Kavajë, fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama:

 

Shumë faleminderit për këtë surprizë! Tani kthehemi te unë dhe te Pandi, nuk jemi kaq ritmik sa këto vajzat e jashtëzakonshme, po jini të bindur që, siç rridhnin këmbët e tyre në këtë podium, kështu rreh në çdo çast edhe zemra edhe mendja jonë për të bërë më të mirën.

Edhe siç e kam thënë edhe më parë, ne nuk jemi më të mirët, po më të mirë se ne s’kanë ku gjejnë ata që kërkojnë. Ndërkohë që, ju që jeni këtu jeni këtu se s’ka më të mirë se ju.

Unë dua të mbyll atë parantezën që nisa, kur Pandi më kërkoi për të folur për fushatën, etj, etj edhe më tha më vjen mirë tha që jam në Kavajë, edhe në Rrogozhinë, po të pyes tha: Pse? Edhe i thashë ik njëherë se do ta jap përgjigjen një ditë, dhe ky është momenti për t’i dhënë përgjigjen, pse.

Ky bulevard këtu nuk ekzistonte, kur ne morëm detyrën, ky qytet ekzistonte, patjetër që ekzistonte, por nuk ishte ky qytet që është sot, dhe këtë mund ta dëshmojë çdo qytetar i Kavajës, pavarësisht bindjeve. Nuk besoj se dikush sado inat të na ketë, apo të më ketë mua për më tepër, mos të na japi këtë hak që Kavajën ne e nxorëm nga plehrat e harresës dhe jo vetëm të harresës, por edhe të një përçmimi që i vinte, jo nga ne që nuk na kishte votuar kurrë Kavaja, po i vinte nga ata të cilëve Kavaja i kishte dhënë mbështetje pa kushte për gati çerek shekulli.

Dhe sot nuk ka në Kavajë një vend dhe nuk ka në Kavajë një ndryshim që e bën këtë qytet shumë më tërheqës, shumë më mesdhetar, shumë më europian, siç është gjithë ky territor këtu, që nuk ka vulën e mbështetjes time dhe të Partisë Socialiste për Kavajën, nuk ka.

Se po shihja këtu që pllakat janë zëvendësuar me beton, nuk jemi ne këta, nuk i bëjmë ne këto.

Dhe tani, sot ne jemi këtu natyrisht për të folur për 11 majin edhe për një fushatë kombëtare dhe për një palë zgjedhje kombëtare, por ja që përçmimi i dikurshëm dhe ajo ndjesia e tmerrshme e atyre që ia morën Kavajës votën, në mënyrën më pa kushte, është në fakt karakteristika e asaj kënete dhe atij bufi në krye të kënetës që njerëzit i do si specie nën hyqmin e vet dhe që asnjëherë nuk mendon se si t’i ngrejë, përkundrazi mendon vetëm si t’i mbajë nën vete.

Sot, ne vijmë këtu me këtë skuadër dhe në anën tjetër ka një skuadër tjetër.

Pashë një këtu që kishte poserin te xhami i berberit edhe duhet ta mbajë berberin, se ky çuni që është në poster është fiks për të ftuar njerëzit që të qethen brenda. Jo është fiks portreti, siç janë ato që vendosen te berbehanet, që futë që të dukesh si ky. Ta mbaj aty, thjesht t’i heqi ato madhështore, ça janë ato, se nuk do kenë më kuptim pas 11 majit, po atë çunin ta mbaj dhe qenka i skuadrës.
Mirëpo në atë skuadër, në fakt më i rëndësishmi për ata që duan të dinë se kë të votojnë në 11 maj është ai që s’është. Më i rëndësishmi në atë skuadër për të gjithë ata që akoma vazhdojnë, vazhdojnë dhe mendohen çfarë të bëjë në 11 maj, apo për ata që akoma rrinë me sytë nga këneta, është ai kryetari i Partisë Demokratike të Kavajës që bëri një faj shumë të madh, fitoi primaret në gjithë Tiranën dhe duke fituar primaret në gjithë Tiranën përfundoi në barkun e bufit, e hëngri bufi. Se bufi nuk do individ të lirë, bufi do skllevër, bufi nuk do qytete të bukura, bufi do vendbanime që të jetojnë vetëm me hijen e tij.

Parafytyrojeni, bufi mori mbështetje të pafundme në disa pika, po dy pika kanë qenë ato që e kanë mbështet në mënyrën më sy mbyllur, Tropoja dhe Kavaja. Tropoja dhe Kavaja janë dy pikat që kanë pas më pak investime nga qeveria e bufit se sa të gjithë të tjerat gjithë Shqipërinë. Mendoni që është rastësi? Jo, nuk është rastësi, nuk është rastësi.

