Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama në Elbasan:
Faleminderit shumë! Sonte erdha pak më përpara orës dhe qëndruam disa minuta aty, në pritje që të vinte ora dhe pashë gjithë këtë lum njerëzish dhe pata një kujtim të kohës kur erdha ne Elbasan për herë të parë si kryetar i PS, ka qenë fiks si sot 20 vjet më parë dhe do doja shumë sot, që këtë lumë njerëzish që është mbledhur këtu nga të dy anët e këtij bulevardi, ta shikonte dikush që këtu nuk është sot.
Dhe dua të besoj që Qazim Sejdini na shikon nga lart dhe dua që të gjithë të çoheni në këmbë dhe të bëni një duartrokitje për Qazim Sejdinin.
Faleminderit!
E kemi filluar atëherë me një grup njerëzish, jo se PS ishte një grusht, po se vinte nga një disfatë e madhe dhe sa herë jam rikthyer këtu, ai grusht njerëzish ka shkuar, duke u hapur,duke u hapur, duke u hapur dhe sot është kjo dorë e cila në 11 maj kërkon që i gjithë Elbasani dhe të gjithë banorët e të gjithë këtij qarku të behen bashkë për Shqipërinë 2030 në BE; të bëhen bashkë për të vazhduar të ngjitemi drejt asaj maje që ne e kemi mision dhe drejt të cilës fati ynë e desh, që pikërisht në këtë moment të na vijë ne mundësia që me votë t’i japim Shqipërisë fuqinë që i duhet për t’i ngjitur edhe metrat e fundit dhe për të vendosur në atë majë flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit, duke i dhënë fund një historie shumë të gjatë që i ka bërë shqiptarët të ndihen, por që i ka detyruar dhe të trajtohen si të ardhur në Europë, si qytetarë të dorës së dytë të Europës,si të huaj në zemër të Europës.
Zoti na ka vënë këtu, në zemër të Europës dhe jemi ndër të parët, jemi ndër kombet më të vjetra, por historia jonë e ka dashur që gjërat për ne, të mos shkojnë lehtë, përkundrazi, historia jonë e ka dashur që ky popull të kalojë male vështirësish, të rrëzohet dhe të vuajë peshën e tmerrshmë të fuqive që kanë dashur ta asimilojnë, ta zhdukin fare, t’ia marrin gjuhën, ta tresin e megjithatë ky popull ja ku është, sepse brenda nesh ka një shpirt, që është shpirti europian i shqiptarit. Dhe ai shpirt europian, sot mund të materialziohet në një identitet europian, jo vetëm me zakon, por edhe me ligj, jo vetëm me histori, por edhe me vendim, me vendimin që duhet të marrim ne, në 11 maj dhe pasaj që të duhet t’ia imponojmë Europës që të marrë për ne dhe Shqipëria të ulet si zonjë në sallonin e madh të “shtëpisë” së madhe të Europës së bashkuar.
Tani, sot paradite shkova në Librazhd dhe pata një moment që më kapi frika kur po i afrohesha Librazhdit. Më kapi frika se thashë mos ‘’më ha’’ Tomorr Alizoti të gjallë. Mirëpo shkoj atje dhe gjej lumë, edhe në Librazhd, shih andej e shih këndej gjithë frikë, nuk e pashë asgjëkundi Ludovikun.
Tani që ju pashë juve, mendova me vete; e kupton , mo Tomorr se çfarë do të ‘’hash të gjallë’’ ti apo jo? Se ka një fjalë populli shqitar, Tomor, thotë: “Tahmaja e madhe të lë pa gjë’’, por me ça shoh unë, tahmaja e madhe ty do të të lërë pa zë.
O Tomor, O Ludovik!
Ah, mor Tomorr, ke gjetur vendin më të gabuar, ke gjetur njerëzit më të gabuar, ke gjetur forcën më të gabuar me u ngatërruar, mor Tomor..
Eh, se më del para syve Tomori dhe mendoj me datën 12.
