Dibër, 2 maj, Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama:

 

Përshëndetje të gjithëve dhe shumë respekt!

Ju falënderoj shumë për këtë mikpritje fantastike, por kam diçka përpara sesa të them fjalët e mia, se duke ardhur shpesh për shkak të detyrës në këtë zonë, e mësova avash-avash, por e mësova që këtu është problem kur të rren mendja se i ke kënaqur dibranët.

Dhe e kisha fiksim që në rast se nuk do të përfundonte rruga e Arbrit, deri tek shkallët e hotelit të Astritit, dibranët aty lart në qytet do rrudhnin buzët dhe do thoshin “jo se s’ështe bërë gjë akoma”. Kështu që më vjen shumë mirë që sot edhe segmenti Maqellarë – Peshkopi është i përfunduar. Dhe përfundimisht nuk vij më në Dibër për të thënë do bëjmë rrugën e Arbrit, do bëjmë tunelin e Murrizit, do bëjmë dhe Maqellarë-Peshkopi.

E keni nga hoteli i Astritit deri në Tiranë “plumb pushke” dhe jeni lagje e Tiranës.

Prandaj për të qenë deri në fund këtu i vërtete me ju, unë dua ta ndërpres fjalën sepse vërtetë kjo rrugë ka qenë fiksimi im, por pa dikë që i ka ndenjur mbi kokë ditë-natë dhe që ka qenë xhandar në të gjithë gjatësinë e rrugës që qëllon të jetë dhe dikush që e ka ngritur peshë për herë të parë e ka nxjerre fituese në të gjitha bashkitë PS, nuk do ja dilnim dot që ta realizonim të gjithën, kështu në kohë me cilësi dhe me krenari. Kështu që, dua t’ja jap fjalën përkohësisht dhe pastaj do ta rimarr prapa Belindës.

-Shumë faleminderit. Tani siç e patë këtu sot bashkë me mua erdhi dhe Noizy, por ju duhet ta dini që nuk ka ardhur në asnjë miting tjetër, përveç atij të hapjes dhe sot nuk ka ardhur si këngëtar këtu se nuk këndoi as live se kur kapi Noizy mikrofonin kishte filluar të këndonte, por ka ardhur për një arsye tjetër, se i thosha unë se jemi shokë me Noizyn, si dy çuna problematikë që jemi e keni parasysh, i thosha unë “o Noiz, unë pa e bërë atë Lamborginin tënd të shkojë plumb pushke deri në Peshkopi, unë nuk e lë këtë punë”. Edhe Noizi, jo me helikopter, çonte drona për të parë ku janë punime, me ca makina të lodhura se kishte hall se i thyhej Lamborgini dhe më shikonte dhe më provokonte, tipik njeri që qëkur ka dalë këtu nga barku bebe ka marrë atë e ke dini ju atë pjesën e dibranit, që ta hedh këtej, ti sheh këtej e ke ngrënë andej.

Edhe thoshte “mirë, mirë ka ecur”, por Lamborginin tim harroje se nuk  e çoj andej. Ja ku je sot, Lamborginin e ke aty edhe pastaj ti do marrësh Lamborginin do shkosh në krye të karvanit dhe do jesh i pari që do futesh në Peshkopi nga rruga e Maqellarës.

Noiziy: Babi im ka lindur në një fshat andej që quhet Lubanesh. Është vetëm dy kilometra pa shtruar. Ma shtroni dhe atë rrugën të shkoj të shoh gjyshin.

E kuptoni tani? I them Klosin kujdes me atë 4 me 1 se dibranët do rrinë do mendojnë po i thamë 4 këtë herë çfarë do na japin këta dhe çfarë do na japin më herën tjetër.

Gjithsesi, unë them që meqë nuk u prishëm për gjithë atë rrugën e Arbrit dhe meqë nuk u prishëm për gjithë atë tunelin e tmerrshëm të Murrizit sikur i kishin ardhur gjithë xhindet e Dibrës ishin futur brenda mos të linin të kaloje, nuk do prishemi për 2 kilometra dhe kushti është ky. Ne do ta bëjmë rrugën, por koncertin e vet, albumin e ri Noizy do ta prezantojë këtu te kjo fusha këtu dhe do t’i bjerë këtu fansat nga gjithë Shqipëria dhe nga Kosova e nga Maqedonia e nga të jenë këtu, se rrugën e kanë, fushën e kanë, Dibrën e kanë. Çfarë duan më shumë? Dhe asaj rrugës do ja vëmë rruga e Noizit, do ja vesh me këshill bashkiak rruga e Noizit, por do t’i vëmë gozhda që mos të shkojnë me shpejtësi makinat.

