Kukës, 30 Prill – Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama ishte sot në Kukës në takimin elektoral mbi arritjet dhe sfidat për Shqipërinë 2030, në Bashkimin Europian, gjatë të cilit ndau me publikun e gjerë, fakte, shifra, dhe të dhëna, pasqyrë e transformimit të këtyre viteve.
Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama:
Shumë faleminderit që jemi këtu së bashku me ju që jeni pararoja e përpjekjes sonë këtu në këtë qark, në rrugën drejt 11 majit.
Gjatë këtyre ditëve e kemi parë të arsyeshme që të ndajmë me njerëzit dhe përmes këtyre takimeve të ndajmë me publikun e gjerë, të paktën ata që na ndjekin, disa fakte, disa shifra, disa të dhëna që janë pasqyrë e transformimit të këtyre viteve, por që përndryshe nuk ke ku i shikon dhe nuk ke ku i gjen në pasqyrat tona mediatike dhe ky është një problem i madh për ne, për shoqërinë tonë që shumëçka që ka të bëjë me zhvillimin, që ka të bëjë me transformimin, që ka të bëjë me përmirësimin e vazhdueshëm të vendit nuk gjen pasqyrim në ato kanale, në ato portale, prej të cilave njerëzit informohen.
Gjithësi dhe prandaj nuk është fare çudi pastaj kur ndodh, siç po ndodh këto javët e fundit kur siç e keni parë mbase, të gjitha sondazhet na japin fitues, në një avantazh të madh me të tjetrët.
Shumica e shqiptarëve besojnë te ne, shumica e shqiptarëve besojnë se vendi është në drejtimin e duhur, shumica e shqiptarëve besojnë se në 2 vitet e ardhshme përmirësimi do të vazhdojë dhe ekonomia e tyre do të jetë më mirë. Dhe çfarë ndodh? Ata që janë nëpër studio dhe komentojnë, e kanë të pamundur që t’i pranojnë këto fakte të thjeshta të perceptimit të opinionit publik, edhe në të kundërt fillojnë dhe fajësojnë popullin, duke u shprehur në mënyrë të drejtpërdrejtë që nëse shumica e popullit mendon kështu, atëherë gjysma e popullit është e sëmurë, atëherë populli është i çmendur, atëherë populli është i blerë, atëherë populli është i shitur, atëherë populli është i trembur, por mazallah se ndalen për një moment, të marrin frymë edhe të mendojnë se mos ndoshta janë ata që gabojnë dhe jo populli, se mos ndoshta janë ata që jetojnë në një në një pikë të shkëputur nga realiteti dhe janë ata që kanë krijuar në mënyrë të vazhdueshme një ide dhe një imazh tek i cili besojnë po vetë.
Në ndërkohë që Shqipëria, pa diskutim që ka probleme, pa diskutim që ka tema të rëndësishme ekonomike, sociale për të trajtuar edhe për të adresuar, por është një vend krejt tjetër nga ai që ekspozohet edhe komentohet nëpër kanalet ku normalisht publiku duhet të informohet, po në vend se të informohet, keq informohet ose edhe më keq akoma dezinformohet.
Unë kam sjellë këtu me vete disa nga këto të dhëna. Dua ta nis me Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar, me Prodhimin e Brendshëm Bruto të Shqipërisë që është e gjithë vlera që vendi krijon e matur mbi bazën e çdo të ardhure të krijuar në vend.
Prodhimi i Përgjithshëm Bruto, Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar i Shqipërisë në viti kur ne morëm detyrën ishin më pak se 10 miliardë euro, në fund të vitit 2024 rezultoi 25 miliardë euro dhe projeksioni ynë që nuk është një dëshirë, por është një projeksion i bazuar tek puna e ekspertëve të Ministrisë së Financave dhe ekspertëve ndërkombëtarë që punojnë me ne është që në Shqipëri 2030 Prodhimi i Brendshëm Bruto ose Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar i Shqipërisë do të shkojë në 35 miliardë euro.
Pra, në një dekadë ne e kemi rritur prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar, dy herë e gjysmë, është siç do e shikoni në pasqyrën tjetër, është një rritje e cila është më e larta në rajonin tonë.
Këtu kemi pikërisht rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendeve të rajonit dhe, siç shihni në këtë tabelë, Shqipëria ka arritjen më të lartë Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar, ndërkohë që vendet e tjera vijnë me radhë më poshtë dhe nëse mesatarja e rritjes së këtij prodhimi për vendet e tjera është afro 65%, për Shqipërinë është mbi 100%.