Mendoni që është rastësi që e hëngri Hysën e shkretë. Ku është Hysa? Ku është? Ku është Hysa? Nuk është në skuadër më kanë thënë që nuk është as në Kavajë. Ja u them unë, ku është, te barku bufit.
Dhe nuk është vetëm Hysa. Të gjithë ata që fituan në primare, sepse kishin një fytyrë të tyren, sepse kishin një rreth të tyrin, sepse kishin një sinqeritet të tyrin, sepse ishin “aty në kënetë mo, po hajde”, por ama, sidoqoftë kishin një njerëzillëk të tyre, nuk janë në skuadrën e kënetës, nuk janë, nuk janë, se nuk po them gjelin e detit të Peqinit, Dash Sulën.

Se gjeli, s’është zog kënete, e bufi s’mund ta duronte gjelin. Mezi priti të vinin zgjedhjet dhe e zhduku fare, i fitoje primaret. Po po them këta të tjerët.

Tani i them demokratëve të Kavajës, ata që mendojnë të shkojnë në 11 maj, edhe të vazhdojnë ta hedhin votën në kënetë. More po çar? Po si ka mundësi? Po si ka mundësi, po për çfarë ju duhet? Për çfarë ju duhet? A ju bëri qytetin?  Jo, qytetin aq sa është bërë, e kemi bërë ne, dhe aq sa do bëhet, do ta bëjmë ne.
Po mirë qytetin s’ia u bëri, po ju hëngri dhe Hysenin, Nuk ua respektoi minimalisht njeriun tuaj që zgjohet vetë dhe nuk e zgjohet vetë në revolucion, ju tha bufi, dilni, ai iu nxori të gjithëve me pa, kush e ka kokën i çik sipër ujit, i preu të gjithë prapë, edhe këneta është rrafsh tashi, edhe janë të gjithë bretkosat që bëjnë kua-kua-kua, edhe del edhe ndonjë salamandër si ai në Elbasan, që tha “do t’ju hamë të gjallë”
Dhe sot po i them Pandit këtu në sy tuaj, kjo është arsyeja Pand pse ke ardhur këtu, sepse ne për Kavajën dhe Rrogozhinën natyrisht, por fiksimi është këtu, nuk duam që të mbetemi në asnjë lloj borxhi, ne duam që Kavajës t’i dalim borxhit.

I kemi sjellë Mamicën kryetaren e kuvendit, i kemi sjellë Ilvën, Eldin që prapë është çuni juaj këtu, Antoneten po ashtu dhe me të gjithë këta bashkë kemi sjellë edhe kryeministrin e luftës së Kosovës, një figurë tanimë e historisë së PS, por në të njëjtën kohë dhe një protagonist i ndryshimeve demokratike dhe njëkohësisht dhe brenda nesh, gjithmonë një urë paqeje dhe mirëkuptimi me të gjithë. Kështu që, unë nuk e di se çfarë duhet të bënim më shumë, por di ama që nëse Kavaja do që ne ta rimarrim dhe një herë nga e para me shumë vrull transformimin e qytetit, duhet të votojnë ne.

Nëse Kavaja do që në parlamentin e Shqipërisë të ketë përveç dy deputeteve që i ka sot se i ka në listën e mbyllur sot, edhe më shumë se dy, i ka zgjedhjet njërën më të mirë se tjetrën. Nëse Kavaja do që përveç këtyre të mos mungojë me shumicën e vet në takimin me historinë në 11 maj për këtë pasaportë europiane që nuk është tesera e PS, nuk është pasaporta që zëvendëson pasaportën që kemi sot për të lëvizur pa viza.
Është statusi i ri i shqiptarit në Europë, është statusi i ri i Shqipërisë në Europë. Është pasaporta e identitetit europian të shqiptarëve, jo vetëm me zakon se me zakone këtu jemi, kemi qenë nga më të vjetrit në kontinent, nën këtë qiell, por dhe me ligj.
Nëse i do të gjitha këto, Kavaja duhet të bëhet shumicë për PS. Shumë  e thjeshtë. Dhe tek çdonjëri nga kandidatët tanë kavajasit që nuk janë socialistë i kanë të gjitha rastet që te shohin njeriun, të shohin protagonistin shoqëror, të shohin protagonistin politik, të shohin zërat që do jenë nesër vlerë e shtuar për Kavajën. Në fund të fundit kur ne shkojmë në zgjedhjet nuk shkojmë për të bërë krushqi. Ne shkojmë në zgjedhje për të zgjedhur kalin më të fortë, që tërheq më shpejtë karrocën e punëve tona.
Tani si mund të zgjedhësh një gërmuq vetëm se është kali i nahijes tate?