Tani unë nuk besoj që juve pasi jeni mbledhur këtu dhe pas gjithë këtyre shpërthimeve të melodive, të energjive pozitive dhe festive keni nerva të dëgjoni një fjalim të gjatë nga unë.

Nuk ma ha mendja dhe s’jam duke e bërë atë gabim. Por, dua t’ju them diçka të rëndësishme sepse shumë shpesh përdorin njerëzit një fjalë “s’ja vlen të votosh”. Nuk ja vlen të votosh se janë të gjithë njësoj. Mirëpo ja që ky qark e ka provën që ja vlen që ç’ke me atë punë të votosh se s’janë të gjithë njësoj se po të ishin të gjithë njësoj do ishte sot edhe Dibra sot njësoj, do ishte sot dhe Bulqiza njësoj, do ishte sot dhe Klosi njësoj, do ishte sot dhe Burreli njësoj, por nëse të gjitha këto bashki kanë ndryshuar sot, si dita me natën, kjo ka ardhur nga fakti i thjeshtë që nuk janë të gjithë njësoj dhe patjetër ka ardhur si rezultat i investimit të këtij populli me votën e vet tek forca e duhur dhe tek njerëzit e duhur.

Çfarë duhet të bëjnë më demokratët ma thoni? Çfarë duhet të bëjnë më demokratët për atë partinë e tyre të kthyer në kënetë. Ia kanë dhënë besimin sa herë këtu në Dibër, sa herë ia kanë dhënë nuk mbahet mend. Dhe ja thashë sot në Burrel kur prezantova projektet që kemi bërë. Është shumë interesante. Ndërkohë që, këneta ka hapur gjithandej një legjende prej shumë vitesh “Edi Rama s’do veriun, Edi Rama s’është për veriun, Edi Rama nuk investon në veri”.

Shiko sa interesante është. Nga investimet që kemi bërë në qarqet e veriut, qarqet më pak të investuara nga qeveritë e kënetës janë pikërisht qarqet që i kanë dhënë më shumë besim. Dhe e dini kush është bashkia më pak e investuar nga të gjitha bashkitë e veriut?

Tropoja. Ma shpjegoni dot ju mua si shpjegohet kjo? Ua them unë. Sepse është mentaliteti i të parit të tribusë,o i të parit të qytetarëve, i të parit të tribusë.  I pari i tribusë nuk duron dot që ta ngrejë tribunë e vet në pikën, që pastaj njerëzit të shohin atë si të barabartë dhe kjo është dhe ajo arsyeja pse tek këneta kush fitoi primare me vota të demokatëve është zhdukur, e ka ngrenë bufi, nuk ekziston nëpër lista, ndërkohë që, po të shikoni sot çfarë është bërë se po e lë mënjanë rrugën e Arbrit se po nuk po e diskutoj më se nuk di ça të them domethënë. Më çuan një video ku bufi kishte ardhur këtu dhe thoshte që ‘’mu bë shumë qejfi që mbaroi më në fund se ne e kishim bërë gati po ata e vonuan’’. E kupton, apo jo? Kështu që i them këto sepse sot ky qark nuk është më një territor Shqipërie i shkëputur nga pjesa tjetër që për të arritur deri këtu duhej të bëhej një rrugë që ishte më e gjatë sesa për tu nisur nga Tirana e për të shkuar deri në Neë York.

Sot ky qark është pjesë e metropolit të Shqipërisë dhe 5 vite kohë keni, dëgjoni këtë budallain këtu, kur thosha unë që do ta bëjmë qarkun e Dibrës destinacion turistik, më shihnit e më thoshit ‘’ky s’di ça flet’’. Unë po ju them që 5 vjet keni ju të gjithë ju qe jeni të lidhur drejtpërdrejtë me këtë zonë, përpara se sa të gjitha ça shikoni këtu prona, e ça shikoni këtu hapësira zhvillimi, të bëhen të paarritshe. Vlera e pronës, vlera e tokës, vlera e gjithë këtyre territoreve do të jetë diçka që nuk mund të imagjinohej deri dje dhe pasuritë e patundshme të dibranëve, do të marrin një vlerë të jashtëzakonshme.