Këtu jemi tek të ardhurat për frymë. E kemi marrë detyrën me një nivel të të ardhurave për frymë 3300 euro në 2024 të ardhurat për frymë kanë arritur në 10300, pra tre herë më të larta dhe projeksioni për 2030 është që të ardhurat për frymën shkojnë në 15 mijë euro.
Këtu jemi tek borxhi. Borxhi publik është një nga pikat kyçe të matjes së shëndetit të një të ekonomisë së një vendi dhe kur ne morëm detyrën, ne kishim, Shqipëria, kishim borxh publik të lartë zyrtarisht 70.4%, por përveç kësaj shifreje zyrtare, në gjetëm edhe një borxh të fshehur ose më saktë të pa deklaruar që ishte borxhi i krijuar ndaj kompanive sepse të gjitha kompanitë që kishin angazhime me shtetin, kishin ndalur së dhëni shërbimet apo së kryer punët; Kompanitë e rrugëve, për shembull, nuk vazhdonin më punën, kompanitë që furnizonin spitalet me ilaçe apo që furnizonin shkollat me mjete mësimore nuk bënin më furnizime, për arsye se prej disa kohësh nuk paguheshin më.
Si ka mundësi që të ndodhi kjo? Kjo mund të ndodhi dhe faktikisht ndodhi kur praktikisht u bënë kontrata pa pasur paratë në dispozicion.
Për shembull, nëse kontraktohet një investim për të bërë një aks rrugor që kushton, le të themi 10 milionë euro dhe në buxhet ka vetëm 100 euro për këtë, fillon puna dhe, pastaj ndodhi ajo në atë kohë e i thuaj kompanive: vazhdoni, vazhdoni, se do t’ua japim, se do t’ua japim dhe ky borxh ku hynin edhe detyrimet e papaguara për invalidë edhe të tjera, ishte afro 700 milionë euro në atë kohë dhe megjithëse ne kaluam në këtë periudhë edhe dy momente kur patëm imponimin nga situata për të rritur përsëri borxhin, momenti i Covidit dhe momenti i tërmetit sot ne e kemi ulur borxhin publik në 54%, që konsiderohet një nivel mesatar i arsyeshëm normal i borxhit për një vend si Shqipëria dhe në përgjithësi në kontekstin e rajonit tonë.
Këtu jemi tek kreditë e këqija. Domethënë, tek ato kredi që bankat japin dhe pastaj nuk arrijnë dot t’i marrin mbrapsht. Niveli i kredive të këqija kur ne morëm detyrën ishte pothuajse 25% që konsiderohet një pikë alarmi të kuq për qëndrueshmërinë e sistemit financiar, pra, kemi qenë realisht në zgrip të një rënieje të bankave. Sot kreditë e këqija janë 4% që është një nivel krejtësisht normal.
Këtu jemi tek inflacioni, e dimë shumë mirë që rritja e çmimeve ka qenë një karakteristikë e gjithë viteve të fundit botërisht edhe në Europë dhe megjithatë Shqipëria ka pasur nivelin më të ulët të inflacionit dhe këto të dhëna, kur flasim për ekonominë, çfarë kam sjellë këtu janë të dhëna jo të shtetit shqiptar por janë të dhëna të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe këtu po të shikoni janë të dhëna të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe në mesataren e inflacionit në rajon gjatë 10 vjeçarit të fundit, Shqipëria renditet në vendin e parë pozitivisht me nivelin më të ulët të inflacionit.
Këtu jemi tek një tjetër e dhënë që mat rrezikun e rënies në varfëri. Kemi pasur një nivel rreziku të rënies në varfëri afro 25% dhe sot jemi nën 20% dhe ky nivel që kemi sot po të shikoni në tabelë, këtu ka disa vende që janë vende të rajonit dhe të Bashkimit Europian, është një nivel mesatar lehtësisht i gjindshëm edhe në vende të tjera.
Këtu jemi tek pabarazia në të ardhura, është një tjetër e dhënë e rëndësishme që tregon se sa i madh është hendeku i pabarazisë në të ardhura mes një pjese dhe pjesës tjetër dhe po të shikoni, këtu kemi një shifër të vitit 2017 që ishte praktikisht fillimi i mandatit tonë të 2-të dhe në shifrën e vitit 2023 kur është matur ky hendek nga Instituti Europian i Statistikave, Shqipëria praktikisht renditet përsëri në një pozicion të arsyeshëm me një sërë vendesh të tjera të Bashkimit Europian.
