Itali, Takimi i Kryeministrit Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë me shqiptarët që jetojnë e punojnë prej vitesh në Milano:

Motra dhe vëllezër, ju jam shumë mirënjohës që sot në një ditë pushimi dhe në një orë të ditës kur me siguri mund të bënit plot gjëra të tjera, keni zgjedhur të vini këtu për këtë mikpritje të jashtëzakonshme dhe më besoni që ju jam thellësisht falenderues të gjithëve.
Shumë faleminderit!

Është hera e parë në historinë tonë të zgjedhjeve që edhe ju edhe të gjithë shqiptarët jashtë kufijve të zgjedhin pa pasur nevojë të vijnë në Shqipëri dhe në vend se ju të vinit në Shqipëri jemi ne që vijmë tek ju dhe më vjen jashtëzakonisht mirë që edhe këtë, siç zotuam në krye të herës, e bëmë realitet dhe tani çdo shqiptar e shqiptare që do të shprehet me votën e vet për drejtimin e vendit ka mundësi ta bëjë pa lëvizur nga vendbanimi i vet kudo ku është jashtë kufijve të Shqipërisë.

Ishte thënë që në të parat zgjedhje ku shqiptarët e Europës dhe të botës marrin pjesë, fati ynë, fati i shqiptarëve të na sillte në një zgjedhje që është si një përballje përfundimtare me historinë tonë duke na dhënë ne, shqiptarëve të sotëm, shansin që me një votë t’ia ndryshojmë përgjithmonë rrjedhën historisë.

Parafytyrojeni vetëm me një votë, një votë për të bërë histori, një votë për të ndryshuar kahjen e historisë, një votë për të shënuar veten në histori secili dhe secila që do ta investojnë votën për atë që ne së bashku duam të arrijmë sepse këto zgjedhje janë tamam si një udhëkryq mes një votimi, një votim politik për partinë që do qeverisë 4 vite dhe një votim historik, një votim historik përtej partive, për Shqipërinë që në 4 vite ne mund ta bëjmë zonjë anëtare të familjes së bashkuar europiane.

Për herë të parë ne e kemi në dorë vetë fatin europian të Shqipërisë sepse për herë të parë nuk jemi vetëm ne që duam të hyjmë në Bashkimin Europian siç kemi dashur qysh në ditën e parë të lirisë por janë edhe vendet anëtare të Bashkimit Europian që duan të na fusin në gjirin e tyre dhe kemi 30 ditë për tu lidhur dorë për dore me çdo shqiptar e shqiptare që e do zonjën Shqipëri në Bashkimin Europian.

Kjo është e përpjeta e fundit, e përpjeta e fundit e Shqipërisë drejt Europës dhe është fundi i historisë sonë jashtë Europës dhe përpara nesh kemi vetëm një datë, 11 majin dhe pastaj kemi vetëm një mandat, 4 vjet për të fituar bastin historik me Europën për Shqipërinë dhe me Shqipërinë për Europën.
Të dashur miqtë e mi, sot është dita, sot është dita e shqiptarëve. Shqiptarët sot janë më mirë seç kanë qenë kurrë më parë në historinë e tyre në aspektin e pozicionit dhe të figurës që kanë ndërkombëtarisht por sot është po ashtu dita e shqiptarëve dhe ky është muaji i ndarë mes prillit dhe majit dhe kjo është dekada e ardhjes së fatit europian të Shqipërisë tamam këtu në dorën tonë qëkurse ne dolëm nga ferri komunist dhe Bashkimi Europian na ka vënë përpara një plan të dakordësuar që ne të mbyllim të gjithë marrëveshjen e anëtarësimit duke mbyllur të gjitha negociatat brenda vitit 2027.

