Gjirokastër – Drejt finishit për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama:
Përshëndetje dhe shumë faleminderit për këtë mikpritje kaq të bukur!
Më vjen jashtëzakonisht mirë që na jepet mundësia që këtë rrugëtim drejt 11 majit, nga pikëpamja e takimit përmbyllës sepse takimi vazhdon derë më derë deri në 11 maj, ta bëjmë të transformuar tërësisht. Kur ne morëm detyrën, ky shesh ishte një parkim për autobusë, për makina me një asfalt të rrjepur, ku s’kishte vend për të imagjinuar një Gjirokastër turistike dhe në atë kohë, dyert ku mund të trokisje për të qëndruar një natë në Gjirokastër numëroheshin me gishtat e dorës dhe numri i turistëve dhe i vizitorëve ne Gjirokastër në vit, ishte 6 mijë. Vjet Gjirokastra e mbylli vitin me 600 mijë turistë.
Tani, ata, të cilët përpiqen t’i thonë popullit shqiptar e përpiqen më kot sepse shumica e shqiptarëve të japin ujë në bisht të lugës, thonë se çfarë është bërë mirë e ka sjellë koha, çfarë nuk është bërë është përgjegjësia jonë. Dhe ndërkohë njeriu pyet, po mirë si ka mundësi që ato që koha i solli në vetëm 12 vjet, nuk i sholli në thuajse çerek shekulli, derisa ju dhe të gjithë shqiptarët në shumicë, na dhatë besimin, na dhatë mbështetjen e madhe për të filluar këtë transformim? Si ka mundësi? Si ka mundësi që koha nuk solli një Shqipëri më të mirë se sa ajo e fillimit të transformimit demokratik në vitin 97?
Si ka munësi që koha nuk i solli këto transformime në infrastrukturë për të cilat, ne dëgjuam shumë asokohe, rrugë, rrugë, rrugë, rrugë, por të tëra rrugët mbetën rrugëve sepse ishin tendera, ishin daulle inagurimesh, por nuk ishin as projekte të mirëfillta, nuk ishin as financime reale dhe atyre që thonë shpesh ‘’s’ia vlen të votosh së të tërë këtu janë njësoj dhe gjithësesi gjërat do shkojnë si do shkojnë pavarësisht se voton apo nuk voton’’,iu them: e para, kur shqiptarët na besuan mandatin e parë kanë ndërhyrë në momentin më kritik kur Shqipëria rrezikonte seriozisht të binte përsëri në humnerë, në një humnerë të ngjashme me atë të piramidave. Po jo më për shkak të një Sudeje e të një Vehbiu që kishin bekimin e të parit të shtetit, por për shkak të vetë qeverisë që udhëhiqej nga i njëjti njeri që bekoi Suden dhe Vehbiun. Shqiptarët ndërhynë dhe e penguan rrëninim edhe një herë nga e para të Shqipërrisë. Ndërkohe që, ne së bashku filluam një punë që sot shihet në fytyrën e rilindur, ku është kthyer buzëqeshja e Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit, të Këlcyrës,të Libohovës, Memaliajt edhe të Dropullit.
Para se të vinim këtu isha me disa djem të kthyer nga Greqia që kanë këtu bujtina, restorante.
Sot problemi i tyre nuk është më se a të rrinë a të ikin, problemi i tyre nuk është më se a kanë a s’kanë punë për të kthyer investimin që kanë bërë të kursimeve të tyre. Sot problemi i tyre nuk është as se nuk kanë mundësi t’i paguajnë punonjësit, ata të cilët duhet të hapin derën dhe ata të cilët duhet të përgatisin ushqimin, ata të cilët duhet të presin miqtë e kështu me radhë.
Sot problemi i tyre është si t’i bindin shumë gjirokastritë, shumë tepelenas, shumë këlcyrjotë, shumë memaljotë, shumë dropullitë apo shumë libohovitë dhe shumë përmetarë që rropaten në Greqi që të kthehen këtu dhe që të marrin paga më të mira se sa ato që marin në Greqi. Dhe unë dëgjova konkretisht, ata janë njerëz konkret, ata janë realitete konkrete dhe nuk janë vetëm ata.
Sot e gjithë industria e re e turizmit është e gatshme të paguajë më mirë se në Greqi dhe përfitoj nga rasti këtu, se e di që po na ndjekin edhe nga Greqia shumë bashkëqytetarë dhe bashkëqytetare tuajat për t’iu thënë ‘’duhet ta besoni këtë gjë, nuk duhet të dëgjoni zhurmën e kua-kua-kuave të kënetës, nuk duhet të pini ujin e kënetës as në mengjes dhe sidomos në darkë kur përhapen nëpër ato berberhanet e natës të gjithë ata që mbajnë titullin ‘’analistë’’, por nuk janë asgjë tjetër, përveçse njerëz që jetojnë në një realitet të krijuar prej tyre me gjysmë të vërteta që janë dhe gënjeshtrat më të mëdha dhe që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin e ndërtuar prej nesh së bashku’’.
