Burrel, 2 maj, Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama:
Përshëndetje dhe shumë faleminderit për këtë mikpritje!
Edhe faleminderit edhe për vendin që keni zgjedhur, sepse doja të ndaj me ju disa fakte, shifra dhe kisha shumë merak se mos ishin atje te sheshi me diell, po jemi shumë mirë. Jemi shumë dhe iu falënderoj të gjithëve që jeni këtu.
Nuk dua t’ju lodh me shumë fjalë, dua t’ju them që jemi vetëm 9 ditë larg një takimi me historinë, në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe unë vetë jam shumë i lehtësuar për faktin që nuk po bëjmë një tjetër fushatë këtu, duke premtuar që do të mbarojë rruga e Arbrit, por po bëjmë një fushatë duke ardhur nga rruga e Arbrit. Mirëpo unë them që do ketë qenë dibran edhe ai që ka thënë “oreksi vjen duke ngrënë”.
Edhe e di që pavarësisht se kemi bërë shumë, ka akoma për të bërë edhe ndërkohë, ajo çka është vlera më e madhe ekonomike që do të sjellë rruga e Arbërit përtej lehtësimit të lidhjes së njerëzve me Tiranën, është që do të hapë një horizont të ri krejt për investimet në turizëm. Dhe unë jam i bindur që në dekadën e ardhshme, Dibra do të jetë pjesa më e lakmuar e metropolit të Shqipërisë dhe natyrisht që akseset në pikat më të bukura janë të domosdoshme.
Ne jemi në proces dhe me ndihmën e Zotit, shpresoj shumë që deri në fund të këtij viti ta kryejmë edhe rrugën e Lurës.
Por e di që këtu ka dhe një konkurrencë të brendshme midis matjanëve dhe dibranëve. Se sa herë them ndonjë gjë që i shkon më shumë dibranëve, sikur s’ka duartrokitje shumë shumë të nxehta, por mos u bëni xheloz për rrugën e Lurës, sepse mandatin e katërt mbetet për t’u bërë edhe rruga që lidh Burrelin me Ulzën, pasi është një zonë shumë e bukur, edhe tani që nga rruga e Arbërit vihet kaq lehtë ajo rrugë nëse do të transformohet dhe kur transformohet, do ta bëjë shumë më të lehtë pastaj edhe mundësinë për të bërë investime të tjera në atë anë.
Më ndërpreu, kur po thosha, ishim para se të vinim këtu duke pi një gotë ujë, se ka pas shpenzime Agroni dhe nuk na dha kafe, edhe tha unë çfarë kisha për të bo, bëra më të mirën e mundshme dhe e bëra dhe tani vetëm një gjë e kam mbetur pa u bërë, që është rruga Skuraj-Burrel.
Edhe i them unë, po sa kilometra është? Nuk është shumë tha: 36 kilometra.
I thashë unë, po kjo qënka rruga e dytë e Arbërit.
Edhe u hodh kryetari i bashkisë i Dibrës tha: Po jo tha, s’ke pse e bëni këtë, atë mbajeni ashtu që ta kujtojnë njerëzit si ishte, edhe si u bë. Që kur të shkojnë nga rruga e Arbërit, të shohin si u bë, kur të shkojnë atje, të kujtohen si ishte.
A e kuptoni tani ju? Po ne do ta bëjmë atë?
Mirë, po përpiqem të bëj një përmbledhje fillimisht me disa të dhëna lidhur me ecurinë e përgjithshme të këtyre viteve, sepse, pasi pashë rastësisht në të vërtetë se u bëra kurioz për të parë atë sondazhin e parë që kishte bërë ai sondazhisti i Trump-it që është nga më të famshmit për sondzhet, edhe për të pa atë, u detyrova me dëgju dhe ca që ishin aty që ishin komplet siç them unë, po s’po e përsëris atë fjalë këtu, se më thonë se janë mërzit burrat në Dibër.
Unë nuk e di pse mërziten burrat në Dibër, për ç’arsye do mërziten, është shumë e thjeshtë. Kush mërzitet, vjen me ne dhe tregon që nuk është ashtu, s’kanë pse mërziten.
Edhe më lanë pa fjalë ata që ishin aty, që kur ai nxirrte ato dhënat e anketimit, që shumica mendon që “Shqipëria po shkon në drejtimin e duhur”, këta hutoheshin, bëheshin keq, s’ka mundësi, thoshin, është e pamundur.
Pastaj, kur nxorri atë tjetrën, “shumica mbështet Partinë Socialiste”, po s’i ka mundësi.
Edhe filluan, ta shpjegonin si ka mundësi,
Thashë ore është reale kjo apo është ndonjë si emision satirik?
