The Socialist Party of Albania

Milano, Itali, me shqiptarët e Italisë, krenarë për Shqipërinë

Mijëra shqiptarë të Italisë të mbledhur sot në Milano, ishin mikpritësit e radhës në turin e Kryeministrit Rama në shtetet e Europës, ku jetojnë e punojnë prej dekadash tashmë shqiptarët.
“Ju shqiptarët e Italisë jeni shembëlltyra më rrezatuese e pararojave shqiptare të ribashkimit me Europën, jeni krenaria shqiptare, e mishëruar në një sukses frymëzues të misionit tonë kombëtar të bashkimit përfundimtar me Europën demokratike.” – iu drejtua Kryeministri Rama të pranishmëve.

* * *
Të dashur vëllezër dhe motra, shqiptarë të Italisë, jam thellësisht i prekur nga mikpritja juaj!
Dua që ta dini se më ka emocionuar tej mase vala e nxehtë e përshëndetjeve dhe ftesave të shumë shqiptarëve që më kanë shkruar gjithë këto ditë, në fakt menjëherë pasi mbaroi takimi në Athinë, për t’i vizituar atje ku janë, në të katër anët e Italisë.
Shumë faleminderit të gjithëve!
Plot prej atyre që më kanë shkruar, me siguri janë edhe këtu. Shumë, por shumë faleminderit për praninë tuaj! Por shumë e shumë të tjerë janë larg në qytete, në qyteza të tjera të këtij vendi mik.
Mirënjohje pa fund për dëshirën e madhe për të më takuar dhe një përqafim të gjithëve kudo ku janë nga kjo arenë e mrekullueshme, ku flamujt kuq e zi dhe tringjyrëshit italianë dëshmojnë me gjithë bukurinë e thjeshtësisë, lidhjen e përjetshme mes dy popujsh të cilët ndër dhjetëra shekuj i ka bashkuar një det i tërë historie, në këtë pellg të Mesdheut ku edhe është ngjizur shpirti i Europës së sotme.
Ju shqiptarët e Italisë, jeni shëmbëlltyra më rrezatuese e pararojave shqiptare të ribashkimit me Europën. Ju, jo politika, jo media, as biznesi jeni përbashkuesit më kryesorë të dy brigjeve të Adriatikut në një hapësirë të vetme marrëdhëniesh të gjithanshme.
Ju jeni fuqia më e madhe e rikthimit të Arbërisë së vjetër dhe të Shqipërisë së re në shtratin natyral të qytetërimit evropian.
Ju, emigrantët e djeshëm shqiptarë dhe qytetarët e barabartë të Europës së sotme, jeni krenaria shqiptare e mishëruar në një sukses frymëzues për misionin tonë kombëtar të bashkimit përfundimtar me Europën demokratike.
Sot, kjo duket gjëja më e natyrshme në botë, por dje, kjo dukej gjëja më e pamundur në botë. Kur ju u bëtë bartësit e fillesës tronditëse të këtij misioni historik, mbi anijet e ndryshkura të Shqipërisë komuniste, ku siç do ta thoshte po t’ju kishte parë udhëtari dhe historiani i shekullit XIX, Jakob Philipp Fallmerayer, formësuat një trup si të gjigandëve shqiptarë që prej 500 vjetësh dergjeshin mes maleve.
“E stato un albanese”. Me siguri të gjithë ata që e kanë shkelur Italinë në vitet ’90, e kujtojnë këtë zile alarmi.
“E stato un albanese”, ishte avazi që shponte veshin ku dëgjohej, qërronte syrin kur lexohej, kërruste shpirtin dhe ulte kokën e shqiptarëve në çdo mjedis, ku shqiptari duhet jo thjesht ta fshihte, por mundësisht, ta harronte fare të qenit shqiptar për t’u pranuar si njeri i zakonshëm dhe ku njeriu i zakonshëm, shqiptari në kërkim të një jete të re përmes një punë të ndershme, ndihej si një person në kërkim, për fajin e vetëm që ishte “un albanese”.
Përplaseshin dy makina; gazetat shkruanin “E stato un albanese”.