Këtu jemi tek tregu i punës. Kjo është papunësia. Sot kemi nivelin më të ulët të papunësisë ndonjëherë qysh nga fillimi i tranzicionit asokohe dhe kur e kemi marrë detyrën kishim një nivel papunësie goxha të lartë, 17,5% dhe sot për herë të parë kemi papunësi një shifrore dhe këtu e kam të nevojshme t’ju bëj një sqarim të gjithë atyre që thonë se kjo lidhet me faktin se ka rënë numri i popullsisë. Në të vërtetë, përqindja e papunësisë nuk del nga numri i përgjithshëm i popullsisë por del nga forcat e punës në dispozicion dhe praktikisht rënia një shifrore është rezultat i, dhe do ta shohim dhe më vonë, i krijimit të vendeve të punës dhe i përfshirjes më të madhe të shqiptarëve në punë.
Këtu jemi tek të punësuarit, ekzaktësisht. Besoj e keni dëgjuar edhe ju që shpeshherë një nga përqeshjet që bëjnë ata që përpiqen të thonë apo t’ju thonë njerëzve se ne nuk i kemi bërë gjërat siç duhet dhe po e them butë, është përqeshja me zotimin tonë në krye të herës për të rritur me 300 mijë numrin e të punësuarve në Shqipëri. Tani, këtu flasim për shifra që këto dy shifra janë shifra në regjistrin e punës, pra, pas çdo numri këtu ka një emër dhe një mbiemër, ka një person që është i regjistruar në punë dhe që paguan kontribute me sigurimet shoqërore, me sigurime shëndetësore. Ky numër kur ne morëm detyrën ishte 1 milion e 23 mijë persona. Ky numër në fund të vitit të kaluar ishte 1 milion e 327 mijë persona dhe besoj është e qartë që diferenca, se tani ka ardhur një kohë e vështirë për aritmetikën, besoj edhe ju e keni parasysh, njëri thotë 7×7=42, tani doli që 7×7 bëjnë 6 milionë ndërkohë që këto janë shifra të marra nga regjistri i të punësuarve në Republikën e Shqipërisë.
Kjo është një e dhënë tjetër e rëndësishme, të punësuarit me pagë nën 40 mijë lekë. Shikoni sa kanë qenë të punësuarit me pagë nën 40 mijë lekë dhe shikoni se sa janë sot, 14,4% nga thuajse 60% e popullit që kanë pasur pagën nën 40 mijë lekë.
Këtu jemi në një tjetër pjesë që ka të bëjë me rritjen e pagave dhe me parashikimin e programin qeverisës për pagat. Kjo është paga minimale që ne gjetëm kur morëm detyrën, 157 euro, kjo është paga minimale sot 400 euro dhe 500 euro do të jetë paga minimale duke filluar nga janari i 2026 ndërkohë që projeksioni ynë për pagën minimale në Shqipërinë 2030 është 650 euro.
Kjo është rritja e pagave në tërësi dhe këtu kemi pagën mesatare të përgjithshme që do të thotë mesatarja e pagave në administratë dhe në sektorin privat, 322 euro ka qenë mesatarja e pagave, 848 euro është matja e fundit.
Këtu jemi në pagën mesatare në sektorin publik ka qenë 372 sot është 1000 euro dhe projeksioni është 1200 euro në 2030.
