Shqipëria 2030, Infrastruktura rrugore dhe hekurudhore, arritjet dhe planet
U prezantua sot nga Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, bilanci i arritjeve në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore përgjatë këtyre viteve, si dhe planet për modernizimin e këtij sektori të rëndësishmë drejt Shqipërisë 2030.
Takimin e përshëndeti edhe kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh në fjalën e tij:
Shumë faleminderit! Dua t’i kthehem të gjithë prezantimit për ta parë nga një kënd tjetër që më duket i rëndësishëm për t’u ndarë me ju dhe dua të them që e gjithë kjo infrastrukturë, nuk ka nevojë për shumë detaje, por mjafton e gjithë pamja e rrugëve, e gjithë kjo infrastrukturë që ne kemi projektuar dhe ndërtuar dhe do të vazhdojmë të ndërtojmë është një infrastrukturë e standardeve europiane që nuk ekzistonte dhe në pamje të parë, 12 vjet duken shumë për gjërat që njerëzit presin dhe për gjërat që duhen bërë, por kini parasysh që norma mesatare ose më saktë minimale e ndërtimit të infrastrukturës në Europë dhe nuk flas për vende të vogla, flas për Gjermaninë, Francën, Britaninë e Madhe, flas për fuqitë e mëdha të Europës në ndërtimin e infrastrukturës është 7-9 vjet.
Ka projekte të cilat janë bërë të njohura për faktin se kanë marrë edhe 25-30 vjet, por dihet botërisht që nga vendosja, nga marrja e vendimit për të ndërtuar një copë infrastrukture tek përgatitja e gjithë fazave për të angazhuar pastaj forcat për një projekt tek përfundimi i projektit, nëse gjithçka shkon më së miri dhe normalisht në ato vende gjithçka shkon më së miri sepse ata, mos e harroni, nuk kanë probleme buxheti, është 4 vjet dhe pastaj realizimi konkret në praktikë, nëse gjithçka shkon mirë, në totalin e vet është 9 vjet.
Tani, kini parasysh që ne i kemi pasur rrugët, por asnjë rrugë dhe kur them asnjë rrugë them asnjë rrugë, as të projektuar me standardet e Bashkimit Europian dhe as të financuar.
Duket si absurde, por të gjitha rrugët për të cilat është bërë një propagandë e madhe kanë qenë inagurime dhe tendera të pa financuara. Pra, nëse një aks, po themi, kushton 30 milionë euro është hedhur në tender dhe i është dhënë dikujt, duke vënë në dispozicion nga shteti 1 milion euro dhe të tjerat kismet, të fillojmë dhe kjo ka qenë arsyeja që, e para, në mandatin e parë ne nuk kishim asnjë mundësi të bënim asgjë tjetër përveçse të paguanim borxhe sepse kompanive u tha “Ecni se jua kemi”, kompanitë ecën e ecën dhe në një moment të caktuar ndaluan sepse nuk kishin më fuqi dhe praktikisht ishin të gjitha me motorrët fikur dhe në prag të kolapsit se nuk paguanin dot më punëtorët.
Shifra totale e borxhit, ku nuk janë vetëm rrugët, por totali i borxhit ndaj kompanive në mandatin e parë kur ne kemi marrë detyrën ka qenë 700 milionë pa llogaritur borxhin e kompanisë së shpërndarjes së energjisë që ishte histori më vete, jashtë këtij 700 milionëshi ishte 1,5 miliardë. Domethënë, ka qenë një grope, ku populli dhe fati e ka shpëtuar këtë vend nga rënia përsëri në një humnerë, njësoj si ajo e piramidave, por me një tjetër arsye.
Përveç pagimit të gjithë atyre borxheve ne investuam sa mundëm në projektime, si fillim. Ccështja e dytë me ato rrugë ishte dhe marrim për shembull, se nga të gjitha këto e vetmja rrugë ekzistuese sot është rruga e Tiranë- Elbasan, nga këto që janë këtu, e cila, dëgjojeni këtë, ka kushtuar trefishin e tenderit sepse ishte një rrugë absurde, pa projekt, pa projekt gjeologjik, fare, filluan rrëshqitjet dhe filloi një histori e tmerrshme me kompaninë që e kishte marrë, një histori ndërkombëtare dhe në mënyrë të vazhdueshme u shtua e u shtua kostoja e asaj maskarade atje.
