Partia Socialiste e Shqipërisë

Cikli i takimeve të asambleve të zgjeruara të Partisë Socialiste që i paraprijnë Kongresit të PS, në fillim të muajit dhjetor, vijoi sot në qytetin e Pogradecit, në një takim të Kryeministrit dhe Kryetarit të PSSH Edi Rama, me strukturat përkatëse të partisë, lidhur me analizën e punës së bërë deri më sot dhe përgatitjes për sfidat që presin në vijim.

* * *

Kryeministri dhe Kryetari i PSSH Edi Rama: Shumë faleminderit! Kërkoj ndjesë për të qëndruar ulur se kam ardhur i përgatitur me shënime dhe dëshiroj që të ndaj me ju disa nga gjërat që besoj ia vlejnë t’i kemi parasysh në këtë periudhë, në këtë moment përpara Kongresit të Partisë Socialiste dhe ndërkohë që po mbyllet 1 vit, edhe bëhemi gati për një tjetër vit me sfida të rëndësishme, por edhe me një numër mundësish të reja që i kemi krijuar përmes përpjekjeve tona në funksion të njerëzve natyrisht, në funksion të komuniteteve, në funksion të vendit.
Është e rëndësishme të ndajmë disa shifra të thjeshta për të pasur parasysh se sa shumë hapa përpara kemi bërë, por edhe patjetër, për të kuptuar nga njëra anë që çfarë është arritur është fryt i një përpjekjeje të përbashkët që tregon se bashkërisht duhet të kemi ambicien të bëjmë shumë më tepër sepse ka shumë më tepër për të bërë.
Ky vit dhe më vjen shumë mirë që kjo që po them rezonon në të gjithë territorin e Shqipërisë, jo vetëm në zonat tradicionalisht zona turistike, ishte një vit apo është akoma një vit sepse vazhdojmë të kemi një numër mbresëlënës turistësh edhe në këtë periudhë të vitit, që na tregoi që Shqipëria është ngritur në një nivel tjetër dhe që Shqipëria është një destinacion turistik jo vetëm se ne mendojmë kështu apo pse disa të tjerë mendojnë kështu, por sepse të gjithë, e gjitha bota na shikon kështu. Fakti që edhe mbas sezonit veror, ne vazhdojmë të kemi numra jashtëzakonisht inkurajues të turistëve që vijnë në Shqipëri, është diçka që duhet të na japë shumë kurajë për vitin e ardhshëm dhe për vitin në vijim, pasi jemi në kushtet kur ka lindur më në fund, pas shumë përpjekjesh një industri e re e mirëfilltë. Nëse deri disa vite më përpara, ne mendonin se cilët do të ishin arritjet e viteve në vijim në këtë fushë, do të na duhej një kurajë e jashtëzakonshme për të imagjinuar që në vitin 2023, viti ku jemi, do të arrinim që pa ardhur akoma nëntori dhe dhjetori të kishim 9 milionë turistë dhe me gjasë nëse ritmi do të vazhdojë kështu, ne do t’i afrohemi 10 milionë turistëve, por 10 milionë turistë janë një mundësi e re e jashtëzakonshme në aspektin ekonomik për të gjitha familjet sepse juve keni qenë vetë dëshmitarë të këtij viti kur Korça apo Pogradeci, por edhe të gjitha bashkitë e tjera të qarkut kanë pritur shumë më tepër se çdo herë tjetër turistë të huaj dhe fakti qe turistët ikin me përshtypjet më të mira, duhet të na bëjë të mendojmë që tani që të tjerët do kthehen edhe më të shumtë në numër.
Ndërkohë që në të gjithë botën numri i turistëve, i njerëzve që bëjnë turizëm, vjen gjithmonë në rritje dhe ne jemi një vend shumë i vogël në skenën e madhe të botës kështu që ne do të kemi mundësinë të presim çdo vit gjithmonë e më shumë turistë, që do të thotë gjithmonë e më shumë konsumatorë, gjithmonë e më shumë njerëz që vijnë në vendin tonë dhe që kanë nevojë të ushqehen, kanë nevojë të flenë, kanë nevojë për të marrë kujtime me vete. Është një zinxhir i tërë prodhimi dhe shërbimesh ku të gjithë po të duan mund të përfshihen sepse nuk ka asnjë cep të Shqipërisë, nga bregu i detit deri në majë të maleve që nuk ka fuqinë për të tërhequr vizitorë dhe për të tërheq turistë.
Kjo do të thotë që për ekonominë familjare në Shqipëri ka lindur një mundësi e re, e madhe dhe kjo do të thotë qe për prodhuesit shqiptarë, ata që janë në ara, në tokat bujqësore apo ata që përpunojnë prodhimet bujqësore dhe blegtorale apo ata që janë të përfshirë në prodhimet e artizanatit, apo ata të tjerët që janë të përfshirë në të gjithë zinxhirin e shërbimeve, që nga ata që bëjnë transport tek ata që mikpresin nëpër hotele apo nëpër bujtina, apo nëpër shtëpi, është mundësia për të fituar më shumë e shumë e më shumë. Dhe kësaj perspektive i ka shërbyer gjithë përpjekja jonë me Rilindjen Urbane, e gjithë përpjekja jonë me investimet dhe me mbështetjen për bujqësinë, për agroturizmin, për turizmin kulturor e kështu me radhë, gjë që do të vazhdojë.