E pra, pikërisht tani, pikërisht kur siç e shihni dhe ju këtu në Itali, situata e përgjithshme është e turbullt, gjëmimet dhe kërcënimet e luftës dhe rrëmuja e përgjithshme paralajmërojnë kohë shumë të vështira. Pikërisht tani, ne shqiptarët nuk mund ta humbasim kurrsesi këtë shans që është një takim me historinë dhe nuk mund ta humbasim as për mustaqet e Kujtim Gjuzit dhe as për hallin personal të bufit të kënetës që fshihet nën mustaqet e Kujtim Gjuzit.

Prandaj, sot është dita që çdo shqiptar dhe çdo shqiptare, çdo prind që jeton në Shqipëri apo në Itali apo gjetkë dhe që do që tu lërë fëmijëve të vet diçka të madhe, diçka të jashtëzakonshme, diçka që të gjithëve ju që jeni këtu sot dhe që morët rrugët për të ardhur këtu ju mungoi. Është mundësia për ta bërë realitet duke tejkaluar të gjitha ndasitë partiake, të gjitha llogoret dhe barrikadat, të gjitha hendeqet dhe sherret për ta bashkuar Shqipërinë e tërë, Shqipërinë e socialistëve dhe demokratëve, Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve në sofrën e Bashkimit Europian dhe sa më të bashkuar, sa më të bashkuar, sa më të vetëdijshëm të jemi për fatin që na ka ardhur tamam si zogu në dorë, atëherë aq më e sigurt është që ne, me dorën tonë, me duart tona, do t’i japim fund historisë së një populli të trajtuar si popull i dorës së dytë, do t’i japim fund nëpërkëmbjes dhe përjashtimit të vetes sonë si popull nga fati ynë europian dhe do t’iu bëjmë fëmijëve, do t’iu bëjmë brezave një vend të denjë aty në shtëpinë e Bashkimit Europian.

Miqtë e mi Shqipëria sot është krejt ndryshe nga çfarë ishte kur ne morëm detyrën, në çdo aspekt përveçse në kënetën e opozitës dhe të mediave rreth saj, të cilat sot janë edhe më keq sa atëherë kur ne morëm detyrën, por ky nuk është problemi ynë, por s’ka asnjë dyshim që Shqipëria sot nuk do të jetë njësoj përkundrazi, do të jetë shumë më ndryshe nga Shqipëria 2030 në Bashkimin Europian.

Shqipëria 2030 do të jetë një Shqipëri e re, do të jetë një vend me një tjetër pozicion dhe me tjetër fuqi, do të jetë një shtet anëtar i një familje të madhe lirish, të drejtash dhe mundësish që ne sot nuk i kemi akoma dhe që as nesër nuk mund ti kemi nëse të gjithë së bashku sot nuk e bëjmë Shqipërinë pjesë të asaj familje. Në atë familje, lira individuale e qytetareve dhe barazia e këtyre para ligjit nuk vihet më në diskutim. Dhe pikërisht drejtësia, frymën dhe shpatën e të cilës ne socialistët e progresistët e Shqipërisë e sollëm për herë të parë në jetën e vendit tonë, si një shpatë që është në duart e një drejtësie të pavarur, kur në fakt në Shqipëri nuk ka pasur kurrë drejtësi të pavarur, kur në fakt që nga 1912 dhe deri para pak vitesh kurrë nuk është parë dikush i lidhur me pushtetin politik që të shkojë para një hetuesi dhe gjykatësi të pavarur, ne duhet gjithsesi ta garantojmë duke e futur Shqipërinë në Bashkimin Europian, aty ku drejtësia sot e re dhe e pavarur do të mbetet e pavarur dhe do të forcohet pa in ndërhyrë askush. Sepse populli shqiptar nuk mund ta lëri në dorën e qeverive të radhës dhe të partive të radhës, dhe të të parëve të partive të qeverive të radhës, po do ta marrë vetë në dorë dhe ta mbrojë me të gjithë forcën e vet me votën e 11 majit, pikërisht, lirinë dhe pavarësinë e drejtësisë që ne po ndërtojmë.

