Athinë, Greqi, me Diasporën shqiptare, krenarë për Shqipërinë
Kryeministri Edi Rama nisi sot turin e takimeve me komunitetet shqiptare në Europë. Ndalesa e parë e këtij rrugëtimi ishte Athina, ku Kryeministri u mikprit nga mijëra shqiptarë të diasporës që jetojnë e punojnë prej shumë vitesh tashmë në Greqi, – të mbledhur në Stadiumin e Galatsit të Athinës.
“Ju shqiptarët e Greqisë jeni sot një vlerë e shtuar e punës, ekonomisë, dijes, kulturës së këtij vendi të bekuar” – iu drejtua Kryeministri Rama të pranishmëve, teksa e vlerësoi këtë vizitë si më të bukurën. “Falë jush, kjo ishte vizita ime më e bukur në Athinë dhe unë nuk besoj që do të kem një më të bukur se kjo.” – u shpreh ai.
* * *
Motra dhe vëllezër! Faleminderit!
Mirë se ju gjej në shtëpinë tuaj të dytë, në Greqinë fqinje dhe mike!
Faleminderit nga zemra për këtë mikpritje kaq prekëse nën këtë strehë kaq të madhe, që ju e bëtë të duket kaq e vogël.
Mirëseardhja juaj më emocion, entuziazmi juaj më përul, por mbi të gjitha jeta dhe vepra juaj më mbushin me frymëzim shqiptarinë dhe me shumë krenari për ju, njerëz të zakonshëm nga të katër anët e Shqipërisë, që jeni bërë shëmbëlltyra e jashtëzakonshme e krenarisë së atdheut tonë në këtë pjesë të Europës.
Disa këtu në Greqi u çuditën, të tjerë u mërzitën, ndonjë edhe tha se unë nuk duhet të vija për vizitë tek ju, por mbase kur ta shohin këtë shfaqje gëzimi familjar, ata do kuptojnë që unë nuk kam ardhur të takohem me shërbëtorët e tyre të dikurshëm, por kam ardhur të çmallem me të zotët e barabartë të kësaj shtëpie.
Kam ardhur të flas me qytetarët e barasvlershëm të Greqisë demokratike, në Europën demokratike, ku shqiptarët nuk janë më të ardhurit e leckosur nga malet apo barbarët e dyndur nga detet po janë përfaqësuesit e një vendi krenar që është Shqipëria jonë.
Shqipëria e ka ngritur përfundimisht kokën e ulur në shekuj nga dhuna e historisë së saj tragjike dhe i sheh sot drejt e në sy që të gjithë me të njëjtin respekt që meriton dhe kërkon nga të gjithë.
Ju shqiptarët e Greqisë jeni sot një vlerë e shtuar e punës, ekonomisë, dijes, kulturës së këtij vendi të bekuar ku qëndron prej 25 shekujsh djepi i filozofisë dhe i demokracisë e me të cilin na lidh jo vetëm fqinjësia, por edhe një histori mijëra-vjeçare.
Përgjatë kësaj historie, fatet tona, zakonet tona, shtigjet e jetës e rrugët e shtëpive tona, luftërat, vallet, këngët, përrallat, marrëdhëniet tona, kanë qenë gjithnjë shumë më të lidhura se sa janë dukur apo sesa janë lënë të duken nga retë, mjegullat dhe pluhurat e politikës së dy vendeve tona.
Edhe sot që flasim, dy dekada e kusur pas ikjes së shekullit XX, dukja e marrëdhënieve tona thotë shumë më pak sesa realiteti, intensiteti, ndërthurja e jetëve dhe ndërlidha e rrugëve të së ardhmes pandashmërisht të përbashkët të shqiptarëve dhe të grekëve.
Në sipërfaqen e kulturës së shkruar të kohëve të sotme, ku kanalet e informacionit dhe rrjetet sociale i japin fytyrën e politikës së ditës kësaj marrëdhënieje të lashtë duke u ofruar njerëzve sufllaqet e nacionalizmit folklorik dhe rakinë e cikut populist për t’u ngrohur barqet elektorale dhe për të përgjumur trurin qytetar, duket sikur mes Shqipërisë dhe Greqisë ka pasur vetëm probleme të përjetshme. Ndërkohë jeta e përditshme mes shqiptarëve e grekëve, jashtë kafenesë së zhurmshme të interesave afatshkurtër të politikës dhe përtej pasqyrave të saj verbuese mediatike vazhdon normale, aktive dhe produktive.
Eksportet shqiptare në Greqi vitin e shkuar u rritën me 1/4 më shumë se sa vitin paraardhës. Ndërsa në muajt e parë të këtij viti Greqia renditet e treta në listën e partnerëve tregtarë të Shqipërisë. Falë angazhimit të vetë operatorëve ekonomikë këtej dhe andej kufirit, jemi në hapat e fundit të krijimit të Dhomës së parë Shqiptaro-Greke të Tregtisë dhe të Industrisë me seli në Athinë.
Falë nxitjes së njerëzve të ndriçuar të këtij komuniteti në Greqi, janë bërë të gjitha gati dhe pritet vetëm miratimi i qeverisë greke për të hapur qendrën e kulturës shqiptare, për të cilën qeveria jonë ka lëvruar edhe fondet përkatëse. Falë kërkesës në rritje të jetës reale të popujve që jetojnë jashtë gotës së furtunave politiko-mediatike, numri i udhëtarëve që lëvizin drejt të dyja vendeve është dhjetëfishuar.
