The Socialist Party of Albania

Të rinj korçarë, të profesioneve të ndryshme, që kanë studiuar dhe jetuar për një periudhë kohe jashtë shtetit, por që sërish janë kthyer pranë familjeve, në qytetin e tyre, për të përfituar nga mundësitë e punësimit që ofrohen dhe për të ndërtuar të ardhmen këtu, – ishin bashkëbiseduesit e Kryeministrit Rama në një diskutim mbi zhvillimin e vendit, investimet e bëra në fusha të ndryshme, si dhe për mundësitë e reja të punësimit, që falë programeve mbështetëse për rininë, janë gjithmonë e më të larmishme.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Shumë, shumë faleminderit. Është shumë kënaqësi që të kalojmë disa momente së bashku. Sapo Niko ma propozoi që të takoheshim me një pjesë të të rejave dhe të rinjve të qytetit që përbëjnë një lloj grupi të kthyerish nga jashtë për arsye nga më të ndryshme, por që punojnë këtu në Korçë, unë prita me shumë qejf sepse është një mundësi për ta treguar këtë gjë, pasi fatkeqësisht nuk është diçka për të cilën flitet.

Ndërkohë që, flitet shumë për ata që ikin, nuk flitet për ata që kthehen.

Ne kemi vënë re një tendencë në rritje të kthimeve dhe pse patjetër ikjet janë më shumë se kthimet, por sot janë 1 në 3, 4 që kthehen nga ata që kanë qenë për një kohë të caktuar në emigracion apo nga ata që shkojnë dhe kthehen më shpejt se nuk gjejnë atë që imagjinojnë.

Por pa hyrë në diskutimin e ikjes apo të kthimit, thjesht dua të nënvizoj më shumë atë pjesën që tha djali në fund, nevojën për më shumë optimizëm, në raport me mundësitë dhe në raport me potencialin e madh që ka çdo vend sot në Shqipëri, në kushtet kur Shqipëria po bëhet çdo vit e më shumë, një atraksion i madh turistik. Që do të thotë, që po bëhet çdo vit e më shumë një vend, ku nevoja për shërbime dhe shërbime cilësore është shumë e madhe dhe ku mundësia për të krijuar biznese shërbimesh që nga bizneset e vogla, të cilat sjellin të ardhura të konsiderueshme, më të mëdha padiskutim sesa të ardhurat që mund të fitohen jashtë duke punuar për dikë tjetër në industrinë e mikpritjes apo në shërbimet online, apo në shërbime që kanë filluar të zhvillohen gjithmonë e më shumë që janë shërbime në fushën e mjekësisë ku profesionistë shqiptarë në mosha relativisht të reja, kthehen, hapin klinika, të cilat iu shërbejnë shumë të huajve që vijnë për të marrë këtu ato shërbime, kryesisht dentistët, por edhe të tjerë.

Horizonti është shumë i gjerë. Ne kemi vendosur për këtë arsye që edhe të financojmë këtë qendër ku jemi këtu.

Ky është ish-materniteti i Korçës, ju e dini më mirë se unë, i cili nuk funksiononte më prej vitesh. Një godinë në një pozicion shumë të mirë në qytet. Një godinë që ishte praktikisht e rrënuar dhe së bashku me Nikon, me bashkinë e Korçës, me Fondin Shqiptar të Zhvillimit u konceptua krijimi i këtij poli të dijes dhe të transferimit të dijes që do t’i shërbejë kryesisht të rinjve, por edhe të tjerëve që do të duan të vijnë dhe të marrin kurse të caktuara, apo për ëorkshop-e të caktuara, apo për promovime të caktuara të produketeve të tyre, në mënyrë që të shtyjmë më tutje, përpara të gjitha shërbimet në këto territore në të gjitha ato kategori që folëm si dhe industrinë kreative.

Në Korçë ka disa bërthama shumë interesante të industrisë kreative, siç ka dhe bërthama shumë interesante për zhvillimin e startup-ve dhe t’u japin gjithmonë e më shumë të rinjve mundësi që të bëjnë atë që bëni ju, që duke jetuar këtu siguroni të ardhura dinjitoze dhe keni dhe pjesën tjetër që shpeshherë harrohet që është pjesa që e tha dikush këtu, e kënaqësisë së të jetuarit në vendin tënd që është e lidhur me shumë elementë që janë elementë familjarë të mënyrës sesi je mësuar të jetosh dhe që jashtë nuk i gjen kurrë.

Në Gjermani mund të gjesh çdo gjë, por një kafe tamam, për një muhabet për qejf duke qenë i huaj, nuk e gjen.

Janë ato gjërat e vogla të jetës që bëhen gjithmonë e më të nevojshme.