Si mund të vazhdohet se kuptoj, se ma tha bukur një zonjë. Tha “po gjithë jetën na kanë thënë që duhet të kujdesemi për pleqtë, si është kjo punë tha duhet të zgjedhim ne një plak të kujdeset për ne”? Dhe kështu është.
Kush është demokrat me njerezillëk nuk duhet të shkojë të votojë kënetën për të mos hyrë në gjynah për të mbajtur plakun e huaj rrugëve, që nuk lidh më as fjalët. Është të hysh në gjynah. E tregova atë fabulën kur i thirri baba kalamajtë, tre çunat. Të madhit i tha do kujdesesh për arën, të dytit i tha do shesësh prodhimet e arës, të voglit i tha “kurse ti do kujdesesh për babën, që kur të lajthisë baba të mos e lësh të dalë nga shtëpia”. I tha i vogli, po si do ta marr vesh unë o bab? Kollaj fare, i tha, kur baba të fillojë të ngatërrojë fjalët e konakut të burrave me fjalët e konakut të grave, mos e lër babën të dalë më.

Ai bufi atje ngatërron jo fjalët e konakëve, por ngatërron dynjanë e tani ngatërrohet dhe me këmbët e veta. Se ma ka thënë një kavajas diku për një njeri që ngatërrohej, i thotë i gjëmon bishtit të vet. Ai gjëmon bishtit të vet.
Do ta bëjmë Kavajën madhështore. Që kur e thotë këtë duhet t’i vësh vizën.

Por nuk dua t’ju lodh me të, por dua t’ju them që kemi një dorë një mundësi historike. Fati e ka dashur që gjithë përpjekja që kemi bërë, gjithë puna që kemi bërë, gjithë durimi që kemi pasur duke i rënë derës së BE, ne bjer dhe dera mbyllur, të na shpërblehet se tani është një moment që jo thjeshtë për ne, por dhe për interes të tyre ata e kanë hapur derën.

Është shtëpi të pasurish. Shtëpitë e të pasurve nuk e mbajnë derën hapur gjithë kohën, ju e dini shumë mirë. Janë shtëpitë e të varfërve që e mbajnë derën hapur gjithë kohës. Shtëpitë e të pasurve e hapin derën, jo kur i bie ti derës, por kur dhe ata aty brenda kanë interes të të fusin ty brenda. Dhe ky është momenti që janë përputhur këto interesa. Na kanë dhënë dy vjet kohë deri në 2027-ën, por të pasurit i harrojnë shpejtë ato që thonë se i del një interes tjetër më i madh. Kështu që ne duhet të vrapojmë që të mbyllim negociatat brenda 2027-ës dhe të hyjmë në atë shtëpi, ta ulim Shqipërinë si zonjë në atë sallon dhe t’i japim fund historisë shekullore të popullit të dorës së dytë, të popullit të trajtuar si popull i dorës së dytë, të popullit të përçmuar si popull i dorës së dytë.

