Lushnje,

Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama:

Shumë faleminderit për këtë dallgë kaq të bukur ku përzihen ngjyrat e flamurit më të bukur në botë me ngjyrat e flamurit të ëndrrës më të vjetër në botë për ne.

Do të doja shumë sot këtu, tani, në këtë moment që të ishte me ne, edhe dikush që me siguri do të ishte shumë i buzëqeshur, duke parë këtë peizash fantastik, deputetin e Lushnjes, Bashkim Finon, të cilin e kujtova pikërisht kur po hyja aty në mes të njerëzve dhe dua të besoj se po na shikon nga lart dhe se nga ana tjetër, të gjithë ju që jeni këtu bashkë me shumë më tepër akoma që sot nuk janë në këtë shesh, por do të jenë padiskutim në kutitë e votimit të dielën, së bashku me të gjithë ata, që nuk do të jenë dot në kutitë e votimit, por në ndërkohë po i dërgojnë votat e tyre nga jashtë kufijve të Shqipërisë, do të bëni të mundur që nga numërimi i 11 majit të dalë fitorja më e bukur e Partisë Socialiste.

Ne kemi fituar në mënyrë të përsëritur këtu në  Lushnje, ashtu sikundër edhe në Divjakë dhe kemi bërë gjithçka kemi mundur me fitoret tona,pasi ne nuk jemi në një ndeshje apo në një cikël ndeshjesh sportive dhe fitorja nuk është qëllim në vetvete, fitorja është vetëm mjeti për të arritur qëllimet tona të përbashkëta.

Ne, sot falë punës që së bashku kemi bërë, por mbi të gjitha falë mbështetjes së jashtëzakonshme që ju dhe shumica dërrmuese e qytetarëve të këtij qarku na ka dhënë, kemi arritur të bëjmë një transformim të madh, një transformim të madh që nga qendrat e qyteteve të këtij qarku dhe deri në të gjitha territoret, ku shtrihen tokat pjellore dhe ku ne së bashku ia kemi dalë që të rrisim në mënyrë shumë të ndjeshme prodhimin dhe eksportet bujqësore.

Ashtu sikundër, ia kemi dalë, po ashtu, në këto vite që të ndërtojmë shkolla të reja, të krijojmë hapësira të reja për fëmijët, nxënësit dhe nxënëset e Lushnjes dhe të Divjakës, ashtu sikundër ia kemi dalë të krijojmë kushte të tjera për të gjithë ata që kanë nevojë për kujdesin e qendrave shëndetësore, ashtu sikundër ia kemi dalë edhe në plot gjëra të tjera, por të jeni të bindur dhe të jeni të bindura që unë jam shumë i vetëdijshëm se kemi ende gjëra të mëdha për të bërë së bashku dhe dua të besoj se ky mandat i katërt, do të jetë një moment shumë i rëndësishëm për transformimin e mëtejshëm të Lushnjes dhe Divjakës në një aspekt të veçantë, në aspektin e krijimit të një baze të vërtetë të industrisë ushqimore të vendit, në aspektin e krijimit të një rrjeti të vërtetë infrastrukture ku të gjitha ato që janë ndërtuar deri më sot, qofshin pika grumbullimi, qofshin pika agropërpunimi, qofshin pika agroturizmi do të lidhen të tëra dhe do të shtohen si një gjerdan shumë i bukur rreth e rrotull të gjithë territorit të këtyre 2 bashkive.

