Kukës, fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama:
Shumë faleminderit të gjithëve dhe faleminderit kujt i shkoi mendja për këtë vendosje sepse është tamam një sofër kuvendimi dhe na jep mundësinë që të flasim njësoj sikur jemi në një sofër.
Së pari, më vjen mirë që jam sot këtu. Dhe një falënderim të veçantë për këtë kohë fantastike dhe besoj që do ma lejoni një udhëtim shumë të shkurtër në të kaluarën. Kur vija në Kukës në ato fillime me Limanin dhe me ndonjë nga shokët e tjerë të Kukësit që janë këtu dhe i përshëndes të gjithë. dhe Kukësi ishte një territor i zymtë ku realisht nuk kishte asnjë arsye për të ndaluar dhe ku realisht çdo gjë rreth e rrotull të thoshte largohu.
Ndërkohë që, sot pa diskutim që ky është një qytet krejtësisht tjetër. Unë e di shumë mirë që puna jonë nuk ka mbaruar. E di shumë mirë dhe dua ti siguroj banoret e lagjes 1 dhe të lagjes 7 këtu në Kukës që projekti i transformimit të të gjitha lagjeve të këtij qyteti do të përfundojë duke i transformuar dhe ato dy lagje që kanë mbetur. Besoj që është provë e faktit që jam vërtetë shumë i vëmendshëm ndaj Kukësit se mbaj mend edhe numrat e lagjeve, u bë 2, u bë 3-shi, u bë 4, u bë 5-sa dhe është 1 dhe 7 që duhen bërë.
Ndërkohë që lagja e re është një pjesë e cila po ashtu kërkon adresim por ajo që ka më shumë rendësi të thuhet sot është që janë krijuar premisat që edhe Kukësi si qytet edhe si bashki të hyjë me më shumë forcë në hartën turistike të Shqipërisë. Sot ne kemi një zhvillim që askush nuk e mohon dot, që është zhvillimi turistik i Tropojës. Dhe njësoj si Kukësi, edhe Tropoja ishte një vend absolutisht i zhytur në zymti kur ne morëm detyrën. Dhe më kujtohet kur i thoshim në Tropojë që ne këtu do zhvillojmë turizmin, askush nuk e besonte dhe nuk kishin faj që nuk e besonin me thënë të drejtën se për shumë vite i besuan dikujt nga ata të vetët dhe nuk panë asgjë të hairit. Ndërkohë që sot Tropoja është në hartën turistike të Shqipërisë.
Po ashtu Hasi. Hasi është një tjetër pjesë e rëndësishme e këtij qarku që është koha të hyjë në hartën turistike të Shqipërisë.
Çfarë konkretisht mbetet për të bërë gjatë mandatit të katërt që kjo që po them të ndodhi? Ne e dimë shumë mirë që këtu ka një potencial të jashtëzakonshëm qoftë në aspektin e natyrës, qoftë në aspektin e mundësive për investim falë shumë familjeve që kanë emigruar, që kanë punuar fort dhe që kanë akumuluar kursime.
Por, midis natyrës së jashtëzakonshme dhe dëshirës së këtyre familjeve për t’u kthyer për ta rindezur oxhakun e gjyshit, stërgjyshit qëndron çështja e pronës. Çështja e pronës për shkak se në shumë pjesë të këtij qarku, si dhe në disa pjesë të tjera të Shqipërisë nuk është pranuar ligji 1701 dhe ndarja e pronës është bërë duke u kthyer në kufijtë e vjetër. Pra, ka dakordësi mes njerëzve se ku mbaron prona ime, ku fillon prona jote, por nuk ka mbështetje mbi bazën ligjore të Republikës së Shqipërisë për të marrë e për ta gëzuar dhe për ta investuar atë pronë.
Ne bëmë një përpjekje tjetër, bëmë ligjin 20/20 dhe ligji 20/20 sipas nesh krijon një rrugë për ta mundësuar këtë, por na rezulton, jo i lehtë për t’u zbatuar për shkak se në momentin kur duhet marrë dhe vendosur në hipotekë një pronë duhet mirëkuptimi dhe firma e gjithë pronarëve kufitarë dhe aty ku problemi bëhet dhe më i vështirë është pamundësia për t’i gjetur dhe për t’i pasur disponibël gjithë pronarët kufitarë se disa janë në Amerikë, disa janë në Tiranë, dikush nuk firmos, etj.
