Kryeministri Edi Rama nderoi sot me Medalje të Mirënjohjes Publike pjesëtarë të forcave të angazhuara në terren, të cilët spikatën me guximin dhe kurajën e jashtëzakonshme në operacionet e shpëtimit në luftën kundër zjarreve në vend.
“Jemi sot këtu për të shprehur mirënjohjen dhe për t’u përulur me respekt përpara jush dhe të gjithëve atyre që ju këtu përfaqësoni.” – iu drejtua Kryeministri Rama të pranishmëve, në ceremoninë e posaçme të mbajtur me këtë rast, teksa theksoi se “kjo verë e nxehtë bëri bashkë një armatë ushtarakësh, punonjësish në uniformë dhe civilësh me emërues të përbashkët; shërbimin e përkushtuar njerëzor.” Më pas, Kryeministri Rama iu dorëzoi medaljet e mirënjohjes publike të klasifikuara sipas kontributit të dhënë në medalje ari, argjendi dhe bronxi, të gjithë pjesëtarëve ushtarakë, policë, zjarrfikës, mjek, personel të emergjencave civile, që dëshmuan përkushtim e vetëmohim në realizimin e misioneve të shpëtimit.
* * *
Fjala e Kryeministrit, Edi Rama:
Të dashur edhe të fort respektuar shërbyes nën uniformen e shtetit tonë,
Të nderuar miq edhe të ftuar ushtarakë, policë, zjarrfikës, mjek, personeli i emergjencave civile në të gjitha gradat, cilësitë dhe sidomos për secilën prej meritave tuaja, jemi sot këtu për të shprehur mirënjohjen dhe për tu përulur me respekt përpara jush dhe të gjithëve atyre që ju këtu përfaqësoni.
Beteja e zjarrit që përfshiu territoret e konsiderueshme të vendit tonë në dy muajt e fundit ishte një kronikë e gjatë ethesh, plagësh, dhimbjesh, një kronikë dramatike por me nota stërmundimi, përkushtimi dhe me momente kulmore edhe heroizmi njerëzor që i bëjnë nder uniformave tuaja dhe fal jush nderojnë shtetin shqiptar, lartësojnë Republikën tonë.
“Jemi në ditë tejet të nxehta për të aksesuar nga toka Borshin, Himarën, Vergon dhe Kalasen. Nuk behet fjalë.
Situata e flakëve ka dalë jashtë kontrollit, zjarret i kanosen thuajse në mënyrë të dëshpëruar qendrave të banuara.
Helikopterët “Black Hawk” furnizohen me ujë në liqene plotësisht maskuar plotësisht nga tymi.
Mbi fshatin Kalasë tymi shndërrohej në një vorbull tornado që kërcënon të mpijë deri në paralizë vet sistemin e fluturimet, as zogjtë nuk dilnin dot nga ai kazan zjarrti dhe fluturonin bashke me helikopterët, një pasojë që për mjetet fluturuese mund të ishin dhe fatale.
Në Delvinë flakët që zbrisnin duke kërcënuar lagjet e vjetra dukeshin si regjimente demonësh që asgjë nuk dukej se do i zmbrapste pa i lënë të përpinin gjithçka përfshirë dhe njerëzit.
Ndërkohë që forcat e ushtrisë dhe ato zjarrfikëse ndërmerrnin çdo iniciative të mundshme dhe të imagjinueshme duke rrezikuar jetën me një përkushtim të mahnitshëm për të shpëtuar qytetin.
Një oficer policie e sfidoi drejtpërdrejtë vdekjen për të shpëtuar jo jetën e tij, por jetën e të tjerëve.
