-Do bëjmë edhe më shumë se sa ç’kemi bërë në të gjitha vitet e tjera të mbledhura së bashku, nëse në 11 maj do të na jepni një mbështetje edhe më të fortë, një besim të palëkundur dhe një fuqi edhe më të madhe
Fushë-Kruja, është qyteti i radhës, në ciklin e takimeve elektorale për bilancet e arritjeve dhe investimeve në secilin qark, ku Kryetari i PSSH Edi Rama u ndal për të bërë një panoramë të përgjithshme të investimeve në shkallë vendi dhe në veçanti në qarkun e Durrësit.
* * *
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama:
Mirëdita, shumë faleminderit! Do mundohem të mos zgjatem shumë se jeni edhe në diell. Ata që kanë kapele si puna ime, janë pak më mirë, por prapë diell, do mundohem të jem i përmbledhur, por do ta filloj me faktin që sot ne rikthehemi në këtë stacion për 4 vitet e ardhshme duke e pasur vërtetë kokën lart për atë që bëmë në këtë mandat që po mbyllet. Duke filluar pikërisht na familjet që u goditën prej atij tërmeti shkatërrimtar edhe që mbetën brenda pak sekondash në qiell të hapur, por mbi të gjitha të goditur shumë fort në shpresën se mund të riktheheshin më në një shtëpi, pasi shumica e atyre familjeve që u goditën nga tërmeti, ishin familje më pak të forta dhe më shumë të varfëra.
Sot ne faktikisht kemi përmbyllur të gjithë detyrimet tona me shpërndarjen e 350 apartamenteve të fundit që kanë mbetur vetëm për shkak se respektuam këtë periudhë zgjedhore që ka disa rregulla të caktuara, kështu që lart në Krujë këto apartamentet do të shpërndahen menjëherë pas zgjedhje, ne arrijmë në një total prej mbi 1100 shtëpish të reja, më të bukura, më të forta dhe mbi të gjitha falas për të gjitha ato familje, të cilat sot janë pronarë legjitime të atyre shtëpive dhe nuk i kanë asnjë detyrim askujt dhe aq më pak shtetit.
Nga ana tjetër fatkeqësia nuk ishte e mundur të ndalej prej nesh, por ajo që bëmë ne për fëmijët e kësaj zone, duke iu dhënë mbrapsht 17 shkolla që janë të standardeve më të larta evropiane, është diçka që na bën krenarë në raport me prindërit e gjithë atyre fëmijëve, na bën krenarë për Partinë Socialiste, na bën krenarë për bashkinë, që siç e tha dhe Ani ka bërë një punë të vështirë. Ka qenë një ndër pikat më të vështira të rindërtimit Kruja lart për shkak të terrenit, për shkak të çështjeve të pronësisë, por Arturi si gjithmonë ia ka dalë të gjejë zgjedhjet e duhura.
Nga ana tjetër dhe do ta mbyll këtë pjesë, ne më në fund jemi në kushtet kur mund ta vëmë dhe e kemi vënë planin tonë atë ëndrrën e vjetër të gjithë Krujës për të pasur një rrugë të drejtpërdrejtë lidhjeje me Tiranën dhe nëse keni ndjekur prezantimin e bërë në programin e infrastrukturës, tanimë rruga e drejtpërdrejtë është pjesë e programit tonë, ashtu sikundër nuk ka nevojë për të qenë në ndonjë program afatgjatë sepse edhe rrugën lidhëse mes Fushë -Krujës dhe Krujës, ku tanimë ka shumë më tepër qarkullim se siç foli më parë edhe drejtuesja politike e qarkut , ka shumë më tepër turistë, ka shumë më tepër lëvizje, do të duhet ta riveshim brenda një kohe të arsyeshme.
Unë dua ndërkohë të ndaj me ju një pasqyrë shumë të përmbledhur të ecurisë së këtyre viteve ku përballë një errësire të madhe informimi të publikut lidhur me të vërtetat, lidhur me faktet dhe në atë errësirë ku publiku goditet përnatë, përnatë e përditë më gjysmë të vërtetat, që janë dhe gënjeshtrat më të mëdha, është shumë e rëndësishme që t’i japim mundësi njerëzve në ketë moment të shohin se çfarë ka ndodhur përtej zonës së tyre, çfarë ka ndodhur përtej horizontit të punëve të tyre të përditshme se pa dyshim, dikush që ka marrë shtëpinë e rindërtuar e di vetë realitetin e tij dhe e di vetë sesa besnik i kemi qëndruar ne, por ama, duhet të dijë dhe shumë gjërat të tjera që ndodhin përtej në mënyrë që të gjithë së bashku të dimë se çfarë është bërë realisht dhe se ajo që planifikohet të bëhet, nuk është një manifest dëshirash elektorale që hajt se po shkojmë tek njerëzit e po i tregojmë përralla, ta hajë kush ta hajë, por është një plan i vendosur mbi themele shumë të forta.