Përtej, çfarë ne do të bëjmë së bashku këtu, çfarë ne do të bëjmë së bashku në çdo drejtim, ka një gjë tjetër shumë të madhe që ne do të duhet ta bëjmë së bashku, ka një gjë tjetër që është përtej kohës që jetojmë sot, ka një gjë tjetër, që lidh kohërat nga vijmë me kohërat kur Shqipëria shkon, ka një gjë tjetër që lidh amanetin e stërgjyshërve tanë me borxhin që ne u kemi fëmijëve tanë dhe kjo është mundësia e artë që na është dhënë, mundësia, që fati për hir të vërtetës na e ka dhënë ne, mua, juve që jeni këtu, të gjithë shqiptarëve dhe shqiptareve që jetojnë sot në Shqipëri apo jashtë Shqipërisë, në një moment ku ëndrra jonë e vjetër, profecia e Gjergj Kastriotit për fatin europian të shqiptarëve, amaneti i rilindasve për të parë dhe për të jetuar gjithmonë me diellin që lind andej nga perëndon, të gjitha përpjekjet e këtij populli për të shkuar drejt shtëpisë së madhe të Europës së bashkuar dhe mbërritja deri pranë saj përkojnë me dëshirën dhe me interesin e asaj shtëpie për të na ftuar brenda, gjë që ka sjellë që dera e asaj shtëpie për herë të parë është hapur dhe fillon nga 11 maji hedhja e hapit historik të futjes në atë shtëpi.

Unë besoj shumë që ky fat, nuk ka ardhur absolutisht rastësisht, ka ardhur si rezultat, qoftë i një përpjekjeje të madhe nga ana jonë, por edhe e një momenti domosdoshmërie, ku populli shqiptar, ky popull ndër më të vjetrit e Europës, i cili jeton në zemër të Europës, nuk mund më të vazhdojë të jetojë si një popull i huaj në kufi me Europën, por është koha që të bëhet popull europian i barabartë me popujt e tjerë europianë, jo vetëm me zakon sepse me zakon ne na takon, na ka takuar gjithmonë, por edhe me ligj. Me ligj do të thotë edhe me një dokument të një identiteti të ri europian, me pasaportën e Bashkimit Europian që konfirmon atë që në fakt është identiteti ynë i vjetër.
Shqiptarët janë në themelet e Europës, shqiptarët kanë qenë gjithmonë aty dhe e gjithë ajo që ka ndodhur me ta, në kaq shumë shekuj ka qenë pesha e një historie, që nuk ka qenë asnjëherë bujare me ta dhe nuk është e rastësishme, pavarësisht se të vegjël, pavarësisht se të varfër, pavarësisht se të pa përkrahur, pavarësisht se shumë shpesh të shtypur nga fuqi shumë më të mëdha, pavarësisht se nganjëherë të gjendur përpara orekseve të jashtëzakonshme për t’u gëlltitur dhe për t’u asimiluar, ja ku janë shqiptarët. Janë prapë këtu nw mes të Europës. Janë më mirë se cc‘kanë qenë ndonjëherë dhe më të vendosur se asnjëherë për t’u bërë pjesë e BE.
Është e jashtëzakonshme realisht, është magjepsëse ta mendosh që kjo histori mund të vijë dhe të lidhet deri tek një votë, tek vota e secilit prej nesh. Që kjo histori të vijë dhe të kwrkojë që ne të bashkojmë duart tona, që ne të kapërcejmë hendeqet mes nesh, që ne të mos shohim majtas e djathtas, por të shohim vetëm drejt dhe që duke i bashkuar votat tona si një mishërim i vullnetit tonë të përbashkët, ne t’i japim një shtysë shumë të fortë Shqipërisë. T’i japim Shqipërisë një fuqi të re për të përmbushur objektivin e mbylljes së negociatave me BE për të nënshkruar marrëveshje brenda 2027 dhe për ta çuar Shqipërinë si zonjë në sallonin e madh të asaj shtëpie, brenda kësaj dekade. Kjo është e jashtëzakonshme.
Ashtu sikundër, vetw historia është e jashtëzakonshme, kur ajo bëhet në sytë e njerëzve, por ama nga ana tjetër, janë njerëzit e zakonshëm, që janë një forcë e patjetërsueshme, e pazëvendësueshme për ta bërë historinë. Njerëzit e zakonshëm sot kanë në dorë të bwjnë një gjë të jashtëzakonshme dhe është vetëm një ditë votimi, është vetëm një fletë votimi, është vetëm një vullnet për të votuar.
Kemi votuar tanimë shumë herë. Nuk qëllon që zgjedhjet për qeverinë  e ardhshme, apo për kryetarin e ardhshëm të bashkisë apo për këshillin e ardhshëm bashkiak të përkojnë dhe me historinë. Qëllon shumë rrallë. Mund të mos qëllonte asnjëherë, por ja që është e dyta është që historia dhe zgjedhjet për një qeveri të radhës bashkohen me njëra-tjetrën. U bashkuan në mars të vitit ’92 kur shqiptarët masivisht votuan PD dhe pse shumica e tyre nuk ishin mbështetës të PD, gjë që e treguan zgjedhjet e 6 muajve më pas të pushtetit vendor, por ama votuan PD sepse i bashkoi vendi dhe i bashkoi ora e historisë së shqiptarëve për të bërë ndarjen e plotë, të qartë, përfundimtare me të shkuarën dhe për ta përqafuar përfundimisht Europën.