“Na thanë zjarrfikëset që banoret nuk pranojnë të evakuohen, mes tyre ishte dhe një fëmijë 10 vjeç. Morëm në krah dhe një grua të moshuar, pastaj një çift të moshuarish që nuk pranonin. Gjeta një kovë të vogël me ujë, laga bluzën, thashë mos asfiksohem, u çoj lokacionin kolegeve, telefonat mu bllokuan nga nxehtësia, u ula, mendova, ishte moment tejet i vështirë. Mendova fëmijët, familjen, kam vrapuar 100 metra për të gjetur zjarrfikësen ku e lashë dhe nuk e gjeta. Kishte shumë tym dhe blozë dhe kam rënë pa ndjenja.
Me dhjetëra kilometra më larg, shumë më në veri në fshatin Plan i Bardhë në Mat mes një situate ku i madh e i vogël ka humbur toruan dhe shpesh nga pikërisht paniku më shumë se nga vet flakët rrezikohet deri dhe jeta e të tjerëve zjarrfikës të një trimërie të admirueshme evakuojnë, shpëtojnë jetë të tëra pa carë kokën për tymin, për intoksikimin, etjen, rraskapitjen”.
Dhe të gjitha këto fjalë që dëgjuat natyrisht nuk janë fjalët e mia, ato janë fjalë të dala mes zjarreve, por prapëseprapë përjetimi i veçantë që ndihet në to është i pakrahasueshëm me çfarë kanë jetuar në përditshmëri mijëra burra dhe gra në uniforme, një përfaqësi e spikatur e së cilës dhe e cilëve jeni ju këtu.
Janë fjalë të shqiptuara dhe jetë të jetuara në vijën e zjarrit. Mes tyre ka dhe jetë të dyta, si jeta e komisarit Agim Troci, i cili u dergj i plagosur për ditë të tëra në shtrat, por pa keqardhje për veprimin heroik që mund ta kishte ndarë përgjithmonë nga familja dhe nga fëmijët.
Jetë sfiduese mes flakëve si ajo e kolonel Gëzim Markut, komandat i regjimentit të Këmbësorisë së jugut. Zjarrfikësit kombëtar siç njihen ndryshe i cili i priu trupave me forcën e një shembulli të rrallë. Janë jetë të hedhura mes zjarreve si ajo e një zjarrfikësi shembullor nga Bulqiza, Klodian Fishta apo e komandantit të spikatur të bazës së helikopterëve të Farkës, Ervin Buzit.
Jam i bindur që kur e kanë marrë detyrën as nënkolonel Ervin Buzi dhe as kolegu i tij Klajdi Tushe, nuk e kanë menduar se megjithëse kanë ditur që do kishin orë fluturimi shtesë në atë detyrë, prapëseprapë përfytyrimi se ato orë shtesë mund të ishin si orët shtesë mbi ajrin e zi përvlëues të zjarreve të verës ku ne emër dhe për hir të jetës së të tjerëve dhe të pasurive natyrore të Republikës do duhet të rrezikonin jetën e tyre duke sfiduar dhe kufijtë e rezistencës fizike të trupit që është një rrezik më vete për pilotin, t’iu kenë shkuar në mend.
Kronika e zjarreve të kësaj vere mund të vazhdojë të rrëfehet gjatë, aq më tepër që ende s’ka përfunduar së shuari dhe rreth 10 mijë forca mbeten të gatshme kundër përbindëshit të flakëve që rritet çdo vit fatkeqësisht duke ushqyer rreth e rrotull Mesdheut sidomos me temperaturat në kapërcime të vazhdueshme historike, por që mbijnë nga duart e mendjeve kriminale të cilat fatkeqësisht gjejnë një radhë aleat në radhët e gjykatësve të këtij vendi.
Teksa mijëra njerëz me uniformë në këtë vend derdhin pa kursim energjitë e tyre me një përkushtim që shkon deri në vetëmohim shpesh në një luftë sfilitëse me zjarret dhe megjithatë mijëra hektarë, pasuri pyjore e krijuar në qindra vjet përpihet nga goja përbindëshme e flakëve disa persona të cilëve nuk u dihen emrat, nuk u njihet fytyra, me një ndjeshmëri njerëzore zero, me një integritet moral dhe profesional zero me xhufkë, në ajër te kondiconuar mbuluar me turbën e zezë të gjykatësit i përqeshin të gjitha sakrificat dhe i shkelin me të katra këmbët e tyre të gjitha interesat e vendit dhe të publikut, duke dhënë vendime të “ububu”-shme, jo në mbrojtjes të Republikës, por në favor të zjarrvënësve.
