Fier, Fjala Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama:
Mirëmbrëma të gjithëve dhe shumë faleminderit!
Është një pamje fantastike këtu dhe do ishte bukur shumë sikur të ishit këtu dhe të shikonit atë që shikoj unë tani sepse është vërtetë det siç tha Zegjineja. Është një det kuq e zi dhe nuk ka se si të jetë ndryshe sepse Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë, Fieri është kryeqyteti i socialistëve!
Edhe një herë të gjithë së bashku se këtë duhet ta dëgjojë e gjithë Shqipëria, Fieri është kryeqyteti i socialistëve. Kjo ishte!
Kur ne kemi nisur këtë rrugë së bashku, ky shesh nuk ekzistonte, përkundrazi, ekzistonte problemi i kthyer në plagë në një plagë e pandashme të jetës së Fierit dhe të qytetarëve të Fierit.
Gjanica e bllokuar që mblidhte plehrat dhe që derdhte llumwrat nëpër rrugët e Fierit dhe ashtu sikundër ne e kthyem Gjanicën nga një plagë, në një vlerë dhe në një kartolinë krenari për këtë qytet, ashtu ne e kthyem të gjithë organizmin e Shqipërisë, nga një plagë e hapur, në një emër që tanimë na bën krenarë kudo ku shkojmë nëpër botë. Nuk e ulim më kokën. Nuk kemi më zor të themi “jam shqiptar” kur na pyesin nga je.
Nuk kemi më asnjë vështirësi, përkundrazi jemi të kënaqur të tregojmë e të tregojmë për vendin tonë sepse gjithmonë e më shumë njerëz nga Europa dhe nga e gjithë bota vijnë në vendin tonë, duan të dinë për vendin tonë, duan të vijnë në vendin tonë.
Në këto vite ne kemi bërë shumë gjëra, por gjëja e gjërave ka qëne dinjiteti që i kemi dhënë flamurit kuq e zi të Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit, të cilin deri dje e valëvisnim me krenari vetëm nëpër stadiume, por nuk e shihnim asgjëkundi të qëndronte mes flamujve të tjerë si i barabartë, ndërkohë që ne e morëm këtë flamur dhe e ngjitëm në të gjitha ato maja ku mblidhet bota, ku mblidhet Europa, ku mblidhen ata të cilët marrin vendime, madje jo një herë, por disa herë ai flamur, ky flamur ishte flamuri që udhëhoqi tryeza të mëdha ndërkombëtare.
Ne jemi këtu në mes të Europës, qysh në agimin e kohërave.
Ne jemi ndër popujt më të vjetër të këtij kontinenti. Ne na e ka caktuar Zoti, ne na e ka shkruar fati ynë që të jemi këtu dhe me zakon, ne kemi qenë dhe jemi europianë, por nga ana tjetër, ne kemi qenë dhe ende jemi të huaj për Europën dhe kjo është arsyeja pse ne, unë, ju, të gjithë ne së bashku jemi të vendosur që ta vazhdojmë përpjekjen tonë sepse ne duam t’i japim fund statusit të të huajit në mes të Europës dhe t’i japim Shqipërisë dhe fëmijëve të saj statusin e qytetarisë së barabartë europiane.
Motra dhe vëllezër,
Mund të flisja shumë gjatë për çfarë kemi bërë për Fierin, mund të flisja shumë gjatë për se si një qytet, një bashki tërësisht e braktisur dhe e harrur si Roskoveci është bërë një shëmbëlltyrë krenarie për mirëqeverisjen dhe për transformimin e jetës së një komuniteti të tërë.
Mund të flisja shumë gjatë se si ne jemi përpjekur dhe sa shumë kemi bërë për gjithë këtë qark, edhe për Mallakastrën apo Patosin, pa diskutim për Lushnjën dhe Divjakën, por të gjitha këto ju i dini, të gjitha këto ju i prekni, të gjitha këto ju kanë sjellë edhe në këtë shesh sepse janë të gjitha këto që ju kanë mbushur me besimin për të vazhduar këtë rrugë edhe më të shumtë, edhe më të bashkuar së bashku. Prandaj sot, unë nuk dua t’ju flas për këto.
Sot unë dua t’i drejtohem barrës tuaj, barrës tuaj të madhe si kryeqyteti i socialistëve.
Dua t’i drejtohem përgjegjësisë tuaj të madhe si qendra e gravitetit të partisë sonë, nga ku duhet të shpërndahet në të gjithë qarkun dhe në të gjithë Shqipërinë fryma e papërmbajtshme e një fitoreje të paparë deri më sot sepse PS mund të ketë bërë shumë gabime qysh në lindje të saj.