Këtu jemi në pensionin mesatar me vite të plota pune, ka qenë 111, sot është 300, por ndërkohë ne e dimë shumë mirë diçka, që sot faktikisht kemi dy blloqe pensionistësh, kemi një bllok pensionistësh që kanë dalë në pension pas 2014 kur ne bëmë reformën e pensioneve dhe kemi një bllok pensionistësh që kanë dalë para 2014 dhe po të shikosh në këto dy blloqe ka plot raste kur 2 pensionistë që kanë bërë të njëjtën punë, po themi mësues, me të njëjtat vite pune, kanë pensione të ndryshme, pensionet pas 2014 janë të gjitha pensione më të larta, pensionet para 2014 janë të gjitha pensione më të ulëta. Pse? Sepse deri kur ne bëmë reformën e pensioneve, faktikisht, në Shqipëri nuk kishte pensione në kuptimin e mirëfilltë të fjalës por kishte asistentë që do të thotë që pensionet nuk ishin të bazuara tek kontributet në sigurime shoqërore por kishte një tavan 24 mijë lekë dhe sado që ti mund të kishe punuar e kontribuuar, kurrë nuk arrije dot të merrje më shumë se 24 mijë lekë prandaj ne sot kemi pensionet edhe 40 mijë, edhe 50 mijë lekë sepse i kemi vendosur mbi bazën e sigurimeve shoqërore. Ajo që ndodhi në fillim të viteve ’90 ishte që kur u mbyllën të gjitha industritë dhe u hodhën të gjithë njerëzit në rrugë, edhe në moshë të re 40-45 vjeç, u konsideruan të gjithë pensionistë edhe iu dha të gjithëve një shumë lekësh si asistencë sociale dhe kjo ka krijuar praktikisht një gropë shumë, shumë të madhe që vazhdon të jetë problem. Vazhdon të jetë problem sepse tendenca e pensioneve është në rritje për të gjithë ata që dalin në pension sot ndërkohë që për ata që kanë dalë në pension para 2014, nuk ka rritje dhe bile është bërë disa diskutimi i indeksimit që ata ngrenë e indeksimit të pensionit, pse pensioni i tyre indeksohet, domethënë si shumë, përqindja është e njëjta e indeksimit por shuma është më e vogël që ata marrin sepse pensioni i tyre është më i vogël dhe faktikisht ajo që ne jemi munduar të bëjmë, është të rrisim bonuset sepse çdo gjë tjetër në këtë fazë ku kemi qenë, do të ishte shumë, shumë e dëmshme për të nesërmen.
Ne kemi filluar shërimin e sistemit por nëse do ta prishnim sistemin, ne do adresonim një problem duke krijuar një problem më të madh. Ama nga ana tjetër është shumë e qartë që pensionet e ulëta janë shumë të ulëta dhe ndërkohë që jeta bëhet më e shtrenjtë ,është shumë e vështirë me ato pensione të mendosh se pavarësisht faktit që nga pikëpamja e sistemit ajo është gjëja që duhet bërë, prapëseprapë shteti nuk mundet dot që të mbetet deri aty sepse duhet gjetur një rrugë që ata njerëz të kenë një mbështetje më të madhe dhe ajo që mbetet për t’u bërë duke pasur parasysh rritjen e ekonomisë që ka hyrë në një fazë shumë pozitive, duke pasur parasysh rritjen e të ardhurave ajo që ne kemi planifikuar, është që paralelisht me bonuset që do vazhdojmë t’i mbajmë, të fillojmë me një rritje të pensionit minimal duke e mbështetur faktikisht nga buxheti i shtetit dhe të arrijmë që brenda kësaj dekade, pensioni minimal të mos jetë më pak se 200 euro dhe këtu, faktikisht përfshihen pikërisht pensionistët e atij blloku të parë që thashë, ndërkohë që pensioni mesatar i bazuar në sigurimet shoqërore do të arrijë në 400 euro.
Këtu jemi tek taksat. Shumë është folur dhe për këtë dhe prandaj thashë, është fatkeqësi e madhe në këtë vend që njerëzit nëse nuk e gjejnë kohën dhe si mund ta gjejë njeriu kohën e të futet të thellohet për të marrë informacion. E kanë të pamundur ta marrin informacionin e vërtetë nga mediat, është e pamundur. Përkundrazi, ju e dini shumë mirë , kur futesh në tv dhe ndjek ato debatet, del më konfuz dhe më i shqetësuar sesa kur hyre. Dhe një nga ato gjëra që janë thënë së prapthi, është që ne kemi rritur taksat. Ne kemi bërë vetëm një gjë në fakt, ne kemi garantuar që të gjithë të paguajnë energjinë elektrike, të gjithë të paguajnë taksat, kontributet shoqërore etj, kemi akoma probleme me informalitetin por ama në këtë aspekt, gjëja ka ndryshuar katërcipërisht ndërsa tek taksat është komplet e kundërta, ne fakti kisht sot pasi morëm një sistem ku kishte një taksë 10% për të gjithë njësoj, pra si sanitarja këtu e pallatit të Kulturës, si kryetari i bashkisë, apo si kryeministri paguanin 10% mbi pagën, njësoj, po 10% shi i pagës së sanitares, është shumë më i madh se 10 % i pagës së kryeministrit. Një taksim komplet i padrejtë për ata që fitojnë më pak, ndërsa ne e kthyem dhe thamë ‘’kush fiton më pak, do paguajë më pak; kush fiton më shumë, do paguajë më shumë’’. Dhe rezultati është ky, 57% e të punësuarve në Shqipëri qofshin në sektorin publik, qofshin në sektorin privat paguajnë 0 tatim mbi të ardhurat, ndërkohë që 93% paguajnë më pak se 10% -shi i famshëm që ishte njësh për të gjithë, që do të thotë që në këtë mënyrë kemi lënë shumë më tepër para në arkën e familjeve sesa kemi marrë për shtetin.
