Lushnje, në takimin me njerëzit për punët e realizuara të bashkisë dhe perspektivën e së ardhmes
Në Lushnjën e transformuar, falë investimeve të reja dhe punëve të mbarëvajtura të bashkisë, vijoi takimi i Kryeministrit Edi Rama me qytetarët për çfarë është bërë deri më sot, e çfarë pritet të bëhet në të ardhmen.
* * *
Shumë faleminderit të gjithëve dhe më vjen keq që një pjesë e madhe mbeti jashtë për shkak se shiu nuk na la ta bënim këtë prezantim në shesh, por nga ana tjetër duke shpresuar se do të ketë më shumë shi në veri sepse aty na duhet. Gjithsesi shiu është bereqet kështu që le të mos qahemi.
Kur po bënte Eriselda prezantimin, mu kujtua se në 2011 kemi qenë akoma në opozitë, më thonë mua “ka një problem të madh me Hallkajn sepse ka një sherr të madh dhe nuk merret vesh se kush duhet të jetë kandidati. Janë 4 kandidatë që zihen”, e ku di unë. I thërras unë. E vijnë tre burra dhe futet dhe një vajzë. “Ti çfarë do”, – i thash unë, “jam kandidate”, – tha. Filloi biseda. Unë e mora lehtë këtë, i thashë, “ti ke kohë”. “Jo, unë kohë kam”, – tha, “por puna është mos humbasim kohë”. E ja ku jemi sot. Ne humbëm kohë, por më në fund Eriselda e nxori të vetën, jo si kryetare e komunës Hallkaj, po si kryetare e gjithë bashkisë Lushnje.
Për hir të së vërtetës, puna e saj flet mirë, flet bindshëm. Unë nuk kam shumë gjëra për të shtuar përsa Eriselda prezantoi, por besoj që sot ne patëm një moment të rëndësishëm për të kuptuar se çfarë duhet të bëjmë më tutje edhe pse nevojat dhe kërkesat unë i kisha që më përpara, po me siguri është e domosdoshme tani që ne të ndërhyjmë përsëri nga ana e qeverisë për unazën e qytetit që është një aks shumë i rëndësishëm dhe në fakt ishte shumë i amortizuar dhe aty ka dhe shumë biznese që janë vlerë e shtuar për këtë komunitet.
Për ndërtimin e atij kombinatit që ndryshe Eriselda e quajti qendra, nuk e di sesi ja vuri emrin, por aty është shumë e rëndësishme që ne të kemi një pikë ku të përpunojmë më shumë produkte sepse në aspektin e grumbullimit, kemi bërë shumë hapa përpara. Kur ne e morëm këtë detyrë, në bashkinë e Lushnjes kishte dy pika grumbullimi. Sot janë plot 19 pika funksionale nga të cilat 17 janë të mbështetura drejt për drejt nga fondet e qeverisë përmes AZHBR-së dhe bazuar te procedurat e lejeve të dhëna dhe çfarë pritet më tutje, numri shkon në 40 nga 2. Por është vetëm 1 agropërpunim. 1, i cili është një tregues shumë i qartë se pse agropërpunimi është shkalla tjetër që duhet ngjitur për ta mbyllur ciklin e për të pasur më shumë sukses, më shumë punësim cilësor dhe për të bërë të mundur që asgjë të mos iki dëm.
Çfarëdo që mbetet, sado %, 5%, 7%, 10%, 3% nga frutat dhe perimet të cilat futen nëpër arka për të ikur për eksport, të mos hidhet, por të shkojë për përpunim. Të bëhet reçel, komposto, salcë të bëhet çfarëdo qoftë tjetër dhe në këtë drejtim ne do mbështesim ndërtimin e asaj qendre, atij kombinati ku patjetër do të krijojmë kushtet edhe për të pasur doganën këtu, në mënyrë që eksportuesit të mos kenë fare nevojë të ndalojnë në asnjë pikë tjetër doganore, por për ta pasur menjëherë që këtu shërbimin doganor ku patjetër do të jetë e mundur të krijohen dhe sinergji të tjera në aspektin e shkëmbimit të dijeve, këshillimit e kështu me radhë. Unë besoj se me Eriseldën do ta çojmë përpara këtë projekt shumë shpejt.
