Vlorë, 7 korrik 2025 – Në vijim të aksionit për lirimin e hapësirave publike, Kryeministri Edi Rama ka inspektuar ecurinë e deritanishme në Vlorë, nga ku ka bërë me dije se duhen harmonizuar interesat e bizneseve me ato të qytetarëve, duke pasur si prioritet këmbësorët.

Në një komunikim me median, Kryeministri Rama tha se Vlora është një bashki ku ka pasur një volum shumë të madh investimesh dhe ku ka nevojë për ende të tjera investime, që garantojnë një ecuri pozitive të të jetës sociale dhe ekonomike të qytetit.

‘’Duke qenë se nga pikëpamja e turizmit Vlora është një nga pikat kyçe dhe numri i vizitorëve dhe i turistëve gjatë sezonit rritet në mënyrë shumë të ndjeshme, atëherë edhe nevoja për të përballuar problematikat që bëhen edhe më të mëdha për shkak të numrit të madh të vizitorëve bëhet më e madhe.

Një nevojë që duhet adresuar në një qasje shumë më aktive dhe shumë më të fokusuar në të gjithë territorin, gjë që nga ana tjetër kërkon që të zgjedhurit e Partisë Socialiste në Vlorë të vazhdojnë të mbeten të lidhur me territorin në mënyrë shumë specifike dhe jo vetëm ata që u zgjodhën nga qytetarët për t’i përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë me një numër rekord, por edhe nga ata që ishin pjesë dhe janë pjesë e grupit tonëpërfaqësues dhe nuk do të jenë në Kuvendin e Shqipërisë, por do të  mbulojnë detyrat e tjera dhe kjo kërkon një frymë skuadre të vazhdueshme dhe një kontakt të vazhdueshëm me qytetarët.
Ne duhet ta kapërcejmë kohën e deputetëve që shfaqeshin shumë pak në territor dhe që ankesat apo kritikat për punën e pushtetit vendor apo për punën e institucioneve qendrore në territor, i bënin vetëm nëpër kafene.

Kemi folur për një qasje të strukturuar dhe praktikisht të gjithë përfaqësuesit e grupit të deputetëve që ishin në listën e 11 majit në Bashkinë e Vlorës, janë drejtpërdrejtë të përfshirë në mbulimin e territorit, duke shpërndarë kështu barrën e mbulimit të territorit dhe e mbulimit të komuniteteve në më shumë supe dhe natyrisht, duke shfrytëzuar faktin që kemi në Vlorë disa deputetë dhe deputete që janë praktikisht, përfaqësues në Kuvendin e Shqipërisë.
Problemi i hapësirave publike është një problem i madh në Vlorë, e kemi trajtuar me shumë vëmendje, edhe tani është koha për ta trajtuar me shumë rigorozitet në territor. Natyrisht që nuk ka absolutisht asnjë tendencë për t’i ngushtuar frymëmarrjen bizneseve, por ka një domosdoshmëri për të harmonizuar plotësisht interesat e të dyja palëve me prioritet qytetarët që ecin në këmbë.

Lungomare e cila u bë motori i transformimit urban, por edhe i një transformimi të ekonomisë vendore në aspektin e vlerës sështuar që krijoi, duhet të kalojë tani në një nivel tjetër të paraqitjes edhe të shërbimit. Kioskëzimi i trotuarit është i papranueshëm dhe pasi është krijuar plotësisht trotuari i dedikuar vetëm për këmbësorët, do t’u jepet të gjithë njësive të shërbimit Lungomare dhe një dizajn i ri. Shpresojmë ta keni gati në shtator-tetor, që kemi filluar ta punojmë, në mënyrë që të harmonizojmë nevojën e tyre dhe interesin e tyre për të pasur një shërbim të mjaftueshëm me nevojën e qytetit për të pasur një dukje sa më spektakolare.

Nga ana tjetër, ajo është pasqyra kryesore, pasqyra e sallonit po themi, por ajo problematikë aty është në të gjitha rrugët e Vlorës ku ka njësi tregtare dhe në të gjitha rrugët, do veprohet në funksion të këmbësorëve.

Problemi tjetër në Vlorë janë parkimet. Kemi filluar punën për dy parkime të mëdha publike nëntokësore dhe do të vazhdojmë edhe më tutje me të tjera investime në këtë drejtim, por nga ana tjetër, kjo nuk justifikon parkimin me vend e pa vend, kjo nuk justifikon abuzimin e drejtuesit të automjeteve me këmbësorët dhe për këtë arsye Policia Rrugore në Vlorë do të jetë shumë e ashpër me të gjitha parkimet e pavenda apo me parkimet që bllokojnë qarkullimin ose që pengojnë qarkullimin në rrugët e Vlorës.

Problemi tjetër, i cili tani me sa mua më rezulton është disi më i adresuar, por prapë, duhet adresuar në mënyrë të strukturuar, është problemi i ujit të pijshëm për shkak të ngarkesës së madhe që ka qyteti në këtë periudhë, po dhe për shkak të investimeve që duhet të vazhdojnë. Ama, çfarë është konstatuar, sidomos deri përpara 10 ditësh ka qenë një keq menaxhim total i ujësjellësit nga ana e strukturave vendore dhe kjo e kombinuar me një abuzim të madh me ujin e pijshëm nga konsumatorë që e përdorin ujin e pijshëm për të ujitur bahçet dhe për të larë makinat.

Ky nuk është një fenomen thjesht i Vlorës, ky është një fenomen në shumë qytete dhe për këtë arsye, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë po përgatit një paketë të re ligjore për sa i përket ujit të pijshëm me të cilën shpresoj, uroj dhe besoj, do të pagëzojmë mandatin e katërt, që do të adresojë në kompleks problemin e përmirësimit të mëtejshëm të furnizimit me ujit të pijshëm, sidomos në zonat turistike.

