Shqipëria sot ka nevojë për një fuqi që të jetë përtej partive, ku të majtë e të djathtë nuk shohin njëri-tjetrin, por shohin bashkë drejt përpara

Durrës, Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama:

Shumë faleminderit dhe si durrsak, dua ta nis me një falënderim shumë të veçantë, pasi qysh i vogël kam kaluar në këtë shesh dhe pastaj kur u rrita dhe u bëra Kryeministër kam dashur shumë që ky shesh të ndryshojë dhe së bashku me kryetarin e bashkisë e transformuam këtë shesh dhe para pak ditësh kur Ani më çoi fotografinë e kënetës që ishte mbledhur këtu mu duk sikur kishin dalë leshterikët e bregut atje dhe ishin bërë lëmsh këtu.

Kështu që, faleminderit që erdhët dhe e pastruat komplet atë imazh sepse nuk mundet dot ta përballoja idenë që ai lëmshi i leshterikëve kishte lënë një hije këtu në këtë shesh dhe siç e fshitë ju, atë lëmsh me këtë masivitet sot, me këtë dallgë të dalë nga deti, kështu Durrësi, qarku i Durrësit do t’i japë një shtytje edhe më të fortë leshterikëve në 11 maj.

Tani, Klodi kishte merak se në memorandumin e Kuçit mandatin e 9-të e vura 50% dhe arsyeja pse unë e vura 50% nuk ka të bëjë aspak me të gjithë ju, përkundrazi, ju jam jashtëzakonisht mirënjohës që keni ardhur dhe po qëndroni këtu dhe madje, jo vetëm po qëndroni, por edhe po duartrokisni fjalimin tim që kushedi për të disatën herë po e dëgjoni, por ka të bëjë me sa shumë durrsakët që nuk para janë njerëz që lëvizin kollaj për ditë të diele për të bërë punë të tjera, përveç qejfit të tyre siç tha Loeri, do të shkojnë në kutitë e votimit.

Nëse do të ketë një masivitet si ky që ka sot këtu dhe nëse të gjithë ju që jeni këtu vërtetë në takimin më të madh që unë kam parë ndonjëherë në Durrës jeni pararoja e atyre që do të shkojnë në çdo qendër votimi, atëherë pa asnjë diskutim Durrësi do të thyejë përsëri rekordin e vet, duke marrë 9 mandate për Partinë Socialiste.

Natyrisht që, kur them Durrësi kam parasysh që nuk është vetëm qyteti dhe bashkia e Durrësit, është edhe Kruja dhe Shijaku dhe dua t’i falënderoj nga zemra edhe Turin, edhe Tonin për punën që kanë bërë, por mbi të gjitha dua të falënderoj Kryetaren e Bashkisë së Durrësit që mori përsipër pa e kërkuar edhe nuk e di çfarë ka menduar kur ia ngarkuam në Kryesinë e partisë barrën që të udhëheqë këtë qark, por që sot, meriton vërtetë respektin më të madh për udhëheqjen e qarkut me një qetësi olimpike dhe me një vendosmëri për t’u admiruar.

Unë dua vetëm pak fjalë t’ju them, nuk dua t’ju mbaj gjatë sepse vërtetë sot mbyllet rrugëtimi i filluar qytet më qytet, fshat më fshat, lagje më lagje, shtëpi më shtëpi, derë më derë, por fillon puna intensive për të siguruar daljen e çdo zgjedhësi dhe për të siguruar që askush të mos mbetet pa votuar, ashtu sikundër duhet të vazhdojë puna edhe për të siguruar që të gjithë ata që janë jashtë Shqipërisë dhe që janë regjistruar si zgjedhës në Durrës, të kthejnë zarfin pasi asnjë zarf nuk është mirë të mbetet pa u dërguar në 11 maj.

Në 11 maj nuk është një zgjedhje si të gjitha të tjerat.

Ne kemi bërë shumë palë zgjedhje, keni zgjedhur për qeverinë, keni zgjedhur për bashkinë, ndërkohë që, në 11 maj do të zgjedhim për historinë, është një takim me historinë.