Po e filloj me momentin ku fillon e gjitha, kur ne morën detyrën tek vlera e përgjithshme e vendit. Vlera e përgjithshme e vendit ose siç njihet ndryshe Prodhimi i Përgjithshëm Bruto i vendit, pra çfarë arrin vendi të prodhojë si vlerë ishte nën 10 miliard euro. Sot ka kaluar 25 miliard euro dhe ne jemi të bindur që deri në Shqipërinë 2030, do ta çojmë këtë vlerë në 35 miliard euro, që do të thotë, do të ketë shumë më tepër të ardhura për të rishpërndarë, do të ketë shumë më tepër të ardhura për të investuar për infrastrukturën dhe për të gjitha nevojat e tjera.
Këtu jemi tek një pasqyrë e rritje se PBB në raport me rajonin. Ne nuk konkurrojmë me Gjermaninë. Garën me Gjermaninë e bënte bufi kur ishte në qeveri.
Ah vdeksha unë për ty! Rrofsh që kalove, o hudhër. Tani jemi në rregull. Po e prisja. Thashë në Krujë duhet patjetër ta dëgjoj një ‘’Rama ik’’ që të plasë syri i keq. E plasi syrin e keq. Tani kanë për ta parë në 11 maj. Edhe ku e tha? Tamam sa përmenda unë fjalën kënetë për herë të parë, tak doli bretkosa, e patë? Ah, vdeksha! Po ju se patë si ishte, se i kishte flokët e lagura. Sa kishte dalë nga dushi.
Kjo është pasqyra, po thosha që ne nuk jemi në garë me Gjermaninë, garën me Gjermaninë e bënte bufi kur ishte ne qeveri, ju kujtohet që tha “ Arritëm- tha, jemi të dytët pas Gjermanisë’’. E pastaj për pak përfunduam në humnerë prapë. Ne garën e kemi, ose krahasohemi me rajonin, me Ballkanin. Shikoni sa e kemi rritur ne prodhimin në këto vite, kurse kjo është mesatarja e vendeve të tjera të Ballkanit.
Këtu vijmë tek të ardhurat për frymë ku kemi qenë 3300 euro, në vit kuptohet, kemi shkuar në 10300 euro dhe do shkojmë në 15 000 euro në Shqipërinë 2030.
Këtu jemi tek borxhi. Kemi pasur një borxh shumë të lartë, por jo vetëm të lartë, por edhe të rrezikshëm sepse përveç këtij borxhi zyrtar, kemi pasur edhe një situatë borxhesh ndaj kompanive që bënin punët, që bënin shërbimet deri në pikën, ku edhe shkumësa nuk kishte më nëpër shkolla sepse kompanitë nuk i furnizonin më pasi qeveria nuk i paguante.
Sot borxhin e kemi ulur me 16 pikë përqindje, pothuajse 17%, – në 54% dhe në Shqipërinë 2030 do jemi tek 50%, që është norma mesatare krejtësisht e shëndetshme edhe e vendeve të BE-së.
Këtu jemi tek kreditë e këqija. Ja ku kishte ardhur situata me bankat, njerëzit nuk paguanin dot mbrapsht interesat e kredive, rreziku ishte i madh, çereku i kredive ishin të këqija dhe ne sot i kemi në një pikë ku shumica nuk i sheh, është 4,2% ku përsëri është normale.
Këtu jemi tek përqindja e popullsisë në rrezik për varfëri, 19,2% që është një përqindje brenda mesatares së vendeve të Bashkimit Europian.
Këtu jemi te pabarazia në të ardhura. Siç e shihni, ka një shpërndarje më të arsyeshme të të ardhurave dhe ka më pak hendek sesa ç’kishte më parë edhe pse është e domosdoshme që ne të vazhdojmë dhe ta ngushtojmë këtë hendek.