I kam kërkuar ministrit të Drejtësisë t’ia përcjellë organeve të qeverisjes së gjyqësorit rastet e mësipërme, nuk janë shumë, por janë mjaft për të vënë duart në kokë. Ne as nuk do të heshtim dhe as nuk do lëmë gurë të shtratit gjyqësor të kësaj Republike pa luajtura për të vendosur përpara përgjegjësisë publike dhe institucionale çdo prokuror apo gjykatës që do të sulmojë haptas shtetin dhe interesin publik në proceset ligjore me zjarrvënës, me zaptues apo me gllabërues të të mirave dhe ta pasurive publike të këtij vendi.
Ashtu si kundër natyrisht nuk do të kursejmë çdo mbështetje institucionale për prokurorët dhe gjykatësit, që i shërbejnë misionit historik kombëtar të Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian, duke luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe duke qëndruar drejt në mbrojtje të interesit publik dhe të lirive e të drejtave të njerëzve të këtij vendi.
Ne do të udhëhiqemi nga forca e shembullit të të gjithë atyre që në provën e zjarrit treguan se punonjësit dhe drejtuesit e këtij shteti nuk janë ato “kokrra” që bëjnë lajm për shembullin e keq, por janë një shumicë dërrmuese burrash, grash, djemsh, vajzash që nuk bëjnë lajm, por që ngrenë përditë Shqipërinë më lart në rrugën drejt majës, ku ndodhet shtëpia e përbashkët e Europës dhe kur bëjnë lajm si në rastin e inspektorit të policisë së Fierit, Klajdi Mustaj e bëjnë sepse arrijnë deri në vetëmohim, pa pyetur për rrezikun që u kanoset atyre vet, por duke nxjerrë nga rreziku të tjerë, njerëz të panjohur, por qytetar si vëllezër të kësaj Republike.
Pranë apo më larg vijës së zjarrit, kjo verë e nxehtë bëri bashkë një armatë ushtarakësh, punonjësish në uniformë dhe civilësh me emërues të përbashkët shërbimin; shërbimin e përkushtuar njerëzor dhe profesional dhe meritën, meritën për të gëzuar mirënjohjen e të gjithë publikut. Edhe pse përballë një sfide të jashtëzakonshme në Delvinë dhe në Finiq, në Gramsh dhe në Poliçan, në Kaninë, Borsh, Piqeras, në Fushë-Arrëz dhe Dibër dhe deri në orët e fundit në Skrapar dhe Vlorë qëndresa e njerëzve tanë ka ndalur atë që mund të kishte qenë një asgjësim masiv mjedisor, ekonomik, moral, dhe larg qoftë edhe një asgjësim njerëzor me përmasa dramatike.
Qindra mjete zjarrfikëse, helikopterë, edhe avionë, pothuajse 100 misione nga ajri, qindra ndërhyje në tokë dhe ky shtet i sfiduar si asnjë vit më parë nga zjarret nuk u thye, përkundrazi tregoi se mekanizmi i mbrojtjes cilivile nga fshati më i largët te qendra e Tiranës ose anasjelltas mundi dhe diti ti jepte më të mirën edhe pse shumë ka ende për të bërë.
Sigurisht që nuk munguan dhe ekspertët online të fikjes së zjarrit, as zjarrvënësit e zakonshëm të mexhelisit tonë publikë dhe digjital, por Shqipërinë nuk e mbrojtën ata, Shqipërinë e mbrojti djersa, guximi dhe sakrifica e atyre 10 mijë e kusur njerëzve në vijën e zjarrit, pjesë e të cilëve përfaqësuese jeni edhe ju këtu.