Ashtu sikundër pashë sot edhe kompleksin e ri sportiv që po bëhet, është në fakt një potencial më vete ajo gropa e madhe gjysmë e ndërtuar dhe gjysmë e mbuluar me dhera e ferra e pishinës. Do ta mbështesim edhe atë projekt. Duke filluar me pishinën e hapur që është shumë e favorshme sidomos për fëmijët dhe ndërkohë koha këtu për 8 muaj të lejon që ta shfrytëzosh të hapur dhe pastaj kur të kryhen shpronësimet e nevojshme dhe kur të bëhet projekti i plotë për gjithë pjesën tjetër, të shkojmë në fazën tjetër dhe të bëjmë pishinën e mbyllur.
Ajo që më vjen shumë mirë të them sot këtu është që më në fund, për pak javë gjithë qyteti i Lushnjes do ketë ujë 24 orë. E kam pak fiksim këtë punën e ujit 24 orë, në kuptimin që sa herë e them, hidhen disa aty te Facebook-u im përpjetë dhe thonë “akoma merren me ujin, po s’ju vjen turp juve”. Tani, duhet të na vijë turp ne që po e bëjmë. Unë s’e kuptoj çdo me thënë kjo. Ndërkohë që, unë kam qenë në Lushnje edhe përpara sesa të vinte “Liri – Demokracia”. Këtu nuk ka pasur ujë 24 orë. Më kujtohet që kemi ardhur te hotel “Myzeqeja”, atje rrinim sepse bënim një punë këtu te muzeu. Te hotel “Myzeqeja” rubineti fishkëllente, po ujë nuk nxirrte. E ishte me orar të kufizuar në atë kohë, në qytet. Tani qyteti do të ketë ujë 24 orë. Sigurisht që nuk është mirë për një vend në mes të Europës që të diskutojë ujin 24 orë në vitin 2020, 2021, 2022, por nga ana tjetër, mua jo vetëm që nuk më vjen turp që po bëjmë të mundur ujë 24 orë në të tëra qytetet e Shqipërisë, po përkundrazi mendoj që kjo është një arsye për tu ndier të turpëruar ata të cilët nuk bënë asgjë. E nuk e pranoj kurrë, që kur flitet për ujë 24 orë, hidhen ca e thonë “kështu jeni të gjithë ju. Vetëm vidhni PS-ja dhe PD-ja”. Jo mo jo se s’jemi njësoj. Nuk jemi fare njësoj se po të ishim njësoj do kishte akoma dy pika grumbullimi në Lushnje, nuk do kishte 19. Po të ishim njësoj, mund t’i marrim të gjitha me radhë që do ishin njësoj, po s’janë njësoj dhe kjo nuk është çështje e progresit në vite. Kjo s’ka lidhje me progresin e viteve, “se e ka sjellë vetë koha”. Jo nuk e ka sjellë koha që ne sipas të gjitha gjasave në fund të këtij viti mund të kemi gjysmë miliardi eksporte bujqësore. Nuk e ka sjellë koha këtë. Nuk i ka sjellë koha gjithë ato pika grumbullimi dhe nuk e ka sjellë koha gjithë atë prodhim. Nuk e ka sjellë koha që kjo shifër dhe kjo sasi eksportesh është më e madhja në historinë e vendit, nuk është më e madhja në raport me të kaluarën.
Kur ne kemi marrë detyrën, eksportet ishin 120 milion. Turp i madh. Kur unë vija në Lushnje e takohesha me fermerët, takohesha me njerëz, ata ishin heronj, bënin heroizëm, por pa asnjë lloj mbështetjeje, zero, se po të ishim njësoj do vazhdonin të punonin gjysmën e tokës bujqësore të Shqipërisë.
Punojmë dyfishin sot pikërisht sepse nuk jemi njësoj, sepse s’kemi si të jemi njësoj. S’mund të jemi njësoj ne me “non gratat” e me spiunët, nuk jemi njësoj. Dhe po të ishim njësoj, sigurisht që sot aty në takimin e gjithë grumbulluesve, nuk do ishin të gjithë ata, qofshin të majtë e qofshin të djathtë të gjithë aty në takim, edhe ata të PD-së aty në takim.
Se s’jemi njësoj, ata votojnë, puna e tyre për ça votojnë, shpresoj që tani ta marrin atë kthesën po edhe po s’e morën nuk ka rëndësi ça votojnë. Rëndësi ka që si atyre të PS-së si atyre të PD-së, shërbimin ua bën Partia Socialiste. Se do t’i kishin pikat e grumbullimit me mbështetje nga qeveria përpara, pse si patën? Po ata njerëz janë. Punën e kanë bërë dhe më përpara po produkti që kanë marrë, ka qenë një produkt mbijetese.
