Memaliaj, Për zgjedhjen e qartë dhe historike të 11 majit: Mes Shqipërisë me BE-në, në Europë dhe Shqipërisë me Bufin e Kënetës prapë në gropë

Kryetari i PSSH Edi Rama: Shumë faleminderit të gjithëve për këtë pritje që në kujtesën time është pritja me më entuziazëm dhe numrin më të madh të njerëzve!

Ju falënderoj të gjithë dhe besoj që është një ogur shumë i mirë për atë që së bashku do të realizojmë në 11 maj, kur më të shumtë se asnjëherë tjetër shqiptarët dhe shqiptare në Shqipëri dhe jashtë kufijve do të bashkohen në rrugën tonë të përbashkët me Partinë Socialiste për Shqipërinë 2030, në Bashkimin Europian.

Zgjedhja e 11 majit, motra dhe vëllezër është një zgjedhje shumë e qartë.

Është një zgjedhje mes interesit të një populli të tërë dhe hallit të një njeriu të vetëm.

Është një zgjedhje mes të mirës të përbashkët të shqiptarëve pa dallim, socialistë dhe demokratë, majtas apo djathtas dhe interesit të një shtëpie të vetme.

Është një zgjedhje mes Shqipërisë me BE-në në Europë apo me Shqipërinë me bufin e kënetës prapë në gropë.

Unë e di shumë mirë që në këtë zonë nuk ka nevojë për shumë fjalime, se juve gdhiheni me politikë, ngryseni me politikë. Unë e di shumë mirë që në këtë zonë nuk ka nevojë as të hap gojën ai që vjen për të kërkuar mbështetje, që ju në ndërkohë ia keni lexuar të tëra mendimet.  Sepse ju e ndiqni përditë jetën politike të këtij vendi, e keni këtë, e keni pasur gjithnjë dhe  nuk dua të mbaj një fjalim të gjatë këtu, por dua t’ju them shumë thjeshtë që kthejeni pak kokën pas dhe mbyllni sytë dhe shikoni ku ishte Tepelena, ku ishte Memaliaj, ku ishte qarku i Gjirokastrës, kur ne morëm detyrën falë besimit dhe mbështetjes suaj.

Ne këtu jemi të gjithë të barabartë jemi të gjithë një. Ne jemi të gjithë këtu të barabartë dhe të gjithë një dhe unë nuk jam heroi juaj, jam kali që keni zgjedhur të tërheqë karrocën, kaq.  Për t’iu shërbyer edhe për të bërë histori së bashku.

Kështu që ju me historinë e keni raportin dhe në 11 maj, motra dhe vëllezër na ka ardhur neve, fati e ka dashur që të na vijë neve, shqiptarëve dhe shqiptarëve të kësaj kohe mundësia që të bëjmë histori së bashku dhe të përmbyllim një kalvar të gjatë, që fillon nga shumë larg nga koha kur Gjergj Kastrioti, profeti i historisë sonë kombëtare, na e përcaktoi se nga duhet të shikonim. Nga Europa, jo nga Azia, dhe pastaj breza pas breza, shekujsh pas shekujsh, e kthyen atë profeci në një amanet.

Në një amanet, ku Naim Frashëri shkroi “për ne shqiptarët, dielli lind andej nga perëndon”, dhe ku pastaj të tërë më pas ata që luftuan për Shqipërinë, menduam ditët kur më në fund fëmijët e Shqipërisë do të ishin qytetarë të Europës. Sot na ka ardhur në dorë ky fat që ta vendosim ne flamurin kuq të zi në oborrin e Bashkimit Europian.

Prandaj, në 11 maj nuk është një zgjedhje midis kush bën më mirë rrugë, e kush bën më mirë ujësjellësa? Kush bën më mirë këtë? E kush bën mirë më mirë atë? Nuk është një zgjedhje midis kush i rrit vërtetë pagat dhe kush bën sikur i rrit ejt, etj se këto të gjitha dihen dhe dihet që këto i bëjmë vetëm ne. Dihet që ekonominë e këtij vendi e kthyem në drejtimin e duhur vetëm ne. Dihet që edhe drejtësinë në këtë vend e sollëm si frymë dhe do ta vulosim si ligj e si zakon vetëm ne. Këto dihen.