Juve i keni dëgjuar, i dëgjoni përditë ata që thonë: Ç’është kjo punë? Si ka mundësi që këta guxojnë të kërkojnë votën? Që këta guxojnë të bëjnë një mandat tjetër kur kanë gjysmën e qeverisë në burg. E vërteta është krejt ndryshe; s’pari në këto vite ne kemi pasur mbi 60 ministra dhe qindra kryetarë bashkie e komunave, dhe nëse disa prej tyre janë gjendur në probleme me drejtësinë e re dhe të pavarur që ne krijuam me vullnetin tonë të lirë dhe me vizionin për t’i dhënë çdo shqiptari barazinë para ligjit, kjo nuk do thotë që ne do të ulim tokën, kjo do thotë që ne të jemi më krenar se asnjëherë tjetër.

Ata, janë këneta që jo vetëm asnjëherë nuk i ka lënë drejtësisë radhë të thotë fjalën e vet, po ka arritur, ajo kënetë të marrë edhe jetë të pafajshme njerëzish dhe nga ana tjetër, të pengoj me forcën e pushtetit drejtësinë të bëjë punën e vet. Dhe sot duan të rikthehen përsëri, sepse bufi i kënetës do të rikthehet përsëri, për të rikthyer Shqipërinë në gropën e tij dhe vetëm e vetëm për hallin e tij.
Prandaj dua që të gjithë të më kuptoni, të më besoni dhe të më ndihmoni që këtë mesazh ta marrin sa më shumë shqiptarët dhe shqiptare. Këtu nuk bëhet fjalë, më besoni për këtë, këtu nuk bëhet fjalë për pushtetin tonë në vetvete. Këtu nuk bëhet fjalë për të marrë një votë më shumë sesa këneta, se kjo është më e thjeshta që ne mund të bëjmë. Këtu bëhet fjalë për t’i dhënë Shqipërisë të gjithë së bashku mundësinë që të vrapojë drejt objektivit, që të mos ndalet në asnjë minutë në kryerjen e negociatave, që të firmosi marrëveshjen në 2027-ën dhe që Shqipëria 2030, mbasi të ketë marrë miratimin e 27 parlamenteve të vendeve anëtare, të ulet në tryezën e Bashkimit Europian dhe ta garantojë përfundimisht, ta garantojë pa asnjë mundësi prapakthimi, ta garantojë si një të drejtë të lindur, të çdo vajzën e djalit shqiptar, pavarësisht statusit të familjes, pavarësisht nëse familja është e pasur apo e varfër, pavarësisht nëse familja është e njohur apo e panjohur barazinë para ligjit dhe deri në atë moment vetëm ne, vetëm ne, Partia Socialiste e Shqipërisë, populli socialist dhe progresist, unë, ju të gjithë bashkë mund ta mbrojmë drejtësinë nga ofensiva e bufit, bretkosave dhe mushkonjave që, siç i keni parë, përbetohen se në 12 maj do shkrijnë SPAK-un. E vërteta është që në 12 maj ata thjesht dhe vetëm do prezantohem me Noc Rrokun.
Vetëm kështu ne mund t’i mbyllim negociatat, vetëm kështu ne mund të vazhdojmë ta rrisnim prodhimin e përgjithshëm kombëtar.
Kur ne morëm detyrën, Shqipëria prodhonte më pak se 10 miliardë euro në totalin e vet sot prodhon 25 miliardë euro dhe në 2030 ne do ta çojmë në 35 miliardë euro!
Vetëm kështu ne mund të rrisim të ardhurat për frymë. Ato ishin 3 mijë e pak euro kur ne e morëm detyrën, sot janë 10 400 euro dhe në Shqipërinë 2030, ne do t’i çojmë në 15 000 euro!

Vetëm kështu ne mund të rrisnim pagën mesatare në sektorin publik që e gjetëm, parafytyrojeni, e gjetëm vetëm 370 euro, sot e kemi çuar 1 000 euro dhe në Shqipërinë 2030 do ta çojmë të paktën 1200 euro!