Njëri thoshte, epo shiko, meqë ky sondazhisti është njeri serioz, edhe kjo duhet të jetë e vërtetë, por në qoftë se kjo është e vërtetë, atëherë populli është i sëmurë.
Tjetri thoshte jo, i sëmurë është pak, është i çmendur populli.
Tjetri thoshte, jo mo jo se s’është as i sëmurë e as i çmendur, po është i shitur dhe i blerë. E Ka blerë Rama popullin.
Tjetri thoshte: Kjo tregon që ka hyrë frika deri në palcë dhe këta nga frika thonë që vendi po ecën mirë dhe do votojnë PS-në.
Askush mazalla se i shkoi mendja të thotë mos vallë populli ka të drejtë dhe ne nuk jemi në rregull, që rrimë përnatë këtu te këto berberhanet televizive dhe qethim dynjanë me llafe dhe ndërkohë s’kemi idenë se çfarë ndodh.
E tha Agroni nuk e thashë unë, pak përpara kur foli që këtu në këtë zonë uji ka qenë një problem madhor, sot ka 24 orë ujë. Mirëpo ata atje nëpër ato ekranet përsërisin pa pushim të njëjta fjalë. “S’ka ujë, s’ka bukë, s’ka siguri, njerëzit vdesin për bukë, po vriten, korrupsioni”. Dhe në fakt e vërteta është që është shumë e vështirë për të marrë vesh se çfarë ndodh në Shqipëri jashtë atyre gjërave që ke vet rreth e rrotull sepse nuk t’i tregon kush. Ekranet nuk të tregojnë gjërat pozitive që ndodhin. Portalet, harroje. Kështu që mendova që është mirë që t’i ndajmë disa të dhëna së bashku. Duke filluar nga një e dhënë që është një e dhënë shumë kryesore për një vend. Sa është prodhimi i përgjithshëm i vendit. Sa është gjithë vlera që i gjithë vendi krijon? E kemi pasur më pak se 10 miliardë euro kur ne morëm detyrën. Dhe sot e kemi 25 miliardë euro. Dy herë e gjysmë më të lartë dhe besojmë bazuar jo në dëshira por në projeksionet që kanë bërë ekspertët tanë të Ministrisë së Financave bashkë me ekspertët ndërkombëtar që punojnë me ne, në 2030 do ta kemi 35 miliardë euro, por ajo që është e rëndësishme është t’i vëmë dhe në kontekst sepse ne jemi rritur kaq, po sa janë rritur të tjerët. Dhe ja ku jemi këtu tek rajoni. Këtu kemi vendet e rajonit dhe siç e shikoni, Shqipëria dhe kjo tabelë nuk është tabelë e qeverisë shqiptare, është tabelë e organizatave ndërkombëtare që merren me këto punë. Shqipëria ka rritjen më të lartë të prodhimit të përgjithshëm kombëtar, 109.6%. Kjo është mesatarja e rajonit. Se këta çfarë nuk sajojnë vetëm e vetëm që të mos i japin asnjë lloj krediti Partisë Socialsite dhe të mos i japin asnjë lloj krediti atyre që e mbështetësin PS që janë shumica. Çfarë nuk sajojnë dhe një nga sajesat është “po mirë se do rritej prodhimi se s’do rrinte aq, do rregullohej. Do vinte uji këtu se e solli koha. Koha solli ujin 24 orë këtu, koha e rriti prodhimin e përgjithshëm koha e bëri dhe Rrugën e Arbrit. Se pashë dhe bufin kur erdhi këtu në Dibër, bufi që tha ta gëzoni, jam shumë krenar që ne e bëmë. E patë ju kur tha jam shumë krenar që e bëmë ne apo jo?
Dhe këta tha vetëm e vonuan, por nejse është muhabet tjetër.
Po të ishte që koha do i sillte automatikisht gjërat atëherë pyetja që lind është pse nuk solli koha diçka të mirë nga ‘92-‘97. Pse nuk solli diçka të keqe? Po pse nuk solli koha diçka të mirë nga 2005 në 2013 kur vjen puna pikërisht te ekonomia, te borxhi, te financat dhe ja ku jemi më mbrapa tek pjesa që ka të bëjë me të ardhurat për frymë.
Shikoni sa ishin të ardhurat për frymë, 3300 euro. E mbyllëm 2024-ën me 10 300 euro dhe deri në 2030 do të arrijmë der në 15 000 euro të ardhura për frymë.