Ndodhte një grabitje, telegazetat lokale informonin: “E’ stato un albanese”.
Kryhej një vrasje, telegazetet kombëtare e fillonin me lajmin “E’ stato un albanese”.
E kam dëgjuar me veshët e mi kur “Telegiornale” raportonte nga vendngjarja e një krimi. Gazetari me mikrofon në dorë dhe me dritat e makinës së policisë që rrotulloheshin në sfondin e natës raportoi:
“L’assassino e scapato e non e stato identificato. Ma ce la quasi certezza delle forze del ordine che e stato un albanese. Edhe kur ikte në drejtim të paditur, vrasësi i panjohur ishte un albanese.
Edhe kur ikte në drejtim të paditur, vrasësi i panjohur ishte “un albanese”. Ky ishte shqiptari në pasqyrat italiane të atyre viteve. Kur ne u shfaqëm në dylbitë e Italisë si një jashtënxjerrje e errësirës në fund të detit, zhveshur nga gjithçka tjetër, përveç ëndrrës së një parajse lire e cila na thithte lart mbi ujë, gjysmë të vdekur me forcën e papërmbajtshme të imagjinatës së ushqyer, me vite të tëra nga valët e televizioneve italiane.
Asokohe italianët nuk kishin fare se si ta dinin, se përpara se të preknin brigjet e Italisë, shqiptarëve iu jehonte shpirti nga “liberta”-ja dhe nga “felicita”-ja e Albanos dhe Rominës.
Ju buçiste gjoksi nga zhurma e ardhur deri në shtëpitë e tyre prej stadiumeve të Serie A dhe iu dukej sikur edhe kupën e botës të ’82-shit e kishin edhe ata pjesë të tyre. Ju ishte bërë mendja si një magazinë sendesh të vjedhura nga valët e paligjshme të programeve televizive italiane, ku kishin futur çdo album të Celentanos; çdo trofe të San Remos, çdo reklamë të Caruselos, çdo fustan të Raffaellës, çdo personazh të telenovelave të RAI-t dhe të Mediaset, falë sa e sa inkursionesh nëpër natë, në ballkone e tarraca për të kthyer antenat nga perëndimi, njësoj siç ushtria popullore kthente kundërajrorët në pritje të avionëve anglo-amerikanë.
Italianët nuk e kishin fare idenë se përtej asaj që dukej, asaj jashtënxjerrje njerëzore nga humnera e ferrit Dantesk të komunizmit matanë Adriatikut dhe pamjes së albanezëve që papritur filluan të shfaqen nëpër rrugët e Italisë si ata figurantët e filmave nga mesjeta, duke ecur si të goditur prapa kokës dhe duke përsëritur “amico, amico”, kudo ku mbanin hapin, fshihej një shpirt i marrosur më italian se i italianit më të flaktë; një adhurim deri në vetëmohim i një Italie që në mendjen e shqiptarëve kishte marrë pamjen e një toke të shenjtë ku gjendej parajsa e kësaj bote; një dashuri e verbër pa kushte, e cila nuk i linte gjë mangët të gjitha dashurive më të mëdha platonike, por fatkeqësia më e madhe ishte se në të njëjtën kohë Shqipëria në sytë e Italisë dukej si një ekran televizori kur ikin dritat, e zezë, e palexueshme, e rrethuar nga errësira e një gjysmë shekulli, qysh kur italianët e fundit e kishin e parë atëherë kur humbën luftën pushtuese dhe shqiptarët i morën nëpër shtëpi, i fshehën nga nazistët, i ushqyen dhe i trajtuan si familjarët e tyre derisa i përcollën për në atdhe.