Shikoni këtu, vetëm nga kjo lëvizje që kemi bërë, 145 milionë euro nga të ardhurat, nga tatimi mbi të ardhurat personale të pagës, milionën euro në vit ne nuk i kemi marrë si taksë për arkën e shtetit por i kemi lënë në xhepin e njerëzve. Po 145 milionë euro në vit, nëse llogarisim 10 vjet, nuk jemi më në një shifër të thjeshtë, jemi në 1 miliard e kusur milionë, që do të thotë që kemi lënë 1 miliard e shumë më tepër se aq në xhepat e njerëzve në arkën e familjeve.
Këtu jemi tek një nga gjërat për të cilat unë jam më krenar, tek pabarazia gjinore. Në aspektin e pabarazisë gjinore dhe këto janë marrë nga klasifikimi i përgjithshëm i OKB. Në barazinë gjinore ne ishim ne vendin e 83-të në klasifikimin e Kombeve të Bashkuara, sot jemi në vendin e 23-të. Dhe po të shikojmë këtu, shumë vende të BE, rajoni nuk diskutohet janë shumë prapa nesh. Po të shkojmë pak më tutje, këtu kemi një tjetër të dhënë shumë të rëndësishme, papunësia për gratë është përgjysmuar, pra faktikisht edhe papunësia e grave ka zbritur në një shifrore.
Ndërsa këtu, jemi tek pjesëmarrja e grave në forcat e punës. Vetëm 50% e grave merrnin pjesë në forcën e punës, sot janë 69%, gati 70%. Këtu jemi tek paga mesatare e grave që është rritur në mënyrë shumë, shumë të ndjeshme.
Këto janë investimet e huaja që janë një tjetër komponent i rëndësishëm dhe përsëri këtu janë të marra me rajonin dhe investimet e huaja tregojnë për kapacitetet e reja që ka krijuar ekonomia, që Shqipëria ka praktikisht një nivel më të lartë sesa mesatarja e rajonit.
Këtu jemi tek eksportet. Shumë njerëz duke folur, bazuar tek një Shqipëri që nuk e njohin ose njohin vetëm një pjesë shumë të vogël, por nuk dinë një pjesë tjetër, thonë që këtu s’prodhohet asgjë, këtu s’ka bukë, këtu njerëzit vdesin rrugëve etj, ndërkohë po të shikojmë eksportet e Shqipërisë, pra çfarë Shqipëria eksporton, janë 3 herë më shumë sesa kur ne morëm detyrën.
Kjo është një tjetër tabelë shumë domethënëse për taksat. Ne jemi vendi me taksat më të ulëta në rajon se në Evropë s’bëhet fjalë për ata që fitojnë më pak.
Po të shikojmë këtu, këtu jemi tek taksat e biznesit të vogël. Këtu kemi biznesin e vogël në momentin kur ne kemi marrë detyrën dhe këtu kemi biznesin e vogël sot, që është praktikisht zero taksë mbi fitimin, zero TVSh dhe në tabelën e mëpasshme do shikoni që, për të gjithë ata që kanë një biznes të vogël që bëjnë deri në 100 mijë euro xhiro në vit dhe faktikisht këtu janë 98 mijë biznese të vogla, nuk ka taksë mbi fitimin, nuk ka as TVSh.
Dhe po të shikoni këtu, shuma që çdo vit ua kemi lënë familjeve që vetëpunësohen tek biznesi i vogël, është 66 milionë euro çdo vit. Në 10 vjet shkon mbi gjysmë miliardi. Pra përtej atij 1 miliardë e 450 milionë euro që u ka kaluar njerëzve në vend se t’u merrej taksë, është dhe 660 milionë euro që janë më shumë se gjysmë miliardi, që iu ka kaluar atyre që bëjnë biznes.
Dhe po të shohim një pasqyrë tjetër të atyre që kanë biznes me xhiro deri në 140 mijë euro, këta paguajnë TVSh, por këta nuk paguajnë tatim,fitimi dhe duke mos paguar tatim fitimi janë dhe këtu afro 60 milionë në vit që shteti nuk i merr më, por ua lë atyre, që i bie të dyja kategoritë bashkë përsëri janë mbi 1 miliardë. Është një shumë e konsiderueshme që shteti e ka lënë për njerëzit dhe posaçërisht për biznesin e vogël, pasi ne kemi besuar dhe besojmë që aty është pika ku duhet të mbështetemi për të fuqizuar familjet dhe për të krijuar më shumë punë dhe prandaj deri në 2029 ne nuk do të taksojmë biznesin e vogël.