Ndërkohë që, në rrugën e Arbrit ne morëm vendimin që të shkojmë me Partneritet Publik Privat. Sikur ne rrugën e Arbrit ta kishim bërë me tender dhe me një fond të parashikuar X, ne sot nuk do dilnim më nga rruga e Arbrit për shkak të tunelit të Murrizit, i cili shfaqi një paparashikueshmëri shumë të lartë, nxorri nevojën e riprojektimit të gjithë armatimit të tij të brendshëm, me një buxhet të jashtëzakonshëm krahasuar me variantin e parë dhe në bazë të kontratës së bërë me kompaninë që ky është një Partneritet Publik Privat “Ti do investosh, do ma mbarosh rrugën deri në këtë datë dhe pastaj përgjatë 13 viteve do ta mirëmbash dhe ndërkohë unë do ta shlyej hap pas hapi, ama nëse të del diçka e paparashikuar e ke ti” të gjitha ato rrëshkitje, ato historira i pagoi kompania dhe qeveria, taksapaguesit nuk kanë asgjë fare për të paguar, përveç asaj që ishte parashikuar që në fillim.
Tjetra që dua të nënvijëzoj është: janë bërë projekte, janë hapur tendera më saktë sepse projekte nuk ka pasur, gjatë gjithë aksit po ta shikosh, duke pasur parasysh se çfarë keni parë në realitet, gjatë gjithë aksit nga Shkodra deri poshtë, por nuk është bërë kurrë, jo vetëm nuk është bërë kurrë rrugë me standarde që të ketë lidhje me një korridor europian, por në ndërkohë që janë ndërtuar arna pas arnash, është lejuar pushtimi i rrugës nga të dyja anët, është stimuluar, jo lejuar, por stimuluar dhe i njëjti fenomen është po kështu edhe poshtë, aty ku e përmendi Belinda, në rrugën që shkon poshtë drejt Fierit, të renë, ne do të duhet t’i shmangemi disa herë dhe në mënyrë të konsiderueshme aksit ekzistues, i cili u pretendua se po ndërtohej për të qenë autostradë. Ajo nuk është autostradë, ajo është një rrugë rreziqesh, kështu është katandisur për shkak se projektuar keq dhe vendosur në mes dhe lënë që të popullohej me lloj-lloj godinash.
Tani, me këto projekte ne do të kemi dy autostrda të kategorisë A, që janë dy autostrada që lidhin Shqipërinë me gjithë rrjetin e autostradave të Bashkimit Europian, Korridorin Blu dhe kur ne kemi lançuar Korridorin Blu në fillim fare talleshin me ne. Ça do bëjnë këta? Do lundrojnë në tokë? S’merr vesh piktori dhe i thotë me ngjyra, po asfalti është i zi, këto muhabetet e tyre.
Dhe po ashtu korridorin e 8-të, i cili është komplet tjetër nga çfarë ishte. Në ndërkohë logjika e të gjithë pjesëve të tjera të investuara dhe për t’u investuar është ekzaktësisht, ajo që u përpoq të shpjegonte Belinda, logjika e bërjes së rrugëve për të sjellë më shumë ekonomi, qoftë për njerëzit që i aksesojnë, qoftë në shkallë kombëtare. Dhe nga ana tjetër për të hapur në mënyre të vazhdueshme shtigjet dhe për të rritur në mënyrë të vazhdueshme hapësirën në shfrytëzim të një vendi që ka ambicien të bëhet kampion i turizmit në Ballkan.
Faktikisht, ky është rrjeti i rrugëve, i akseve kryesore kombëtare.
Nëse ne do të vendosnim këtu edhe rrjetin e akseve jo kryesore, po përsëri kombëtare, të cilat bëhen në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, atëherë ju do shikonit brenda për brenda këtyre zonave ka të tjera rrugë të reja, të rindërtuara, të cilat synojnë pikërisht atë që do të synonte dikush që do të ndërhynte në një organizëm, ku arteriet janë të bllokuara, ku qarkullimi i gjakut është konfuz dhe ku kolapsi është eminent çdo ditë.
Pra, kemi krijuar në mënyrë të vazhdueshme damarë dhe arterie, të cilat jo vetëm të funksionojnë në vetvete, siç bëhej dikur, “hajde na bëj rrugë këtu se kemi ca njerëz, janë me ne”, “po s’do na japin më votën” “Tua bëjmë atyre se kur vajta unë atje më dolën, etj etj” në rrugë, të cilat nuk kanë kuptim pa njëra-tjetrën.
Dhe po të shikoni panoramën e gjithçkaje që është bërë në gjithë këto vite është pikërisht krijimi i një rrjeti damarësh dhe arteriesh, të cilat të gjitha bëjnë sens, sepse janë të lidhura me njëra-tjetrën, jo vetëm sepse janë aty në vetvete për një pjesë njerëzve.
Dhe e fundit që dua të them.