Shikoni kohën prapë. Pse koha nuk solli një situatë më të mirë financiare për Shqipërinë nga 2005 në 2013 kur faktikisht ne e gjetëm vendin me një borxh zyrtarisht 70 e ca përqind, por faktikisht edhe me një borxh të fshehu 700 e ca milionë euro që ishte borxhi që qeveria i kishte të gjitha kompanive që ishin kontraktuar për të bërë investimet, ato rrugët që i lanë të gjitha rrugëve sepse i bën tenderat, i thanë filloni dhe nëse rruga bënte po themi 10 milionë euro këta i hapën tenderat me 100 mijë euro dhe i thoshin kompanive vazhdoni ju se ua u kemi ne. Der në momentin kur kompanitë ndaluan se s’kishin më lek dhe do shikoni mbrapa aty te kreditë e këqija se çfarë situate u krijua. Ashtu sikundër nuk furnizoheshin më spitalet me ilaçe se nuk i jepnin leket kompanive që duhet të furnizonin spitalet me ilaçe. Mbeten shkollat për shkumësa. Nuk kishte shkumësa nëpër shkolla sepse nuk merrnin leket furnitorët.
Këtu jemi tek kreditë e këqija. Shiko çfarë ndodhi në atë lloj situate kur në banka këta merrnin kredi, i fusnin në këto punët që kishin me qeverinë me idenë që qeveria do tua u kthente. Qeveria s’ia kthente, këta s’kishin çfarë i jepnin bankave. Shikoni se ku vajti, gati 25% kredi të këqija që është momenti i alarmit dhe realisht vota e shqiptarëve në 2013 e ka shpëtuar këtë vend nga rënia në një tjetër humnerë si ajo e ’97-ës, jo më për arsye të Sudes dhe të Vebiut që kishin bekimin e atij që kishin në krye por drejtpërdrejtë për shkak të qeverisë që u soll si Sudja dhe si Vebiu me financat e shqiptarëve.
Këtu vijmë tek një tjetër e dhënë që është rreziku i rënies në varfëri.
E kemi pasur gati 24%, e kemi sot nën 20% dhe nën 20% na fut në një tjetër kategori vendesh ku ka dhe vende te BE.
Këtu jemi tek pabarazia në të ardhura. E kemi pasur në 2017 7.5%, kemi marrë një shifër për të qenë shumë korrekt sepse në 2013 ishte akoma më keq dhe sot e kemi nën 5% që përsëri na rendit më afër mesatares së BE sesa disa vende që janë në BE.
Këtu jemi te tregu i punës. Papunësia zyrtare ishte gati 18%. Sot për herë të parë kemi një nivel papunësie nën 10%, një shifrore që është 8.8 dhe synimi ynë është që deri në 2030-ën nivelin e papunësisë ta çojmë tek mesatarja ose tek niveli normal i BE që është tek 6%.
Kjo është një shifër që unë e kam shumë përzemër se kjo i kthen përgjigje gjithë atyre që përqeshin nëpër ato berberhanet e natës kur thonë që ja premtimet e Edi Ramës 300 mijë vende pune, ku janë?
Kur ne morëm detyrën, numri i të punësuarve në Republikën e Shqipërisë dhe këtu unë i referohem jo statistikave, i referohem regjistrit ku shkruhen të gjithë ata që janë të punësuar dhe ku janë të gjitha pagat. Ishte 1 milionë e 23 mijë të punësuar. Në fund të 2024-ës ishte 1 milionë e 327 mijë.
Tani, unë mendoj që midis të dyjave janë pak më shumë se 300 mijë plus, por kështu si ka ardhur puna e aritmetikës që po shkon keq e më keq se ne thamë se e pamë kulmin kur thoshte Luli im 7×7, 42 mirëpo ne s’kishim parë gjë akoma se tani ka dalë bufi dhe thotë 7×7, 6 milionë. E keni dëgjuar? 7×7, 6 milionë. Dhe pastaj thotë aq bëjnë por s’janë të miat. Po të kujt janë? Të patriotëve. Janë ca patriot që nuk i njoh por i ka lind në zemër të luftojnë për Shqipërinë dhe të hedhin 6 mln por garant duan PD. Ou? Megjithatë kjo është një histori më vete që është një dardhë që e ka një bisht shumë të gjatë që do dalë prapa. Jam i sigurtë për këtë. Këtu jemi tek përqindja e të punësuarve me pagën nën 40 mijë lekë. Shikoni sa kanë qenë,kur ne morëm detyrën,shqiptarët që merrnin më pak se 40 mije lekë. 60%. Shikoni sa janë sot. 14%.
Dhe ajo e sotmja lidhet me shumë kontrata të pjesshme. Kjo është rritja e pagave. Pagën minimale e kemi pasur 157 euro, e kemi 400, do ta bëjmë 500 në fillim, në janar të 2026 dhe deri në fund të mandatit të 4-ët, paga minimale do të jetë minimumi 650 euro.