Dhe kini parasysh që kjo i ka ndodhur të  gjitha vendeve kur hynë në BE që vlera e pronës shumëfishohet për faktin sepse nuk jemi në një shtet tjetër në kufi me BE, por jemi pjesë e BE dhe siç u bashkua Dibra me Tiranën, do të bashkohet Shqipëria me BE. Dhe në atë moment  është territor i përbashkët, prandaj në këto 5 vite, deri në 2030 do të shikoni që kjo zonë do të pësojë një nga transformimet më të mëdha që kanë pësuar zonat e Shqipërisë dhe mos u çudisni fare, që në fund të kësaj dekade, kjo zonë të numërojë 1 milionë turistë. Mos u çudisni fare. S’keni fare pse çuditeni sepse Berati kur ne morëm detyrën, kishte midis 25 dhe 30 mijë turistë, vjet Berati e mbylli me 1 milionë qarku.

Kështu që, të jeni të sigurtë që nuk është aspak çudi, përkundrazi, kjo tanimë është pikërisht ajo që unë e kam ëndërruar që kur kam parë ditën e parë dhe e di shumë mirë Astriti, se unë ata shokë që i kam shokë, i kam shokë gjithmonë, ata shokë i kam çyrykë.  E di shumë mirë Astriti që ia kam thënë që atëherë, ky vend është jastëku i gjelbër i Tiranës.

Tani duke iu thënë që vota vlen, duke iu thënë që investimi i aq shumë dibranëve dhe dibraneve që u bashkuan në zgjedhjet e mëparshme dhe i dhanë 4 bashkitë të PS, u kthye në një investim që solli kaq shumë pozitivitet për këtë zonë, është një mësim për çfarë duhet bërë në 11 maj.

Po ça duhet bërë në 11 maj? Në 11 maj duhet kapërcyer kufiri i partive. Në 11 maj duhet bërë ekzakt çfarë bënë shqiptarët në 22 mars të 92-t kur ishin një palë zgjedhje për të vendosur për qeverinë e ardhshme, por ishin dhe një palë zgjedhje për të vendosur historinë e vendit, për të ndarë historinë e së shkuarës me historinë e së ardhmes, dhe shumë më tepër sesa mbështetësit e PD, shkuan dhe votuan PD, jo se e donin PD, por se ishte forca që gjendej në kohën e duhur, në vendin e duhur për ta ndarë historinë e Shqipërisë nga e shkuara e zymtë dhe e errët e sistemit komunist në të ardhmen e sistemit demokratik.

Në 11 maj duhet ndarë përsëri,  Shqipëria me BE në Europë brenda kësaj dekade, shqiptarët qytetarë të barabartë të BE apo Shqipëria mbrapsht prapë në gropë dhe shqiptarët prapë jashtë Europës, qytetarë të dorës së dytë dhe të huaj në kontinentin ku janë një nga popujt më të vjetër dhe ku fati, Zoti, jeta e ka dashur që të jetojnë në mes të Evropës, kjo është zgjedhja e 11 majit dhe këtu nuk ka lidhje me sa e do Edi Ramën , sa se do Edi Ramën, a je i majtë a je i djathtë apo ça thotë Edi Rama për gjysmën e burrave. Nuk ka lidhje kjo. Madje, madje unë besoj që ajo që unë thashë për gjysmën e burrave, ështe testi më i mirë, se kush nuk e ndjen veten ashtu siç thashë unë, vjen voton numrin 5 dhe ka me çertifikatë që është burrë i mençur.

Kush shkon edhe hidhet në kënetë, pastaj quajeni si të doni se ju ia gjeni emrat më bukur se unë. Ju ia gjeni emrat më bukur se unë, por ama që Dibra ështe grua që në Dibër gratë janë shtyllat e pazëvendësueshme, këtë unë nuk e diskutoj fare edhe sikur ta di që të gjithë burrat vendosin që të më kthejnë kurrizin.