Ne sot, e tha dhe Niko pak, ishim, pamë zhvillimin e punimeve në një kantier goxha të rëndësishëm për Pogradecin, në një zonë të Tushemishtit ndërkohë që kemi të tjera projekte që do të vazhdojnë të realizohen hap pas hapi, por të gjitha këto janë një zinxhir i mirëplanifikuar punësh që bashkohen me përpjekjen e individëve, të sipërmarrjeve për të marrë pjesë në këtë zhvillim dhe për të përfituar nga ky zhvillim dhe nëse këtë vit Pogradeci, Korça , po edhe Devolli edhe Maliqi edhe Erseka edhe Pusteci kanë njohur një hov të ri të turizmit, duhet të jemi shumë të përgatitur që vitin e ardhshëm do jenë edhe më shumë. Dhe duhen edhe më shumë dyer të hapura për t’i mik pritur dhe duhen edhe më shumë prodhim dhe edhe më shumë shërbime për t’ju siguruar atyre një qëndrim të mirë, por edhe për të marrë mbrapsht fitimin e merituar nga e gjithë kjo.
Pra është një mundësi e cila sot fatmirësisht po shohim që po shtrihet shumë përtej zonave tradicionale, po shkon nëpër fshatra, po shkon në zona te thella dhe do të vazhdojë duke e rritur gjithmonë e më shumë. Kur ne diskutonim në fillim të kësaj rrugë të përbashkët për se si do ta transformonim, nuk po them Korçën apo Pogradecin, por po shtoj këtu Ersekën, në një destinacion turistik, në atë kohë s’kishte as rrugë për të shkuar në Kolonjë, shumëkush thoshte: “këto janë muhabetet e radhës, si gjithmonë dëshira, por asgjë s’do bëhet”.
Ndërkohë që sot të investosh në një agroturizëm në Erseke, apo në Mali apo në Devoll, apo në Pustec, është sukuses i sigurtë. Në vend se të mbash kazmën po mistrinë apo barrën e të punuarit për dikë tjetër në Greqi, në Itali, në Angli, ku të doni, flas për të gjithë ata që bëjnë punë të zakonshme dhe pastaj në fund të muajit mos të ngelet më asnjë gjë. Të investosh kursimet kur ke mundësi të bësh këtë në fshat, në cilindo fshat është e sigurt që në fund të muajit të lë diçka. Dhe këtë sot nuk e them unë apo ne, po e thonë faktet e gjithë atyre që e kanë bërë këtë. Është një kullë në fund të botës në zonën e Bulqizës dhe nëse do të shikoni historinë e asaj kulle, sesi një familje e ka transformuar në një destinacion turistik ku nuk e keni idenë sesa më e vështirë është të shkosh sesa të shkosh në cilëndo pikë këtu rreth e rrotull dhe të shikosh sesi ata jetojnë me atë punë dhe nxjerrin fitim nga ajo punë dhe kanë gjithmonë e më shumë njerëz që kërkojnë të shkojnë tek ata dhe kanë gjithmonë e më pak vende të lira sepse duhet të rezervosh shumë përpara, për të ilustruar këtë që unë po them.
Prandaj dua ta përsëris sa herë të mundem që për të gjithë ata që na dëgjojnë dhe që janë jashtë, që koha kur shkoje në Europë dhe mund të kurseje mjaftueshëm për të imagjinuar të bëje plot e plot gjëra të tjera, ka mbaruar. Nuk është më. Krahasimet rrogë me rrogë, nuk vlejnë. Vlen çfarë mbetet në fund dhe sidomos për ata që janë në një moshë të re sepse e kuptoj ata që kanë shkuar me kohë, kanë fëmije, fëmijët janë në shkollë, por për ata që janë në moshë më të re çfarë vlere ka të rrish të punosh për të tjerët atje dhe në fund fare s’mbetet asnjë gjë, natyrisht se i ke ato gjërat e domosdoshme dhe të përditshme.
Thënë kjo, duhet të kuptojmë se jemi realisht në një moment që i kemi të gjitha faktet që na tregojnë se synimin për të arritur në një majë tjetër, në një majë të re, e kemi të mbështetur. Nuk e kemi më një dëshirë, apo një ëndërr, apo një ambicie por e kemi një synim të mbështetur.
Sot kemi në dorë raportin e FMN që thotë shprehimisht që Shqipëria ka një nga ekonomitë më rezistente të rajonit. Dhe çfarë do të thotë “një nga ekonomitë më rezistente”? Do të thotë për shembull që nëse inflacioni edhe këtu natyrisht pati si të thuash vizitën e vet dhe pati impaktin e vet në rritjen e çmimeve, në Shqipëri ka qenë nën mesataren Europës dhe më i ulëti në rajon, në rajonin tonë dhe që vitin e ardhshëm parashikohet të shkojë në kuotat e veta normale dhe kjo tregon që ekonomia jonë është një ekonomi rezistente sepse po, u rritën çmimet, por mund të ishin rritur shumë më tepër siç janë rritur në vendet rreth nesh. Ndërkohë që fakti që leku ka arritur sot të barazohet me euron, tregon prapë për një ekonomi rezistente dhe të marrësh sot 400 mijë lek pagë minimale, janë 400 euro pagë minimale, çka nuk ishte e vërtetë deri përpara pak kohe. Këto janë fakte të thjeshta që nuk i ndaj me ju për të qenë të lumtur, por i ndaj me ju për të thënë që jemi në një bazë të re, të qëndrueshme për të synuar më shumë.