Shqiptarët janë prej kohësh të dashuruar me brigjet e magjishme të Greqisë, por anasjelltas, gjithnjë e më shumë grekë po zbulojnë Shqipërinë turistike ku ndihen si në shtëpinë e tyre të dytë. Grekët kanë qenë, janë dhe gjithnjë do të jenë të mirëseardhur në Shqipëri, jo vetëm për të pushuar, por edhe për të punuar, hapur dyqane, ngritur kompani, startuar linja investimesh dhe për të përfituar nga një regjim taksash shumë më i ulët se këtu në Greqi. Madje Shqipërua është kaq mikpritëse për grekët sa nuk i krijon asnjë telash, përkundrazi i krijon të gjitha kushtet edhe ndonjë politikani të keqkuptuar grek që vjen të protestojë atje, pastaj vjen humb zgjedhjet këtu. Bujrum, si në shtëpinë tuaj!
Ju shqiptarët e Greqisë jeni dëshmia më e madhe, më e fortë e kësaj ndërlidhjes me miliona fije të pakëputshme të fateve në histori dhe në përditshmëri të dy popujve. Ashtu sikundër janë grekët shqiptarë të minoritetit grek në Shqipëri, qytetarët shqiptarë të minoritetit grek në Shqipëri, një thesar i vyer i shoqërisë sonë e cila funksionon sot brenda një kornize garancish ligjore për minoritetet që “de facto” e bën Shqipërinë një ndër shembujt më përparimtar në këtë drejtim mes të gjitha vendeve të Këshillit të Europës.
Ata grekët e Shqipërisë kanë halle, kanë probleme pa diskutim. Ne duhet dhe do të bëjmë ende më shumë për ta, por e vërteta e madhe jashtë fushës së vogël të lojërave politike me topin katror ballkanik është se asnjë hall dhe asnjë problem i tyri nuk është i ndryshëm nga hallet dhe problemet e gjithë qytetarëve shqiptarë.
Në një vend si i yni që përparon përditë po ku plagët e trashëgimisë negative të së shkuarës së afërt e të largët janë ende jo plotësisht të mbyllura ama kurrë, asnjëherë, në asnjë rast një grek etnik në Shqipërinë e të paktën 10 viteve të fundit nuk ka pasur asnjë hall apo problem për shkak të kombësisë së tij. Kurrë, asnjëherë, në asnjë rast, grekëve etnikë nuk iu është mohuar arbitrarisht nga shteti shqiptar e drejta e tyre e besimit, e drejta e tyre e gjuhës, e drejta e tyre e pronës. Kurrë, asnjëherë, në asnjë rast qytetarëve grekë të Shqipërisë nuk u është mohuar nga shteti shqiptar e drejta e votës apo e zgjedhjes për shkak të origjinës së tyre etnike.
Dhe nëse flasim për pronat, këtu ju jeni përfaqësia kombëtare e Shqipërisë, nga Tropoja në Konispol, nga Shkodra në Korçë, nga Dibra në Durrës e kush nga ju që ka një shtëpi apo një tokë nga ato zona ku ende nuk është bërë shpërndarja e titujve të pronësisë për 1001 arsye, mund të thotë të kundërtën, që ky problem është një problem i Shqipërisë dhe nuk është një problem vetëm për grekët e Shqipërisë. Që të kërkosh dhe të zbulosh raste të tilla duhet të gërmosh në qerthujt më të errët të kulturës nacionaliste ku nuk ka asnjë kufi mes historisë dhe miteve, fakteve dhe paragjykimeve, dokumenteve zyrtarë dhe artikujve të porositur.
Shqipëria nuk ka asnjë pretendim tjetër ndaj Greqisë përveç respektit reciprok, kujdesit reciprok për bashkëkombësit që jetojnë në të dy shtetet tona, marrëdhënieve reciproke të miqësisë dhe të fqinjësisë së mirë dhe jo vetëm kaq. Shqipëria e sheh Greqinë si një partner të natyrshëm strategjik, qoftë për çështjet për tu zgjidhur mes nesh, qoftë sfidat e mëdha të kësaj epoke të re, mundësish, por dhe kërcënimesh për Ballkanin, Europën, botën demokratike ne i shohim si arsye madhore për tu afruar më shumë, për tu njohur më mirë, për të mos i bërë bisht asnjë nevoje për më shumë komunikim, për të gjetur zgjidhjet më të arsyeshme për të dy palët. Për tu projektuar bashkërisht në të ardhmen duke ushqyer pa ndërprerje besimin tek njeri tjetri dhe duke forcuar në çdo hap lidhjet me njëri tjetrin.
E mbi të gjitha ne besojmë se kompleksiteti i marrëdhënieve tona në këtë kohë sfidash lokale dhe globale nuk mund të jetë kurrsesi një shtysë për tu mbytur në çdo lugë uji që sjell përditshmëria e politikës në oborrin e bashkëjetesës sonë. Jo! Ky kompleksitet duhet të jetë një nxitje e madhe që grekët e shqiptarët të binden përfundimisht dhe reciprokisht që fatet tona janë të pandashme dhe ata të cilët marrin përsipër t’i përfaqësojnë shqiptarët dhe grekët, të binden përfundimisht se nuk mund t’i gjejnë përgjigjet për të ardhmen tek e shkuara por tek e sotmja e fateve të lidhura të grekëve të Shqipërisë me shqiptarët e Shqipërisë, me shqiptarët e Greqisë, me greket e Greqisë.