Këtu jemi tek tregu i punës. Për herë të parë kemi një papunësi nën 10%, pra e kemi papunësinë në një shifër 8,8%.
Këtu jemi tek të punësuarit. Kjo është një pasqyrë që mua më pëlqen sepse besoj e keni dëgjuar kur ata e përsërisin “300 mijë vende pune, ku janë 300 mijë vende pune”. Sa të punësuar ka pasur Shqipëria kur ne morëm detyrën, këta janë të gjithë emra dhe mbiemra, 1 milionë e 23 mijë shqiptarë dhe shqiptare të punësuar e të regjistruar. Ja, sa janë sot, 1 milionë e 327 mijë, këta janë të gjithë emra dhe mbiemra dhe besoj se diferenca mes tyre është më shumë sesa 300 mijë.
Këtu jemi tek përqindja e të punësuarve me pagën nën 40 mijë lekë. Shiheni sa kanë qenë, 60% e atyre 1 milionë e 23 mijë njerëzve që tregova më parë merrnin nën 40 mijë lekë.
Sot ajo përqindje ka rënë sepse sot ne kemi një pagë minimale 400 euro, e cila në janar të vitit të ardhshëm do bëhet 500 euro dhe në fund të këtij mandati do të jetë të paktën 650 euro.
Këtu jemi tek rritja e pagave. Kjo paga mesatare e përgjithshmja, pra e bashkuar privat-shtet ka qenë 322 euro, sot është 842 euro dhe në Shqipërinë 2030 do të jetë 1000 euro të paktën.
Kjo është paga mesatare në sektorin publik, sot që flasim është 1000 euro në shtet dhe do të jetë 1200 euro në Shqipërinë 2030.
Këto janë pensionet. Ajo që është e rëndësishme për pensionet që të thuhet është se ne kemi në plan që brenda mandatit të katërt ta çojmë pensionin minimal në 200 euro dhe të mos ketë pension nën 200 euro.
Këto janë një sërë përfitimesh të tjera për pensionistët sepse këtu flitet për pensionet, por askush nuk flet për çfarë tjetër ne bëjmë për pensionistët dhe janë rreth 300 milionë euro që shkojnë për bonuse, shkojnë për kompensim energjie, shkojnë për kompensime mujore të natyrave të ndryshme, për rimbursimin e barnave, e kështu me radhë.
Këtu jemi në një pasqyrë që unë e kam shumë përzemër sepse është hendeku i pabarazisë mes burrave dhe grave. Kemi qenë të 83-t në klasifikimin e Kombeve të Bashkuara, jemi ngjitur lart në vendin e 23-të.
Këtu jemi tek taksat. Ne ndryshuam sistemin e taksave dhe për këtë arsye, të gjitha dyqanet që shihni në të dyja anët e rrugës paguajnë 0 tatim, fitimi dhe paguajnë 0 TVSH në rast se janë me një xhiro deri në 100 mijë euro. kur kemi ardhur këtu në këtë bulevard për të kërkuar mandatin e parë, të gjithë këta në të dyja anët e rrugës paguanin nga 10% tatim fitimi, paguanin edhe TVSH. Sot nuk paguajnë as tatim fitimi, as TVSH dhe nuk do të paguajnë deri në fund të mandatit të 4, siç kemi thënë, në 2029.
Ja këtu se çfarë do të thotë kjo. Kjo do të thotë që 66 milionë euro në vit që shteti ja merrte të gjithë bizneseve të vogla, ne ia kemi lënë atyre për familjen e tyre, për të vazhduar të investojnë në aktivitetin e tyre dhe përveç këtyre, që janë për ata deri në 100 mijë euro, janë edhe këtu 58 milionë euro të tjera në vit, që i kanë mbetur në xhep bizneseve të vogla që të dyja bashkë bëjnë një shumë 125 milionë euro në vit, që nuk e merr shteti, por ia lë familjeve të njerëzve, që janë të vetëpunësuar me biznes apo që punësojnë të tjerë dhe kjo është 1 miliardë e 250 milionë euro në 10 vjet, apo jo?
Këtu jemi tek papunësia për gratë që edhe ajo ka rënë nën nivelin e 10%.
Ndërkohë që, këtu jemi, kjo është një tjetër pasqyrë shumë e rëndësishme dhe është një nga treguesit se pse Shqipëria sot është më e mirë seç ishte në të gjitha drejtimet.