Dhe ekzaktësisht në radhë të parë për qarkun e Kukësit, ne kemi marrë nismën që do t’i shërbejë gjithë Shqipërisë, por ama është një nismë që e ka marrë shtysën ekzaktësisht nga qarku i Kukësit dhe nga dëshira dhe ambicia për t’i dhënë një hov zhvillimor këtij qarku, duke e bërë një nga qarqet më turistike të Shqipërisë paketën e maleve.
Çfarë është Paketa e Maleve?
Paketa e Maleve është një korsi me shpejtësi të lartë për të arritur të investosh, pavarësisht se të mungojnë letrat e pronës. Si funksionon paketa e maleve?
Dikush ka pronën e stërgjyshërve diku dhe do të çelë një sipërmarrje që mund të jetë agroturizëm, mund të jetë agropërpunim, mund të jetë një fermë dhe për këtë çfarë bën? I drejtohet bashkisë dhe i thotë kjo është prona e stërgjyshërve të mi dhe këtu janë dhe fqinjët, të cilët e aprovojnë këtë fakt. Bashkia e merr këtë kërkese dhe ia çon këshillit bashkiak. Ndërkohë bën afishimin e këtyre kërkesave që publikohen për të gjithë për 30 ditë. Natyrisht bashkia i ka të gjithë mundësitë me njësitë administrative që të hyjë në komunikim me banorët aty ku gjendet kjo pronë dhe të marrë aprovimin e tyre që po, kjo është toka e kësaj familje. Nëse brenda 30 ditësh nuk shfaqet një pretendent tjetër serioz, këshilli bashkiak miraton kërkesën për zhvillim në këtë pronë.
Me këtë kërkesë të miratuar familja, subjekti, shoqëria që është bërë bashkë se varet mund të jenë pronarët që investojnë, mund të jenë pronarët që lidhen me dikë tjetër sipas dëshirës së tyre, bën projektin, shkon në Ministrinë e Ekonomisë dhe bën kërkesën për të marrë në zotërim këtë pronë për të cilën paguan vetëm një euro dhe merr edhe aprovimin për realizimin e projektit.
Në momentin kur investimi është kryer prona regjistrohet në hipotekë dhe bëhet pasuri e patundshme e asaj familjeje. Paketa e maleve ka edhe një element tjetër, që për 500 aplikimet e para, aplikimet do të hapen pas zgjedhjeve, do të përcaktojmë dhe rregullat sepse procesi zgjedhor ka ca rregulla që nuk mund të bëjmë nga këto gjëra, dhe për 500 aplikimet e para që do të aprovohen, nuk do të ketë asnjë taksë për 10 vjet.
Besoj se kjo do t’u shërbejë të gjthë atyre që duan të kthehen për ta hapur një derë agroturizëm apo për të ngritur një fabrikë përpunimi të produkteve bujqësore dhe blegtorale, apo një fermë sipas dëshirës. Thënë kjo, ka dhe një tjetër element që ne do ta venosim në qendër të vëmendjes në mandatin e 4-t, që është qyteti i nëndheshëm këtu. Me qytetin e nëndheshëm ne kemi mudnësi të krijojmë një nga atraksione më të bukura turistike të Shqipërisë dhe kur unë thosha që Tropoja do të bëhet atraksion turistik dhe tek ju do të vijnë shumë turistë dhe ju do jetoni me turizëm, kuptohet që isha një komunist që duhet të ikja një orë e më parë nga Tropoja dhe nuk besonte njeri, ndërkohë që besonin një komunist tjetër, por unë s’jam, s’kam qenë, por kjo është temë tjetër, ndërkohë që sot Tropoja e ka të hapur rrugën e destinacionit turistik, me “Paketën e maleve’’ do ketë zhvilime të reja, jam i bindur sepse “Paketa e maleve’’ për shembull në Tropojë zgjidh edhe problemin e gështenjave fjala vjen, sipas atyre që janë prona me trashëgimi zakonore, ndërkohë që po ju them sot që potenciali i Kukësit nëse ne së bashku arrijmë t’i kombinojmë këto dy gjëra, pra të krijojmë atraksionin, duke vendosur në qendër si një magnet qytetin e nëndhshëm për të cilin po përgatisim një konkurs ndërkombëtar për ta kuptuar ekzaktësisht se si do të zhvillohet dhe në konkursin ndërkombëtar do të përshihet edhe hotel “Turizmi’ dhe nga ana tjetër për të krijuar një sistem mikpritjeje, ku njerëzit, jo thjeshtë të vijnë, por dhe të kenë mundësi dhe arsye të qëndrojnë disa netë nëpër bashkinë dhe qarkun e Kukësit, ne mund t’ju them që, nuk është aspak e habitshme, që në Shqipërinë 2030, Kukësi të arrijë në 1 milionë turistë si qark.