Sot unë e them me plote gojën, sot në bujqësi, në këtë zonë dhe s’kam parasysh vetëm Lushnjën, kam parasysh edhe Divjakën, edhe Fierin, po fjala Divjakë nuk mund të shqiptohet po nuk ishte Erion Braçja prezent, por po t’i mbledhim të gjitha bashkë, unë po ju them që nuk diskutohet që të rrish në Greqi e të punosh nëpër fusha të Greqisë sot apo në Itali e të mos vish të punosh këtu, është budallallëk, sepse këtu fiton më shumë se atje sot, këtu, tani që flasim. Të vish këtu dhe të punosh në pikat e grumbullimit apo me grumbulluesit, apo me prodhuesit seriozë këtu, fiton më shumë, nuk diskutohet. Ky është fakt, në raport edhe me atë që shpenzohet, kuptohet. Kështu që nuk është absolutisht njësoj.
Unë nuk dua të ndalem shumë gjatë tek pjesa e Lushnjes, por dua ta mbyll me vizitën e parë që bëmë sot tek fabrika e mermerit. Një superfabrikë pa diskutim, në rajon nuk ka. Super fabrikë. 50 vende pune bosh, të lira. 50 vende! Pagat konkurruese me pagat në Gjermani për atë linjë. 50! “S’ka punë, s’ka fabrika, s’ka asgjë”. Natyrisht s’ka asgjë nëse sheh Shqipërinë në televizor, nuk ka. Po pe Shqipërinë në televizor, duhet të ikësh nga sytë këmbët, se s’ka asgjë, përkundrazi në fshat ka vetëm njerëz që vdesin për bukë, shtrihen në rrugë dhe vdesin, ka fermerë që janë të çmendur se prodhojnë dhe nuk shesin asgjë, domethënë janë sipas televizorit dhe ka UFO që vijnë natën dhe nuk i kap televizori, që eksportojnë gjysmë miliardi, po në televizor nuk merr vesh gjë nga këto. Me siguri sot keni për të parë ndonjë gjë nga Lushnja meqë erdha unë këtu, se ku shkoj unë, vijnë nga prapa dhe nxjerrin ndonjë gjë që është gjysmë e vërtetë. Se ata që nxjerrin në televizor nuk janë aktorë, janë njerëz realë. Nëqoftëse del një fermer apo një grup fermerësh që hedhin mollët në kanal, ata janë të vërtetë dhe ai është një problem patjetër, por ama është gjysma e të vërtetës sepse gjysma tjetër është që nga ana tjetër e kanalit janë 100 të tjerë që prodhojnë, eksportojnë dhe fitojnë. Këta nuk dali! Dhe nuk shtrohet absolutisht pyetja, po mirë, si ka mundësi që në një anë të kanalit janë disa që hedhin disa mollët dhe në anën tjetër janë shumë më tepër se këta disa që shesin mollët? Sepse këta të kësaj ane, të dy palët janë në një qeveri të poshtër, të dy këta. Si ka mundësi që këta bëjnë sukses dhe këta jo? Sepse këta të kësaj ane janë mbrapa me kohën, sepse këta të kësaj ane nuk shohin të mësojnë nga këta të anës tjetër që ‘’delen që rri veç, e ha ujku”. Duhen bashkuar, e para.
E dyta, nuk shkohet me kokëfortësi me tregun. Nëse është një varietet që tregu nuk e merr, ti mos humb kohë, por bëj si ata të anës tjetër. Mere, shartoje, ose vëri sharrën, mbill tjetrën ose bashkohu me ata, e kështu me radhë.
Dalin në televizor ata që derdhin qumështin, patjetër janë realë, nuk diskutohet! Mirëpo, keni dëgjuar ndonjëherë ju ta thotë televizori që 97% e qumështit që pihet në Shqipëri është prodhim vendas? S’e keni dëgjuar se nuk e thotë. E pra, Shqipëria sot, fabrikat këtu që janë në Shqipëri prodhojnë 97% të qumështit që pimë ne. Në televizor, po pe televizorin, këtu nuk duhet t’i afrohesh fare ça prodhoni ju këtu. Të gjitha janë të helmuara, të gjitha janë me helm, të gjitha të vdesin ose të çojnë në spital.