Po ashtu, është shumë e rëndësishme që ne sot me buxhetin e vitit të ardhshëm kemi një zbritje të borxhit që nuk e kemi pasur asnjëherë në kujtesën time, të paktën. Shkojmë te 60%. Por ju e dini shumë mirë sesa shumë na u desh ta rrisim edhe vetë borxhin sepse na u desh të përballemi me tërmete, me pandemi e me histori që nuk ishin fare në dorën tonë dhe që kishin peshën e tyre të jashtëzakonshme. Por si mund të zbresësh kaq shumë pikë përqindje brenda një kohe kaq të shkurtër nëse ekonomia nuk është rezistente? Mund të zbresësh vetëm sepse ekonomia është rezistente!
Dhe fakti tjetër është ai që ju intereson më shumë, patjetër, që në vitin 2024 ne do të kemi 400 milionë euro për rritje pagash. Që do të thotë do rriten pagat për mësuesit, përsëri, por këtë vit në mënyrë të konsiderueshme siç e premtuam në fillim të vitit që po mbyllet. Do rriten pagat për mjeket e përgjithshëm siç e premtuam në fillim të vitit që po mbyllet. Do rriten pagat për infermieret, siç e premtuam në fillim të vitit që po mbyllet. Do rriten pagat për punonjësit e policisë, siç e premtuam në fillim të vitit që po mbyllet. Do rriten pagat për ushtarakët, siç e premtuam në fillim të vitit që po m mbyllet dhe patjetër për gjithë punonjësit e tjerë të shtetit. 400 milionë! Dhe më thoni kush do ta besonte dhe do ta merrte serioze një shifër që do dëgjonte, jo shumë vite përpara, por edhe pak vite përpara, që në vitin 2024 paga mesatare në sektorin publik do të shkojë 900 euro? Kush? Çfarë tregon kjo? Kjo tregon atë që thashë më parë, që kemi krijuar mundësi të re dhe mundësitë e reja një qeveri i krijon për t’i shfrytëzuar që t’i ndajë tek njerëzit.
Nga ana tjetër janë 250 milionë euro që do të hyjnë për mbrojtjen sociale, 250 milionë euro janë vetëm për indeksimin e pensioneve dhe pastaj 1/3 e buxhetit do të jetë për gjithë mbrojtjen sociale në tërësi. Unë e di shumë mirë që për pensionistët nuk do të mjaftojë dot asnjëherë ajo që ne bëjmë në raport me atë që ata meritojnë, por në mënyrë transparente këto janë mundësitë dhe këto janë shifrat dhe mos të harrojmë që kemi një numër shumë të lartë pensionistesh, shumë të lartë krahasimisht me numrin e punonjësve të shtetit dhe për këtë arsye edhe rritja e pensioneve është më e ngadaltë. Duke pasur parasysh që nëse ka një gropë që ne nuk e kemi mbyllur ende është pikërisht gropa e krijuar në shumë vite nga mungesa e kontributeve shoqërore se kollaj është të thuash sot “Gjyshi apo babai ka një pension të ulët”, por ndërkohë duhet të shohësh nga vetja dhe të pyesësh veten “Unë, qëkur jam futur në punë, i kam paguar kontributet e mia që gjyshi ose babai të ketë një pension sic do dëshiroja unë?” dhe fatkeqësisht përgjigja është Jo.
Ndërkohë që, në momentin kur ne kemi filluar rritjen e pagave, cfarë ka ndodhur? Ka ndodhur një rritje e pagave edhe në sektorin privat dhe kjo ka qenë pjesë e qëllimit. Juve ju kujtohet fare mirë sesa ka qenë paga minimale kur ne kemi marrë detyrën dhe sot është më shumë sesa e dyfishuar. Ndërkohë që, nëse ne flasim për 900 euro pagë mesatare vitin e ardhshëm, atëherë sigurisht që kjo do të jetë njësoj e pasqyruar edhe në sektorin privat në pagën reale.
Pse e them këtë? Sepse një pjesë e pagave në sektorin privat, – dhe ky është një problem i yni, i qeverisë, – nuk deklarohet. Pra, japin një pjesë në bankë dhe një pjesë tjetër e japin në dorë. Pse? Për një arsye shumë të shëmtuar; për të mos paguar sigurime shoqërore, për të mos paguar sigurime shëndetësore mjaftueshëm. Epo, nëse nuk paguajmë sigurime shoqërore mjaftueshëm që të gjithë, si do të rriten më shumë pensionet?
Prandaj, cilido që merr një pagë në sektorin privat duhet ta refuzojë cash-in; duhet ta refuzojë dhe jo sepse patjetër duhet të paguajë më shumë sigurime shoqërore sepse ashtu i bie, por sepse ato sigurime shoqërore i paguan që t’i rritet pensioni babait ose gjyshit. Pra, në momentin që ti nuk ia merr të gjitha në të bardhë, por një pjesë ia merr në të zezë atij, sipërmarrësit që të thotë “Merri këto cash” dhe ty të duket se je në rregull se bashkë me sipërmarrësin ia hodhe edhe shtetit, në fakt nuk ia ke hedhur shtetit. Bashkë me sipërmarrësin, ti ia ke hedhur gjyshit ose babait, në varësi nga mosha.