Nuk është një shifër e jashtëzakonshme, ka zona të tjera që e kanë arritur këtë shifër.
Tjetra që dua të them, duke kaluar tani nga Kukësi tek Shqipëria dhe duke ju thënë ju të gjithëve që jeni këtu, po ju që jeni ketu e keni ndarë mendjen, duke thënë atyre që s’janë këtu, që unë besoj se 11 maji nuk eshtë një zgjedhje si të gjitha të tjerat. Në 11 maj nuk është dita për t’u marrë me fanellat e partive, për t’u marrë me ngjyrat partiake, për t’u marrë me historitë e së kaluarës.
Në 11 maj është dita për të marrë një vendim që lidhet me historinë tonë, lidhet me fatin europian të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Në 11 maj është dita që demokratët të bëjnë atë që të tjerët që nuk ishin mbështetës të PD, bënë në 22 mars të vitit 1992 kur votuan për PD, pavarësisht se nuk ishin mbështetës të PD. Votuan për PD një shumicë e madhe shqiptarësh dhe kaq e vërtetë është kjo që po ju them unë, sa që në gusht apo në shtator se nuk e kam saktë si kohë, kur u zhvilluan zgjedhjet vendore, shumica dërrmuese votuan kundër PD. Por ama, ishin dy gjëra krejt të ndryshme; zgjedhjet e gushtit ose shtatorit, ishin zgjedhje vendore, kush do bëhet kryetar bashkie këtu, kush do bëhet kryetar komune atje. Zgjedhjet e marsit nuk ishin thjeshtë kush do qeverisë dhe kush do shkojë në opozitë,ishin zgjedhje kur shqiptarët kishin vendin e duhur dhe kishin kohën e duhur për të vendosur të mbyllnin një histori të gjatë me një sistem të vjetër e të hapnin një histori të re me një sistem të ri dhe shqiptarët e bënë këtë gjë.
Pastaj në vitet e tjera Shqipëria ka pasur shumë zgjedhje. Të gjitha zgjedhjet janë shumë të rëndësishme, kjo nuk diskutohet, por ama kjo e 11 majit është e dyta herë nga 1990 që shkojnë në zgjedhje dhe ndërkohë që zgjedhin një subjekt apo një subjekt tjetër, marrin dhe një vendim për historinë. A do të hyjmë në BE brenda kësaj dekade apo do të humbasim mundësinë historike që kemi përpara syve sepse BE i ka hapur derën Shqipërisë, na ka vënë përpara një plan konkret për të mbyllur negociatat brenda 2027 dhe na ka thënë ‘’nëse ju jeni në gjendje t’i përmbushni të gjitha kërkesat e negociataave deri në 2027, ne jemi gati të firmosim’’ dhe pastaj Shqipëria të bëhet vend anëtar i BE dhe me Shqipërinë që hyn në BE mbaron një mision kombëtar që nismën e vet nuk e ka në vitin ‘90, nismën e vet e ka në kohën kur Gjergj Kastrioti ndërtoi barrikadën për të na lënë një profeci historike, ai si profeti i historisë sonë , për të na thënë që vendi ynë, si komb dhe si popull është në Perëndim dhe nuk është në Lindje.
