The Socialist Party of Albania

Në Memaliaj, ku deri jo shumë vite më parë ishte një nga vendet më të harruara e më të braktisura, ku nuk mund të imagjinohej sezoni turistik edhe pse ndodhet në mes të një bukurie shumë të rrallë, panorama sot të ofron një qytet të transformuar falë projekteve amicioze që do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
Rrugëtimi gjelbër vijoi sot në Memaliaj me mbjelljen e fidanëve të rinj dhe prezantimet e kandidatëve për kryetar bashkie të Memaliajt dhe Tepelenës, Gjolek Guci dhe Tërmet Peçi.

* * *
Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama: Shumë faleminderit të gjithëve për këtë mikpritje të bukur në këtë vend kaq të bukur!
Unë do doja ta fillojë duke u kthyer pak pas, siç na porosit Tërmeti, që akademik nuk është, por akademikëve u jep ujë në bisht të lugës e duke ju thënë që nuk ma ha mendja se e imagjinonte ndonjëri nga ju, që në Memaliaj do hapej sezon turistik. Deri jo shumë vite më parë, Memaliaj ishte një nga vendet më të harruara e më të braktisura, ku jo që nuk mund të imagjinohej sezoni turistik edhe pse është në mes të një bukurie shumë të rrallë por ku nuk mund të imagjinohej fare e nesërmja.
Ashtu sikundër Tepelena ishte një xhep facllo në mes të rrugës, ku ose njerëzit dilnin për të ikur e për të mos ardhur më, ose vinin për të bërë ndonjë ngushëllim për ndonjë vaki dhe iknin prapë e as nuk mund të imagjinohej që në Tepelenë të mund të flitej për turizëm e të flitej për agroturizëm të ndërtuar me investimet e emigrantëve tepelenas që gjithnjë e më shumë po e kthejnë kokën aty, ku kanë të ardhmen e tyre të sigurt, në çdo pikë të Tepelenës, çdo pikë të Memaliajit, çdo pikë të Përmetit, çdo pikë të këtij qarku, kushdo që ka një shtëpi të trashëguar nga gjyshërit, kushdo që ka një copë tokë të trashëguar, kushdo që ka një lidhje, ka një të ardhme sepse të investosh kursimet e tua si emigrant këtu në këtë zonë, do të thotë 100% të kesh të ardhura më shumë se sa nga puna që mund të bësh për dikë tjetër atje në emigracion. Prandaj dhe tepelenasit janë ata që po i prijnë kësaj vale të re, e cila është ende një valë e butë, është ende një valë e qetë, por që të jeni të bindur që do shkojë duke u bërë dallgë e në këtë zonë, nga Memaliaj e deri në Tepelenë, do të jetë një nga destinacionet më të dëshiruara për turistët e huaj, mbajeni mend fjalën time sot!
Nuk e di sa ju e njihni Shqipërinë e mesme e sa jeni në dijeni për një bashki që quhet Belsh. Belshi ka një liqen të vogël dhe ishte një tjetër gropë e madhe e mbetur mes plehrave, mes baltës dhe mes dëshpërimit dhe kur unë i pata thënë atëherë që ne këtu do ta ndërtojmë një destionacion turistik, edhe socialistët që na mbështesnin e që besonin tek ne, qeshnin. Ju dukej e tepërt, e ekzagjeruar, e kotë. Sot Belshi është kthyer në një destinacion turistik dhe është një destinacion turistik që rritet vit pas viti e nëse sot Memaliaj bëhet gati të hapi sezonin e dytë turistik në historinë e vetë, sepse ka qenë një vend i njohur vetëm për miniera, unë po ju them që sezoni i tretë, i katërt, i pestë do jenë gjithnjë e më kuptimplota sepse edhe me këtë pjesë të bekuar të natyrës shqiptare, me Vjosën që ne e kthyem në park kombëtar e me gjithë atë vëmendje të madhe ndërkombëtare që ka marrë ky veprim i qeverisë sonë e me të gjitha ato investime që do sjellë, në një drejtim komplet tjetër nga investimet në zonë të tjera. Investime që janë investime në funksion të ekzaltimit të bukurive të mjedisit, në funksion të ekzaltimit të prodhimit vendas, në funksion të punësimit të djemve e vajzave këtu për ta kthyer këtë bukuri në një të mirë për familjen e tyre, e ardhmja është absolutisht shumë më e mirë për të gjithë ata që vijnë nga kjo zonë, që do ta kenë këtu dhe jo atje ku kanë ikur në emigracion, në një kohë tjetër kur askush nuk donte t’ia dinte as për Memaliaj e as për Tepelenë, as se ishin gjallë e as se nuk ishin gjallë.