Ju vëllezër dhe motra erdhët në këtë djep të civilizimit të vjetër të Greqisë së lashtë për t’i ikur gërmadhave të regjimit komunist dhe mallkimit të tij të varfërisë më ekstreme. Kapërcyet malet. Fjetët nëpër parqe, nëpër kisha, nëpër stola rrugësh. Dolët pa dalë drita për të pritur nëpër sheshe si kuaj në pazarin e gjësë së gjallë, afendikonjtë që iu merrnin për një punë të zezë krahu. Gjakosët duart dhe dërrmuat kurrizin me punët më të rënda! U përballët me gjithfarë shprehjesh brutale të arrogancës së fqinjit të pasur ndaj komshiut të varfër. Bëtë nga dy a tre punë në ditën që nuk mbaronte duke e zbutur urinë me një pjatë në ditë për të vënë mënjanë lekët e dy vakteve të pangrëna!
Përjetuat poshtërimin e fshesave të zeza të fundshekullit XX kur ju shkulnin nga shtëpitë me rrobat e trupit nëpër natë për t’ju deportuar në Shqipëri si në një film të ri të një kohe shumë të vjetër të shpërnguljeve me dhunë të paraardhësve tanë nga shtëpitë e tyre në veriun e Greqisë.
Shumë ndër ju ndërruat emrat që ju kishte vënë nëna dhe baba për të marrë dokumentat e punës dhe regjistruar fëmijët në shkollë.
Ju shqiptarët e Greqisë e patë fëmijët të mbytej në lot se kishte dalë më i miri në shkollë, por nuk iu dha e drejta e ceremonisë së flamurit dhe faj i fëmijës ishte se kishte ardhur nga foleja e shqipes dykrenare dhe nuk kishte lindur nën mbrojtjen e kryqit të bardhë por, ja ku jeni. Ju shqiptarët e Greqisë nuk u dorëzuat kurrë dhe triumfuat sepse ju jeni gjaku dhe shpirti i një kombi që çfarë nuk pa dhe çfarë nuk hoqi nën këtë qiell, por asnjë fuqi apo padrejtësi e kësaj bote nuk e zhbëri dot nga faqja e këtij dheu.
Hap pas hapi ju dolët nga errësira e mbijetesës si rezidentë të damkosur të këtij vendi në dritën e jetës si qytetarë të barabartë të këtij shteti, me vlerat tuaja të fjalës së dhënë, të punës së mbaruar, të korrektesës ndaj të huajit. Ju arritët të mos jeni më të huaj në këtë vend. Ju i bëtë vetes vendin tuaj në shoqërinë greke duke fituar respektin e punëdhënësit, besimin e fqinjit dhe dinjitetit e njeriut të lirë në një vend demokratik. Ju erdhët, luftuat, fituat! Dhe mos e harroni kurrë; me ligj dhe me zakon, Greqia është sot edhe e juaja po aq sa është e vetë grekëve. Bashkë me grekët, ju shqiptarët jeni europianët e Greqisë.
Ju sot keni këtu shtëpitë tuaja, dyqanet, bizneset, fëmijë të mirë-shkolluar në sistemin arsimor të Greqisë, keni rrethin tuaj miqësor ku greku e shqiptari nuk dallohen më, kontributet tuaja në ekonominë greke me punën e ndershme dhe me taksat që i paguani shtetit grek. E ndërkohë, ju ktheheni gjithmonë e më shpesh edhe në shtëpitë tuaja në Shqipëri ku keni mbajtur gjithë këto vite, me ndihmën tuaj të paçmuar financiare, prindërit e moshuar, vëllezërit, motrat, nipat e mbesat, dhe ku keni nisur edhe të investoni, sidomos në fshatra, kursimet tuaja. Unë e di dhe dua t’jua them; jo të gjitha dallimet janë sheshuar përgjithnjë për të gjithë, e di që jo gjithnjë gjërat shkojnë si duhet për të gjithë. E di që fantazmat e paragjykimeve dhe hijet e përbuzjes i shfaqen tek-tuk ndonjërit përmes ndonjë goje apo ndonjë dore të së shkuarës në rrugën tuaj të hapur me forcën madhështore të shembullit, por unë di po ashtu që koha juaj, koha e shqiptarëve të Greqisë, nuk kthehet më kurrë mbrapsht.
Jo vetëm shoqëria greke, pjesa më e madhe e së cilës, falë ndjeshmërisë së njerëzve të zakonshëm të këtij populli që ngjan si dy pika uji me tonin, u bë mbështetja juaj qysh në fillim të odisesë suaj heroike në kërkim të ishullit të një jete të re në Greqi, por edhe politika greke. Vendimmarrësit e këtij vendi sot e kanë të plotë vetëdijen se Greqia ka nevojë për ju njësoj siç ju keni nevojë për Greqinë.
Greqia dhe shqiptarët e Greqisë janë bërë të pazëvendësueshëm për njëri-tjetrin. Kush akoma e dyshon këtë të vërtetë, dyshon diellin që lind çdo ditë ndërsa kush i kundërvihet kësaj të vërtete, i bie me kokë pasqyrës kur sheh vetëm veten.
Miqtë e mi, kufijtë mes vendeve tona kanë qenë gjithnjë kufij politikë, që elita të caktuara rëndomë të fantaksura i kanë vënë për qëllimet e tyre aspak të larta herë për të ushqyer delirin e madhështisë provinciale, duke ndalur me dhunë kohën e popujve, herë për ta treguar dashurinë ndaj atdheut të tyre duke ushqyer urrejtjen për atdheun e të tjerëve, herë për të pompuar muskujt e pushtetit të tyre kundër rivalëve të brendshëm duke krijuar probleme të jashtme, por asnjëherë, fatkeqësisht asnjëherë duke llogaritur dëmet dhe shanset e humbura nga ndarja e dy popujve të rritur qysh në agimin e njerëzimit, pranë e pranë si dy fëmijë në të njëjtin oborr.