Dhe qysh atëherë kaluan shekuj, rilindasit e kthyen këtë profeci në një amanet të shkruar, i cili përmblidhet në ato dy vargjet e famshme, ‘’për ne shqiptarët dielli lind andej nga perëndon’’. Dhe pastaj kaluan prapë kohëra të tjera dhe populli shqiptar vendosi të çlirohet nga diktatura pa udhëheqësa, udhëheqësat dolën më mbrapa, u derdhën në rrugë edhe pa ia thënë kush në mënyrë të organizuar nxorri nga shpirti atë shprehjen ‘’e duam Shqipërinë si gjithë Europa’’.
Dhe qyshse ka nisur historia e transformimit demokratik të Shqipërisë, ne kemi dashur të hyjmë në BE çdo ditë, por kjo sot është hera e parë që BE, jo vetëm me fjalë, por dhe me një hap konkret na ka hapur derën dhe na thotë ‘’po të jeni të zotë, kapërcejeni pragun, ejani dhe bëhuni pjesë e jona’’. Treni i historisë na ka ndalur para syve. Ne e kemi humbur si shqiptarë jo një herë, disa herë trenin e historisë. Jo një herë, disa herë atë që s’na e kanë bërë dot të huajt, ne ia kemi bërë vetes sonë. Këtë herë ne i kemi të gjitha mundësitë ta shikojmë trenin, ta marim trenin dhe të gjithë fëmijëve që janë në këtë qytet sot, t’i bëjmë gjënë më të madhe që mund t’i bëjmë. Ata nuk kanë mundësi të votojnë, po kush voton thotë një fjalë e mençur, voton edhe për fëmijët që nuk kanë mundësi të votojnë, po kush voton thotë një fjalë e mençur, voton edhe për fëmijët që nuk kanë mundësi të votojnë dhe kjo fjalë e mençur nënkupton diçka: mos shko të votosh si tifoz, po shko të votosh për interesin e fëmijës tënd. Se kur voton si tifoz, ia jep votën kënetës për Kukësin dhe e lë Kukësin në atë derexhe që ne e gjetëm kur morëm detyrën. Po kur voton për interesin e fëmijës, votën ia jep kujt ta bën qytetin më të bukur ku ti rrit fëmijën tënd dhe interesi i të gjithë fëmijëve sot është që ne të rriturit në 11 maj të bashkohemi dhe të fillojmë punën për të hedhur hapin e fundit që çdo fëmije ti japim pasaportën europiane.
Dhe pasaporta europiane nuk është siç thonë disa që nuk dinë se çfarë flasin, një pasaportë që i ngjan me atë që kemi sot. Ajo që kemi sot është një dokument udhëtimi, ai që kemi sot na jep mundësinë që kur shkojmë në një aeroport ta nxjerrim që të themi; unë jam shqiptar edhe po udhëtoj.
Ndërsa pasaporta europiane që ne kemi detyrimin në radhë të parë ndaj fëmijëve tanë që t’ua japim në dorë brenda kësaj dekade, është një status i ri i shqiptarit, është një status i ri qytetarie, sepse ne na ka caktuar fati të jemi këtu në zemër të Europës, po merreni pak me mend, me shekuj, e shekujt të tërë edhe pse jemi një nga popujt më të vjetër këtu në këtë kontinent kemi mbet popull i dorës së dytë. Jemi të huaj një hap larg Bashkimit Europian. Duhet të hyjmë në Bashkimin Europian dhe të jemi evropianë të barabartë mes europianësh, sepse kjo na takon, sepse këtë meritojnë fëmijët tanë, sepse është fatkeqi e madhe ta mendosh që prindërit mund të shkojnë në votim edhe t’i harrojnë të gjitha këto edhe ta hedhin votën në ketë. Është fatkeqësi shumë e madhe ta hedhin votën në kënetë!