Partia Socialiste në rrugën e saj nuk ka qenë e përsosur, por Partia Socialiste ka dy gjëra që asnjë parti tjetër nuk i thotë dot se i ka: e para, kjo është partia më e madhe e shqiptarëve. E dyta, kjo parti qysh se ka hedhur hapin e parë në jetë nuk e ka cënuar kurrë interesin kombëtar. Kjo është forca e interesit kombëtar. Kjo është forca më kuq e zi e Shqipërisë dhe si e tillë, Partia Socialiste ka misionin ta mbajë në krah Shqipërinë, ta mbajë në krah dhe ta ngjisë deri në fund në majën ku ne do të shlyejmë amanetin e të parëve tanë, në majën ku ne do të përmbushim profecinë e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit që përcaktoi se fati i stërnipërve të tij është Europa.
Ne do të vëmë në vend në atë majë amanetin e rilindasve që e lanë të shkruar se ‘’dielli për shqiptarët lind andej nga perëndon’’. Ne do të përmbushim duke e ngjitur Shqipërinë në atë majë me të gjitha përpjekjet, me të gjitha sakrificat, me çdo çmim edhe atë thirrjen që u shpërnda në të gjitha anët e Shqipërisë pas rënies së diktaturës; “ E duam Shqipërinë si gjithë Europa’’.
Na ka rënë ne kjo përgjegjësi, socialistëve dhe progresistëve shqiptarë, ju ka rënë ju kryeqytetarëve socialist përgjegjësia të jeni këtë herë lokomotiva e fitores së madhe!
Kjo nuk është një fitore për të fituar një mandat, kjo është një fitore për të përmbushur një mision, kjo nuk është një fitore për të krijuar një tjetër qeveri, kjo është një fitore për vulosur rilindjen e Shqipërisë si zonjë në sallonin e madh të shtëpisë së Europës së Bashkuar.
Rilindja e Shqipërisë ka filluar nga sheshet e qyteteve, ka filluar nga fytyra e qyteteve dhe kur ne lanim dhe pastronim fytyrën e përbaltur, të zhargavitur, të gërvishtur të qyteteve, ata na thonin: se ne merremi me fasada.
Rilindja jonë ka vijuar me shkollat, me kopshtet, me çerdhet të cilat kur ne morëm detyrën nuk kishin ngrohje, nuk kishin xhama, i hynte uji nga të katërt anët.
Rilindja jonë ka vazhduar me spitalet, me 53 spitale të reja që kemi ndërtuar, me 400 qendra të reja shëndetësore në të gjithë Shqipëri. Ka vijuar me projektet e mëdha të infrastrukturës.
Rilindja jonë ka vazhduar me trefishimin e Prodhimit të Përgjithshëm të Shqipërisë, e cila kishte më pak se 10 miliardë euro, sot ka mbi 25 miliardë dhe 35 miliardë do t’i bëjmë në Shqipëri në 2030, por të gjitha këto janë rruga, ndërkohë që Shqipëria në Bashkimin Europian dhe kjo pasaportë europiane është misioni.
Pasaporta europiane nuk është një dokument tjetër udhëtimi, por është identiteti i ri i shqiptarëve europianë, jo vetëm me zakon, por edhe me ligj, jo vetëm me fjalë, por edhe me kartë, jo vetëm me histori, por edhe me ardhmëri.
Pasaporta europiane është dhurata më e madhe, dhurata më e çmuar, dhurata më me vlerë që çdo prind që shkon të votojë në 11 maj, mund t’i bëjë fëmijëve të vet. Dhe prandaj, të gjithë prindërit, pavarësisht bindjeve politike, pavarësisht partive tek të cilat besojnë ose nuk besojnë, pavarësisht simpative apo inateve, nuk duhet të shohin majtas dhe djathtas përpara sa të nisen drejt kutisë së votimit, po duhet të shohin poshtë, duhet të shohin fëmijët e tyre, duhet t’i shohin në sy dhe duhet t’i thonë vetes çfarë duhet të bëjnë ata me votën e tyre për fëmijët që nuk votojnë dot, dhe çfarë duhet të bëjnë ata sot, kur e ka dashur fati ynë që ëndrra jonë, përpjekja jonë, puna jonë të përputhen edhe me dëshirën dhe interesin e tyre që kanë hapur derën për të na bërë pjesë të asaj shtëpie dhe që kanë rënë dakord me ne, që nëse ne jemi të aftë të përmbushim të gjitha detyrimet dhe të mbyllim negociatat deri në 2027-n, brenda kësaj dekade, të jemi anëtarë të Bashkimit Europian.