Në sytë e italianëve të viteve ’90, asgjë nuk e lidhte Shqipërinë e para luftës, provincën e dikurshme të Italisë kujtimi i së cilës ishte flakur në mbeturinat e historisë italiane të fashizmit me Shqipërinë komuniste që pikërisht nga ajo e kaluar ishte mbarsur si pjella e imponuar e një shtatzënie të mbrapsht. E kush nuk i kujton ato kohë me damkën: “E’ stato un albanese”, kur zienin debatet në kanalet politike italiane. Ishte koha e një farë Umberto Bossi, një tip që bëri thirrje që shqiptarët të vriteshin në det me pushkët e ushtrisë, një personazh që dukej sikur kishte dalë nga filmat komikë i cili këtej e bëri çorap Italinë, andej shkoi, i bleu djalit diplomën tek një nga ato universitetet Kristal dhe Vitrina të Saliut të dytë.
Ishte koha kur gjiri i Vlorës ishte bërë si parkimi i garave ujore të shpejtësisë për skafet që turreshin përnatë në errësirën e kanalit të Otrantos, ku të gjithë shihnin vdekjen me sy. Disa vdekja i merrte përgjithnjë në fundin e detit dhe të tjerët ia merrnin vdekjes në një kthesë të paimagjinueshme dhe fitonin lirinë duke prekur më në fund bregun e ëndrrës së tyre.
Ishte koha e mbytjes së “Katërtit të Radës”, anijes që u bë simboli i luftës së shqiptareve për tu rikthyer në gjirin e Europës pas një shkuljeje me dhunë prej saj dhe një errësire të pafundme jashtë librit të historisë europiane të pas Luftës së Dytë Botërore, por Italia e kohës fatmirësisht nuk ishte Greqia e asaj kohe. Jo vetëm populli italian njësoj si populli grek ua hapi derën bujarisht shqiptarëve duke i ndihmuar të ngriheshin mbi këmbët e tyre, por dhe qeveritë italiane megjithëse tejet të trembura nga fenomeni i sapo shfaqur i migrimit masiv drejt brigjeve të Italisë u sollën me Shqipërinë si askush tjetër.
Motra dhe vëllezër, ju thashë që mora shumë mesazhe nga shqiptarët e Italisë, pas asaj valles kuq e zi në zemër të Greqisë. Më bëri përshtypje në më shumë se një rast, dërguesit nga Italia më thoshin që kur të vija në Milano nuk duhet të harroja që dhe ju keni vuajtur, gati-gati dukej sikur ndiheshin të përjashtuar nga një garë dhimbjesh historike. Pothuajse xheloz për faktin se vuajtjet e tmerrshme të shqiptarëve të Greqisë e bëjnë më heroike nga tëra të tjerat historinë e stërmundimshme të afrimit të shqiptarëve me Europën dhe afirmimit të tyre si qytetar europianë. Ndanin dhe ata në mesazhet e tyre histori të trishta, histori të pamundura për tu futur në tablonë e Europës, lirisë dhe të drejtave të njeriut. Janë histori që e kanë vendin në ca peizazhe tejet të zymta të shpirtit njerëzor. Nuk kanë lidhje me territoret e plagëve të mëdha nga luftërat e hapura, por nga vuajtjet pa zë, nga konfliktet e fshehta të një kohe kur traumat e përpjekjes për tu përshtatur dhe për tu pranuar si të përshtatshëm quheshin thjeshtë domosdoshmëri të procesit të integrimit.
Ajo ishte një kohë kur bashkimi demokratik europian nuk ishte në gjendje as t’ia kërkonte dhe jo më t’ia vinte emrin e vërtetë projektit të përbashkët të Europës ku jetojmë sot. Dhe ja si erdhi koha! Ne shqiptarët jemi përgjegjës të barabartë për ecurinë e fatit të atij projekti etnik për të ardhmen e përbashkët të banorëve të këtij kontinenti në rrugën e fateve tona të pandashme europiane, ku shtetet e Europës demokratike, o ia dalin të gjitha në krye së bashku si europianë pa dallim, o mbetemi mbrapa botës gjithë bashkë në një Europë që sot është e sfiduar si asnjëherë më parë qysh nga Lufta e Dytë Botërore.