Dhe unë po ua them shumë thjeshtë. Kjo nuk është një fushatë për karrigen time, nuk është një fushatë për një mandat tjetër të Partisë Socialiste dhe për një qeveri tjetër të Partisë Socialiste, sepse në të gjitha rastet, siç e shihni edhe nga të gjitha sondazhet që i publikojnë të gjitha llojet e televizorëve që nuk lënë gjë pa thënë kundër nesh, Partia Socialiste do t’i fitojnë zgjedhjet e 11 majit, por një gjë është që të fitojë Partia Socialiste zgjedhjet e 11 majit dhe një gjë tjetër është që shqiptarët në 11 maj të bëhen një shumicë më e madhe se çdo herë tjetër, për t’i dhënë një fuqi vendimmarrëse atyre që do të jenë shumicë, neve domethënë që mos të humbasim asnjë ditë në negociatat në Bashkimin Europian.
Dhe për ta kuptuar këtë, do t’ju marrë vetëm dy minuta. Ça janë negociatat me Bashkimin Europian? Janë 1 mijë vetë nga ana jonë, djem e vajza, meqë ra fjala, shumica gra dhe vajza, se burrat janë pakicë, meqë ra llafi, se besoj që burrat e Kukësit janë shumë të qartë, që pa gratë nuk kanë ku shkojnë fare, edhe ngaqë janë burra të mençëm nuk janë shumica çyryk, kështu që janë shumica gra dhe vajza të ulura në tavolinë me Bashkimin Europian, 1 mijë vetë janë nga ana e tyre dhe çdo ditë merren me të gjithë sektorët ekonomia, drejtësia, mjedisi, uji, peshqit, zogjtë dhe për të gjitha këto janë 250 mijë faqe me rregulla, me masa, me kritere, me ligje për të cilat ne duhet të biem dakord. Biem dakord atje, duhet të vijmë këtu dhe duhet t’i kthejmë këto dakordësi në ligje, në vendime, në masa.
Tani, një fuqi më e madhe na bën që të mos ngecim në kënetë kur të shkojmë në parlament dhe këtu vij te Albani. E dini pse është Albani sot në këtë skuadër? Albani sot është në këtë skuadër, pikërisht sepse kur duhej që ne të dilnim përtej perimetrit tonë politik, se ndryshe nuk e kalonim dot reformën në drejtësi, Albani ishte një nga ata që theu rreshtat e anës tjetër. Arsyeja pse ata në fund u dorëzuan, edhe erdhën të gjithë në votimin më të paharrueshëm të parlamentit, aty kam parë unë burra me kokën poshtë, kartonin jeshil lart, sepse nuk e mbanin dot më. Nuk e mbanin dot më peng reformën në drejtësi.
E pra, ne prandaj na duhet një fuqi e veçantë në 11 maj. Po ua përsëris, se do të ishte fatale, do të ishte vërtetë fatale që për mustaqet e Kujtim Gjuzit ne të humbasim trenin e historisë. Se është realisht për mustaqet e Kujtim Gjuzit?
Gjëja e vetme madhështore që ka në atë kënetë madhështore janë mustaqet e Kujtimit. Më tregoni ndonjë gjë tjetër! Dhe 2027 është një afat, pse?
Sepse historia e Bashkimit Europian ka treguar një gjë shumë të thjeshtë. Bashkimi Europian është një shtëpi të pasurish edhe dera e asaj shtëpie nuk rri hapur. Ti mund të trokasësh sa të dush, dera nuk hapet. Ajo derë hapet kur të gjithë ata që janë brenda, 27 shtete, bien dakord për ta hap derën dhe ata e hapin derën vetëm kur kanë interes ta hapin derën dhe sot ka ndodhur ajo për të cilën unë, bashkë me të gjithë ata që më mbështesin, kam kaq vite që luftoj që nuk është vetëm interesi jonë që të hyjmë atje, po është dhe interesi i atyre që të na marrin atje.