Prandaj ata nuk arrijnë ta kuptojnë si ka mundësi që të gjitha sondazhet e opinionit, përfshirë dhe sondazhin e bërë nga sondazhisti i presidentit Trump, thonë se shumica e shqiptarëve mendojnë se Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur, thonë se shumica e shqiptarëve do të votojnë dhe PS dhe thonë se një shumicë edhe më e madhe se ajo që do votojë PS, thotë që fituesi i 11 majit është PS. Nuk e kuptojnë dot ata pse. Ata nuk e kuptojnë dot sepse ata janë kori i bretkosave që i thotë shqiptarëve çdo natë, që këtu ka vetëm vrasje, krim dhe këtu ka vetëm varfëri, që këtu s’ka bukë, këtu s’ka ujë, këtu s’ka punë, këtu s’ka biznes ndërkohë që, realiteti është krejt tjetër dhe pikërisht pse ne kemi bërë investimin më masiv në historinë e shtetit shqitar për ujin e pijshëm, sot ne jemi në përmbyllje të programit të furnizimit me ujë të të gjithë territorit.
Ata duan të bëjnë manipulim të opinionit. Nxjerrin deklarata të miat dhe pastaj lëshojnë ato fjalitë e tyre; “ ku i ke ato 300 mijë ato vendet e punës’’? Ndërkohë që mjafton të shkosh në regjistrin e të punësuarve të Republikës së Shqipërisë. Sa ishin kur ne morëm detyrën dhe sa janë sot të regjistruar që paguajnë taksa dhe sigurime shoqërore. Dhe aty do të lexosh që janë pak më shumë sesa 300 mijë plus.
Ashtu sikundër, ju e dini shumë mirë, se çfarë ishte Gjirokastra, për të mos folur për Tepelenën. Tepelena ishte vendi ku njerëzit e Tepelenës ktheheshin vetëm për ngushëllime apo kur venin për ndonjë dasëm të merrnin ndonjë nuse e të iknin prapë. Ndërkohë që, s’e them unë dot unë më bukur se ç’e ka thënë Termeti i Tepelenës; ‘’komandant mos fol fare, s’ke ça thua. Mjafton të shikosh që në pedonalen e Tepelenës shëtisin bjonde nga Suedia. Kujt i kishte vajtur mendja’’? Dhe kjo është e vërteta. Libohova, kur unë kam shkelur për herë të parë ishte një shkretëtirë, dukej si ato filmat e viteve ’30, bardhezi me kaubojt dhe dukej dikur nga ana tjetër e rrugës do dilte njëri me kalë e do gjuante. Sot Libohova është pjesë e ofertës turistike të Gjirokastrës, sot në Libohovë si në Gjirokastër, si në Tepelenë, si në Përmet hapen bujtina, njëra pas tjetrës.
Pamë me Mirelën në mëngjes tek Booking, 434 dyer, 434 oferta nga Gjirokastra. Çfarë janë këto? Këto janë punë, punësim, prodhim vendor, ekonomi vendore dhe prandaj unë vazhdoj të besoj, kemi bërë gjënë më të mirë të mundshme për të gjithë ata që vetëpunësohen dhe punojnë të tjerë në një biznes të vogël dhe rriten avash-avash kur jua kemi bërë 0 taksat, 0 TVSH dhe 0 ta kenë deri në Shqipërinë 2030.
Nga ana tjetër, pa diskutim që ka ende gjëra për të bërë, pa diskutim ka ende tabu për të thyer, pa diskutim ne duhet të bëjmë ende më shumë që kthesa e filluar, sepse unë gjithë këta djem që vijnë e kthehen nga Greqia e investojnë këtu i konsideroj si dallëndyshe që lajmërojnë një pranverë të madhe shqiptare por na duhet akoma punë.
Kur thonë “Pse e do mandatin e katërt?” përgjigja më e thjeshtë është sepse ka akoma punë për të bërë ndërkohë që përtej këtyre dhe padiskutim përtej veprave që do bëjmë, dua t’ju them se 11 maji është më shumë sesa për Gjirokastrën, më shumë sesa për bashkitë e qarkut, është më shumë sesa për të gjitha problemet që janë shumë të rëndësishme por janë problemet e çdo palë zgjedhjesh, çfarë do bësh më shumë për këtë, kush do bëjë më shumë për atë, çfarë do bëhet më shumë aty, çfarë do bëhet më shumë atje.