Gjermania e quajti ribashkim që në minutën e parë dhe ia doli në krye pa pritur dhe pa kërkuar që gjermanët lindorë të bëheshin të përshtatshëm në një proces të stërgjatë me kritere, standarde, por dhe me lojëra politike të diktuara nga zgjedhjet e radhës lartë e poshtë nëpër Europë.
Ndërsa Bashkimit Europian iu desh të zvarritej dhjetëra vite me të ashtuquajturin zgjerim derisa carizmi rus u shfaq si ajo gjilpëra në sepeten e kasherit të pavdekshëm duke hapur luftën e parë pushtuese në këtë kontinent pas 77 vitesh dhe duke e bërë Europën të fillojë të kuptojë më në fund se duhet të ribashkohet një orë e më parë përmes urave të demokracisë, jo të zgjerohet me hapin e breshkës përmes kanaleve të burokracisë.
Ju shqiptarët e Italisë nuk i ndërruat emrat, por sërish dhe gjerësish siç u ndodhi tragjikisht qindra mijëra vëllezërve dhe motrave tona në Greqi për një arsye të vetme dhe të lemeritshme që e dimë shumë mirë të gjithë dhe që do të mbetet një njollë turpi në historinë e Europës demokratike, por ama nuk ishin të pakta rastet kur ju e morët përsipër vullnetarisht këtë ndryshim të identitetit që ajo zilja përndjekëse “e stato un albanese” të mos i hapte ndonjë dreq pune një Haxhiu që e pagëzoi veten “xhixhi”. Apo një drite që u rilind si Lucia, por mbase formula e ekuacionit të njohjes së jashtëzakonshme teorike të Italisë pa e shkelur fare akoma, bashkuar me domosdoshmërinë praktike të fshehjes së gjurmëve të të qenit shqiptar gjatë atij impakti të “ububu”-shëm të albanezëve me pasqyrat mediatike, shpjegon fuqinë vetë transformuese që i bëri qindra mijëra shqiptarë të Italisë të përshtaten me një shpejtësi mbresëlënëse duke arritur suksese të rralla në botën e emigracionit shqiptar qysh në brezin e parë të të ardhurve.
Mbase fuqia e verbër e dashurisë platonike për Italinë e transformuar në forcën e brendshme të një hakmarrjeje nga zilja e alarmit “e stato un albanese’ e cila sa herë e dëgjonin i shtynte më fort shqiptarët t’i provonin Italisë: “No, non sono stato io”, shkaktoi atë lëvizjen e madhe nga terreni rrëshqitës i leckamanëve të lagur kokë e këmbë të parë në rastin më të mirë me sytë e mëshirës kristiane në terrenin pjellor të një komuniteti që, jo vetëm e fitoi luftën me paragjykimet, por nxori dhe ngjiti yjet e vet në maja dikur më të ëndërrta të Italisë palkoshenikon e Sanremos, në tempullin e La Sacla-s në spektaklin e Amici, në podiumin e fituesit të Voice of Italy, në stolin e drejtuesve të skuadrave të Serisë A , në kopertinat e Einaudit e të Feltrinellit, në Bienalen e Venezias dhe nëpër muret e galerive prestigjoze të arteve të bukura, e në çdo majë province e komune, ku krahas italianëve, shqipet shkëlqyen me talentet, bëmat dhe vullnetin e tyre të jashtëzakonshëm.
“Tu proverai siccome sa di sale lo pane altrui, e quant’e’ duro calle lo scendere e salir le altrui scale” shkruhet në një nga këngët e Komedisë hyjnore, pikerisht aty ku paraardhesi i tij Cacciaguida, profeti i thotë Dantes një profetësi se do të ketë një jetë në emigracion si ajo që ai kishte kaluar vetë. Ajo këngë duket si e shkruar për shqiptarët e Italisë, kur thotë “ti do ta provosh si shijen e kripës në bukën e tjetrit, se ç’vuajtje është që shkallët e tjetrit t’i zbresësh e ngjisësh”.

