Partia Socialiste e Shqipërisë

Në Belshin e transformuar nga rrënimi e rrëmuja në destinacionin më të kërkuar turistik, falë projekteve bashkëkohore dhe njerëzve që duan dhe dinë të drejtojnë punën, – vijoi sot rrugëtimi i gjelbër drejt 14 majit për t’i shtuar pemë të reja, pikturës që qytetit dhe për të kërkuar sërish besimin për kryebashkiakun punëtor Arif Tafani, si alternativa e duhur për të qëndruar në krye të punëve të bashkisë.

* * *
Kryetari i PSSH Edi Rama: Shumë faleminderit për mikpritjen këtu! Dua të them qysh në fillim që Arifi është shumë modest, modestia është një nga tiparet e tij më dalluese dhe edhe sot e teproi me modestinë duke më dhënë mua merita që në fakt nuk i kam. Unë vërtete e kam pasur bindje, e kam pasur fiksim që ky vend duhej kthyer në destinacion turistik dhe e kam pasur këtë bindje që kur kam ardhur për herë të parë, ku këtu ishte një tmerr. Ku ky liqen ishte si një pellg i rrethuar nga plehra, ferra dhe ku bëmë aktivitetin e parë në aksin kryesor atje, me demek bulevardi që ishte gjithë gropa. Kur erdhi Arifi që më mori diku në Pajovë aty dukej sikur po më merrte për të më çuar në ndonjë vaki, i vinte zor. “Kryetar, është shumë e vështirë rruga, tha, – “por do bësh një cik durim sa të shkojmë”. Rruga e vështirë, këtu dhe më keq megjithatë unë që atë moment e kam parë të ardhmen e Belshit pikërisht tek ky liqen si qendra e gravitetit të një zhvillimi shumë të madh dhe pastaj sigurisht e kam njohur Dumrenë edhe më gjerë sesa qyteza këtu. Bukuri të mahnitshme, potencial i mahnitshëm që më besoni vetëm sa kemi filluar ta vëmë në punë.
Nëse sot ne jemi në një situatë ku brenda një viti këtu vijnë 150 mijë vizitorë dhe turistë, ndërkohë që atëherë jo që s’bëhej fjalë për turistë e vizitorë, por dhe kush jetonte këtu e kishte mendjen të ikte. Nëse sot kemi njerëz që kthehen, para se te vija këtu, ndalova 5 minuta aty te Arseni te Oazi, një emigrant 18 vjet në Greqi që ka investuar kursimet e veta për të hapur një strukturë mikpritjeje aty dhe është shumë i kënaqur, dhe s’ka si të mos jetë i kënaqur se punon në qytetin e vet, në vendlindjen e vet. Punon në pronën e vet dhe fiton më shumë sesa si punëtor atje në Greqi. Që të vijnë 3 mijë vetë për një vakt këtu, llogariteni vetë sesi mund të jetë e ardhmja dhe llogariteni vetë sesi del e sotmja për ata që investojnë kursimet e tyre këtu, por potenciali është shumë i madh sepse këtu ne po ecim me energjinë e rinovueshme, me fotovoltaiket.
Këtu ne po ecim me sistemin e grumbullimit dhe siç kam dashur që Bleshi të bëhej një shembull dhe është sot shembulli më i bukur i rilindjes urbane, dua dhe do bëjmë çmos me Arifin që Belshi të bëhet një shembull i ndërmarrjes së re bujqësore ku njerëzit të bashkojnë forcat, njerëzit të bashkojnë dijen e tyre, të bashkojnë punën e tyre, jo pronat, secili në tokën e vetë, por ama të gjithë së bashku për të prodhuar me cilësi dhe për ta shitur së bashku që duke pasur sasi të madhe, je ti që vendos çmimin, nuk e vendos çmimin ai që vjen dhe të kap tek e tek, siç i ha ujku delet që ndahen nga tufa.
Kjo është një ambicie që ne do ta realizojmë patjetër, sepse Belshi duhet të bëhet një pasqyrë rrezatuese e një bujqësie të re, jo thjeshtë prodho dhe pastaj rri e prit me ankth se kush do vijë ta blejë, por prodho dhe dil në tregje ndërkombëtare si një komunitet dhe pastaj secili sipas sasisë së prodhimit merr të ardhurat e veta. Jo si në kooperativën e dikurshme që të gjithë fitonin njësoj, jo, këtu fiton secili sipas sasisë së tokës dhe sasisë së të ardhurave të veta.
Tjetra që këtu ne duam të bëjmë, është gjenerata e re e sistemit të ujitjes. Kemi bërë punë të jashtëzakonshme të pastrimit të kanaleve ujitës, por duhet të kalojmë nga kanalet ujitës tek uji që vjen me tubacion dhe çdo fermer e racionon dhe kështu ujëmbledhësi strategjik atje i Thanës përdoret në mënyrë racionale, jo o burra uji përpara dhe pastaj kur fillon ujëmbledhësi bie nga niveli skam më ujë dhe rrimë me kokën lartë.
Tjetra që ka shumë rendësi është rritja e pagave. Rritja e pagave që është një rritje historike në sektorin publik, që do të tërheqë shumë fort dhe sektorin privat. Kështu që, ne vitin e ardhshëm, në prillin e ardhshëm ekzaktësisht do ta mbyllim këtë proces që kemi filluar këtë prill, ku po i rrisim pagat që tani hap pas hap, dhe do të arrijmë nga 530 euro në 900 euro pagë mesatare në Shqipëri. Kemi rritur pagën minimale në 40 mijë lek! Do ta çojmë patjetër në 45 mijë lek brenda mandatit dhe pa e çuar në 60 mijë lekë nuk kemi bërë detyrën.
Nuk e kemi pasur të lehtë, tërmeti na detyroi që shumë projekte t’i linim për më vonë. Edhe Belshi ka dhënë kontributin e vetë për rindërtimin e atyre mijëra shtëpive për ata që ngelën në qiell të hapur sepse edhe projektet e Belshit u ndaluan.
Pandemia përsëri na bëri që të shtyjmë gjëra për më tutje sepse duhet të mbështesnim ata më në nevojë, duhet të garantonim vaksinat e kështu me radhë. Vjen lufta, inflacioni etj. Sot vazhdojmë paguajmë që çdo faturë energjie që vjen në shtëpitë tuaja të mos ketë asnjë qindarkë më shumë se ç’kishte përpara krizës së çmimit, por çmimi i energjisë është shumë më i lartë dhe me të gjitha këto prapëseprapë ne jemi në gjendje sot të bëjmë këtë rritje historike të pagave dhe do vazhdojmë të bëjmë investime dhe t’i japim mbështetje komuniteteve duke u mbështetur tek njerëz si Arifi.
Unë se di kush është ky i dominosë që do të bëhet kryetar bashkie këtu, por në fakt një lloj zari është gjithë kjo puna e atyre. Dy zara, dy njerëz me dy zara, që hedhin zarat, të kapin çfarë të kapin në një bixhoz që është rezultat i dëshpërimit dhe i halleve të tyre personale. Nuk ka lidhje fare me këto që flasim ne këtu.
Shiheni Elbasanin se e kemi afër, një orë e gjysmë donte të vije nga Elbasani në Belsh, sot është 25 minuta. Kështu që, 25 minuta larg nga ne është qendra e qarkut dhe aty ka dalë njeri që është, unë nuk merrem me këta kundërshtarët e vendosur si kukulla, ku është hedhur zari. Po ai është simbol. Ai është gjigand. Luluç Boçi. Ai është figura e një komedie të madhe. Më kujton “Zonjën nga qyteti’’, Koçin. Ju kujtohet Koçi që e morën për ta bërë dhëndër në atë fshatin e vogël dhe lemerisi gjithë dynjanë? Ky është zotëria nga qyteti që e filloi fushatën duke firmosur një kontratë. Firmosi një kontratë, kontrata e parë dhe e fundit në historinë e zgjedhjeve në botë, jo në Shqipëri, ku një kandidat firmos me statusin “Kryetari i ri i bashkisë”. Nuk ka kryetar i ri, kryetar i vjetër. Ose je kryetari, ose nuk je kryetari.