Po të shohim sot Shqipërinë turistike, ne faktikisht kemi një shfrytëzim shumë intensiv të një, nuk e di se kam bërë me përqindje, po të një fashë shumë të ngushtë që është fasha që i përket detit, edhe të pikave ende shumë të rralla brenda në territor. Ndërkohë që, pasuria më e posaçme e shqiptarëve në aspektin e thesarit të natyrës në funksion të ekonomisë, nuk është kjo, është gjithë kjo që është këtej brenda. Dhe mbi të gjitha janë zonat malore të Shqipërisë, qoftë në veri dhe në verilindje, qoftë në jug dhe në juglindje. Pse? Sepse aty në një fazë tjetër, Shqipëria do mund të çlirojë kapacitete të jashtëzakonshme të një turizmi që sjell konsumatorë të nivelit të lartë.
Por ama, patjetër që kjo fasha këtu është themelore dhe ajo që e bën unike Shqipërinë, po ta shikoni në raport me vendet e tjera rreth rrotull, është që të dyja këto i ka shumë afër. E para një herë që të dyja këto i ka, dhe jo vetëm i ka, po i ka ndryshe, edhe i ka me shumicë.
Shqipëria është shumë e vogël dhe ka dy dete. Shqipëria është shumë e vogël dhe ka 9 lumenj që e përshkojnë. Shqipëria është shumë e vogël dhe ka vargmale të tërë që janë shumë afër detit, pa llogaritur, liqenet e mëdha dhe një numër shumë të madh liqenesh të vogla. Për shembull, ndër ato rrugët e brendshme, këtu nuk figuron, po është rruga e Lurës, e cila është drejt përfundimit, për shembull, dhe plot të tjera si ato.
Dhe e gjithë kjo që deti po i sjell Shqipërisë është jashtëzakonisht e rëndësishme në këtë fazë, por në një fazë të dytë, do të jetë themeli i asaj që Shqipëria do të ndërtojë në gjithë pjesën tjetër, ku do të jetë realisht një Zvicër, një Austri e Ballkanit. Dhe kur them Zvicra, Austria e Ballkanit përsa i përket turizmit të kuptohemi, jo Zvicra, Austria e Ballkanit niveli, domethënë më i ulët se Zvicra e Austria, po i njëjti nivel në pjesën, po kjo i takon dekadave të tjera. Dhe ajo që i takon kësaj dekade dhe të lutem e fundit me hekurudhat.
Ah dhe një gjë tjetër me atë Qendrën e Monitorimit të Trafikut, sepse ajo është pjesë e gjithë kësaj. E gjitha kjo pa atë përsëri është e paplotë. Ndërkohë që, qendra e monitorimit të trafikut, e cila faktikisht është gati dhe faktikisht po bëhet një punë e posaçme për të trajnuar të gjithë stafin, do të lidhet me projektin që ne e kemi nënshkruar, financuar patjetër dhe është dizenjuar me Emiratet e Bashkuara për të pasur të gjithë territorin, duke filluar nga qytetet, qendrat e qarqeve e pastaj qytetet e tjera. Po qendrat e qarqeve, spitalet, institucionet publike, shkollat me radhë pastaj akset kombëtare nën një sistem kamerash inteligjente.
Sistemi i kamerave inteligjente do bëjë, dhe që i cili do jetë, domethënë këta njerëz që do jenë këtu, dhe ato ekrane do shohin gjithë Shqipërinë kohë reale. Do shohin çdo rrugë në kohë reale dhe jo thjesht do shohin çdo rrugë në kohë reale këta, por sistemi është i tillë që në mënyrë të menjëhershme do sinjalizojë këtu për një rritje shpejtësie. Një rritje shpejtësie në një pikë të caktuar të Republikës së Shqipërisë, aty ku janë kamerat në akset kombëtare sinjalizohet këtu,
Pra nuk do ketë më policë në rrugë më fare. Punonjësit e policisë do jenë të organizuar në një mënyrë tjetër që të jenë të gatshëm nëse është nevoja që ata të shkojnë atje ku ka diçka që duhet të jetë policia, po jo të rrinë atje edhe të dalin e thonë, ndalo pak e të fillojë ajo.