Kjo është rritja e pagave në tërësi dhe kjo është paga mesatare e përgjithshme, pra është mesatara e atyre që punojnë në shtet dhe atyre që punojnë në privat të marra bashkë. Ka qenë 322 euro, është sot në raprotin e fundit 848 euro dhe në mandatin e ardhshëm, kjo është paga minimale në sektorin publik, ka qenë 372, është 1000 sot, do të shkojë 1200 euro.
Ndërkohë që mesatarja tjetër do të shkojë minimalisht 1000 euro për të gjithë. Këtu jemi tek pensionet dhe dua të them dy fjalë për pensionet sepse është shmë e rëndësishme që të kuptohemi. Sot ne kemi në Shqipëri dy blloqe pensionistësh; kemi një bllok të pensionistëve që kanë dalë para se ne të merrnim detyrën dhe kemi një bllok të pensionistëve që kanë dalë mbrapa. Dhe shumë prej tyre, për të njëjtën punë dhe për të njëjtat vite pune kanë pensione të ndryshme, sepse ne bëmë reformën e pensioneve pikërisht për të mbëshetur pensionistët, ndërkohë që sistemi i kënetës ishte, nuk ka pikë rëndësie sa ke punuar, sa sigurime ke paguar, maksimumi që mund të marrësh është 24 mijë lekë më i larti edhe të tjerët thërrime. Ndërkohë që ju e dini shmë mirë, u shkatërrua gjithë baza industriale e vendit dhe dolën njerëzit dhe nga 40 vjeç në pension. Po në fakt ai sistem pensionesh, nuk ishte sistem pensionesh, ishte asistencë, thjesht të gjthëve. Ndërkohë që ne futëm konceptin që e ka gjithë bota, të sigurimeve. Sa ke kontribuuar në sigurime shoqërore, aq të del pensioni dhe për këtë arsye sot pensionistët që kanë dalë pas refromës, kanë një pension më të lartë sesa pensionistët para refromës. Tani, sigurisht që kjo nuk është e drejtë por nga ana tjetër është një tjetër plagë e madhe e trashëguar nga koha e rrumpallës, dhe ne jemi shumë të vetëdijshëm që duhet të bëjmë çmos që ataqë janë para reformës, të mund të kenë më shumë mbështetje sidomos ata që janë me pensione shumë të ulëta dhe prandaj duam që ndërkohë shikojeni se ku ka shkuar sot, ky është sot pensioni mesatar i atyre që kanë sigurime të plota dhe që vjen nga pas reformës, ndërkohë që ne duam gjithësesi që edhe ata të tjerët të mos i lëmë vetëm me bonuset , të fillojmë hapa pas hapi të rrisim pensionin që të arrijmë në një pension minimal 200 euro, pra që të mos ketë në Shqipëri pensione nën 200 euro. Ndërkohë që pensioni mesatar janë të gjitha mudnësitë për ta çuar në 400 euro.
Vazdojmë me taksën. Ne kur erdhëm në detyrë, gjetëm një sistem që të gjithë paguanin 10%, që nga pastruesja deri tek kryeministri, që nga furra e bukës deri tek 15-katëshi në Tiranë, të gjithë paguanin 10%. Dhe ishte një 10% komplet i padrejtë sepse edhe ata që merrnin më pak, paguanin më shumë. Se 10% i një page të vogël është më shumë se 10% i një page të madhe , apo jo? Dhe ne e kthyem komplet dhe thamë ‘’kush paguan më shumë, do paguajë më shumë. Kur mer më pak,do paguajë më pak’’. Dhe shikoni çfarë solli kjo. 57% e atyre që janë të punësuar në Shqipëri, nuk paguajnë taksë mbi pagën dhe 93% e tyre paguajnë më pak se 10% ndërkohë që më përpara të gjithë paguanin 10%.
Kjo më pëlqen shumë dhe kjo është për ata që janë mërzitur në Dibër. Kjo është pabarazia gjinore, hendeku midis burrave dhe grave në indeksin e OKB-së. Kemi qenë në vendin e 83 në botë, sot jemi në vendin e 23 në botë. Por akoma më e rëndësishme është pjesa që vjen, papunësia e grave ka qenë 16.4 %. Ka rënë nën 9.4 % dhe akoma më e rëndësishme është pjesëmarrja e grave në forcën e punës. Pra kjo është e grave, domethënë sa nga totali i grave që janë në gjendje për punë sa marrin pjesë në forcat e punës. Ka qenë 50%, sot ka vajtur 70%. Këtu jemi tek investimet e huaja, edhe këtu Shqipëria për herë të parë ka një përqindje të investimeve të huaja në PBB më të lartë sesa mesatarja e githë rajonit.