Ndërkohë besnikërinë dhe mbështetjen dhe besimin që ne kemi marrë këtu, kemi dashur, duam e do të duam deri në ditën e fundit që do të kemi këtë detyrë tua kthejmë në mbarësi, në mirësi, në ardhmëri.
Sot kur unë shkoja në Tepelenë andej lart me Tërmetin nuk kishte këmbë njeriu, mblidheshin nga të gjitha anët dhe kur i kemi thënë që do ta lidhim Tepelenën me bregun e do ta bëjmë këtë qark dhe Tepelenën tamam si një qendër ku lidhen të gjitha rrugët për të zbritur deri në breg, aty nuk më besuan, që zakonisht mi kanë besuar fjalët. E u çua njëri e tha, “shiko, unë e di që ti e ke me të vërtetë, por mos e premto se këtë nuk e bëri as ai i madhi. Ti i gjatë je, por nuk je i madh si ai”.
Tani, unë nuk e solla këtu shembullin për të thënë që kush është më i madh por e solla për të thënë që sot Tepelena e ka daljen në bregdeti dhe sot Tepelena dhe Memaliaj janë pika e parë e ndalesës për shumë turistë që vijnë në bregdet dhe kalojnë njëherë edhe këtej për të parë çfarë bëhet këtej e ndalojnë, konsumojnë dhe mrekullohen e të jeni të bindur që do të kthehen përsëri.
Sot ne jemi duke bërë një projekt që e kemi dashur shumë ta bëjmë bashkë me Mirelën, me Tërmetin po e po, në kalanë e Ali Pashait. Kemi një aset të jashtëzakonshëm atje që ishte komplet i fjetur, i mbushur me ferra, në mes të plehrave e njerëzit që jetonin atje në kala jetonin në mes të mizerjes. Ajo kala që tani ka hyrë në fazën e dytë të realizimit të projektit do të jetë një tjetër pikë që do të tërheqë turistë, do të tërheqë vizitorë dhe do të krijojë vende të tjera pune për artizanat e për shërbime ndaj turistëve. Është koha që i kemi hyrë në një kthesë shumë të rëndësishme e të gjithanshme pas shumë vitesh, dekadash vështirësi e pas këtyre vitesh që na dolën përpara male vështirësish të reja me tërmete, me pandemi e me dreq e me shejtan.
Tani Tërmetin tonë e kemi të fortë, por ai tërmeti tjetër na shkundi keq. Pavarësisht të gjitha këtyre ja ku jemi këtu, jemi në një proces tjetër historik të rritjes më të madhe të rrogave ndonjëherë në Shqipëri ku po i kthejmë mbrapsht njerëzve mbështetjen, besimin, durimin, sakrificat e tyre sepse nuk është se ne nuk kemi dashur të rrisim rrogat më parë por duhet ta krijonim këtë mundësi dhe mundësia krijohet me punë, krijohet me durim, krijohet me shumë përpjekje e po e kthejmë mbrapsht sepse duam që njerëzve tanë tu japim atë që ju duhet për të vazhduar të besojnë tek Shqipëria, për të vazhduar të punojnë për Shqipërinë, për të vazhduar ta ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu e nga 530 euro paga mesatare, nga tani që ka filluar të rritet, deri në prillin e ardhshëm do të jetë 900 euro paga mesatare në sektorin publik, ndërkohë që edhe sektori privat do të shkojë përpara me rritjen e pagave se nuk ka ku shkon.