“Tu lascerai ogne cosa diletta più caramente; e questo è quello strale che l’arco de lo essilio pria saetta.”

Shigjeta e harkut të arratisë do t’i ketë paraprirë, braktisjes së çdo gjëje që ti merrje me të mirë.
Ju shqiptarët e Italisë provuat të pabesueshmen, kur derdhët lot malli çurk për Shqipërinë, të cilën e kishit lënë me betimin ekstrem për të mos ia parë më kurrë sytë dhe lot të nxehta inati për Italinë, që e kishit kërkuar me besimin ekstrem se nuk do t’jua lagte kurrë fytyrën me ujin e kripur të syve.
Por tamam aty në atë shteg fare të ngushtë, mes atdheut të mallkuar që lat mbas kurrizit duke rendur si ai fati i Shqipërisë së ngritur nga varri dhe atdheut të dytë këtu që u përplas mbi ju si i marri duke iu shkelur e duke iu përmbysur bashkë me thesin e ëndrrave tuaja, ju gjetët atdheun më të sigurt vetveten.
Zbuluat brenda jush forcën e pandalshme për të ndjekur nga mbrapa të ardhmen tuaj pa u dorëzuar kurrë, mes e përmes purgatorit të plagëve të reja, kur ato të ferrit të vjetër akoma nuk ishin mbyllur duke e shtrënguar fort besimin te vetja tamam siç shtrëngonte Danteja dorën e Virgjilit. Virgjili është ai që i la njerëzimit edhe rrëfimin për forcën e pashtershme krijuese të emigrantëve, përmes personazhit kryesor të kryeveprës së tij “Enejdës”.
Enea refugjati i arratisur nga zjarret dhe lemeritë e luftës së Trojës, ndalet në Butrintin tonë për të mësuar fatin e tij dhe pikërisht në Butrint, kjo Trojë e vogël, – siç e quan Virgjili, – Enea mëson fatin e tij përmes një profetësie. Në fund të një udhëtimeve të rrezikshme do themelosh Romën e lavdishme.
Përtej mitit, rrëfimi i Virgjilit na zbulon se çdo kështjellë politike është ndërtuar me gurë të mbledhur nga shtresat e kohës, çdo identitet e ka zanafillën me një të ardhur diku nga diku, çdo bashkësi e krijuar nga politika si entitet juridik mbi shtratin e gjeografisë, nuk është asgjë tjetër veçse një përzierje ripërtëritëse e elementeve, që në një epokë apo në një tjetër janë ndërthurur në përqafimin e të ardhurve më parë dhe atyre që kanë ardhur më pas me njëri – tjetrin. Edhe në këtë pellgun tonë mesdhetar, ju shqiptarët e Italisë, e ata të Greqisë më së pari jeni sot një nga shëmbëlltyrat domethënëse të një profetësie të përbashkët, themelimit të një qytetërimi të ri europian, më i lirë, më i drejtë dhe më gjithëpërfshirës sesa paraardhësit e tij grek dhe romak, fundi i hidhur i të cilëve mëson këdo që do të mësojë se si edhe realitetet politike në dukje më të çelikta mund të rrënohen si kështjella rëre, kur etja për pushtet e individëve që duan të kontrollojnë të djeshmen gërryen deri në sakrifikim vlerat e përbashkëta njerëzore dhe e kthen të përpjetën sfiduese drejt së ardhmes në tatëpjetën shkatërruese të së shkuarës.
Përpara se t’i jepte lamtumirën Elenit dhe Andromakës në Butrint, Enea në vizionin e qytetërimit që do të sillte lulëzimin në të tjera vise në Itali, ëndërronte që vëllezër prej shpirti dhe dashurie, popuj të krejt asaj zone do të ndërtonin një atdhe të vetëm, të përzier dhe të nënshtruar ndaj një fati të përbashkët në kufirin mes lindjes dhe perëndimit, të përziera dhe të mbishtruara ndaj njëra-tjetrës i kemi pasur historitë tona ne popujt në këtë zonë.
Dhe një prej shëmbëlltyrave më domethënëse të asaj përzierje është ajo e kohës kur fisnikëria shqiptare fitoi qytetarinë Venedikase, bashkë me të drejtën e përfaqësimit dhe kur Skënderbeu ynë u bë flamuri i qëndresës së perëndimit ndaj furisë së ardhur nga lindja, ne u nderuam nga Selia e Shenjtë me titullin e madh të “Atletit të Krishtit”, por nga ana tjetër njihet botërisht edhe fakti se heroi ynë kombëtar ishte edhe një luftëtar besnik i mbretit të Napolit me të cilin e lidhte pakti që i hapi rrugë konsolidimit të një bashkësie shqiptare që nga Pulia deri në Sicili ku ruhet në 51 komuna italiane sot e gjithë ditën gjuha e Arbërisë skënderbejane. Prej atyre rrënjëve të vjetra arbërore dolën në shekuj familje të mëdha e individë të shquar, që lanë gjurmë në historinë e Italisë; Albanët prej të cilëve doli edhe një papë shqiptar, Durrazzo-t e Xhenovës, Krispët e Risorgimento-s, Gramshët e rezistencës antifashiste, e plot të tjerë.

