Tiranë, 9 korrik 2025 – Kryeministri Edi Rama, paralajmëroi nisjen e një reforme të re ligjore të kontrollit të zhvillimit të territorit.
Përmes postimit në “X”, ku reagoi për aksionin e nisur pak ditë më parë dhe që po vijon në të gjithë vendin për lirimin e hapësirave publike, Kryeministri tha se toleranca ndaj tokave të xanuna në kurriz të komunitetit apo lejeve me shkelje në kurriz të qytetit do të adresohet rrënjësisht me një reformë të re ligjore të kontrollit e të zhvillimit të territorit, për të cilën ka nisur puna.

“Toleranca ndaj tokave të xanuna në kurriz të komunitetit apo lejeve me shkelje në kurriz të qytetit, që janë pranuar nga qeverisja vendore si bashkëudhëtare të jetës urbane, ndërkohë që inspektoriatet e mbrojtjes së territorit dhe policitë bashkiake janë bërë në të shumtën e rasteve pjesë e problemit, do të adresohet rrënjësisht me një reformë të re ligjore të kontrollit e të zhvillimit të territorit, për të cilën kemi nisur nga puna paralelisht me disa reforma të reja të shërbimit me ujë të pishëm, të sistemit të pastrimit e të përpunimit të mbetjeve, të furnizimit të popullit me naftë e me barna, si edhe të shërbimit spitalor, që do të jenë piketat e hyrjes në rrugën e mandatit tonë të katërt për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”, shkruan Kryeministri Rama.

Reformat e tjera do të shtrihen edhe tek shërbimi spitalor, furnizimi me barna, apo edhe tek furnizimi me naftë. Për këtë të fundit, Kryeministri Rama ka paralajmëruar se, brenda këtij viti do të vendoset një ekuilibër i ri të çmimi i naftës për konsumatorët, me qëllim lehtësimin e barrës ekonomike për qytetarët. Të gjitha këto reforma do të jenë piketat e hyrjes në mandatin e katërt për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.