Këtë e solla dhe e kam sjellë këtu vetëm për të tërhequr vëmendjen në një pikë.
Këtu jemi tek shërbimet online, tek Shqipëria pa sportele, ju e dini shumë mirë të gjithë se përdorni e-Albania dhe bashkë me SPAK, këneta ka thënë që do shkrijë dhe e-Albania dhe do rikthejë sportelet, do rikthejë ato radhët dhe ato historitë e tjera. Ndërkohë që, e vetmja gjë që ne kemi vënë re, që do një korrigjim është për një kategori qytetarësh, kryesisht shumë të moshuar që kanë problem në përdorimin e platformës dhe për këtë arsye drejtohen në disa zyra që i ofrojnë asistencë, por në fakt iu marrin lekë.
Ne kemi filluar të krijojmë gjithë sistemin e asistencës në zyrat e pushtetit vendor, nëpër bashki dhe nëpër njësitë administrative.
Këtu tek jemi tek buxheti i shëndetësisë, i cili ka shkuar nga 250 në 760 milionë euro. Nëse i shtojmë dhe mbrojtjen sociale dhe kemi një ministri për të dyja, Shqipëria sot për shëndetësi dhe mbrojtje sociale ka vënë në dispozicion të popullit 1 miliardë euro.
Këto janë pagat e mjekëve. 490 euro ishin, mesatarja gjithmonë se ka dhe shumë më tepër. 1670 euro janë sot mesatarja dhe 2000 euro do jetë mesatarja në 2030-ën.
Këtu jemi tek një sërë të dhënash që lidhen me çfarë kemi bërë ne për fëmijët me nevoja të veçanta, për personat me nevoja të veçanta, gra të dhunuara e kështu me radhë, por dua vetëm të theksoj që për fëmijët me aftësi speciale siç i quajmë, qofshin fëmijët autikë, qofshin fëmijët që kanë probleme të natyrave të ndryshme ne do të dyfishojmë asistencën, do dyfishojmë mbështetjen financiare për nënat e tyre sepse e kemi shumë të qartë të gjithë se çfarë vështirësie është dhe sa e nevojshme është asistenca.
Janë shumë shërbime të reja që janë krijuar për gjithë llojet e kategorive edhe grupeve në nevojë.
Unë do veçoja një tjetër ndryshim që ne kemi bërë për të gjitha nënat e papuna me tre fëmije ose më shumë, qeveria paguan çdo vit sigurimet shoqërore dhe shëndetësore në mënyrë që ato nëna të mos mbeten pa pension për shkak se nuk kanë mundësi të punojnë se kanë shumë fëmijë të vegjël dhe kështu që, prej disa vitesh ka filluar pagesa për to në fondin e sigurimeve shoqërore dhe janë rreth 10 mijë nëna të tilla.
.
Kjo është ndihna ekonomike e cila është trefishuar faktikisht si buxhet.
Sot kemi një sistem shërbimesh sociale në gjithë bashkitë e vendit.
Kur ne morëm detyrën bashkitë nuk bënin shërbime sociale dhe ishte një problem i jashtëzakonshëm. Janë shërbime të reja, kanë nevojë për më shumë mbështetje, kanë nevojë për përmirësime, por ama rrjeti i shërbimeve sociale sot është i shtrirë në të gjitha bashkitë e vendit.
Ky është bonsui i bebes. Janë 227.000 fëmije që kanë lindur që kanë marrë çekun.
Çekun siç e dini, ne e kemi rritur. 400 euro për fëmijën e parë, 800 për të dytin, 1200 për të tretin dhe pastaj me radhë. Do bëjmë një ndryshim të kësaj. Nuk do bëjmë më thjeshtë një ccek në momentin e lindjes, por do të vendosim një financim çdo muaj mbështetje për fëmijët që do jetë sipas numrit.
Pra për fëmijën e parë financimi do zgjasë x vite, për fëmijën e dytë X vite, për fëmijën e tretë X vite, gjithmonë është e qartë që sa më shumë fëmijë, aq më shumë zgjat financimi. Kjo është ideja.
Ky është numri i shkollave të reja që kemi ndërtuar.