Asnjëherë, qysh se ra regjimi komunist dhe qyshse të gjithë ne e ëndërruam me zë, jo vetëm në heshtje siç ndodhte më përpara kur Durrësi dëgjonte fshehurazi Adriano Celentanon, por me zë “Shqipërinë si gjithë Europa” është hera e parë pas 30 e kusur vitesh që Bashkimi Europian ka hapur derën dhe na ka shtrirë dorën, duke na ftuar që të negociojmë një marrëveshje përfundimtare deri në 2027 dhe të bëhemi anëtarë të Bashkimit Europian.
Këtë mundësi që historia e solli përpara nesh, falë një pune shumë të madhe, shumë këmbëngulëse që ne kemi bërë, por edhe falë faktit që papritur janë përputhur yjet, ylli i fatit europian të Shqipërisë me yllin e fatit të Europës, ne nuk mund ta humbim. Ne nuk mund ta nënvlerësojmë, ne nuk mund ta trajtojmë si një mundësi që do të jetë gjithmonë aty.

Bashkimi Europian është një shtëpi të pasurish, shtëpitë e të pasurve nuk e mbajnë derën hapur, ju e dini shumë mirë, janë të varfrit që e mbajnë derën hapur gjithmonë e jo të pasurit dhe kur dera e asaj shtëpie hapet do të thotë që janë përputhur edhe interesat.

Janë 27 aty brenda, që duhet të bien të gjithë dakord që të hapin derën dhe ti mund të trokasësh sa të duash, ti mund të jesh gati sa të duash që të hysh aty brenda, por pa rënë në një mendje ata të gjithë dhe pa e parë ata interesin e tyre tek trokitja jote, dera nuk hapet.

Tani dera është e hapur dhe ne nuk duhet ta lëmë të mbyllet pa u futur brenda në Bashkimin Europian dhe për këtë arsye unë dua t’i drejtoj një fjalë demokratëve të Durrësit.

E di që janë racë e çuditshme sepse kanë sqimë të madhe dhe e di shumë mirë që kanë bindjen që nuk lidhet thjesht me të përditshmen apo me partinë, por vijnë nga larg dhe i respektoj, por ama dua t’i drejtohem qytetarisë së tyre, dua t’i drejtohem edhe përgjegjësisë së tyre sepse durrsakët kanë përgjegjësi. Kanë përgjegjësi, jo thjeshtw për atë që janë sot, por për atë që Durrësi ka qenë në të gjitha kohërat.

Sot, ne themi “Tirana është kryeqyteti i Europës së Ballkanit”, por në kohëra të tjera ka qenë Durrësi, Europa e Shqipërisë dhe është e pamundur për mua ta imagjinoj që qytetarët e Durrësit, ata të cilët nuk ia shohin dot ngjyrën Partisë Socialiste, ata të cilët flamuri i partisë sonë i bën të acarohen si demi kur sheh leckën e kuqe, duhet të shohin një ngjyrë tjetër, duhet ta shohin shumë kthjellët një ngjyrë tjetër, e cila na bashkon sot këto dhe e cila ka bashkuar sot flamurin kuqezi me flamurin e Europës, duhet të shohim ngjyrën e detit, që na lidh me Europën, që qëllon të jetë edhe ngjyra e partisë së tyre, por partia e tyre për momentin është në koma, partia e tyre “nuk jep e nuk merr” dhe të presësh nga një parti në koma që të vrapojë është iluzion dhe për më tepër të mendosh që qytetarët durrsakë të mbeten peng pas një bufi kënete është trishtim.