Ndërkohë që, në këto zgjedhje përtej këtyre ka diçka tjetër, diçka shumë më të madhe, diçka që nuk është më thjesht zgjedhja jonë që kemi të drejtën e votës sot, është diçka që është në dorën tonë, është diçka që fati e deshi të na vinte neve në dorë por ama është diçka që me dorën tonë ne duhet ta bëjmë edhe për ata që janë monumente këtu në këtë shesh edhe për ata përpara tyre deri tek profeti i historisë sonë kombëtare, Skënderbeu , sepse ishte ai, Gjergj Kastrioti që kur vuri barrikadën këtu në Shqipëri përcaktoi fatin tonë, bëri profecinë e madhe se ku është vendi dhe ku duhet ndërtuar shtëpia e shqiptarëve, jo në Lindje por në Perëndim, jo në Azi, por në Europë. Pastaj, historia jonë ishte shumë e ngatërruar, shumë e dhimbshme, shumë e mundimshme, rilindasit tanë dhanë edhe jetën për të mbrojtur edhe gërmat e gjuhës shqipe, u bënë bashkë për të na dhënë një alfabet dhe zgjodhën të na japin një alfabet latin sepse vendi ynë është në Europë, sepse ne jemi pjesë e kulturës europiane, sepse ne jemi një nga popujt më të vjetër të këtij kontinenti që jeton në zemër të Europës por ne jemi sot ende të huaj në Europë. Na e lanë me shkrim “Dielli për ne lind andej nga perëndon” dhe pastaj historia vazhdoi shumë e vështirë, shumë e ngatërruar, shqiptarët u penguan dhe u ripenguan, më shumë nga të mbrapshtit brenda vetes sesa nga armiqtë e tyre sepse ç’i kanë bërë shqiptarët e mbrapshtë këtij populli, këtij kombi, këtij vendi nuk ia bëjnë as armiqtë më të egër.
Pastaj, një popull i tërë doli në rrugë, nuk kishte organizim që sot ju jeni ftuar dhe ne këtu flasim, doli në rrugë spontanisht, nuk i tha kush se çfarë të thotë por ama, çuditërisht, ishte i vetmi popull që doli për të rrëzuar diktaturën që në shprehjen e parë vuri Europën “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Nuk e kanë bërë të tjerët.
Ky është një amanet dhe sot na ka rënë ne që këtë amanet, në qoftë se e kuptojmë si duhet përmasën e 11 majit, në qoftë se kuptojmë siç duhet se çfarë do të thotë Shqipëria anëtare në Bashkimin Europian, në qoftë se kuptojmë si duhet se çfarë është kjo pasaportë, duhet që t’i kapërcejmë kufijtë e fushës së ndarë të luftës politike, duhet t‘i kapërcejmë ngjyrat e fanellave partiake dhe duhet të votojmë të gjithë së bashku për ata që na pararendën dhe për të gjithë fëmijët që nuk e kanë të drejtën e votës akoma por që janë të parët përfitues të drejtpërdrejtë të një vote që do të shkojë për shpresën e madhe të një Shqipërie të re në BE dhe jo për një politikan të pashpresë në kënetë.
Këtu përfitoj nga rasti, duke shpresuar dhe besuar që na shohin dhe nga Greqia, t’ju them që jeni regjistruar për të votuar. Fatkeqësisht në Greqi u bë një mish-mash jo DHL, jo SpedEx, jo KodEx por tanimë mundësia është dhe do t’ju lutesha të gjithë atyre që janë regjistruar që të marrin zarfin, të marrin votën, të vendosin edhe ata për ta çuar në vend këtë amanet shekullor dhe për t’ju dhënë fëmijëve të tyre atje në Greqi dhe vetes së tyre pasaportën europiane sepse unë besoj që shqiptarët e Greqisë janë ata që mund ta kuptojnë më mirë se të gjithë shqiptarët e Shqipërisë, se të gjithë shqiptarët e pjesës tjetër të Europës se çfarë do të thotë kjo pasaportë. Kjo nuk është një dokument tjetër udhëtimi që zëvendëson këtë që kemi dhe thjesht shkruan sipër Bashkimi Europian, kjo nuk është thjesht që ne kur shkojmë nëpër aeroportet e BE-së apo futemi në portet e BE-së të mos na nxjerrin anash si të huaj, si qytetarë të dorës së dytë për të filluar të na kontrollojnë “Ku po shkon, sa do rrish, kush të pret, sa lekë ke me vete?” dhe pastaj vjen ajo pyetja e tmerrshme, ti akoma nuk ke hyrë “Kur do ikësh?” sepse je i huaj.