Pse? Sepse ekranet vënë gjoba. Ti je një prodhues i madh, ti duhet të shkosh të paguash që mos të të sulmojnë, shumë e thjeshtë. Ose nëse qeveria nuk iu jep favoret që kërkojnë, apo një ministri apo një ministri tjetër, e patë rastin dhe ai është rast që ka edhe një provë konkrete me shkrim.
Ndërkohë që rastet e gjobave ku ekranet përdoren si maska që iu dilnin përpara dikur autobusëve dhe ku njerëzit ndezin televizorin dhe thonë po marrin lajme, në fakt nuk marrin lajme, marrin dezinformim, janë të panumërta, por rasti ishte konkret. Kërkonin lekë nga Ministria e Bujqësisë, nga AHZBR-ja. AZHBR-ja nuk ka lekë për të paguar, për të bërë reklamë, nuk ka. Për të paguar që një ekran X t’i marrë, e kërkonin 120 milionë lekë dhe pse i kërkonin? “Sepse ju po bëni punë shumë të mirë, sepse puna që po bëni ju, duhet të vihet në pah, sepse në fshat po ndodhin investime”, sepse, sepse, sepse…
Nuk i morën lekët, direkt bënë një emision të tërë nga fillimi deri në fund me shpifje, me helm, me dezinformim sesi po gllabërohen fondet e bujqësisë dhe natyrisht kur dikush sheh atë, disa njerëz shohin atë që kanë bërë ata, thonë, ‘’ore, të ikim fare se këtu vetëm vidhet’’. Patjetër, këtu të gjithë janë njësoj, këtu të gjithë vjedhin, këtu askush nuk punon, këtu e vetmja mundësi është të punosh në shtet. Jo mor jo, s’është kështu fare, përkundrazi dhe fatmirësisht kemi gjithmonë e më shumë shembuj që provojnë të kundërtën. Nuk punojnë në shtet ata që nuk lënë pëllëmbë tokë pa punuar në gjithë këtë zonë, nuk punojnë në shtet, ata punojnë tokën më të gjitha vështirësitë që ka. A nuk thoshin që iku bujqësia mori fund, u shkatërrua, nuk ka më sepse u rritën çmimet e inputeve? Ja ku është bujqësia. Ja ku është. Jo vetëm që ka, por ka rritjen më të lartë të eksporteve krahasuar me të kaluarën.
Tani nuk dua të zgjatem me këtë pjesë këtu, dua të them vetëm që unë e shikoj me shumë optimizëm të nesërmen e afërt të Lushnjes dhe kjo në radhë të parë falë lidershipit të Eriseldës, në radhë të dytë falë këmbënguljes dhe vëmendjes së veçantë që Taulanti ka, duke pasur një eksperiencë të gjatë si një deputet që pavarësisht se është protagonist në ekran atje qe e shikoni vazhdimisht dhe si kryetar i grupit, është deputet terreni, është deputet që nuk i ndahet njerëzve dhe natyrisht edhe falë qeverisë sonë që bën dhe ajo punën e vet.
Dua t’ju mbaj dhe pak për t’ju folur për situatën jo të Lushnjës dhe të lushnjarëve, por të gjithë Shqipërisë dhe shqiptarëve në kontekstin në të cilin jetojmë.