Dhe mbeten dhe 200 shkolla që kanë nevojë të ndërtohen dhe rindërtohen në mënyrë që të mbyllim edhe këtë pjese se kur kemi filluar gjithë procesin e ndërtimit dhe rindërtimit të shkollave, faktikisht ishte situata shumë dramatike. Ndërkohë që, për sa i përket për shembull pjesës së sportit në shkollë, gjithçka e kemi ringritur nga e para. Për sa i përket programeve pas shkolle, dhe ato janë ringritur nga e para dhe do vazhdojnë të fuqizohen.
Kjo është paga e mësuesve. Ka qenë 420, sot është 850 mesatarja, do shkojë 1250 në 2030.
Këtu kam sjellë një pasqyrë vetëm të investimeve të qarkut të Kukësit se dhe në këtë aspekt është ajo që po ju thosha në fillim se është shumë e vështirë ta dish kur jeton në një pikë se çfarë ndodh në pikat e tjera, nëse nuk ka një sistem informacioni. Ne përpiqemi, bëjmë tonën, i nxjerrim i publikojmë, por ato mbeten thjeshtë çështje të rrjeteve tona sociale sepse kur vjen puna nëpër ekrane dhe nëpër portale, ata merren me punë të tjera. Nuk kanë lidhje fare me informimin e njerëzve për shumë gjëra që lidhen sidomos me ekonominë.
Këtu jemi te infrastruktura. Shikoni këtë se kjo është e rëndësishme.
Të gjitha këto që shihen këtu janë infrastrukture rrugore ne qark me asfalt apo rrugë të bardha, domethënë rrugë të shtruara që janë në zona shumë të thella. Dhe faktikisht kemi 177 kilometra rrugë të brendshme, brenda për brenda qarkut që janë transformuar, 153 projekte dhe 134 milion euro. Faktikisht ka ende disa pika pa akses të arsyeshëm, por në raport me ku jemi nisur kemi siguruar në përgjithësi akses të arsyeshëm.
Ky është ai që ne e quajmë rigjenerim urban dhe këtu në Kukës besoj, edhe në Bajram Curr, edhe në Has më pak, por besoj që jeni dëshmitare të gjithë ndryshimit që ka ndodh, qoftë me qendrën e qyteteve, qoftë me lagjet. Ka akoma blloqe të tjera në proces më bashkinë Kukësit, por deri tani janë bërë 35 projekte rigjenerimi urban dhe janë investuar 17 milion euro.
Këto janë projekte që lidhen me turizmin dhe me mjedisin, edhe 7 projekte me vlerën 2.4 milion euro dhe këtu dua të prek një element që është shumë i rëndësishëm për këtë zonë.
Unë hyj tek ata që besojnë që miniera e arit për turizmin shqiptar, nuk është bregdeti, po janë malet.
Tani ka filluar edhe huajt t’i zbulojnë malet e Shqipërisë, por momenti kur në male do të fillojë edhe një zinxhir investimesh si ai që zhvillohet prej kohësh në bregdet, aty do të jetë momenti kur të ardhurat nga turizmi malor në Shqipëri do të kthehen në një burim shumë, shumë, shumë serioz për ekonominë tonë.
Dhe një nga zonat që mbetet e gjitha për t’u vënë në funksion të kësaj është edhe zona e këtij qarku, ku ju e dini shumë mirë, prej vitesh ekziston problemi i titujve të pronësisë dhe për këtë arsye, shumë njerëz që duan të investojnë në agroturizma dhe agroturizmat që janë bërë sot e tregojnë shumë qartë se çfarë dobishmërie dhe kthimi kanë investimet në malet e Shqipërisë.
Ata që kanë guxuar dhe që kanë investuar në agroturizma në zonat malore kanë bërë një investim fantastik për veten e vet, edhe patjetër që kanë ndihmuar edhe ekonominë lokale.
Por duke qenë se në një pjesë të madhe, këtu njerëzit nuk e kanë pranuar 7501, por janë kthyer tek tokat e të parëve, edhe faktikisht, përgjithësisht pa konflikte ka rënë dakord që këtu e kam unë, këtu e ke ti.
Ne bëmë ligjin 20/2020 për të lehtësuar proceset, por prapë duke qene se ligji 20/2020 kërkon që të gjithë kufitarët bien dakord, e tjerë e tjerë kufitarët, ca janë, ca s’janë, ca janë në Amerikë. Tani kemi bërë, kemi kaluar parlament dhe do fillojë të funksionojë mbas zgjedhjeve, sepse nuk mund të hynte në fuqi se kemi këto kufizimet e ligjit zgjedhor, mbas zgjedhje do fillojmë të fusim në punë Paketën e Maleve.