Ndërkohë që Tomorri nuk e mendoi hiç dy herë kur e sollën këtu, që këtu ishte Luçiano fake Pavarotti edhe iku. Iku. A ju kujtohet profesori Luçiano fake Pavarotti kur thoshte ‘’I erdhi fundi, edhe pak ditë’’ dhe pastaj doli gjthë ai goxha burrë e tha ‘’na i vodhi votat elektronika’’. Edhe e çuan në Shkodër, e çuan atje në Shkodër, aty ku i kanë dëgjuar operat para gjthë të tjerëve, çuan Luçiano fake Pavarotin. Këtu sollën Tomorr Alizotin, tani a mund të më thotë dikush se çfarë duhet të bëjnë demokratët e Elbasanit, qytetarët e Elbasanit me këtë tallje të madhe? Ça duhet të bëjnë? Ndërkohë që këtu, ky shesh është dëshmitar edhe i një therjeje të madhe. ‘’E therën’’ gjelin e detit të Peqinit, e ‘’therën’’ se fluturoi lart, fitoi primaret Dashi. Hë,mor Dash? Fitoi primaret Dashi mirëpo nuk është me asnjë vend. E ‘’hëngren, e therën’’, por Dashi nuk është zog kënete, Dashi ka 7 shpirtra. Kështu që nuk është si ata të tjerët. Atë Hysenin e Kavajës, kryetarin e PD së Kavajës doli i shkreti e fitoi primarët në gjithë Tiranën, atë e ‘’hëngri’’ bufi. Ai as në listë, as në Kavajë, thonë, ore ku është Hyseni? Tek barku i bufit. Kryetaren e PD së Sarandës, alamet zonje, fitoi primaret. S’është asgjëkundi, e ‘’hëngri’’ bufi, çoi kanarinën atje. Kjo është situata për fqinjët tuaj, për bashkëqytetarët tuaj, për bashkëqytetarët tuaj demokratë dhe unë dua t’ju them atyre që ça mund të bëjë PS më shumë për ju? Ça mund të bëjë më shumë për ju sesa t’ju japë mundësinë që të zgjidhni në gjthë këtë grup? Çfarë doni ju? E doni nga kalaja? E keni. E doni nga periferia? E keni. E doni burrë? E keni. E doni grua? E keni. E doni vajzë? E keni. E doni djalë? E keni. E doni, nga e doni, e doni nga Belshi? E keni. E doni nga Cërriku? E keni. E doni nga Librazhdi? E keni. E doni nga Përrenjasi? E keni. E doni nga Peqini? E keni. Çfarë të bëjmë ne për ju që t’ju shpëtojmë nga ai makth që të dilni nga ajo kënetë për veten tuaj.
Po zysha, zysha që bënte replika me mua në Parlament, doktoresha, ku është doktoresha? Xheni e ka ajo? Ku është Xheni? E hëngri këneta edhe Xhenin sepse këneta nuk do asgjë dhe askënd që nuk është komplet i gatshëm dhe e gatshme të bëjë vetëm kuak-kuak- kuak. Kush ka pak më shumë zë, kush ka pak më shumë mend, kush ka pak më shumë ego dhe mbi të gjitha kush ka pak më pak përkrahje nuk i duhet kënetës. Këneta është mbretëria e bufit, bufi mbretëron mbi kënetë dhe mbi sipërfaqen e ujit të ndenjur ata bëjnë kuak-kua-kuak.
E patë si tha Tomorri “Hajde doktor se ty të kanë frikë këta”. E patë? Sepse Tomorri ishte në atë momentin që ishte miu kur po ikte me vrap dhe i thotë njëri:
-“O mi çfarë ke?”
-Lëre, lëre, tmerr i madh.
-Po çfarë ke?
-Po se kush ka përdhunuar luaneshën dhe luani po më gjëmon mua.
Kështu ishte dhe Tomorri. Pa një moment bufin dhe kërceu e pastaj i tha “Hajde ti se unë…”.
Si mund të jetë kjo alternativa e Shqipërisë europiane dhe pastaj kulmi këtu është, se e tha bukur një zonjë “Po mirë mo, ne gjithë kohën kemi dëgjuar dhe u themi fëmijëve se duhet të kujdesemi për pleqtë. Ç’është kjo histori të votojmë për një plak që të kujdeset për ne?”