Ky është treni i historisë që ka ndalur përpara nesh dhe Shqipëria e ka humbur, jo një herë trenin e historisë. Nuk duhet ta humbë dhe nuk mund ta humbë këtë tren. Shqipëria ka qenë, jo njëherë në buzë të kapërcimit të madh dhe papritur është kthyer në buzë të humnerës së madhe dhe prandaj këtë herë ne nuk kemi asnjë mundësi tjetër përveçse të krijojmë shumicën më të madhe ndonjëherë për t’i dhënë Shqipërisë fuqinë më të madhe ndonjëherë për të negociuar marrëveshjen me Europën dhe për t’i çuar një mesazh shumë të qartë të gjithë atyre burrave dhe grave që vijnë si udhëheqës të Europës në 16 maj në Tiranë, që ne, populli shqiptar, me një zë vendosmërisht, duam që të jemi pjesë e familjes së bashkuar europiane dhe e duam tani, nuk presim më.
Në ndërkohë, këtu në këtë shesh është e pamundur që unë mos prek edhe një pjesë të kësaj historie, që është një pjesë e shëmtuar, një pjesë e neveritshme, kënetën. Kënetën që u mblodh këtu, u mblodh këtu në këtë shesh dhe dukej si një mbledhje mbetjesh nga Gjanica që ishin lënë këtu për t’i marrë e për t’i pastruar shiu. Kënetën që këtu ka zgjedhur të sjellë për të përfaqësuar Fierin në parlament dikë që; jo, nuk e meriton besimin e këtij qyteti!
Jo, nuk e meriton besimin e asnjë qyteti dhe të asnjë fshati të qarkut të Fierit!
Jo, nuk e meriton besimin e asnjë demokrati të zakonshëm në Fier, po nuk meriton asnjë respekt nga ky qytet dhe nga ky qark!
Dikë që është vetëm “gazi i botës”. Nuk mundet të jetë Fieri i demokratëve, i përfaqësuar nga “gazi i botës”, nuk mund të jetë Fieri i demokratëve, i ndarë mes Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian dhe “gazit të botës”, nuk mund të bëhet Fieri “gazi i botës” nuk mund të bëhet Shqipëria, “gazi i botës”, duke shkuar pas një plaku të rrjedhur, që nuk di më si të vazhdojë fjalitë.
Pas një politikani të lashtë, të pashpresë që ka marrë peng opozitën për interesin e tij, po kurrë nuk ka për të marrë dot peng më, as Fierin dhe as Shqipërinë.
Dhe ma tha bukur shumë një zonjë para ca ditësh. Ç’është kjo punë tha? Ne të tërë tha: na kanë rritur dhe i rrisim fëmijët, tha: me këshillën që të kujdesemi për pleqtë, kurse këta tha për kënetën duan, tha që një plak të kujdeset për gjithë ne. Ç’është kjo punë?
Ndërkohë që unë tregova atë fabulën e babait, kur thirri tre djemtë e tij: I tha të madhit, biri i tha: Ti të kujdesesh për arën që të prodhojë, pastaj i tha të dytit: Bir i tha, ti do kujdesesh për prodhimin që të shitet në Pazar, kurse të tretin i tha: Bir, tha, ti do kujdesesh për babën që kur të lajthisë, mos e lësh të dali nga shtëpia dhe të bëhet gazi i botës.
I thotë i biri “po si do ta marr vesh unë këtë o bab”? Oh, kollaj fare, i tha babai, kur baba të ngatërrojë fjalët e konakut të burrave me fjalët e konakut të grave, mbylli derën, tha se është gjynah baba të bahet gazi i botës.
Ndërkohë që, gazi i botës nuk ia mbyll derën plakut të rrjedhur, por të dy bashkë duan të bindin dhe të bindin Shqipërinë se një i mbaruar, një që sot duhet të ishte në shtëpi, do të marrë përsëri zvarrë Shqipërinë, siç e mori dy herë që iu dha mundësia. Një herë të tretë nuk ka.
Sepse Shqipëria nuk ka më asnjë minutë për të humbur, se shqiptarët nuk kanë më asnjë minutë për të humbur, sepse Fieri nuk ka më asnjë minutë për të humbur dhe sepse në ndërkohë BE, Europa është në tryezë me ne, ballë për ballë që të shfrytëzojmë çdo minutë për kohën e re të shqiptarëve.
Dhe tani duke qenë se kur vij në këto takime, sa herë jam vetëm ma varin dhe adoleshentet, votuesit e parë. Kur jam me Noizyn, ata ia varin vetëm Noizit, unë dua ta thërras Noizin të vijë këtu me mua.
Ngrijini këto flamuj edhe Noizy, hajde këndojmë bashkë.