Kjo është shumë më tepër sesa kaq dhe u them atyre që janë në Greqi, shumica e të cilëve të gjeneratës kur u nis në vitin e ndryshimit të madh dhe u nis pa rroba në trup thuajse që sot jeton me ankthin e njohjes së pensionit, a do t’i njihet sakrifica e tmerrshme e gjithë atyre viteve apo jo, a do marrë pension sepse ka punuar, ka mbajtur në këmbë ekonominë e Greqisë. Pa shqiptarët, e thonë grekët vetë, pa shqiptarët punëtorë që nuk njihnin orë dhe mbi të cilët mund të ushtrohej shumë më tepër presion sesa mbi grekët, nuk do ndodhte kurrë ai suksesi i Lojërave olimpike, apo jo?
Tani është koha për të parë gjithë këto lot, gjithë kjo djersë, gjithë ky gjak, gjithë kjo ndarje e tmerrshme me vendin amë dhe me shtëpinë ku ke lindur, a do kthehet ndonjë pension të njohur?
Njohja e pensioneve për një vend të huaj, siç jemi ne, me një vend të BE-së siç janë ata, bëhet me negociata, bëhet me marrëveshje. Ne kemi bërë 22 marrëveshje, mbyllëm atë me Italinë më në fund, që ishte e parafundit për nga vështirësia. Kjo me Greqinë është më e vështira.
Ne kemi filluar negociatat, kemi një marrëdhënie shumë pozitive me qeverinë greke, por ama nuk e dimë sa kohë mund të marri. Mund të marrin vite e vite të tëra. Por e dini çfarë? Nëse ne mbyllim negociatat me BE në 2027, sikundër na e kanë thënë dhe na e kanë vënë ata në tavolinë dhe nëse Shqipëria bëhet anëtare e BE brenda kësaj dekade dhe duke u bërë anëtare e BE Shqipëria, të tërë shqiptaret dhe shqiptarët kudo ku janë marrin këtë pasaportë, kjo pasaportë në Greqi bën njohjen automatike të pensioneve.
Nuk ka më nevojë për marrëveshje me shtetin. Me këtë pasaportë në Greqi, ty të njihet çdo ditë pune që ke bërë atje. Me këtë pasaportë në Greqi fëmijët e tu nuk janë më fëmijë të huaj që duhet të shkojnë të paguajnë tarifa 10 herë më të larta sesa studentët e tjerë grekë apo nga Europa.
Me këtë pasaportë nuk ka nevojë për të ndenjur në radhë. “kur do marr lejen e qëndrimit, kur do marr lejen e punës, kur do zgjas lejen e qëndrimit, kur do zgjas lejen e punës”. Të tëra këto bëhen të panevojshme sepse kjo pasaportë kuq e zi ka të njëjtë vlerë në Greqi si pasaporta bardhë e blu. Është e njëjta dhe jo vetëm në Greqi, por në çdo vend tjetër të BE. Sepse me hyrjen në BE, ne fitojmë një Shqipëri të re. Një Shqipëri që nuk është më 28 mijë kilometra katrorë, është 28 mijë kilometra katrorë për tu vetëqeverisur, për parlamentin, për qeverinë, për institucione por për qytetarët është e madhe sa ç’është perimetri i Bashkimit Europian.
Besoj që ata të cilët kanë kaluar malet, ata të cilët janë rropatur dhe ata të cilët presin sot më ankth a do t’i njihet ndonjëherë pensioni, nuk mund ta lënë zarfin rrugëve, nuk mund ta lënë votën për të cilën janë regjistruar të mbetet si një copë letër pa vlere. Dhe duhet të shkojnë ta marrin me çdo kush dhe ta dërgojnë në Tiranë. Ka dhe pak kohë. Është plotësisht e mundur. Iu bëj thirrje ta dërgojnë në Tiranë sepse duke hyrë në BE, Shqipëria do jetë jo vetëm një Shqipëri e re, jo vetëm do jetë një Shqipëri që popullin e vet më në fund nuk do ta ketë një popull të dorës së dytë por do ta ketë një popull europian jo vetëm me zakon se me zakon nuk na bëjnë ata ne europianë, europiane na ka bërë Zoti që na ka vënë këtu, por edhe me ligj, edhe me pasaportë.