Patjetër, gjithëkush ka të drejtë të synojë të kapërcejë dete, male, oqeane dhe ta provojë veten në realitete të tjera. Ne nuk jetojmë më në bunker. Ne jetojmë në një botë të hapur, e cila nuk është vetëm e hapur sot, por është dhe shumë e vogël, zvogëlohet përditë. Distancat janë bërë inekzistente, në sensin që globalizmi i ka përfshirë të gjithë dhe i sjell produktet e veta deri në fshatin më të largët nëpërmjet pasqyrës së iphone-t. E duke i sjellë nëpërmjet pasqyrës së iphone-t produktet e veta e deri në fshatrat më të largëta, e bën iluzionin e të qënit pjesë e botës, pavarësisht se je larg qendrës së saj, aq të fortë saqë ti do që të arrish menjëherë atë që sheh në iphone. Kjo është e pashmangshme. Është pjesë e jetës sonë.

Me ikjet dhe kthimet kemi hyrë në një kohë që bashkëjetojmë dhe s’kemi asnjë rrugë tjetër, por ama një gjë është e sigurtë dhe këtë unë e them me bindjen më të madhe. Shqipëria po bëhet gjithmonë e më e mirë dhe do të jetë shumë më e mirë në vitet e ardhshme për 1001 arsye, po patjetër edhe për faktin që ka hyrë në një kthesë të madhe pa kthim dhe hapja e Shqipërisë si një dritare dhe një mundësi e re në sytë e botës, për t’u parë, vizituar, shijuar, për të bërë këtu biznes, është tanimë një fakt. Është një fakt i ri me të cilin do të jetojmë në të ardhmen dhe prej të cilit ne do të përfitojmë shumë. Kjo nuk ka asnjë diskutim. Do përfitojmë shumë, padiskutim.

Sot në Shqipëri po bëhen investime të rëndësishme. Unë nuk po hyj tek ato të mëdhatë, por po them vetëm për Korçën. Para sesa të vinim këtu, ishim bashkë me shokët në një drekë pune për të respektuar anëtarët e jurisë së konkursit të stadiumit në një vilë korçare, që ishte realisht magjepsëse. Nuk e di si quhet. ‘’Tresor’’. Një gjë e jashtëzakonshme. Një hotel-butique që në çdo kryeqytet të Europës do të ishte në radhën e parë të gjithë xhevahireve që ata kanë. Punuar me një dashuri të jashtëzakonshme. Restauruar gjithçka. Diçka që nuk mund ta imagjinoje dot në Korçë para 5-6 vitesh. Nuk e imagjinoje dot sepse më kujtohet kur kam ardhur në Korçë për herë të parë si kreytar partie.

Në atë kohë isha në opozitë, isha kryetar bashkie dhe Niko ishte këtu kryetar bashkie, ishte një vend realisht dëshpërues, i zymtë, i pastër ndryshe nga shumë vende të tjera në Shqipëri në atë kohë, por i zymtë vetëm një hotel kishte. Ai hotel, hoteli i vjetër i qendrës “Turizmi’’ i vjetër dhe errësirë dhe asgjë. Dhe kur e kemi ndërmarrë këtë rrugë me një vizion në kokë që t’i kthejmë Korçës shkëlqimin e dikurshëm sepse Korça ka ruajtur shumë nga ai organizmi i vet, kemi pasur realisht në kokë këtë që po shikojmë sot për hir të vërtetës dhe e kemi ditur që me të filluar ajo që rëndom, ata që nuk duan ta kuptojnë ose nuk e marrin vesh këtë gjë, e quajnë zbukurimi, fasadat, do të fillonte optimizmi dhe do të fillonte rijetësimi i objekteve të vjetra.

Por sigurisht nuk është vetëm çështje zbukurimi, është çështje infrastrukture, është punuar me ujësjellësin, është punuar me kanalizimet, është punuar me kalldrëmet, është punuar me ndriçimin publik, është punuar me hapësirat publike, janë bërë punë të gjithanshme. Dhe ja ku jemi sot dhe unë po ju them që sot është vetëm si të thuash, përmbyllja e një faze dhe hapja e një faze tjetër që nuk mund të hapej pa këtë sot. Nuk mund të synonim ne një destinacion të nivelit elitar evropian, për skitë, pa pasur këtë që kemi sot, s’mund të bëhej me atë që, domethënë është një , kërkon kohë, kërkon të vendoset çdo gjë gur pas guri që të bëhet ai mur i duhur se ndryshe pa themele nuk e bën dot.

Sot fillojmë për pak kohë për aeroportin e ri sportiv të Korçës. Po ça aeroporti do të bënim pa pasur këto që janë bërë? Kush do vinte? Ndërsa sot ne nuk kemi problemin kush do vijë në Korçë. Kemi problemin si t’i shtojmë tani ata që do vijnë? Dhe si të rrisim aftësitë akomoduese dhe aftësitë qe t’i mbajmë këtu më shumë sesa thjesht një fundjavë.