Sidoqoftë për të mos u zgjatur në këtë pikë, kjo është një rritje tërësore që sigurisht do të përkthehet edhe kjo me një rritje më të madhe të konsumit sepse njerëzit do të kenë mundësi të blejnë më shumë, të konsumojnë më shumë që do të thotë që edhe kjo do të stimulojë nga ana tjetër të gjithë zinxhirët e ekonomisë, prodhimit ,të tregtisë e kështu me radhë.

Tani, thënë të gjitha këto, cilat janë sfidat tona?

Për të mos rrezikuar që të mos e shfrytëzojmë maksimalisht këtë mundësi të re që kemi krijuar, sidomos me turizmin, sfida jonë e parë është rritja e kapaciteteve profesionale të të gjithë atyre që janë në të gjithë zinxhirin e prodhimit dhe të shërbimeve.

Prandaj, këtu në këtë Asamble të zgjeruar, unë dua të përsëris thirrjen time për të gjithë prindërit që kanë fëmijë, të cilët janë në moshën për të shkuar në gjimnaz dhe për njëmijë e një arsye nuk janë me nota të mira; ata fëmijë që shkojnë në gjimnaz dhe që janë fëmijë të 5, 6 apo 7, ata fëmijë mund të kenë aftësi dhe me siguri kanë aftësi të tjera, nuk kanë aftësinë, përqendrimin, dëshirën, si ta doni, për t’u ngulur, për të lexuar, për t’u bërë inxhinierë e për t’u bërë ekonomistë, por ata kanë patjetër kapacitetin dhe kanë patjetër talentet e tyre, u duhet dhënë një zanat dhe ai zanat do t’i bëjë, në radhë të parë njëherë, që të mos kenë nevojë për njeri, por me atë zanat patjetër të marrë një punë dhe në radhë të dytë, sicc ndodh me shumë njerëz të biznesit jo këtu, por në të gjithë botën, njerëzti e biznesit, shumica e tyre nuk vijnë nga Akademia; vijnë pikërisht nga rruga e zanateve, vijnë pikërisht nga rruga e punës që të rinj e kështu me radhë dhe dikush që ka një zanat, dikush që merr një shkollë profesionale për hidraulik, për elektricist, për marangoz e për çfarëdo gjëje tjetër nga këto, qoftë edhe për të qenë në zinxhirin e shërbimit hotelier, nesër mund të bëjë kompaninë e vet, biznesin e vet të vogël si fillim, një biznes fare të vogël shërbimi dhe pastaj, në varësi të aftësive dhe talentit, mund të rritet dhe të rritet.