Në 11 maj është e njëjta gjë, është ekzaktësisht e njëjta gjë. Në 11 maj, ne duhet të shkojmë në votim me sensin e urgjencës. Është urgjenca përpara të cilës na ka vendosur historia, duke bërë që të jemi i pari vend nga të gjitha vendet ish komuniste nga negociatat me BE, të cilit i jepet mundësia që t’i mbyllë të gjitha negociatat në vetëm 3 vjet. Por ama, kjo nuk është një dhuratë. Kjo është diçka, qw e kemi arritur me shumë mund, por për të cilën na ka ndihmuar dhe Zoti, duke bashkuar yllin e fatit tonë me yjet e fatit të BE.

Dhe ashtu siç kjo mundësi na ka ardhur në dorë, ashtu kjo mundësi mund të na ikë nga dora, nëse ne me dorën e hapur tamam kështu siç thonë dhe gishtat e kësaj dore, numri 5 nuk e kapim këtë mundësi dhe ta bëjmë një realitet të së nesërmes të Shqipërisë, të gjithë shqiptarëve dhe të fëmijëve tanë.

Ju e dini shumë mirë çfarë duhet të bëni në 11 maj, përderisa keni ardhur sot këtu dhe përderisa jeni se bashku këtu dhe përderisa akoma i duroni fjalimet e mia, që me siguri kushedi sesa herë i keni dëgjuar deri tani. Por, ajo që duhet bërë deri në 11 maj, nuk është thjeshtë që të prisni që të vijë momenti dhe të shkoni të votoni, por që çdo moment deri në atë moment ta shfrytëzoni për të bërë të tjerë me vete.

Ta shfrytëzoni për t’i telefonuar atyre në emigracion që i kanë marrë zarfet dhe nuk i kanë kthyer akoma mbrapa. Ta shfrytëzoni për të folur me ata që janë akoma të lëkundur. Ta shfrytëzoni për t’u folur fqinjëve tuaj, për t’u folur bashkëfshatareve, bashkëqytetarëve tuaj që deri më sot kanë qenë në anën tjetër dhe për t’iu thënë që në 11 maj nuk ka dy anë, në 11 maj ka vetëm një drejtim, është drejtimi i Shqipërisë 2030 në BE.
Unë ju jam jashtëzakonisht mirënjohës për të gjithë mbështetjen që më keni dhënë dhe na keni dhënë. Unë kam shumë bindje që ne sot jemi më të ditur, jemi më me experience, por dua që dhe ju të keni bindjen që ne sot jemi më të vendosur se asnjëherë për ta çuar deri në fund misionin tonë.
Tre mandate me radhë, ne nuk na kanë lodhur. Tre mandate me radhw nuk na kanë hequr dëshirën për të bërë më shumë për vendin. Tre mandate me radhë na kanë mësuar shumë dhe po ashtu na kanë bindur çdo ditë e më shumë se jo vetëm ky vend që po bëhet është një vend që mund të lulëzojë këtu në mes të Europës po dhe se ne do ta bëjmë të lulëzojë këtu në mes të Europës, duke i dhënë atë që i ka munguar në jetë të jetëve. Dinjitetin e barabartë të një vendi europian mes vendesh europiane. Duke i dhënë këtij flamuri, flamurit të Skënderbeut, flamurit të Ismail Qemalit, flamurit të shumë luftërave, të shume sakrificave, të shumë lotëve, të shumë plagëve, të shumë varreve por njëkohësisht të shumë këngëve e të shumë shpresave vendin që i ka munguar atje në oborrin e  Europës.