Ky firmosi kryetari i ri i bashkisë për të sjellë 400 milionë investime në Elbasan me një kosulent nga Bari që nuk figuron asgjëkundi. Një skenë filmi i zotnisë nga qyteti. Edhe kështu në pamje, po ta shohësh, mua më pëlqen se më heq edhe mallin e Lulit, po ky është më lart. Ky është një variant i Lulit, se ky s’fle as gjumë. Ai të paktën flinte gjumë dhe rrente më pak. Ky nuk fle gjumë. Ky edhe kur mbyll sytë, rren. Luluç! Kështu janë këta. E imagjinoni të punoni me këta njerëz që nuk e kanw mendjen fare, te puna.

E kanë mendjen si të rrejnë dhe po ua dhe zyrën, të përplasin derën në fytyrë dhe aty brenda në zyrë, të kapin ç’tw të kapin. Kjo është situata.

Këtu nuk bëhet fjalë fare se s’do rrimë të kthehemi te dominoja. Vërtet kemi shumë parqe, po. Për domino, luajnë të moshuarit, njerëzit që kanë punuar gjithë jetën dhe u takon të luajnë domino. Po nuk mund të luajë domino kryetari i bashkisë.

Nuk mund të bëhet zyra e kryetarit të bashkisë, sallë dominoje!