Sistemi i kontrollit në kohë reale të shpejtësisë do bëjë që, jo vetëm nga njëra anë gjobat të jenë të menjëhershme dhe ajo që ne po punojmë është që gjoba të të vijë në iPhone bashkë me portretin tënd, bashkë me gëzimin që ke në faqe, kur ndjen adrenalinën e shpejtësisë në kohë reale, menjëherë aty të vjen, edhe me një përshëndetje: “Kalofsh mirë, kujdes deri në shtëpi mos e përsërit, se vjen prapë”. Por përveçse gjobat do të jenë në kohë reale dhe transparente, kjo siç ka treguar sistemi ku përdoret, do të ketë një efekt të jashtëzakonshëm mbi uljen e aksidenteve, sepse do t’i shkojë shumë shtrenjtë adrenalina në qoftë se do insistojnë patjetër që të bëjnë aksident.
Dhe e fundit, sistemi do të ketë një kapacitet të panjohur më parë nga forcat e sigurisë, për identifikimin e personave problematic, por jo problematikë, në raport me personat në kërkim, por me mospagesën e sigurimit të makinës për shembull. Nuk do mund dot makina të dalë në rrugë e pasiguruar pa u parë. Dhe për të kaluar, e fundit se kjo hyrja e Tiranës, se Belinda e quajti hyrja e Tiranës, po në fakt është hyrja për në Dibër tani se Dibra u kthye si ajo zona Uashingtonit që është pak më larg po në fakt është zona ku merren të gjitha vendimet prandaj ka dhe atë lulen e madhe, se u duhet dhe një lule tjetër dibranëve po për hekurudhat do them vetëm këtë; që e para ne siç e tha më parë në prezantim ministrja, kemi filluar punën për Tiranë-Durrësin në 2014. Tani, pse e them? E them sepse të ndërtosh hekurudha ose vepra të mëdha të këtyre përmasave, dhe të jesh jashtë BE është një gjë heroike, pasi ajo që na ndodhi ne ishte që ne aplikuam në 2014, morëm Ok në 2015, dolëm dhe thamë që do bëjmë hekurudhën duke marrë fjalën e tyre, dhe pa e njohur mirë si funksionon makineria, dhe ne thuaj ‘’do bëjmë hekurudhën’’, shtyhu koha, e shtyu koha. E shtyu koha dhe faktikisht puna reale, ajo që thashë, e financimit dhe projektimit të hekurudhës, ka filluar në 2020 që të jemi të qartë, pra e përfundimit të projektit dhe e financimit. Dhe ndërkohë, për të gjitha hekurudhat e tjera, ne jemi sot në një proces më të avancuar pikërisht sepse kemi hyrë më thellë me rrugën e anëtarësimit në BE dhe jemi përfituesit, deri tani, kryesorë nga plani i ri i rritjes i BE sepse kemi bërë të gjitha detyrat që kemi marrë përsipër.
Ama, dhe e mbylla, nëse shqiptarët duan që të gjitha këto hekurudha dhe vepra të tjera të nevojshme por edhe financime shumë më konsiderueshme për ato nukle ekonomike, të ndodhin më shpejt sesa kapacitetet tona të brendshme, duhet të kuptojnë që këto mund të ndodhin më shpejt vetëm duke u bërë anëtarë të BE, sepse aty ndryshon komplet logjika. Për të gjitha këto vepra, ne kemi marrë ose financime ose angazhime për financim nga instrumenti i ËBIF që është fondi i investimevetë Ballkanit Perëndimor që mbështetet nga BE, por që është 90% kredi.
Pra, BE na ka ndihmuar ne për këto dhe në totalin e vet, Shqipëria ka marrë nga BE pa llogaritur këto angazhimet e fundit, diçka më shumë se 1miliardë. Por 90% kredi, jo kredi komerciale po prapë kredi,domethënë që peshojnë në buxhetin tonë dhe në angazhimet tona dhe nëse ne, kur ne të bëhemi, se nuk është puna nëse ne, po kur ne të bëhemi anëtarë të BE, ne do të marrim diçka më shumë se 1 miliardë çdo vit dhe 90% do jenë grant. Pra, parafytyroni se ça ndryshimi ndodh në gjithë këtë panoramë nëse ti e di që në 4 vitet e ardhshëm, ose në 7 vitet e ardhshëm se janë 7-vjeçare buxhetet e BE, ti ke 7 miliardë që i ke të tuat jashtë buxhetit tënd, jashtë angazhimeve të tjera, që ti mund të marrësh me kredira. Ti 7 miliardë i ke të tuat. E di ça do me thënë? Që ti të kesh mundësi të planifikosh gjithë këtë transformim, jo duke ëndërruar dhe pastaj duke luftuar si të mbledhësh më shumë para çdo ditë dhe pastaj duke shkuar atje,duke u lutur atje,duke bërë këtë, duke pritur atë, jo këtë po atë, por duke pasur që në fillim.
