si rezultat i votës në 11 maj për Partinë Socialiste dhe për kandidatët tanë.

Ju falënderoj shumë edhe uroj shumë, që siç ka ndodhur në të shkuarën në të gjitha zgjedhjet, edhe në zgjedhjet që vijnë për 30 ditë, Durrësi të jetë një nga shembujt më domethënës të fitores.