Ndërkohë që ua thashë pak atyre në Roskovec, e preku pak Taulanti këtu dhe po e përsëris, Ilir Meta del dhe mbron atë ministren britanike dhe qeverinë britanike dhe nga kush i mbron? Nga unë! Nuk e di domethënë. Është një lloj faqe zezllëku që e shoqëron Shqipërinë dhe i shoqëron shqiptarët që nga viti 1912. Është një kategori, një lloj i veçantë, specifik shqiptarësh që nuk i ndahet këtij vendi si mallkim. Nuk kanë fare asnjë lloj cipe në momentin kur për arsye nga më të ndryshmet dhe Iliri i shkretë ka shumë arsye, i ikën fare mendja e kokës dhe janë në gjendje të bëjnë gjëra nga më të hatashmet. Se ça duhet tani, se ça i duhet qeverisë britanike ta mbrojë Ilir Meta nga unë, ndërkohë që kur vjen puna tek Shqipëria dhe shqiptarët, në gjuhë të huaj dhe jashtë vendit , ne duhet të jemi një. S’kemi absolutisht asnjë arsye të jemi të ndarë. Ne jemi një vend i vogël, ky është fati dhe fatmirësia, fatkeqësia sipas rastit, se jemi shumë të vegjël. Ne nuk jemi një vend i pasur për 1001 arsye, por ama ne nuk kemi asnjë arsye në botë që kur ulemi në tryezë me të tjerët të ndihemi inferiorë, përkundrazi ne duhet të imponojmë të njëjtin respekt që iu japim atyre. Kur vjen puna te shqiptarët jashtë, ne nuk do ta zgjidhim në gjuhë të huaj se pse ikin ata, ne në gjuhë të huaj duhet t’u themi të gjithëve qofshin amerikanë, qofshin anglezë, qofshin italianë, qofshin francezë: vëllezërit tanë nuk preken. Sa ka në Londër çuna që nuk e shohin dot me sy Partinë Socialiste, sa ka në Londër komentator në facebbok-un tim që nuk lënë gjë pa thënë, kur më flasin shqip dhe kur iu flas shqip unë mund të zihem me ta orë e cast, por në anglisht unë jam mbrojtësi i tyre më i madh, nuk diskutohet. Përpara çdo gjëje tjetër është Shqipëria, janë shqiptarët dhe në sy të të huajve, ne nuk kemi asnjë arsye të ulim kokën, zero.
Tani del një soj shqiptari në formën e Ilir Metës edhe mbron qeverinë britanike nga unë? A e kuptoni? Çfarë është kjo tani, çfarë është ky? Nuk e di. Ose më saktë e di por ta mbyllim këtë muhabet, ta vazhdojmë me muhabete të tjera që mos të them pastaj ai tjetri, se ai tjetri është tjetër lloj palaçoje, pra një non grata që britanikët e kanë nxjerrë totalisht non grata që mbron Britaninë nga unë, ai tjetër ai, ai non grata, ai i matrikulluar në lule të ballit non grata edhe mbron Britaninë nga Edvini. Por problemi është që nuk është kaq për të qeshur se po të ishte kaq për të qeshur, nuk është kaq për të qeshur. Por problemi është që këtu ne jemi në një situatë të vështirë për shkak të një lufte që nuk është hapur sigurisht për ne, është hapur për të gjunjëzuar gjithë perëndimin. Putini nuk ka shkuar në Ukrainë për të marrë ato copat dhe për t’u kthyer e për të mbaruar luftën. Ka shkuar në Ukrainë për të marrë ato copat, por për të gjunjëzuar gjithë perëndimin. Bombat i hedh atje, shkatërrimet i bën atje, plagët i hap atje, plagët fizike, por të gjithëve ne të tjerëve po na sulmon me dy armë shumë të rrezikshme, me energjinë dhe me inflacionin e luftës kudo. Kriza e çmimit të energjisë ka filluar përpara luftës dhe ka filluar si paralajmëruese e luftës me një skenar shumë të qartë të Putinit, duke qenë se Rusia është furnizuesi kryesor me gaz i Europës. Cila është ideja? Ideja është që tua u ndez zjarrin nën rrogoz, duke u futur në të gjithë shtëpitë e dynjasë dhe duke u futur në tërë bizneset e dynjasë dhe si futen në shtëpi? Futen në shtëpi me faturën e energjisë, futen në shtëpi me inflacionin e luftës. Po të rrish në shtëpi, pandemia nuk të futet dot. Tërmeti po të zuri të shkatërron, por ama nuk zë gjithë vendin larg qoftë, por zë një pjesë, kurse faturat e energjisë shkojnë kudo ku ndizet një dritë. Fute faturën e energjisë poshtë, rritja çmimin, kur del nga shtëpia të blejë kapja dorën thuaji: një sekondë se kaq bën veza, por dhe kaq plus i dua unë, inflacionin, dhe pak nga pak krijo kushtet që këta njerëz të dalin dhe të rrëzojnë qeveritë e tyre, ta bëjnë çorap gjithë botën demokratike, të futet dynjaja në kaos dhe në destabilizim. Ky është plani. Dhe po të shikoni në dy,tre raste ata dalin dhe bëjnë deklarata festive kur bie ndonjë qeveri këtej nga perëndimi sepse kanë arritur të krijojnë një lloj turbullire.