Si u bënka kjo, të çohet Shqipëria dhe t’i thotë një plaku që ka rrjedhur, zyrtarisht i rrjedhur “hajde ti kujdesu për ne, kujdesu për punën tonë, kujdesu për pagat tona, kujdesu për pensionet tona”. Edhe sikur të ishte engjëll nuk i bëhet kjo një plaku. Pastaj, e tregova edhe atë fabulën kur thirri babai djemtë e tij dhe i tha të madhit “Ti do kujdesesh për prodhimin e arës sonë”, i tha të dytit “ti do kujdesesh për shitjen e prodhimit”, i tha të tretit “Ti do kujdesesh për babën që kur babai të lajthisë të mos e lësh të dalë nga shtëpia”. I tha ai “O baba po si do e marr unë vesh këtë?” dhe ai i tha “Kollaj fare. Kur babai të ngatërrojë fjalët e konakut të burrave me fjalët e konakut të grave, babai ka ik, nuk është më për Pazar”.
Tani, mirë bufi që nuk ka njeri rreth e rrotull që ta mbajë në shtëpi po këta demokratët e Elbasanit, për shembull, pse duhet të hyni në gjynah ju sepse me i dhënë votën dikujt që normalisht duhet të shkojë në shtëpi dhe me e mbajt rrugëve, një burrë stërplak i lashtë, i dëshpëruar, i pashpresë që të vijë vërdallë, po hyni në gjynah. Mos hyni në gjynah hiç, hajdeni me ne, kush e ka problem 5-ën, Partinë Socialiste, le të mos e vendosë tek 5-sa, të zbresë poshtë dhe ka, ju thashë, gjithë atë listë, të ndalojë në një vend, ta vendosë votën aty dhe nuk hyn në gjynah. Kush nuk e bën dot as këtë, le të rrijë në shtëpi, ditë e diel, ditë e diel more, kohë e mirë, le të rrijë në shtëpi, nuk dilet nga shtëpia për të hyrë në gjynah e lëre pastaj të dalësh nga shtëpia, të vishesh, të zbukurohesh, të shkosh e të mbash radhë e pastaj të shkosh e të hidhesh në kënetë. Nuk bëhet, të rrinë në shtëpi.
Ndërkohë që, ne të gjithë duhet që deri në 11 maj të bëjmë sa më shumë njerëz me vete dhe të bëjmë sa më shumë telefonata me ata në emigracion që kanë regjistruar emrat për të qenë zgjedhës dhe që akoma nuk e kanë kthyer zarfin mbrapa. Të gjithë duhet ta kthejnë zarfin mbrapa sepse më shumë se kurrë zgjedhjet nuk janë vetëm se kë parti do zgjedhin, më shumë se kurrë zgjedhjet janë se çfarë do të bëjmë ne, populli shqiptar, në një takim me historinë. Takimi ynë me historinë është që ne t’i kapërcejmë partitë, ne t’i kapërcejmë inatet, ne t’i kapërcejmë kufijtë, t’i kapërcejmë lloj-lloj ngjyrat e partive dhe të fokusohemi drejtpërdrejtë tek flamuri kuqezi dhe tel ai flamuri tjetër, tek flamuri më i bukur në botë dhe tek flamuri i ëndrrës më të vjetër në botë.
Asnjëherë zgjedhjet nuk kanë qenë më konkrete dhe më drejtpërdrejtë praktike se sot.