Prandaj dhe asnjëherë kufijtë politikë mes dy popujve tanë nuk kanë qenë kufij shpirtërore, jo vetëm se shpirti i popujve nuk njeh kufij por sepse asnjë ndarje artificiale nuk e zhbën dot një të vërtetë të madhe, të rëndë historike e cila është e shënjuar në kujtesën tonë të përbashkët kolektive dhjetëra shekuj me radhë; kjo e vërtetë është se kultura jonë e përbashkët, mesdhetare e ballkanike, është plazmuar shumë kohë përpara sesa të lindnin shtetet tona.
Modeli i qytet shteteve helene është shtrirë nga Athina në Siçili dhe nga Anatolia në Durrës, shumë kohë përpara se grekët e sotëm të identifikoheshin si grekë apo shqiptarët e sotëm si shqiptarë, në kohëra kur historia ishte histori qytetesh dhe elitash, qendrash urbane, rrjetesh komunikimi, tregtie, diplomacie.
Prandaj, edhe kush sot i qaset djepit tonë të përbashkët të historisë në këtë pellg gjeografik, shtresash e mbi-shtresash historike kulturore me kategoritë dhe kufizat e sotme jo vetëm e ka të vështirë pastaj ta shmangë kapadaillëkun ballkanik të tipit “Kush jemi ne, kush jeni ju”, por është një hap larg rënies në gropën e primitivizmit nacionalist ku gjallojnë sot e gjithë ditën mes dhe brenda nesh gjarpërinjtë e luftërave, konflikteve, sherreve, ndasive të cilët na kanë pickuar, helmuar, përgjakur, rrëzuar e penguar shumë herë përgjatë rrugës sonë të përbashkët dhe të pandashme si shqiptarë dhe si grekë.
Më lini t’ju jap një shembull, një shembull shumë të thjeshtë ndër dhjetëra, qindra e mbase mijëra mosmarrëveshjet mes oligarkëve të Epidamnit, Durrrësit sot, përmenden nga Thucydides, si një nga shkaqet e fillimit të luftës së Peleponezit midis Athinës dhe Spartës në një nga tekstet më klasike që sot mësohet me çdo kusht të lartë të marrëdhënieve ndërkombëtare, a ma thotë dot kush se cili nga shtetet e sotme që atëherë nuk ekzistonin fare i përkisnin Epidamni, Korinti apo Korkyra e atëhershme, e pamundur.
Ne kemi kapërcyer vuajtje për përbashkëta, kemi përballur sfida të njëjta, kemi trashëguar traditat tona në sisteme shoqërore që janë ngritur e janë shembur, herë duke i bashkuar shtigjet tona të bashkëjetesës, herë duke i ndarë. Gjatë rrugëtimit tonë të përbashkët në qiellin e perandorisë osmane, qendrat e sotme greke dhe shqiptare flisnin sigurisht në gjuhët e tyre, por flisnin edhe në gjuhë të tjera, si turqishtja, hebraishtja, armenishtja dhe plot të tjera akoma, dhe sigurisht edhe në gjuhët kulturave hegjomonike perëndimore frëngjishtja apo gjermanishtja.
Vetëm pas krizës së perandorive nisi të lindë Europa e sotme, Europa e shteteve sovrane, ku pavarësia u bë e domosdoshme për të mbijetuar dhe ku heronjtë e popujve të ndryshëm morën pjesë në luftërat e njëri-tjetrit. Ku ka shembull më të mirë se heroina legjendare e pavarësisë greke Laskarina Bouboulina e lindur në një burg të Stambollit, e lindur me prejardhje arvanitase një luftare legjendare e lirisë së Greqisë, e para grua admirale në botë, në krye të një flote ushtarake detare. Tani kush na ndalon ne që të mos jemi njëkohësisht krenar bashke me grekët për kontributin që i ka dhënë Greqisë ajo grua heroike me prejardhje nga një familje ku flitej shqip.
Prandaj, ajo që – megjithëse më kanë ikur të tëra fijet e zeza dhe këto të bardhat janë fije më të rralla, – nuk e kuptoj dot, është a nuk është më e thjeshtë që ta çmojmë historinë e vjetër të popullit tanë si thesar përrallor, i cili na përket të gjithëve, duke ekzaltuar me mendje të hapur në sytë e fëmijëve tanë evropianë, jo duke e manipuluar dhe përdorur me duart e rrudhosura të politikës ballkanike, të cilave kjo lagje e Evropës u ka parë vetëm sherri dhe shamatanë.
A nuk është më e ndershme karshi kombeve tona që ta ndajmë, ta ndajmë pa dyshim, pa tundim atë që u përket popujve, nga ajo që u përket shteteve. Atë që u përket shteteve nga ajo që u përket partive dhe atë që u përket partive për zgjedhjet e ardhshme, nga ajo që u përket brezave të ardhshëm për cilësinë e paqes dhe sasinë e prosperitetit?!
A nuk është më e logjikshme dhe ku e ku më produktive që Shqipëria dhe Greqia ta bashke ndajnë në partneritet të ngushtë, strategjikë si dy shtete fqinj e miq, rrugën e demokracisë, të prosperitetit dhe të vëllazërimit të vazhdueshëm të shqiptarëve dhe grekëve, në vend që të konsumojnë kohë dhe energji të shekullit të 21 për hesapet politike të ca partive këtej e ca partive andej dhe për orekset e ca pseudo-patriotëve fodullë dhe llafazanë, të cilët i kemi me shumicë, edhe këtej dhe andej, tamam si fosile të gjalla të shekullit të 19?!