Kështu që, është gjynah, është gjynah që t’iu jepet fëmijëve me detyrim rruga e gjimnazit nëse këta fëmijë nuk janë për të shkuar në universitet dhe është edhe më gjynah pastaj kur çohen në universitet dhe sorollaten më pas me një diplomë që nuk ka asnjë vlerë sepse nuk janë të zotë për atë gjë për të cilën ka marrë diplomën apo sepse tregu nuk e kërkon fare atë lloj diplome në atë masë që ka diploma, ndërkohë që në rrugën e arsimit profesional, këta fëmijë do të kenë një të ardhme dhe në një vend si i yni që as nuk diskutohet që turizmin do ta ketë një industri kryesore dhe ku jo që do ketë punë për të gjithë, por do ketë nevojë për të gjetur punonjës edhe përtej atyre që ka vendi, është fatkeqësi që të mos kesh një zanat dot dhe të mos jesh i mësuar që të punosh me një zanat dhe të dalin përpara teje të tjerë që shkojnë kompanitë i marrin jashtë shtetit. Është fatkeqësi e aq më tepër nëse lidhen këto zanate me investimin minimal që bën një familje në një zonë çfarëdoqoftë për të bërë një bujtinë dhe me atë bujtinë për të mbajtur veten familja dhe për të krijuar të ardhura.
Kjo është e para dhe për këtë arsye, ne do të shtyjmë shumë fort në këtë drejtim, por na duhet mirëkuptimi i prindërve shumë për këtë dhe patjetër na duhet një organizim më i mirë i gjithë sistemit të arsimit.

Tjetra është që ne të rrisim shumë më tepër kapacitetet e vendit në teknologji, flas për digjitalizimin, flas për të gjitha sistemet teknologjike që mundësojnë një shpejtësi shërbimesh, që mundësojnë një shpejtësi dhe një transparencë të lartë të punëve të shtetit dhe patjetër ulin edhe të gjitha ato abuzime që vijnë si rezultat, qoftë i ryshfetit dhe i korrupsionit e qoftë i paaftësisë apo i humbjeve të pafundme në kohë të burokracisë.

Ju e keni parë sesa shumë në ndihmë ju ka ardhur platforma e-Albania që sot e përdorin të gjithë për nevojat e tyre për shërbime. Tani, shumë shpejt, e-Albania do ta keni në një formë tjetër që do jetë një formë njësoj si kur shkruani dhe kur merrni mesazhe, do mund të komunikoni me e-Albania në kohë reale përmes një sistemi të ri që jemi duke e përfunduar dhe pastaj, besoj brenda gjysmës së dytë të vitit të ardhshëm, se nuk dua të jap data, do ta keni e-Albania në xhep me zë dhe me figurë përmes Inteligjencës Artificiale, që do hapësh telefonin dhe do komunikosh duke thënë kam nevojë për këtë, kam nevojë për atë, çfarë duhet të bëj për këtë, çfarë duhet të bëj për atë, ku, në cilën rubrikë të futem, e kështu me radhë dhe do jetë një person atje, që s’është person real, po është person i krijuar me intiligjencën artificiale që do të të orjentojë.
Ky është një shembull që po e sjell. Por këto na ndihmojnë jashtëzakonisht shumë për të zhdukur komplet qoftë sekserët dhe ata që janë në mes, qoftë nevojën për kushërinj, kushërinjtë t’i keni me shëndet, po qoftë nevojën për kushërinj dhe për krushq, edhe krushqit t’ju rrojnë edhe qoftë edhe kohën e pafundme që të harxhon marrëdhënia me zyrat.
Tjetra është, ne kemi sot një vend që është një vend i sigurtë dhe këtë nuk e them unë po e po, por e thonë të gjithë. Ju e keni parë vetë se sa shumë, jam i bindur që këtu ndër ju, ka disa që i mbaj mend që nga dita e parë që unë jam në këtë rol që e dinë shumë mirë, ose mund ta kujtojnë kollaj në 2013 kur ne bënim fushatë, edhe në 2009-tën, edhe në 2013-tën, në të gjitha takimet, problemi i parë ishte “na mbroni nga hajdutët që na vjedhin shtëpinë”. “Na mbroni nga kriminelët që s’na lënë rehat”. I kishin tmerruar pulat, se njerëzit po e po. Zgjohej pula në mëngjes me të zotin dhe në darkë përfundonte në dhëmbët e hajdutit. Kështu ka qenë. Flas për krimin ordiner kudo. Dhe krimi ordiner i nivelit më të lartë me plagosje e me vrasje, dhe krimi i organizuar po e po ishin, vit pas viti, vit pas viti kanë ardhur duke rënë dhe këtë e tregojnë shifrat.