Ama, siç ka ndodhur në të shkuarën, ajo derë mund të mbyllet. Na kanë dhënë afatin 2027, nëse ne nuk i plotësojmë kushtet, sepse ndërkohë këtu vijmë, shkojmë në parlament, del bufi, dalin kukumjaçkat, shfaqet zhapiku, janë edhe ca nga këto insektet e reja; i keni pa këto insektet e reja që janë shfaq nëpër fushë, se ata janë më të mëdhenjtë fare.
Ne nuk mund t’i themi Europës shiko se kemi ca probleme, se na kanë dalë insekte në shpi. Ne duhet të jemi super korrekt. Do ta bëjmë këtë? Po do ta bëjmë! Do ta bëjmë! Do ta bëjmë! Dhe për këtë na duhet fuqia, vetëm për këtë na duhet fuqi e shtuar.
Dhe tjetra është shumë e rëndësishme, që Europa, ajo është shtëpi, ato vende duhet ta dëgjojnë shumë qartë mesazhin e popullit shqiptar, që një shumicë më e madhe sesa shumica që e ka mbështetur historikisht, Partinë Socialiste është bashkuar për t’i thënë Bashkimit Europian: “Boll më ne duam të ulemi brenda aty ku është vendi jonë, në atë shtëpi”.
Dhe mos e harroni që në 16 maj, 11 maj janë zgjedhjet. Në 16 maj do të vijë gjithë Europa në Tiranë. Do të vijë Bashkimi Europian, të gjitha shtetet, do të vijnë dhe të gjitha shtetet e tjera demokratike që nuk janë në Bashkimin Europian, që nga Turqia tek Britania e Madhe, Azerbajxhani, Armenia, Ukraina, e kështu me radhë.
Dhe ajo është dita kur ata ta marrin shumë të qartë mesazhin e popullit shqiptar.
Tani juve dëgjoni që ju thonë që ore po shiko tani ç’është kjo punë kështu. Edi Rama i herë vjen, thotë timoni, pastaj tepsia, pastaj këneta, jepni mandat, i dhamë tre mandate, do të katërtin. Edhe 3 mandate nuk i mjaftuan për tu futur në BE, tani thotë më jepni dhe një tjetër”.
E para punës njëherë, për punën e timonit juve ju kujtohet, në 2017 ju thashë “Ma jepni timonin që të mos kem të tjerë në prehër se ndryshe nuk bëhet reforma në drejtësi” dhe ashtu doli, faktikisht ashtu doli. Nëse nuk do të ishte mbështetja e popullit që na dha ne shumicën vetëm, harrojeni se do vinte Shqipëria ku ka ardhur sot, harrojeni. E dëgjuat një nga ata figurantët e rinj që thoshte “Nëse ne do ta kemi në dorë, do shkojmë në zgjedhje të parakohshme” e kuptoni apo jo? Shqipëria duhet të shkojë në BE, ata thonë do shkojmë në zgjedhje të parakohshme. E kuptoni se me kë kemi të bëjmë apo jo? Në zgjedhje të parakohshme, përse? Sepse është hapur vendi ngaqë këneta po bëhet gjithmonë e më e pa frekuentueshme, është hapur hapësira dhe kanë dalë këto moçalet e reja tani që duken si pishina. Nuk mundemi dot.
Ndërkohë, atyre që thonë këtë duhet tu thoni “Po mirë, Edi Rama nuk paska qenë i zoti 3 mandate që të na fusë në Bashkimin Europian. Po Mali i Zi që i ka filluar negociatat në 2012, përpara sesa Edi Rama dhe Partia Socialiste të vinin në qeveri, pse nuk është në Bashkimin Europian? Po Serbia që i ka filluar negociatat në 2014 që ne nuk ishim akoma kandidat, pse nuk është në Bashkimin Europian? Po Maqedonia që u bë dhe Maqedonia e Veriut, ndërroi dhe emrin dhe që ka qenë kandidate që në 2005 pse nuk është në Bashkimin Europian?