Dhe kështu me radhë të gjitha së bashku, por ama nga ana tjetër, të votosh për Shqipërinë 2030 në BE, do të thotë të investosh për një Shqipëri në aspektin e të drejtave dhe në aspektin financiar sepse me uljen në atë sofër të familjes së bashkuar europiane, Shqipëria do tw ketë falë arkës së përbashkët të asaj familjeje një buxhet solidariteti ekstra çdo vit. Dhe për t’ju dhënë një shembull, nëse BE në gjithë këto vite ne na ka dhënë një miliardë e diçka më shumë euro nga të cilat 90% kredi, duke hyrë në BE një miliardë e diçka më shumë euro do t’i marrim çdo vit, nga të cilat 90% do të jenë grant, domethënë fonde të falura.
Ajo që ka mbase rëndësi më të drejtpërdrejtë për ju është, jo vetëm fakti që, me hyrjen në BE mundësitë tona si shtet, si qeveri, si buxhet do të jenë shumë më të mëdha për të mbështetur shumë më tepër njerëzit, por me hyrjen e Shqipërisë në BE, gjithsecili, çdo shqiptar, çdo shqiptare kudo ku është do të marrë pasaportën europiane dhe pasaporta europiane e BE nuk është një tjetër dokument udhëtimi, nuk ngjan as në formë as në përmbajtje me pasaportën që kemi sot por është një status, është një status i ri qytetarie, një status që për ne si banorw më të vjetër të këtij kontinenti, që mbase, si askush tjetër kemi ngrwnë dynjanë për të ngritur kokën dhe për të ardhur deri këtu, do të na japë mundësinë që me atë pasaportë të kemi dinjitet të plotë dhe të barabartë me çdo italian, me çdo gjerman, me çdo francez dhe me këdo tjetër.

Po ju jap një shembull të thjeshtë. Ne bëmë, ju e dini më mirë sesa të gjithë, bëmë një përpjekje shumë të gjatë, që më në fund qeveria italiane t’i njihte pensionet tuaja. Dhe juve pritët e pritët dhe edhe pasi u morët vesh me motrën time në Romë ju prapë pritët se duhej bërë ligji, duhej kaluar këtu, duhej kaluar atje, do firmohet këtu, do kalonte atje, do miratohet këtu, do kthehet atje, histori italiane dhe vetëm përpara tre ditësh është firmosur dhe dokumenti i fundit. Por, nëse do të kishit pasaportën e BE, shqiptare, ju s’do kishit nevojë për asnjë lloj njohje nga qeveria italiane dhe me pasaportën e BE për shembull vëllezërit dhe motrat tona në Greqi, që akoma vuajnë për dokumenta do të bëhen menjëherë automatikisht qytetarët të barabartë të Greqisë dhe ajo pasaportë është njohje automatike e pensioneve, është njohje automatike e çdo dite pune, është njohje automatike e çdo të drejte që kanë italianët dhe gjithë qytetarët e tjerë të BE.

Juve edhe sot, pavarësisht se mund të keni vite të tëra në Itali pikërisht pse nuk keni pasaportën italiane duhet prapë kur hyni nga Shqipëria të futeni te ajo radha atje “jo nxirr permeson, jo s’ke permeson, jo ke leje, jo s’ke leje”. Ndërkohë që, me atë pasaportë do hyni e do dilni, jo vetëm nga Shqipëria në Itali, po kudo njësoj si italianët dhe askush nuk mund dot t’ju thotë ku po shkon, kur do kthehesh, ku banon, ku e ke letrën, ku e ke lejen, ku e ke patentën.