Edhe sa shekuj duhet të jetojmë ne, shqiptarët e grekët, në këtë lagje të Evropës moderne, që ta mësojmë dhe ta pranojnë pa asnjë kompleks nacionalist, pa asnjë ndjenjë superioriteti ndaj një tjetrit, një të vërtetë të thjeshtë, se jo vetëm shpirti i popujve nuk njeh kufij, po edhe se kultura jonë e përbashkët mesdhetare dhe ballkanike është plazmuar shumë kohë përpara se gjuhët të bëheshin shpata dhe flamujt të ngriheshin si shtiza për të përçarë dhe futur popujt në luftëra, konflikte dhe ngatërresa.
Pastaj si mundet, si mund të vazhdojmë ne akoma me këto avaze të veshura me kostume të reja, në vend që atë të vërtetën e thjeshtë ta bëjnë shtratin e përbashkët ku të lidhen përpjekjet, po dhe rezistenca e popujve tanë në një botë ku ekzistenca e njerëzimit është e kërcënuar nga shkatërrimi, jo i largët prej ngrohjes globale dhe deri edhe nga asgjësimi akoma më i shpejtë, mos e dhënë Zoti prej çmendurisë bërthamore.
Dhe në vend se nën shembullin e popujve të tyre të kultivohen dhe të vjelin frytet e lulishteve të përbashkëta, ku qysh në agimin e kohës ka pasur terren pjellor për më të mirat e shkencës, dijes, artit të Evropës, elitat politike në historinë e fqinjësisë mes nesh si shtete, – Greqia dyqind vjet Shqipëria, njëqind e pak vjet, – kanë gërmuar e gërmuar e gërmuar për aq shumë kohë, aq qorrazi, aq pamëshirë, llogoret e konflikteve kanë ngritur aq shumë re të zeza të pluhurit keqdashës ndaj njëri-tjetrit dhe e kanë llangosur aq keq fqinjësinë me baltën e mërisë, saqë kemi tridhjetë e kusur vjet në një kapitull të ri historie edhe miqësie, ku duket sikur mezi presim të djegim një jorgan për një plesht.
Mund të kishim mbjellë, e mund të kishim të korrur në këto tridhjetë e kusur vite shumë më tepër frytet suksesit të përbashkët si fqinj, si miq, si aleatë strategjikë, duke përdorur pasuritë, mundësitë, energjitë tona si burime komplementare të rritjes së fuqisë dhe të mirëqenies së dy popujve tanë dhe duke u bërë shembull rrezatues për të krejt rajonin në vend se të hyjmë nga një cikël stinor në një tjetër, nga ngërçi në ngërç, ku pas vjeshtës vjen dimri, pranvera që zgjat shumë pak, dhe nuk vjen vera asnjëherë.
“Ditën e tretë të mbërritjes në Athinë”, shkruan në kujtimet e tij Ati themelues i shtetit shqiptar Ismail Qemali: – u prita në audiencë nga Mbreti Jorgos I, i cili më manifestoi miqësi të madhe e përkujdesje – një përkujdesje me të cilën ai më nderoi mua për tërë jetën.
Mikpritja që mu ofrua kudo, në atë kryeqytet që e dashuroja dhe admiroja qysh nga fëmijëria, më preku aq thellë sa mua më duk se isha në atdheun tim dhe po shkoja nga festa në festë. Qëndrimi nëpër kryeqytetin e Greqisë nxori në sipërfaqe simpatitë e vjetra dhe politikanët me origjinë shqiptare më llastuan me dhurata miqësie a thua se po i përgjigjeshin thirrjes së brendshme të kujtesës hershme. Ata dukeshin si të ndërdyshur para një vendimi nëse unë me bashkëpatriotët e mi, duhet të bashkëpunonim me ta për të mirën e Greqisë apo nëse ata duhet të merrnin me vete edhe gurët e mëmëdheut të tyre të dytë, për një lëvizje që të mbështeste ripërtëritjen e vendit të tyre të origjinës?
Unë isha aq krenar dhe i lumtur që vëreja se si ndjenja kombëtare ishte aq thellë rrënjosur tek shqiptarët pavarësisht shekujve të ndryshmit të kushteve politike-shoqërore. Pata një kënaqësi të madhe në ecejaket e mëngjeseve nën atë qiell të mrekullueshëm të Atikës, duke dëgjuar të flitej shqip nëpër rrugë e pazar, por ndjenjën më të madhe të kënaqësisë ma dha ajo që më tha ndihmësi i mbretit, i cilit rridhte nga një prej familjeve heroike të Shqipërisë kur po kalonim nga paradhoma tek audienca mbretërore; ‘’Bej”, – m’u drejtua ai, “mos e lësho veten para këtyre kokënxehtëve, bëj më të mirën për Shqipërinë e lirë që ne të kthehemi dhe të bashkohemi atje’’.
E për ta mbyllur me këtë pjesë, se kemi shumë kohë pa u parë dhe fjalimi im nuk është i shkurtër si zakonisht, Ati ynë themelues vazhdon: “Megjithëse zhvillimet politike morën një drejtim tjetër nga ai i ndjenjave tona, unë jam i bindur që më shpejt sesa vonë, dashuria e përbashkët e shqiptarëve dhe e grekëve për lirinë, do t’i udhëheqë ata drejt mirëkuptimit dhe krijimit të një kundërpeshe në gadishullin ballkanik për të mirën e të tërëve’’.
Bravo, po merreni me mend, plaku i urtë i pavarësisë i ka botuar këto kujtime në vitin 1920 kur marrëdhëniet mes dy shteteve tona ishin bërë shumë të vështira dhe fatkeqësisht vizioni gjenial i Ismail Qemalit atëherë ishte shumë tutje, ishte përtej horizontit të kohërave që pasuan takimin e tij me mbretin e Greqisë.