Paketa e Maleve është shumë e thjeshtë dhe është në dispozicion të të gjithë atyre që duan të investojnë në tokat e të parëve apo në toka ku bien dakord me pronarët për turizëm dhe agroturizëm, dhe patjetër edhe për blegtori, për agropërpunim, agrobiznes duke bërë vetëm disa hapa shumë të thjeshtë. E para toka që është fakt, pra, pronari faktik, por që nuk figuron në letra shkon në bashki dhe depoziton kërkesën që t’i njihet kjo tokë, si toka e tij, e të parëve të tij. Bashkia e përcjell në këshillin bashkiak dhe bënë afishimin për 30 ditë të këtyre pretendentëve. Natyrisht, bashkia ka të gjithë instrumentat që bëjnë verifikimet me fshatin, me njerëzit atje: Po, toka është e këtij s’kemi ne probleme.
Në momentin që mbaron 30 ditëshi dhe personi ose personat rezultojnë që janë të pa kontestuar, atëherë Këshilli Bashkiak iu jep atyre vendimin që mund të zhvillojnë një investim në tokën e tyre.
Me atë vendim, ata bëjnë një projekt dhe në Ministrinë e Ekonomisë bëjnë një kontratë dhe tokën e marrin me 1 euro. E marrin me 1 euro me kontratë të rregullt e investojnë në momentin kur mbaron investimi marrin lejen për ta regjistruar në hipotekë si pronën e tyre dhe nëse ndodh që mbasi ata e kanë kryer investimin dhe e kanë regjistruar në hipotekë, si pronë e tyre del dikush, del një që thotë, “jo, po prit se jam unë”, ky personi që ankohet, nuk ka më mundësi t’ju ndërhyjë këtyre në atë që kanë bërë, por shteti merr përsipër që ta gjykojë çështjen e tij dhe ta kompensojë diku tjetër.
Pra, është shumë e thjeshtë si procedurë dhe ka dhe gjë tjetër, se e di që po na dëgjojnë çunat që keni në Londër. Ka dhe një gjë tjetër që për 500 aplikimet e para ata që do të marrin 500 lejet e para për 10 vjet, nuk do të paguajnë asgjë. Domethënë, thjesht, thjesht do bëjnë investimin dhe 10 vjet s’do kenë asnjë lloj takse për të paguar.
500 të parët, i 501 do të tatohet, siç tatohen agroturizmat, po prapë është janë shifra shumë të vogla në krahasim me bizneset e mëdhaja.
Këtu jemi tek ujësjellës kanalizimet.
Deri tani kemi investuar 25 milionë euro për ujësjellës kanalizimet këtu. Ka akoma disa projekte të tjera që duhet të ecin dhe të përfundojnë.
Tek energjia. Për përmirësimin e furnizimit me energji janë bërë 42 projekte për 18 milionë euro në qarkun e Kuksit.
Këtu jemi tek bujqësia 9 milionë euro për 28 projekte, këto janë projekte, këto janë para, mbështetje për njerëzit që kanë bashkëpunuar me qeverinë, me aplikime ose janë fonde të dedikuara për kanalet ujitëse, kanale kulluese, kështu me radhë.
Këtu jemi tek arsimi, kemi investuar gati 20 milionë euro në arsim në Kukës për 70 projekte.
Ky është sporti. Janë dhe këtu pjesën e luanit kuptohet e ka stadiumi i Kukësit.
Në shëndetësi dhe Kujdes Social kemi parasysh që investimet, qoftë në spital, qoftë në qendrat shëndetësore janë 27 projekte për 7 milion euro.
Në total në qarkun Kukës, në këtë dekadë që ne qeverisim janë realizuar 417 projekte me një vlerë 235 milion euro.
Këtë vlerë projektesh nuk e kanë realizuar të gjitha qeveritë e tjera të marra së bashku. Patjetër që ka nevojë për akoma më shumë, por pikërisht se ka nevojë për akoma më shumë, ne duam mandatin e katërt.
Ju falënderoj shumë për durimin!
Shpresoj që nuk u mërzitët, por mendova që ishte e udhës që ta bënim këtë prezantim edhe për të tjerët sepse siç thashë, është problem i madh sepse nuk ka se si ndryshe njerëzit të dinë ekzaktësisht se çfarë është bërë, si është bërë etj.
Shumë, shumë faleminderit!