Miqtë e mi,

Unë dua t’ju them se nëse ju, – unë shoh këtu shumë të rinj, të cilët mbase disa prej tyre kanë lindur këtu sepse prindërit e tyre kanë ardhur këtu për ta, – dhe nëse shumë të tjerë këtu që janë prindër rrinë me dy mendje të rri apo të kthehem, por anojnë nga qëndrimi këtu për fëmijët, atëherë po ju them që ju keni bërë shumë dhe sakrifikoni çdo ditë për fëmijët tuaj, por nuk mund t’i bëni fëmijëve tuaj asgjë të paharrueshme sesa me një votë t’i jepni në fund të kësaj dekade pasaportën e BE në dorë. Sepse duke i dhënë atë pasaportë juve fëmijëve tuaj, i jepni, jo vetëm dinjitetin e barabartë me italianët, por i jepni një liri, që përndryshe nuk e kanë dot, i jepni lirinë që të lëvizin si qytetarë të BE, njësoj sicc lëvizim ne të gjithë së bashku kur jemi në Shqipëri. I jepni larine, që kur të shkojnë në shkollë apo në universitet të mos jenë studentë të huaj, por të jenë studentë të BE, të kenë të njëjtat kushte, të kenë të njëjtat tarifa, të kenë të njëjtat të drejta dhe kur të dalin për të kërkuar punë të kenë po ashtu, të njëjtin akses dhe të njëjtën barazi me të gjithë studentët europianë.

Atëherë, ajo që ju them unë për të mos ju lodhur më gjatë me fjalime se jam i bindur që ju më ndiqni dhe më keni si rob të shtëpisë dhe këto ditë, deri më 11 maj, bëni kujdes kur të hapni frigoriferin se mos ju dal dhe në frigorifer. Por dua që të gjithë ta kuptojnë këtë gjë, ne duhet t’i dalim borxhit çdokujt, që çdo gjë tjetër, të të vijë zarfi me votën brenda dhe ta hapësh zarfin, të ulesh aty dhe pastaj të vësh votën. Pastaj ta mbyllesh dhe pastaj të marrësh rrugën për ta çuar te posta dhe ta bësh gjithë këtë mundim e ta hedhesh votën në një kënete në Shqipëri është vërtetë turp. Pastaj janë dhe ca të tjerë që vjen vërdallë dhe këtu në Itali. Ne jemi forcë e re, kanë dhe ca emra “jo bëhet, jo s’bëhet” , jo mundet, jo s’mundet, jo bashkë, jo veç. Dëgjoni këtu, ata të re kanë vetëm fytyrën dhe moshën e kryetarëve të tyre, asgjë të re nuk kanë. Kanë mbushur listat e mbyllura me farefis se thonë me demek s’kemi besim tek të tjerët dhe prandaj po vëmë krushqit e po vëmë vjehrrën e vjehrrin, po vëmë baxhanakët e çfarë të gjejmë aty. Edhe ju premtojnë qiqra në hell se dihet kush nuk ka gjë në dorë mund të të premtojë t’ju falë gjithë Milanon, por të çosh votën për ata është ta çosh dwm.
Ne na duhet të bëhemi një. Ne na duhet të bëhemi tamam si gishtat e kësaj dore dhe ne na duhet që ta vendosim vet fatin europian të Shqipërisë që të mos harroni pikërisht në javën e fitores tonë, në 11 maj të
gjithë ne do votojmë dhe atë javë, në 16 maj e gjithë Europa, jo BE, gjithë Europa nga Londra në Ankara, nga Baku në Lisbonë, nga Stokholmi në Athinë, nga Parisi në Kiev, do të zbresë në Sheshin “Skënderbej’’ të gjithë udhëheqësit e kontinentit edhe do të zbresin edhe do futen në tendë të madhe mu nën vështrimin e Gjergj Kastriotit, si kurrë ndonjëherë më parë, sepse e tillë është Shqipëria sot.

Ju në Itali e dini mirë, si ishte deri dje të thoshe “Albanese”, kurse sot nuk ka italian që nuk thotë ‘’voglio venire in Albania’’ dhe ne na duhet një fuqi e madhe, sepse ju thashë, nuk na duhet një fitore aritmetike, na duhet një fitore popullore për t’i thënë të gjithë atyre që do vijnë atë ditë, që populli shqiptar përtej të majtës dhe të djathtës pa dallime partiake në një shumicë më të madhe se asnjëherë, ka vendosur përfundimisht që atë derë që na e keni hapur, duhet ta mbani hapur, të mbarojnë negociatat dhe të hyjmë në BE.