Por, nga ana tjetër, unë e kam kollaj ta them se unë e di që s’ka burrë të mençur që nuk e di që fuqinë e ka tek gruaja, nuk ka. Nuk thotë kot ajo fjala që “pas çdo burri të suksesshëm, është një grua e mençur dhe e fortë’’, kështu që jemi të qartë për këtë. Të jemi shumë të qartë. Unë besoj shumë që ne kemi në dorë një fat që na erdhi ne, ne shqiptarëve të ditëve të sotme, një fat që të bëjmë historinë. Nuk i ndodh të gjithëve. Mund të jetosh një jetë të tërë dhe nuk të ndodh që një palë zgjedhje të kesh fatin të bësh historinë  e vendit tënd, nuk të ndodh. Ne na ka ardhur në dorë që me votën për 4 vitet e ardhshme, të përcaktojmë dhe historinë e Shqipërisë për pjesën e mbetur të këtij shekulli, duke përcaktuar që Shqipëria duhet t’i mbylle negociatat me bashkimin Europian brenda 2027, duhet të bëhet anëtare e Bashkimit Europian dhe të gjithë shqiptarët duhet ta marrin atë pasaportën europiane që është, jo vetëm me zakon, por edhe me ligj një status i ri dinjiteti dhe barazie si qytetarë të kësaj Europe.

Tani, kijeni parasysh që Europa, Bashkimi Europian është një shtëpi të pasurish, nuk e mban derën të hapur gjithë kohës madje në pjesën më të madhe të kohës dera është e mbyllur. Duhet të merren vesh 27 aty brenda që të hapin derën. Ajo që ne kemi dashur që ditën e parë është që të futemi brenda, por asnjëherë dera për ne nuk ka qenë e hapur, vetëm fjala ka qenë “Vazhdoni punën, përpiquni, një ditë do vini” dhe sot ka ndodhur ajo që dukej e pabesueshme. Ata e kanë hapur derën për Shqipërinë dhe na kanë dhënë 2 vjet afat, 3 sepse kemi filluar që vjet negociatat për tu bërë anëtarë të Bashkimit Europian. Janë 250 mijë e kusur faqe që ne duhet t’i kalojmë një nga një atje në negociata me ta, të merremi vesh, duhet marrë ky vendim, duhet marrë kjo masë, duhet bërë ky plan, duhet të kalojë ky program, duhet bërë ky ligj dhe ne atje themi “Po, biem dakord”. E kuptoni ju që të mos kemi fuqinë këtu të kthehemi këtu dhe të duhet të bindim kënetën “Hajdeni votoni dhe ju se na duhet” dhe si mund t’i themi ne atyre në Europë “Shiko se ju na e keni hapur derën, por prisni sepse ne nuk jemi vetëm njerëz siç na shihni, kemi dhe një buf mes nesh”. Si t’jua shpjegojmë këtë?

Apo disa që thonë “Jemi parti të reja” që të re kanë vetëm moshën e kryetarëve sepse nuk kanë asnjë gjë tjetër. Ato partitë e reja janë një rikthim, rikthim në fushë i farës së vjetër të të ndjerës LSI. Ju kujtohet? Ju kujtohet se çfarë kemi hequr me atë farë dhe sesi një parti e vogël merrte peng dynjanë për interesat e veta? Ekzakt e njëjta gjë janë dhe këto të rejat që kanë dalë, asnjë gjë më shumë e asnjë gjë më pak.

Dëgjojini vetë kur e thonë “Po ta kemi ne në dorë në 11 maj, do kërkojmë zgjedhje të parakohshme”. Domethënë ne duam të futemi në BE, ata duan të bëjnë zgjedhje të parakohshme. Pse? Për ta marrë peng popullin që o ne në karrige ose nuk ka qeveri?

Ata nuk do arrijnë asnjë gjë, as të vegjlit, as të mëdhenjtë, as këneta e as moçalet. Çështja është sa do arrijmë ne dhe këtu nuk është fjala që ne të kemi numrat për të bërë qeverisë sepse kjo as nuk diskutohet. Këtu fjala është që ne të kemi një fuqi vendimmarrëse që të ecim përpara dhe të mbyllim negociatat me Bashkimin Europian dhe besojeni këtë gjë.