Dhe e dini çfarë? Me këtë pasaportë shqiptarët në Itali, në Greqi dhe ku të duan mund të zgjidhen kryetar komunash, mund të zgjidhen kryetar bashkish, mund të zgjidhen anëtar këshillash bashkiak, mund të zgjidhen anëtar këshillash komunal, mund të zgjidhen dhe euro deputetë atje ku janë, vetëm deputet dhe ministra të vendeve atje nuk bëhen dot se duhet pasaporta e vendit dhe është normale.
Kjo është zgjedhja e 11 majit dhe kini parasysh dhe një gjë se s’dua t’ju lodh më shumë dhe faleminderit që po duroni akoma në diell për të dëgjuar mua që me siguri më dëgjoni pa pushim. I kërkoj ndjesë cilitdo prej jush, jo cilitdo në fakt, por cilësdo se gratë e hapin frigoriferin për të kontrolluar si është situata, i kërkoj ndjesë nëse i kam dalë dhe në frigorifer këto ditë dhe do ta mbyll duke thënë këtë gjë.
Për herë të parë Shqipëria po përjeton një përpjekje historike për të vendosur barazinë para ligjit. Nga 1912 kemi pasur Republikë, kemi pasur mbretëri, kemi pasur diktaturë, kemi pasur tranzicion demokrat, por s’kemi pasur kurrë barazi para ligjit se i pari i qeverisë ka vendosur dhe ka qenë mbi ligjin dhe ka mbajtur mbi ligjin kë i ka dashur qejfi dhe kë i ka interesuar për pushtetin e tij. Për herë të parë po ndodh ajo për të cilën unë ju kam kërkuar ju mbështetjen dhe ju kujtohet që bridhja nëpër Shqipëri dhe thosha “ma jepni timonin pa të tjerë në prehër që të bëjmë një drejtësi që godet majtas dhe djathtas dhe që sheh vetëm drejtë. E pra, ne e kemi sjellë deri këtu dhe ne do ta garantojmë atë drejtësi, por për ta garantuar një herë e mirë, për ta bërë të pakthyeshme, të paprekshme nga asnjë lloj bufi kënete dhe nga asnjë lloj kukumjaçke që del nga këto pellgje të vogla që thonë jemi parti të reja, duhet futur Shqipëria në BE.
Bashkimi Europian na ka hapur derën. Ajo derë nuk rri e hapur përditë, ajo është një shtëpi të pasurish. Dera hapet kur iu intereson atyre dhe kur bien dakord të 27-të bashkë. Ne kemi bërë të gjitha përpjekjet sepse e kemi nisur nga fundi fare i rreshtit dhe sot jemi te pragu, dera është hapur. Ata na duan brenda.
Tani dy rrugë ka. Ose do bëhemi bashkë, do përmbyllim negociatat me ta, do mbështesim Shqipërinë për të përmbyllur negociatat dhe do hyjmë në BE ose pastaj do ta lëmë këtë shans historik siç kemi lënë të tjera në historinë tonë të na ikin sepse këtu në Shqipëri do hedhin votat lartë e poshtë sa këtej sa andej, sa në kënetë dhe sa në ato dyqanet e qilimave fluturues.
I keni dëgjuar ata, gjoja parti të reja, çfarë thonë? Po na ra ne rasti dhe po na dhanë vota shqiptarët që të mos lëmë të bëhet qeveri, do shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Ju kujton ndonjë gjë kjo? Unë mendoj që ata që merren me bujqësi e dinë shumë mirë çfarë është fara e keqe dhe është ajo farë e keqe që polli të ndjerën LSI dhe ju e dini c’kemi hequr me atë farë të keqe. Sot ajo farë e keqe nuk duhet lënë të mbijë e të marrë fushat e politikës shqiptare sepse nuk ka asnjë ofertë, nuk ka asgjë të re, ka po të njëjtën gjuhë të kënetës, po sharjet e kënetës, po akuzat e kënetës. Dhe ndryshe nga këneta ka vetëm një gjë. Këneta ka një buf të lodhur, të mbaruar që i fiken llambat në çdo pesë fjali kurse ata kanë ca djem të rinj, kjo është e vërtetë, në moshë por jo në tru. Në tru janë të tërë bufa të vegjël.
Prandaj fokusohemi tek interesi kombëtar, fokusohemi tek misioni ynë, fokusohemi tek amaneti i të parëve, fokusohemi tek ajo që duhet të bëjmë për të gjithë fëmijët e Shqipërisë, socialistë dhe demokratë.
Shumë faleminderit! Rrofshi ju, rroftë Gjirokastra, rroftë Memaliaj, rroftë Tepelena, rroftë Përmeti, rroftë Libohova, rroftë Këlcyra dhe patjetër rroftë dhe Dropulli.
Shumë faleminderit! Rroftë Shqipëria!