Këto janë eksportet se flitet shumë e thuhet se Shqipëria s’prodhon asgjë. Të gjitha janë importe. Në fakt shikoni eksportet, më pak se 3 miliard në total kur morëm detyrën, më shumë se 9 miliard në vitin 2024. Pra 3 herë më shumë eksporte.
Këtu jemi tek biznesi i vogël dhe kjo ka shumë rëndësi edhe për të gjithë qarkun tuaj se ka shumë biznese të vogla këtu. Shikoni ku ka qenë taksimi i bizneseve të vogla dhe ja ku është sot, 0% dhe kështu do të qëndrojë deri në 2029 siç jemi zotuar, që deri në 2029 biznesi i vogël nuk do të paguajë tatim fitimi.
Dhe ndërkohë tek biznesi i vogël janë dy kategori, ato që e kanë xhiron deri në 100 mijë euro në vit që paguajnë as TVSH dhe këtu kanë përfituar gati 100 mijë biznese dhe shikoni shifrën që del nga kjo. Pra duke ia hequr tatimin dhe duke i hequr TVSH, shteti ka vendosur që çdo vit t’i lërë në xhep familjeve që meren me biznes të vogël, 66 milionë euro që në një dekadë janë 660 milionë euro.
Ndërkohë që për bizneset deri në 140 mijë euro , ata nuk paguajnë tatim fitimi por paguajnë TVSH dhe shikoni kursimin që i ka bërë shteti atyre, në vend që tua marrë, ua ka lënë familjeve 58 milionë euro, ku këtu në një dekadë janë 580. Bashkë më shifrën përpara, janë mbi 1 miliard euro, për një dekadë që shteti nuk i ka futur në buxhet për të bërë investime e për të bërë gjëra të tjera, por ia ka lënë qëllimisht familjeve që merren me biznes të vogël në mënyrë që t’i ndihmojë që të rriten, të forcohen, të investojnë më shumë dhe praktikisht, efekti i gjithë kësaj ka bërë që në përgjithësi ekonomia të përmirësohet.
Këtu jemi tek pagat. Shikojeni pagën e mjekëve kur morëm detyrën, sot paga e mjekëve mesatarja është 1670 euro dhe do të shkojë 2000 euro.
Këtu jemi tek programet e ndryshme sociale, kemi bërë shumë programe sociale. Unë nuk do t’i përmend të gjithë, por do përmend 2, njëri është programi për mbështetjen e fëmijëve me nevoja të veçanta, fëmijët autikë, fëmijët e tjerë me aftësi speciale që quhen dhe për ta, për nënat e tyre, me buxhetin e 2026 do të bëjmë dyfishimin e masës së mbështetjes financiare sepse e dimë shumë mirë se çfarë do të thotë.
Një tjetër program është trefishimi i ndihmës ekonomike.
Një tjetër program është programi për, këto janë shërbimet sociale të bashkive, bashkitë nuk kishin asnjë shërbim social, sot të gjitha bashkitë kanë marrë shërbimet sociale dhe mbështetjen nga qeveria dhe si rezultat janë mijëra njerëz që asistohen falë bashkive që janë më pranë qytetarëve.
Kjo është e dyta që doja të thosha. Këto janë 9200 nëna që janë nëna të papuna me 3 ose më shumë fëmijë. Për to prej vitesh tani ka filluar një mbështetje, shtet i paguan rreth 25 milionë euro për të paguar sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të tyre që do të thotë që kur të jetë mosha e pensionit, ato nuk do të pa pension meqë nuk kanë shkuar dot në punë ngaqë kishin shumë fëmijë por do kenë një pension dinjitoz.
Ky është bonusi i bebes, 227 mijë fëmijë kanë marrë bonusin, ju e dini është 400 euro për fëmijën e parë, 800 euro për të dytin dhe 1200 për të tretin sepse sa më shumë aq më lart ngrihet mbështetja. Duke filluar nga viti i ardhshëm do bëjmë një ndryshim tek bonusi i bebes, nuk do të bëjmë më çekun e drejtpërdrejtë njëherë por do të vendosim një shumë çdo muaj për nënat sipas numrit të fëmijëve. Për shembull, për fëmijën e parë, 2 vite rresht, për shembull, do ta mbështesim me një shumë çdo muaj, për fëmijën e dytë më shumë vite, për fëmijën e tretë dhe kemi disa skema por ajo që është e rëndësishme është që nga janari i vitit të ardhshëm mbështetja do jetë e shtrirë në kohë.
Këto janë pagat e mësuesve. Edhe pagat e mësuesve kanë marrë një rritje 950 euro është sot mesatarja dhe do shkojë 1250 euro.