Tani përveç kësaj, këtu në Shqipëri kanë dhe veglat e tyre. Tani që PD, partia e non ngratës se nuk dimë tanimë se kush është PD, por ju e kuptoni se për kë e kam llafin të paktën. PD është vegël e deklaruar, siç është ai non grata i matrikulluar dy herë këtu, dy veshë, këtu nga matrikullimi nga Amerika, këtu nga Britania matrikullimin, me dy veshët të matrikulluar vazhdon flet për dinjitet. Flet për dinjitet duke i mbledhur njerëzit mbrapa, duke bërë sikur është me Amerikën, por jo me këtë Amerikën që dimë ne, por me një Amerikë tjetër që e di ai, ndërkohë që ajo parti ka 500 mijë dollarë, gjysmë milioni të paguar për të rrëzuar qeverinë e Partisë Socialiste. Kur doli atëherë dhe e thoshim ne, thoshin e bën Edvini me Sorosin. Kur vajti ambasadori amerikan ia vuri në tavolinë non gratës, i tha ja ku i ke financimet ruse. I mohoi kategorikisht, doli dhe në televizor, ia refuzova – tha, ato janë intriga të Sorosit. Mirëpo tani na doli në raportin e CIA-s, raporti i shërbimit sekret amerikan, që nuk është SHIK-u. Si bëhet tani, për çfarë arsye rusët duhet të financojnë një parti politike, për ta bërë Shqipërinë më demokratike? Për të forcuar të drejtat e njeriut këtu? Për çfarë? Për këtë që po shikoni dhe për atë që ka ndodhur përpara. Se tani lidhen gjërat, natyrisht nëqoftëse je i verbër ose nëqoftëse urrejtja, mllefi, inati ndaj qeverisë dhe ndaj partisë në qeveri të çon në pikën që të bësh komplet budallain dhe të shkosh pas berihait s’ke si e kupton. Ndërsa, nëqoftëse je i kthjellët, sado inat ta kesh këtë qeveri mos e voto kurrë, por si mund të shkosh mbrapa një non grata, partia e drejtuar prej të cilit dhe qeveria e drejtuar prej te cilit ka bashkuar votat me delegacionin e Putinit në KE dhe për çfarë? Për të ngritur akuzën monstruoze që UÇK-ja, Ushtria Çlirimtare e Kosovës është një bandë kriminelësh që shkulin organe njerëzish dhe trafikojnë organe njerëzish dhe nga Shqipëria. Si mund ta bëjë këtë një qeveri shqiptare, ma thoni si mund ta bëjnë këtë? Si mund ta bëjë qeveria shqiptare? Këtë e bën ai soji që iu thashë, ai soji i ulët që e ka ndjekur si mallkim mbrapa Shqipërinë, herë duke qenë në qeveri herë duke mos lënë qeveri të rrinë në këmbë që nga 1912, është i njëjti soji, ndryshoi emri, nuk quhet Haxhi, quhet Ilir, nuk quhet Qamil, mos ia përmendim emrin fare këtij tjetrit se aman të keqen. Si mundët? Si mundet një qeveri shqiptare dhe fillojnë lidhen gjërat dhe këtu unë lidh dhe tjetrën. Koha do ta tregojë por zakonisht, këto të miat dalin se kur thosha unë “O Lulzim ndahu nga ata të dy”, më thoshin këta analistët “Po ç’punë ke ti me ata të dy, njëri është në pension tjetri në punën e vet”. Kjo është puna. Ku është Lulzimi, keni lajme? Dini gjë? Nuk dimë gjë. Këta të dy nuk i ndahen, që në 1912 po iu them, nuk i ndahen. Marrin lloj-lloj formash, si patriotë të mëdhenj, si çlirimtarë të mëdhenj, si shqiptarë të mëdhenj. Janë fundi i kazanit, fundi.
Çfarë thonë tani! Nuk ka luftë thotë, nuk ka luftë fare. Këtë thotë Putini, nuk ka luftë, çfarë lufte, ankohen kot, ma lënë kot mua inflacionin, ma lënë kot mua energjinë, nuk duan ta marrin energjinë nga unë, e bëjnë me qëllim, nuk ka luftë e hajde çohuni tani të rrëzojmë qeverinë.