Është ndryshim epokal, është Shqipëria në një nivel tjetër, komplet nivel tjetër, është totalisht nivel tjetër. Dhe prandaj unëkëmbëngul që futja jonë në BE, tani është një fat që na ka ardhur ne në dorë dhe është një mundësi që është krijuar nga rrethana që nuk janë vetëm për meritën tonë. Ne kemi bërë punën tonë sepse e kemi arritur të bëjmë atë që në fakt, unë gjithmonë kam folur me të gjithë bashkëpunëtorët e mi, ne duhet të jemi aty në vendin e duhur, kur të vijë momenti i duhur. Se kur vjen momenti i duhur, këtë nuk mund ta dijmë se nuk e dimë kur ndryshon atyre mendja dhe thonë ‘’hape derë’’. Por ja që ndodhi një tragjedi e luftës, ndodhën dhe ca rrëmujëra të tjera pas dhe tani dera është hapur. Dera është hapur, por përsëri, ne nuk e dimë sa kohë do rrrijë e hapur. Ne dimë që na është dhënë një hapësirë dy vjet, deri në 2027 që ne të mbyllim gjithë negociatat dhe këtë hapësirë na e kanë dhënë ata, pra ata nuk kanë nga shkojnë deri në 2027 nëse ne bëjmë të gjitha detyrat. Po mbyllëm negociatat, ndryshon komplet pozicioni. Janë 27 vende që duhet ta marrin Shqipërinë dhe ta miratojnë në parlamentet e tyre sipas procedurave që kanë, por ama ne i kemi mbyllur negociatat. Nëse ne nuk i mbyllim negociatat dhe zvarritemi, dera mund të mbyllet dhe mund të na ndodhë largqoftë, siç i ka ndodhur të tjerëve.
I ka ndodhur Maqedonisë. Maqedonia është bërë kandidat në 2005. 20 vjet përpara ata u bënë vend kandidat, i pari vend kandidat i gjithë Ballkanit dhe iu dha një dorë për të shtyrë përpara për një periudhë kohe ishin një shembull që përmendej gjithmonë Maqedonia, Maqedonia. Sot janë ku e ku prapa nesh, sepse iu mbyll dera për arsyet të tjera.
Mali i Zi i ka filluar negociatat në 2012. Ishte deri në fund gati që t’i mbyllte, tani ndryshoi metodologjia, tani Mali i Zi është me ne, është në një korsi.
Serbia i ka filluar në 2014, është ku e ku pas nesh tani.
Kështu që, ne kemi këtë moment që na janë përputhur yjet, ylli i fatit tonë me yllin e fatit të BE dhe duhet ta shfrytëzojmë.
Kjo është ajo që doja të thoja unë në përmbyllje dhe pavarësisht të gjithave, jam absolutisht shumë krenar që ia kemi dalë të dalim nga një gropë shumë e madhe si ajo e borxheve.
Sot ne nuk kemi asnjë kompani dhe janë shumë kompani që punojnë në Republikën e Shqipërisë, që punojnë me infrastrukturë. Janë shumë kompani, nuk janë dy e tre. Ne nuk kemi asnjë kompani që shteti t’i ketë 1 euro borxh, e para. E dyta, ne sot për shkak të gjithë insistimit tek standardet, kemi disa kompani që kanë filluar të punojnë në Europë, shkojnë atje, bëjnë punë për Europën sepse e kanë rritur shumë nivelin e tyre dhe kemi një nivel pagash në këto kompani, që është ku e ku me ça ishte, po qe se do kemi dhe atë mbështetje që thash , që vjen si pasojë e anëtarësimit në BE, atëherë se sot ne jemi si ata të dashuruarit që ti je i dashuruar, ajo të sheh me dyshim edhe të fton te shtëpia e prindërve të dielën.
Ti vishesh, rregullohesh, zbukurohesh sa mundesh, shkon atje përpiqet të sillesh mirë pastaj del dhe rri pret të dielën tjetër. Dhe rri pret si ju duka vjehrrit të ardhshëm, si ju duka vjehrrës së ardhshme, çfarë tha kunata e ardhshme. Është tmerr kjo. Natyrisht ata janë familje e pasur, ajo ka një familje të pasur. Ti je dinjitoz, por në momentin kur ti futesh atje dhe të thotë vjehrri me vjehrrën do marrësh drejtimin e kësaj pjese të kompanisë tonë, ti kalove dhe u bëre aksioner. Shkon pastaj dhe thua ishallah s’më ftojnë të dielën se nuk kam kohë, apo jo? Është nivel tjetër.
Kështu që për këtë duhet të luftojmë dhe këtë duhet të realizojmë dhe unë jam i bindur që do ta realizojmë.
Shumë faleminderit!