Këtë vit, kemi pasur më pak se gjysmën e numrit të vrasjeve të vitit të kaluar dhe vitin e kaluar kishim vitin më të mirë krahasim me vitet e tjera dhe fakti është që gjithë turistët e huaj thonë që mbresa e parë kryesore është siguria dhe qetësia. Sot kjo nuk është më diçka siç ka qenë në vitet e shkuara.

Unë isha në Paris. Kam qenë në Paris edhe përpara, edhe përpara, edhe përpara. Dhe po ju them që sot në Paris, nuk është siç ka qenë më përpara. Nuk del dot kollaj, kudo, në çdo orë të natës ose njerëzit e thonë kemi problem të dalim natën se të vjen dikush të rrëmben çantën, të rrëmben orën, të rrëmben çfarë ke nëpër duar. Kjo është e rëndësishme, por ne kemi akoma shumë për të bërë në këtë drejtim që ta konsolidojmë imazhin e një vendi që është një vend i sigurtë, ku mund të shkosh turist dhe s’ke problem, ditën, natën s’ke problem. Është e habitshme në një kuptim, po ne që takojmë edhe për shkak të detyrës njerëz që vijnë në Tiranë, të huaj që thonë, dola mbrëmë natën edhe ishte kënaqësi dhe s’ndieje asnjë lloj rreziku.

Nga ana tjetër, është patjetër drejtësia.

Drejtësinë ne e kemi pasur ambicien tonë më të lartë dhe kemi bërë përpjekje për të bërë reformën në drejtësi qysh që kur ishim në opozitë dhe kur kemi qenë në opozitë i kemi propozuar qeverisë së asaj kohe, me dokumente të shkruara që të bënim një pakt kombëtar për drejtësinë dhe i kemi propozuar të bënim një reformë në drejtësi dhe kur kemi bërë programin e Partisë Socialiste, kemi pasur diskutime brenda për brenda, sepse unë thosha duhet të jetë program dhe me të drejtë disa nga shokët e grupit të punës, programit, thoshin “po mirë si do e vëmë ne në program një gjë që s’e kemi ne në dorë, se për ta bërë këtë duhet të ndryshosh Kushtetutën, duhet të ndryshosh gjëra që duan më shumë se 84 vota. Ne tani mirë, do fitojmë zgjedhjet, po ku do i gjejmë këto numra”. Mirëpo, një gjëje që i vjen koha, i vjen koha dhe ja ku jemi sot.
Ja ku jemi sot, kur është në sytë e të gjithëve që drejtësia po merr një pamje tjetër. Ka shumë, sa të duash gjëra që nuk shkojnë në nivelin e prokurorive të rretheve, në nivelin e gjykatave të rretheve, por po ndodh diçka që nuk ka ndodhur qysh nga themelimi i shtetit shqiptar, qysh nga 1912-ta. Merreni që nga 1912-a, hiqini të pushtetshmit që vriste diktatura, se ajo nuk quhet, ata nuk ishte se i kapte ndonjë drejtësi e pavarur dhe i pushkatonte që nuk ka bërë vaki, që në Shqipëri të funksionojë një trup drejtësie që nuk pyet as kush je, as se me kë je, as sa lart je apo as sa nga lart je mësuar t’i shohësh të tjerët dhe të kërkon të paraqitesh.

Thonë disa që këtë drejtësi e kontrollojmë ne. Pse e thonë? Nuk po i hyj shumë këtij diskutimi, sepse nuk është mësuar njeri këtu, sidomos nga ata që kanë pasur, kanë pushtet që të funksionojë kështu, prandaj e thonë sepse kështu ka funksionuar gjithmonë kur kanë qenë ata në pushtet, që drejtësia ishte farsë komplet, e telekomanduar. Sot, s’është. Natyrisht që ka plot gjëra që mund t’i diskutojmë. Ka gjëra me të cilat mund të jemi dakord, ka gjëra me të cilat mund të mos jemi dakord, por ky është fakt. Ky është fakt!

Në Shqipëri ka rënë përfundimisht miti i personit të paprekshëm.