Vetëm 50% e grave që ishin të afta për punë merrnin pjesë në forcat e punës.
Sot janë 705 e grave që marrin pjesë në forcat e punës.
Kjo është paga mesatare e grave që janë në forcat e punës, por që është pak fare më e vogël sesa e burrave.
Këtu jemi tek investimet e huaja. Kjo është Shqipëria dhe ky është rajoni.
Shumë flet këneta dhe flasin këta nëpër këto moçalet e televizorëve “nuk ka bukë, nuk ka ujë, nuk ka prodhim, nuk ka punë, nuk ka asgjë”, ndërkohë që eksportet, domethënë prodhimet tona, prodhimi ynë ishin nën 3 miliardë dhe kanë shkuar 9,1 miliardë, 3 herë më shumë.
Këto janë pagat e mjekëve. Sot, paga mesatare e mjekëve është 1670 euro dhe do të jetë 2000 euro në Shqipërinë 2030.
Këto janë të gjitha programet që ne kemi bërë për mbështetjen sociale.
Ne kemi rritur në mënyrë shumë domethënëse mbrojtjen sociale. Kemi thuajse çerek miliardë euro që shkojnë për këto programe, kemi përfshirë të gjitha bashkitë në këto programe dhe janë 32 shërbime për persona me nevoja të ndryshme, që bëhen për t’ju gjendur atyre pranë dhe unë dua të veçoj shërbimin për fëmijët me aftësi te veçanta, për familjet e tyre dhe dua të them që nga janari i vitit të ardhshëm mbështetja për nënat e fëmijëve me aftësi të veçanta do të dyfishohet.
Ndërkohë që kjo është shifra e nënave të papuna me 3 ose më shumë fëmijë, janë 9200, të cilave prej disa vitesh qeveria iu paguan sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, pavarësisht se nuk shkojnë në punë. 25 milion euro në vit që mos mbeten pa pension për shkak se nuk punuan dot se kishin shumë fëmijë, por të kenë nesër një pension dinjtoz.
Kjo është shifra e bonusit të bebes, që ne e japim prej vitesh, kur e jepte këneta ishte 50 mijë lekë të vjetra, ne e kemi bërë 400 euro për fëmijën e parë, 800 euro për fëmijën e dytë dhe 1200 euro për fëmijën e tretë. Ndërkohë që, nga viti i ardhshëm do ta ndryshojmë skemën, nuk do jetë më një çek në maternitet në momentin e lindjes, por do të jetë një mbështetje financiare çdo muaj sipas numrit të fëmijëve.
Këto janë pagat e mësuesve. Sot paga mesatare e mësuesve është 950 euro dhe 1250 euro do të jetë në Shqipërinë 2030.
Këtu e kam veçuar këtë, janë investimet në buxhetin e mbrojtjes. Kemi pasur ushtrinë më të keqpaguar, më të keq pajisur në të gjithë rajonin tonë. Me një buxhet qesharak 28 milion euro, që sot është 10-fish, 280 milion euro dhe paga mesatare e ushtarakeve sot është 1550 euro. Kjo ka sjellë edhe rritje të interesit nga të rinjtë që të futen në rrugën e karrierës ushtarake. Do ta bëjmë edhe më shumë sepse duam që ta kemi në mesataren e ushtrive të NATO-s që janë vende shumë më të mëdha dhe më të pasura, por sot që flasim ne kemi ushtrinë më të mirë paguar në rajon, përfshi edhe ushtrinë e Serbisë që është më e madhja e Ballkanit.
Tani, këtu kam sjellë një pasqyrë të të gjitha investimeve që janë bërë në qarkun e Durrësit.
Edhe këtu janë shumë të rëndësishme për të parë se sa shumë është bërë në çdo cep, por dua ta nis me të parën sepse gjithmonë flitet në hava që; “s’ka rrugë nëpër fshatra”, “kur do bëhen rrugët e fshatrave”, “ka ngel fshati pa rrugë” etj., etj.
Këto të gjitha që shihni, damarët këtu me jeshil dhe me të verdhë janë të gjitha rrugë të brendshme të qarkut Durrësit dhe në totalin e tyre janë 596 projekte për gati çerek miliardë euro dhe 362 kilometra rrugë të brendshme që janë rehabilituar në të gjithë qarkun e Durrësit.