Kjo është e rëndësishme sepse edhe koha e ka sjellë në vëmendje çështjen e mbrojtjes dhe faktikisht, në mandatet tona ne ia kemi kaluar buxhetin mbrojtjes nga 28 në 280 milionë euro, domethënë, 10 herë më shumë dhe pagën mesatare të ushtarakëve sot e kemi çuar në 1550 euro.
Gjetëm ushtrinë më të keq-paguar në rajon, sot kemi ushtrinë më të mirë paguar të rajonit, janë dhe dy vende të tjera në NATO në Ballkan por ushtria paguhet më pak se në Shqipëri dhe ajo që duam është që në Shqipërinë 2030, ushtria jonë të paguhet në mesataren e vendeve të NATO-s dhe kjo po bën që të ketë më shumë vajza dhe djem të interesuar që të hyjnë në Forcat e Armatosura.
Këtu tani janë investimet e qarkut Dibër. Dua t’i ndaj me ju për t’ju dhënë pamjen e plotë sepse siç thashë, secili nga ju di atë që ka ndodhur në bashkinë e vet. Në këtë rast, ju dini cfarë ka ndodhur këtu në Mat dhe në Klos por nuk dini pamjen e përgjithshme sepse nuk ke ku i sheh, nuk ke ku i dëgjon, televizorët kanë punë më të mëdha për të bërë, duhet të merrem me gjithë farë lloj çudish por mazalla se japin informacion për ekonominë, për zhvillimin etj. Portalet harroje fare kështu që… .
Këtu jemi tek infrastruktura rrugore. Në fakt, e vërteta është që ka qenë një nga qarqet dhe është shumë çudi e madhe, dëgjojeni, qarku Dibër, qarku Kukës kanë qenë ndër qarqet më pak të financuara edhe pse kanë qenë ndër qarqet që ja kanë dhënë më shumë mbështetjen dhe votën kënetës dhe kjo është edhe më e bukura, një nga bashkitë më të pa-financuara në të gjithë Republikën ka qenë bashkia e Tropojës, kjo është më e bukura fare. Hajde gjeje si funksionon logjika e bufit. Tani, këtu jemi tek infrastruktura rrugore, këtu infrastruktura rrugore ka qenë një tmerr, ju e dini më shumë seç ju them unë por numri i projekteve të bëra në infrastrukturë rrugore në qarkun Dibër është 242 me 490 milionë euro vlerë dhe shikoni këtu, të gjitha këto janë rrugë që janë ose rrugë të asfaltuara ose rrugë të bardha që janë ndërtuar nga Fondi i Zhvillimit dhe në bashkëpunim me bashkitë, 348 kilometra që deri dje as nuk, mezi aksesoheshin e sot janë të aksesueshme dhe praktikisht kemi 95% të rrugëve të brendshme që janë të aksesueshme. Patjetër që nuk hyn këtu Skura e Burrelit që e morëm përsipër e do ta bëjmë.
Këtu jemi tek rigjenerimi urban. Unë e mbaj mend shumë mirë kur kam ardhur në Burrel në fillim fare, isha në opozitë, këtu ka qenë një kryetar bashkie i PD-së, nuk ia mbaj mend emrin, por mbaj mend atë shejtanin e Peshkopisë, një Ilir Krosi, mirëpo ishte një tmerr, nuk kishte. Kur vjen sot këtu është komplet atmosferë tjetër, është qytet. Në atë kohë dukej si një fantazëm e një qyteti të dikurshëm, sot është qytet. Të gjitha këto projekte të rigjenerimit urban kanë bërë që një energji pozitive të hyjë në të gjitha zonat urbane të qarkut dhe në të gjithë Shqipërinë dhe për këtë janë investuar 16 milionë euro.
Këto janë 12 projekte për turizmin dhe mjedisin në qarkun e Dibrës, 0 ka qenë mbështetja në të gjitha vitet përpara për turizëm dhe mjedis këtu, 11 milionë euro janë investuar vetëm për turizëm dhe mjedis në qarkun e Dibrës.
Këtu jemi në ujësjellës-kanalizime, 68 projekte, thuajse 100 milionë euro që praktikisht kanë ndryshuar rrënjësisht situatën e furnizimit me ujë dhe kanalizime.
Këtu jemi tek infrastruktura energjetike 36 projekte 45 milionë euro mbështetje për të përmirësuar pikërisht shpërndarjen dhe furnizimin me energji elektrike të konsumatorëve.
Këtu jemi tek bujqësia, 100 projekte janë mbështetur në bujqësi, 27 milionë euro të dhëna në mbështetje të njerëzve që punojnë me bujqësinë.