Kjo është e vërteta e thjeshtë dhe e vërteta e vetme që ia vlen thuhet me zë të lartë, ndërkohë që nga Spanja te Franca, nga Turqia te Portugalia, Italia, Greqia, i gjithë Mesdheu ishte në flakë, si asnjëherë më parë këtë verë. Kështu thotë edhe bilanci tragjik i kësaj vere. Në Spanjë u zhbënë totalisht afro 400 mijë hektar, në Portugali mbi 235 mijë hektar, pesëfish më shumë sesa mesatarja e viteve të fundit, në Itali, afro 60 mijë hektar. Ndërkohë që Turqia numëroi edhe 17 viktima dhe dhjetëra mijëra njerëz të evakuuar, përveçse humbi qindra mijëra hektarë tokë të mbjellë të gjelbëruar, ndërsa Greqia nga Kreta në Patra pa përsëri tmerr me sy. Parafytyroni që Bashkimi Europian del nga kjo verë me mbi 1 milion hektar tokë të bërë shkrumb dhe hi.
Ndaj, kur dëgjojmë zëra që shajnë Shqipërinë, pse nuk ka avion zjarrfikës në pronësi, duhet ta mbajmë parasysh një të vërtetë shumë të thjeshtë; avionët nuk janë magjistarë, ata janë ndihmës të fuqishëm, të cilët nuk na kanë munguar falë mekanizmit europian të mbrojtjes civile, pjesë e të cilit jemi ne, Shqipëria, me të drejta të barabarta, por nuk janë asesi të plotfuqishëm.
22 avionë të gjeneratës së fundit nuk e penguan dot përbindëshin e flakëve ta digjte dhe ta përcëllonte gjerësisht zonën e Izmirit, duke hapur një plagë të dhimbshme mbi tokën e Turqisë mike dhe duke bërë të evakuohen dhjetëra mijëra njerëz.
Ashtu si kundër, forca më e madhe ajrore e planetit nuk mundi dot ta shmangte shkrumbimin tragjik të një vendbanimi të madh sa Tirana në Los Anxhelos.
Avionët janë një krah i fuqishëm në betejë, pa dyshim edhe ne do të kemi së shpejti flotën e avionëve tanë, e cila do të nisë të ndërtohet me dy avionë zjarrfikës, por magjia, nëse mund ta quajmë kështu është bashkërendimi dhe sakrifica në tokë. Sot ne jemi këtu pikërisht për sakrificën në tokë dhe patjetër po përgatitemi për çfarë duhet dhe padyshim mund të bëjmë më shumë dhe mund të bëjmë më mirë. Parandalim më të mençur, pastrim pyjesh, krijim korridoresh natyrore, futje në përdorim të më shumë dronëve për monitorim me kamera termike dhe futjen në përdorim gjerësisht të dronëve për mbjelljet e reja në sipërfaqet e djegura. Teknologji dhe inteligjencë me sisteme alarmit të hershëm dhe një funksionim më i mirë falë edhe investimeve që do të bëjmë më tej, i qendrave të integruara të kontrollit, për të pasur një reagim më të shpejtë me mjetet tokësore, por të gjitha këto nuk na çojnë larg pa edukimin dhe ndërgjegjësimin, gjë që kërkon që çdo shkollë dhe çdo institucion, por duke filluar nga shkolla, të bëhet pjesë e vëmendjes, e mbrojtjes dhe e ripërtëritjes kombëtare për pyjet, ku nxënësit jo vetëm mësojnë, por marrin pjesë në mbjellje, në përkujdesje.