Por ajo që është përtej këtyre dhe që e bën votimin e 11 majit, jo një zgjedhje e zakonshme politike, por një vendim historik popullor është se në 11 maj me mbështetjen e shqiptarëve, ne duhet të përcaktojmë që nga zgjedhjet, del një fuqi që ka mbështetje përtej partive për të mbyllur negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian në 2027-ën dhe për të bërë të mundur që Shqipëria të hyjë në Bashkimin Europian dhe të gjithë ju, të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë, të marrin pasaportën europiane të Shqipërisë.

Ajo pasaportë nuk është një dokument tjetër udhëtimi, ajo pasaportë është një status i ri qytetarie, ajo pasaportë i jep fund historisë së një populli që është trajtuar gjithmonë si populli i dorës së dytë. Ajo pasaportë i jep fund ndarjes tone, kur shkojmë jashtë në një korridor të veçantë, ku na pyesin ku po vete, sa lekë ke me vete, kë do takosh, kush të ka ftuar. S’ke hotel, s’ke hotel, e kur të ikësh? Ajo pasaportë i jep fund ndarjes së fëmijëve tuaj kur shkojnë të studiojnë jashtë, si të huaj nga ata që janë atje europianë dhe i bënë dhe fëmijët tanë fëmijë europianë. Dhe kur të shkojnë të studiojnë me atë pasaportë, nuk do kenë më dhjetëfishin e kostos që ju duhet të mbuloni.

Ajo pasaportë na bën ne përfundimisht, jo vetëm me zakon, se me zakon jemi ne në mes të Europës, por na bën ne edhe me dokument qytetar të barabartë dhe s’ka më franceze, gjermane, italiane, greke, ça të dojë që të na shikojë nga lart-poshtë. Ne arritëm t’ia ngremë Shqipërisë kokën. Ne arritëm t’ia nxjerrim Shqipërisë zërin e mirë. Ne arritëm ta kthejmë Shqipërinë nga një vend ku s’donte të vinte njeri në një vend që vjet erdhën 12 milionë njerëz. Ne arritëm t’i bëjmë këto zona deri të jetë braktisura, zona të fillimit të turizmit.

Kujt i shkonte mendja që në Memaliaj do kishte një perspektivë pas mbylljes së minierës dhe pas braktisjes? Kujt i shkonte mëndja që në Memaliaj, do të fillonin të çelnin investimet për agroturizëm e agropërpunim, Kujt i shkonte mendja që Vjosa do të bëhej lumi me nam i Europës dhe do të kthehej në një Park Kombëtar, Ku tani do të vazhdojnë investime pas investimesh. Pak kujt i shkon mendja.

Por ne e ndjemë, e ndjemë që ishte misioni ynë dhe këtë mision ne po çojmë përpara. Nuk duhet të ndalemi. Nuk duhet të ndalemi sepse tanimë jemi në ngjitje dhe duhet të vazhdojmë në ngjitje.

Shqipëria duhet të ngjitet në majën ku e meritojnë fëmijët tanë, Shqipëria 2030 duhet të jetë Shqipëria qe e ka mbyllur përfundimisht marrëdhënien e vet me të shkuarën dhe që ka hapur përfundimisht horizontin ku liria individuale, barazia përpara ligjit, zhvillimi, mirëqenia janë jo më thjeshtë dëshira apo vullneti i një palë këtu e një pale tjetër, por janë vetë arsyeja e ekzistencës së familjes së bashkuar europiane, ku ne do jemi pjesë e barabartë.