Ky është arsimi dhe sporti, 52 projekte, 17 milionë euro për shkolla, palestra.
Këtu jemi tek kultura. E përmendi Agroni por unë nuk e di se sa vite duhet të numërosh mbrapsht para se të merrnim ne detyrën që t‘i bësh bashkë 1,7 milionë euro për kulturën në këtë qark.
Shëndetësia ka 21 projekte, 9 milion euro, bashkë me kujdesin social.
Dhe totali se tani është hall i madh me e pa të tjetër këtë, se mundet realisht të thotë: Ore ça bohet kështu, po totali është 643 milion euro të investuara në qarkun e Dibrës dhe unë ju them me përgjegjësinë më të madhe, duke pasur parasysh që shkollat, apo ambulancat këtu të fundit fare janë ndërtuar në fillim të viteve ‘70 dhe pastaj s’ka pasur më ndërtime të reja, ju them që jo në 23 vite përpara ardhjes sonë në detyrën po shtojeni edhe 20 vjet të tjera, bëjini 45 vjet dhe nuk janë investuar në të gjithë këtë qark 643 milion euro.
E gjitha kjo nuk do të thotë që kemi mbaruar punë, përkundrazi prandaj na duhet mandati i katërt se ka akoma punë për të bërë dhe nuk kemi kujt t’ia lemë punët.
Edhe unë s’dua t’ju mbaj më shumë dhe të zgjatem më shumë, po dua t’ju them që të gjitha punët do t’i bëjmë, plus që me Paketën e Maleve do të hapim një horizonte të ri për të gjithë ata që duan të investojnë në tokat e veta, ose të bashkohen me të tjerë këtu dhe që nuk kanë hipotekën për shkak se nuk e kanë pranuar 7501 dhe janë te kufijtë e vjetër, e kemi gjetur zgjidhjen për këtë me Paketën e Maleve, është shumë e thjeshtë.
Dikush që ka një tokë, shkon në bashki edhe thotë “kjo është toka ime, nuk kam konflikte me fqinjët”, bashkia bën verifikimin ka apo s’ka konflikte, është apo s’është toka e tij dhe ndërkohë e shpall 30 ditë pretendimin e x personave që thonë këto janë tokat tona.
Pas 30 ditësh nëse nuk ka të tjerë që hyjnë edhe thonë: Jo se s’është e këtij, është e imja që normalisht 90 % e tokave këtu, edhe në gjithë zonën verilindore, janë pa konflikte, atëherë bashkia e çon në këshillin bashkiak. Këshilli bashkiak e njeh të drejtën e pronësisë edhe të zhvillimit të pronës. Aty me atë vendim të Këshillit Bashkiak, subjekti bën projektin që është agroturizëm, që është agropërpunim, që është fermë që është vresht, çfarëdo qoftë, pemëtari, bën projektin, shkon në Ministrinë e Ekonomisë merr lejen për projektin, shkon në Ministrinë e Ekonomisë dhe paguan vetëm një euro, fillon investimin.
Në momentin kur e mbaron investimin e regjistron në hipotekë si pronën e vet të patundshme, është fare e thjeshtë.
Të gjitha këto do ndodhin, por unë do t’ju lutesha shumë të bëni çmos deri në 11 maj, që të bashkojmë sa më shumë njerëz për diçka më të madhe se kaq, që është mundësia e artë, fati na e ka sjellë në dorë ne që jetojmë sot në këtë moment, që Bashkimi Europian ka hapur tani derën për Shqipërinë dhe na ka dhënë 2 vjet kohë deri në 2027-ën, që ne të mbarojmë negociatat.
Ajo derë nuk rri hapur. Është një shtëpi të pasurish që nuk e hap derën sa herë që troket dikush, po e hap kur të 27 aty brena bien dakord që ta hapin dhe e hapin kur kanë interesat e vet, jo thjesht kur ke ti interes, ose kur je ti gati.
Rëndësi ka që ne kemi punuar që të jemi gati tek pragu, ata kanë hapur derën.
Tani dy vjet duhet të mbyllim mbi 250 mijë faqe negociata. Problemi është që kur shkojmë në Bruksel, ulemi me ta diskutojmë, duhet të bëni këtë vendim, duhet të merrni këtë masë, duhet të caktoni këtë standard, duhet të kaloni këtë ligj. Okej, themi, ne do t’i bëjmë këto.
Tani mund të ndodhi kjo që të kthehemi ne në Tiranë, edhe të shkojmë në parlament, t’i lutemi kënetës që hajde tani se duhet ta kalojmë këtë. Ti lutemi kënetës, e pastaj ça t’u themi atyre në Bruksel, që shiko se kemi një buf kënete këtu që papritur e pakujtuar është shfaqur mes njerëzve, edhe nuk arrijmë dot të merremi vesh.