Prandaj, unë ju bëj thirrje dhe të gjithë demokratëve, qytetarëve demokratë, atyre që janë këtu si ju, qytetarë si ju, që kanë të njëjtat probleme, të njëjtat ëndrra, të njëjtat nevoja, të njëjtat shpresa që ta kuptojnë se kjo nuk është një ndeshje mes Interit dhe Milanit, kjo është një përballje finale me historinë tonë; që ta kuptojnë se këtë herë të paktën këtë herë, duhen lënë në shtëpi fanellat, ngjyrat e fanellave.

Këtu, shikoni , ne kemi flamurin kuq e zi, kemi dhe flamurin e Europës. Kemi flamurin më të bukur në botë dhe flamurin e endrrës tonë shekullore.

Skënderbeu kur bëri profecinë e vetë dhe shenjoi orientimin tonë si komb, qysh qindra e qindra vite më parë, nuk e bëri për të na futur në BE se nuk kishte BE atëherë.

Edhe rilindasit kur thanë “dielli i shqiptarëve lind nga perëndon’’,nuk e thanë se donin të shkonin në BE se s’kishte BE atëherë. Edhe Ismail Qemai bashkë me gjithë patriotët e tjerë kur ngritën këtë flamur dhe shpallën pavarësinë, nuk e shpallën për të shkuar në BE, por për t’u ndarë nga lindja sepse qysh nga koha e Skënderbeut, shqiptari ka parë ketëj nga perëndimi dhe në 11 maj, fati e ka dashur që ta kemi ne në dorë pikërisht sepse edhe BE sot do që ne të jemi pjesë e saj, por ajo derë që është hapur nuk është hapur që të rrijë aty hapur përgjithmonë sa të mbarojmë ne historitë tona me këneta e me bufa, me buburreca e me bretkosa.

Ajo derë është hapur duke na thënë ‘’keni dy vjet kohë për të mbaruar të gjitha detyrat dhe hajdeni brenda’’. Kështu që demokratët i pyes, “mor ça do fitoni ju më shumë për veten tuaj, për familjet tuaja, për Shqipërinë sesa na jep të gjithëve si komb jo sot, po sot e përgjithmonë hyrja në BE? Çfarë do fitoni ju duke shkuar pas berihait të një bufi plak që do të rikthehet për të tretën herë se herën e parë e shkatërroi fare Shqipërinë, herën e dytë e futi në një gropë borxhesh, që mezi e nxorrëm,herën e tretë tani është në gropë vetë dhe thotë ‘’hajdeni me mua t’ju fus në gropën madhështore’’. Asgjë. Asgjë.

Dhe ça doni më? U them të gjithë demokratëve, nuk ju mjafton ajo që ndodhi me primaret, primaret ku bufi i nxorri të gjithë dhe iu tha “vota juaj asht ligj për mue” dhe ça ndodhi? Kush doli i pari në primare, përfundoi thellë në barkun e bufit. U zhduk. I kullufiti të gjithë. Asnjërin nuk la, as nuk i tha “dilni t’ju shoh një herë se kush nga ju ka vërtetë vota që ta ha’’.

Si mund të diskutohet më, se cila është zgjedhja në 11 maj?

Zgjedhja në 11 maj është shumë e qartë, shumë, shumë e qartë.

Zgjedhja në 11 maj është me flamurin tonë kombëtar dhe me flamurin e BE apo me leckën e kënetës? Kjo është zgjedhja dhe duke ju falenderuar jashtëzakonisht për mikpritjen, për mundimin për të ardhur këtu, për energjinë dhe për këtë emocion, unë ju them se në 11 maj do të kemi një festë të madhe për Shqipërinë europiane dhe në 11 maj, së bashku, ne do të marrim fitoren më shembullore, jo për vete, jo për mua, jo për ju, por për mbarë popullin, kombin, vendin, shtetin tonë.

Shumë faleminderit!