Ju, shqiptarët e Italisë e këputët me forcën e mërisë ndaj diktaturës së varfërisë dhe me duart e ëndrrave tuaja për Europën e prosperitetit, kërthizën me tokën mëmë përmes po atij deti ku paraardhësit tanë të vjetër, arbëreshët, e panë t’ju këputet ajo kërthizë me shpatat e makthit të tyre.

Ndryshe nga ju, që jeni katranipërit e sotëm të Skënderbeut, që vetëm pak vite më pas larg Shqipërisë rifilluat të ktheheshit për t’u çmallur me rrugët e vendlindjes ata, vëllezërit e motrat e Gjergj Kastriotit, kapërcyen shekuj në pamundësi për ta riprekur me sytë e përmalluar Arbërinë.

Arbëria vdiq pas lëngimesh të gjata shumë larg syve të tyre, e u ringjall me emrin Shqipëri e me një flamur të ri, ndërkohë që trojet arbëreshe të Italisë mbetën sëndyku i rrobave, i qirinjve dhe kujtesës së Arbërisë, mbuluar me flamurin e vjetër të legjendës dhe të historisë së Heroit tonë Kombëtar.

Por nga ana tjetër janë shumë domethënëse janë edhe gjurmët historike të Italisë në Shqipëri, aty ku Jul Qezari sfidoi Pompeun; aty ku Napoli, Amalfi e Venezia sollën tregtarë e arkitektë, ngritën kisha e ndërtime; aty ku kështjella e Rozafës së Shkodrës u kthye në simbolin e rezistencës veneciane kundër fuqisë otomane dhe u përjetësua në pikturën e gjeniut të Rilindjes, italiane Paolo Veronese, e cila qëndron sot e gjithë ditën në sallën e Këshillit të Madh në Venezia.

Ato gjurmë shtrihen nëpër trupin e Shqipërisë ndër shekuj drejt kohëve më të vona, deri aty ku mori jetë plani urbanistik i arkitektëve fiorentinë mbi të cilin u vu guri i parë i Tiranës moderne,e më pas aty ku nga përqafimi i dhunshëm i Shqipërisë dhe Italisë fashiste, shtrënguar mes historisë së një fuqie të madhe adriatike që e kishte parë mëmëdheun tonë si simotër dhe fuqisë megalomanianike të një Italie të verbuar nga ëndrrat e vjetra perandorake, u hap një plagë e rëndë prej së cilës mbeti lavdia e luftës antifashiste, po edhe gjurma e kulturës së asaj kohe, që sot e gjithë ditën është e shenjuar mbi të gjitha në asamblin historik të bulevardit kryesor të Shqipërisë.

Të dashur bashkëatdhetarë,

Tek ju, shqiptarë të Italisë e po njësoj të krejt Europës, unë shoh sikur ka marrë mish dhe shpirt shprehja e një emigranti të madh, Shën Palit, i cili i ra Mesdheut kryq e tërthor me peripeci të atilla që vetëm ju mund t’i kuptoni me mendje e më trup, deri kur solli Fjalën e Mirë të dashurisë së Zotit në këtë tokë të bekuar të Italisë, pasi e shpalli atë, siç vetë e dëshmon, në të gjithë Ilirinë:

“Luftova betejën e drejtë; e ndala
tashmë vrapin; e ruajta besimin; pres vetëm çka më takon,
kurorën e drejtësisë”.

Sot ju këtu, në Itali, jeni afro 700 mijë banorë me leje të rregullt qëndrimi në Itali dhe më shumë se një e treta juaj, afro çerek milioni jeni qytetarë me pashaportë italiane e me të drejtë vote në vendimmarrjet demokratike të këtij vendi.

Tre të pestat tuaja janë të përqëndruar këtu, në veriun e zhvilluar italian. 10% e totalit të bizneseve të krijuara nga që kanë ardhur në Itali nga jashtë Bashkimit Europian janë tuajat dhe sipërmarrjet e shqiptarëve që kontribuojnë me taksat e tyre në arkën e shtetit italian janë mbi 40 mijë.

Studentët shqiptarë në universitetet italiane, janë po ashtu rreth 10% e gjithë studentëve të huaj nga jashtë vendeve të BE-së dhe mes të gjitha komuniteteve të huaja studentore të Italisë, ai shqiptar renditet mes atyre me rezultatet më të mira.