Imagjinoni t’iu vijë ndonjëri këtu që luan domino buzë liqenit. Jo nuk kemi kohë fare ta mendojmë këtë gjë. Ne duhet të mendojmë për ta çuar përpara punën. Kini parasysh edhe një gjë tjetër. Ne po ndërtojmë automotoparkun e Elbasanit. Automotoparku i Elbasanit, do të jetë një motorr shumë i rëndësishëm ekonomik, jo vetëm për Elbasanin, as vetëm për qarkun e Elbasanit, por për Shqipërinë.
Do të organizojmë aktivitete ndërkombëtare automotorristike. Do të kemi një destinacion ku do të punohet me standardet më të larta europiane për edukatën e sigurisë rrugore. Aty do të jenë plot fëmijë, prindër, sportistë, artistë që do të ndërrojnë vendet dhe do të ketë evente që mund të shkojnë në 50 mijë, 60 mijë spektatorë. Këta njerëz do të duan tavolinë për tu ulur, ku të hanë, do duan dhomë për të fjetur, pra duhet të përgatitemi për një kërkesë turistike shumë të fuqishme. Sot, unë jam i bindur që në qoftë se Belshi do të ketë më shumë ofertë akomoduese, do të ketë më shumë njerëz që vijnë. Do pwrgatitemi për shumë më tepër dhe Belshi është destinacioni ideal për ata që mund të vijnë tek automotoparku dhe do duan të kalojnë një, dy, tre apo më shumë mbrëmje dhe netë këtu në Belsh.

Besoj se këtu s’ka nevojë dhe shumë për fjalë. Një nga gjërat që ma bën këtë fushatë më, jo të lehtë, por të bukur është se kudo ku shkojmë ne mund të flasim përmes veprave. Mund të flasim përmes fakteve dhe kush ka sy për t’i parë faktet, nuk ka nevojë fare për përkthim. Këtu duhet t’i japim fund edhe tifozllwkut politik.

Nuk është nevoja të bëhemi gjithë shqiptarët të majtë. Disa janë të majtë, disa janë të djathtë, por kur vjen puna për të zgjedhur kryetarin e bashkisë, nuk duhet të ketë të majtë, të djathtë. Duhet të ketë vetëm përgjegjësi për t’i dhënë punën, njeriut të duhur. Për t’i gjetur punës, njeriun. Jo për t’i gjetur njeriut një punë. Jo për të gjetur një lojtar dominoje e për ta bërë kryetar bashkie, por për të gjetur kryetarin e bashkisë e për t’i thënë, urdhëro mbështetjen. Ja ku është kontrata me qytetarët, merre zbatoje, ec përpara! Sepse si je i majtë, si je i djathtë kur del nga shtëpia e do rrugën e pastër. Kush do ta pastrojë?! Do ta pastrojë Arifi që e ka treguar që jo vetëm di, por nuk lodhet së pastruari përditë e përditë, apo do ta pastrojë njëri që vjen me atë kutinë e dominove dhe ulet te stoli dhe thotë, kush fiton, paguan drekën.

Qofsh i majtë, qofsh i djathë do që fëmijën ta çosh në çerdhe, kopësht, shkollë të mirë. Kush do t’i garantojë qoftë si ndërtime, qoftë si shërbime?! Ai me kutinë e drurit, me zara dhe me domino brenda, apo ky që e ka treguar që di t’i ndërtojë, di t’i administrojë dhe di t’i verë në dispozicion të të gjithëve. Ti mund të jesh i djathtë sa të duash, po si mund ta lësh fëmijën në dorën e një lojtari dominoje pse është i djathtë ai. Këto janë gjëra që duhet t’i tejkalojmë motra dhe vëllezër. Jo ju, se ju këtu e keni ndarë mendjen. Flas për ata që akoma mendojnë mbrapsh.

Me kokën mbrapa. “Jo po se ne kemi qenë të persekutuar”, “jo se jemi të djathtë”, etj. Këto nuk kanë lidhje fare. Pemët nuk janë as të majta, as të djathta. Pemët i mbjellim ne, nuk i mbjellin ata. Ata çfarw të shkulin. Gropat në rrugë s’janë të majta dhe të djathta. Gropat në rrugë, i mbushim ne. Ata çfarë të hapin gropa. Librat e fëmijëve, falas! Nuk janë të majtë e të djathtë. Janë libra për fëmijët që ne japim falas. Ata ku ta kthejnë prap te tenderat për Bari Falliun me shokë për të shkruar libra e me radhë, e me radhë. Që mos iu lodh, shumë faleminderit të gjithëve dhe më vjen shumë mirë sepse është shumë e vërtetë ajo që tha Arifi, që të gjithë ata që janë nga Belshi sot, edhe kur janë jashtë, e kanë për kënaqësi të tregojnë kartolinat nga qyteti i tyre. Dhe këtë qytet kartolinë e ka bërë Arif Tafani, me mbështetjen tonë, po pa Arif Tafanin, ne nuk e bënim dot. Dhe po ju them, kur unë nxjerr foto në ‘Facebook’ nga Belshi, më marrin miq të huaj e më thonë, ore në Shqipëri është kjo? Vërtet është në Shqipëri kjo? Me kaq sa nxjerrim, është 1/10 e atyre që do të nxjerrim pas katër vitesh nëse do të vazhdojmë punën së bashku.
Shumë faleminderit!