Lufta e Dytë Botërore, mbyllja hermetike e Shqipërisë në rrethin e nëntë të ferrit komunist, e ndau Europën në dysh dhe e shtyu deri në fundin e shekullit XX mundësinë që të rikthehej ky vizion i atit tonë themelues në tryezën e marrëdhënieve të vendosura tërësisht mes dy shteteve pas shembjes së komunizmit. Po iku edhe shekulli XX, po vjen mesi i dekadës së tretë të XXI, dhe në vend se Shqipëria dhe Greqia të ishin sot një kundërpeshë triumfi e fqinjësisë së kthyer në një aset strategjik, gjeopolitik në panoramën e Ballkanit dhe një shembull tërheqës për të gjithë fqinjët e tjerë që ta ndiqnin për paqen që prodhon mirëqënie, siguri, ardhmëri në tryezën e marrëdhënieve tona ndërshtetërore, rri akoma në fuqi ligji i luftës së Greqisë me Shqipërinë. Ai ligj i 10 nëntorit 1940 përcakton ç’bëhet me pronat dhe me shtetasit e vendeve në gjendje lufte dhe po atë ditë me dekret mbretëror ligjërohet që gjendja e luftës më Italinë dhe me Shqipërinë. Në vitin 1947 Greqia ratifikon traktatin e paqes me Italinë dhe gjendja e luftës mbaron. Ndërsa me Shqipërinë dekreti i gjendjes së luftës dhe për rrjedhojë pasojat e ligjit të luftës, mbeten në fuqi sot e gjithë ditën megjithëse në vitin 1998 të dyja shtetet kanë miratuar traktatin e miqësisë. Po si ka mundësi në mes dy shtetesh që kanë nënshkruar një traktat miqësie, që janë bashkë në NATO prej 15 vjetësh, të mos jetë shfuqizuar akoma gjendja e luftës bashkë me pasojat e një ligji lufte të 84 viteve më parë?
Në këto vite unë dhe qeveria jonë jemi përpjekur sa dhe si kemi mundur, që ky absurditet të largohet nga tryeza e marrëdhënieve tona, ashtu sikundër jemi përpjekur që t’i adresojmë sa më drejtë me dialog, me mirëkuptim të gjitha çështjet e mbetura mes dy shteteve tona, sepse unë kam bindjen e palëkundur, që nëse ka vullnet të mirë dhe vendosmëri reciproke, të gjitha mosmarrëveshjet e trashëguara mund të zgjidhen pa pritur që të kalojnë dhe 84 vite të tjera.
E vërteta është, miqtë e mi se tek kryeministri aktual i Greqisë unë kam gjetur bashkëbiseduesin më të hapur të këtyre 10 viteve, ndërkohë më është e pamundur mos ua them, se qasjen dhe opinionet e sivëllezërve tanë të majtë të opozitës greke, unë e kam pasur shumë të vështirë t’i kuptoj, përveçse si luftë të brendshme politike, por s’është as puna ime t’u jap atyre mend edhe pse në fakt jemi në një familje politike europiane dhe edhe mend mund t’u japim njëri-tjetrit, as e drejta ime të ndërhyj në punët e tyre, aq më tepër kur edhe në Shqipëri ne kemi një opozitë që bën ekzakt të njëjtën gjë, sa herë merret me punët e jashtme të Shqipërisë, duke iu fryrë pa sukses burive të nacionalizmit elektoral, por thjesht, do t’u thosha sot shumë miqësisht, meqë jam edhe këtu në Athinë dhe me siguri dëgjojnë, se kur kanë ndërmend të përmendin Shqipërinë dhe të komentojnë qëndrimet e qeverisë socialiste të Shqipërisë, me siguri do t’i ndihmonte në formimin e opinionit të tyre sa më korrekt, edhe një komunikim i drejtpërdrejtë mes sivëllezërve të tyre në Tiranë. Nga ana tjetër është po kaq e vërtetë që megjithëse bashkëbiseduesi im i sotëm në pallatin Maximus është më i hapuri dhe më i interesuari për ta mbyllur kapitullin e çështjeve të mbartura, puna për zgjidhjen e tyre ka ecur ngadalë dhe ka ngecur herë pas here. Megjithatë unë kam besim dhe kjo nuk është një fjalë e bukur diplomatike, realisht kam besim se më e mira mes Greqisë dhe Shqipërisë, është e gjitha përpara dhe këtë besim e kam të armatosur, me gatishmërinë që ne t’i zgjidhim të gjitha çështjet mes nesh, si europianë largpamës të shekullit të ri, jo të vazhdojmë t’i zvarrisim si ballkanas syleshë të shekullit të vjetër, për t’i kthyer pastaj në mollë sherri sa herë hapen tezgat e pazareve elektorale. Ndërkohë më vjen vërtetë keq për faktin se këto ngricat ciklike e kanë penguar që të duket edhe progresi që gjithsesi kemi bërë në disa drejtime me rëndësi.
Më në fund, me qeverinë aktuale, se me ato më përpara as nuk bëhej fjalë, kemi arritur të çelim negociatat në nivel ekspertësh për marrëveshjen e pensioneve me Greqinë. Është një marrëveshje për të cilën deri dje nuk shikonim asnjë dritë në fund të tunelit, ndërkohë që besojmë se pas realizimit të marrëveshjes për pensionet me Italinë, kemi dhe një referencë shumë pozitive sepse faktikisht ajo me Italinë dhe kjo me Greqinë, janë dhe dy marrëveshjet më komplekse për shkak dhe të peshës që ka faktori shqiptar në të dyja shtetet.