Dhe një solidaritet akoma më i madh ndërkombëtar, këtu dua të falënderoj të gjithë përfaqësuesit e Bashkimit Europian dhe të vendeve mike, pasi falë rrjetit të solidaritetit dhe falë integrimit të Shqipërisë në mekanizmin e mbrojtjes civile europiane, ne ja kemi dalë më së miri të evitojmë më të keqen dhe Kroacia, Greqia, Hungaria, Çekia, Sllovakia, Suedia dhe si gjithmonë Italia meritojnë një falënderim të posaçëm, sepse në zinxhirin e mekanizmit, dërguan në vazhdimësi mjete ajrore për fikjen e zjarreve. Dhe ardhja e mjeteve nga jashtë, që ta marrin vesh zjarrfikësit online, nuk është një fenomen shqiptar, ose nuk është diçka që e bën vetëm Shqipëria, se s’ka. Avionët nga jashtë i marrin edhe vende të tjera, sepse i tillë është mekanizmi i mbrojtjes civile europiane.
Vendet në pamundësi për të përballuar këtë lloj emergjence me forcat e tyre ajrore, marrin edhe ndihmë nga të tjerët dhe reciprokisht këmbejnë mjetet.
Një falënderim të veçantë dua ta bëj për Emiratet e Bashkuara të cilat na u gjendën me shumë shpejtësi duke dërguar helikopterë dhe avionë.
Sot duke nderuar 24 ushtarë, policë, zjarrfikës me medalje, ne duam të nderojmë Shqipërinë që tregoi se po, kemi të meta, kemi ende shumë për investuar në mjete dhe sisteme inteligjente, nuk mundet dot natyrisht të dilnim nga kjo verë ferri për nga temperaturat, pa plagë, por kemi mbi të gjitha një kapital njerëzor që nuk e lë më kurrë Shqipërinë në baltë.
Një mirënjohje të veçantë dhe ky kapitull ndezur jo vetëm nga flakët e pyjeve, por dhe nga flakët e fjalëve, sot merr një mesazh të vetëm si epilog se edhe përballë flakëve më të egra, Shqipëria tregon forcë të madhe proporcionale. Sa më e madhe sfida dhe sa më te egra flakët, aq më i madh solidariteti, aq më e fortë ndjenja e përkushtimit dhe aq më të angazhuar dhe më të motivuar profesionalisht njerëzit me uniformë.
Le ta përmirësojmë më tej punën së bashku, duke futur më tepër teknologji, duke punuar më shumë për parandalimin, duke menduar më shumë për zjarret e ardhshme kur temperaturat janë të ulëta dhe duke u përgatitur si për një ndeshje të radhës, me një “përbindësh” që do të vijë duke u bërë gjithnjë e më i egër siç duken gjërat dhe le të mbështesim më shumë fuqizimin dhe rritjen e këtij kapitali njerëzor, natyrisht duke bërë gjithçka për të rritur edhe mbështetjen financiare.
Me kënaqësi dhe realisht me përulësi jam përgjigjur pozitivisht të gjitha propozimeve të bëra nga ministritë për të bërë dekorimet dhe për të shpërndarë disa medalje, si një shenjë simbolike, mirënjohjeje dhe si një mesazh për të gjithë këtë trupë e cila meriton nderimin më të posaçëm.
Shumë faleminderit për durimin!
Shumë respekt për të gjithë ju dhe sa herë që më duhet të flas me njerëz me uniformë, nuk mund të harroj të shpreh mirënjohjen për familjet tuaja, për bashkëshortet, fëmijët tuaj, bashkëshortët, të cilët e dinë më mirë se kushdo se sa e vështirë është puna juaj, se sa e madhe është sakrifica juaj dhe ndryshe nga të tjerët, madje ndryshe dhe nga vetë ju, jetojnë me ndjesinë e rrezikut, çka e bën edhe më të admirueshme pjesëmarrjen e tyre në jetën tuaj dhe përmes jush, dua t’i përcjell të gjithë familjeve tuaja respektin më të madh dhe urimet më të përzemërta, më vëllazërore për shëndet dhe për mbarësi në familje.