S’ka më asnjë person të paprekshëm dhe kjo si erdhi? Erdhi nga qielli? Janë disa që thonë e solli Amerika. Po si e solli Amerika? Me çfarë? Me aeroplan?! Këtë e ka sjellë vetëm një forcë mbi tokë, që është Partia Socialiste.
Dhe të mos e harrojmë, Partia Socialiste e ka pasur gjithmonë qysh në lindjen e saj prirjen për të menduar më shumë për shtetin sesa e kanë pasur të gjitha forcat e tjera politika pavarësisht se nuk diskutohet që edhe PS ka bërë gabimet e veta, por ama prirjen për të menduar më shumë për shtetin ose me saktë e vetmja forcë politike që qysh në lindjen e saj ka patur prirje të mendojë për shtetin është Partia Socialistë, nuk ka menduar për shtetin asnjë forcë tjetër politike, fare, zero. Dhe nuk është e rastësishme që qysh nga fillimi i pluralizmit po të shikoni të gjithë rrugën edhe korani, të kapësh një koran këtu tani ta pyesësh ore ma ndaj në këtë vend ku ti lundron këtu, me sa ke dëgjuar, kush shkatërron dhe kush ndërton do ta thotë; Kush shkatërron do të thotë emrin e partive që shkatërrojnë, me partinë në krye që dihet kush është, kush ndërton do të thotë partia socialiste. Dhe sikur të qëlloi që korani të jetë blu do të thotë, “hë mo lerë këtë muhabet”, por të kundërtën nuk ta thotë dot.
Në këtë reformë, Partia Socialistë po ju them të gjitha gjërat e tjera janë të rëndësishme patjetër, të gjitha. Dhe padiskutim çfarë kemi bërë në çdo sektor ka rëndësinë e vetë dhe ka sjellë ndryshim po, po iu them, në të gjitha gjërat që janë bërë në këto 30 e kusur vite nga të tërë, kjo e reformës në drejtësi është gjëja më e madhe dhe këtë ia ka dhënë shqiptarëve Partia Socialiste. Për pjesën tjetër nuk ia vlen fare të humbasin kohë, nuk ia vlen të humbasim kohë. Po të shikosh, të kthesh kokën mbrapa, të paktën në kujtesën tim, qysh nga zgjedhjet e 2013 dhe deri më sot është e paimagjinueshme në fakt, të marrësh kalamaj në klasë të katërt, nuk ka nevojë të shkosh më lart dhe tua japësh historinë si një histori si lojë e t’i thuash janë këta këtej, janë dhe këta këtej nga 2013 dhe t’i tregosh 2013, këta fituan, këta të tjetrën vunë kujën. Në 2015, këta fituan, këta të tjerët vunë kujën. Në 2017 këta fituan, këta të tjerat vunë kujën. Në 2019 këta fituan këta vunë kujën, dhe 2021 këta fituan këta të tjerët vunë kujën dhe çdo kujë është më e çmendur sesa ajo më përpara. Tani të pyesësh kalamajtë na thuaj përse këta fitojnë gjithmonë dhe këta humbin gjithmonë, kalamajtë do të thonë, se këta gjithmonë vendosin kujën dhe nuk kuptojnë pse humbin, në klasë të katërt. Çfarë t’i bëjmë ne atyre? S’kemi çfarë ti bëjmë. S’kemi çfarë i bëjmë realisht dhe maksimumi që mund të bëjmë është mos të merremi fare me ta. Vënë kujën, vënë kujën. Ç’të bëjmë! Kur njeriu e ka fiksim të vëri kujën e ka fiksim, s’ke çfarë u bën, nuk ia heqim dot dhe nuk kemi pse ia heqim. Mirë janë ata në rregull, vazhdojnë.
Ajo që ka rëndësi është që me ne edhe demokratët në rregull janë. Flas për njerëzit, se Korça sot, Pogradeci dhe të tjerë janë, nuk janë të socialistëve vetëm janë dhe të demokratëve. Dhe nga I gjithë ky ndryshim e gjithë kjo rritje turizmi, e gjithë kjo rritje mundësish përfitojnë edhe demokratët njësoj, prandaj dhe këta me të drejtë nuk shkojnë më nëpër protesta. Nuk shkojnë më nëpër protesta dhe të tjerët futen nga penxheret.
Ne kemi vetëm sfidat tona, që janë sfidat e vendit, nuk janë tonat personale që duhet t’i fitojmë, kundërshtarët tanë janë, që janë përballë nesh janë pikërisht pengesat që ne duhet të vazhdojmë të kapërcejmë, për të vazhduar të rrisim pagat, për të vazhduar të risimin pensionet, për të vazhduar të rrisim mbështetjen e njerëzve në nevojë, për të vazhduar të rrisim investimet, për të vazhduar të rrisim mundësitë dhe për ta bërë këtë pa rritur asnjë taksë.