Unë u drejtohem atyre dhe iu them: shikojeni 11 majin si pasardhës të atyre që folën për herë të parë shqip këtu në Durrës. Shikojeni 11 majin si pasardhës të atyre që e bënë Durrësin, portin ku hynin e dilnin anijet e Europës. Shikojeni si pasardhës të atyre në shekuj mbajtën këtu shpirtin e Europës të gjallë dhe aktiv. Shikojeni si pasardhës të atyre që nuk iu dorëzuan kurrë as diktaturës dhe nuk iu dorëzuan kurrë idesë se Durrësi mund të shikonte lindja, pasi Durrësi është jo vetëm në perëndim të Shqipërisë, por Durrësi është pjesë e perëndimit të Europës.
Dhe bëni një zgjedhje që nuk është vetëm zgjedhja juaj, po është edhe zgjedhja e fëmijëve tuaj. E fëmijëve tuaj të cilëve ju nuk mund t’ia mohoni, nuk mund t’ia mohoni dhuratën më të madhe që të gjithë ne prindërit e kohës sotme mund t’i bëjmë fëmijëve, pasaportën europiane të Shqipërisë. E fëmijëve tuaj, të ardhmen europiane e të cilëve për atë Zot nuk mund t’ia besoni bufit të kënetës, që është një politik i lashtë, një politikan i dëshpëruar, një politikan i pashpresë, një hallexhi që rri rrugëve për hallin e tij personal dhe që e sul të gjithë partinë e bretkosave në një ofensivë gëzimi për një gënjeshtër të re ai ajo e sotmja.

Pastaj ma tha shumë bukur një zonjë përpara disa ditësh, ça po ndodh tha: Unë nuk arrij ta kuptoj. Ne na rritën prindërit dhe ne rrisim fëmijët me mësimin që duhet të kujdesemi për pleqtë. Ça bëhet tha me këta demokratët që duan që një plak të kujdeset për të gjithë ne? Nuk shkon!

Nga ana tjetër, më duhet t’ua them edhe këtu demokratëve fabulën e bukur popullore, kur baba thirri tre djemtë e vet. Të madhit i tha, do kujdesesh për arën e shtëpisë. Të dytit i tha, do kujdesesh që prodhimi të shkojë në pazar. Të tretit i tha, ti tha do kujdesesh për babën tha se ti je i vogël, i tha edhe nuk do e lejosh babën tw dali nga shtëpia, kur baba të lajthisë. Ai tha, po si do e kuptoj unë, o babë? Shumë kollaj tha, kur baba të filloi të ngatërrojë fjalët e konakut të burrave, me fjalët e konakut të grave, mbyllja derën, mos e lej më me dalë, se do bëhet baba gazi i botës.

Tani këtij të rrjedhuri që vjen vërdallë nëpër Shqipëri dhe thotë do bëjë Shqipërinë madhështore, edhe që nuk arrin dot të lidhi kryefjalën me kallëzuesin, mirë që nuk ju gjet dikush aty afër, që të mos e lejë me dalë nga shtëpia, po të paktën këtë herë zgjedhësit demokratë nuk duhet të hyjnë në gjynah, sepse gjynahu është i dyfishtë. Të mos votosh për të mbyllur negociatat me Bashkimin Europian dhe për Shqipërinë në BE, po të votosh për kënetën dhe nga ana tjetër, të mos votosh për ta lënë plakun të ikë në shtëpi, po të votosh për ta mbajtur plakun zvarrë nëpër Shqipëri është vërtetë shumë e ulët.

Kështu që unë shpresoj dhe besoj që shumë demokratë do t’i bashkohen pesës, jo Partisë Socialiste, do t’i bashkohen Shqipërisë për të na dhënë një fuqi më të madhe. Për të na dhënë një fuqi më të madhe që ne ta mbyllim me sukses krushqinë me Bashkimin Europian. Këtu ne nuk jemi për të marrë votat që na duhen për të bërë qeverinë. Ne votat për të bërë qeverinë i kemi pa fushatë fare, ne 71 vota i marrim pa fushatë!

Këtu ne jemi për të siguruar për të bërë ç’mos që gjithkujt t’i shkojë mesazhi që Shqipëria sot ka nevojë për një fuqi që të jetë përtej partive, ka nevojë për një fuqi popullore ku të majtë e të djathtë nuk shohin njëri-tjetrin, por shohin bashkë drejt përpara.

Ka nevojë për një fuqi që t’i jap atë që ne nuk na i dhanë dot prindërit tanë, prindërve tanë nuk ia dhanë dot gjyshërit tanë, gjyshërve tanë nuk ia dhanë dot stërgjyshërit tanë dhe kështu mbrapa në kohëra qysh nga Skënderbeu i Krujës, profeti i historisë tonë kombëtare, i cili na e përcaktoi fatin, na e tha kur vuri barrikadën dhe i vuri shpatullat perëndimit, “që fati ynë, i stërnipërve të tij është Europa”.