Dhe duke i dhënë sot fëmijëve që nuk votojnë  dot gjënë më të madhe, që një prind shqiptar mund t’i japi fëmijës se vet, atë që prindërit tanë nuk na i dhanë dot, atë që gjyshërit tanë nuk ja dhënë dot prindërve tanë, atë që stërgjyshërit tanë nuk ia dhanë dot gjyshërve tanë, atë që në breza në histori askush nuk ia dha dot brezit tjetër, por ama ia përcolli si amanet shpirti europian të mishëruar në pasaportën europiane.
Dhe prandaj çdo prind duhet të mendojë 2 herë në 11 maj nëse nuk e ka ndarë mendjen, se çfarë duhet të bëjë, siç e kemi ndarë mendjen ne të gjithë këtu. Duhet të mendojë, jo për çka bërë më parë,në shumë herë për shkak të bindjeve të tij, për shkak të simpative të tij, për shkak të inateve të tij, por duhet të mendojë se çfarë duhet të bëjë për fëmijën e tij që kur këtë pasaportë europiane, fëmija ta marri në dorë, ai baba të ndjehet mirë që në 11 maj bëri gjënë e duhur për marrjen e asaj pasaporte. Dhe të ndjehet mirë që ai baba, ajo nënë, ata prindër i dhanë fëmijëve me votën e tyre përtej pëlqimit apo mos pëlqimit për mua, për Partinë Socialiste për ju dinjitetin e barabartë europian me të gjithë fëmijët e Europës.
Kështu që, më qartë sesa na ka sjellë historia mundësinë unë nuk besoj se ka, është e qartë si drita e këtij dielli përballë meje dhe është e qartë si bindja dhe energjia e të gjithëve ju këtu të mbledhur së bashku.
Le të shkojmë në 11 maj të bindur se kjo është një thirrje që vjen nga larg dhe nuk është thjeshtë një zgjedhje që vjen në 4 vjet dhe le të bëjmë gjithçka deri atë ditë që në 11 maj të jenë më shumë sesa kurrë votat kuq e zi në kuti.
Shumë faleminderit të gjithëve!
Shumë faleminderit, mirënjohje!
Rroftë Lushnja! Rroftë Divjaka!
Shumë faleminderit dhe dua të them në fund të gjithë atyre që thonin: Pse Edi Rama mbledh gratë? Shikojeni se sa shumë burra kanë ardhur tani pasi u mblodhën gratë.
Shumë faleminderit, shumë faleminderit!
Edhe ftoj këtu edhe skuadrën tonë, komisaren e qarkut të Fierit, Petritin që nga studimet e nga punët përtej kufijve në lloj-lloj vendesh e nga kontributet për institucionet ndërkombëtare e kemi sjellë tani këtu në Lushnje dhe në Divjakë që të marri atë që duhet për të qenë jo vetëm një teknik i mirë, po për të qenë edhe një përfaqësues i denjë dhe bashkë me Kiduinën, vajzën e Lushnjës, që është e qeshur gjithmonë e me të gjithë djemtë, me Anën patjetër po ashtu, deputeten e Divjakës dhe atyre që thonë: “Nuk e votoj dot Partinë Socialiste mor vëlla, nuk e votoj dot”, i them: po mirë mo, mos e voto Partinë Socialiste, mos shko aty te ajo kutia e madhe nëqoftëse  të bën efektin e asaj rrobës së kuqe mbi sytë e demit, zbrit më poshtë dhe merr një nga ato kutitë më të vogla dhe zgjidh njërin nga ata që janë në skuadër.
E do vajzë, e do grua, e do burrë, e do djalë, e do nga Lushnja, e do nga Divjaka, të tëra zgjedhjet janë në këtë skuadër. Prandaj mos ngurro, merre votën, hidhe drejtë, mos u hidh bashkë me votën në kënetë.
Shumë faleminderit!