Këto ishin pak a shumë ato që unë mund të them, ndërkohë që më vjen mirë që drejtorët e Bashkisë Vlorës e kanë kuptuar mesazhin që qyteti është mbi të gjithë dhe mbi të gjitha dhe që janë të papërshtatshëm për të vazhduar të kryejnë atë detyrë.

Natyrisht që secilit dhe secilës mund t’u jepen mundësi të reja në të ardhmen, por në ndërkohë, dua t’i ftoj të gjithë, të gjithë vajzat, djemtë, gratë, burrat profesionistë në Vlorë, që të aplikojnë për të shërbyer në administratën e Bashkisë së Vlorës, duke i siguruar që ne do të jemi shumë kërkues dhe shumë rigorozë në funksion të meritës.

Secili dhe secila sipas meritës, sipas profesionit, sipas vullnetit që do të shpreh në këtë proces dhe e njëjta gjë do të vlejë edhe për drejtuesit e institucioneve qendrore në qarkun e Vlorës, që edhe ata janë dorëhequr dhe i falënderoj dhe i përshëndes dhe asnjë person që ka mbuluar pozicionet drejtuese në bashkinë e Vlorës ose në qarkun e Vlorës, nuk do të rimerret si drejtues në këtë fazë. Të gjithë drejtuesit do të jenë të rinj.

Kam një thirrje të veçantë për pedagoget dhe pedagogët e universitetit. Natyrisht që, puna e tyre në universiteti është shumë e vyer dhe shumë e respektuar, por janë të mirëpritur që të kontribuojnë më shumë për qytetin edhe cilado dhe cilido prej tyre që do të dëshirojë të afrohet në administratën e bashkisë apo të afrohet në rolet drejtuese në institucionet qendrore do të jetë i mirëseardhur dhe i trajtuar me shumë respekt. Natyrisht që vlerësimi pastaj do të bëhet sipas performancës së secilit në procesin e përzgjedhjes, që do të jetë një proces transparent sipas ligjit, konkurrues dhe meritokratik.
Po ashtu, të gjithë ata që kanë studiuar në Vlorë apo në Tiranë apo jashtë vendit, edhe që janë të dëshiruar për të shërbyer për administratën e shtetit apo për administratën vendore të Vlorës, e që ndërkohë punojnë kamerierë apo punojnë në punë të tjera,janë të mirëpritur të vijnë dhe të provojnë veten në konkurset që do të organizohen shumë shpejt.

Bashkia do të konfirmojë të gjitha dorëheqjet dhe do të hapi garat dhe njëkohësisht, e njëjta gjë do të ndodhi edhe me institucionet qendrore, kështu që të gjithë janë të mirëpritur të përfaqësojnë ambicien edhe të shprehin dëshirën konkretisht, duke aplikuar.

Ajo që ne kemi bërë në Vlorë me grupin e deputetëve, që na dha edhe një rezultat shumë pozitiv, është vetëm fillimi dhe është vetëm hapi i parë në një rrugë transformimi, ku Vlora duhet të bëhet një model i një administrate që i shërben qytetarëve, dhe Bashkia e Vlorës do të bëhet një model i pagjumësisë.
Kjo është në përgjithësi ajo që mund të them, po meqë jemi këtu, edhe meqë këtu janë edhe mediat lokale dua të them që një kapitull i ri do të fillojë edhe për Partinë Socialiste të Vlorës, ku janë komanduar dy bashkëkryetarë të rinj, Erjona dhe Klevisi, të dy nga grupi i 11 majit, Erjona është deputete, ndërkohë Klevisi është këtu në Vlorë për të mbajtur shtëpinë hapur në mënyrë të pandërprerë shtëpinë e Partisë Socialiste.

Kështu që detyra e tyre është shumë e ngjashme me frymën edhe me parimet që unë përmenda. Të gjithë kryetarët e organizatave do të vlerësohen sipas performancës së tyre në 11 maj dhe nga ana tjetër, partia do të hapet totalisht për të sjellë prurje të reja dhe po ashtu, do të krijojë edhe grupet qytetare që do t’i bashkohen pa pasur detyrimin që të anëtarësohen në Partinë Socialiste, po për të krijuar hapësirat e diskutimeve dhe për hapësirat e dialogut për Vlorën.

Ne jemi shumë krenarë që ia dolëm që të kemi një grup përfaqësues që praktikisht vë Vlorën mbi krahët, edhe që përfaqësohet me të dy krahët në pikëpamje të sensibiliteteve po flasim, se të gjithë janë anëtarë dhe anëtarë të grupit socialist, por nga rrugë dhe sensibilitete të ndryshme dhe të njëjtën gjë duam të bëjmë në të gjitha nivelet këtu në Vlorë, të majtë, tëdjathtë. Këtu s’ka të majtë e të djathtë, këtu ka parazit, edhe ka njerëz të interesuar, të përkushtuar, edhe të gatshëm për t’i shërbyer Vlorës. Parazitët janë edhe të majtë dhe djathtë, edhe këta të dytët që thashë janë edhe të majtë edhe të djathtë. Kështu që ne jemi me këta të dytët, prandaj jemi gjithmonë të parët.

Asnjë parazit nuk mund të pretendojë asgjë nga ne, se me demek është socialist, ashtu si kundër, asnjë njeri i aftë, i dëshiruar, i interesuar dhe me ambicie nuk mund të pengohet të bashkohet me ne dhe të punojë me ne, se është i djathtë, kaq e thjeshtë është qasja që ne kemi zgjedhur dhe shpresoj shumë që me këtë qasje do të bëjnë gjëra shumë të mira për Vlorën.”