Këtu kemi projektet e transformimit urban.
Janë 99 projekte 81 milionë euro që kanë transformuar Durrësin, kanë transformuar Krujën lartë, një destinacion historie dhe turizmi, që ishte një qamet i madh. Ndërkohë që, me ndërhyrjet që kemi bërë, është komplet tjetër, apo jo? Dhe patjetër edhe Shijakun, ku Shijaku ishte kënetë komplet, ndërkohë që sot është vërtetë një territor urban mjaft dinjitoz.
Këtu jemi tek turizmi dhe mjedisi, 14 projekte dhe rreth 30 milionë euro që qeveria ka dhënë për turizmin dhe për mjedisin në qarkun e Durrësit.
Këtu jemi tek ujësjellës-kanalizimet, janë 200 milionë euro që janë investuar për 116 projekte ujësjellësash dhe kanalizimesh.
Këtu vijmë tek energjia.
Ka qenë kudo problem çështja e cilësisë së shpërndarjes së energjisë dhe kemi investuar 177 milionë euro për 121 projekte për të përmirësuar rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike.
Këtu jemi tek bujqësia, 130 projekte, gati 50 milionë euro mbështetje që qeveria i ka dhënë fermerëve dhe i ka dhënë sektorit në qarkun e Durrësit.
Këtu jemi tek arsimi dhe natyrisht qarku i Durrësit është shumë më lartë se të tjerët, edhe për arsye të rindërtimit. Janë 191 e një projekte dhe faktikisht, shkollat e reja të Durrësit, të Krujës, në Bubq, më kujtohet bile ai drejtori i arsimit kur shkuam në Bubq tha: O kryeministër, tha ne kemi më shumë banja nëpër shkolla, se sa në të gjitha shtëpitë rreth rrotull, kështu që janë vërtetë shkolla të standardeve europiane dhe ne do t’i shkojmë deri në fund, çdo fëmijë do të shkojë në një shkollë standardeve europiane.
Këto janë projektet e sportit, 14 projekte, 5.8 milionë euro. Tanimë është në procesin e garës, e futjes në garë, pasi ka mbaruar edhe projekti i detajuar, edhe stadiumi i ri i Durrësit, që do të jetë një qendër e re, jo vetëm sportive, por dhe urbane e qytetit shumë moderne.
Kultura, 39 projekte, 17.6 milionë euro për aktivitetet kulturore, mbështetje.
Dhe shëndetësia dhe kujdesi social. Këto janë qendrat shëndetësore, poliklinika, spitali, 13.6 milionë euro.
Kjo është pasqyra e përgjithshme dhe rindërtimin po e thamë dhe folëm, dhe në fund dua që të shikoni shumën e investuar në këto 3 mandate nga qeveria shqiptare për qarkun 1.1 miliardë euro.
Të gjitha këto nuk janë për t’ju thënë “që shih ça mrekullie kemi bërë ne”, por janë për t’ju thënë që kemi bërë gjithçka kemi mundur dhe s’kemi lënë pa bërë asgjë të mundur për ta ngritur në një nivel tjetër këtë qark, për të ngritur një nivel tjetër Krujën, Durrësin, Shijakun dhe vetë Shqipërinë dhe tani jemi në një fazë të re, kur, siç ju kam thënë kur kam ardhur këtu përpara, që në 4 vitet e ardhshme të bëjmë më shumë se ç’kemi bërë në vitet e tjera të mbledhura së bashku, ju them të njëjtën gjë, në 4 vitet e ardhshme do bëjmë edhe më shumë se sa ç’kemi bërë në të gjitha vitet e tjera të mbledhura së bashku, nëse ju dhe të gjithë qytetarët do të na jepni një mbështetje edhe më të fortë, një besim të palëkundur dhe një fuqi edhe më të madhe për të marrë vendime dhe për ta çuar përpara vendin duke e realizuar edhe profecinë e atij që ju e keni atje lart në Krujë, si hijen e gjithë malit, Gjergj Kastriotit, i cili e përcaktoi qysh atëherë se fati që i stërnipërve të tij është Europa.
Shumë faleminderit edhe uroj shumë që në 11 maj, nga të gjitha kutitë e votimit këtu në Krujë, të dali rezultati më i mirë ndonjëherë për Partinë Socialiste.
Faleminderit!