Po ashtu dhe besoj që kjo ju intereson shumë, kemi hapur edhe dialogun dypalësh në nivel teknik për problematikën e lejeve të qëndrimit dhe procedurën e marrjes të shtetësisë me natyralizim dhe ka goxha progres dhe unë jam besimplotë që shumë shpejtë ju do të merrni lajme shumë të mira.
Një tjetër synim i përbashkët strategjik dhe i dakordësuar mes dy qeverive tona është bashkërendimi i nevojave dhe oportuniteteve ekonomike të dy shteteve tona për aksesin dhe pozitat në tregun e integruar europian të energjisë.
Sot punohet për projektin e linjës së dytë të transmetimit 400 kV Fier – Arachtos një projekt me rendësi strategjike për të dyja shtetet i cili jo vetëm konsolidon rrjetin transmetues, por fuqizon ndërlidhjen fizike të Shqipërisë dhe Greqisë për përmbushjen e kushteve të integrimit në tregun europian të energjisë duke krijuar siguri që çmimet do të jenë më konkurruese, por dhe duke zgjeruar kapacitetet eksportuese të energjisë së prodhuar nga burimet e rinovueshme në të dyja vendet.
Një tjetër faqe e bukur bashkëpunimi dhe afrimi, e kemi hapur me propozimin tonë dhe dakordësinë me thënë të drejtën të menjëhershme të qeverisë greke për ta integruar duke bërë një integrim ndërkufitar, parkun kombëtar të Vjosë, i cili në vitet e ardhshme do të jetë një motor gjithnjë dhe më i fuqishëm i industrisë sonë të re të turizmit por duke u kthyer në një park europian të integruar ku s’ka kufi, por triumfon natyra që na bashkon qysh se kemi ardhur në këtë botë, do të jetë një shembull magnetik qoftë për çfarë mund të bëjmë së bashku, Shqipëria dhe Greqia me njëra tjetrën, për njëra tjetrën dhe për Europën tonë, qoftë për turistët dhe vizitorët nga e gjithë bota.
Shqipëria 2030 do të ketë fituar pavarësinë e vetë të plotë energjetike dhe do të jetë eksportuese neto e energjisë. Kjo do të thotë se asnjë qindarkë më nga taksat e shqiptarëve nuk do të shpenzohet për të blerë energji jashtë, por përkundrazi, më shumë para do të hyjnë në buxhetin e Shqipërisë edhe nga shitja e energjisë së prodhuar në vend.
Ne po bëjmë gati këto kohë një program të veçantë për të gjithë emigrantët shqiptarë që duan të investojnë kursimet e tyre në fshatra dhe zona malore të Shqipërisë për t’i kthyer shtëpitë dhe trojet atje në hallka të zinxhirit tonë të ri të turizmit. Shembujt i kemi nga Thethi dhe Valbona, në Tepelenë dhe në Përmet ku me kursimet e punës në emigracion dhe falë dijes, eksperiencës, kulturës së punës së fituar larg shtëpisë ata që janë kthyer nga mërgimi kanë hapur agroturizma dhe bujtina që janë plot me turistë të cilat iu sjellin në bilancin e fundvitit shumë më shumë të ardhura sesa paga e emigracionit
Disa janë kthyer për fare, disa të tjerë jetojnë mes shtetit ku janë dhe vendlindjes por të gjithë e shohin se llogaria del për bukuri dhe investimi në vendlindje shpërblehet më së miri.
Shqipëria e 2030 do të jetë një vend i zgjedhjes së lirë, por jo më i detyruar nga halli apo nga pamundësia për të gjithë ata shqiptarë që do të mendojnë ta kërkojnë fatin e tyre gjetkë si njerëz të lirë të kësaj bote ku kufijtë e vendlindjes dhe shteti ku kalon fëmijëria deri në moshën për të marrë vendime, nuk mund të jenë pengesë për askënd që spostohet drejt horizontesh dhe realitetesh të reja. Përtej mjegullës së dezinformimit që përcjell lajme të fabrikuara ditë natë nga mendjet më të liga shqiptare, mendjet e liga që i kemi nga mbrapa qysh nga viti 1912 që ndryshojnë emrin e njeriut, ndryshojnë formën e njeriut, por nuk ndryshojnë në përmbajtjen e tyre dhe flasin të njëjta gjëra përmes gjuhës së njerëzve të ndryshëm. Si për shembull rënia e papunësisë së Shqipërisë në 1.5 milionë përtej tymit të zi të luftës politike me fenomenin e emigracionit që në kohë dhe cikle të ndryshme i ka prekur të gjithë vendet e kësaj bote e jo më pastaj Shqipërinë që doli pas gjysmë shekulli burg, nga një burg ku çelësat ishin hedhur në det. Përtej të gjitha projekteve, reformave, punë dhe mundësive të reja dhe përtej të gjitha krahinave, besimeve, bindjeve dhe pëlqime politike është sot e gjitha e arritshme për tu zotëruar si vullnet i gjithë shqiptarëve kudo ndodhen, maja e Shqipërisë 2030.