Pra, jemi në një moment të rëndësishëm kthese dhe dallimi i madh, shumë i madh mes nesh dhe atyre të tjerëve që unë nuk e di ku e gjejnë kurajën të vijnë këtu në Memaliaj dhe dua të marrin vota, duan të fitojnë. Po për çfarë e duan bashkinë e Memaliajit? Për çfarë e duan? Dallimi i madh është se kur ne marrim besim, ne e kthejmë besimin në të mira për komunitetin. Kur ata marrin besim, ata e kthejnë besimin në më shumë plehra, më shumë papastërti, më pak shërbime, më pak ndriçim nëpër rrugë.
Shikojeni Shkodrën, e kanë marrë besimin e Shkodrës verbërisht, symbyllur 31 vjet, që kur ka zgjedhje pluraliste vendore. Është qyteti ku plehrat vazhdojnë, mbushin kazanët, rrinë mbi kazanë dy e tre ditë. Sepse ata nuk dinë dhe po ju them dhe tjetrën, nuk e kanë fare mendjen. Pse e duan bashkinë e Tepelenës, për çfarë e duan? Bashkia e Tepelenës xhanëm as nuk bëhet fjalë, por Memaliajn për çfarë e duan? Për çfarë e kërkojnë bashkinë e Memaliajt? Për ta marrë peng dhe për ta sjellë sherrin dhe hallin e non gratës bashkë me Liken floririn atje në Tiranë, për të cilët të jeni të bindur drejtësia vonon, e di që vonon, po s’ka shans të harrojë, ka gjithmonë e më pak shans të harrojë. Për ta sjellë turpin e non gratës këtu dhe për ta kthyer bashkinë në një kështjellë ku të futen ca njerëz, jo për Memaliajn, por për veten e tyre dhe për t’i bërë karshillëk qeverisë.
Ndërkohë që, qeveria juve ju duhet, Memaliajt i duhet, Tepelenës i duhet, bashkive të tjera i duhet për të çuar përpara punën. E keni dëgjuar që thonë “Edi Rama po i kërcënon demokratët që po i dhatë bashkinë këtyre, nuk ka më bashkëpunim me qeverinë”. Nuk është kërcënim, kjo është e vërteta dhe jo se s’dua unë, jo se s’duam ne të bashkëpunojmë, por se është e pamundur me ta.
Është e pamundur sepse nuk e kanë mendjen tek projektet për ju, nuk e kanë mendjen tek zhvillimi, nuk e kanë mendjen tek transformimi, nuk e kanë mendjen tek e ardhmja. Ju ka mbetur ora aty, ku e kanë pasur qysh në krye të herës, të kapim çfarë të kapim, të marrim peng çfarë të mundemi dhe të bëjmë sherr, konflikt, luftë derisa të fitojë dhe të dali e jona. Po pse çfarë jemi ne?
Shqipëria sot është në pozicionin e vet më të mirë nderkombëtarisht. Shqipëria sot ka ulëse në këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Shqipëria drejtonte OSBE. Shqipëria mikpret samitin e BE. Për herë të parë BE del jashtë kufijve të vet dhe vjen në Shqipëri për të bërë samitin.
Çfarë do bëjmë ne tani? Do t’i bëjmë gjithë kësaj bote miqsh e aleatësh që i kemi lidhur pas vetes si asnjëherë tjetër, një karshillëk të madh duke i thënë, jo se ne kemi një nongrat që nuk e lëmë dot aty ku e meriton, në të shkuarën.