Shqipëria në BE është një Shqipëri tjetër komplet, është një Shqipëri e re, është një hapësirë e re, është një horizont i ri, është një shpresë krejt e re për të gjithë dhe sidomos për gjeneratën e re. Shqipëria në Bashkimin Europian nuk është më vetëm dhe po ju jap një shembull shumë të thjeshtë; nëse sot ne kemi bërë shumë punë edhe me mbështetjen e Bashkimit Europian edhe për infrastrukturën, edhe për energjinë, edhe për bujqësinë, edhe për arsimin. E gjithë ndihma e tyre në gjithë këto vite ka qenë 1 miliardë e diçka më shumë euro. Kur ne bëhemi anëtarë 1 miliardë e diçka më shumë euro i marrim çdo vit nga ajo shtëpi e përbashkët sepse ajo shtëpi funksionon tamam si shtëpitë tona, kush është më i rritur ndihmon më të vegjlit dhe për bujqësinë kemi bërë agroturizma, kemi bërë agropërpunim, kemi bërë pika grumbullimi me ndihmën e tyre, por kemi marrë  shumë më pak se 200 milionë euro. Në momentin që hyjmë në atë shtëpi, 300 milionë euro vijnë çdo vit nga shtëpia e përbashkët.

Tani, kjo është një e ardhme që deri dje ka qenë një e ardhme e largët. Sot kjo është një e ardhme që është këtu, është në dorën tonë dhe ne duhet me 5-n ta kthejmë në të tashme të Shqipërisë, të shqiptarëve.

Prandaj, do ju lutesha shumë grave dhe vajzave në radhë të parë që të bëjnë çdo përpjekje që të bashkojnë të gjitha mikeshat e tyre, fqinjët e tyre, shoqet e tyre, krushkat, vjehrrat, të gjitha që PS-ja, PD-ja, nuk janë çështja kryesore e 11 majit. Çështja kryesore e 11 majit është një shpresë e re për Shqipërinë me BE-në në Europë apo Shqipëria e gjitha pas një plaku të pashpresë, të lodhur dhe të mbaruar që harron ku e vuri kryefjalën dhe ha rrugës kallëzuesin? Kjo është zgjedhja midis të mirës së përbashkët të një populli të tërë dhe interesit të një grushti njerëzish sepse rruga e Arbrit nuk është rruga e socialistëve, është rruga e socialistëve, demokratëve sepse mbi të gjitha është rruga e dibranëve, e bulqizakëve, e matjanëve, prandaj në zgjedhjet e 11 majit nuk duhet shkuar me fanellë partie, duhet shkuar me flamurin kuqezi.

Keni parë ndonjë flamur të Partisë Socialiste nëpër takimet tona? Jo! Sepse në 11 maj Partia Socialiste nuk është qëllim, është vetëm një mjet, Partia Socialiste është makina ku duhet hipur për të vazhduar rrugën përpara, por nuk është vetë rruga. Rruga është Bashkimi Europian!

Rruga është rruga e këtij flamuri, e këtij flamuri të Skënderbeut, profetit të historisë sonë që na e ka lënë profecinë kur i vuri barrikadën Perandorisë në Krujë dhe kur e përcaktoi fatin tonë me Perëndimin jo me Lindjen!

Është rruga e këtij flamuri që rilindasit e mbrojtën bashkë me gjuhën tonë dhe na e lanë të shkruajtur në shqip “Dielli për ne shqiptarët lind andej nga perëndon”!

Është rruga e gjithë popullit që doli në rrugë pa udhëheqje, pa liri dhe i doli nga shpirti “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa”! Kjo është rruga! Partia Socialiste është vetëm makina.

Tani, është gjithë kjo makinë, super makinë. A mund ta lesh këtë makinë dhe të shkosh e t’i hipësh gomarit? Si bëhet kjo tani? Meqë gomari ka samarin blu, ku do shkosh me gomarin? Merr more vëlla makinën, merre dhe shko plumb pushke në Bashkimin Europian.

Shumë faleminderit!

Rroftë Dibra! Rroftë Mati! Rroftë Klosi! Rroftë Bulqiza! Rrofshin nënat dibrane, motrat dibrane, gratë dibrane, vajzat dibrane dhe patjetër edhe gjithë burrat e Dibrës që do të ndahen nga këneta.

Shumë faleminderit!