Sot, cilido që voton, investon me votë për të marrë për vete, për familjen e tij, për fëmijët e tij pasaportën europiane dhe unë dua t’ju them të gjithë prindërve të Elbasanit, prindërve të gjithë qarkut të Elbasanit, prindërve të të gjithë Shqipërisë që kanë fëmijë të vegjël, që kanë fëmijë në shkollë, që kanë fëmijë në gjimnaz që në 11 maj duhet të mendojnë për fëmijët që nuk kanë të drejtë vote dhe duhet ta harrojnë Edin, duhet ta harrojnë bufin, duhet t’i harrojnë partitë dhe duhet të kthehen nga fëmijët dhe të mendojnë “Çfarë i duhet fëmijës tim sot nga unë që kam këtë votën? I duhet që unë babai të votoj, që me mbështetjen e shqiptarëve dhe ndihmën e Zotit, Shqipëria të mbyllë negociatat, të hyjë në Bashkimin Europian dhe unë t’i jap fëmijës tim,dhuratën më të madhe që mund t’i bëj, dhuratën që nuk ma bëri dot babai, që babit nuk ia bëri dot gjyshi, që gjyshit nuk ia bëri dot stërgjyshi, t’i bëj një dhuratë që është më e çmuar se çdo vlerë monetare që unë mund t’i jap sepse me atë pasaportë unë fëmijës tim i bëj atë që për gjenerata, për shekuj të tjerët nuk e bënë dot kurrë, i bëj vendin që i takon, duke i dhënë statusin e të barabartit me fëmijët e Greqisë, me fëmijët e Italisë, me fëmijët e Francës e Gjermanisë dhe duke ia dhënë identitetin europian, jo vetëm me zakon, por edhe me pasaportë dhe pastaj unë rris dhe shoh të rriten fëmijë të lirë europianë, shoh fëmijë që shkojnë studiojnë kudo dhe nuk janë të huaj, shoh fëmijë që kur futen në auditorët e universiteteve, nuk i thonë do paguani 10 herë më shumë sepse ju nuk jeni nga ne, por jeni të ardhur nga jashtë, shoh fëmijë që kur të dalin nga universitetet trokasin në çdo derë me atë pasaportë dhe nuk i thotë njeri ik kthehuni sepse me atë pasaportë unë fëmijëve nuk i jap një atdhe sepse atdheun na i kanë dhënë të parët tanë, por i jap një vend, një vend që është shumë më i madh se atdheu dhe nëse fëmijët e mi janë stërnipër të Skënderbeut këtu në Shqipëri, njëkohësisht janë qytetarë të BE kudo ku ata duan të shkelin, duan të ulen, duan të qëndrojnë dhe duan të lëvizin.
Me pasaportën europiane Shqipëria bëhet e madhe sa BE dhe BE bëhet e vogël sa Shqipëria. Me pasaportën europiane merr fund një herë e mirë historia e mundimshme dhe e stërgjatë e popullit të nëpërkëmbur. Me pasaportën europiane kudo ky flamur do të jetë krah për krah me të gjithë ata flamuj që ne dikur i kemi parë si të pa arritshëm dhe kjo e gjitha ka ardhur në dorën tonë.
Këtë mund ta bëjmë ose mund ta humbim ne, flas për këtë moment historik. Ne shqiptarët, mos harroni, ne kemi humbur trena të historisë. Ne kemi humbur trenat e historisë. Ne mund të ishim sot shumë më përpara, por në ’97-ën, ne nuk na e bën të huajtë, ne ja bëmë vetes dhe të tjera akoma më parë. Prandaj, treni i historisë ka ndalur përpara nesh dhe në çdo qendër votimi është një vagon i atij treni ku duhet hipur dhe ku duhet ulur me votë krah për krah, majtas dhe djathtas, me shqiptarë dhe shqiptare pa i ndarë, socialistë e demokratë.
Dua ta mbyll me një bindje të madhe. Fitorja jonë në 11 maj duhet të jetë më e bukura e kësaj historie që kemi shkruar së bashku. Do të jetë fitore me notën 10. Ne do të vazhdojmë me shumë besim, deri në fund të kërkojmë në zemrën dhe në mendjen e çdokujt që na rri larg akoma, shqiptarin, shqiptaren dhe në ndërkohë unë dua t’ju them të tërëve, nuk shkojmë në zgjedhje për të zgjedhur krushkun apo për të zgjedhur dhëndrin. Në zgjedhje shkohet për të zgjedhur kalin që do tërheqë karrocën.
Prandaj nuk keni çfarë kërkoni o demokratë, o rob Zoti me kalin gërmuq që po ju ngordh rrugëve? Hajdeni dhe merrni karrocën e madhe të Partisë Socialiste dhe ta bëjmë së bashku këtë sprint drejt lavdisë.
Shumë faleminderit! Rroftë Elbasani, rroftë Librazhdi, rroftë Peqini, rroftë Belshi, rroftë Cërriku, rroftë Gramshi dhe rrofshi të gjithë ju dhe të gjitha ju dhe edhe një herë atyre që na thoshin pse e bëni fushatën me gra, ju them shifeni tani sa shumë burra kanë ardhur sepse gratë janë të parat.
Fitore!