Ndërkohë që kur ne filluam këtë punë, ma besoni, kur i takoja unë në fillim këta europianët isha tamam si dikur në Lice Artistik që isha më i gjati dhe bënin zhurmë e rrëmujë nxënësit, tek gjimnastika e mëngjesit mua më kapnin gjithmonë dhe shkoja në drejtori unë 2 metra, ata të tjerët më të vegjël se unë dhe më shihnin aty si një zdap që nuk i duhej as dreqit. Kështu isha unë kur përfaqësoja Shqipërinë në fillim sepse për Shqipërinë kishte vetëm bezdi, ishte një vend që nuk e besonte njeri, nuk e vlerësonte njeri dhe nuk e llogariste njeri fare, hiç, që do bëhej me këtë shpejtësi vendi që Serbinë e kemi lënë mbrapa, me Malin e Zi jemi në të njëjtën vijë tek pragu dhe sot ky flamuri kuq e zi që ne e mbajmë me shumë krenari, kudo ku shkon në të gjitha samitet, në të gjitha tryezat ndërkombëtare rri me po të njëjtën krenari dhe nuk thotë kë kush “Ore, ç’është ky flamuri? I kujt është ky flamur?”
Kështu që, shumë është bërë dhe kujt më thotë “Për çfarë të duhet mandati i katërt” i them se ka akoma për të bërë prandaj duhet mandati i katërt dhe më besoni që ne mund ta bëjmë Kukësin, mund ta bëjmë këtë qark një destinacion të ri, të fuqishëm në hartën turistike të Shqipërisë nëse ju dhe nëse populli i këtij qarku do të na japë të gjithë besimin për ta bërë këtë gjë sepse kjo gjë bëhet bashkë.
Në fund, fola për Albanin, tani dua të flas për Tropojën sepse Shalsi tha që Albani është gjysmë kuksian dhe gjysmën më të mirë, domethënë gruan, se gruaja është gjysma më e mirë, kështu i themi ne nga Partia Socialiste “Gjysma më e mirë është gruaja, gjysma më problematike është burri” dihet ajo punë se janë mërzitur disa se thonë “Pse i thotë Edi Rama që gjysma e burrave janë çyrykë?” Tani, që janë, janë ata. Pse e them unë këtë? Jo sepse janë çyrykë si persona në jetën e tyre private, por që kur shoh që 56% e grave dhe vajzave në Shqipëri mbështesin Partinë Socialiste dhe kur shoh që kur vjen puna tek burrat diferenca është më e ngushtë, tani si i bie kjo? I bie që ajo gjysma që në vend se të shohë nga Europa sheh nga këneta, ka një problem apo jo? Albani ka gjysmën më të mirë nga Tropoja, por unë dua t’i them të gjithë tropojanëve dhe tropojaneve që në ndërkohë, nëse u shkon mendja të thonë “Ore, posi ka mundësi se ne 3 deputetë kemi për të zgjedhur. Kemi një nga Kukësi, një nga Kukësi dhe një nga Hasi. Tani na e keni sjellë një nga Kukësi që e ka gruan nga Tropoja dhe prandaj do ta votojmë?” dhe unë u them “Jo, nuk është kështu” sepse ndërkohë, një nga Tropoja 24 karat e kanë deputet në listën e mbyllur në Tiranë sepse jua çuam të atin njëherë, dy herë, tre herë, alamet djali, Petrit Malaj, e njihni të gjithë mirëpo me kë flet, kujt ia thua; -Jo, këneta.
-More ja ku është Petriti. – Jo, këneta. – Mirë dakord!
Atëherë ne nuk mund të rrimë dot pa e pasur një tropojan 24 karat në grupin tonë parlamentar dhe e kemi vënë në listën e mbyllur, brezin e ri të një familjeje me rrënjët dhe degët në Tropojë dhe me gjithë respektin që meriton, apo jo?
Hë more Mujo, a je në rregull? Unë jam në rregull me të gjithë qerosët, problemin është me ata që i kanë flokët e lyera, nuk di si t’ia bëj.
Ju falënderoj shumë të gjithëve, me shumë respekt dhe besoj që Kukësi, Hasi dhe Tropoja i kanë të gjitha arsyet që në këtë skuadër të bëjnë zgjedhjen pasi të kenë zgjedhur 5-ën që 5-sa është t’i themi Bashkimit Europian: “qepalla”!