Kështu që, unë dua t’i siguroj të tërë dhe tëra që janë këtu se ne do të vazhdojmë me më shumë investime për infrastrukturën, do të vazhdojmë me më shumë investime të tjera për shkollat, për kopshtet e për çerdhet, do të vazhdojmë me më shumë investime të tjera edhe për shëndetësinë, do vazhdojmë të rrisim pagat, do rrisim ehe më shumë prodhimin e përgjithshëm kombëtar. Kur ne morëm detyrën ishte më pak se 10 miliardë euro tërë Shqipëria, sot është 25 miliardë, do ta çojmë 33 miliardë të paktën e kështu me radhë e kështu me radhë.

Por, misioni ynë, misioni i çdokujt që ka një votë në 11 maj është Europa, është Shqipëria europiane.

Ju keni miq, të afërm, familjarë në Greqi, ata sot janë në ankth për pensionet sepse ju ka ardhur koha e daljes në pension, kanë punuar vite të tëra, kanë paguar sigurime shoqërore atje dhe pyetja është a do t’ju njihen, ashtu sikundër shumëkush prej tyre që vjen edhe kërkon pensionin këtu lebetitet se thotë “Si ka mundësi?”, por ka qenë atje, nuk ka paguar këtu sigurime shoqërore dhe të gjitha këto kërkojnë një marrëveshje me Greqinë.

Ashtu sikundër, ata janë, ju e dini mirë, dokumente sot e dokumente nesër, shko rifresko vulat e shko merr dokumente të tjera.

Të gjitha këto mbarojnë nëse ata marrin këtë pasaportë sepse me këtë pasaportë në çdo vend të Europës je njësoj si çdo europian tjetër, madje madje, në çdo vend të Europës ke të drejtë të zgjidhesh në këshill bashkiak, ke të drejtë të zgjidhesh kryetar komune, ke të drejtë të zgjidhesh kryetar bashkie, ke të drejtë të zgjidhesh në Parlamentin Europian me atë pasaportë.

Vetëm nëse do të bëhesh deputet e ministër në Greqi e në Itali duhet të kesh pasaportën greke e italiane, për çdo gjë tjetër je njësoj dhe i barabartë.

E kuptoni se çfarë do të thotë? Është një Shqipëri e re që na pret dhe pret çfarë? Pret votën, votën e secilit dhe të secilës dhe si mundet që dikush për inat të Partisë Socialiste të marrë votën e ta hedhë në kënetë, një votë që sot na ka qëlluar ne, kësaj gjenerate, në këtë moment?

Është për Europën, është për amanetin, është amaneti i të parëve, nuk është kërkesë e imja dhe e Partisë Socialiste, është amaneti i të parëve, është ai amanet që i shtyu shumë shqiptarë në mars të ’92-shin të votojnë  Partinë Demokratike edhe pse nuk e shikonin dot me sy Partinë Demokratike por ama ishte koha dhe vendi për amanetin, për të mbyllur përfundimisht historinë e të shkuarës dhe për tu drejtuar për nga e ardhmja e pastaj vetëm 6 muaj më vonë shumica e ndëshkoi Partinë Demokratike në zgjedhje lokale sepse ato ishin pjesë e jetës normale ama marsi nuk ishte pjesë e jetës normale, ishte takim me historinë.

Ky është takimi i dytë me historinë, në 11 maj.

Kështu që, bëni gjithçka në këto ditë për të nxjerrë nga sa më shumë fqinj e nga sa më shumë të njohur demokratë atë shejtanin në bark dhe për t’u thënë “Nuk keni nevojë të bëheni socialistë, nuk ju thotë njeri as të doni Edi Ramën, as Partinë Socialiste, por ejani të votojmë së bashku edhe mbyllni sytë dhe hidheni atë votë tek 5-sa se aty është kutia e të ardhmes e jo në kënetë”.

Jo në kënetë, jo tek bufi se nuk do ju flas juve për bufin sepse bufit ja keni kënduar juve trisaine ohu, kur nuk e njihte njeri akoma.
Shumë faleminderit, shumë respekt dhe vetëm drejt dhe në 11 maj të nxjerrim nga kutitë këtu në qarkun Gjirokastër rezultatin më të mirë ndonjëherë dhe t’i japim mësimin më të madh ndonjëherë kënetës dhe bufit.

Faleminderit.