Vazhdon misioni. Natyrisht dhe fundi dihet, do jetë i njejti si ai që kemi pare, por keqardhje e madhe për ata që i shkojnë nga pas, për ata që imagjinojnë shpresë dhe ndryshim me këta, keqardhje shumë e madhe për ata, ndërkohë që ne do vazhdojmë ta mbrojmë çdo familje nga ajo arma që futet nën derë bashkë me çmimin e energjisë sepse familjet do vazhdojnë të paguajnë çmimin që paguanin përpara se të niste kriza dhe tek fatura e energjisë keni një fashë aty që është shtuar e kuqe që jua tregon sesa është çmimi real.
Normalisht, ju dhe gjithë familjet paguajnë dhe do vazhdojnë të paguajnë 20% të atij çmimi, 80% do vazhdojë t’i paguajë buxheti i shtetit. Të njejtën gjë për bizneset e vogla.
Bëra fjalë, çdo ditë bëj fjalë në fakt me këta. Dje, në Tropojë, futem nën një tendë, dritat ndezur. “Po pse i mban dritat ndezur”? Po, ja i kemi harruar që mbrëmë. Po normale që do t’i harrosh sepse nuk të vjen ty çmimi që ti në fakt duhet të paguash dhe i harron se po të të vijë ai çmimi, të harrojnë dritat ty e nuk të ndizen më.
Sot i njejti muhabet. Drita, drita ndezur sikur ishte Vit i Ri. Po pse more vëlla, e shohim njëri-tjetrin. Ndërkohë që, kur vijnë këto delegacionet e huaja në Kryeministri në darkë nga holli deri tek unë me dritë celulari. Nuk po bëj shaka, me dritë celulari.
Kemi marrë një zotim, sepse nëse nuk e kursejmë nuk do kemi mundësi pastaj që të mos e kufizojmë. Nëse nuk e kursejmë, do na mungojë dhe shyqyr një pjesë e njerëzve e kanë kuptuar këtë gjë.
Fashën 800 kilovatë, vazhdojnë thonë “Megjithëse e vuri, këta shohin nga qielli”, mediat, mediat profesionale.
Bëni shumë kujdes. Nuk e di, a i keni maskat e Covidit? Kur hapni lajmet vini maskë, të paktën vini maskën që të kujtoheni që këtu ka virus. Më besoni, është e gjitha një orkestrim i madh, është një aleancë rublash, një alencë gjobaxhinjsh, një aleancë evazorësh, por nuk kanë faj. Kur e kanë denoncimin atje për lloj e lloj çudirash dhe nuk merret njeri me ta, nuk kanë faj dhe flasin për lirinë e shtypit.
Këtu është liri shtypjeje nga shtypi, jo mungesë lirie shtypi.
Nejse, maskën që t’ju kujtohet që ajri që po thith në atë moment është i kontaminuar, pastaj ça të marrësh vesh i merr vesh, por shumicën e atyre që do marrësh vesh do i marrësh vesh gabim sepse është me qëllim.
Nuk e vë ERE fashën, përsërite sa të duash, nuk e vë ERE fashën, ERE thotë vetëm sa është çmimi dhe çmimi është ai që del. Pra, ju paguani 9,5 lekë kilovati, çmimi është 44 lekë. Tani imagjino të vijë fatura me 44, ku të shkosh. Imagjino t’i cosh biznesit të vogël faturën saç është çmimi, direkt do kërcejnë vezët e do bëhen omletë në ajër, nuk do i kapësh dot sepse nuk do t’i blesh dot.
Patjetër që inflacion ka, çmimet janë rritur, por pse janë rritur çmimet në Shqipëri më pak se në gjithë vendet e rajonit? Pse ne jemi rreth 7,5%, 8%, 8,5% e të tjerët kanë shkuar 16%, 17%, 18% e po kapin 20%?
Sepse ne nuk kemi prekur çmimin e energjisë për ata që i shesin këto produkte. Po ta preknim, direkt do vinte veza e skuqur nga sikleti. Nga sikleti do skuqej veza në ajër.
Ajo që do bëjmë është, po ashtu, do vazhdojmë të mbajmë vëmendjen tek ata që janë më në nevojë. Ne nuk mund të rrisim rrogat e pedagogëve, që pasi iu rritet 15%, më shumë nga të gjithë, thonë “Jo, duam më shumë”. Jo, më shumë nuk ka sepse ne ato që kemi tani do i mbledhim të gjitha dhe në fillim të dhjetorit do tua japim pensionistëve dhe jo pedagogëve. Jo se pedagogët nuk e meritojnë, se pedagogët i meritojnë, por pensionistët i meritojnë më shumë.