Zoti na ka dashur të jemi këtu në emër të Europës, qysh në agimin  e kohërave dhe akoma jemi të huaj për Europën. Këtë mund ta ndryshojmë vetëm vetë, me kokëfortësi, me karakter dhe me bindjen se identiteti ynë europian është i patjetërsueshëm, por kjo do forcë, kjo do bashkim, kjo do të shohësh të kaluarën me sytë e së ardhmes, jo të shohësh të ardhmen me sytë e bufit të kënetës.
Kjo do të shohësh flamurin kuq e zi, jo të shohësh ngjyrën e ujit të kënetës. Kjo do të shohësh tek tjetri në krahë një fuqi më shumë pavarësisht se ai mund të ketë bindje të tjera sepse të gjithë bashkë ne një bindje nuk e ndajmë dot. Bindjen që ne jemi pasardhësit e Skënderbeut, pasardhësit e Ismail Qemalit, ne jemi pasardhësit e të gjithë bartëseve të amanetit që ka të shkruar fatin europian të shqiptarëve. Na ka ardhur ne në dorë siç iu erdhi në dorë të gjithë atyre që në mars të 92-it shkuan dhe votuan për PD. Shumica e tyre nuk ishin me PD, por ama ishin me Europën, ishin me lirinë, ishin me demokracinë dhe donin t’i vinin vulën një ndarjeje me të kaluarën dhe vajtën atje. 6 muaj më mbrapa e nxorën prapë në pakicë partinë e bufit, por ama në 22 mars nuk ishte një zgjedhje për partinë, ishte një zgjedhje për Shqipërinë. Shqipëria në Europë apo Shqipëria akoma me hijen e të shkuarës. Dhe e bënë shqiptarët. Disa të tjerë bënë atë që bëra dhe unë, unë për bufin nuk shkoja gjallë për të dhënë votën se ia kam ndjerë erën sa e kam parë te qyteti Studenti
Ja kam ndjerë erën, erën e teserës së Partisë së Punës në xhepin e pardesysë së bardhë që thoshte “Ramiz Alia është presidenti ynë” dhe nuk mund të votoja për bufin, por ama si mundet unë të shkoja të votoja për një parti tjetër në 22 mars kur 22 marsi ishte vendimmarrja midis Europës dhe të shkuarës, nuk mundesha. Atëherë nuk shkova fare në votim kështu që ata demokratë që e kanë kaq problem fytyrën time, që më kanë kaq problem mua, që na kanë kaq problem ne, që kanë kaq problem komunizmin që ka vdekur dhe që në qoftë se ka një qelizë komunizmi që jeton akoma është tek truri i vogël i bufit të kënetës, ata të mos shkojnë fare në votim, por jo të shkojnë të hidhen në kënetë.
Ne mezi e nxorëm Kavajën nga këneta, ne i dhamë Kavajës detin, ne hapëm vijën ujore për ta lidhur Kavajën me detin, çfarë duan këta? Si mund të çohet njeriu të dielën në mëngjes e të shkojë të mbajë radhë për tu hedhur në kënetë? Si është kjo? Po për çfarë njëherë, për të shkuar tek berberi këtu? për çfarë? Kot, pa lidhje, për çfarë sepse nuk kanë as ndonjë  shans të fitojnë? Do thoni ju “Po mirë, nëse ata nuk kanë asnjë shans të fitojnë, ti pse bërtet kaq shumë?”
Sepse ne nuk na duhet një shumicë aritmetike, ne na duhet fryma e bashkimit e shprehur në një shumicë shqiptare ne na duhet që kur të vijnë ata burrat dhe ato gratë që tha Pandi nga e gjithë Europa tek sheshi Skëndërbej në 16 maj, ta marrin shumë të fortë mesazhin e 11 majit, jo ne socialistët, jo, ne populli shqiptar duam të bëhemi pjesë dhe anëtarë të bashkësisë së popujve të Europës.
Këtë duhet të marrin mesazh, këtë duhet të kuptojnë, duhet të jetë një shtysë e madhe dhe për këtë duhet ndihma e të gjithëve, duhet të kontribuojnë të gjithë dhe ju them të gjithë prindërve dhe këtu e mbylla, prindërve demokratë që kanë fëmijë sot në shkollë, në kopsht, në çerdhe, u them “Po çfarë mund t’i bëni ju fëmijëve më shumë ,çfarë mund t’i dhuroni atyre një gjë më të madhe duke u angazhuar në zgjedhje sesa të jepni dhe ju kontributin tuaj që t’i jepni fëmijëve pasaportën europiane?”
Nuk na e dhanë dot ne prindërit tanë pasaportën europiane, nuk ua dhanë dot gjyshërit tanë prindërve tanë pasaportën europiane e kështu deri thellë në histori ne mbetëm të huaj në mes të Europës.
Ne dhe sot e gjithë ditën  kur shkojmë atje na nxjerrin anash, na fusin në atë korridorin tjetër e fillojnë nga pyetjet, “Ku po shkon, kush të ka ftuar, sa do rrish, sa lekë ke me vete” dhe pastaj ti nuk ke hedhur akoma hapin brenda “Kur do ikësh?”
Të huaj, të huaj ndërkohë që me këtë pasaportë fëmijët e këtij vendi mund të shkojnë në cdo shkollë, në çdo universitet, jo siç shkojnë sot, jo siç shkojnë sot si të huaj me tarifa që prindërit i paguajnë 10 herë më shtrenjtë sesa prindërit e fëmijëve që janë atje por me të njëjtat kushte dhe me të njëjtat shpenzime njësoj si fëmijët e Greqisë, Italisë, Spanjës, Gjermanisë.
Çfarë mund t’i bëjnë dhuratë më të bukur?
Nëse e kanë kaq problem që do votojnë aty ku shkruan Partia Socialiste Edi Rama, kjo është dhe një arsye më shumë që ta bëjnë sepse kur t’i japin pasaportën fëmijës nesër do t’i thonë “Eh more babë, për këtë pasaportë i kam dhënë një votë një zdapi që nuk e shihja dot me sy por e kam bërë për ty”. Është një argument më i fortë, apo jo, sesa kur t’i japin atë pasaportën e të thonë “Eh more Edi Rama paske pasur të drejtë por unë paskam qenë çyryk”.
Ju falënderoj shumë nga zemra dhe ju siguroj, ju them në fund kaq, ju dhe gjithë Kavajës e Rrogozhinës ju them kaq, na jepni 5 në 11 maj dhe ne do t’jua kthejmë 5-fish në 1 mandat.
Faleminderit shumë, rroftë Kavaja, rrofshin Kavajasit, rroftë Rrogozhina, rroftë gjithë ky popull i mrekullueshëm socialistë, demokratë të gjithë çfarë janë dhe bashkohuni me këta flamuj, me flamurin më të bukur në botë dhe flamurin e ëndrrës më të vjetër në jetën tonë.
Shumë faleminderit!