Në këtë histori të stërvjetër të civilizimit europian ku pjelloria e mendjeve të ndritura, shoqërimi me besëtytni në perëndi, gjysme perëndi apo njerëz të thjeshtë që ëndërronin të shndërroheshin në perëndi dhe ku historia e këtij pellgu të përbashkët lindi në këtë qytet, të vetmin sistem qeverisje që ia kthen lirinë individit duke respektuar vullnetin e shumicës, pagëzuar nga greket e lashtë me emrin e bekuar demokraci, historia e re e shqiptareve të Greqisë është kapitulli bashkëkohor i një afirmimi shembullor të vlerës së përjetshme të lirisë së individit dhe të drejtës së qytetarisë dhe nuk rashë në përsëritje, por desha të shtoj se demokracia është një sistem sa sfidues aq dhe kuptimplotë, sa vetë termi që i gjen rrënjët në fjalën greke kratos, forcë e cila nuk e di pse mua më asociohet gjithmonë me fjalën hyjnore shqipe ‘krijoj’. Forcën krijuese të demokracisë si fuqi jo shkatërruese, si fuqi lartësuese e shoqërisë, jo përçarëse e denigruese, si fuqi që sjell mundësi, gjithnjë e më të barabarta për të gjithë, jo thellim të pabarazisë dhe të diskriminimeve, Shqipëria 2030 duhet t’ia marrë më të mirën e mundshme përmes fuqisë së gjithë shqiptarëve që flamuri kuq e zi i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit të ngrihet në krahë të flamujve të shteteve anëtare të Bashkimit Europian, atje në qendrën e Europës demokratike.
Sot ju e shihni Shqipërinë kur vini, dëgjoni për Shqipërinë kur ju flasin, lexoni për Shqipërinë kur ju nxjerrin nga kanalet dhe portalet lloj – lloj gjërash, por sot Shqipëria ka nisur t’ju ngjajë ju. Ka nisur të ngjajë përditë e më shumë me shqiptarët e rrugëve të stërmundimshme të emigracionit që falë përpjekjeve titanike të disa viteve nga gjysmë të vdekurit e leckosur dhe të damkosur të shtigjeve malore dhe brigjeve detare rilindën, rilindën dhe u bën zotër të fatit të tyre në Europë.
Albania, sot ka rilindur në sytë e botës dhe nuk ka asociohet më me vendin e zymtë të të gjitha të këqijave por me një destinacion për tu zbuluar, për tu prekur. Me një vend njerëzish mikpritës dhe ambiciozë që po ia ndryshojnë faqen Shqipërisë, me një shtet që në dyert dhe sallonet e Europës dhe të botës nuk shihet më as me dyshime as me keqardhje, por me respekt dhe me vlerësim.
Sot ju nuk e ulni më kokën kur thoni: “jam nga Shqipëria”. Dhe siç atdheu juaj ka qenë gjithnjë kryelartë për ju, ju sot jeni në të drejtën e Zotit të jeni kryelartë për Shqipërinë.
Shqipëria e deridjeshme nuk ju mbante dot, Shqipëria e sotme po bëhet gati edhe për këdo nga ju që dëshiron apo mund të dëshirojë të kthehet, por Shqipëria 2030 do të jetë vendi ku kush do të rikthehet, do të ketë një Shqipëri të vetën, si veten, për veten; një shtet europian në gjirin e Europës, një shtet demokratik ku më së fundmi, pas shekujsh të tërë, ligji i barabartë për të gjithë dhe askush mbi ligjin.
Kohët kur të tjerët vendosnin se deri ku mund ta hidhnin hapin shqiptarët kanë vdekur.
Koha e shqiptarëve dhe e Shqipërisë në Europë ka ardhur.
Shumë të dashur miq, motra dhe vëllezër,
Rrofshi që më nderuat kaq shumë!
Bashkësia qoftë emri i çdo dite të re për ju, familjet, të afërmit, të gjithë ata që ju do zemra.
Jeni shembull, jeni energji, jeni forcë për mua.
Unë nuk kam si ta hap zemrën dhe trurin tim që ju të hyni dhe të shikoni vetë se çfarë ka brenda po unë nuk iki dot sot pa ju thënë dhe dy fjalë.
Gabime unë mund të kem bërë plot deri këtu, në këto 10 vjet.
Ju kërkoj ndjesë për çdo gabim që ju mendoni se kam bërë, por kurrë, në asnjë rast nuk i kam tradhtuar ata që ma kanë besuar qoftë dhe njëherë me votën e tyre këtë nder të jashtëzakonshëm.
Nuk ka nder më të madh që mund t’i bëhet një njeriu në jetë sesa të udhëheqë vendin e tij prandaj nuk ka forcë materiale në këtë botë, fuqi politike, ekonomike, financiare, individ apo shtet që, mos o zot, më josh a më detyron dot mua të përkulem për të përfituar për veten pas shpinës suaj, për të cënuar interesat publike dhe private të shqiptarëve që unë nuk i njoh, por e di shumë mirë që ata më njohin mua apo për të përkulur majat e paprekshme të interesave kombëtare të Shqipërisë.
Falë jush, kjo ishte vizita ime më e bukur në Athinë dhe unë nuk besoj që do të kem një më të bukur se kjo.
Përpara se sa të largohem dhe në pamundësi për ta takuar, dëshiroj që edhe në emrin tuaj, t’i le një pusullë miku tim të zgjedhur nga populli i këtij vendi për të udhëhequr Greqinë, kryeministrit Mitsotakis.
Në vitin 1886 poeti ynë kombëtar Naim Frashëri, shkruajti në greqisht vjershën e tij “Dëshira e Vërtetë e Shqiptarëve”:
“Duam me të gjithë fqinjët,
Sllavë dhe Grekë të jetojmë në harmoni,
Në vëllazërim, me rend dhe paqe, të jetojmë.
Le të mos bëhemi armiq e le të mos zihemi,
Mjaftojnë vuajtjet e shumta dhe tiranitë që kemi kaluar.
Eshtë koha e mirëqenies, është koha e lirisë”.
Shumë të fala, nga unë dhe shqiptarët e Greqisë.
Rroftë Shqipëria, zito i Elladha, rroftë Europa demokratike!
Zoti i bekoftë shqiptarët dhe vëllezërit e tyre grekë dhe haptë një faqe të re vëllazërie, rendi e paqeje mes Shqipërisë dhe Greqisë.