Nga ana tjetër, janë tre prodhues energjie të mëdhenj në Shqipëri. Iu ka rënë fati atyre. Për gjithë botën, për të gjitha kategoritë, për gjithë bizneset është fatkeqësi lufta, për ata është fat. Pse? Se tani e sheshin energjinë shumë e shumëfish. Ne nuk do i lëmë që atë fitim ta marrin të gjithë për vete. Do t’u vëmë një taksë të jashtëzakonshme, do tua marrim një pjesë të fitimit dhe do tua japim përsëri atyre më në nevojë, nga pensionistët, nga ata me ndihmë ekonomike, tek nënat kryefamiljare dhe çfarë të ketë për të tjerët. Edhe pagat do t’i rrisim, do rrisim dhe pagën minimale përsëri.
Jua përsëris sipërmarrësve vazhdimisht, është koha të rrisni pagat. Pagat janë më të larta në Shqipëri sesa ato që deklarohen. Sot e tha copë njëri, i PD-së ai, por këta të PD-së janë në rregull, ne na kanë shërbëtorë, me ne bëjnë sukses në biznes. “Ne i kemi pagat më të larta sesa i deklarojmë”. Unë e di, por në sektorin e bujqësisë ne jemi shumë të kujdesshëm që të mos ngacmojmë me kontrolle e të tjerë, por ama do ta rrisim pagën minimale përsëri.
Unë e di që 340 mijë lekë është pagë e ulët, kjo nuk diskutohet por unë di që ka qenë 180 mijë lekë. Tani është më e lartë, por në këto kohë do e rrisim. Do e rrisim menjëherë në fillim të vitit tjetër dhe ndërkohë do mundohemi gjithmonë e më shumë të bindim sipërmarrësit që të rrisin pagat. Është koha për t’i rritur pagat, për t’i formalizuar sepse njerëzit kanë nevojë të jenë më të sigurtë.
Në mbyllje, dëshiroj tju them që ka dhe një komponet tjetër në këtë zonë që duhet zhvilluar më shumë që është agroturizmi. Duhet zhvilluar më shumë sepse Shqipëria po bën një hop shumë të madh me turizmin. Kemi pasur këtë vit, jo vetëm një shifër shumë të lartë përtej pritshmërisë dhe këta turistë që vijnë, këta vijnë dhe blejnë këtu, flenë këtu, domethënë që kjo rrit të ardhurat, por ajo që është e rëndësishme është që nuk kanë qenë turistë si ata që vinin dikur të përqendruar vetëm në bregdet, po kanë qenë turistë të shpërndarë gjithandej. Të shkojë Tropoja mbi 100 mijë vizitorë, që në Tropojë vetë tropojanët mezi shkonin. Dhe jo dikur para 100 vjetësh, por kur kishin pushtetin dhe s’është para 100 vjetësh dhe ata që ishin në pushtet me atë të matrikulluarin në krye nuk i bënë asgjë Tropojës. Si puna e atij që i tha, kur u ankua njëri, një kaldaist në universitet, i tha dekanit të universitetit, po mirë po për ne nuk ka ndonjë televizor, se dhe ne kemi fëmijë, për ne klasën punëtore. Po ju keni pushtetin i tha, ç’ju duhet televizori. Kështu dhe ata, i lanë rrugëve atje se kishin pushtetin. Mbi 100 mijë, ka shkuar në afro 500 mijë numri i i vizitorëve, turistëve vendas e të huaj në zonën e Korçës, Pogradecit. Janë shifra që nuk mund të imagjinoheshin deri disa vite përpara. Kjo duhet të jetë një shtysë që edhe në Lushnje, që në pjesën jo fushore, por kodrinore të rritet numri i agroturizmave sepse do të kenë shumë sukses. Do të kenë jashtëzakonisht sukses dhe përfitoj nga rasti t’u bëj thirrje përsëri atyre që janë jashtë, nëse keni një tokë në kodër apo në mal, nëse keni një shtëpi sado të rrënuar, me ato kursime hajdeni, bëjeni agroturizëm dhe do tja shikoni hajrin se do fitoni dy, tre, katërfish nga sa fitoni duke ndejtur atje rrugëve.
Shumë faleminiderit dhe shumë respekt për të gjithë ju!
Shumë faleminderit