421 mijë prej jush do të përfitojnë nga marrëveshja e sapolidhur e pensioneve me Italinë, ku falë angazhimit personal të kryeministres suaj në Italinjë mike e paepur të Shqipërisë dhe një zëdhënëse shumë e fortë e jona në Bashkimin Europian, Giorgia Meloni, ne ia dolëm ta vendosim më në fund, pas një përpjekjeje të gjatë po të palodhur dhjetëvjeçare, një gur të çmuar e të munguar, në atë kurorën e drejtësisë që ju e keni merituar plotësisht me dashurinë, me stërmundimet e me kontributet tuaja për këtë atdhe të dytë tuajin, ku ju e heshtët përgjithmonë atë zilen e paragjykimit të tmerrshëm “e stato un albanese”, që ju shoqëroi në të përpjetën e mundimshme të sakrificave drejt triumfit tuaj, si europianët e rinj të Italisë.

Sot unë kam ardhur tek ju, për t’ju thënë se edhe Shqipëria tanimë, po e fiton njësoj si ju betejën e saj të drejtë, pa e ndalur vrapin dhe duke e ruajtur të palëkundur besimin, në kërkim të kurorës së munguar të drejtësisë për emrin e saj, flamurin e saj, vendin e saj me Zot, me ligj e me zakon, në familjen e shteteve të Europës.

Jua them vazhdimisht kolegëve të mi europianë; vërtetë edhe për pak kohë ne nuk jemi ende të gjithë si popull dhe si shtet në Bashkimin Europian, por të qenit europian në mes të Europës, njësoj të barabartë në nder dhe në dinjitet me të gjithë të tjerët, nga Londra deri në Varshavë, nga Stokholmi deri në Athinë, shqiptarëve ua ka caktuar njësoj si gjithë europianëve i njëjti Zot dhe ne na e ka shkruajtur amaneti i Skëndërbeut, i rilindasve, i dëshmorëve të shqiptarisë ndërsa mbarë këtij kontinenti, jeni ju që ja keni imponuar të parët se shqiptarët janë pjesë e Europës dhe ju jeni pjesë e bashkuar e familjes europiane.

Njësoj sicc ju e çliruat këtu në Itali emrin “albanese” nga ai kafazi i tmerrshëm i paragjykimeve poshtëruese, edhe Albania jonë sot ka dalë nga ai kafaz, ku deri para disa vitesh e shikonin me nënçmim, e trajtonin, në rastin më të mirë, si një krijesë misterioze dhe në rastin më të keq si një qenie inferiore, e mbushur me pleshtat e të gjitha të këqijave, një vend i rrezikshëm i padepërtueshëm nga ligji, i mbështjellë nga pluhrat, i pushtuar nga plehrat që i bënte të gjithë shqiptarët në Europë, që ju bënte dhe ju këtu në Itali të skuqeshit kur i zihej emri me gojë ”Albania”.

Por sot, sot ka ardhur dita që çdokush rreth e rrotull jush, në lagje, në punë e kudo qoftë, nga italianët kur i thoni Albania, ju thotë “Mezi po pres të shkoj me pushime” dhe ka ardhur dhe dita kur nëse rastis ndonjëri që ju sheh shtrembër, keni të gjitha arsyet ta shihni me kokën lart dhe t’i thoni “C’e qualcosa”?”

Për shumë vite ishit ju, shqiptarët e Italisë dhe të gjithë Europës që e mbajtët Shqipërinë në këmbë me dërgesat për familjet tuaja. Sot është radha e Shqipërisë t’ju bëjë juve krenarë, kur flisni për atdheun tuaj apo kur italianët dhe europianët e tjerë flasin për Shqipërinë dhe për dinjitetin e saj të fituar përfundimisht europian.

“Akil, Akil, këmbëshpejti që rend brigjeve të detit…”
Kjo fjali e nxjerrë nga “Iliada” shqiptohej me zë të ulët nga një shqiptar që në vitin 1943 vuante si anti-fashist internimin.

Kjo fjali nxjerr nga Iliada, shqiptohej me zë të ulët, si një uratë në greqishten klasike, nga një shqiptar që më 1943 vuante si antifashist internimin në Ventottene. “Në Ventottene”, shkruan Altiero Spinelli, një nga etërit e projektit të Europës së Bashkuar –

(vijon)