Sot ne na jepet kjo mundësi e artë që atë profeci, që pastaj rilindasit tanë e kthyen në amanet, na e lanë me shkrim, “dielli për ne lind nga perëndon” të mund ta materializojmë duke e çuar këtë flamurin kuq e zi në oborrin e asaj shtëpisë së madhe dhe duke i dhënë fund një herë e përgjithmonë një fati që ka qenë gjithmonë një fat ndëshkimi për ne, pasi me zakon Zoti na ka vënë këtu në mes të Europës një nga popujt më të vjetër, kurse me ligj kemi mbetur një popull të huajsh këtu në mes të Europës. Na trajtojnë si të huaj, pavarësisht se jemi ngjitur me ta. Kur shkojmë atje, nuk jemi njësoj si ata, sepse kemi të drejtë të lëvizim nëpër vendet e tyre, por prapë mbetemi të huaj, ndërsa me atë pasaportë nuk kemi më nevojë për asnjë pasaportë tjetër në botë për të pasur dinjitetin e barabartë me ata.

Me atë pasaportë kuq e zi, shqiptarët e Italisë, të Greqisë, të Gjermanisë, kudo qofshin do të mund të jenë aty pa pasur nevojë të ndërrojnë pasaportën për të gëzuar të njëjtat liri, të njëjtat të drejta. Ndërkohë që të gjithë fëmijët e këtij vendi do të mund të shkojnë të studiojnë, jo më si studentë të huaj, për të cilët prindërit paguajnë dhjetë herë më shumë sesa paguajnë prindërit e fëmijëve atje, por si studentë europianë të Bashkimit Europian. Me këtë pasaportë Shqipëria bëhet e madhe sa Bashkimi Europian, Bashkimi Europian bëhet i vogël sa Shqipëria!

Ndërkohë, patjetër mund të flisja këtu gjatë, Ani preku çfarë ne kemi bërë e ç’a do bëjmë për Durrësin, por ju siguroj që Durrësi i 2030-s do të ngjajë me Durrësin sot, aq sa ngjan Durrësi sot me Durrësin para 10 vjetësh. Do të jetë një Durrës ku të gjitha projektet do të kenë marrë formën e tyre, ku porti i ri tregtar do të jetë operativ, ku porti turistik do të jetë operativ, ku rritja ekonomike do të jetë realitet, ku vendet e punës do jenë shumë më tepër pasi shumë më tepër tregti do të bëhet në Durrës, shumë më tepër ekonomi do krijohet në Durrës por prapë e përsëris, ne duhet të mos harrojmë që në fund të ditës historia e shqiptareve ka qenë dhe ka mbetur gjithmonë jo një histori për tu bërë më të pasur në radhë të parë, por një histori për të mbijetuar me dinjitet dhe është momenti të vendosim dinjitetin dhe identitetin tonë europian në një pasaportë.

Motra dhe vëllezër mund të flisja dhe shumë më gjatë se është shumë bukur këtu, por nuk dua të zgjatem më tutje dhe dua t’ju lë sot me besimin e madh se ju nuk do të ndaleni dhe se nuk do të lini që askush rreth jush, i afërt ose i njohur të mos vijë me ju në kutinë e votimit për të nxjerrë nga hapja e kutive një det të madh kuq e zi edhe këtu në Durrës, në qarkun e Durrësit.

Dhe në fund fare dua t’ju them të gjithë atyre që thoshin ç‘janë këta, pse Edi Rama bën mbledhje vetëm me gratë. Shikoni tani sa burra ka ardhur pasi u mblodhën një herë gratë. Ja pra kjo është forca e gruas, kjo është forca e grave dhe vajzave dhe kjo është fuqia e madhe e Partisë Socialiste, që gra, burra, vajza, djem i bën bashkë jo për partinë, por i bën bashkë për Shqipërinë.
Shumë faleminderit!

Rroftë Durrësi! Rroftë Kruja! Rroftë Shijaku! Tani kam një surprize për ju, jo më fjalime. Jo më fjalime por dua të këndoj bashkë me Noizin unë edhe bashke me ju se Noizi e ka qarë këngën!

Qepalla Durrësi!

Pesa në 11 maj!

Qepalla! Fitore!