Jemi I vetmi vend në këtë rajonin tonë këtu se me këtë krahasohem, mirë është të krahasim me Europën po të flasësh për taksa, pastaj nuk kemi fare çfarë të krahasohemi se i kanë nga 50 % nga 60 % taksat. Jemi i vetmi vend në këtë lagjen tonë këtu në Ballkan, që kemi 0 taksën për biznesin e vogël dhe ku qeveria është aleati strategjik i çdo njeriu që hap derën e një biznesi të vogël se do të vetëpunësohet sepse nuk i kërkon asnjë taksë, nuk i kërkon as TVSH. Tani taksën që i kërkon Xhakolli për pastrimin, ajo është tarifë pastrimi që do ta paguajë, se ndryshe do i mbulohet dyqani nga plehrat, por ama taksë qendrore dhe TVSH 0 dhe do ta mbajmë 0. E kam thënë, do ta mbajmë 0 deri në 2029 dhe do të rrijë 0 deri në 2029 pavarësisht se jam unë, s’jam unë. Do ta mbajë Partia Socialiste 0 deri në 2029 dhe nëse nuk do të jem unë, nëse s’ do jem unë, e vetmja arsye që mund të më rikthejë këtu tek ju, t ’ju them çohuni tani, do t’i rrëzojmë këta, domethënë Partinë Socialiste, është po prekën taksën e biznesit te vogël.
Ndërkohë që mundësia edhe e atyre që janë më të mëdhenj, është shumë më e madhe sot se ç’mund të ishte më përpara megjithëse paguajnë më shumë taksa se ç’paguanin më përpara. Kështu që këta janë kundërshtarët tanë, pengesat për të bërë më shumë e më shumë për njerëzit, për familjet, për komunitetin, për ekonominë, për Shqipërinë, të cilës i kemi ndryshuar fytyrën në sytë e botës. Nuk qesh më njeri edhe nuk rrudh më njeri fytyrën dhe nuk thotë më njeri ‘’ hë mo lëri ata, vendi u humbur atje’’ kur dëgjon Shqipërinë, por dëgjon Shqipërinë dhe sheh me respekt. Kjo është edhe një arsye pse bashkohen të dyja; edhe imazhi politik i Shqipërisë, edhe imazhi turistik i Shqipërisë, se liqeni aty ka qenë që në kohën, aty ka qenë liqeni, por turizmi sot s’është aty ku ka qenë se janë bërë shumë gjëra dhe nuk i ka bërë Zoti.
Zoti ka bërë bukuritë e jashtëzakonshme të Pogradecit e të gjithë Shqipërisë por bukuritë e jashtëzakonshme nuk mjaftonin. Përkundrazi, as nuk i shihte njeri se nuk vinte njeri. Edhe ata që vinin, mbyllnin hundën dhe iknin të tmerruar nga plehrat. Këto i ka bërë Partia Socialiste!
Dhe për ta mbyllur, dua t’ju kujtoj diçka këtu në Pogradec. Jam i sigurt që e mbani mend shumë mirë. Dua t’ju kujtoj se çfarë gjëje kur vije poshtë, pasi zbrisje nga rruga, kapje buzën e liqenit që duhej ta shihje midis godinave pa leje që ishin aty deri kur vije këtu dhe dua t’ju kujtoj që kur ne e filluam pastrimin e gjithë asaj zonë qe ishte si një copë Kandahar në mes të kësaj mrekullie këtu, mbani mend protestat? I mbani mend protestat? Protestat e organizuara nga Tirana. I mbani mend bllokimet e rrugëve? Si bllokohej rruga aty; ‘’që mos ngacmoni biznesin se biznesi është jeta, se jeta…’’ Mbani mend?
Tani fatkeqësisht u prishën ato bizneset, ndërtuan pa leje, bënë sa bënë, por nuk mund të rrinë aty. Po sa biznese kanë përfituar, sa familje dhe sa ka përfituar ekonomia e këtij qyteti, vetëm nga ajo? Po marr një shembull. Sa ka përfituar? Liqeni po ai ishte. Ku të vinin turistët siç kanë ardhur këto vite dhe siç janë dyndur këtë vit tek ajo vijë liqeni atje, me ato ndërtime të tmerrshme që i derdhin të gjitha ujërat e zeza në gjol. Dhe akoma s’kemi bërë lungo-gjolin që është ambicia e madhe e Xhakollit dhe që e kemi me një financim të huaj, por do edhe pak kohë dhe do ta fillojmë patjetër vitin e ardhshëm, pas sezonit që të mos bllokojmë të gjithë sezonin turistik.
Kështu që, miqtë e mi, unë jam shumë besimplotë që më e mira është ende e gjitha përpara, kurse më e keqja, na e ka marrë të keqen ne dhe më e keqja siç e shihni dhe këto ditë, ia ka marrë të keqen Shqipërisë dhe ia ka marrë të keqen shqiptarëve një herë e përgjithmonë,
Faleminderit!