Qndra e re e ekstensionit, e transferimit të dijes në bujqësi, do të jetë një tjetër pol shumë i rëndësishëm për të krijuar një hapësirë të re për të gjithë ata që merren me prodhimin, merren me tregtimin, merrren me menaxhimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore që ta ngrenë më tutje nivelin e dijes po edhe për t’i mësuar si të aplikojnë për fonde të ndryshme, të hyjnë në projekte të ndryshme. Po kështu të bashkërendojnë projektet e tyre.

Po kështu, qëndra e madhe e eventeve muzikore është një tjetër ambicie që besoj do të sjellë përseri më shumë dhe e patë sot, ndoshta do e shikoni më vonë, konkursin për stadiumin e ri.

Stadiumi është një tjetër qendër e re për qytetin e cila do të jetë një qendër, e cila do të jetë, jo vetëm ditët e javës dhe jo vetëm momentin kur ndodh një ndeshje se i bie një herë në dy javë, sepse skuadrat luajnë një herë brenda e një herë jashtë, një skuadër futbolli ka qyteti, atëherë një herë në dy javë.

Stadiumi është menduar të jetë një vend ku të ketë hapësirë për jetën e përditshme të qytetit, të ketë hapësirë për bare, për restorante, për klube të rinjsh, për dyqane, për zyra, për startup-e, edhe për institucione publike pse jo.
Këto janë të gjitha gjëra që tanimë po ndodhin dhe nuk janë gjëra që i mendojmë, ‘’ah sikur të ndodhë’’, sepse kemi vënë një bazë dhe unë kam besim që ju nuk do të pendoheni qe keni bërë këtë zgjedhje, pavarësisht se dikujt prapë në një moment të caktuar
mund ti vijë të iki jashtë, të provojë këtë gjë apo të provojë atë gjë, kjo është jeta, por e rëndësishme është që jemi tani në kthese shumë domethënëse edhe ekonomikisht, me pagat që po rriten, pagat që po rriten së sektorin publik janë shumë paralajmëruese me atë që do të ndodhë së sektorin privat sepse gjithmonë kështu ndodh, tërheqin njeri-tjetrin, por dhe janë shumë domethënëse për atë që do ndodhë në vijim.

Unë realisht e çmoj shumë punë e bashkisë së Korcës, të Sotiraqit, Nikos patjetër, që nuk i ndahet shpirti nga bashkia e Korçës për faktin që mendojnë vijimësishst sesi të krijojnë kushte dhe si të nxisin sinergjira edhe të vogla, ku të rinj të talentuar, ku të rinj profesionist të mund të shikojnë hapin tjetër për jetën e tyre, dhe ju jeni shembuj të rëndësishëm në këtë drejtim, ka dhe të tjerë si ju këtu që i përkasin kësaj kategorie dhe unë jam shumë i bindur që nëse do ta shfrytëzoni si duhet dhe këtë qendër të re ju dhe të tjerët që s’janë këtu dhe nëse bashkia do ta shfrytëzojë si duhet bashkë me fondin e zhvillimit këtë kapacitet energjish dhe talentesh e profesionesh, që ka kjo kategori, qofshit ju qofshin të rinj që nuk kanë nevojë të ikin që të çmohen pse u kthyen por që janë këtu. Jam i bindur që do ndodhin gjëra të reja shumë domethënëse në fushat e sipërmarrjes, aq më tepër me teknologjinë që ka sjellë oportunitetet dhe sjell çdo ditë oportunitete të pafundme.

Ju falënderoj shumë nga ana ime!
Do ia jap fjalën Nikos sepse është si të thuash ura lidhëse midis meje dhe të tjerëve në qeveri, bashkisë së Korçës dhe është për hir të së vërtetës edhe nxitësi i paepur i mbështetjes për Korçën, por jo vetëm i mbështetjes, por edhe i mënyrës sesi vetë Korça duhet të lëvizi për të pasur më shumë vëmendje, për të pasur më shumë mbështetje dhe e çmoj shumë këtë sepse përndryshe nuk do ishin bërë gjërat siç janë bërë. Është shumë e rëndësishme që njerëzit të kenë mundësi që të ecin së bashku me partnerë dhe me aleatë duke ndarë vizion të përbashkët, duke ndarë qëllime, duke ndarë edhe barrën e punëve dhe kjo është gjëja që faktikisht ka ndodhur me Korçën, me ne në Tiranë dhe natyrisht, patjetër dhe me ndihmën e paçmuar të historisë se ky është një qytet me histori kështu që janë dhe ata që nuk jetojnë më që shtyjnë në këtë drejtim, që tërheqin drejt Korçës më shumë vëmendje, etj.
Shumë faleminderit edhe një here!