Apo të shkojmë ke këta, se janë ca që kanë dalë që thonë jemi parti të reja. Janë thjeshtë formacione që te re kanë vetëm moshën e kryetarëve dhe janë nga i njëjti, e njëjta farë që polli ndjesë pastë LSI-në.
Tani, ç’a na duhen ne këta? Këto fara që pa dalë akoma, që pa u hap akoma veza, thonë “nëse ne do ta kemi në dorë, nëse populli do na japi ne ta kemi ne në dorë, ne do shkojmë në zgjedhje të parakohshme”. E keni dëgjuar kur thonë “ne do shkojmë në zgjedhje të parakohshme”.
Domethënë çfarë halli kemi ne dhe çfarë fati kemi në dorë, fatin europian të Shqipërisë, që t’i mbyllim të gjitha proceset deri në 2027-n. Tani, nga një anë kemi një kënetë dhe një buf kënete që shkon mblidhet atje, një njeri i lodhur, i rraskapitur, që harron kryefjalën që ka vënë, dhe pastaj del me kallëzues me një temë tjetër, me gjithë liderët atje të Partive Popullore dhe që nuk lë gjë pa thënë për vendin e vet, sikur vjen nga ndonjë diktaturë afrikane. Dhe këta të tjerët, po si mund t’i ngelet këtyre lloj forcave, një gjë sado e vogël në dorë, kur këtu duhet ta marrin ky popull në dorë çështjen e negociatave, që ne të mbyllim negociatat dhe shqiptarët marrin pasaportën europiane dhe të përmbushet profecia e Gjergj Kastriotit kur vuri barrikadën atje dhe na e përcaktoi ne fatin, profeti i historisë sonë.
Fati ynë është në perëndim, jo në lindje. Pastaj rilindasit na e shkruajtën amanetit “Dielli për ne lind nga perëndon”.
Pastaj doli populli në rrugë edhe pa i thënë njeri që e nxorri atë shprehjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.
Tani na ka ardhur ne në dorë që të bëjmë këtë kapërcim epokal, që është, nga milet, – se tamam si milet na kanë trajtu, i dorës dytë, edhe pse jemi nga popujt më të vjetër në mes të Europës, – të bëhemi qytetarë të barabartë me të gjithë ata që banojnë në Europë.
Dhe kjo do të thotë shumë gjëra, dhe unë nuk dua ta zgjas, se thashë tre herë, dhe prapë po zgjatem, se është shumë e bukur pamja. Por ju lutem shumë bëni çmos që në 11 maj të derdhen të gjithë në votime dhe insistoj të them që gratë dhe vajzat duhet të bëjnë çmos me gratë dhe vajzat e të gjitha llojeve të bindjeve, sepse unë kam shumë besim që gratë e kapin tamam këtë punë. Po, gratë e kapin këtë punë.
Keni parë ju ndonjë grua që luan domino, kot për kuriozitet? Keni parë? A keni parë ndonjë grua që luan domino? Se diku këtu afër kam luajtur dhe unë domino këtu, diku aty janë ca tavolina, luhet domino.
Tani s’kam gjë kundër dominosë unë, po nuk mund të luajmë në domino fatin e Shqipërisë në 11maj. Duhet të bëhemi sa më shumë.
Shumë faleminderit, shumë respekt.
Më vjen shumë mirë edhe për një gjë tjetër, se këtë e kam hakmarrje personale kur thosha: Do vijë dita që Dibra do bëhet jastëku i gjelbër i Tiranës dhe Dibra do hapet si horizont turistik, dibrarët më shihnin me atë e keni parasysh, me atë formën e vet, edhe më hidhnin ato batutat që kushedi sa do më kenë tallë, po unë edhe aq pak sa kuptoj, e kuptoj, që talleshin me mua.
Sot kjo është shumë e qartë. Dhe prandaj unë i them, prandaj unë them, kush jeton në këtë zonë 5 vjet kohë ka, 5 vjet kohë ka. Ma besoni këtë që 5 vjet koka që të t’i bëj yzmet pronave dhe vlerave që janë këtu.
Momentin që ne hyjmë në Bashkimin Europian, të gjitha do dyfishohen e do trefishohen, e do vijë dita që do shkojë kafja këtu nuk e di se sa euro.
Prandaj 5 vjet janë përpara për të gjithë emigrantët e për të gjithë ata që janë këtu, që të bëjnë planet, edhe pastaj do shikoni se si gjenerata tjetër do të jetojë në një vend që do të jetë njësoj si të ishte Zvicra e Shqipërisë.
Faleminderit!