Prandaj dua t’i them, jo juve se ju që keni ardhur deri këtu nuk keni nevojë për fjalët e mia. por dua t’iu them atyre që hezitojnë akoma apo mendojnë “unë jam i djathtë, unë kam pasur gjyshin me ballin kombëtar dhe unë nuk votoj dot për Gjolekën”. Po pse nuk voton dot për Gjolekën? Nuk votoj dot për PS, nuk votoj dot për Edi Ramën se këta janë komunistë. Mor zotëri, e para një herë unë i siguroj të gjithë këta që gjyshërit e tyre do rrotullohen në varr 7 herë kur t’iu vejë llafi andej në botën tjetër që këta i kanë dhënë votën dikujt që i bën karshillëk Shteteve të Bashkuara dhe që është damkosur nga Shtetet e Bashkuara si një individ i korruptuar masivisht dhe si një problem i madh për demokracinë, e para një herë, sa për gjyshërit. Ndërsa përsa i përket votës, vota nuk është tifozllëk. Vota është kë do marrësh në punë të të shërbejë. Kë do marri komuniteti në punë që kur njerëzit të dalin nga shtëpia, në dashtë të jenë të djathtë, në dashtë të jenë të majtë rrugën e duan të pastër, nuk e duan me plehra. Në dashtë të jenë të djathtë, në dashtë të jenë të majtë prindërit duan që kur vajzat e tyre vijnë vonë në shtëpi ta kenë rrugën të ndriçuar, jo terr.
Prindërit duan që kur të çojnë fëmijët në çerdhe, në kopësht, në shkollë atje të ketë shërbim si duhet dhe këto gjëra nuk i garanton askush tjetër sepse ka treguar, kemi 30 vjet që e shikojmë, vetëm PS, vetëm kryetarët e bashkive të PS.
Kështu që, ju lutem shumë juve deri në 14 maj, bëni çmos sidomos gratë dhe vajzat këtu, kapni gratë e vajzat e atyre të djathtëve dhe thuajini “mbylle burrin në shtëpi brenda në qoftë se nuk e bind dot që të vijë dhe të vazhdojmë punën”, mbylle burrin brenda sepse gratë nuk kanë kohë për të humbur, burrat kanë kohë për të humbur plot.
Keni parë ju gra të ulen kafeneve dhe të merren me politikë. Jo, pse nuk venë nëpër kafene gratë? Dhe pse këta që venë nëpër kafene e kanë mendjen mbrapsht. Kështu që bindini ato fqinjët tuaja që kanë taksiratin t’i kenë burrat me halle politike në kokë që t’iu thonë, ndalo aty tani se mua më duhet çerdhja, më duhet kopshti, më duhet shkolla, mua më duhet ndriçimi, mua më duhet pastrimi, mua më duhet që të rritet ekonomia këtu që të vijnë më shumë turistë, që të rritet agroturizmi etj dhe nuk më duhen fare hallet e non gratës dhe problemet e Like floririt.
Kaq e thjeshtë është kjo punë, ndryshe vështirësohen gjërat kot. Dhe unë kam ardhur t’ju them dhe me qëllim kemi ardhur këtu në Memaliaj t’ju themi Memaliajt na jepni tani atë që na duhet, kontratën që ta firmosim, të vazhdojmë punën, 4 vjet të tjera me Gjolekën.
Gjoleka nuk është shumë i fjalëve, por është i punëve, është njeri që mendon për punën, njeri që i rri mbi kokë punës, njeri që mbaron punë. Se nuk kemi çfarë i bëjmë, nuk mund të jenë të gjithë si Termeti që të mbyt me llafe edhe pastaj, për punë se tërmeti e ka gjetur punët mi lë mua, fjalët i mban vetë edhe e ka mësuar gjënë, ndjek punët, i them unë “Termet unë do bëj këtë punë, ndiqe”. E ndjek. Prandaj thotë ‘komandanti, komandanti’.
Tani para se të shkojmë të mbjellim ato pemët, Termet ti je mësuar me folklor tani ne të dy bashkë me këta, do vijnë dhe gratë këtu e di unë, do kërcejmë pak atë “të hëngsha zemrën”. Se me labçe na fillon shiu, nuk duam labçe.